Tuesday, December 1, 2009

Rrëfimi: Prindërit më mohuan kur mësuan se isha me SIDA

Përgjigjet shkurt, qartë dhe prerazi. Në çdo fjalë që thotë duket pendimi për veprimet e papërgjegjshme që ka bërë kur ishte më e re. Ky pendim do ta shoqërojë deri në ditët e fundit të jetës dhe mbi kurrizin e saj do të rëndojë edhe turpi që i solli familjes.

Bëhet fjalë për një nga pacientet e shërbimit të Infektivit në QSUT, e cila është e infektuar me virusin HIV. Në intervistë për "Shekulli"-n 30-vjeçarja tregon historinë tragjike që nga momenti kur mësoi se ishte e infektuar deri në ditën e sotme. Pengu i saj më i madh është pakujdesia dhe trauma që i shkaktoi familjes për shkak të turpit që kishte bërë.



Doja t'ju bëja disa pyetje rreth statusit tuaj HIV pozitiv?
Dakord, pa problem, vetëm mos më publiko me emër dhe mbiemër. Kjo do të më kushtonte shumë.

Sa kohë keni që njiheni me statusin tuaj HIV pozitiv?
Kam rreth 6 vjet që mendoj se jam infektuar dhe them se sëmundjen e mora jashtë vendit.

Si jeni infektuar ?
Nuk e di, por mendoj se kam gabuar ndonjëherë...

Si e zbuluat që jeni e infektuar ?
U shtrova në spital se kisha probleme shëndetësore, më vonë e mora vesh që kisha këtë infeksion, nuk dija gjë më përpara.

Si e përjetove dhe si reagove kur të thanë që ke këtë infeksion?
Në fillim nuk e besoja dhe e mohoja. Nuk ka mundësi i thosha vetes, por më vonë u binda, fillova të dridhesha, qaja, kisha shumë frikë, ankth, me dukej çdo gjë e shkatërruar, sikur me kishte goditur bomba. E humba përqendrimin, më zuri paniku kur mendova që do ta merrnin vesh familja. Fillova të bëhesha agresive, nuk doja të takoja askënd. Mendoja që do të vdisja, do të vuaja, por nuk ndodhi kështu.

Pak më parë thatë që familja do të reagonte ashpër ndaj infektimit tuaj. Përse mendonit ashtu?
E dija se do të reagonin ashpër, sidomos babi. Ky do të ishte turpi i madh i familjes dhe për këtë do të vuanin të gjithë. Në fakt, ashtu ndodhi. Babai filloi të bëhej agresiv, të më fyente, shante për turpin e madh që i kisha sjellë familjes. Por, me kalimin e kohës filloi të më mbështeste edhe familja, me kusht që kjo do të mbahej e fshehtë dhe kjo të varrosej bashkë me vdekjen time. Sigurisht që unë nuk jam më për ata vajza e tyre e mirë dhe e dashur, por të paktën do t'i kem afër deri në ditët e fundit

Përse kjo frikë për ta mësuar të tjerët, ndiheni e diskriminuar?
Po, ndihem e diskriminuar. Mendo, vet familja ime e kishte pothuajse të pamundur të pranonte këtë. Nëse do ta merrte vesh shoqëria ime, jam e sigurt që do të më paragjykonin.

Përpara se ta dinit që ishit me këtë infeksion, i paragjykonit ju njerëzit me HIV pozitiv?
Po, i kam paragjykuar, por tani e shoh që nuk duhen paragjykuar, sepse ata janë si gjithë të tjerët, nuk përbëjnë rrezik.

Flitet shpesh që njerëzit e infektuar me virusin HIV/AIDS mundohen të infektojnë edhe të tjerët. Ju a keni menduar ndonjëherë të infektoni njerëz të tjerë?
Është e vërtetë që shumë nga të infektuarit kanë mani të bëjnë edhe njerëz të tjerë me këtë sëmundje. Por, kjo nuk është mani e të gjithë të infektuarve, ndaj nuk duhet përgjithësuar. Unë nuk do ta bëja kurrë, do të ndihesha shumë fajtore, më mirë të vras veten se sa të marr në qafë dikë tjetër.

Ju jeni e martuar?
Jo, jam beqare.

Nëse do t'ju kërkonte (propozonte) dikush për martesë, çfarë do të bënit?
Do të refuzoja, ashtu siç kam bërë deri tani, duke gjetur arsye të ndryshme.

A jeni të informuar sesi të mbroheni dhe të mos transmetoni infeksionin?
Po, jam informuar dhe këshilluar nga mjeku dhe psikologu i spitalit. Marr rregullisht ilaçet dhe ndjek të gjitha këshillat që më jepen.

Cila është dëshira juaj më e madhe dhe çfarë mesazhi mund të përcillni?

Dëshira ime më e madhe është që të jetoj sa më gjatë. Tani që jam çdo ditë e më shumë afër vdekjes e kuptoj se sa e shtrenjtë qenka jeta. Duhet të isha treguar më e kujdesshme. Ndërsa mesazhi që përcjell për të gjithë njerëzit është se jeta është e shtrenjtë ndaj dhe ruajeni atë.


Shekulli

No comments: