Sunday, June 27, 2010

Lista e “zezë” e 10 qyteteve me ndotje toksike, ambientalistët japin alarmin

Porto Romano, Metalurgjiku i Elbasanit, Bajza e Shkodrës, Fieri, e Tirana qytetet ku jetohet me rrezikun.
Tirana
Ndotja toksike është kthyer kohët e fundit në një rrezik të madh për një pjesë të madhe të qyteteve në vend, duke përfshirë në listën e zezë edhe metropolin shqiptar Tiranën. Por nuk mund të mbeten mbrapa edhe Shkodra me zonën e Bajzës, Elbasani me Metalurgjikun, Fieri me disa zona ku përpunimi i naftës kryhet në kushte skandaloze e një sërë qytetesh të tjera ku ndotja toksike është kthyer tashmë në rrezik të hapur për banorët të cilët janë të detyruar të jetojnë mes rrezikut duke u ekspozuar kështu ndaj sëmundjeve kanceroze, atyre të frymëmarrjes të zemrës e një sërë sëmundjesh të tjera të rrezikshme.

Por në këtë listë nuk mbeten mbrapa Burreli, Laçi, Pogradeci, e shumë qyteteve të tjera të listuara në hartën e zezë të rrezikshmërisë.

I gjithë Jugu i Shqipërisë kërcënohet seriozisht nga niveli i lartë i ndotjes toksike.
Porto Romano
Kohët e fundit në lidhje me këtë janë evidentuar sëmundje të rrezikshme, të cilat kanë prekur një pjesë të madhe të popullsisë së kësaj zone. Në lidhje me këtë Xhemal Mato një prej specialistëve të mjedisit tha dje se nga organizatat e mjedisit në lidhje me reduktimin e ndotjes që sjellin elementët e dëmshëm të ndotjes nga nafta apo lëndë të tjera toksike në këto zona nuk është kryer asnjë projekt, dhe për më tepër edhe nga Ministria e Mjedisit nuk ka asnjë studim që mund të ndikojë në uljen e përmasave të ndotjes toksike e cila sa vjen edhe shtohet.
Sipas Matos specialistët e mjedisit, si dhe ata të shëndetësisë, bëjnë thirrje për marrjen e masave të menjëhershme dhe japin gjithashtu alarmin për gjendjen e ndotjes toksike e cila është në përmasa shqetësuese për të gjithë qytetarët e qyteteve ku bëhet përpunimi i naftës e niveli i ndotjes është në rritje. Edhe pse shpesh ambientalistët kanë kërkuar që të zbatohen masa për uljen e ndotjes së ajrit, ujit dhe tokës në këto zona sërish asnjë masë nuk është marrë nga Ministria e Mjedisit. Kjo, pasi shëndeti i këtyre banorëve është para një rreziku shumë të madh. Deri më tani janë të shumtë në numër ata persona, të cilët janë prekur nga sëmundje të rënda, siç janë kanceri dhe dizenteria, vetëm për shkak të ndotjes së lartë, që është e pranishme në këto vende. Specialistët kanë vënë alarmin, duke theksuar se shifrat e të prekurve nga sëmundjet vdekjeprurëse janë jashtëzakonisht të larta. Gjithashtu, ata pohojnë se, nëse nuk veprohet me emergjencë për uljen e nivelit të ndotjes, Jugu i vendit tonë do të jetë përballë një katastrofe dhe atëherë do të jetë shumë vonë për ta zgjidhur problemin e ndotjes.
Elbasan
Harta e Zezë
Përveç zonave të njohura si vdekjeprurëse, si Patos-Marinzë, në hartën e zezë të ndotjes toksike përfshihen edhe shumë qytete të tjera jugore. Kështu, jo shumë larg qytetit të Burrelit, një gjigant tjetër ka sjellë probleme me popullsinë. Specialistë të mjedisit kanë kërkuar që në fabrikën e përpunimit të ferro-kromit në këtë qytet të kryhet pastrimi i menjëhershëm i zonës, në të kundërt, pasojat do të jenë të parikuperueshme. Po ashtu, në Berat ekzistenca e fabrikës së prodhimit të baterive në këtë qytet ka bërë që ajri të jetë tri herë më i ndotur se parametrat e lejuara nga Komuniteti Evropian. Laçi, një nga qytetet industriale më të njohura në vend, ka kohë që, megjithëse është në gjumë, e ka realizuar qëllimin e tij, duke ndotur ujërat sipërfaqësore, si dhe nëntokën. Për sa u përket minierës së Bulqizës, shkrirësit të ferro-kromit në Elbasan, Kombinatit të Tekstileve në Berat, si dhe ish-fabrika e plastikës në Lushnjë, nuk do shumë të gjykosh. Mjafton të shkosh dhe do të bindesh vetë për rrezikshmërinë e tyre. Ish-Kombinati i Autotraktorëve në Tiranë ka problemin e madh, sepse një pjesë e banorëve jetojnë në ambientet e tij, ndërsa një pjesë e romëve “kanë pushtuar” brigjet e lumit, ku derdhen shumë nga mbeturinat. Për specialistët e mjedisit, një shqetësim tejet i madh është edhe Guri i Kuq në qytetin e Pogradecit, mbetjet e përpunimit të hekur-nikelit, të cilat rrezikojnë liqenin e Ohrit. Hedhja e mbetjeve në liqen ka bërë që uji të marrë ngjyrë të kuqe, duke shkaktuar ndotje tej normave të lejuara.
Ndotja, thuhet në studim, ka dëmtuar rëndë shumë nga speciet që gjallojnë ujërat e liqenit.

Bajza

Zonat e ndotura
1- Puset e naftës, në Kuçovë rrezik për banorët, rritet sëmundshmëria
2- Porto Romano në Durrës mbetjet inerte e ndotja tejet problematike
3- Metalurgjiku i Elbasanit shkarkon elementë të rrezikshëm në ajër
4 - Puset e naftës çlirojnë lëndë të rrezikshme për qytetarët e Beratit
5- Rrezikshmëri prej shkarkimit të naftës, kanali i motorit, në Pyllin e Sodës
6- Zona e Bajzës në Shkodër, ndotja shumë herë më e lartë se masat normale
7- Zonat me naftë në Fieri, ndotja është përhapur deri në bregdetin e Vlorës
8- Patos-Marinzë zonë e evidentuar nga ambientalistët si vdekjeprurëse


Arta AGOLLI, G. Sot

No comments: