Tuesday, June 29, 2010

Mafia ruse, italiane e izraelite mësyjnë ekonominë shqiptare

SHISH paralajmëron Komisionin e Sigurisë për kërcënimet kombëtare.

Trafikantë shqiptarë të drogës në Amerikën Latine, por edhe mafia më e egër italiane dhe ruse, po tentojnë të financojnë në Shqipëri në troje dhe ndërtim përmes praktikave korruptive.
Ky konkluzion del nga raporti i Shërbimit Sekret në vendin tonë, i cili ka raportuar para pak ditësh para deputetëve të Komisionit të Sigurisë Kombëtare në Kuvendin e Republikës. Në këtë raportim të Shërbimit Informativ Shtetëror flitet për kapjen e tregut, monopolet shtetërore dhe monopolet e transferuara nga shteti te operatorë privatë përmes praktikave korruptive. SHISH ka dhënë alarmin se Shqipërinë por e mbërthen mafia italiane, ruse dhe ajo izraelite, duke mos përjashtuar edhe trafikantët shqiptarë të drogës në Kolumbi.


Narkotrafiku i shqiptarëve

Gjatë raportimit, krerët e SHISH-it kanë vënë në dukje për deputetët e sigurisë kombëtare se disa trafikantë shqiptarë të drogës, rezidentë në vende të Amerikës Latine, po tentojnë të përfshihen në fusha investimesh të rëndësishme në Shqipëri, veprimtari që sipas SHISH-it krijojnë mundësi dhe terren për kamuflimin e trafikut të kokainës, si dhe riciklimin e produktit kriminal. Më tej, shërbimi sekret shqiptar vë dhe njëherë në dukje se produkti kriminal i përfituar nga narkotrafiku vijon të investohet në blerje trojesh, ndërtim, blerje të mjeteve të rënda që përdoren në industrinë e rëndë, por edhe në industrinë e lehtë dhe ushqimore.


Falsifikimet dhe pastrimi i parave

Veç narkotrafikantëve, një formë tjetër kriminaliteti e rrezikshme dhe e organizuar që po realizohet me efikasitet, për Shërbimin Informativ është prodhimi dhe falsifikimi i kartëmonedhave dhe bonove të privatizimit në vend, ose futja e tyre nga jashtë, me destinacion tregun shqiptar.
Në raportin e SHISH-it deklarohet se në të shumtën e rasteve origjina e këtij aktiviteti është Serbia, Bullgaria e Maqedonia.

Ndërkaq, një tjetër problem shqetësues për sigurinë kombëtare evidentohet edhe mashtrimi financiar. Sipas të dhënave në raport, mashtrimet financiare tashmë nuk evidentohen vetëm gjatë realizimit të kontrabandës, evazionit fiskal, prokurimeve publike, por edhe duke krijuar skema piramidale, kryesisht të kamufluara, si veprimtari në fushën e sigurimeve. SHISH është shprehur se origjina e këtij aktiviteti është edhe Shqipëria, por nuk përjashtohen Maqedonia dhe Kosova.

SHISH ka vënë në dukje më tej se mallrat që kontrabandohen po krijojnë realisht shqetësim për ekonominë e vendit. “Këto mallra kanë të bëjnë me ato të akcizës, kryesisht cigare, kafe dhe karburante. Gjithashtu është rritur tendenca e kontrabandimit të mallrave si konfeksione, elektroshtëpiake dhe mallra të tjera elektronike. Origjina e lëndës së parë apo e vetë këtyre mallrave është Kina”, shprehet Shërbimi Informativ Shtetëror.

Ndërsa Pastrimi i Parave është sofistikuar dhe rruga për evidentimin e këtij aktiviteti është vështirësuar, sipas SHISH, vepra kriminale e pastrimit të parave brenda Shqipërisë dhe në Ballkan po shkon drejt sofistikimit. Investimet direkte apo indirekte të produktit kriminal të përfituar po rrallohen, ndërkohë që grupe kriminale, kryesisht të huaja, po punojnë në këtë fushë përmes operacioneve të ndërlikuara bankare.


Mafia italiane, ruse dhe izraelite

Një tjetër shqetësim edhe më i madh për sigurinë kombëtare, i vënë në dukje nga SHISH, ka të bëjë me organizatat mafioze kalabreze, që po ndërveprojnë me shtetas shqiptarë nga një qark ndër më të mëdhenjtë e më të pasurit në Shqipëri. “Grupe kriminale kazaleze (napolitane) po shprehin dëshirën të investojnë në Shqipëri në drejtim të ngritjes apo blerjes së kazinove, ashtu siç është bërë në Mal të Zi dhe Maqedoni. Organizata mafioze, “Ndrageta”, nëpërmjet disa lidhjeve të saj, shtetas italianë të paraqitur në Shqipëri si investitorë të rëndësishëm, po synon investimin në fushën e ndërtimeve”, jep alarmin SHISH.

Më tej, ekspertët shprehen se informacione të shumta të mbërritura dëshmojnë se Shqipëria është tashmë në fokusin e investimeve të dyshimta ruse. “Konfirmohet interesimi për blerjen e tokave në bregdet dhe zona të ndryshme turistike. Gjithashtu disponohen të dhëna se edhe elementë të krimit të organizuar izraelit po synojnë tregun shqiptar të lojërave të fatit dhe investime në fushën e energjetikës”, raporton Shërbimi Informativ.


Paralajmërimet e shërbimit sekret

Nga analiza vlerësohet se gjatë periudhës së krizës financiare, por edhe më tej, qëllimi i grupeve të krimit të organizuar mund të jetë vendosja e kontrollit mbi aksionet e kompanive në krizë, ose pronësia mbi to. “Turizmi, biznesi i hotelerisë, pronat e patundshme dhe operacionet me to, ndërtimi dhe prodhimi i materialeve të ndërtimit, përpunimi dhe shfrytëzimi i teknologjive energjetike alternative, mund të jenë më të rrezikuarat”, ka vënë në dukje SHISH. Më tej vlerësohet se potencialet ekonomike shfrytëzohen në funksion të fuqizimit disa planesh me ambicie ndikimin në favor të politikave përkatëse.

Më tej shpjegohet se rritja e aksesit politik dhe ekonomik konsiderohet si një ndër elementët prioritarë në realizimin e pretendimeve në momentin oportun, për dominim në dëm të interesave tona kombëtare.

Shqip

No comments: