Wednesday, June 9, 2010

Qofshin edhe shqiptarë ... (?!)

Nuk e prisja të mos e gjeja biçikletën, që e le përjashta vendit të punës. Si çdo ditë edhe sot e kisha lënë tek vendi i parkimit ku ka edhe një zonë për motoçikletat dhe biçikletat. Të gjithë i lënë të hapura, madje edhe makinat, e unë nuk kisha si të bëja ndryshe.

I mërzitur shumë u nisa ta bej rrugën e kthimit në këmbë, por vetëm sa pata bërë disa hapa kur miku im Xhovani nga Firenzuola ndaloi dhe mu lut që të hipja në makinën e tij, i gatshëm për të më shoqëruar deri në shtëpi.

Pas sqarimeve për fatkeqësinë time, Xhovani me rekomandon: - Përse nuk paraqitesh në rajonin e policisë për të bërë një denoncim? - Ke të drejtë - e miratova për këshillën, mund të më ndalosh për të zbritur atje, tek rajoni i policisë.

U ndava nga Xhovani dhe u drejtova në zyrën e policisë. Derën ma hapi një polic që me mjaft mirësjellje më kërkoi të dinte se si mund të ishte i dobishëm për mua. I shpjegova se doja të bëja një denoncim, e pas këtij shpjegimi polici mu lut ta ndiqja për në zyrën tjetër. Aty fillova të shpjegoja gjithçka me detaje, ndërsa polici ç'dilte nga goja ime e fuste në një kompjuter.

Por erdhi një moment që ai ndaloi dhe se ç'po jepte e merrte në tastierën dixhitale pa kërkuar vazhdimin e rrëfimit tim. - Ka një problem - tha dikur polici. Dhe më ftoi që të shikoja edhe vet në monitor. - Vëreje, - më thotë ai. Pasi unë e kam shkruar mirë e bukur denoncimin tuaj dhe kërkoj ta fus në data-bazë... shiko... shiko ç'më thotë kompjuteri:

"Kujdes! Viktima dhe hajduti nuk mund të jenë njëkohësisht shqiptarë!!!
Error Nr 5684"


Tentoi dhjetëra herë shefi të arkivonte denoncimin tim, por rezultoi e pamundur. - Po nuk u ndryshuan programet informatike të kompjuterëve, denoncime të tilla është e vështirë të arkivohen.

Dhe a e di pse?

Se ç'është kapur një ministri juaj me një makinë të pa dokumentuar mirë... - nuk përmendi fjalën "të vjedhur" shefi për delikatesë, - dhe që atëherë ... Ndoshta kur të jenë liberalizuar vizat edhe për ju shqiptarët, atëherë ne do të na pajisin me programe të reja kompjuterike - tundi kokën në mënyrë pohuese.
U ndava nga nëpunësi duke vlerësuar sugjerimin e tij, se ishte e kotë të merresha me denoncimin.

Më mirë të interesohesha për ndonjë punë më afër shtëpisë, kështu që para se të mbërrija në shtëpi mora nja dy-tre gazeta nga ato që ofrojnë falas njoftime për apartamente, punë e një mijë gjëra të tjera të mira e të bukura.

Kishte dhjetëra e dhjetëra lajmërime e duke u delendisur nëpër to, njeri më detyroi ta bëj shuk edhe gazetën e ta flak tej: "Kërkojmë punëtore krahu për punët e ditës në bujqësi", ishte lajmërimi nervoz, - deri të moshës tridhjetë vjeç... Qofshin edhe shqiptarë..." (!!). E vazhdonin më poshtë numrat e telefonit e të faksit për të komunikuar... Kjo "qofshin dhe shqiptarë", ishte goditja e dytë e ditës.

Spikerja e televizionit vazhdonte emisionin e lajmeve duke ilustruar pamjet e disa vilave. Grabitës dhe banditë kishin sulmuar e plaçkitur... "Por kësaj radhe hajdutët nuk ishin shqiptarë , - e përfundoi këtë koment spikerja bukuroshe.

- Hapu dhe të futemi! - ulërita përbrenda. Pastaj ulërita me të vërtetë: - Po nuk ka kanale të tjera, ky televizori ynë...?

Gruaja me shumë kujdes gjeti një nga kanalet e mëmëdheut. Del një grup politikanësh shqiptarë që ishin gati duke u kacafytur për "heqjen e vizave". Çelësin e tundte përpjetë vetë "i pari" i tyre: - Doni apo nuk doni ju të opozitës, brenda këtij viti të tërë ballkanasit do të lëvizin pa viza nëpër Europë. Qofshin edhe shqiptarë ...(?!)

Maringlen Çano, G. Shekulli

No comments: