Wednesday, December 2, 2009

Regjistrimi i popullsisë: Jo mbi baza etnike

Regjistrimi i popullsisë mbi baza gjuhësore, e përkatësisë fetare dhe etnike përbën një rrezik serioz dhe kërcënim për territorin e vendit.

Reagimi i fortë vjen nga një prej hartuesve të Kushtetutës, politikanit Sabri Godo, i cili në këtë mënyrë i përgjigjet projektit që kryeministri Berisha premtoi pak javë më parë në Kuvend. Në seancën e 15 nëntorit të këtij viti, Berisha duke iu përgjigjur interesimit të kreut të PBDNJ-së Vangjel Dule për këtë cështje, do të zotohej të kryente regjistrimin e popullsisë mbi baza gjuhësore, etnike dhe fetare pavarësisht rekomandimeve të kundërta të ndërkombëtarëve.

“Megjithë ekzistencën e disa rekomandimeve nga ndërkombëtarët që të mos bëhet, unë jam në regjistrimin e këtij vendi, që do të bëhet nga kjo qeveri. Çdo qytetar do ketë të drejtë të shënojë gjuhën, përkatësinë etnike, besimin fetar”, deklaroi kryeministri Berisha.



Por politikani Sabri Godo e sheh këtë projekt si shumë të rrezikshëm, që do të conte në rritje artificiale të shtetasve me kombësi greke në vendin tonë. Sipas Godos, pas kësaj Greqia do të kishte edhe pretendimin për territore shqiptare.

“Ndërsa të tjerat mund ti marr kalimthi dhe si një lloj shakaje që duhet qortuar, kjo ka një përmbajtje tjetër. Ja cfarë rreziku.

Ajo që thotë Berisha ka të bëjë më të drejtat universale të njeriut, por si i bëhet me familjet e regjistruara me kombësi greke?

Janë me qindra familje në Korce, Gjirokastër, Delvinë e Sarandë që marrin pensione greke. Nuk jam kundër pensionit por kundër dokumentit që kanë nënshkruar, i cili i detyron të ndryshojnë kombësinë. Këtu duhet të vërë dorë shteti shqiptar. Do të kemi më tepër njerëz me kombësi greke nga c´kemi realisht, dy ose tre herë më tepër.

Kjo i jep të drejtë palës greke të thotë që, ky është territori im sepse është i banuar në shumicën e vetë nga qytetarë që kanë kombësi greke. Rrjedhimisht kërcënon drejtpërdrejt tërësinë tokësore të shtetit shqiptar”, u shpreh Godo.

Godo i ka kujtuar qeverisë shqiptare që të ketë kujdes edhe me varrezat greke të cilat nuk mund të vazhdojnë pafund.

"Nuk mund ta mbulojmë vendin me varreza. U dha leje dhe u arrit në një marrëveshje për dy varreza me Greqinë, kërkonin tre e më parë katër. Nuk mund ta mbulojmë territorin e vendit me varreza të qëna dhe të paqëna, sikundër u provua në fshatin e Përmetit.” përfundoi Godo.


(m.a/News24/BalkanWeb)

Si mund të rregjistrohet popullsia mbi përkatësinë fetare ? Me çfarë feje lind një fëmijë, kur feja nuk është e trashëgueshme, por vjen si rezultat i përzgjedhjes individuale të çdokujt, në periudhën kur individi është i formuar nga ana intelektuale ? N.q.s rregjistrohem si ortodoks e më pak ndryshoj bindje duke u kthyer tek sekti i Dëshmitarëve të Jehovait psh, duhet të shkoj të rregjistrohem nga fillimi ? Po alternativa ateist apo agnostik, ekziston si opsion në këtë rregjistrim ?

Si mund të quhesh fetar, nëse nuk zbaton rite fetare ?

Si mund të bjerë shteti shqiptar në grackën greke në këtë mënyrë dhe si mundet që shteti shqiptar të shkojë paralelisht në një linjë me planet asimiluese greke ? (S.I)

No comments: