Monday, November 8, 2010

Rritet çmimi i pasaportave biometrike

Pasaporta në kohë rekord, tri herë më shtrenjtë se viza Shengen


Rritet çmimi i pasaportave biometrike. Që prej 8 nëntorit 2010, në këmbim të 15 mijë lekëve, pasaportat biometrike për qytetarët do të jenë gati brenda 48 orëve.
Ministria e Brendshme dhe kompania “Aleat” e prodhimit të dokumenteve biometrike ka bërë publike dje procedura të reja për marrjen e pasaportës në kohë rekord. Kuponët e ‘vjetër’, me vlerë 6 mijë lekë do të vazhdojnë të shiten për qytetarët në postën qendrore, por strategjia e re e qeverisë u ka kushtuar prioritet shërbimit ekspres për nxjerrjen e dokumenteve biometrike të identitetit. Në rast se qytetarët do të aplikojnë me procedurën e vjetër, pra me kuponin 6 mijë lekësh, atëherë pasaporta e tyre biometrike do të jetë gati për 15-30 ditë. Në rast se qytetarët do të tërheqin kuponin pranë postës qendrore prej 15 mijë lekësh, atëherë ata do të kenë në duar pasaportën biometrike brenda 48 orëve.

Procedura e aplikimit
Vetëm çmimi dhe ngjyra e kuponit ka ndryshuar dhe asgjë nga modalitetet e përcaktuara më parë nga Ministria e Brendshme dhe kompania “Aleat”. Kuponi me vlerë 15 mijë lekë ka ngjyrë portokalli dhe që prej ditës së hënë do të gjendet në filialin e Postës Qendrore të Tiranës dhe në zyrën postare të njësisë bashkiake nr. 3 në Tiranë. Aplikimi do t’u mundësohet të gjithë shtetasve shqiptarë pa asnjë përjashtim, por do të aplikohet dhe kryhet vetëm pranë zyrave të “Aleat” në tri njësi bashkiake të Tiranës. Njësia bashkiake nr:3, nr:4 dhe nr:10 në Tiranë do të pranojnë aplikimet e qytetarëve shqiptarë me kuponët portokalli me vlerë 15 mijë lekë. Në rast se shtetasi aplikon deri në orën 11.00, atëherë pasaporta do të jetë gati brenda dy ditëve. Ndërsa në rast se shtetasi do të aplikojë pas orës 11.00, atëherë pasaporta do të prodhohet për tri ditë. Pasaportat e prodhuara në mënyrë të përshpejtuar do të mund të tërhiqen nga qytetarët çdo ditë në orën 16:00 në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë. Kuponi jeshil me vlerë 6 mijë lekë do të vazhdojë të jetë në qarkullim për pasaportat biometrike, por afati ligjor i parashikuar për tërheqjen e pasaportave është minimalisht 15 ditë dhe maksimalisht 30 ditë që nga momenti i aplikimit.
Ndërkohë, vlen të theksohet se fushata për aplikimin e pasaportave ka nisur që prej vitit të kaluar. Në mars 2009, qytetarët shqiptarë kanë pasur mundësinë për të aplikuar dhe për të tërhequr pasaportën biometrike me vlerë 6 mijë lekë. Për shkak të fluksit të madh të aplikimeve dhe njerëzve që duan të kalojnë Krishtlindjet jashtë Shqipërisë, marrja e pasaportës me kuponin 6 mijë lekë që pas momentit të aplikimit mund të tejkalojë edhe afatin maksimal të 30 ditëve.

Kostoja e një vize
35 euro është tarifa për vizën. 10 euro maksimumi siguracioni. Nëse me pak fat nuk të refuzohet viza, ateherë me 45 euro shkon drejt vendeve të Bashkimit Europian. Pra, në rast se më parë viza kishte një kosto prej 45 eurosh, këtë herë do të ketë një kosto pothuajse trefish për të marrë pasaportën biometrike si faturë për të udhëtuar jashtë Shqipërisë. Qytetarët shqiptarë nuk do të përballen më me ambasadat dhe më frikën e rrezikimit të mosmarrjes së vizës, por me pasaportën biometrike do ta kenë të sigurt udhëtimin në zonën Shengen. Përpos kësaj, problemet për shqiptarët nuk kanë të sosur, pasi këtë herë ata nuk do të përballen me refuzimin e vizës, por me koston e lartë që ka marrja e vizës në kohë rekord.

Në pamje të parë, duket se kjo më tepër se një favor nga qeveria shqiptare për qytetarët është kthyer në një biznes fitimprurës.


Erjon Ajazi, Shqip

Brezi i djegur dhe piramida teatrale

Këtaaa, këta janë brez i shthurur! Gjithmonë këto fjalë dëgjoj për brezin tim, por ja që në të vërtetë nuk jemi ashtu siç na thonë. Dhe pse qenkemi ne të tillë, se nuk dinë se çfarë të bëjnë me ne?

Pse qenkemi ne brez i shthurur, kur baballarët tanë, nuk lanë gjë pa prishur, hekur pa shitur, art pa fyer dhe veprime shëmtie në pa dashuri të pa menduar. Dhe kur e fyejnë artin nuk është se dinë ata ta bëjnë më mirë…
Pse qenkemi një brez i shthurur?
Se ju ngjajmë juve që nuk dilni rrugëve të protestoni? Se dilni vetëm sa herë që e kërkon politika e njërës anë? Apo se edhe ne jemi si ju, pasi as ne të rinjve nuk është se na shkon ndërmend të protestojmë ndonjëherë!Sa ngjajmë!
Çfarë kërkoni?
Ata na lanë kështu, ata dhe brezi i djegur i baballarëve të tyre. Edhe brezi im e ka një lidhje mendore me komunizmin sepse mamatë dhe baballarët tanë atë lloj ere kanë thithur. A duan të bëjnë një dhuratë për shqiptaret për 100 vjetorin e Pavarësisë? Shumë mirë, le të bëjnë stadiumin e ri, dhe si dhuratë për shqiptarët të restaurojnë atë ndërtesë dhe të merren më shumë me trashëgiminë kulturore. Pse të mos hapin një muze të ri? Pse të mos u shkojë në mendje xhanëm për të ndërtuar vetëm një teatër të ri?!

Meqë Tirana e ka humbur fatin të ketë një Kuvend të ri rrethuar me një park të madh, sot për sot është idea për të ndërtuar një ndërtesë të re që të ketë një funksion për të gjithë qytetarët. Ka ende plot vende ku mund të ndërtojnë një Kuvend të ri, dhe nëse duan të zënë parqet ashtu siç i kanë zënë nuk është ndonjë problem i madh. Kam shumë kujtime buzë Piramidës. Aty më çonin prindërit e mi kur isha i vogël veshur me paliçeta, aty haja në verë bukë me gjalpë, aty kam mësuar edhe biçikletën, kam rrëshqitur buzë saj dhe sa e sa herë kam ndrydhur këmbën, aty bëja edhe patina, aty shkoja edhe kur isha në Lice për të lënë orët e mësimit. Herët e fundit pasditeve, mbushja edhe ujë për zonjën Pa, aty kam pirë edhe disa herë... Nëse prishja e “varrit të Piramidës”, është lëvizje e radhës në këtë REPUBLIKË GJITHËSHKATËRRIMESH, (nga ku të gjithë e dimë lukun dhe përpjekjet e reja të kësaj qeverrie, për t'i bërë gjërat më mirë), nuk është se ndjell ndonjë pakënaqësi, por veç një fytyrë të re që nga dita në ditë, gati të gjithë po fillojmë ta pëlqejmë. Një shije qeverrie e munguar, një përpjekje që më shumë shëmton!

Çfarë duhet të tregohet me prishjen e Piramidës?
As që nuk e kuptoj, por edhe nuk arrij të mendoj, se me shembjen e saj, pushteti do të thotë se po bën një vepër tjetër.Aq ide e mire është, që do të ndërtohet një Kuvend i ri për këtë vend, një figurë e re qytetarie, sa të duket çudi e bukur! Por puna është pse duhet prishur ajo vepër? Si mund të ketë kaq pak ndjeshmëri mendore dhe estetike për prishjen e një ndjesie të tillë?! Madje po më çudisin shumë edhe grushtakët, që nuk po reagojnë, sepse ndoshta u heq vëmendjen nga Sheshi Skënderbej, që një zot e di se çfarë po bëhet me të!
Dy vendime për të njëjtën çështje? Pse e lanë Piramidën në atë farë mënyre, duke i zhgërryer të gjitha pllakat, që të shtronin edhe pllaka çimentosh më pas?!  
Çfarë është gjithë ky kompleks për betonin, mos është një frustrim seksual?
Ajo që të çudit me hapat e radhës, është se pse duhet të prishet një ndërtesë e tillë? Është fiks një veprim si ato të kohës së Enverit, është njësoj sikur ta hedhin në erë atë ndërtesë, është njësoj si të prishin një vepër që ka lidhje me jetën e gjatë publike! Përveç të tjerash, është më shumë se një veprim si ato të kohës së diktaturës, për të shkatërruar çdo gjë të kohës së Zogut dhe të Italisë. Gjej vend të prishim, dhe të ndërtojmë gjërat tona, sepse ajo nuk është një gërmadhë, apo një banjo publike, apo qerpiç me kallama! Megjithëse edhe këta të fundit nuk janë më në Tiranë!
Një problem tjetër është fakti se nuk kemi një Teatër Kombëtar, pse mos bëhej aty? Është më i bukur veprimi, që kur një ndërtesë që ka një funksion alla varri monumental të kthehet në shumë veprime për artin. Është pothuaj njësoj me Kombinatin Tekstil në Tiranë, vend i shkëlqyer që mund të bëhej shumë mirë si një qytet arti, për çdo gjë që mund të duan të rinjtë…

Mos vallë pas prishjes së Piramidës, duhet të merremi edhe me Muzeun Historik Kombëtar, me Pallatin e madh të Kulturës, apo me pallatin jo edhe aq të bukur të Kongreseve?

Janë ndërtesa jo edhe aq të bukura, që nuk më pëlqejnë, por që nuk duhen prishur! Po Presidencën, a duhet ta prishim? Edhe ajo u restaurua shumë shëmtuar, dhe madje nuk është edhe aq e bukur, madje i bënë një restaurim me një suva që ditën ngjan shumë e pisët!
Duket dëshira për të bërë lukun e ri të këtyre vendimeve!Një anë tjetër më thotë, se nuk ka për të ndodhur asgjë me Piramidën sepse është një nga lojërat e radhës së qeverisë dhe babait të madh, për të hequr vëmendjen. Por ndoshta nuk është një sharlatanizëm, sepse ai vetë do të tregojë që njerëzit kujtojnë se është heqja nga vemendja e rradhës, dhe për këtë këmbëngulje do të çojë fjalën e tij siç do ai vetë.
Por nga se?
Duket sikur gjërat po shkojnë mirë?! Një sharlatanizëm si ky që do ndërtohet, i munguar për teatrin e vërtetë që të bën të mendosh më shumë.Më shumë po e shkruaj këtë shkrim, si një i ri i këtij vendi, si me dëshirën ndaj atyre pak gjërave të bukura të mbetura në këtë qytet. Si metoda të vjetra të këtyre vendimeve, apo si një heqje larg mendimeve të përditshme politike, njerëzit duhet ta marrin seriozisht trashëgiminë e qytetit të tyre. Pse duhet shkatërruar dhe ndërtuar një objekt tjetër? Mos duhet të vijë ajo ditë që të shohim pamjet e një ndërtese qe hidhet ne ere me dinamit, dhe te fillojmë të kujtojmë po ato xhirime kur hodhën në erë ish ndërtesën e Bashkisë. Herë-herë ngjan edhe si një lëvizje e menduar mirë që të harxhojmë apo të vjedhim disa para më shumë, dhe në fund ta lëmë për një kohë të gjatë atë ndërtesë ashtu gërmadhë nga jashtë, ta zhveshim nga mermeri. Pra qëllimit ia arritën, objektin e shkatërruan!
Po sikur t'i çojnë këta qeveritarët tanë andej nga periferia se shumë zhurmë bëjnë?
Si ka mundësi që e kemi me kaq shumë dëshirë këtë idenë se çfarë kanë bërë të tjerët para nesh, edhe ne duhet ta prishim? Ta heqim qafe, ta zhdukim, të mos ketë më asgjë. Në vend që Tiranës t’i shtohen vepra të rëndësishme, më shumë i pakësohen. Si ndërtimi që është më prodhues në kohën e Enverit, dhe më cilësori, nuk është aspak bindëse që të kërkohet prishja e saj, sepse po të qe kështu, do të na duhet të prishim disa dhe të lëmë disa të tjera. Puna është se të ndërtosh një Kuvend të ri në ditët tona, është më shumë mbetëse historike, dhe jo aq ndërtuese. Nëse ajo ndërtesë ka baza për kohën e shkollës së arkitekturës në Shqipëri, atëherë le të lihet ashtu, dhe të tregohet se çfarë dinim të bënim mirë apo keq.

Më kujtohet shumë mirë koha kur filluan të zhvishnin nga pllakat e mermerit në atë vepër, dhe mendoja se çfarë po bëjnë me këto blloqe të mëdha pllakash? Pse duan t’i heqin në këtë mënyrë dhe ku do t’i çojnë xhanën? Mos vallë edhe Hotel Dajti do ketë një fund të tillë si Piramida?

Nipi, nuk mund ta prishë varrin e gjyshit dhe të babait, sepse ndryshe nuk mund ta dije nga ka ardhur dhe si ka qënë…

Eljan Tanini Për Gazetën TIRANA OBSERVER 5 Nëntor 2010. 

Kultura e Vinçës - hieroglifet ilire

Artifaktet ilire të gjetura në Vinçë datojnë nga mijëvjeçari VII deri IV p.e.s, ndërsa ato të shkruara me hieroglife dhe shenja datojnë nga 6000 deri 4500 p.e.s.

Siç shihet ky shkrim është më i vjetër se shkrimi sumer dhe ai egjiptas.

Artifakte të tilla janë gjetur në Vinçë afër Beogradit, Greqi, Bullgari, Rumani, Panoni lindore, Moldavi, Ukrainë jugore.
 Burimi: http://www.omniglot.com/writing/vinca.htm
Qendra ku lulëzoi dhe arriti zhvillimin kulmor kultura Vinçës shihet në këtë hartë:


Në pamjen e parë të bien në sy:
1. Svastika (kryqi gremç), simbol i ilirëve, si dhe shenja tjera të kultit të diellit, fakt i pakundërshtueshëm se ata që shkruanin me këto shkronja ishin paraardhësit e pellazgëve/ilirëve të mëvonshëm.


2. Sistemi i numërimit, nga një deri në pesë me anë shenjash, që flet për një zhvillim jo të vogël të diturisë, në atë kohë.


Hieroglife tjera dhe një shenjë e përdorur si nuskë (amulet):


Shtrirja e kulturës së Vinçës në Dardani Mysi dhe një pjesë të Panonisë. Krahinat tjera nuk janë përfshirë, në hartë.


Këtu shohim një figurë shpeze dhe dy figura kafshësh nga Vinça:

Ja çfarë thuhet këtu:
Citim:
Mbasi religjioni ilir i periudhës pararomake asht nji sektor ma pak i njohtun dhe pak i hulumtuem deri tash, simbolet e shumta diellore (kryqi gremç dhe rrathët koncentrikë), varëset e ndryshme në forma kuajsh të vegjël ... shpezësh të ujit si dhe antropomorfe, dokumentojnë nji mendim religjioz mjaft primitiv.Mbeturinat e këtij religjioni primitiv gjinden me shumicë edhe në epokën historike. P.sh. Maksimi i Tiritvërteton se Peonët e adhurojshin diellin, të paraqitun në formë rrethi.

Nga vepra ilirët e Aleksandër Stipqeviç.

http://vargmal.org/

"Lufta e karagjozëve..."

Duhet një memorial ku të jenë të shkruar të gjithë emrat e të vrarëve të 1997-ës.

Pse nuk propozohet të ngrihet një memorial për këtë, në krah të Piramidës?

Këtë pyetje unë po ia bëj dhe zotit E. Rama. Një memorial ku të jenë emrat e gjithë të vrarëve nga shteti që u shkërmoq në duart e kryeministrit aktual.

Me çfarë kuraje diskutoni të nderuar parlamentarë për E. Hoxhën kur keni një mori ngjarjesh në këto 20 vitet e fundit që i kanë bërë "konkurrencë" tronditëse asaj periudhe?

Ku është sot vendi im, në cilën rrugë është drejtuar? Cili nga ju e jep këtë përgjigje?

Asnjë, sepse ju jeni të mpirë, të deformuar disa nga paraja, disa nga frika dhe disa nga dreqi e di se çfarë. Kur shoh që kërkojnë të shembin Piramidën në emër të antikomunizmit më vjen për të qeshur e për të qarë.

Aty ishte ajo godinë e bukur prej 20 vjetësh, pse pikërisht tani?
Dhe si mund ta kuptojmë që vetë përfaqësuesit e diktaturës u dënuan me ca muaj burg për teprimet me disa kg kafe, kurse Piramida na qenka kaq fajtore sa duhet shembur?

A e dini që tingëllon marrëzi vetëm duke e menduar?

Seriozisht e keni që shkoni pas kësaj ideje të çmendur? Mjaft! Mjaft, ju injorantë që rrini në pushtet. Mjaft dhe ju të tjerët që i mbani iso kësaj qeverie që tallet me gjithçka të gjallë që ka ky vend.
Unë përmenda 1997-ën për faktin e thjeshtë se banoj në një lagje (Çole) (që ishte e lidhur ngushtë me ngjarjet e 1997-ës).

Asnjë qeveritar, asnjë politikan, asnjë vendimmarrës nuk është dënuar për atë çka ndodhi në atë periudhë.
Kjo të tmerron! Ai ishte viti i tmerrit dhe sot nuk ka përgjegjës. Dhe sot kërkojnë të merren ende me Enver Hoxhën. Turp!
Kjo është një luftë karagjozësh, të cilën ne po e duartrokasim për hir të përkatësisë politike.


Dorian Hitaj Shekulli

Deklarata e Athinës zyrtare: Duam të miratoni marrëveshjen e ujërave

Teksa situata mes Shqipërisë dhe Greqisë po tensionohet nga incidenti i varrezave, shteti helen shfrytëzon rastin të rikthejë edhe një herë për diskutim paktin detar.
Marrëveshja e ratifikuar me shumë zell nga qeveria shqiptare i hiqte vendit tonë një sipërfaqe shumë të madhe ujore. Për këtë arsye, kjo marrëveshje u rrëzua me unanimitet nga Gjykata Kushtetuese. Por Greqia duket se nuk është dorëzuar dhe dje i ka kërkuar sërish Tiranës zyrtare që të zgjidhë çështjen e kufijve detarë. Zëdhënësi i ministrisë së Jashtme greke, Gregoris Delavekuras, deklaroi dje në Athinë se ratifikimi i marrëveshjes do t'i hapë rrugë shfrytëzimit të pasurive natyrore.


"Nga ana jonë dihet tashmë se marrëveshja e nënshkruar nga të dyja qeveritë në përputhje me dispozitat e ligjit të detit është për të mirën e të dy vendeve. Siç dihet, çështja është komplikuar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese shqiptare, por ne mendojmë se i takon Tiranës të gjejë zgjidhje për ratifikimin e kësaj marrëveshje në parlamentin e saj. Ne mendojmë se ratifikimi i kësaj marrëveshje i hap rrugë shfrytëzimit prej dy vendeve të pasurive natyrore që ndodhen në zonë. Ashtu siç e ka pohuar edhe vetë ministri i Jashtëm shqiptar, ratifikimi i kësaj marrëveshje ndikon për mirë në rrugën europiane të Shqipërisë", - tha Delavekuras.

Gjatë negocimit të parë, dy vjet më parë, grekët nuk përmendën në asnjë rast pasuritë natyrore dhe faktin që në këtë zonë ndodhen vendburime nafte, ndërsa dje e pranuan zyrtarisht këtë gjë. Pak kohë më parë, ministri i Jashtëm, Haxhinasto, pohoi se marrëveshja me Greqinë është në fazë rinegocimi dhe se shumë shpejt do të ketë një zgjidhje. Por i pyetur për këtë gjë, Delavekuras pohoi të kundërtën. Sipas tij, nuk do të ketë asnjë rinegocim të marrëveshjes dhe se ndarja është bërë një herë dhe nuk ka ndarje të dytë. Ky pretendim i Greqisë është pothuajse i pamundur, pasi Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar si ndarjen e kufijve, ashtu edhe të gjithë procesin e negocimit.


Pak kohe me pare, Komisioni i Sigurisë i ka dërguar Ministrit të Jashtëm Edmond Haxhinasto një kërkesë ku i kërkon sqarime për marrëveshjen e ujërave. Letra. sipas rregullores së Kuvendit i është dërguar më parë kryetares Jozefina Topalli. e cila më pas ja ka paraqitur Ministrisë së Jashtme. Letra mban datën 5 tetor dhe nuk është kthyer ende asnjë përgjigje. Nënkryetari i Komisionit të Sigurisë Ilir Gjoni e ka bazuar kërkesën e tij në rregullore, sipas së cilës, çdo deputet ka të drejtë t'i bëjë pyetje Kryeministrit ose çdo anëtari tjetër të Këshillit të Ministrave.

Pas rrezimit te paktit me Greqine si antikushtetues nga ana e Gjykates Kushtetuese, Ilir Meta, atehere ne krye te diplomacise, deklaroi se "Pavarësisht pretendimeve dhe rezervave, qeveria do të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila rrëzoi Paktin detar me Greqinë".

Sa për marrëdhëniet me Greqinë, Meta u shpreh i bindur se ato do të ecin përpara. 

Shekulli