Thursday, June 3, 2010

Pëllumb Xhufi: Regjistrimi i pronave të minoritetit, tjetër pazar i qeverisë me

Historiani i njohur e konsideron iniciativën greke rrjedhojë e marrëveshjeve të dyshimta ndërmjet shtetit shqiptar dhe atij helen.

Inventarizimi i pronave të minoritetit grek në bregdetin shqiptar është një ndërhyrje në punët e brendshme të shtetit shqiptar. Kështu e ka konsideruar Pëllumb Xhufi deklaratën e ministrit të Jashtëm grek dy ditë më parë.


Sipas historianit, iniciativa greke për të regjistruar pronat e minoritet grek në jug të vendit vjen si rrjedhojë e marrëveshjeve të dyshimta të nënshkruara deri më tani mes shtetit shqiptar dhe atij grek.


Z. Xhufi, dy ditë më parë, ministri i Jashtëm grek ka deklaruar se qeveria ky ai bën pjesë është e interesuar për krijimin e një inventari të pronave të minoritetit grekë në Shqipëri. A është kjo një nismë e cila bie ndesh me legjitimitetin e institucioneve shqiptare?

Është pak e çuditshme, të paktën për mua, ajo deklaratë e dhënë publikisht nga ministri i Jashtëm grek ku bëhet më dije synimi më i fundit i qeverisë grekë.


Unë s'e prisja që pas lëshimeve që i ka bërë qeveria shqiptare kërkesave greke me sfond nacionalist, si ai i regjistrimit të popullsisë në bazë të deklarimit etnik dhe fetar, ai i ngritjes së një memoriali për ushtarët e rënë në Luftën e Dytë Botërore, sot vjen një tjetër kërkesë që justifikohet për hir të përmirësimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Ky lajm i "mirë", që gjithmonë jepet nga Athina, nga sa u tha paska dhe asistimin e OSBE-së.


Ndaj për mendimin tim, kjo nismë e qeverisë greke që në emër të të ashtuquajturës përmirësim të marrëdhënieve mes dy popujve, edhe kur është vetëm në kuadrin e një deklarate, ka kaluar çdo masë të respektimit të marrëdhënieve ndërkombëtare.


Përsa kohë që gjithçka që ka të bëjë më mirëqenien e qytetarëve shqiptarë, me sigurinë e tyre, me sigurinë e pronave të tyre është përgjegjësi ekskluzive e shtetit shqiptar dhe me regjistrimin e pasurisë ka insitucione të legjitimuara kjo nismë e qeverisë greke mua më duket se është një tentativë për ta trajtuar sërish Shqipërinë si një zgjatim të terrorit grek. Sa do që në thelb kjo deklaratë është qesharake jam i çuditur dhe nga heshtja e qeverisë shqiptare.


Qeveria e shtetit shqiptar duhet të bëhet më e ndërgjegjshme, të marrë kurajo dhe të kujtohet më në fund se është aty për të mbrojtur interesat e vendit dhe të qytetarëve shqiptare, natyrisht dhe të dinjitetit të vendit që është nëpërkëmbur, dhe të ndërhyjë në hallkat përkatëse për të sqaruar këtë çështje.


Madje strukturat e shtetit shqiptar duhet të ndërhyjnë edhe në OSBE e cila qenka përfshirë në këtë iniciativë të regjistrimit të pasurive të shtetasve shqiptarë. Sqarimi i kësaj çështjeje është shumë e rëndësishme ku në rastin më të mirë një deklaratë e tillë mund të konsiderohet si një helm mes marrëdhënieve shqiptaro-greke .


Z. Xhufi për mendimin tuaj, kjo deklaratë është thjesht poltike apo si hap i parë i konkretizimit të një nisme që është diskutuar gjatë në strukturat e qeverisë greke?


Unë jam krejtësisht i bindur që ky zv/ministër i jashtëm i qeverisë greke e ka bërë publike një çështje të tillë pasi është diskutuar me përfaqësues të qeverisë shqiptare.


Për të kuptuar këtë le të kujtojmë atë që ndodhi me marrëveshjen e kufirit apo atë të ngritjes së memorialit të ushtarëve grekë të rënë në luftën e Dytë Botërore dhe më bën të mendoj që edhe ky rast është i ngjashëm me marrëveshjet e realizuara me këtë qeveri të shtetit shqiptar.


Pra gjërat bëhen në mungëse të plotë transparence, arrihet në një marrëveshje e cila bëhet e njohur nga pala greke. Të gjitha këto prapaskena bëhen objekte të marrëveshjeve dypalëshe. Ndaj, nëse këtë radhë qeveria shqiptare nuk është e përfshirë në ndonjë aferë duhet të reagojë publikisht ndaj kësaj deklarate.

Z. Xhufi mendoni se kjo deklaratë duhet të shkaktojë dhe reagimin e opinionit publik në Shqipëri?

Sigurisht që po dhe unë gjej rastin të përgëzoj gazetën tuaj që sa herë ka patur incidente të tilla me shtetin fqinj nuk kanë kaluar pa vëmendjen e saj duke i trajtuar dhe thelluar publikimin e skandaleve të tilla. Por natyrisht kjo duhet të jetë punë e intelektualëve, profesorëve, akademikëve dhe e shoqërisë civile. Dhe në mungesë të seriozitetit të institucioneve shtetërore reagimi i kësaj klase duhet të jetë shumë i ashpër.


Kështu që unë do të inkurajoja njerëzit që merren me këtë çështje, por edhe njerëzit që paguhen për punën që kryejnë, duke filluar që nga administrata civile dhe ato që merren me çështjen e pronave, të shprehen dhe të bëhen pjesë e një debati, i cili me sa duket do të përfundojë me një marrëveshje si ajo e kufijve që doli jashtë kontrollit të qeverisë.

Shekulli

Gjithashtu edhe Sabri Godo është shprehur me forcë kundra këtij vendimi, të cilin e quan ndërhyrje në punët e brendshme të shtetit shqiptar dhe kjo vjen si rrjedhojë e marrëveshjeve të dyshimta të nënshkruara deri më tani mes shtetit shqiptar dhe atij grek. http://www.shekulli.com.al/2010/06/03/historianet-kunder-inventarizimit-te-pronave-pazar-me-greqine.html

No comments: