Friday, December 4, 2009

Kur shqiptarët kandidonin për deputet në parlamentin grek

NË VITIN 1860 - “Një fjalim parazgjedhor në gjuhën shqipe të botuar në gazetën greke ”TO MEΛΛΟΝ ΤΗΣ ΠΑΤΡΙΔΟΣ“ në vitin 1860”.


Greqia u çlirua nga pushtimi turk me armët e shqiptarëve. Këtë e thonë historianët dhe studiuesit e huaj.

Mbas shpalljes së pavarësisë më 1821 Kuvendi popullor i Greqisë përbëhej nga deputetë shqiptar dhe grekë. Me kalimin e viteve nga fillimi i shekullit të XX shqiptarët u “bindën”, se duhet të braktisnin identitetin e tyre kombëtar shqiptar.

Disa herë Greqia është udhëhequr nga Kryetar shteti dhe Kryeministër shqiptar deri edhe në ditët tona. Sot me interes na duken fjalimet parazgjedhore të shekullit të XIX kur shqiptarët kandidonin për deputet në Kuvendit e Greqisë.

Drejtues shqiptarë mes egjiptianësh


Në gazetën greke ”TO MEΛΛΟΝ ΤΗΣ ΠΑΤΡΙΔΟΣ“ (E ARDHMJA E ATDHEUT) të 29 dhjetori të vitit 1860 është botuar një fjalim parazgjedhor në gjuhën shqipe. Ku kandidati për deputet parashtron shkaqet përse shqiptarët në Greqi duhet të votojnë për atë. Në këtë dokument, bëhet fjalë për një fjalim parazgjedhor në periudhën e mbajtjes së zgjedhjeve në Greqi nga dhjetori i vitit 1860, deri në mars të vitit 1861. Në atë periudhë, sipas dokumenteve historike, mbizotëronte një klimë frikësimi dhe burgimesh politike në Greqi. Zgjedhjet e vitit 1861 në Greqi i fitoi grupimi qeveritar pro mbretit, i kryesuar nga shqiptari Athanas Miauli, i cili u zgjodh Kryeministër i Greqisë në atë kohë.
--------------------------
-----------------------------------------------------------------------------------------------

Kryeminstri Athanas Miauli 1815-1867
Athanas Miauli ka lindur në ishullin e Hidrës, më 1815 dhe ishte djali i një shqiptari të lavdishëm Andrea Miaulit. Ai, u rrit pranë babait në det dhe mësoi gjuhën greke nga Filip Joanu. U bë adjutant i mbretit Oton dhe ministër i Marinës në vitin 1855. Kryeministër u zgjodh disa herë që nga viti 1857 e deri në vitin 1862. Vdiq në Paris të Francës në vitin 1867.

Fjalimi parazgjedhor i vitit 1860, është botuar për herë të parë më 29 dhjetor të të njëjtit vitit në gjuhën greke dhe gjuhën shqipe, në faqen e parë të gazetës greke, ”TO MEΛΛΟΝ ΤΗΣ ΠΑΤΡΙΔΟΣ“ (E ARDHMJA E ATDHEUT). Numri i parë i kësaj gazete politike dhe filologjike e Athinës u botua më 4 nëntor të vitit 1859 me titull ”TO MEΛΛΟΝ ΤΗΣ ΠΑΤΡΙΔΟΣ“, me kryeredaktor Odisea Jamelon dhe vijoi të botohej me këtë titull deri nga mesi i vitit 1861, dhe numri 161 u titullua “Μελλον της Ελλαδος” (E ardhmja e Greqisë) deri kur u mbyll në vitin 1863.

Zbulimi i këtij dokumenti historik, ka një rëndësi të madhe meqenëse është një nga dëshmitë e pakta të shkrimeve në gjuhën shqipe me shkronja greke në shekullin XIX që ka shpëtuar deri më sot, pasi kërkuesit e shkrimit të gjuhës shqipe, siç e kemi thënë në përgjithësi, janë marrë kryesisht me mbledhjen e këngëve dhe të përrallave gojore të folklorit arvanitas.

Nga teksti i fjalimit parazgjedhor, dalin qartë fakte historike se një pjesë e madhe e popullatës që jetonte në Athinë dhe në rrethinat e saj ishin arvanitas, në shekullin XIX arvanitasit kishin ndikim të madh në zhvillimin e jetës politike në Greqi. Nga teksti parazgjedhor, duket qartë se grupi i politikanëve kundërshtarë të oborrit të mbretit Oton dhe qeveria kryengritëse e përkohshme, që drejtonte Greqinë në vitin 1860 bënte përpjekje të mëdha për të marrë në anën e tyre arvanitasit e Atikisë dhe të Beotisë, njerëz që, nga ajo që kemi mësuar nga historia e asaj kohe, ishin konservatorë, të qëndrueshëm në bindjet e tyre besnikërie ndaj mbretit të atëhershëm, Oton. Përpjekjet për të thithur në anët e tyre, palët bënin edhe publikimin e propagandës parazgjedhore dygjuhëshe, në greqisht dhe në gjuhën shqipe, me synimin që, nga njëra anë të informohet më mirë popullsia arvanitase dhe, nga ana tjetër, ndoshta ta kenë më të lehtë edha ata kandidatë për deputetë që nuk ishin arvanitas, por grekë.

Tekstin po e paraqes ashtu siç është botuar në gazetën “E ARDHMJA E ATDHEUT” në gjuhën shqipe, të shkruar me shkronja greke dhe me disa kombinime për të plotësuar alfabetin e gjuhës shqipe. Gjatë transkriptimit vërejta se shkruesi i fjalimit parazgjedhor të vitit 1860, ka përdorur shumë fjalë greke. Po i njëjti fjalim është botuar në gazetën e kohës edhe në gjuhën greke.

Për qytetarët të katundeve të Athinës

Vëllezër!

Dheu është i lagët akoma nga gjakrat të tatëve edhe vëllezërve tuaj; dëbuam tiranin, fituam lirinë. Është shumë e madhe, pra, vëllazërimi ndaj këtij gjaku të mos jemi të denjë për lirinë. Të gjithë ata syt që ranë në luftë do të na japin nam dhe mallkime. Ne që kemi kushtetutë. Ç’do thotë kushtetutë?

Do thotë që gjithë qytetarët kanë të drejtë të përkujdesen vetëm, të qeverisë mirë atdheu, të mos ketë të rënda taksa, të bëhen të mira ligje, të mos i bëjnë konak, të mos bjerë xhandarin me kërbaç edhe të tjera. Meqenëse që nuk mundin të gjithë qytetarët të mblidhen, sepse janë larg njeri nga tjetri, caktojnë përfaqësues edhe ata quhen deputetë. Ata bëjnë atë që do të bënin qytetarët në mbledhje, edhe çfarë do bëjnë ata është e mirë të bëhet. Nëse kuptuat mirë që po të kujdeseni të caktoni të mirë njerëz ata që do vështrojnë interesin tuaj, njerëz që nuk mund t’i mashtrojë, mos t’i tërheqë nga vetja e tij, do të jeni të lirë si ju do Kushtetuta. Nëse nuk kujdeseni të mendoni mirë vetëm, edhe ndonjë tjetër të kërcënon ty me frikësime e të këtilla, atëherë nuk do të caktoni ashtu përfaqësues atë që doni, do të bëhen deputetë ata që nuk do kujdesen për të mirën tuaj, por për interesat e tyre, edhe pastaj nuk do të jeni të lirë si ju do Kushtetuta. Atëherë i biri i të fortit nuk do të vejë ushtar, por do të përjashtohet për i parritur edhe sakat, edhe i biri i të varfërit do vejë vetëm? Atëherë do vijë patrulla edhe do t’u kërkojë pula, pita edhe do t’u bjerë edhe zverkut; atëherë do të vijë taksidari t’u shesë shtambën edhe do t’u marrë në burg, kurse i forti, le të ketë në borxh mijëra dhrahme* nuk do ta ngasën, edhe të tjera që nuk i dini. Por, nëse caktoni njerëz tuaj që i dinë vuajtjet tuaja edhe një e rrahur e xhandarit, fjala vjen, edhe një e vogël shkelje do të jetë një e madhe fyerje për qytetarin, sepse qytetari atëherë do vejë në të vërtetin përfaqësues të tij edhe nuk do t’i thotë “mos ki merak, do të kujdesem ... çfarë bëhet për një të rrahur ... ashtu ishte koha...”, por do të vejë në Kuvend të thotë edhe deputetët do të thërrasin ministrin të pyesin çfarë u bë do t’i kërkojnë pakënaqësinë edhe do të gjykohet ai që është fajtor, në mos gjykohet, atëherë prishet ministri me Kuvendin, edhe e dini çfarë pëson ministri? Pushohet. Ashtu do të ndreqen punët edhe nuk do të bëhen padrejtësi.

Qytetarë! Një herë në tre vjet u thërret mëma juaj, atdhe, të jepni mendimin tuaj edhe të zgjidhni ata që duan atdhenë, duan lavdinë e atdheut do të zgjidhni ata që do të ruajnë të mirat tuaja, nderin tuaj, në ata do të veni të qani padrejtësitë tuaja edhe të këqijat që pësoni nga pushteti, ata do të mbrojnë të drejtat tuaja.

Doni të shihni sa i madh është e drejta juaj? Vështroni sa të mira premton qeveria që do të bëjë në gjithë bashkitë; premton shkolla, premton gjyqe paqësore, premton ura, ju premton të gjitha të mirat, arën**, të jepni votën tuaj ministrit Simo edhe në kryebashktiakut Skufo, edhe pastaj i harron të gjitha, arën, të dalin deputetë njerëz që nuk dinë nga mot edhe brengat që vuan shpirti juaj nga kalimtarët edhe konduktorët. Ata nuk dinë me ç’punë edhe djersë nxirrni bukën, ju ngarkojnë me të tjera taksa!

Doni të shihni sa vlen e drejta juaj? Vështroni qeverinë për të arritur qëllimin pushon kryebakëtiakët edhe emëron kryebashtjak të tretë zëvendës, dhe ligji thotë që duhet të caktojë i pari zëvendës dërgon të prerin me gërshërë***të Bashkisë edhe të Prefekturës për t’u mashtruar ose t’u frikësojë.

Qytetarë! Kushtetuta thotë që është shkelje ligjore të ndërhyjë me forcat e saj, zgjedhja është e drejta e popullit. E shihni fort mirë Qeveria për interesat e saj ndërhyn, nuk duhet pra të shtini votën në ata që propozon, sepse do t’i keni të njëjtat gjëra.

Vështroni mirë pra, për një është yni Zot! Për vëllazëri! Për gjakun që u derdh për lirinë! Mendimi juaj, vota juaj është liria juaj, është jeta, nderimi edhe përparimi juaj mos e shtini kur të harrini përpara mendohuni mirë, sepse do të shkojë tre vjet mirë i keqi, si do të shtroni ashtu do të fleni.

Dëgjoni edhe fjalët e Krishtit që thotë në vangjel: “Kërkoni edhe do të çoni, bini derës edhe do t’u hapet, pse kush kërkon çon edhe kush pyet i hapet” si t‘u thom.

Marrë nga libri i autorit Arben p. Lalla “GJURMË TË LETËRSISË SË VJETËR TË SHQIPTARËVE
GREQI 1860-1889”, botuar maj 2006 në Maqedoni.


Shkruan: Prof.Arben LLALLA

No comments: