Thursday, June 3, 2010

Më pak patriotë

Më pak patriotë Jam patriot, por e pështyj këtë tokë.

Jam patriot, por hedh plehrat ku më do qejfi. Jam patriot, por jam bërë i pasur duke trafikuar vajza shqiptare. Jam patriot, por kam vënë lekë duke bërë tendera të pandershëm. Jam patriot, por bëj pazare me ilaçet e spitaleve. Jam patriot, por blej një kostum sa rroga e 4 muajve e një mësuese filloreje. Jam patriot, por nuk paguaj taksa. J

Jam patriot, por mbështeta kryeministrin në fushatë dhe ai më bën favore.

Jam patriot, po vjedh punën e tjetrit. Jam patriot, por punët për ristrukturimin e shkollës i bëra me materiale skarco. Jam patriot, por u bëra i pasur duke fryrë kostot e ndërtimit të rrugëve shqiptare. Jam patriot, por trafikoj çdo gjë. Jam patriot, por materialet e fabrikës time i hedh te lumi i Ishmit. Jam patriot, por nuk e kam problem t’u jap çfarë të kërkojnë grekërit.

Jam patriot, por nuk më intereson se çfarë ndodh jashtë shtëpisë time. Shqipëria është apartamenti im 200 metra katrorë në këtë shumëkatëshin në qendër të Tiranës.
Patriotë të çuditshëm ne shqiptarët, të edukuar me një shije të mbrapshtë e një admirim të çka na dëmton.

Shumë punë i kemi bërë keq të gjithë e pa na u dridhur syri të parët ngrihemi e flasim për patriotizëm, ne, vendi me natyrë kaq të bukur në Evropë, e kaq i keqtrajtuar. Do të jemi vërtetë patriotë kur të mos kemi nevojë ta themi, por ta tregojmë me punën tonë.


Alba Maltezi, Balkanweb.com

No comments: