Sunday, December 20, 2009

Zyrtarët që nuk paguajnë taksat

Në listën e borxhlinjve edhe emrat e ministrave Olldashi, Basha, Tafaj, Nishani, Vasili


Zv.ministri i Punëve të Brendshme dhe anëtari i këshillit Bashkiak, Ferinand Pone, prej tre vitesh nuk paguan detyrimet.


Mospagimi i detyrimeve ndaj komunitetit duket së është kthyer në modë nga funksionarët që drejtojnë shtetin. Me sa duket, reformat dhe përpjekjet për t'u anëtarësuar në familjen e madhe Evropiane, u hanë shumë kohë dhe energji sa nuk mund të gjejnë një hapësirë kohore (se lekët nuk u mungojnë) për të paguar detyrimet ndaj familjes së vogël, qytetit ku jetojnë.



Bashkia e Tiranës, tashmë prej disa vitesh, në fund të vitit publikon listën e zezë të debitorëve të pushtetit lokal në kryeqytet. Në krahasim me vitin e kaluar, lista e 2009-ës është më e reduktuar, megjithatë e mbushur me emra të rëndësishëm.


Në krye të listës së emrave publikë, borxhlinj ndaj pushtetit lokal, është emri i zv.ministrit të Punëve të Brendshme dhe Pushtetit Lokal. Pone, njëkohësisht kryetar i grupit të djathtë në këshillin bashkiak të Tiranës, është i pari që çirret dhe bën moral në sallën ku vendoset për kryeqytetin, për nivelin e ulët të vjeljes së tarifave dhe taksave vendore nga pushteti lokal.


Është e habitshme se si Pone, i cili në sallën e Këshillit Bashkiak do të zgjidhë çdo detaj, në të vërtetë ka harruar tre vite me radhë që të paguajë taksën vendore. Zoti Pone, nuk paguan taksat vendore që nga viti 2007, ndërkohë që edhe dy javë duhen që të kalojmë zyrtarisht në vitin kalendarik 2010. Por, Pone nuk është i vetmi që ka lënë pas dore detyrimet e tij si qytetar i Tiranës.

Në listë është edhe emri i Ministrit të Transporteve dhe Punëve Publike, Sokol Olldashi, ish-kandidati për karrigen e kreut të Bashkisë në vitin 2007. Vetë Olldashi që pretendonte të drejtonte punët e gjithë kryeqytetit rezulton se nuk ka paguar taksën e ndërtesës, pastrimit dhe gjelbërimit që nga viti 2008-të.




Ai nuk është i vetmi ministër, që nuk ka pasur kohë të paguajë taksat, me tej në listën e zezë të bashkisë, figurojnë edhe emrat e ministrit të Brendshëm Lulzim Basha, ministrit të Drejtësisë, Bujar Nishani, ministrit të Arsimit, Myqerem Tafaj, si dhe ministrit të Shëndetësisëm Petrit Vasili. Që të katër këta ministra duket se nuk i binden ligjit për herë të parë, pasi në vitet e mëparshme kanë shlyer çdo detyrim.


Mungesa e korrektësisë në pagimin në kohë të taksave vendore, ose mospagimi në tërësi i tyre, vihet re edhe te niveli i dytë i pushtetit ekzekutiv, e thënë ndryshe tek ofiqet e zv.ministrave. Krahas zv.ministrit të Punëve të Brendshme dhe të Pushtetit Lokal, Ferdinand Pone, debitorë ndaj pushtetit lokal, janë edhe kolegë të tij që mbajnë numrin 2 në dikastere.


Ashtu si Pone. edhe Edit Harxhi, zv.ministre e Jashtme, Iva Zajmi, zv.ministre e Brendshme dhe Eno Bozdo, zv.ministrër i Ekonomisë dhe Energjetikës, që prej 2007 nuk paguajnë detyrimet e tyre si qytetarë të Tiranës.


Taksat vendore, që duhet të shlyejnë qytetarët, dhe këtu nuk bëjnë përjashtim as ata që kanë funksione shtetërore, janë tre; taksa e ndërtesës, e pastrimit dhe e gjelbërimit. Afati i parë i shlyerjes së detyrimeve është muaji shtator.


Pas muajit shtator, aplikohet sanksioni ligjor. Nëse një qytetar nuk ka paguar taksat vendore në përfundim të muajit të nëntë të vitit kalendarik, nuk mund të përfitojë shërbime në administratën lokale, nuk mund të marrë qoftë edhe një certifikatë, e jo më të kryejë veprime të tjera ligjore.

Lista e funksionarëve shtetërorë që janë debitor në Bashki


Lulëzim Basha, ministër i Brendshëm
Bujar Nishani, ministër i Drejtësisë
Sokol Olldashi, ministër i Punëve Publike
Myqerem Tafaj, ministër i Arsimit dhe Shkencës
Petrit Vasili, ministër i Shëndetësisë
Ferdinand Pone, zv.ministër i Punëve të Brendshme
Edit Harxhi, zv.ministre e Jashtme
Iva Zajmi, zv.ministre e Brendshme
Zana Xhuka, zv.ministre e Mbrojtjes
Jorida Tabaku, zv.ministre e Integrimit
Nezir Haldeda, zv.ministër i Financave
Alfred Rushaj, zv.ministër i Financave
Neritan Alibali, zv.ministër i Ekonomisë dhe Energjetikës
Eno Bozdo, zv.ministër i Ekonomisë Energjetikës
Edmond Haxhinasto, zv.ministër i Punëve Publike



Shekulli

Ky është shembulli ku projektohen masa, por me ndryshimin e vetëm që masat ndëshkohen...(S.I)

No comments: