Friday, December 11, 2009

Kriza, në 1 Janar rritet çmimi i bukës

Shqiptarët do ta blejnë minimumi 10 lekë më shtrenjtë bukën gjatë vitit 2010. Rritja e çmimit të bukës duke filluar nga muaji janar konfirmohet edhe nga prodhuesit e këtij produkti tejet të konsumuar në vend.

Rritja e pashmangshme e çmimit të energjisë elektrike por edhe ulja nga tetë në pesë milionë lekë e pragut të bizneseve që do të paguajnë TVSH, sipas prodhuesve, rrit ndjeshëm koston duke e bërë të domosdoshme rritjen e çmimit për konsumatorët.



Drejtues të Shoqatës së Prodhuesve të Bukës shprehen se nuk ka një vendim të përbashkët për shtrenjtimin e bukës por ajo do të kryhet në mënyrë individuale nga subjektet.

"Rritja e cmimit të energjisë elektrike në nivelin 44 për qind që ka kërkuar OSSH-ja, por edhe ulja e pragut te bizneseve që do të paguajnë Tatim mbi Vlerën e Shtuar nga 8 në 5 milionë, rrisin në mënyrë të papërballueshme koston e prodhimit të bukës.

Krahas rritjes së madhe të detyrimeve ndaj shtetit, për shkak të këtij ndryshimi, do të na duhet që të punësojmë ekspertë për certifikimin e bilanceve, i cili gjithashtu duhet paguar.

Nuk ka një vendim tonin për shtrenjtimin në mënyrë të organizuar të bukës, por duke parë situatën por edhe rritjen tej mase të kostos së prodhimit, ajo pritet të bëhet në mënyrë individuale nga secili prej nesh", - bëjnë të ditur nga Shoqata e Prodhuesve të Bukës.

Ajo që është më shqetësuese ka të bëjë me nivelin e rritjes që pritet të kryhet, pasi për shkak se ende nuk ka një vendim zyrtar nga Enti Rregullator i Energjisë, furrtarët nuk dinë të thonë një shifër të saktë në lidhje me këtë.

Prodhues të bukës shprehen se fitimi nga ky produkt është në nivelet minimale çka sipas tyre e bën të pamundur rritjen me një dy apo pesë lekë.

Sipas tyre, pritet që buka të shtrenjtohet minimumi me 10 lekë, por edhe kjo shifër do të jetë në varësi të masës me të cilin do të miratohet rritja e çmimit të energjisë elektrike nga Enti Rregullator. Në lidhje me këtë, ata i bëjnë thirrje ERE-s që gjatë shqyrtimit të kërkesës për rritjen e çmimit të marrë parasysh faktin se kemi të bëjmë me një sektor jetik i cili prek të gjitha familjet shqiptare.

Pronarët e rinj të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes aplikuan pranë ERE-s në fund të muajit shtator për rritjen e çmimit të energjisë në nivelin e 44.2 për qind brenda dy viteve në vijim.

Kërkesën për rritjen e çmimit, në mos të plotë, ERE pritet ta miratojë sa më afër shifrës prej 44.2 për qind pasi në këtë mënyrë OSSH do të mbulojë humbjet që shkaktohen nga mospagesat e faturave të energjisë elektrike, amortizimi i rrjetit, etj. Me këtë nivel rritjeje të çmimit, OSSH ka planifikuar të realizojë për vitin 2010 rreth 45 miliardë lekë të ardhura.

Sipas kontratës së firmosur ndërmjet shtetit shqiptar dhe investitorëve çekë, nëse ky nivel të ardhurash nuk arrihet, pjesa e mbetur do të kompensohet me të para nga buxheti i shtetit.

Gjatë procedurave të shitjes së OSSH-së, qeveria aplikoi për një kredi 60 milionë euro e cila hyn automatikisht në fuqi në favor të CEZ-it nëse shteti shqiptar nuk respekton kontratën.

PS: INSTAT gënjeu për çmimet, Prifti përgjegjës për rritjen e energjisë

Deputetet e PS-së, Xhaçka dhe Ligori


Partia Socialiste ka kundërshtuar shifrat e publikuara dje nga Instituti i Statistikave për rritjen e çmimeve të mallrave të konsmit gjatë muajit nëntor 2009 duke e akuzuar atë se është bërë një vegël e pushtetit. Deputeti i PS-së, Ilir Beqja, theksoi se relativisht niveli i çmimeve gjatë nëntorit ka qënë më i lartë se ato të publikuara nga INSTAT.

"Shtrenjtimi i ushqimeve e ka bërë të papërballueshme jetesën për familjet e varfëra, për familjet në ndihmë ekonomike, për familjet e pensionistëve, për familjet e të papunëve. Më shumë se gjysma e familjeve shqiptare shpenzojnë të gjitha të ardhurat mujore për ushqim dhe jetesë bazë.

Ministri i gripit të derrit i këshillon shqiptarët të konsumojnë më shumë perime, por në nëntor perimet u shtrenjtuan me 33 %. Instituti i Statistikave, i kthyer në një vegël në shërbim të qeverisë, fsheh qëllimisht të vërtetën për shtrenjtimin e shërbimeve spitalore.

Në nëntor 2009, ashtu siç është bërë e njohur botërisht, tarifat e shërbimeve spitalore janë 4 fishuar për 800 mijë shqiptarë në moshë pune të pasiguruar", - tha ai.

Nga ana tjetër, deputetët Olta Xhaçka dhe Shegush Ligori dje para ambienteve të Ministrisë së Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës i kërkuan ministrit Dritan Prifti që të reagojë për rritjen e çmimit të energjisë elektrike të kërkuar nga OSSH.

"Vështirësive të panumërta, të jetës së familjeve shqiptare do t'iu shtohet tani edhe fatura e energjisë elektrike, e cila do të jetë në rritje, duke parë se dimri dhe i ftohti kanë trokitur. Ministri Prifti, i cili tjetër premton e tjetër bën, është përgjegjës për barrën e shtuar që do rëndojë në kurrizin e familjeve shqiptare", - thanë ato.


Shekulli


A ka urim më të bukur se ky për vitin e RI ? (S.I)

No comments: