Sunday, June 6, 2010

NASA: Nuk ka Apokalips

Shpërthime vullkanike të mëdha, stuhi magnetike, rrezatime nga hapësira etj...

Pas vetëm dy vjetësh në Tokë do të mbretërojë ferri ose të paktën, sipas Laurenc Josef, fizikan nga SHBA dhe autori i librit "Apokalipsi 2012".



Bindjet e tij bazohen në një fakt: më 12 dhjetor të vitit 2012 do të përfundojë cikli i kalendarit Maja, qytetërimi misterioz që banoi në Amerikën Qendrore nga viti 1800 përpara Krishtit deri në vitin 1450 pas Krishtit.


Për më shumë, të nesërmen e asaj dite do të ndodhë solstici dimëror dhe Dielli do të pozicionohet në qendrën e Rrugës së Qumështit për herë të parë pas 26 mijë vjetësh...a duhet të shqetësohemi?


Pozicionimi astronomik nuk do të jetë i rrezikshëm, të paktën sipas shkencëtarëve që e mbikëqyrin hapësirën në vazhdimësi. Për shembull, në vitin 2002 pesë planete u pozicionuan në një vijë të drejtë në harkun e 33 gradëve pa shkaktuar asnjë pasojë në kozmos. Ndërsa, kultura Maja ishte një nga më komplekset në botë dhe shquhej për diturinë në fushën e matematikës dhe astronomisë. Por, e gjitha kjo po krijon një klimë ankthi në lidhje me vitin 2012, që kujton pak a shumë atë të vitit 2000. Kur sipas raporteve në të gjithë botën u shpenzuan rreth 300 miliardë dollarë për të ndërhyrë në sistemet informatike dhe për të parandaluar katastrofën e madhe.


E gjithë bota është futur në një ankth të madh dhe histeri kolektive, për shkak të kësaj teorie tragjike, por çfarë mendon NASA rreth kësaj çështjeje?


Bota nuk do të marrë fund më 21 dhjetor të vitit 2012, insiston Agjencia Amerikane e Gjithësisë në kuadër të një fushate të rrallë për të zhvleftësuar pohimet e përhapura, të nxitura nga interneti dhe filmi hollywoodian 2012, i cili përveç fundit të botës, na shfaq edhe një version modern të Arkës së Noas të mbushur me kafshë dhe njerëz të përzgjedhur nga elita botërore për të nisur ciklin e ri të jetës nga e para.


Filmi më i fundit, "2012", që bëri bujë duke u shfaqur në të gjitha kinematë botërore dhe, duke shfrytëzuar "famën e momentit" të nxitur nga teoritë konspirative të apokalipsit, paraqiti një produksion 200-milionë dollarësh rreth fundit të botës, që bazohet në mitet e mbështetura nga kalendari i Majave.


Skenari apokaliptik rrotullohet rreth pohimeve se fundi i botës do të vijë kur Planeti X - apo Nibiru - do të përplaset me Tokën. Planeti misterioz thuhet se është zbuluar nga sumerët, sipas pohimeve të pseudo-shkencëtarëve, entuziastët e aktiviteteve paranormale dhe teoricienët në internet.


Disa faqe në internet e akuzojnë NASA-n se është duke e fshehur të vërtetën rreth ekzistencës së planetit, mirëpo Agjencia Amerikane e Gjithësisë i ka hedhur poshtë këto pohime, duke i quajtur "Mashtrime në internet".


"Nuk ka bazë faktike në këto pohime", kanë thënë përfaqësuesit e NASA-s". "Po të kishte ndonjë të vërtetë në përplasjen e tillë, astronomët do ta kishin përcjellë së paku gjatë dekadës së kaluar dhe deri më tani ai planet do të mund të shihej nga të gjithë", kanë thënë astronomët. "Është evidente se ai planet nuk ekziston".


"Shkencëtarët e besueshëm në tërë botën e dinë se nuk ekziston ndonjë kërcënim i lidhur me vitin 2012", ka shtuar NASA.


Ekziston një planet tjetër, Eris, që është duke lëvizur në hapësirë. Megjithatë, ky planet i vogël, i ngjashëm me Plutonin, do të mbetet në pjesën e jashtme të sistemit diellor dhe nuk mund të afrohet më shumë se 6.4 kilometra me Tokën, sipas NASA-s. NASA ka insistuar se kalendari i Majave në të vërtetë nuk merr fund më 21 dhjetor të vitit 2012, pasi që një periudhë tjetër fillon menjëherë pas tij.


Një teori tjetër, të cilën NASA e ka zhvleftësuar janë stuhitë gjeo-magnetike, ndërrimi i poleve apo jostabiliteti i pllakave të Tokës. Për shembull, disa mite pohojnë se rotacioni i Tokës dhe polariteti magnetik janë të lidhura me një ndërrim polesh që ndodh çdo 400.000 vjet.

"Me sa e dimë ne, një ndërrim i tillë magnetik nuk ka ndikim në jetën në Tokë" dhe ndërrimi i rotacionit të Tokës është "i pamundur", ka siguruar NASA.


Po ashtu, edhe pse kometat dhe asteroidet gjithnjë e kanë goditur Tokën, "goditjet e mëdha janë shumë të rralla", ka theksuar NASA. Goditja e fundit e madhe besohet se kishte ndodhur 65 milionë vjet më parë, duke shkaktuar fundin e periudhës së dinozaurëve.
"Tashmë e kemi parë se nuk ka asteroide aq të mëdhenj sa ai që vrau dinozaurët", ka thënë Agjencia e Gjithësisë.


G. Express

No comments: