Thursday, June 24, 2010

Në vetmi totale...Si një Zot.

Para disa ditësh, krejt rastësisht u gjenda vetëm në shtëpi. Hap televizorin, ndërroja kanalet, por nuk më ndërroheshin fytyrat. E fik televizorin dhe provoj të marr në telefon disa prej miqve të mi. Krejt rastësisht asnjë prej tyre nuk iu përgjigj thirrjeve të mia. Ishte vetëm një çast i vetëm, por u ndjeva aq thellësisht vetëm. "Hej, Zoti i madh" - thashë me vehte!

Në çast mendja më shkoi tek ky Zot i madh, tek i cili më shumë se 70% e banorëve të planetit i falen, i luten, e falenderojnë, e përkujtojnë...


Ky Zot i madh, ishtë më i vetëm se unë.

Ky Zot apo Zonjë, çfarëdo qoftë, është jetim. Nuk ka prindër, nuk ka motër, vëllezër. Ai nuk qan, me shumë gjasa as nuk qesh. Ai nuk përjeton emocione, surprizat për të nuk kanë kuptim. Nuk bëhet xheloz. Dashuria ndaj tij tejkalon çmenduritë. Njerëzit vrasin, vjedhin, mashtrojnë për të qenë sa më pranë tij. Paguhen, paguajnë...
Ndërsa Ai, nuk shpreson, ai e njeh të ardhmen. Nuk mundohet, nuk lodhet, për të gjithçka është e realizueshme. Ai nuk dështon, por veç kësaj ai nuk mund të përmirësohet. Nuk mund të shkojë përpara. Ai është i burgosur pas hekurave të perfeksionit.

Atë nuk mund ta qortojë askush, akoma më pak ta korigjojë. Ai nuk e njeh mëshirën, po dashurinë? Ai është krejt i vetëm, në kohë të kohëve dhe nuk mund të ndajë asgjë me askënd. Ai nuk zhduket, ai e di edhe historinë e tij...Apo nuk e di?!

Ky Zot i madh sheh gjithçka dhe në çdo çast. Ai është dëshmitar i të gjitha krimeve monstruoze të krijesave të tij ndaj njëra-tjetrës, por edhe më keq, sheh parreshtur luftën djallëzore të krijesave brenda llojit. Disa thonë që ai hesht, të tjerë këmbëngulin që ai reagon.

Eh, edhe këtë vetëm një Zot e di! Vetëm Ai, i vetëm...

Duke mu përplasur këto mendime në kokë u bëra konfuz. Një qënie e ndërgjegjshme, me të tilla të dhëna, me siguri do kishte shkuar në vetvrasje...

Shkroi: Stop Injorancës http://www.facebook.com/NdalPaditurise2

No comments: