Thursday, October 17, 2013

Rob i vesit

Ptuh!
E urrej veten time. Paradoksale, por më duket se e urrej gjithçka që me kaq kënaqësi bëj, çdo ditë. E urrej atë që jam bërë. Urrej gjithçka me të cilën vras kohën, papjekurinë për të jetuar vetëm për të sotmen.
Nga dreqin mu ngjit si këpushë kjo papërgjegjshmëri që ndjek çdo ditë me korrektësi?!
Endërroj çdo ditë për një ditë të largët që do të jetë e bukur, e vizatuar sipas dëshirave të mia dhe pse akoma nuk e ndjej të jem përpjekur qoftë një çast, të luftoj për to.
A do të vijnë vetvetiu këto të mira,

që prej kohës me mungesën e tyre më kanë rrëmbyer harenë, optimizmin, energjinë?! E megjithatë njeriu duhet patjetër të gjej paqe me atë që do, me atë që është e kërkon nga vetja.
Jam rob i vesit, jam rob i qejfit, më duhet ta pranoj.
Çdo gjë që më pëlqen dua ta konsumoj pa fund. Nuk ngopem me atë që më pëlqen dhe nuk e gjej dot atë kufirin ku kënaqësia kthehet në abuzim.
Dhe meqenëse si çdo fajtor që kam aftësi të jashtëzakonshme për të gjetur justifikime, fajin për këtë ua kam hedhur prindërve, që duke na treguar gjithmonë ata se kur duhet ti jepnim fund një argëtimi, nuk na lanë të mësojmë kurrë ta gjenim vetë këtë kufi.
Abuzoj me gjumin, me regjimin, me pijen, me duhanin, me internetin, me lojërat e ndryshme e gjithçka tjetër më jep kënaqësi.
Nuk mundem ta imagjinoj dot një ditë të vetme pa kaluar kohë me një argëtim të caktuar. E kam kthyer si një dozë droge të domosdoshme. E kam plotësisht të pamundur të heq dorë nga kënaqësitë e të kthehem një kalë pune, i cili punon e sakrifikon për një ditë të largët, të sigurt e të mirë. Do doja, por nuk mundem.
Nuk e di pse, por më është krijuar ideja se njerëzit që punojnë kaq fort, duke sakrifikuar gjithçka nga jeta e tyre sociale, nuk i ka shtyrë në këtë vendim karakteri i tyre i fortë dhe ambicia, por fakti se ata nuk kanë ditur kurrë ta shijojnë jetën, ata nuk kanë patur kurrë një jetë të shëndetshme sociale. Nuk është e rastësishme që po këto njerëz pasi arrijnë të sigurojnë të ardhmen e tyre, me pasuri e mirëqenie, nuk dinë ta shijojnë atë. Nuk dinë të ndërtojnë marrëdhënie me vartësit e tyre. Madje as nuk e kuptojnë këtë mirëqenie që tashmë kanë dhe kënaqësia e tyre nis e mbyllet vetëm tek puna. Edhe kohën e lirë, e llogarisin si para që po i humbasin...
E padyshim që veset nuk mund të kapnin çdo njeri.
Sa njeri pa ndjenja duhet të jesh të heqësh dorë nga ajo kënaqësia që të dhuron ajo e mallkuara cigare? Të heqësh dorë nga dehja lozonjare e alkoolit? Të çohesh nga një tavolinë miqsh ku të gjithë po gajasen me lot, se u bë vonë dhe të nesërmen si çdo ditë, do duhet të zgjohesh në 5 të mëngjesit?
Si mund të jetosh pa e provuar njëherë adrenalinën e të fituarit një tufe të mëdha parash në kazino, për pesë minuta? Ose ti humbasësh të gjitha, po në ato pesë minuta?
Si mund të heqësh dorë nga një lojë futbolli me shokët? Apo nga një fundjavë me zgarë e birra në natyrë?
Jo, jo. Disa njerëz janë bërë për tu goditur nga veset, disa njerëz nuk e kuptojnë dot jetën pa vese. Nuk e kuptojnë dot jetën aq të përgjegjshme, aq të rregullt e të "mirë-kalkuluar".
Të gjithë nuk mund të jemi pasanikë, por as të gjithë nuk mund të jetojmë një jetë plot adrenalinë e aventura të papërsëritshme.

Nëse prindërit tuaj kanë kaluar një jetë të mrekullueshme, mos u bëni budallenj të prisni prej tyre edhe trashëgimi.


Në këtë jetë disa i duan paratë si mjet për të arritur kënaqësinë, disa të tjerë e ndjejnë kënaqësinë duke mbledhur paratë e këtyre më sipër.

Shkroi: Stop Injorancës !

Fund Marrëzisë

Nëse ka diçka super profesionale dhe super inteligjente në Policinë shqiptare, ajo është padyshim përzgjdhja e emrit të koduar që i vendoset një operacioni të caktuar të saj.
Operacioni mbarkombëtar i fundit, për kontrollin e lojërave të fatit dhe kazinove ishte titulluar "Fund Marrëzisë"!

Shkroi: Stop Injorancës !

Zoti dhe Vullneti ynë i lirë



Thuhet se Zoti e pajisi krijesën e tij me vullnetin e saj të lirë që njerëzit të ndërmarrin veprime të pavarura.

A mundet që Zoti të ndryshojë Vullnetin tonë të Lirë?

Nëse po, atëherë ai nuk mund të jetë më, vullnet i lirë.
Nëse jo, tregon që Zoti qenka i pafuqishëm ndaj tij.

Sekreti i jetëgjatësisë në martesë

Kur u pyetën sesi ia arritën t'ia dilnin të qëndronin bashkë për plot 65 vite martesë, gruaja u përgjigj:

"I përkisnim një kohe, kur diçka që thyhej ne e ndreqnim, nuk e hidhnim".

Kaos


Në Shqipëri shkëputet energjia,
në çdo qytet shpërthejnë protesta,
në Gjirokastrën tonë fisnike,
... s'ka të ndalur festa!

Një poezi e vitit 2003.

Shkurtimi i fjalëve në rrjetet shqiptare

Koha sot vrapon më tepër se kurrë dhe njerëzit kanë filluar të bëhen "oportunistë" gjatë komunikimit virtual, për të folur sa më shumë duke shpenzuar sa më pak kohë.
Kështu kemi filluar ti shkurtojmë fjalët, shprehitë, përshëndetjet, madje jo vetëm zanores "ë", por të gjitha zanoreve me rradhë iu kemi shpallur luftë ballore. "Ckm, zmr, klb, etj".

E tillë është edhe gjetja e fundit e komunikimit në Facebook, ku njerëzit bëjnë një kërkim në Google, ruajnë një foto në desktop, e hapin foton me një program që i modifikon ato, pastaj e ruajnë sërish.
Rikthehen tek komenti, ngarkojnë foton e tyre, presin sa ajo të ngarkohet plotësisht dhe pastaj e dërgojnë në formën e komentit të tyre personal.
Dhe kjo, sepse përtojnë...

Mirëpo pavarësisht dëshirës tonë për të fituar kohë duke ia marrë atë borxh komunikimit në sasi e cilësi, ajo që me siguri fitojmë është një komunikim gjithmonë e më i pamenduar, i papeshuar, i pamatur, i papjekur, i pavlerë dhe i pafrytshëm sepse nuk mund ta ushqesh trurin duke u përpjekur mos ta lodhësh atë.

E megjithatë, ky është vetëm një reflektim i pafajshëm që nuk pretendon të ndryshojë gjë, madje madje me zor po pres ditën kur ne do të komunikojmë vetëm me foto.

Shkroi: Stop Injorancës !

Gjuha shqipe në Facebook

Nga 13 mijë anëtarë që ka faqja jonë, 50% e tyre e mbajnë Facebook-un në gjuhën shqipe.
Pra, gjysma e shqiptarëve e përdor Facebook-un në gjuhën e vet...

Po si u zhvilluar gjuha shqipe në Facebook?


Gjuha shqipe në Facebook, po ashtu si gjuhët e tjera duke përjashtuar anglishten, u përkthye dhe u zhvillua vullnetarisht.


Çdokush prej nesh kishe të drejtën për të përkthyer qoftë një fjali nga mijëra e dhjetra mijëra njoftimet e ndryshme të Facebook-ut.

Më pas kalohej në një fazë të dytë, ku shfaqen të gjitha variantet e ndryshme të përkthimeve dhe çdokush prej nesh votonte për variantin më të saktë, për variantin e duhur.

Rezultatin...shikojeni vetë!

Shkroi: Stop Injorancës !

Vendi më i pasur në botë...është vendi më i varfër.

Kjo është tragjedia e një vendi që ka qenë më i pasur nga sa mund ta përballonte vetë.

Historiani Dan Snow sjell për BBC-në një vështrim mbi historinë e Republikës Demokratike të Kongos, potencialisht një nga vendet më të pasura në botë, por që është kthyer në vendin më të varfër për shkak të kolonializmit, skllavërisë dhe korrupsionit.

“Është një vend i bekuar me çdo lloj minerali që ekziston, por i renditur në fund të Indeksit të Zhvillimit Njerëzor të OKB-së, ku edhe ata që kanë më shumë fat janë sërish shumë të varfër”.

Por pse kjo histori tragjike?


Historiani shkruan se gjithçka ndodhi në pesë shekujt e shkuar.
“Në fund të shekullit të 15-të, një perandori e njohur si Mbretëria e Kongos dominonte pjesën perëndimore të Kongos dhe pjesë të disa shteteve të tjera si Angola.
Ishte një mbretëri e sofistikuar, kishte aristokracinë e saj dhe një shërbim civil befasues.

Kur tregtarët portugezë mbërritën nga Europa në vitet 1480, ata e kuptuan se kishin përballë një pasuri gjigande, e mbushur me burime, veçanërisht me mish njerëzor.
Kongo ishte një burim i pashtershëm me skllevër pa sëmundje.
Portugezët e kuptuan shumë shpejt se ky furnizim do ishte më i lehtë për t’u përdorur nëse vendi do ishte në gjendje anarkie.
Ata bënë maksimumin e tyre për të shkatërruar çdo forcë politike indigjene, të aftë për të kufizuar skllavërinë.

Para dhe armë moderne u dërguan për rebelët, ushtritë kongoleze u mposhtën, mbretërit u vranë, elitat u therën dhe u nxit secesioni”.

E kështu shumë shpejt vendi rrëshqiti në një luftë civile të pafundme. Qytete të tëra në Europë pasuroheshin me burimet e Kongos. Qeveritë ishin të dobëta, kurse zbatimi i ligjit nuk njihej.
Kështu, një vend i madh, thuajse sa Europa Perëndimore në sipërfaqe, ishte kthyer në plaçkë.
Ishte një vend me burime të pafundme uji, me një klimë të mrekullueshme, me një tokë pjellore dhe me minerale si bakër, ar, diamante, kobalt, uranium, por edhe me naftë. Por thellë- thellë ishte vendi më i pashpresë në botë.
Në atë kohë vendi ra në duart e belgëve. Ishte periudha kur aty u zbulua goma, që kërkohej shumë për biçikleta dhe për makinat e para. Forcat e sigurisë belge ishin brutale. Miliona njerëz u vranë ose u zhdukën. Regjimi barbar belg nuk kishte asnjë interes për të zhvilluar këtë vend.
Në Luftën e Parë Botërore, ishin mineralet nga Kongo që vrisnin njerëz. Thuhej se 75 përqind e predhave bëheshin nga mineralet e Kongos.
Në Luftën e Dytë Botërore, uraniumi që u përdor në bombat që u hodhën në Hiroshima dhe Nagasaki, vinte nga një minierë në Kongo.

Pavarësia në vitin 1960 ishte katastrofë me vete.
Pjesë të tëra të vendit donin të shkëputeshin, kurse largimi i beftë i elitës belge e la vendin pa asnjë njeri me aftësitë për të drejtuar qeverinë ose ekonominë. Nga 5 mijë vende pune para pavarësisë, vetëm tre mbaheshin nga kongolezët. Nuk kishte asnjë avokat, inxhinier, mjek apo ekonomist kongolez.
Pasi nisën përplasjet e para, lideri kongolez Patrice Lumumba u rrah barbarisht dhe më pas u ekzekutua nga rebelët e mbështetur nga Perëndimi.
Në krye të shtetit erdhi Joseph- Desire Mobutu.
Mobutu u bë shpejt një tiran.
Ai e ndryshoi emrin në vitin 1972 në Mobutu Sese Seko Nkuku Ngbendu Wa Za Banga që do të thotë “luftëtari i plotfuqishëm, që nuk përkulet dhe vetëm shkon nga fitorja në fitore, duke lënë zjarr nga pas”.
Perëndimi e toleronte atë sa kohë që drejt tij vërshonin mineralet dhe sa kohë Kongo ishte jashtë orbitës sovjetike.
Miliarda dollarë pasuri doli nga vendi, kurse ai jetonte në një pallat 100 milion dollarësh, ndërtuar në mes të xhunglës. Pranë pallatit në xhungël kishte edhe një pistë ku mund të ulej avioni Concorde, që e çonte në udhëtime pazari në Paris.
Disidentët torturoheshin, ministrat vidhnin të gjithë buxhetin dhe qeveria nuk merrte frymë. Perëndimi e lejoi regjimin e tij të merrte borxh miliarda dollarë, që duhen paguar edhe sot e kësaj dite.
Në vitin 1997, Ruanda, e bindur se Mobutu fshihte njerëzit që kishin shkaktuar gjenocidin e vitit 1994, e pushtoi këtë vend me lehtësi.
Mobutu u largua duke futur në avion aq sa mundi nga pasuria e tij.
Në krye të shtetit erdhi Laurent Kabila, një kukull e Ruandës. Por kur mori detyrën, ai refuzoi të bindej ndaj Ruandës. Këtu nisi sërish një luftë tjetër, edhe më e tmerrshme. Miliona njerëz vdiqën.
E kështu miliardat e pasurisë që ka toka e këtij vendi i kanë sjellë vetëm mizerje.
Askujt, as belgëve, as portugezëve, as drejtuesve kongolezë nuk u ka interesuar që të ndërtojnë një shtet të fortë, një ushtri, gjyqësor dhe sistem arsimor të mirë.

U ka interesuar më së pari të bëjnë para nga ajo që kishte ky vend./ep


Uria seksuale në virtualitet

Ka disa femra që kanë një buzëqeshje aq të veçantë, sa shumë meshkuj dashurohen me tingujt e saj edhe nga pas ekranit.
Shkroi: Stop Injorancës !


Letërkëmbimi mes gjenive Athanas Tashko i kundrapërgjigjet Faik Konicës


F. Konica
"Po të më pyeste njeri ç'ndryshim ka në mes të popujve të egër dhe popujve të qytetëruar, edhe po të me lutej të përgjigjem shkurt e mirë, në katër a pesë fjalë me kuptim të plotë, - do t'i thosha: popuj të qytetëruar janë ata që kanë për themel Dekalogun (urdhëra të cilat gjenden edhe në Bibël edhe në Kur'an - I.B.), ose ndonjë kanun që zë vendin e Dekalogut: popuj të egër janë ata që s'njohin asnjë rregull të këtillë...
Do të ma presë njeri fjalën dhe do të më thotë: pse në Francë, në Angli, në Amerikë etj., që janë pa dyshim vende të qytetëruara, a nuk ka për ditë vrasje, vjedhje e njëqind të liga të tjera? -
Përgjigjem: padyshim ka dhe do të ketë kurdoherë, këtë s'e mohon njeri. Po vëni re një ndryshim me rëndësi shumë të madhe: në vende të shtruara e të qytetëruara krimineli shikohet me sy të keq, si një gjë e fëlliqur dhe e poshtër; secili i ndihmon policisë që ta zërë; edhe në qoftë se shpëton keqbërësi nga të mospaturit mjaft prova, dyshimi që e rrethon arrin për ta ftohur e për ta larguar botën. Po është një vend në faqe të dheut ku katilin e kanë për njeri të nderuar; hapen që t'i bëjnë udhë kur ik, e fshehin nga i vet-thëni gjyq, nëse i teket ndonjë të vetë-thëni polic sikur e kërkon; edhe në daltë ndonjë i 'mendur për të marrë anën e kanunit/ligjit, e shajnë dhe e fëlliqin me një zell të çuditshëm. Dhe prandaj ai vend ka fituar një famë shumë të shëmtuar në botë: kur i dëgjohet emri në një sallon a mbi udhë, njerëzve u ngjethet mishi dhe u vjen neveri; në qendrat e diturisë e shikojnë si një shpellë kafshësh të egra ku s'është dukur kurrë ndonjë shenjë njerëzie; në qarqet politike e diplomatike thonë se është për të qeshur të lihet i lirë një popull i cili s'ka ditur qe më tepër se dy mijë vjet vetëm se të derdhë gjak dhe s'njeh tjetër zanat veç vrasjes. Të tilla fjalë janë thënë mijëra vjet me gojë dhe me pendë...
Për cilin vend dhe për cilin popull flas do ta kuptoni menjëherë kur t'ju them që nuk ndodhet në mes të Afrikës, po në Evropë...
Kur m'u poq mendja më tepër, që pesëmbëdhjetë vjet e tëhu, kuptova se problemi i Shqipërisë më tepër se kombëtar ishte një problem moral.
Me fjalë të tjera, kuptova se ky popull që të shpëtojë ka nevojë, më parë se çdo gjë tjetër, t'i stërvitet e t'i lartësohet karakteri e t'i spastrohet zemra..."

A. Tashko

“Në orë të mira shkruan shumë bukur dhe i shërben çështjes sonë kombëtare, por në realitet zotrote një herë në mot shkruan për të gëzuar zemrat tona dhe nëntëdhjetë e nëndë për t’i ftohur. Zotrote, kërkon që të mos ketë në botë tjatrë shkrimtar, gazetar, politikan ose kryetar përveç teje. Mirëpo shqiptarët nuk duan kështu e në qoftë se ajo do të bënet nga një Faik, për një Faik e me një Faik... kurrë mos u bëftë!

Mblith mendjen, pra, o zotëri se na plase shpirtin.

Na plase zemrën sepse nuk ke lënë gjë pa sharë, të duruam shumë, por që tani e tutje, nuku do të durojmë se nuku durohesh.”