Wednesday, December 9, 2009

Lazaratasja 12-vjeçare, nxënëse e shkëlqyer në SHBA

Është cilësuar nga presidenti Barak Obama si një ndër krenaritë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.


Nuk bëhet fjalë për ndonjë figurë të njohur botërore, por për një nxënëse shqiptare 12- vjeçare, nga fshati Lazarat i rrethit të Gjirokastrës, e cila është tashmë pjesë e elitës së shkëlqyer të nxënësve amerikanë.

Nxënësja e klasës së gjashtë, Fitiola Dalani, nga Lazarati, e emigruar disa vite më parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është vlerësuar si një prej personave që nderojnë shtetin më të fuqishëm të botës. "E kujtdo kombi që të jeni, ju nderoni Amerikën".

Fitiola Dalani


Me këtë thënie presidenti amerikan Barack Obama i është drejtuar 12- vjeçares shqiptare në përshëndetjen e veçantë për vlerësimin e nxënësve të shkëlqyer të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

E emigruar disa vite më parë nga vendlindja e saj Lazarati, së bashku me familjen e saj, falë vullnetit, punës e zgjuarsisë, Fitiola Dalani arriti të ishte një ndër nxënësit më të shkëlqyer të sistemit arsimor amerikan, duke marrë edhe letër të posaçme falenderimi nga presidenti Obama.

Jehona e kësaj arritjeje është pasqyruar edhe në vendlindjen e saj, ku të gjithë shprehen krenarë. "Së bashku me Fitiolën është nderuar edhe Lazarati ynë nga bija e tij, e cila, ashtu si di t'i ngrejë emrin vetes dhe familjes së saj, di t'i lartojë emrin edhe vendlindjes së saj. Por, duhet theksuar diçka shumë e rëndësishme. Ashtu siç ishin aftësitë e vajzës lazaratëse për të dalë në krye të nxënësve të shkëlqyer të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është edhe merita e këtij shteti që di t'u krijojë kushte dhe t'u shpërfaqë nxënësve të ardhur nga e gjithë bota gjithçka të mirë që ka në arsenalin e saj arsimor: lirinë, barazinë, kushtet, nderimin njerëzor.

Lazarati ka një traditë të shkëlqyer arsimore dhe është krenar për Fitiolën dhe dhjetëra bij të tjerë të tij, si Olti Meçi, Xheni Brahimi, Enida Aliko etj, që e kanë vënë veten në krenarinë e shkollave të Miçiganit dhe shteteve të tjera amerikane e europiane", shprehet Hito Brahimaj, një prej mësuesve të vjetër të Lazaratit.

Janë të shumta rastet kur nxënës e studentë shqiptarë kanë shkëlqyer në botë, por secili prej tyre përbën një krenari më vete.

Shekulli

No comments: