Muzeu Arkeologjik i Durrësit, një ndër më të mëdhenjtë në vend si për nga hapësirat e godinës, ashtu dhe nga pasuritë, duket i harruar.
I konceptuar jo vetëm si një muzeum në të cilin mund të vizitohen eksponatet, por edhe si një institut arkeologjik, ai tashmë i ngjan një pallati të braktisur nga banorët e tij. Aktivitetet në mjediset e tij janë një gjë e harruar, ndërsa për ekspedita arkeologjike as që bëhet fjalë. Qëkurse muzeu u nda në dy pjesë dhe që të dyja kaluan në vartësi të Tiranës, ai e humbi shkëlqimin të cilin e fitoi brenda pak vitesh, por pas një pune të madhe nga stafi që e ngriti atë në këmbë. Ka kohë që arkeologët janë larguar prej mjediseve të muzeut. Një pjesë e tyre janë transferuar në sektorë të tjerë, disa punonjës kanë mbetur pa punë e disa të tjerë kanë ndryshuar profesion. Ka më shumë se 1 vit që historinë e Durrësit nuk e zbulojnë, dhe as nuk e shpjegojnë më specialistët e këtij qyteti, të cilët për hir të së vërtetës duhet thënë se nuk mungojnë. Kaq e vërtetë është kjo, saqë edhe shpjeguesi i muzeut, apo ndryshe ciceroni, vjen për çdo ditë nga Tirana.
MUZEU
Muzeumi Arkeologjik i Durrësit, me një vendim të kohës së Ylli Pangos u nda në dy pjesë, në pjesën muzeale dhe në pjesën e fondamentit. E para varet nga Ministria e Kulturës, dhe e dyta nga Instituti Albanologjik në Tiranë. Qëkurse u mor ky vendim, muzeu e ka humbur shkëlqimin dhe funksionin e tij. Njerëzit janë larguar nga detyra dhe në mjediset e tij gjen vetën një shpjegues që vjen nga Tirana për t'i treguar vizitorëve historinë e Durrësit të lashtë. Dikur në këtë muze funksiononte një bërthamë shkencore e përbërë nga arkeologë të njohur, i cili quhej Institut Arkeologjik, e që kishte lidhje me sivëllezërit e tij në disa vende me arkeologji të zhvilluar. Instituti organizonte simpoziume, debate shkencore, ekspedita kërkimore, të cilat ka kohë që janë lënë krejtësisht në harresë. Një arkeolog i vjetër në Durrës thotë se: "Historinë e Durrësit nuk e tregojnë më specialistët e këtij qyteti, sikurse ndodhte më parë. Edhe ciceroni është nga Tirana". Ka kohë që në Durrës mungojnë zbulimet arkeologjike, pasi nuk ka se kush të gërmojë nëntokën e tij të pasur me antika.
SHPRESAT
Intelektualët e Durrësit dhe arkeologët e tij mbeten me shpresë se situata mund të riparohet. Sipas tyre, dy janë rrugët që do t'i kthenin muzeut vlerat e tij dhe do ta transformonin në një qendër të vërtetë shkencore. Së pari, nëse ai do të mbetet në vartësi të Ministrisë së Kulturës, duhet që dy pjesët e tij të unifikohen dhe në muze të emërohet një bërthamë e aftë specialistësh që do të menaxhonin pasuritë dhe eksponatet e tij. Së dyti, muzeu mund t'i kalojë në vartësi bashkisë së qytetit, siç ngjet në të gjitha vendet me antikitet të zhvilluar, sikurse janë Italia, Greqia, Kroacia e të tjera vende. Shpresat e tyre janë shtuar se diçka do të riparohet pas emërimit të Ferdinand Xhaferrit në postin e ministrit të Kulturës në kabinetin qeveritar. Dihet që Xhaferri është nga qyteti i Durrësit, dhe e kupton situatën e krijuar në këtë sektor.
Artur Korriku, tek G.Shqiptare
No comments:
Post a Comment