Wednesday, August 18, 2010

Njeriu duhet të kolonizojë hapësirën

Shkencëtari i njohur Stefan Houking thotë se raca njerëzore duhet të nisë të mendojë për të kolonizuar hapesirën nëse kërkon të mbijetojë.
Sipas tij, problemet me mbipopullimin, luftërat dhe zhdukja e burimeve natyrore sfidojne racën njerëzore në 200 vitet e ardhshme.
"Raca njerëzore po përballet me shumë rreziqe si lufta apo katastrofat natyrore. Nëse njerëzit nuk duan të zhduken, atëherë duhet t'i drejtohen hapësirës", deklaron Houking.
Lindur në Britaninë e Madhe, shkencëtari njihet edhe për një libër të botuar, ku shpjegon historinë e gjithësisë.

Sfida e shqipes

Eshte vertet sfide intriguese shoqerore; sic pohohet dhe nga personalitete te fushes, gjuha simbolizon mjetin me te bukur te qenies njerezore dhe produktin me te mire te pronesise shpirterore te nje populli.
Sot edhe gjuhet kryesore ne bote kercenohen nga te njejtat dukuri dhe rreziqe: mungesa e frymezimit letrar dhe gjuhesor ne familje, ne shkolle dhe ne institucione, mangesi ne kulturen e leximit, zevendesimi i tij me DVD, mospraktikimi i lojerave te perbashketa me programe kompjuterike, etj. Shtoju ketyre dhe " mekatet " e medias, gazetareve, pse jo dhe te disa politikaneve qe me perdorimin fare te panevojshem te fjaleve te huaja, kane ndikuar ne " permbytjen" e nje gjuhe me fjale te huaja. Ndaj mjaft vende kane shpalosur strategji dhe veprime te shumta qytetare dhe institucionale. Keshtu, Gjermania para nje viti hapi siparin e "Festivalit te Gjuhes" pikerisht aty ku me 1802 Getja do te krijonte teatrin e pare gjerman. Ne vijim te tij organizohen me dhjetera veprimtari per mbrojtjen dhe zhvillimin e gjuhes gjermane. Nismetare eshte " diva" e operas gjermane dhe boterore, Edda Moser e cila ka kenduar per gati 35 vjet ne skenat me te medha te botes me Pavarotin dhe yje te tjere. Bie ne sy mbeshtetja dhe shoqerimi i ketyre veprimtarive edhe nga yjet e politikes gjermane, duke filluar me ish-Kancelarin historik te ribashkimit H.Kohl dhe Ish- Ministrin e Jashtem legjendar, H. D. Genscher, per te ardhur tek artistet, poeti me i madh gjerman i diteve tona, Hans Markus Enzenberger, i perkthyer edhe ne shqip. Synimi ne kete rast eshte qe te shmanget zevendesimi, sic thone atje, i gjuhes gjermane "deutsch" ne "danglisht" (mbushja e gjermanishtes me fjale anglisht).

Edhe ne vendin tone po verehen me shume perpjekje, sensibilizim dhe nje vullnet me i madh per te "shpetuar" edhe shqipen, po ta shprehnim keshtu per analogji, nga "shanglishtja". 
Qeveria ka leshuar nje thirrje te fuqishme para disa kohesh, te shoqeruar me masa konkrete. Ministria e Turizmit, Kultures, Rinise dhe Sporteve thote se po ecen me nje strategji te sajen, po shtohen programet, e po keshtu kane rritur rolin e tyre edhe media dhe shtypi i shkruar. Per hir te se vertetes, ka mjaft politikane dhe personalitete te tjera qe flasin e shkruajne shqipe te pasur dhe te pastruar nga " parazitet" e huaj; ketu mund te permendim edhe drejtuesit kryesore te diplomacise, qe edhe pse te kualifikuar jashte vendit dhe ne shumicen e kohes ne kontakt me te huaj perdorin nje shqipe korrekte. Po behet gjithnje e me e qarte se kulture dhe qytetari tregojne ata qe perdorin ne cdo rast nje shqipe te lire nga fjalet e huaja te panevojshme. Keshtu, vec mjeshterise se tij, Noli e beri Shekspirin te " flase" shqip, edhe fale pasurise dhe forces shprehese te shqipes. Mirepo, kjo edukate fillon me te folurin dhe te shkruarin e perditshem, pa pritur realizimin e strategjive te medha dhe afat-gjate. Ndaj, per te qene konkret, me poshte jane rreshtuar 100 nga fjalet qe hasen me shpesh te perdorura pa vend ne gjuhe te huaj, kur shqipja i ka fjalet e duhura, madje dhe tingelluese. 
Nuk jane pak, kur mendon se cdo dite ne perdorim afersisht rreth 1500-2000 fjale

Absorboj/thith

provoj/miratoj

adaptim adaptoj pershtas/pershtatje

aksion/veprim

amendoj/ndryshoj

akseptoj /pranoj

akseleroj/ pershpejtoj

aktivitet /veprimtari

aplikim/ kerkese

aproksimim /perafrim

aproach /perqasje

asete /pasuri

atraktiv/ terheqes

bilateral- multilateral/dypalesh-shumepalesh

benefic/ perfitim

civilizim /qyteterim

curriculum Vitae/ Jeteshkrim

deadline /afat kohor

definicion/ perkufizim

deskribsion/ pershkrim

determinoj /percaktoj

draftoj-draftim/ hartoj-hartim

elaboroj /perpunoj

elektoral /zgjedhore

eskalacion /pershkallezim

eveniment /ngjarje

esencial/ thelbesor

ekselent/ i shkelqyer

ekspansion/ zgjerim

eksplozion /shperthim

ekspoze/ paraqitje

eksepsion /perjashtim

ekstrem /i tejskajshem

ekskluzivisht /perjashtimisht

follow - up/ vijues

fundamental /themelor

fluktuacion/ luhatje

fraxhil /i brishte

implementoj /zbatoj

impakt /ndikim

incentiv/stimul

interlokutor/ bashkebisedues

imazhe/pamje

interference/intervenim nderhyrje

imediat i menjehershem

impresionant/mbreselenes

inicioj nis/filloj

indikacion tregues

inkludoj-inkluziv/ perfshij-perfshires

kalkulim/ perllogaritje

kooperim /bashkepunim

kontemporan /bashkekohor

koordinoj /bashkerendoj

kualitativ/ cilesor

kuantitativ/ sasior

konformitet/ perputhshmeri

kolokium/ bashkebisedim

konkluzion/ perfundim

konkludoj/ perfundoj

komerc /tregti

kompeticion-kompetitiv /gare-konkurrence

komprehensiv /teresor

koncesion /leshim

koshient-koshienca/ i ndergjegjshem-ndergjegja

konfrontim /ballafaqim

kreativ/ krijues

kualitativ /cilesor

kuantitativ /sasior

lokal(e) /vendor(e)

lancoj-nis/leshoj/ hap

legal(e)/ ligjor(e)

materializoj /sendertoj

menaxheriale /drejtuese

minoritet /pakice

mazhoranca /shumica

maniere/ menyra

mediator /ndermjetesues

nacionalitet/ kombesia

nuclear /berthamor

opinion /mendim

parafinoj /sigloj

performanca /ecuria

poll anketim/sondazh

procedim penal /ndjekje penale

prominent/ i shquar

promocion/ nxitje

relata /raporte

servise /sherbime

star/ yll

solucion /zgjidhje

supervision/ mbikqyrje

stabil/ i qendrueshem

show /shfaqje<

shokues/shokant trondites

trend/tendence prirje

trafik i automjeteve /qarkullimi i automjeteve

tentative/ orvajtje

tete á tete/ koke me koke

updejtoj/ perditesoj

xhenuine/ i vertete

Dr.Jorgji Kote

Shqiptarët, protesta në portin e Barit

Pakënaqësi dhe protesta të shqiptarëve në portin e Barit për shkak të problemeve në imbarkim. Mijëra persona e kanë kaluar fundjavën në portin detar të Barit në Itali në pritje të imbarkimit në tragetet e linjës që nisen drejt Durrësit. Lajmi bëhet i ditur nga “La Gazzetta del Mezzogiorno”.
Sipas saj janë afro 5 mijë veta, ata që presin të futen në tragetet e linjës detare për të mbërritur në anën tjetër të Adriatikut, në Durrës. 
Ndërsa muaji korrik ka qenë disi i qetë në lëvizje, muaji gusht dhe veçanërisht fundjavat kanë regjistruar një fluks të konsiderueshëm që është bërë i papërballueshëm nga agjencitë e lundrimit. Ata që më së shumti kanë ndier vështirësi në imbarkim kanë qenë kamionistët dhe mjetet e tyre. Një pjesë e mirë e tyre janë grumbulluar në pikën e informacionit në brendësi të portit të Barit dhe kanë kërkuar të imbarkohen në tragete duke protestuar kundër qëndrimit të agjencive që preferojnë njerëzit dhe automjetet e vogla pavarësisht kërkesave të tyre. Fluksi i kërkesave po sjell dëmtime në mjaft biznese që rrezikojnë prishjen e mallrave të importuara, si dhe mosdorëzimin në destinacion të tyre në kohën e duhur. Disa prej kamionistëve u kanë thënë gazetarëve italianë se kanë ditë që janë aty duke mbajtur radhën. Ndërkaq, edhe afro një mijë automjete të tjera, kryesisht të emigrantëve shqiptarë e kosovarë kanë qëndruar në pritje. Media italiane njofton se të gjithë duan të shkojnë përtej Adriatikut, ndërsa presin “të burgosur” në sheshin e madh “Marisabella” të mbuluar me asfalt. Ndërsa raportohet situata e njerëzve të pakënaqur nga pritjet e gjata, në portin e Barit deklarojnë se kontrollet policore në Shqipëri, në Durrës janë të rrepta dhe këto kanë krijuar vonesa. Tragetet që duhet të niseshin rreth orës 22.00 dhe 24.00 të së dielës nuk kanë mundur të nisen para orëve 3-4 të mëngjesit të së hënës. 
Situata vlerësohet si mjaft kritike për kamionistët që kanë mall në mjetet e tyre dhe duhet ta dorëzojnë atë në destinacion. 
Kamionistët akuzojnë agjencitë e lundrimit që preferojnë të imbarkojnë automjetet e vogla para kamionëve (Tir) për shkak të të ardhurave që fitojnë më shumë. Më të dëshpëruar duken ata që kanë mallra që u prishen dhe ngarkesat e tyre mund të dalin jashtë përdorimit në rast se do të vazhdojnë të qëndrojnë në portin barez. 
Tensioni i shfaqur në portin barez vazhdon edhe pasi autoritetet portuale ndërhynë pranë agjencive të lundrimit për të imparkuar të paktën 25 kamionë në tragetet e linjës
Shumë kamionë të tjerë dhe shoferët e tyre vazhdojnë të mbeten atje të irrituar. Sipas Gazetës së Mesditës, që u referohet autoriteteve italiane portuale, situata pritet të zgjidhet të martën, pasi është menduar të sigurohet një traget që do të mundësojë vetëm lëvizjen e kamionëve drejt Durrësit, duke mundësuar futjen në bordin e tij të afro 120 kamionëve.

Vali Qyrfyçi:Gazeta-Shqip

3 milionë Adamë dhe 1 Evë

Besoj, e morët vesh. Dy femra, DJ-e, japin performancë nudo në një plazh në bregdet. Këto DJ-e topless, më rikujtuan historinë e varfër të nudizmit shqiptar. Para nja dy vjetësh në lajme u shpall me të madhe rasti i një të huaje që tentoi të bënte plazh topless në bregdet. Më pat ardhur për të qarë e për të qeshur kur pashë pamjet ku policë të veshur me këpucë me qafa e çorape najloni morën tërë rërën në këmbë që t'i thoshin asaj të vishej. Madje, ia thoshin pa e parë në sy. Në Shqipërinë me aspirata europiane, nudizmi të le pa familje. Më thoni një mama me 3 fëmijë që do "guxonte" të dilte topless. Ose më thoni, kush do donte ta kishte nuse për të birin një vajzë që bën plazh topless në Dhërmi?

Pyetja më e drejtë është, pse ne, një popull që na konsiderojnë si furnizuesin me tutorë e prostituta të Europës, në fakt kemi një alergji aggressive ndaj shfaqjes së një trupi nudo? Saktësisht bëhet fjalë për një trup femre. Se çuditërisht nuk na shqetësojnë burrat që nxjerrin hallatet për të kryer nevojat personale mu në mes të bulevardit, te muret e Muzeut Kombëtar, poshtë urës së Lanës apo pas Pallatit të Kulturës. Madje, në historinë e varfër të nudizmit shqiptar, një Kryetar Bashkie u votua masivisht pas daljes në dritë të fotove të epokës kur ai jetonte në paqe me natyrën. Atëherë pse, nudizmi, te femra na shqetëson? Pse ne ndjehemi të sulmuar personalisht (femra e meshkuj) nga Eva, ndërsa nuk na bën përshtypje Adami?

KULTI I BUKURISË SË FEMRËS

Kam frikë se kjo vjen nga marrëdhënia e komplikuar që kemi me bukurinë e femrës. Ne kemi kaluar nga femra e mbuluar nga koka te këmbët e kohës së Zogut, në femrën leshatore si burrë të kohës së xhaxhit Enver, e cila i hiqte vetullat vetëm pas martese, tek këngëtaret gjysmë lakuriqe që u hedhim para në skenë në "koncerte" me playback në diasporë sot. Bukuria është relative, por shpesh kulti që kemi apo i ngremë i asaj pasqyron botëkuptimin tone kulturor. Qasjen ndaj së bukurës e ngatërrojmë me instinktin kafshëror për çiftim... "Po të pashë pa rroba, ta hypa!" Në tërë këtë konfuzion e testosteron, ne na ka ikur pa kuptuar që lakuriqësia nuk ka të bëjë me seksin. Lakuriqësia nuk është pornografi. Grekët e vjetër besonin se trupi ishte pasqyra e hyjnores. Edhe Eva me Adamin, jetonin në paqe të lumtur e të lakuriqtë. Ishin të pafajshëm.

Vetëm pasi hëngrën frutën e ndaluar, panë njëri-tjetrin e u erdhi turp. Një fëmijë i vogël që pllaquritet lakuriq në plazh vetëm të gëzon syrin dhe nuk të shqetëson. Vetë nudistët, pretendojnë që dalja nudo është kthim në pafajësi, kthim në origjinë. Në fund të fundit, lindim të tërë lakuriq! Me përjashtim të politikanëve tanë, që kanë lindur me këmishë. Kompleksi ndaj lakuriqësisë, pra, është brenda mendjes sonë, jo tek ai që zhvishet. Kompleksi dhe turpi i pakuptimtë që ndjejmë para një trupi të zhveshur vjen, sepse kështu na kanë rritur, sepse kështu na kanë edukuar të mendojmë, sepse akoma ka femra nga 40 vjeç, të cilave u vjen turp të shohin trupin e vet në pasqyrë, sepse mes nesh ka akoma burra me 5 fëmijë që nuk e kanë parë kurrë as gruan e vet të zhveshur në dritë. Sepse, ka akoma te ne gra që pranojnë më mirë të vdesin gjatë lindjes në shtëpi sesa të pranojnë të ndihmohen në maternitet nga gjinekologu!

NUDIZMI, EMANCIPIM APO SHFAQJE E HUAJ?
Tek ne jetojnë, çuditërisht të dyja. Ne jemi plot me kontradikta të përbindshme. Jemi të parët që
legalizojmë martesat gej, por kodi penal ka hapësira për ta dënuar daljen topless. Duam të integrohemi në Europë, por e duam Europën të jetë si Lezha, pa gej, pa nudizëm, pa klube striptize. Ne, realisht vdesim për nudizëm... por boll mos të jetë i pragut tonë, se na çnderon!! Vdesim të shohim atë që ka dalë, pastaj jemi të parët ta ndëshkojmë. Ne përdorim "nderin" si kriter vlerësimi, po vetëm në dollapin e rrobave. Aty na ka mbetur, meqë gjetkë zor ta gjejmë! Ne ngrihemi kundër 2 performueseve topless, ndërsa burrat që tradhtojnë gratë nuk na bëjnë përshtypje. Jemi, ndoshta jo për fajin tonë, një shoqëri e kompleksuar.

MESHKUJ TË KOMPLEKSUAR DHE FEMRA TË KOMPLEKSUARA
Kam njohur personalisht meshkuj që eksitoheshin edhe nga një skulpturë guri me forma të spikatura femërore. E kishin të pamundur ta vlerësonin një trup thjesht si bukuri artistike. "Mëkati", qëndron jo te guri, por në mendjen e tyre. Nga ana tjetër, në atë Clubin veror me DJ-e femra topless, nuk bëhet fjalë për manifestim të bukurisë. Bëhet fjalë për biznes të zgjuar. Për të mbuluar pamundësinë për të ofruar argëtim të vërtetë, ofrohet diçka që shqiptarët e dekodifikojnë mbrapsht si erotizëm. Ky kod nuk qëndron tek DJ-et, por tek mendja e meshkujve që frekuentojnë club-et. Vë bast që pakkush prej tyre e ka pasur mendjen te muzika që ato luajnë. Në reklama shfaqjesh "live", më fort reklamohet "shoqëruar nga 4 balerina braziliane" sesa vetë këngëtari. Ato 4 balerinat, as nuk dinë të kërcejnë.

Thjesht, spërdridhen gjysmë nudo. Krijuesit e reklamës së birrës me Çiljetën, kanë kapur thelbin e mentalitetit mashkullor shqiptar. Një femër me gjoks të spikatur, që bën sikur zhvishet. Kaq. Kaq duhet për të bërë sytë të lëshojnë xixa. Ky është çelësi në mendjen e burrit shqiptar të kompleksuar. Kemi dhe një kategori të gjerë grash të kompleksuara. Gra që e ndajnë botën femërore në "ne" dhe "ato". Gra, që kujtojnë se burrit të tyre do ia prishë mendjen një femër 2 km larg topless në plazh. Ato nuk duan të kuptojnë që këtë lloj burri nuk do munden kurrë ta ruajnë. Ai nuk ka nevojë të shohë një femër të zhveshur që të tundohet. Ai do zhvishte edhe monumentin e Nënë Shqipëri-së, po t'i jepeshin mjetet dhe koha e duhur. Këta burra, duan që gruan ta kenë modeli "ne" dhe dashnoren modeli "ato".

NUDIZMI DHE FËMIJËT
Burra të kompleksuar dhe gra të kompleksuara. Por, ka dhe më keq. Fëmijët tanë po rriten akoma më të kompleksuar. Adoleshentët tanë kthejnë kokën tërë turp kur në TV dikush puthet. Ndërkohë që shohin tërë ditën telenovelat me "histori jete" nga më perverset. Dikush duhet t'u thotë baballarëve e mamave, që psikologjinë e fëmijës e dëmtojnë më shumë telenovelat se një imazh nudo në një film. Dikush duhet t'u thotë mamave e baballarëve që vajzat më të painformuara e të ndrydhura janë kontingjenti më i mundshëm për prostitucion, dhe djemtë që 18 vjeç kanë turp kur dikush puthet në TV janë kategoria më e mundshme për të vrarë gratë kur të rriten. Jo më kot, shoqëritë me standardin më të lartë të jetesës janë ato më pak të kompleksuarat ndaj çështjeve të femrës, seksit, gejve, nudizmit. Suedia e para, Sudani i fundit.

"MARSEJEZA"
Dalja e një femre topless në plazh, nuk ka të bëjë me seksin, ka të bëjë me të ndjerin mirë me
bukurinë trupore të njeriut. Dikush ndjehet mire me trupin e vet. Kaq. Personalisht, mua më shqetësojnë më shumë pamja e burrave me barkun te goja, kofshët me celulit, mishrat e varur nga kequshqimi e mbiushqimi, sesa femrat topless. Barkderrat, ndoshta, janë ata që duhen ndaluar të dalin në plazh të zhveshur!

GJENEZA 2:25
Në Bibël thuhet: "Dhe ata ishin të dy lakuriq, burri dhe gruaja e vet, dhe nuk ndjenin turp." Barcan shkruan "Të jesh lakuriq është të jesh vetvetja... pa maskë." (Barcan, R 2004, Nudity: A Cultural Anatomy). Ndërsa Bergeri thotë se, lakuriqësia është mbi të gjitha, një gjendje e të qenit pa rroba; megjithatë të jesh pa rroba është e njëvlershme me lakuriqësi vetëm për ata që zgjedhin ta shohin si të tillë. (Berger, J 1972, Ways of Seeing) Për shumë njerëz, lakuriqësia është e mrekullueshme! Përveçse kur je duke pjekur mish në zgarë...

KOLORETO CUKALI:Shekulli

Tension në Greqi: Miting dhe parrulla kundër shqiptarëve

Disa ditë pas konfrontimit të shqiptarëve me disa adoleshentë grekë në komunën e Dhiavato të Verias, gjedja vazhdon të jetë e tensionuar.

Pas plagosjes së 4 adoleshentëve grek, një miting i madh në mbështetje të tyre është mbajtur në sheshin "Veria"

Me moton "Jashtë të huajt, nga Greqia", protestuesit janë mbledhur para sheshit të bashkisë ku kanë qëndruar për rreth një orë, duke hedhur parrulla antishqiptare. Në të njëjtën kohë një grup tjetër të rinjsh, prej 300 personash ishin mbledhur në një zonë tjetër të qytetit.

Anëtarët e e grupimit "Agimi i Artë" hynë dhe u larguan nga qyteti të shoqëruar nga një forcë policore e fortë, e cila ishte i pranishëm gjatë gjithë protestës.

Shekulli