Wednesday, June 9, 2010

"Droga s'më la të jem nënë e mirë, vajza më kritikon"

Në intervistën për "Shekullin", 27-vjeçarja rrëfen jetën e saj si përdoruese droge prej 10 vitesh. Vajza 5-vjeçare i di të gjitha.


Nuk gjen forcë për të mposhtur pendimin për atë që ka bërë kur ishte shumë e re. Tashmë ndihet akoma më fëmijë se vajza e saj 5-vjeçare, për të cilën thekson se është i vetmi motiv që ende jeton. B. D., është 27 vjeçe dhe prej 10-vitesh është përdoruese heroine.


Ajo tregon për gazetën "Shekulli" historinë se si përfundoi në botën e drogës, momentet e vështira kur u bë nënë, edhe pse ishte përdoruese droge, përballja me familjarët e saj dhe problemet që ka pasur me policinë, duke mos i kursyer goditjet edhe kur ishte shtatzënë.

Sa vjeçe jeni?

Jam 27 vjeçe.

Mbani mend si e keni filluar drogën për herë të parë?

Po mbaj mend diçka. Në fakt e mbaj mend këtë situatë pothuajse të gjithën, pasi nuk do më hiqet kurrë nga mendja.

Si ndodhi?

Jetoja afër "Shkollës së Bashkuar". Isha vetëm 17 vjeçe dhe u lidha me një djalë që ishte 2 vjet më i madh se unë. Unë e kisha pikë të dobët atë djalë dhe kur e kuptova që ishte përdorues ishte shumë vonë...

Më thoni ju si e filluat, a ndikoi i dashuri juaj që të filloni drogën?

Jo, ai nuk ka dashur kurrë që unë të bëhesha përdoruese. Unë u shtyva nga kurioziteti dhe ia dhashë lekët shokut të tij që të ma siguronte. Kjo gjë ndodhi me foli (varak) që herën e parë.

Po më pas, çfarë ndodhi?

Fillova të bëhesha më keq, pasi u bëra vartëse.

Ku i gjenit lekët për të siguruar heroinën?

Në fillim mi jepnin ata atë të shtëpisë, pasi nuk e dinin se isha përdoruese dhe më besonin. Iu thosha se më duhet të shkoj në ndonjë ditëlindje apo në aktivitet me shokët dhe më jepnin lekë. Kështu bëja disi, pasi heroina, kur e kam filluar unë, nuk ka qenë kaq shtrenjtë.

Më pas prindërit e kuptuan se isha përdoruese dhe reaguan shumë keq. Lek as nuk bëhej fjalë të më jepnin. U lënduan shumë kur e zbuluan këtë fatkeqësi.

Po kur mbetet shtatzënë, sa vjeç ishe dhe a vazhdoje të përdorje drogë?

Isha 22 vjeçe dhe sigurisht që vazhdoja të isha përdoruese.

Po babi i fëmijës ishte përdorues?

Jo, ai nuk ishte. U mundua shumë të më hiqte nga ajo rrugë, por për fatin tim të keq nuk ia doli. Kjo më kushtoi shumë, pasi u ndava nga bashkëshorti dhe vajzën e mora në shtëpinë time. U mundua të më rikthente në shtëpi, por unë e dija se do të vuante edhe ai për këtë shkak, ndaj vendosa të mos kthehem.

Fakti që je përdoruese droge prej 10-vitesh, ka pasur probleme me drejtësinë?

Shumë probleme. Duke ditur se jam përdoruese droge më kanë kapur disa herë pa asnjë arsye. Madje, edhe më kanë ofenduar dhe më kanë keqtrajtuar. Momentin më të vështirë e kam pasur kur isha shtatzënë 4-muajsh dhe më mbajtën në rajon rreth 12 orë pa asnjë arsye.

Thatë se keni një vajzë 5-vjeçare, e keni vështirë për ta rritur dhe edukuar atë?

Në fakt, e kanë rritur më shumë prindërit e mi. Ju nuk e besoni, por ajo mund të jetë më e rritur se unë, pasi është shumë e zgjuar. I dëgjon të gjitha debatet në shtëpi dhe përveç qortimeve që më bëjnë prindërit, mundohet edhe ajo të më kritikojë për vesin që kam. I di të gjitha për drogën, metadonin, trajtimin.

Më pyet shpesh se ku do të shkoj dhe nëse jam e rregullt në trajtimin me metadon. Më vjen keq që nuk mund të jem një nënë më e mirë për të, por gjithsesi ende do mundohem.

Si do mundoheni?

Të lë drogën, tani që jam në metadon. Do ta bëj së pari për vajzën time. Shpresoj që do t'ia dal, sepse e kam motiv të fortë fëmijën tim për ta lënë.

Jeni penduar që keni përfunduar kështu?

Jam penduar shumë dhe nuk gjej dot forcë për të mposhtur këtë pendim. Droga më ka shkatërruar dhe i vetmi motiv që jetoj tashmë është fëmija im. Nëse nuk do të isha bërë përdoruese droge, tashmë do të kisha mbaruar shkollën e lartë, sepse kam qenë nxënëse shumë e mirë dhe do të kisha një punë të mirë, ku të mundesha të rrisja vajzën time si gjithë të tjerët me nder dhe përkushtim.

Psikologia e Qendrës Aksion Plus, Ngjelina, shpjegon se prindërit duhet të tregojnë kujdes me adoleshentët


Psikologia:

Vajza 5-vjeçare, motivi kryesor që pacientja të lërë drogën



Prindërit duhet t'u rrinë sa më afër fëmijëve adoleshentë, në të kundërt mund të përfundojnë në rrugë të gabuara që mund t'u kushtojë gjithë jetën. Kështu shprehet psikolgia pranë Qendrës Aksion Plus, Enkelejda Ngjelina, e cila punon me përdoruesit e drogës prej 7-vitesh.


Ndërkohë, ajo shpjegon edhe rastin e 27-vjeçares B.D., sipas të cilës historia e saj ka nisur që në moshën 17-vjeçare. Ka qenë e lidhur me një djalë përdorues heroine. Sipas psikologes, është nga të vetmet raste, ku pacientja nuk ka filluar me hashash, por ka kaluar direkt në heroinë.


"Ky rast vjen nga një familje normale dhe me një ekonomi familjare normale, pasi prindërit e saj gëzojnë një biznes, por pasojat e sjelljes antisociale që pëson vajza vjen edhe si moskontroll i prindërve apo interesimi të tyre karshi vajzës, duke qenë se mosha e adoleshencës është një moshë shumë e vështirë dhe mosinteresimi i të afërmve e dërgon atë drejt heroinës", pohon psikologia Ngjelina, duke shtuar se edhe jeta e saj me një përdorues intravenozë ka bërë që ajo të shkojë drejt kësaj rruge.


Ndërkohë, ajo thekson se duke mos pasur informacionin e mjaftueshëm, si në shkollë si në familje, apo nga grupi shoqëror, të gjitha këto bënë që në fillim vajza të nisë heroinën dhe më pas të lindë edhe një fëmijë, ndërsa ajo ishte përdoruese droge dhe e papërgjegjshme për veprimet e saj. "Sigurisht që është me e vështirë të punosh me prindër përdorues droge.


Kjo edhe për arsye se një person që merr drogë apo është në terapinë e metadonit duhet të ketë një motiv shumë të fortë për ta lënë drogën, pasi duhet të jetë i përqendruar. Rasti në fjalë ka një motiv më të fortë për të hyrë në terapi, pasi fëmija i saj është motivi kryesor për ta lënë drogën.


Duhet të dini se personi kur merr terapinë nuk duhet të marrë droga të tjera. Rasti në fjalë është hera e dytë që futet në metadon", pohon psikologia, duke shtuar se vajzën kanë filluar ta aktivizojnë edhe me punë, për ta bërë që të ndihet më e vlerësuar dhe e motivuar për të hequr dorë nga përdorimi i drogës.


Eglantina Bardhi, G. Shekulli

No comments: