Nafta shqiptare rrethohet nga një histori misteri, ku mjaft kompani janë tërhequr dhe afërsisht 600 milionë dollarë janë harxhuar në këto 18 vite vetëm për kërkimin e arit të zi të territorin shqiptar.
Këto miliona dollarë, sipas Ministrisë së Ekonomisë, kanë shkuar kot.
Këto miliona dollarë, sipas Ministrisë së Ekonomisë, kanë shkuar kot.
Të dhënat zyrtare flasin se Shqipëria deri më sot ka shfrytëzuar afërsisht 50 milionë tonë naftë. Këto të dhëna flasin se në fushat naftënxjerrëse në Patoz-Marinxë dhe rrotull tyre ka ende 380 milionë tonë naftë të cilat tashmë janë duke u shfrytëzuar. Kjo sasi nafte, në rast se konvertohet në para, do të thotë rreth mbi 10 miliardë dollarë. Por nuk mjafton këtu, pasi nëntoka premton shumë. Studimet flasim për miliarda tonë naftë dhe gaz të cilat vlejnë qindra miliarda dollarë, çka do e kthenin Shqipërinë, ndoshta një nga vendet më të pasura të rajonit. Këto pasuri, në rast se gjenden, do të bënin që Shqipëria të kishte një pozitë më të fortë politike.
Për shqiptarët e ardhmja premton. Tashmë nuk përbën lajm fakti se shqiptarët jetojnë në nëntokën më të pasur të rajonit. Nafta dhe gazi shqiptar, hidrokarburet, rrethohen nga një histori misterioze, e mbushur me optimizëm dhe dështim, por kërkimet për “arin e zi” në Shqipëri nuk po rreshtin. Në Shqipëri operojnë disa kompani të cilat kanë shprehur bindjen e tyre për sukses. Po harxhohen miliona dollarë për të hapur puse mbi 4 mijë metra të thella.
Zbulimet
Rezervat e naftës dhe gazit në vendin tonë janë shumë më të mëdha nga sa mendohej më parë. Vetëm pak kohë më parë në mediat shqiptare u publikua një studim i kompanisë amerikane Gustavson Associates LLC e cila studioi zonën e Shqipërisë së Mesme dhe atë të Veriut duke konkluduar se në këto zona ekziston një rezervë nafte prej gati 3 miliardë fuçish. Gustavson Associates LLC, një kompani e njohur në studimet 3-dimensoniale, arriti në përfundimin se në nëntokën e kësaj zone ekzistojnë edhe 3 trilionë rezerva gazi natyror. Ky studim u bë në bashkëpunim me zviceranët e Manas Petrolium të cilët fituan të drejtën e kërkimeve në Shqipërinë për ar të zi. Studimi prekte vetëm 4 mijë kilometra katrorë dhe shkrihej nga Durrësi deri në Shkodër. Vlera e kësaj nafte, duke e llogaritur me çmimin e bursës e cila është aktualisht 40 dollarë për fuçi, do të shkonte rreth 120 miliardë dollarë. Kjo shifër mund të rritet për shkak të vlerës në lëvizje të arit të zi, që sipas ekspertëve ndërkombëtarë, nafta do të rritet përsëri. Nga ana tjetër, vlera e 3 trilionë gazi natyror të zbuluar në këtë zonë, do të shtonte vlerën në qindra miliarda dollarë të tjerë.
Gustavson Associates, në studimin e saj shkruan se Shqipëria këtë sasi e ka në thellësi prej 3500 metrash, të mbështjellë nga një shtresë e karbonizuar, çka e bën të vështirë kërkimin, por jo në rast se përdor teknologjinë e fundit. Gjithsesi, ende kjo sasi është duke u kërkuar dhe ende nuk dihet cilësia e kësaj nafte. Përgjithësisht nafta shqiptare ka qenë e cilësisë më të ulët dhe ajo e zonës së Patozit ka përmbajtje të lartë bitumi. Pavarësisht kësaj, përpunimi i naftës sot ka arritur kulmin sa madje edhe kompania shqiptare ARMO, e cila përpunon këtë naftë, me gjithë teknologjinë e saj të viteve ‘70 kineze, arrin të nxjerrë edhe benzinë vergine, të cilësinë së parë dhe shumë të kërkuar.
Zviceranët: Do t’ia dalim
Zbulimin e amerikanëve po kërkon të vërë në jetë kompania zvicerane Manas Petrolium. Kjo kompania nisi muaj më parë një projekt prej 10 milionë dollarësh, për nxjerrjen e kësaj sasie nafte dhe gazi nga nëntoka shqiptare. Duke filluar nga mesi i tetorit të vitit 2008, kjo kompani ka nisur nga puna. Siç a bërë me dije edhe vete, projekti i tyre po nis fillimisht nga seksioni D dhe ka nisur një bashkëpunim me kompani të tjera. Ata janë mbështetur nga Instituti i Gjeofizikës së Izraelit, i cili u ka konfirmuar se kjo sasi ekziston. Madje ky institut gjatë këtij viti, do t’i ndihmojë zviceranët për krijimin e një databasi për zona të tjera.
Njëkohësisht Manas Petrolium do të nisë brenda këtij një bashkëpunim me kompaninë kroate CROSCO si dhe ka nënshkruar një marrëveshje mirëkuptimi me kompaninë ruse JSC "SPC" NEDRA. Kroatët e CROSCO-s do të bëjnë kërkime në një zonë të caktuar, ndërsa rusët do të sjellin ekspertët më të mirë të gazit. Manas Petroleum Corporation fitoi në dhjetor të 2007-ës koncesionin qeveritar për aktivitetet e eksplorimit, zhvillimit dhe prodhimit të hidrokarbureve falë akordit midis Ministrisë se Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë përfaqësuar nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore dhe DWM Petroleum AG, pjesë e Manas Petroleum Corporation. Studimi është kryer mbi një terren që përhapet mbi 4000 kilometra katrore duke nisur nga Durrësi deri në Shkodër: në blloqet A-B e D-E, zona jugore e Tiranës që ka një naftë shumë të ngjashme më atë të Cakranit dhe zona veriore e Tiranës që përhapet nëpër blloqet B, D dhe E.
Gustavson Associates, LLC, e cila bëri studimin, është shprehur optimiste për sukses. Sipas saj, situata është e ngjashme si zbulimi i miliona tonëve gaz që u bë vite më parë në Itali. “Zbulimi i parë ka nxjerrë në pah struktura të forta karboni të njëjta me ato që janë zbuluar në vitin 1990 në Apenine të Italisë. Probabiliteti i suksesit është kompleks për shkak të fortësisë nën të cilën gjendet struktura naftëmbajtëse”, - ka njoftuar kjo kompani.
Kërkimet
Pas rënies të komunizmit në Shqipëri, të parët që e vizituan atë, ishin bosët e kompanive të naftës. Sipas Ministrisë së Ekonomisë, që nga viti 1990, në Shqipëri kanë ardhur mbi 15 kompani të huaja të cilat kanë harxhuar afërsisht 600 milionë dollarë vetëm për kërkime nafte. Këto kompani kanë pasur harta të shumta për kërkim nafte madje kishin të gatshme edhe studime shqiptare që ishin bëtë nga ish-Agjencia Kombëtare e Hidrokarbureve.
Sot mund të cilësohet si fatkeqësi fakti se vendi importon gati 80 për qind të naftës, ndërkohë që para vitit 1990, Shqipëria ishte një vend eksportues. Banka Botërore ka publikuar një studim për këtë çështje dhe ka vërejtur se në Shqipëri janë kryer shpime në 4 666 puse nafte, nga të cilat 3 123 janë operative, ndërsa 981 të tjera janë mbyllur dhe braktisur. Historia flet se niveli më i lartë i prodhimit të naftës u bë në vitin 1974 me rreth 2,448,227 tonë dhe prodhimi i gazit në vitin 1982 me rreth 937 milion Nm3/vit. Nga viti në vit, numri i puseve ka ardhur në ulje. Njëkohësisht edhe shërbimi ndaj puseve ka rënë ndjeshëm.
Një kërkim i bujshëm nafte u bë nga kompania amerikane Shell Oil dhe Corporex para vitit 1997. Pasi shpenzoi 25 milionë dollarë për kërkime, ajo u dorëzua dhe ngjarjet e 97-ës e larguan atë nga vendi duke ndërprerë kërkimet në mes. Amerikanët e Shell Oil mendonin se në Shqipëri mund të gjenin mbi 800 milionë fuçi nafte.
Aktualisht, kompania kanadeze Bankers Petroleum po nxjerr naftë në zonën e Patoz-Marinxës dhe të gjithë prodhimin po e eksporton. Italia është vendi që po blen më shumë këtë naftë bruto.
Çudia qëndron në faktin se në Shqipëri ka edhe shumë kompani të tjera koncensionare, por ato nuk po veprojnë, me përjashtim të kanadezëve dhe zviceranëve. Ministria e Ekonomisë ka dhënë leje gjatë 18 viteve për dhjetëra kompani amerikane, austriake, kroate, kanadeze, suedeze madje edhe greke.
Kërkime nisën edhe kompani të tjera si ajo amerikane Occidental, OMW, kompania shqiptare AlbPetrol, kompania INA, Premier Oil si dhe Coparex por që në fakt kanë njohur dështim dhe janë larguar nga vendi.
Studimet e reja
Qeveria shqiptare krijoi pak kohë më parë Agjencinë Kombëtare të Burimeve të Reja. Nëpërmjet një ligji të ri, tashmë çdo kompani e huaj që dëshiron të operojë në vendin tonë, e ka më të lehtë. Kjo agjenci po bën edhe studime të reja për zona të tjera për të cilat nuk mendohej se mund të kishin naftë apo gaz. Në këtë agjenci po punohet për përgatitjen e dokumentacioneve përkatëse për zonat e caktuara studimore për t'i dhënë ato me marrëveshje hidrokarbure, sikurse është përcaktuar edhe në ligjin përkatës.
Tashmë ka nisur studimi në mjaft blloqe të lira, kryesisht në gjithë zonën juglindore të vendit. Një tjetër zonë që po studiohet është edhe ajo në rrethet e Vlorës, Gjirokastrës, Delvinës, Sarandës, Lushnjës, Fierit dhe të Mallakastrës.
Optimizmi
Mjaft ekspertë shqiptarë janë shprehur optimistë për rezultat. Vendi ynë është ndër të paktët në rajon që ka rezerva të konsiderueshme nafte. Ekspertët e konsiderojnë këtë si një avantazh krahasues që Shqipëria ka ndaj vendeve të rajonit, shumica e të cilave nuk disponojnë rezerva nafte. Në rast se vendi arrin t’i shfrytëzojë këto burime të zbuluara, do të përfitohen mjaft të ardhura, vendi do të pavarësohet nga energjia si dhe shteti do të fitojë një pozitë tjetër dhe më të fortë politike në rajon.
Ky optimizëm i ekspertëve, veçanërisht të inxhinierëve të naftës dhe gjeologëve shqiptarë, buron nga fakti se në kohët e sotme gjysma e rritjes se rezervave në vendet kryesore prodhuese të naftës, ka ardhur nga rivlerësimi i tyre duke marrë në konsideratë zhvillimet teknologjike, kostot e zhvillimit dhe të gjetjes së rezervave dhe çmimet e tregut.
Rritja e teknologjisë shihet si avantazh. Nga ana tjetër, mjaft ekspertë e shohin këtë vonesë të nxjerrjes së naftës edhe si avantazh. Nafta po shtrenjtohet, burimet në botë parashikohet të pakësohen dhe deri në vitin 2080 pritet që nafta të përfundojë në tokë. Atëherë në këtë situatë, nafta shqiptare do të shitej me çmime tepër të larta. Sondat moderne arrijnë deri në 8 mijë metra, ndoshta më tepër, të depërtojnë në koren e tokës, ndërkohë që studimet flasin se nafta shqiptare ndodhet vetëm 3500 metra poshtë nën tokë. Gjithsesi, hapja e një pusi nafte kërkon afërsisht mbi 20 milionë dollarë shpenzime. Hapja e rezervave të kësaj nafte do të niste një epokë të re për Shqipërinë.
Kompanitë që kanë dështuar
Shell Oil & Corporex
Oçidental
OMË
AlbPetrol
INA
Premier Oil
Coparex
Hartat gjeologjike të Shqipërisë.
Hartat gjeologjike të Shqipërisë kanë filluar të hartohen nga studiues të huaj qysh prej shekullit XIX.
Hartat që përfshijnë gjithë territorin e Shqipërisë, nga shkalla 1:2 000 000 deri në 1:200 000 janë 15, nga të cilat 6 në dorëshkrim, ndërsa të tjerat janë botuar në vende të ndryshme.
Të parët që ndërmorën një studim gjeologjik në Shqipëri ishin dy francezë, natyralisti A. Boue dhe gjeologu A. Vuquesnel që krijuan hartat e para gjeologjike në vitet 1828-1879.
Më pas vitit 1903, shumë gjeologë të tjerë të huaj filluan studimet gjeologjike në territorin e Shqipërisë.
Kështu, A. Marteli gjatë viteve 1903-1912 kreu studime në krahinën e Vlorës dhe rezultat i këtyre ishte një hartë gjeologjike në shkallë 1:200000 botuar në Romë më 1912. F. Nopsca pas studimesh shumë vjeçare botoi në Budapest hartën gjeologjike 1:200000 të Shqipërisë së Veriut.
Gjithashtu, harta gjeologjike të rajoneve të ndryshme të Shqipërisë përpunuan e botuan gjeologe të ndryshëm si Weters, Hammer, Roth, Telegt, Goebel.
E rëndësishme ishte harta 1:200000 botuar nga J. Bourcart në Paris më 1921, titulluar “Harta Gjeologjike e Shqipërisë Juglindore”.
Për herë të parë një hartë e plotë e Shqipërisë u publikua në Salzburg më 1929 nga Ernst Nowack, gjeolog austriak i kontraktuar nga qeveria shqiptare për këtë qëllim. Harta ishte frut i punës së mirëfilltë të Nowack dhe përpunim e korelim i kësaj pune me harta të botuara dhe më parë.
Ne 1943 S. Zuber ka përgatitur, në dorëshkrim, hartën gjeologjike 1:200000 të Shqipërisë.
Më 1950, E.A. Stankeev. Z. A. Mishunina dhe E. A. Ivanova përgatitën hartën gjeologjike të Shqipërisë 1:200.000 për përdorim në industrinë e naftës bashkë me shënimet sqaruese e cila u botua më 1957, në Leningrad në tirazh të kufizuar.
Një grup gjeologësh shqiptarë (T. Biçoku etj.) duke u mbështetur në rilevimet gjeologjike të bëra gjatë 1950-1965 dhe në vrojtimet e punimeve të redaktim revizionimeve të bëra nga grupi gjatë 4 vjetëve (1963-1964), përpiluan dhe botuan, më 1967 në Tiranë, në shqip e frëngjisht, hartën gjeologjike të Shqipërisë në shkallën 1:200000 bashkë me tekstet shpjeguese (1970, 1971).
Pas 19 vjetësh u botua edhe harta e tretë gjeologjike e emërtuar “Harta Gjeologjike e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë” shkalla 1:200000, hartuar nga një grup gjeologësh (R. Shehu etj.) dhe tekstin shpjegues (1990).
Në vitin 2000 nën koordinimin e A. Xhomos etj. ka përfunduar në dorëshkrim, për ribotim harta gjeologjike 1:200000 e Shqipërisë. Harta u botua në vitin 2002 dhe emërtohet “Harta Gjeologjike e Shqipërisë”. Kjo hartë është frut i bashkëpunimit mes Institutit të Kërkimeve Gjeologjike, Institutit të Naftës dhe Gazit dhe Fakultetit të Gjeologjisë dhe Minierave.
Të gjitha hartat janë shoqëruar me tekste shoqëruese shpjeguese.
Përveç hartave gjeologjike të shkallës 1:200000, janë hartuar edhe harta të shkallëve të ndryshme të cilat kanë mbetur të papublikuara dhe gjenden në Fondin Qendror të Gjeologjisë dhe atë të Instituti të Kërkimeve Gjeologjike. Prej vitit 1997, ka filluar edhe botimi i serisë së hartave gjeologjike në shkallë 1:25000 në bazë të plansheteve topografike (gjithsej 101 planshete). Gjithashtu ka pasur edhe botim të hartave gjeologjike në shkallë 1:50000 të masivëve ultrabazikë Shebenik, Bulqizë e Tropojë të realizuara në vitet ‘90. Gjithashtu, është punuar nga departamenti i Gjeologjisë Krahinore dhe Kartografimit të IKGJ për botimin e hartave ndërkufitare Greqi-Shqipëri, Maqedoni-Shqipëri, Mali i Zi-Shqipëri dhe Kosovë-Shqipëri, në bashkëpunim me Shërbimet Gjeologjike të vendeve respektive.
Botimi i hartave gjeologjike po vazhdon me qëllim që i gjithë informacioni i mbledhur t’i bëhet prezent botës shkencore dhe publikut.
Përveç kësaj, nga Drejtoria e Gjeoinformacionit pranë Shërbimit Gjeologjik Shqiptar, po punohet për dixhitalizimin dhe kalimin në formë elektronike të këtyre hartave duke krijuar harta interaktive shumëqëllimore dixhitale, të cilat nëpërmjet Sistemeve Gjeografike të Informacionit GIS të jenë të gatshme për përdorim online nga përdoruesit periferikë të çdo lloj moshe e profesioni, duke qenë kështu të afta të plotësojnë të gjitha kërkesat që shoqëria shtron para shkencës gjeologjike.
Gjithashtu, janë botuar edhe Harta Hidrogjeologjike, Metalogjenike, Gjeofizike të shkallës 1:200000.
Burimi: Drejtoria e Shërbimit Gjeologjik
No comments:
Post a Comment