Friday, June 18, 2010

Historia e Shkodrës dje dhe sot

Është qyteti që prej shekujsh njihet si djepi i kulturës dhe civilizimit të lartë brenda trojeve etnike shqiptare.

Historia e saj është e mbushur me ngritje dhe ulje ndër shekuj. Ajo gjithnjë ka qenë në qendër të vëmendjes gjatë gjithë historisë kombëtare shqiptare. Shkodranët kanë qenë ndër shekuj nderi dhe lavdia, të parë në të gjitha këndvështrimet, duke zënë në këtë mënyrë një vend nderi në histori.


Do të mundohem që të cek nga pak majat e krenarisë së qytetit dhe të vetë banorëve të saj ndër shekuj, duke u bazuar në shumë burime historike, që janë dëshmi e mbijetesës së lavdishme të zonës dhe qytetit dhe të vetë banorëve vendas kulturëdashës.

Shkodra, ky qytet i lashtë 2500-vjeçar, është një nga qendrat më të shquara qytetare të Shqipërisë e të Ballkanit, i njohur si kryeqendër tradicionale e kulturës shqiptare.

Duke ndier në këmbët e saj përplasjen e dallgëve të liqenit të Shkodrës dhe në gjoks gurgullimën e lumenjve të Bunës, Drinit e Kirit, me një dorë të mbështetur në bedenat e kështjellës legjendare të Rozafës dhe tjetrën në Alpet shqiptare, Shkodra të ofron bukuri të virgjëra natyrore që rrallë i has në një vend tjetër të globit.

Në rrjedhë të shekujve, veç etjes së saj për liri e pavarësi, ka afirmuar vlera të patjetërsueshme në rrafshin e kulturës e të artit, tradita të cilat kanë ardhur me bukurinë e tyre deri në ditët tona.

Gjurmët më të hershme të veprimtarisë njerëzore të zbuluara në pellgun e Shkodrës i përkasin periudhës së paleolitit të mesëm, por duke filluar nga periudha e bronzit, ato kanë një prezencë intensive e të pandërprerë.

Ky territor ka qenë i banuar nga fisi ilir i Labeatëve, lundërtarë e tregtarë të zotë. Ishin shkëmbimet tregtare me zonat e tjera, që u bënë shkak për themelimin e qytetit të Shkodrës si një treg e vendbanim ilir. Kështu, që në shekullin e IV p.K. e fillon jetën ky qytet ilir, i cili njihej në histori me emrin Scodra, Scobre, Skodrai, Skodre, Skydreonopolis, sot Shkodra.

Pushtimet e ndryshme ia kanë ndërprerë zhvillimin, e kanë shkatërruar shpesh dhe nga themelet, por Shkodra është ngritur edhe nga hiri. Në afro pesë shekuj të pushtimit osman shkëlqimi i qytetit u venit, por në shek. XVII do të jetë përsëri një qendër e rëndësishme jo vetëm administrative, por edhe ekonomike e Shqipërisë. Në këtë periudhë kishte 1800 shtëpi dhe 25.000 banorë dhe gradualisht bëhet një qendër e rëndësishme kulturore. Në Shkodër lindën institucionet e para kulturore në vend.

Qyteti është themeluar në shek e IV para Krishtit, prej fisit të Labeatëve, gjatë sundimit të Gentit (181-168) përreth kështjellës Rozafa.

Zona përreth vendit ku ndodhet sot Shkodra ka qenë e banuar që në kohët parahistorike. Këtu janë gjetur gjurmë të paleolitit të mesëm, ndërsa që nga neoliti gërmimet kanë zbuluar vazhdimësi jetese që vjen deri në ditët tona. Objektet e gjetura ruhen në muzeun e qytetit, në atë të Tiranës dhe në muzetë e Evropës. Kjo, sepse zona ka një kombinim të rrallë faktorësh fizikë për jetesë. Rrëzë kodrave të Tepes, në anën jugore të qytetit të sotëm, materialet arkeologjike fillojnë nga bronzi i hershëm (2000 para Krishtit). Në shekullin V-IV para Krishtit filloi ndërtimi i kalasë me gurë ciklopikë të puthitur pa llaç. Kalaja është e vendosur mbi një kodër në hyrje të qytetit, në një lartësi 130 m.

Në atë periudhë treva banohej nga fisi ilir i Labeatëve. Në këtë kohë qyteti merr një zhvillim ekonomik, gjë që dëshmohet nga prerja e monedhës në qytet që në vitin 230 para Krishtit. Nga monedha mësojmë emrin që ka pasur qyteti në atë kohë, Scodrinon.

Në vitin 181 para Krishtit bëhet kryeqytet i Mbretërisë së Ilirisë, me sundimtar Gentin, dhe kishte një shtrirje të madhe në pjesën veriore. Gjatë shekullit II para Krishtit, në kalanë e qytetit zhvillohen luftërat me Romën dhe në vitin 168 pushtohet nga Roma dhe bëhet një nga qendrat e njësive administrative të Perandorisë Romake. Me reformat e Dioklecianit bëhet qendër krahinore. Aty kalonin rrugë tregtare të rëndësishme drejt bregut Dalmat, nga veriu, dhe nëpërmjet luginës së Drinit për në Kosovë, nga lindja.

Ajo pushtohet dhe bëhet kryeqendër e shtetit të Zetës në shekullin e Xl. Më pas vjen pushtimi i shkurtër bullgar. Në shekullin XIV bëhet qendër e rëndësishme autonome me institucione të zhvilluara dhe në vitin 1360 bëhet kryeqendër e principatës së familjes Balshaj. Më 1396 kalon nën sundimin e Republikës së Venedikut, e cila rikonstrukton kalanë dhe qytetin e quan Scutari. Qyteti ka institucione dhe ligje si çdo qendër e zhvilluar veneciane në Adriatik.

Mbas vdekjes së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti, i cili drejtoi rezistencën e popullit shqiptar ndaj pushtimit të Perandorisë Osmane, në vitin 1479 Sulltan Mehmeti II rrethon përsëri Shkodrën me mbi 100.000 ushtarë, si qyteti i fundit shqiptar i papushtuar.

Mbrojtja vazhdoi mbi shtatë muaj nga një garnizon prej 1600 vetash, i cili u dorëzua me kusht. Kjo qëndresë u përshkrua nga historiani i parë shqiptar dhe dëshmitar i kësaj ngjarjeje, shkodrani françeskan, humanisti At Marin Barleti. Libri i tij "Rrethimi i Shkodrës" u botua në Evropë në vitin 1504.

Pas pushtimit qyteti u rrënua, por dalëngadalë u rimëkëmb dhe në shekullin e XVII u bë qendër sanxhaku e Perandorisë Osmane. Në këtë periudhë qyteti ka mbi 1800 shtëpi dhe ka filluar të shtrihet në fushën ku është sot. Zhvillohen zejtaria, punimi i armëve, punimi i mëndafshit, i bakrit dhe i stolive prej argjendi.

Në shekullin XVIII bëhet qendër pashallëku nën sundimin e familjes vendase të Bushatlinjve. Më 1787, Mahmut Pasha i Bushatlinjve tentoi për herë të parë krijimin e një principate të pavarur shqiptare, që më vonë u shtyp nga Perandoria Osmane.

Më 1718 janë hapur në Shkodër agjencitë e para konsullore. Më 1730 krijohet Dhoma e Tregtisë. Nga viti 1807 deri më 1809 ndërtohet bexhisteni në zonën tregtare në rritje të qytetit.

Në shekullin e XIX rritja ekonomike ecën me ritme të larta. Qendra tregtare, ose pazari, ka rreth 2500 dyqane dhe është më i madhi në Ballkan. Qyteti arrin në 50, 000 banorë dhe bëhet qendër vilajeti. Këtu prodhohen veshje kombëtare, pëlhurë, lëkurë, duhan, barut, që eksportohen. Ushtrohen 80 profesione. Në qytet janë 6 konsullata të fuqive evropiane dhe vendeve fqinje. Në vitin 1867 qyteti bëhet qendër e Arqipeshkvisë. Ka institucionet tregtare të kohës, gjykatë, drejtori postale, doganë.

Më 1865 kalaja braktiset, pasi lumi Drin ka ndryshuar shtratin. Qyteti është kthyer në port lumor dhe tregton me botën nëpërmjet skelave ndërmjetëse si ajo e Obotit, Shëngjinit, Ulqinit, Tivarit. Qyteti shquhet për mjedise të gjelbëruara dhe oborret me lule.

Në vitin 1878 krijohet Lidhja e Prizrenit për moscopëtimin e trojeve të Shqipërisë. Shkodra bëhet një vatër e rëndësishme e lëvizjes kombëtare. Ushtritë e Shkodrës luftojnë për mbrojtjen e territoreve shqiptare të Plavës, Gucisë, Hotit, Grudës, Ulqinit dhe Tivarit. Fillon kështu një periudhë trazirash për qytetin, që reflektohet në rënien e shpejtë të numrit të popullsisë. Shkodranët morën pjesë aktive në luftën për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, duke luftuar me armë dhe duke nxjerrë figura të shquara udhëheqësish dhe njerëzish të pendës.

Pas fillimit të Luftës së Parë Botërore Shkodra sulmohet nga ushtritë malaziase, të cilat më 1915 hyjnë në qytet. Në janar të 1916-ës pushtohet nga austriakët, të cilët e bëjnë Shkodrën qendër të zonës së tyre të pushtimit. Me mbarimin e Luftës së Parë Botërore, në Shkodër vendoset një administratë ndërkombëtare. Mbas Kongresit të Lushnjës, më 1920, qyteti administrohet nga qeveria shqiptare që doli nga ky kongres.

Në vitin 1945 u vendos diktatura komuniste dhe qyteti vuajti për 45 vjet nga represioni që donte ta privonte qytetin nga prirjet e tij demokratike dhe kulturore, nga marrëdhëniet me botën dhe nga ekonomia e tij tradicionale. U persekutuan personalitetet më të spikatura të qytetit. U vu dorë mbi institucionet e kulturës dhe të kultit, duke i transformuar sipas ideologjisë së re. U bë çdo gjë që qyteti të humbiste identitetin e tij mijëravjeçar. Megjithatë, ishin shkodranët që dhanë sinjalet e para në Shqipëri për rrugën e re të demokracisë, që në janar të vitit 1990.

Trashëgimia kulturore e Shkodrës për kombin shqiptar fillon që në shekullin XV, me shkrimet e para në gjuhën shqipe. Kemi në këtë qytet shkrimtarët, gjuhëtarët, historianët e parë të vendit. Në shekujt XVIII-XIX kemi institucionet e para shtetërore që pasqyrojnë lidhjet e Shkodrës me botën e qytetëruar evropiane. Për herë të parë në Shqipëri zhvillohet arti, sporti, lindin muzetë dhe bibliotekat. Fillon arti fotografik, shtypshkrimi dhe më vonë kinemaja dhe energjia elektrike.

Firmat e fuqishme tregtare bëjnë tregti me të gjithë botën deri në Japoni, duke sjellë në qytet prodhime ekzotike. Në familjet shkodrane nuk mungojnë pianofortet dhe pikturat e klasikëve botërorë.

Zanafilla e Shkodrës...

Në kohën kur popullsia ilire e territorit shqiptar kishte arritur zhvillimin më të lartë ekonomik e kulturor, në vitin 181 para Krishtit bëhet kryeqytet i Mbretërisë Ilire.

Me ndarjen e Perandorisë Romake, Shkodra, sikurse e gjithë Iliria e jugut kalon nën kontrollin e Bizantit, por vazhdoi të varej nga Kisha Katolike e Romës.

Duke përballuar pushtimet e shumta të barbarëve, që pushtuan territoret shqiptare ndërmjet shekujve XI-XIV, Shkodra përjeton edhe një periudhe vetëqeverisjeje.

Në vitin 1040 qyteti u bë kryeqendra e Zetës, qendër e rëndësishme, komunë autonome me institucione të zhvilluara. Ajo në vitin 1360 bëhet kryeqendra e shtetit feudal të familjes Balshaj. Po në këtë kohë rikonstruktohet kështjella legjendare dhe qyteti merr emrin Scutari.

Në vitin 1396 qyteti antik do të pushtohet nga Venediku, sundimi i të cilit u ndërpre nga një varg kryengritjesh të popullsisë.

Kështjella Rozafa është monumenti historik më i vjetri, e cila filloi të ndërtohet në shek V-IV para Krishtit, ndërmjet lumit Drin dhe Buna. Ajo është vendosur në pikë strategjike për të kontrolluar fushën bregdetare, hyrjen në liqenin e Shkodrës, si dhe kalimin në thellësi të vendit e të Ballkanit në Lindje. Kështjella ka një histori të gjatë luftarake dhe lidhur me qytetin e Shkodrës ka një gojëdhënë popullore.

Në muret rrethuese të kalasë, të cilat përfshijnë rreth 9 ha tokë, dallohen qartë ndërtimet e katër periudhave: Balshajve (shek. XIV), zotërimi venecian (shek. XV), pushtimi osman (shek. XVI-XVII), dhe e Bushatlinjve (shek. XVIII-XIX).

Kisha më e vjetër në Shkodër është ajo e Shna Ndout dhe Kisha e Shën Kollit, në anën tjetër të Bunës.

Nuk ka ndonjë dokument konkret për të argumentuar të dhënat e ndërtimit të Kishës së Zojës së Këshillit të Mirë, që njihet si Pajtorja e Shqipërisë. Por nga brezi në brez besimtarët katolikë kanë mbajtur gjallë me veneracion bindjen në mrekullinë e datës 25.04.1467, ku këtë ditë figura e Zonjës së Shkodrës, që gjendej në një afresk të Kishës në fjalë, u shkëput nga vendi dhe e ndjekur prej dy katolikëve shkodranë të quajtur De Xhorxho dhe De Skavis, shkoi e zuri vend në kishën e Genazzano (në Itali).

Karnavalet në Shkodër festohen që para ardhjes së pushtuesve osmanë.

Më 1499-1500 ndërtohet ura e Bunës nga osmanët. Thuhet se ka qenë ndërtuar një tjetër më parë përballë ish-fabrikës së çimentos, por se kur nuk dihet.

Që në vitin 1565 Shkodra do të ketë shtypshkronjë. Në shek. XVII, në Shkodër ndërtohet rruga “13 Dhjetori” nën ndikimin venecian.

Më 1718 Shkodra do të ketë 7 selitë e konsullatave të Fuqive të Mëdha të Evropës. Si port përdorej Oboti e Ulqini e më vonë Shëngjini. Në vitet 1757-1831 Shkodra është nën sundimin e Bushatlinjve. Familja feudale shkodrane e qeverisi pashallëkun e Shkodrës në formën e një dinastie të trashëguar thuajse të pavarur.

Më 1807-1809 ndërtohet bexhisteni, i cili përmbante 2.500 dyqane të stilit persian (iranian). Pazari i Vjetër ishte një kompleks i rëndësishëm, i ngritur përbri kodrës mbi të cilën ngrihet kalaja Rozafa, dhe ku ushtroheshin rreth 80 lloje zejesh. Afër Pazarit ekzistonte një molo në lumin Bunë, ku akomodoheshin barka e anije të vogla, ndërmjet të cilave Shkodra dhe Pazari i saj lidheshin me Adriatikun.

Rreth viteve 1840 ngrihet ndërtesa e bibliotekës së Bushatlinjve. Biblioteka kishte afro 3 000 volume teologjike, jurisprudence, tekste shkencore, filozofike, astronomike e deri në ekzemplarë. Libra me vlera u grumbulluan më vonë edhe nga bibliotekat e urdhrave katolike jezuite e françeskane. Po këtë periudhë u themeluan shoqëritë letrare, kulturore e sportive, si “Bashkimi” dhe “Agimi”.

Arkitekti, piktori Pjetër Marubi fillon punimet e tij të para fotografike në vitet 1858-1859. Ai lidh miqësi me familjen e Rrok Kodhelit, fshatar nga Kodheli i Zadrimës. Djemtë e Kodhelit, Matia dhe Mikeli, të pasionuar pas fotografisë, do të drejtojnë punimet fotografike në vitet e mëvonshme dhe do të njihen me mbiemrin Marubi. Më 1970, fototeka e pasuruar prej 150.000 negativash iu dhurua shtetit.

Më 7 prill 1858 themelohet katedralja e Shkodrës, një ndër objektet kristiane më të bukura në Ballkan asokohe.

Fillimet e institucionit të Bashkisë në Shkodër datojnë në vitin 1865. Në fillim u quajt “Beledie”, deri në vitin 1913.

Prej këtij viti e deri më 1920 “Perlimtare” dhe më pas Bashki.

Shkodra në vitin 1870 kishte 50.000 banorë. Në vitin 1875 fillon ndriçimi i rrugëve natën me llamba vajguri nga Bashkia e Shkodrës. Deputetët e parë shkodranë në parlamentin turk në vitin 1877 janë: Jusuf Podgorica, Selim Gjyrezi, Ejll Paloka dhe Filip Risto Vuçkoviq. Në vitin 1878 ngrihet në Shkodër banda e parë muzikore e vendit. Po këtë vit hapet shkolla e jezuitëve, e para për popullin.

Themelohet më 1880 Muzeu i Jezuitëve, i cili ishte i ndarë në disa seksione me përmbajtje shumë interesante e tepër të hershme.

At Shtjefën Gjeçovi, diletanti i arkeologjisë, i cili ka qenë edhe mbledhësi dhe përpiluesi i Kanunit të Lekë Dukagjinit, themelon Muzeumin e Françeskanëve, në vitin 1890.

Sahati i Inglizit, objekt historik i periudhës së aristokracisë mesjetare, është ndërtuar me fondet e Lordit anglez Paget, i ardhur këtu rreth çerekut të fundit të shek. XIX.

Në Shkodër, në vitin 1890 ndërtohet “Teatri i Kolegjit Saverian”.

Qyteti më 1 qershor 1905 përjeton ngjarje katastrofale nga tërmeti që shkaktoi dëme të mëdha, vdesin 159 vetë dhe plagosen 250 të tjerë. Lëkundjet do të zgjasin afro një vit. Lagjet e vjetra pothuaj u sheshuan, si dhe u përmbytën shumica e tokave.

Shfaqja e parë kinematografike në Shqipëri njihet në Shkodër në vitin 1912 nga Kol Idromeno. Shkodra ka në vitet 1913-1914 shkollën e parë laike. Po në nëntor të këtij viti ngrihet për të parën herë flamuri kombëtar në bashkinë e vjetër. Më 1913-1914 qyteti administrohet nga Fuqitë e Mëdha, nga Komisioni Ndërkombëtar. Po në këtë periudhë u themelua seminari jezuit dhe kuvendi françeskan, me mbështetjen e klerit katolik.

Shkodra, si qytet i lashtë përkrah disa qyteteve të rëndësishme të Ballkanit dhe Evropës, ka luajtur një rol ekonomik, politik dhe kulturor shumëdimensional, që duket nga burimet e ndryshme që citova pak më lart. Shkodra e Gentit dhe e Teutës është sot për ne shqiptarët nderi dhe krenaria e përhershme, përpara së cilës unë dhe të gjithë shqiptarët përulemi me respekt të thellë.

GJON FRANI IVEZAJ, G. Metropol

No comments: