Tuesday, December 22, 2009

Spitali i Kukësit, asgjë më tepër se një "spital partizan"

Dje ishim për të vizituar një të sëmurë në spitalin e Kukësit dhe ishte e tmerrshme vetëm t'i afroheshe spitalit, pasi kishte kohë që s'më kishte rënë rasti të shkoja. Të linte shumë për të dëshiruar pamja e jashtme e spitalit, ishte e tmerrshme të futeshe në ambientet e brendshme të tij, çdo gjë mund të ishte vetëm spital jo.


Kujtoj filmat shqiptarë të shumtë me spitalet partizane të luftës, pse jo edhe ato fushore që të paktën natyra i favorizon për ajrin e pastër dhe e them me plot bindje se janë shumë më të këndshëm.



Asgjë aty brenda nuk të ngjason me kohën, në të cilën ne jetojmë.

Nuk e di se a janë marrë fonde ndonjëherë ndër vite, që besoj se kjo ka ndodhur, nuk e di nëse kanë funksionuar hallkat deri këtu poshtë të kontrollohen ato, por di të them se aty duhet një dorë e fortë për të drejtuar dhe për të bërë diçka në favor të këtyre njerëzve që vijnë aty dhe shtrohen, por që s'dihet se me sa sëmundje të tjera dalin.


Di të them se çdo gjë aty brenda ishte e shkatërruar. Më vjen keq për qytetarët kuksianë se si është e mundur të pajtohen me ambiente të tilla, pasi është shtëpia rezervë e çdo banori, pasi, në mos sot, nesër, çdokujt do t'i bie radha ta vizitojë atë.

Nashide Shala, Shekulli

No comments: