Thursday, June 10, 2010

Komandot e NATO-s: Ndihmë! Po qelbemi

Ushtarët që stërviten për misione jashtë vendit, lihen pa dushe, pa uniforma dhe pa ushqim.


Ndërkohë që flitet për plotësimin e standardeve të ushtrisë pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, forcat komando të Reagimit të Shpejtë në Poshnjë të Beratit po stërviten në kushte skandaloze.

Reparti prej dhjetë ditësh është nisur me një mision fushimi përgatitor disa kilometra larg repartit të tyre, ku ushtarëve nuk u garantohet asnjë kusht për mbajtjen e higjienës personale, ndërkohë që ata ankohen se nuk po mbushin dot as barkun me bukë.

Një grup komandosh të Repartit të Reagimit të Shpejtë me numër 1030 kanë shkruar një letër ankese, që ia kanë drejtuar gazetës “Shqip”, për të bërë publike problemet e tyre.

Ushtarët janë nisur për një stërvitje përgatitore dhjetë ditë më parë, ndërkohë që parashikohet që kjo stërvitje të zgjasë plot 20 ditë. Kampi është ngritur katër kilometra larg repartit të tyre, dhe ndodhet në fshatin Poshnjë të Rrethit të Beratit. Por, ndërsa fushimi po ecën normalisht, komandot ankohen se janë duke u stërvitur në kushte skandaloze.

Ata thonë se nuk kanë uniforma për t’u ndërruar në kushtet e fushimit, nuk kanë dushe për t’u larë, ndërkohë që u mungon ushqimi i duhur. Por jo vetëm kaq, ata shtojnë se nuk u jepet leje nga ana e komandantit për të shkuar në banesa me qëllim kryerjen e nevojave të tyre personale.

Ata ankohen se kanë dhjetë ditë pa u larë, në kushtet kur temperaturat e ambientit po shkojnë mbi 30 gradë Celsius. Ushtarët që po stërviten për të qenë pjesë e misioneve të ushtrisë shqiptare jashtë vendit ankohen gjithashtu se vetë drejtuesit e shtabit shkojnë pranë banesave të tyre një herë në dy ditë, ndërkohë që kjo nuk ofrohet për asnjë nga ushtarët. Po kështu ata kanë ngritur shqetësimin e tyre dhe në lidhje me ushqimin, i cili sipas tyre nuk është i mjaftueshëm. “Mëngjesi dhe darka janë shumë të pakta, aq sa të hajë një mace shtëpie”, shkruhet në letrën që i drejtohet redaksisë së gazetës “Shqip”.

Ushtarët ankohen gjithashtu se nuk trajtohen njësoj të gjithë gjatë fushimit që kryejnë, pasi oficerët e shtabit ikin çdo natë në shtëpitë e tyre. Po kështu, në mënyrë më të privilegjuar trajtohen edhe pesë vajzat e repartit, të cilat punojnë si profesioniste, ndërsa pjesa tjetër e ushtarakëve nuk lejohen të shkojnë në banesa as për të bërë dush. Ushtarët gjithashtu ankohen se në këtë fushim nuk zbatohet rregullorja ushtarake njësoj për të gjithë, por sipas dëshirave të oficerëve. Komandot e Repartit të Reagimit të Shpejtë Poshnjë kërkojnë që të zbatohet rregullorja njëlloj për të gjithë, pasi sipas tyre, ushtria po kthehet në pronë private e oficerëve.

Komandot e Reagimit të Shpejtë në Poshnjë kanë zhvilluar katër misione paqeruajtëse jashtë vendit. Por, sipas tyre dhe pse janë forca të rëndësishme të ushtrisë shqiptare, mbajnë ende uniformat e misionit të parë paqeruajtës.

Shqip

No comments: