Showing posts with label Sensibilizim. Show all posts
Showing posts with label Sensibilizim. Show all posts

Thursday, March 18, 2010

Si shfrytëzohen vajzat shqiptare për prostitucion ?

Sipas studimit të bërë nga një agjenci italiane, rezulton se vajzat shqiptare mashtrohen sikur do të fejohen dhe martohen, por kur mbërrijnë në Itali, atëherë ato detyrohen që të dalin në rrugë dhe të shesin trupin.

Fenomeni i prostitucionit në Itali, në vitet e fundit është rritur në mënyrë të konsiderueshme, në sajë edhe të rrjedhës së migrimit. “Nga 25 mijë prostituta që numëroheshin disa vite më parë, kemi arritur në 50 mijë, prej të cilave 26 mijë janë të huaja”, shkruante dje media italiane. Sipas agjencisë “mondoraro.org”, kryesisht vajzat dhe gratë vijnë nga Nigeria, Shqipëria, Rumania, ish-Jugosllavia, Amerika e Jugut dhe Afrika e Veriut.

Këto gra kryejnë aktivitetet e tyre të pavarura ose në një skllavëri të detyruar në rrugë, në vende të izoluara ose në apartamente në këmbim të parave. Gratë që prostituojnë me një nënshtrim të detyruar janë shqiptaret që janë të sunduara nga një shantazh i egër dhe barbar, më pas vajzat e vendeve të Europës Lindore, të cilat vijnë në Itali nga mashtrimi, premtimi i bashkatdhetarëve të tyre për një punë dhe e gjejnë veten në rrugë. Në qoftë se ato refuzojnë do të bien pre e përdhunimit në grup dhe rrahjeve, derisa të bëhen të urta dhe të nënshtrohen.

***

Ka qenë një studim i bërë nga një agjencia italiane që ka dalë në këto rezultate. Sipas tyre, vajzat shqiptare mashtrohen sikur do të fejohen dhe martohen.

Por kur mbërrijnë në Itali, atëherë e kuptojnë se janë mashtruar dhe ato detyrohen që të dalin në rrugë dhe të shesin trupin. Seksi është në varësi të çmimeve, që fillojnë nga 30-50 euro dhe shkon deri në 500 euro për një natë apo më shumë. AIDS është një rrezik i madh në këtë rast, për shkak se e tërë industria e mishit të bardhë është e pakontrolluar dhe e pamonitoruar. Një tjetër problem është rendi publik, prania në rrugë e transeksualëve të veshur në mënyrë jo të mjaftueshme që shfaqen në çdo kohë përballë grave apo fëmijëve të mitur. Klientët e prostitutave janë më se 10 milionë italianë, nga të cilat 500 mijë femra që ofrojnë një biznesi prej 15 miliardë eurosh në vit për krimin.

***

Viktimat vijnë nga vendet e varfra, ku ka një mjerim i tmerrshëm, ndërsa tutorët kanë të njëjtën origjinë, ata duan të punojnë disa vjet e më tej të tërhiqen për të blerë shtëpi dhe prona në vendin e tyre të origjinës. Në Shqipëri, shpesh vajzat janë të joshura, ngaqë u është premtuar punë në Itali dhe më pas martesë, më tej ato janë rrëmbyer ose shitur nga anëtarët e familjes. Në rrugë, pranë vendeve ku ato prostituojnë janë edhe mbikëqyrësit, ata të cilëve vajzat duhet t’u dorëzojnë të gjitha fitimet e tyre çdo ditë. Nëse ata nuk marrin shumën e mjaftueshme, vajzat dënohen me metodat e dhunshme ose u shiten klaneve të tjera.

Rrjeti shqiptar është shumë i dhunshëm dhe hakmarrës, ndërsa vajzat kur arrijnë të shpëtojnë me ndihmën e policisë, kanë shumë frikë për të përballuar procesin e gjyqit, duke përfshirë mundësinë reale të dhunës dhe hakmarrjes ndaj familjeve të tyre Shqipëri dhe në veçanti ndaj motrave të reja që ato kanë.

Korrieri

Wednesday, March 10, 2010

Shqiptarët të 'fiksuar' pas celularit, 50 miliard lekë në 2009

Shqiptarët kanë shpenzuar për të komunikuar rreth 50 miliardë lekë gjatë vitit 2009. Të dhënat më të fundit të Autoriteti të Komunikimeve Elektronike dhe Postare bëjnë fjalë për një rritje të konsiderueshme të abonentëve të kompanive të telefonisë së levizshme gjatë dy viteve të fundit.

Madje AKEP raporton se kjo shifër është tre për qind më e ulët se ajo e vitit të kaluar, por përkundrazi numri i abonentëve ka pësuar një rritje mjaft të lartë me rreth 1.2 milionë përdorues vetëm gjatë vitit 2009. Numri i abonentëve që janë të regjistruar në të treja kompanitë celulare në vend arrin në 4.1 milionë përdorues.

Kurba e rritjes së përdoruesve të telefonisë celulare në vend ka ardhur në rritje duke filluar nga vitit 2000. Gjatë këtij viti numri total i përdoruesve të telefonisë së levizshme varionte në rreth 29 mijë abonentë, një vit më pas arrihet në 352 mijë abonentë. Në vitin 2007 ky numër arrin në 2.3 milionë, ndërsa rritjen më të lartë të abonentëve telefonia celulare do ta njihte në vitin 2009 me plot 4.16 milionë përdorues.

Sipas të dhënave që pasqyrohen në raportin vjetor të AKEP-it, pjesa dërrmuese e abonentëve të telefonisë së levizshme, rreth 94 për qind e tyre janë janë përdorues të paketave tarifore me parapagim, ndërkohë vetëm 6 për qind janë përdorues të numrave me kontratë. Për shkak të ofertave të ndryshme që kanë bërë kompanitë gjatë vitit të shkuar, vërehet një rritje e ndjeshme e thirrjeve brenda rrjetit. Kështu, rritja e numrit të përdoruesve të celularëve ka shtuar konsumin për abonent. Nëse gjatë vitit 2008 mesatarisht çdo abonent ka konsumuar në muaj rreth 30 minuta bisedë, gjatë 2009 kjo shifër është dyfishuar.

Shqipëria ka nivele penetrimi të telefonisë celulare më të lartë krahasuar me vendet e Bashkimit Europian. Sipas AKEP gjatë vitit 2009 numri i përdoruesve për 100 banorë arriti në 129 për qind krahasuar me 119 për qind të është mesatarja e vendeve të Bashkimit Europian. Ky tregues pasqyron faktin se një përdorues mund të jetë njëkohësisht abonent i dy apo të tre kompanive që operojnë sot në tregun shqiptar. "Numri i përdoruesve celularë i referohet kartave SIM ndërkohë që normat e larta të përdoruesve për 100 banorë shpjegohen nga mbajtja prej një individi e më shumë se një karte të tillë", - shpjegon AKEP.
Telefonatat ndërkombëtare, më lirë se brenda vendit...

Rritjen e numrit të përdoruesve të telefonisë së levizshme si dhe të minutave të bisedës për çdo abonent AKEP e lidh me hapjen e tregut dhe rritjen e konkurrencës midis kompanive.

Ndërkaq, ndryshe nga ajo celulare, telefonia e levizshme ka një shtrirje shumë më të ulët. Gjatë vitit 2009 numri i abonentëve fiks arriti në 363 mijë duke pësuar një rritje me rreth 40 mijë krahasuar me një vit me parë.

Në Shqipëri ofrojnë shërbimin e telefonisë fiks rreth 74 operatorë, ndërsa 18 të tjerë ofrojnë shërbimin e thirrjeve me kartë të parapaguar. Edhe pse ka një numër të madh operatorësh të telefonisë fikse sipërfaqja e që mbulohet me shërbim nuk e kalon 12 për qindshin.

Emirjon Senja, Shekulli

Bashkojuni protestës së 17 Prillit, për të fikur për 8 orë telefonin celular, kundra çmimeve abuzive të kompanive celulare në Shqipëri. Mediat e shkruara apo vizive nuk e ngrenë dot zërin kundra kuçedrave AMC, VODAFON dhe EAGLE MOBILE, sepse me reklamat e tyre mbajnë gjallë bizneset e tyre. Gjithashtu edhe vetë shteti dhe politika shqiptare është komplet e pafuqishme, ose në rastin më të keq, e blerë. Eshtë detyra jonë si qytetarë të protestojmë, të mblidhemi kundra kësaj vjedhjeje që i bëhet popullit shqiptar. Populli më i varfër - Tarifa më të shtrenjta.
Stop Injorancës- Ndal Paditurisë

Tuesday, March 9, 2010

Tirana "pushtohet" nga qentë e rrugës

Tirana është pushtuar nga qentë, jo vetem nëpër lagje periferike por edhe në qënder dhe rrugë kryesore, qentë i gjen ngado.

Zakonisht kur dalim në rrugë jemi mësuar të kemi kujdes nga makinat, por tashmë duhemi të ruhemi nga qentë e rrugës të cilët nëse kanë uri edhe mund të të kafshojnë, po ashtu nuk duhet të nxitosh se qeni nxehet e gjëmon.

Megjithëse Bashkia e Tiranës ka nisur disa here fushatën për heqjen e qenve nga rruga, ende nuk ka bërë asgjë pasi qenë mund të gjesh me qindra ngado. Këtu në Shqipëri, nëse sheh një qen në rrugë nuk duhet të habitesh, ndërkohë që në çdo vend të botës kushdo që sheh një qen lajmëron menjëherë policinë zjarrfiksen apo institucion e parë të ndihmës që ka më afër.

shqiperia.com



Ka shumë zona në Tiranë, ku natës nuk mund të lëvizësh pa ndonjë shkop të gjatë në dorë dhe pa mbushur xhepat me gurë. Natën, qentë mbretërojnë periferitë e Tiranës. Lehjet e tyre në kor, duke zgjuar njëri-tjetrin lagje më lagje, të japin një panoramë mesjetare të një qytetërimi rural. Jo pak raste kemi qenë dëshmitar të sulmeve të këtyre grupeve qensh ndaj njerëzve të rastësishëm, fëmijë, gra, pleq e madje edhe ndaj djemve të rinj.
Një tjetër dukuri interesante është lufta për konkurencë territori, që qentë e rrugës kanë ndaj njerëzve që mbledhin kanaçe.

Megjithatë, prania e këtyre qenve në rrugë, përveç mungesës së higjienës dhe rrezikut real të sulmit fizik, tregon shumë për cilësinë e jetës në këtë vend, për respektin ndaj jetës dhe qenieve të gjalla. 

(Stop Injorancës) http://www.facebook.com/NdalPaditurise2

Tuesday, March 2, 2010

"Shpëtoni jetën e vajzës sime, këtu do të vdesë"

Babai i pacientes 17-muajsh, Shefqet Shehi, pohon se mjekët tanë nuk të shpëtojnë dhe e vetmja shpresë kanë mbetur spitalet në Itali.

Apeli

Shpëtoni jetën e vajzës sime të vogël, ajo është si engjëll...!
Janë këto fjalët e babit të Ismës, i cili kërkon me çdo kusht që vajza e tij e vogël të jetojë. I mbështetur me kokë në mur rri pas derës së mjekëve në pritje të një përgjigje për ta ndihmuar në spitalet e huaja. Sipas Shefqet Shehut, vogëlushja e tij vuan nga një tomorr në mëlçi dhe se deri tani asnjë mjekim nuk e ka ndihmuar atë për tu përmirësuar.

Ndërkohë, ai pohon se sëmundja i është shfaqur kur ishte 11-muajsh dhe se mjekët tanë tashmë nuk munden të bëjnë asgjë për të. "Kam folur me mjekët dhe ka disa muaj që më thonë se duhet dërguar jashtë vendit. Ndoshta në spitalet e Italisë mund të bëhet diçka për vajzën time, ndaj shpresoj që të mos humbasim më kohë", - pohon Shefqet Shehu, duke shtuar se shtuar se gjendja e saj shëndetësore rëndohet gjithnjë e më shumë.

Por, nga ana tjetër, babi i Ismas nuk e fsheh debulesën që ka për të bijën, duke e krahasuar me një engjëll. "Ja shikojeni në foto vajzën time të vogël.

Është e bukur si engjëll. Unë e di që vogëlushja ime do të shpëtojë, ndaj lutem të më ndihmoni", - pohon babai i vogëlushes, duke shtuar se Isma është edhe një vajzë shumë e zgjuar dhe e dashur.

Shpenzimet

Sëmundja e rëndë e vogëlushes së familjes Shehi nuk është i vetmi problem. Familja është përballur edhe me shpenzime të mëdha gjatë kohës që Isma ka marrë mjekim.

"Nuk di sa kam shpenzuar me saktësi por kam paguar edhe për kimio-terapinë pasi jo të gjitha ilaçet i ka disponuar spitali. Këto medikamentet janë të shtrenjta dhe vërtet e kam pasur shumë të vështirë për ta përballuar", pohon Shefqet Shehu, duke theksuar se nuk do të kursente asgjë vetëm vajza e tij të bëhet mirë.

Megjithatë, ai thekson se e ka të pamundur për të përballuar mjekimin e vogëlushes jashtë shtetit, pasi në këtë rast bëhet fjalë për shifra shumë të larta sa e ka të pamundur për t'i siguruar.

"Kam pyetur dhe jam interesuar për të parë mundësinë që të dërgoj vajzën jashtë shtetit, por kjo është e pamundur për mua. Sikur të shes shtëpinë e gjithë çka kam përsëri nuk e përballoj dot.

Ndaj e vetmja shpresë për mua ka mbetur që të më ndihmojë shteti apo ndonjë subjekt tjetër që të dërgoj vogëlushen në Itali", - pohon Shefqet Shehu, i cili nuk i fsheh dot lotët e një babi që kërkon shpëtim për të bijën.

"Kam folur me mjekët dhe ka disa muaj që më thonë se duhet dërguar jashtë vendit. Ndoshta në spitalet e Italisë mund të bëhet diçka për vajzën time, ndaj shpresoj që të mos humbasim më kohë"

Babai: Më ka vdekur edhe një vajzë tjetër

Babai i Ismës nuk është hera e parë që po përjeton vuajtjet që i kanë ardhur nga fatkeqësitë në familjen e tij. Shefqet Shehu pohon se para pak vitesh i ka vdekur edhe një vajzë tjetër vetëm 4-ditësh në maternitet dhe, sipas tij, ndonëse ishte shumë e vogël e kanë përjetuar rëndë humbjen e saj. "Kur nusja ime lindi vajzën nuk do ta besonim se do ta humbisnim brenda katër ditësh.

Ajo vdiq në maternitet dhe kurrë nuk e mësuam sëmundjen e saj. Ishte vërtet shumë e dhimbshme për ne. Vogëlushja jonë ishte shumë e bukur dhe nuk dukej bebe e sëmurë. Lutem që të mos humbas edhe Ismën se ajo është engjëlli i shtëpisë sonë", - pohon Shefqet Shehi.

Doktoresha Anila Godo pohon se pacientja është rast i rëndë, por duhet provuar një mundësi edhe në Itali

Godo: Rasti është i rëndë, të shohim mundësinë për në Itali

Vogëlushes i janë bërë 6 kimioterapi, por për fat të keq sëmundja nuk ka pasur asnjë përmirësim, pasi vërtet kemi të bëjmë me një rast të rëndë. Kështu shprehet shefja e shërbimit të Onko-hematologjisë në Pediatrinë e Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza", Anila Godo, e cila thekson se tashmë mjekësia jonë nuk ka çfarë bën më shumë me pacienten, por, sipas saj, vogëlushes duhet t'i jepet edhe një mundësi në spitalin në Itali, ndonëse edhe kolegët italianë nuk është e thënë të japin garanci për pacienten. "Pacientja ka një sëmundje tumorale të rëndë, pasi kjo sëmundje nuk po reagon as ndaj kimioterapive të njëpasnjëshme që i janë bërë.

Deri tani i janë bërë 6 kimioterapi dhe nuk kanë dhënë asnjë rezultat, ndaj mendoj se këtu nuk ka çfarë të bëhet më shumë për këtë paciente", - pohon Anila Godo, duke shtuar se për fat të keq në pavijonin e saj mjekohen edhe fëmijë të tjerë me sëmundje të rënda.

Megjithatë, doktoresha Godo pohon se vogëlushes i duhet dhënë edhe një mundësi për ta dërguar për mjekim në Itali, për shkak të infrastrukturës më moderne që kanë ata. Por, nga ana tjetër, ajo nuk siguron se mjekët italianë do të japin garanci për pacienten. "Theksoj se kemi të bëjmë me një rast të rëndë, ndaj dhe nuk mund të flasim për siguri në lidhje me mjekimin e pacientes.

Megjithatë, unë mendoj se duhet parë situata e saj në një spital më modern në Itali", theksoi Godo. Ndërkohë, doktoresha shpjegoi se për këtë janë duke biseduar me drejtorinë e QSUT-së dhe me Ministrinë e Shëndetësisë, në mënyrë që të shohim mundësinë për transferimin e saj në spitalet Italiane.

E. Bardhi , Shekulli

Sunday, January 24, 2010

Një nga këto ditë...

Një miku im hapi një nga sirtaret që i përkiste gruas së tij. Nga aty nxorri një kuti të mbështjellur në një letër të shndritshme dhe tha: “Kjo nuk është do çfarëdo, kjo është dicka speciale.”


E hapi paketën dhe hodhi tej letrën, e më pas shikimi i mbeti në mëndafshin e zgjedhur. Ajo e ka blerë këtë kur ishim për herë të parë në New York, para 8 apo 9 vitesh. Nuk e ka përdorur asnjëherë. E ka ruajtur për ndonjë “rast special”.


Mirë...Unë mendoj se tani është rasti i duhur për këtë. Iu afrua krevatit dhe e vendosi materialin prej mëndafshi pranë rrobave të tjera, të cilat do t'ia vishnin asaj ditën e varrimit. Gruaja e tij kishte vdekur. Ai u kthye nga unë dhe më tha: “Mos ruaj asnjëherë asgjë për disa raste speciale, çdo ditë e jetës tënde është speciale”.


Ende mendoj për fjalët e tij... Ato kanë ndryshuar jetën time. Lexoj më shumë, ndërsa pastroj më pak. Rri në ballkon dhe shijoj peisazhin, e nuk më pengon rrëmuja në kopësht.


Kaloj më shumë kohë me familjen, e më pak në pune. Kam kuptuar se jeta në përgjithësi është e mbushur me kënaqësi. Nuk ruaj më asgjë. I përdor gotat e kristalit çdo ditë. Nëse dua, vesh xhaketen time të re kur shkoj në supermarket. Unë nuk ruaj parfumin tim më të mirë për raste speciale, e përdor sa herë që dua.


Frazat... “një ditë”' dhe “një nga këto ditë” janë zhdukur nga fjalori im.

Nëse ia vlen të shoh, dëgjoj apo bëj dicka, atëhere une dua ta shoh, dëgjoj apo bëj atë...TANI.

Unë nuk jam i sigurtë se çfarë do të bënte gruaja e mikut tim, sikur ta dinte se nuk do të ishte këtu nesër. Unë mendoj se ajo do të kontaktonte më shume me familjen e saj, miqtë e saj.


Ndoshta ajo do të kishte thirrur miqtë e saj të vjetër dhe do t’i kishte lutur ta falnin për ndonjë keqkuptim të ndodhur dhe do të ishte pajtuar me to. Besoj se ajo do të kishte shkuar në restorant kinez për të ngrënë, sepse ishte ushqimi i saj i preferuar.

Pikërisht këto gjërat e vogla të pabëra më pengojnë nëse do ta dija se i kam orët e numëruara. Më pengon që nuk takoj më miqtë e mi të dashur, të cilët kam dashur ti kontaktoj “nje ditë”.


Më pengon që nuk shkruaj letrat, që kam dashur ti shkruaj në “një nga këto ditë”. Më pengon dhe më bën të ndihem keq që prindërve të mi, vëllezërve dhe fëmijëve nuk u kam thënë më shpesh se sa shumë i dua.


Tani mundohem të mos vonohem, nuk le menjanë apo ruaj gjerat që mund ta pasurojnë jetën tonë me buzëqeshje dhe gëzim.

Çdo ditë i them vehtes, se sot është një ditë speciale…Çdo ditë, çdo orë, çdo minutë…është special.



Nëse ti e ke marrë këtë mesazh atëherë do të thotë se dikush të do dhe se ekzistojnë njerëz që ti do.

Nëse je tepër i zënë për ti’a dërguar këtë të tjerëve dhe thua me vehte se do ta dërgosh në “një nga këto ditë”... Kujdes! “Një nga këto ditë” ështe aq larg... nganjëherë nuk vjen kurrë më...

Sugjeruar nga Sidlir Shkëmbi

Wednesday, January 13, 2010

Shqipëria do të shpëtohet nga gratë !

Një udhëtim në të realitetin e jetës së përditshme të femrës shqiptare mes dhunës dhe shpresës
E kaluara dhe e ardhmja e një vendi i cili tani po përballet me vetveten e tij



Nëpër qytete dominon kreativiteti, rritet kultura sëbashkku me GDP (më shumë se 13 % në dy vjet). Në male mbretëron Kanuni, kodi i hakmarrjes, dhuna mbi gratë dhe fëmijët është kudo. Por vendi, skllav i traditave të prapambetura ka një shpresë. E gjitha femërore. Koka e fëmijës Kevin lëkundet si ajo e një kali në lisharëse. Ka 12 vjet, por duket një fëmijë i ardhur nga e bota e përtejme. Ndoshta është. As edhe një fjalë, vetëm një buzëqeshje e trishtuar dhe dy sy që i luten jetës. Nëna e tij Murvete, 15 vjeç, ka vrarë një burrë të fshatit të Pukës në malet e përrallore të Shqipërisë. Që nga atëherë Kevin me të gjithë familjen është i burgosur i shtëpisë së tij. Nuk e ka parë kurrë qiellin. Nuk e ka shkelur kurrë livadhin. Nuk ka shkuar kurrë në shkollë. I quajnë “fëmijët e zbehtë”. Numërohen të paktën 800 fëmijë të vegjël të mbyllur të gjallë dhe të dënuar për të paguar fajet e baballarëve.

Kanuni
Vrasësi i tyre quhet “Kanuni”: “Kush vret do të vritet për hakmarrje nga familja e “fyer”, citon kodi i 300 vjetëve më parë, të cilën komunizmi ia kishte mbyllur gojën. Por sot duket se është kthyer për të komanduar. “Ai burrë donte me të çdo kusht motrën e burrit tim. Por bënte trafikantin e vajzave dhe do ta shiste”: Gerzim, nëna e Kevin, flet për të gjithë familjen. “Atëherë ikëm në polici, iu lutëm atij burri që ta linte. Derisa një natë u përpoq ta rrëmbente. Kështu bashkëshorti im u bë një vrasës. Ka vuajtuar të gjithë dënimin, por që nga dita që është i lirë, asnjë mashkull nuk mund të dalë nga shtëpia, përndryshe sipas ligjit të hakmarrjes do të vritet”.

Sot Gerzim është e vetmja që del, për të kërkuar ndihmë, të punojë. Familja jeton me lëmoshën e të afërmëve. Asgjë tjetër. Ajo nuk do të vritet kurrë, jeta e saj si grua vlen shumë pak. Po Kevin? “Kevin nuk ia doli dot”. Qëndron gjithmonë i vetëm, si një qen i lidhur me zinxhir, e ka kthyer në të vonuar mendërisht”. Por Kevin nuk është mendërisht i vonuar: është vetëm i sëmurë nga vetmia. Do ti mjaftonte të ishte vetëm një fëmijë që nuk ka qënë kurrë. Ose do të mjaftonin mjekime të kujdesshme.

Frymëzuesja e ndryshimit
Lë shtëpinë. E tërë familja qëndronte në dritare. Një dritare e bërë për të qëlluar më shumë sesa për të shikuar. Është Shqipëria e kontrasteve. Nga njëra anë një vend që kërkon të hyjë në Evropë, sepse ekonomia e saj kalëron (GDP është rritur me 13 përqind në krahasim me dy vjet më parë), sepse dëshiron të jetë kaq “moderne” që kryeministri Sali Berisha ka premtuar një ligj mbi martesën e homoseksualëve. Sepse Tirana është kaq e bukur sa të meritojë emrin e një “Parisi të vogël të Ballkanit”. Por nga ana tjetër është një vend që nuk po arrin të lirohet nga dhuna, nga varfëria, dhe barbaritë. Më të dobtit dhe të varfrit (të moshuarit, gratë dhe fëmijët) shtohen gjithnjë e më shumë. Nuk ka ditë që gazetat e Tiranës që të mos tregojnë për mizoritë ndaj grave. Askush më shumë se femra shqiptare mban në dorë shpirtin e këtij vendi. Gruaja, mbi të gjitha, është frymëzuesja e ndryshimit. Në dhomat e shoqatës së Gruas, e mbuluar nga fotot e femrave të lumtura dhe jo të lumtura, Arbana Savim dhe Fabiola Ergo, kritike të famshme letrare, e kanë kthyer ekzistencën e tyre në një luftë kundër dhunës ndaj grave. Është një epidemi autentike personash të rrahur, të torturuara dhe të vrara. “Të paktën gjashtë raste në ditë. Një bashkëshorte e dhunuar në Shqipëri është e shtrënguar midis dy kthetrash: familja që e braktis dhe bashkëshorti që e terrorizon. Në qoftë se policia nuk heton me të vërtetë, dhe nëse gjykatësit korruptohen, siç ndodh shpesh, ne bëhemi rrëfyes, avokat, edhe detektiv” thotë Fabiola Ergo, ndërkohë që tregon manifestin me rastet më mizore. Më drithëruesja është ajo e Enrietës, një grua e biznesit e cila u gjet copa copa në kazanin e plehrave të shtëpisë së saj. I dyshuari i parë burri i saj. Gjynah se burri ishte kreu i policisë kriminale të Tiranës dhe për këtë u pezullua nga detyra, duke mbetur natyrisht njeri i lirë.

Dhuna ndaj grave
Dhuna ndaj grave në Shqipëri është një aktore trasversale. Frekuenton shtëpi të varfra ashtu si edhe pallate të larta. Rodina, një vajzë e varfër nga veriu, ishte e burgosur e burrit të saj, i çmendur dhe i dhunshëm: “Kishte arritur deri aty sa të betonizonte dritaret e mia: nëse dilja në dritare, isha një kurvë. Një ditë gati sa nuk më vrau përpara tyre. Kur u zgjova mes gjakut, vajza ime e vogël më tha: mami, e lëmë këtë ferr dhe unë erdha këtu”. Rodina nuk ka pranuar të ndryshojë emrin e saj, as nuk ka pranuar të mbulojë fytyrën,“për ti thënë grave të Shqipërisë se do të fitojmë vetëm nëse luftojmë frikën. Flisni, ju lutem”. Mbërrin kapitenia e anijes së gruas. Është Arbana Savim, shkrimtarja me flokë të kuqe si manteli i një kardinali: “Tashmë jemi një netëork grash të pathyeshme: shoqata, klube dhe vullnetarizëm. Pas 50 vjet tmerri nën komunizëm, kemi zgjedhur të jemi të lirë. Liria në këtë vend ka një çmim të lartë: dhuna, anafalbetizmi, uria. Por do t’ia dalim. Shqipëria sot nuk është akoma ajo që ëndërrojmë për të nesërmen, por na lejoni të fitojmë ëndrrat tona dhe gëlltisni paragjykimet tuaja mbi emigracionin e shqiptarëve të gjithë vrasës”. Savim është si një lum i fryrë: “Përse nuk flisni kurrë për emigracionin tonë të egër? Po, por atë të malësorëve të varfër të veriut. Vetëm disa vjet më parë Tirana kishte një të pestën e banorëve të sotëm. Tani jemi të pushtuar nga vetvetja. I quajmë “çeçenët”. Si të egër, si barbar. Vijnë nga vende të humbura, midis maleve dhe marrin mbrapa tradita dhe ligje mesjetare”. Është e vërtetë që një grua nga veriu e persekutuar nga bashkëshorti ka jetuar një muaj në pyll me fëmijët duke ngrënë dhe, rrënjë dhe krimba? “Më se e vërtetë. Dhe e di se kush ishte konceptimi më i madh i gjykatësit? Divorci”. Tirana e dyqaneve të Bllokut, lagjeve të modës, është një re vitrinash: çizme, xhinse dhe bare të mbushur plot me të rinj që pijnë duhan. Por në park disa fëmijë janë hedhur lakuriq mbi bar. Si lecka i shiten të huajve. Së bashku me to prostituon një djalë rom. Nuk kam parë kurrë një travestit kaq dramatik. Qan. Nuk ka shtëpi dhe tjetër gjë: “Jemi jashtëqitja e kësaj toke: të rrahur, të përbuzur, të vrarë. Njërit si puna ime ia hoqën kokën. Ishte vetëm 16 vjeç. Na ndihmo: do bëja çfarëdo pune. Kam uri”.

Varfëria
Dhuna dhe uria takohen edhe në lagjet e humbura të Tiranës. Në Kinostudio, në një pallat takoj Sianën. Kjo nënë familjeje po verbërohet. Është në panik: “Nëse humbas sytë, kush do të kujdeset për shtëpinë? Po për fëmijët? Nuk është e vetmja që është e dëshpëruar. Në kampin rom tregojnë se një fëmijë i vogël u gëlltit nga mijtë si një copë djathi. Brenda barrakes katër fëmijë rom na presin të gëzuar. Fëmijët shikojnë nga jeta. Jo kështu babai, përdorues dhe vartës nga droga: tregon se në zjarrin në barrakën e tij, vajza e pestë vdiq e djegur dhe e karbonizuar. Por është një gënjeshtër. Fëmijët rom, të cilët nuk janë rregjistruar asnjëherë në gjendjen civile, janë hije të gatshme për tu shitur pa lënë gjurmë. Për këtë vullnetarët e Save the Children dhe atë të shoqërive partner me qëndër në Tiranë punojnë që fëmijët e të varfërve të rregjistrohen në gjendjen civile si gjithë fëmijët e tjerë. Por edhe që të shkojnë në shkollë, të kurohen dhe të ushqehen. “Është mënyra e vetme për të hapur portën e jetës këtyre fëmijë të pafat” thotë Klara Dajsi, një vullnetare. “Shkolla i bën të lirë këta fëmijë: nga dhimbja dhe varfëria”. Ka gra që për të jetuar të lira në Shqipëri u është dashur të heqin dorë nga vetvetja. Të shesësh fatin tënd. Të bëhesh burrë, të bëhesh “burrnesh”, e virgjër e betuar. E kërkon një traditë e maleve midis Kosovës dhe Shqipërisë që i kërkon disa grave dëlirësi të pafundme për të fituar nderin e të qenurit mashkull. Të vishesh, të duhesh, të luftosh, por edhe të pish duhan dhe alkol, luks i ndaluar grave. Si Qamile Stema, gati 90 vjeç. Për të arritur tek ajo, në fshatin me gjashtë shtëpija në Barkalesh, duhet të kalosh qytetin malor të Krujës. Mbi majat e maleve të bojqiellta fluturojnë shqiponjat: është sikur të asistosh në ditën e parë të krijimit. Mbërrihet në fshat natën dhe Qamilja është e sëmurë. Por një burrë i vërtetë nuk e njeh gripin. Kështu që ajo grua me kapelen e bardhë dhe krenarinë në xhep ofron atë pak që ka. Në fytyrën e saj, rrudhat vizatojnë një jetë ku bashkimi i sekseve është perfekt. Ndoshta as ajo nuk e di më se çfarë është. “Mamaja ime ka pasur nëntë fëmijë. Unë isha e fundit që doja të mbisja në shtëpi me të” tregon duke pirë raki. “Por një grua e pamartuar ishte një turp. Kështu një mëngjes u betova për virgjërinë dhe u trasformova në një burrë. Si një luftëtar i vërtetë mësova të përdor armët, i frikësova të tjerët. Nuk kam vrarë askënd”. Gruaja e burgosur e traditave, e bija e kësaj toke dhe gra të lira të marrin suksesin. Shqipëria është një vend prej një mijë faqesh. Në studion televizive të Top Chanel, Rudina Xhunga, ylli i ri i gazetarisë televizive shqiptare, pret në këtë puntatë të Shqip Arlinda Hovi Dudaj, botuese e famshme dhe e bukur, dhe Dalina Buzi, pronare dhe drejtoreshë Anabel, e përmuajshmja më e shitur. E pabesueshme! Nëse nuk do të ishin në Tiranë, do të dukej sikur të ishim brenda në ndonjë studio të Romës apo Milanos. Tema: talentet e rinj të shtypit italian, Paolo Giordano dhe Fabio Volo. Së bashku me famën e të shkruarit të ri, flitet për Roberto Savianon dhe Daria Bignardin, për Mondadorin dhe Bompianin. Trasmisioni është interesant dhe tërheqës. Gazetari e shkëlqyer që zbulon për Italinë një njohje të dashur. “Italia është paqyra jonë, dëshira dhe modeli” thotë Rudina. “Është një afrimitet që ndjejmë thellësisht pa shumë korrispondencë nga ana juaj”. Gazetarja e di se çfarë po thotë: “Kriza e Shqipërisë nuk është vetëm varfëria, është krizë identiteti, është dhimbje e ekzistencës, është pafuqia ndaj tmerreve të neveritshme”. Gratë do të shpëtojnë Shqipërinë? “Gratë janë Shqipëria” përgjigjet. “Por gratë e politikës tonë bëjnë akoma rolin e meshkujve në politikë. Kur të flasin ashtu sikur të bënin me fëmijët apo me të dashurit e tyre, Shqipëria do të ketë fituar bastin e saj. Doni të dini për gratë? Shkoni tek kryebashkiaku i Tiranës. Ai që është një burrë i vërtetë ka dashur në bashki vetëm femra”. Përmes sheshit Skënderbej, triblon Teatrin e Operas dhe ja bashkia. Piktori Edi Rama, sot kryetar bashkie, dy metra burrë, e ka dashur Tiranën e tij të ngjyrosur si një qytet amerikano jugor. Për këtë lyer pallatet me të kuqe dhe portokalli. Zyra e tij është ajo e një burri që nuk ka frikë të mbesë fëmijë: penela me ngjyra ngado, ikona me vlerë, por edhe fotografi këlyshësh. Tirana e pikturuar mbi muret dhe kolonat. “Nuk e di sa gra punojnë me mua, e kam humbur llogarinë.

Gratë janë qënie e të bërit dhe jo e të thënit. Kur njëra prej grave tona do të bëhet kryeministre, atëherë do t’ia kemi dalë.


Stella Pende, “Panorama”

Tuesday, December 1, 2009

Rrëfimi: Prindërit më mohuan kur mësuan se isha me SIDA

Përgjigjet shkurt, qartë dhe prerazi. Në çdo fjalë që thotë duket pendimi për veprimet e papërgjegjshme që ka bërë kur ishte më e re. Ky pendim do ta shoqërojë deri në ditët e fundit të jetës dhe mbi kurrizin e saj do të rëndojë edhe turpi që i solli familjes.

Bëhet fjalë për një nga pacientet e shërbimit të Infektivit në QSUT, e cila është e infektuar me virusin HIV. Në intervistë për "Shekulli"-n 30-vjeçarja tregon historinë tragjike që nga momenti kur mësoi se ishte e infektuar deri në ditën e sotme. Pengu i saj më i madh është pakujdesia dhe trauma që i shkaktoi familjes për shkak të turpit që kishte bërë.



Doja t'ju bëja disa pyetje rreth statusit tuaj HIV pozitiv?
Dakord, pa problem, vetëm mos më publiko me emër dhe mbiemër. Kjo do të më kushtonte shumë.

Sa kohë keni që njiheni me statusin tuaj HIV pozitiv?
Kam rreth 6 vjet që mendoj se jam infektuar dhe them se sëmundjen e mora jashtë vendit.

Si jeni infektuar ?
Nuk e di, por mendoj se kam gabuar ndonjëherë...

Si e zbuluat që jeni e infektuar ?
U shtrova në spital se kisha probleme shëndetësore, më vonë e mora vesh që kisha këtë infeksion, nuk dija gjë më përpara.

Si e përjetove dhe si reagove kur të thanë që ke këtë infeksion?
Në fillim nuk e besoja dhe e mohoja. Nuk ka mundësi i thosha vetes, por më vonë u binda, fillova të dridhesha, qaja, kisha shumë frikë, ankth, me dukej çdo gjë e shkatërruar, sikur me kishte goditur bomba. E humba përqendrimin, më zuri paniku kur mendova që do ta merrnin vesh familja. Fillova të bëhesha agresive, nuk doja të takoja askënd. Mendoja që do të vdisja, do të vuaja, por nuk ndodhi kështu.

Pak më parë thatë që familja do të reagonte ashpër ndaj infektimit tuaj. Përse mendonit ashtu?
E dija se do të reagonin ashpër, sidomos babi. Ky do të ishte turpi i madh i familjes dhe për këtë do të vuanin të gjithë. Në fakt, ashtu ndodhi. Babai filloi të bëhej agresiv, të më fyente, shante për turpin e madh që i kisha sjellë familjes. Por, me kalimin e kohës filloi të më mbështeste edhe familja, me kusht që kjo do të mbahej e fshehtë dhe kjo të varrosej bashkë me vdekjen time. Sigurisht që unë nuk jam më për ata vajza e tyre e mirë dhe e dashur, por të paktën do t'i kem afër deri në ditët e fundit

Përse kjo frikë për ta mësuar të tjerët, ndiheni e diskriminuar?
Po, ndihem e diskriminuar. Mendo, vet familja ime e kishte pothuajse të pamundur të pranonte këtë. Nëse do ta merrte vesh shoqëria ime, jam e sigurt që do të më paragjykonin.

Përpara se ta dinit që ishit me këtë infeksion, i paragjykonit ju njerëzit me HIV pozitiv?
Po, i kam paragjykuar, por tani e shoh që nuk duhen paragjykuar, sepse ata janë si gjithë të tjerët, nuk përbëjnë rrezik.

Flitet shpesh që njerëzit e infektuar me virusin HIV/AIDS mundohen të infektojnë edhe të tjerët. Ju a keni menduar ndonjëherë të infektoni njerëz të tjerë?
Është e vërtetë që shumë nga të infektuarit kanë mani të bëjnë edhe njerëz të tjerë me këtë sëmundje. Por, kjo nuk është mani e të gjithë të infektuarve, ndaj nuk duhet përgjithësuar. Unë nuk do ta bëja kurrë, do të ndihesha shumë fajtore, më mirë të vras veten se sa të marr në qafë dikë tjetër.

Ju jeni e martuar?
Jo, jam beqare.

Nëse do t'ju kërkonte (propozonte) dikush për martesë, çfarë do të bënit?
Do të refuzoja, ashtu siç kam bërë deri tani, duke gjetur arsye të ndryshme.

A jeni të informuar sesi të mbroheni dhe të mos transmetoni infeksionin?
Po, jam informuar dhe këshilluar nga mjeku dhe psikologu i spitalit. Marr rregullisht ilaçet dhe ndjek të gjitha këshillat që më jepen.

Cila është dëshira juaj më e madhe dhe çfarë mesazhi mund të përcillni?

Dëshira ime më e madhe është që të jetoj sa më gjatë. Tani që jam çdo ditë e më shumë afër vdekjes e kuptoj se sa e shtrenjtë qenka jeta. Duhet të isha treguar më e kujdesshme. Ndërsa mesazhi që përcjell për të gjithë njerëzit është se jeta është e shtrenjtë ndaj dhe ruajeni atë.


Shekulli

1 Dhjetori, Dita kundër SIDA-s

Në mbarë botën aktualisht janë rreth 33 milion njerëz të infektuar me virusin e HIV-it. Në ditën ndërkombëtare të SIDA-s, kujtohet impakti që ka shkaktuar kjo sëmundje në jetët e të gjithë banorëve të tokës dhe në politikën publike, që nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e deri në Afrikë.


Më shumë se 500 mije persona kanë gjetur vdekjen nga sëmundjet e lidhura me SIDA-n në SHBA në 27 vitet e fundit. Në fund të vitit 2005, pothuajse një milion amerikanë u diagnostikuan me virusin HIV-AIDS, që nga koha kur u zbulua për herë të parë, në vitin 1981.



Ndërkohë që pikërisht në ditën Botërore të AIDS-it, një raport i Organizatës së Kombeve të Bashkuara bën të ditur se testimi i hershëm dhe kurat e vlefshme mund të rrisin numrin e foshnjave të ekspozuara që i mbijetojnë sëmundjes. Raporti në fjalë thekson se nevojiten më shumë fonde për të siguruar kushtet për për testim për nënat që janë të infektuara me HIV, gjithashtu edhe kushtet për marrjen e medikamenteve, dhe ato testimin e nevojshëm të foshnjave për praninë e virusit në organizmin e tyre.

Por ndërsa kriza globale financiare vazhdon, qeveritë në mbarë botën janë duke ribërë llogaritë në buxhetet e tyre. Kreu i programit për HIV/AIDS në agjencinë e ndihmës, ActionAid, Leonard Okello deklaron se programet e parandalimit mund të rrezikoheshin për shkak të situatës.

Sipas tij, nëse fondet mbarojnë, shumë programe parandaluese do të çalojnë dhe kjo do të ishte një sfidë e madhe në kundërpërgjigjen ndaj AIDS-it.


Alsat

Tuesday, October 6, 2009

Veshja ime biologjike, nuk jam unë...

STOP RACIZMIT !




Kur linda , linda i zi
Kur u rrita , u rrita i zi
Kur dal në diell , prapë jam i zi
Kur friksohem , jam i zi
Kur sëmurem , jam i zi
Dhe kur të vdes , do të mbetem i zi

Po ti miku im i bardhë ?!
Kur linde , linde rozë
Kur u rrite , u bëre i bardhë
Kur del ne diell , bëhesh i kuq
Kur ke të ftohtë, bëhesh blu
Kur friksohesh, bëhesh i verdhë
Kur sëmuresh, bëhesh i gjelbër
Kur je i mavijosur, bëhesh lejla
Dhe kur të vdesësh, do bëhesh gri...



Dhe ti më quan mua, njeri me ngjyrë ?!