Prej 3 javësh, e kaluara ka hyrë dhunshëm në shtëpitë tona. Prej vitesh s’flitej më (natyrshëm) për atë. E shkuara shkoi, tani është radha jonë e shqiptarëve të epokës së Demokracisë, por radhë nuk paska. Prej 20 vjetësh ishte dhe është radha jonë, por për fat të keq ne nuk po arrijmë të heshtim, reflektojmë dhe të ndërtojmë diçka të re, diçka që do përbëjë dhe gjurmën tonë kur mos jemi më!!
Ka ditë që ekzistencën time e ka pushtuar trishtimi i thellë. Trishtim i cili është pasojë e dhunës që ka pushtuar çdo pëllëmbë eter të vendit tim. Sot ndoqa Kuvendin e Partisë në Pushtet, klithma, sharje, megalomani…kur mbaroi..ndjeva që mungonte oksigjeni, ndjeva që ndjehesha më e keqe, e ngarkuar plot energji negative…dhe kundrejt kujt…??!! Kundrejt vëllait tim, motrës sime, të afërmve të mi!! Është e kotë të analizosh çka thotë “Skënderbeu” i ditëve tona..i marri të marros, thonë plakat. Por kjo marri kolektive mund të çojë sërish në greminë njerëzinë time..e kjo më dhëmb, më trishton.
Prej ditësh Kryeministri, me veprime dhe një gjuhë shtazarake, fyese, antiligjore dhe vëllavrasëse sulmon pjesën tjetër të shqiptarëve që s’janë në tufën e tij..por dhe ata që s’janë në tufën e askujt. Shan, bërtet, mallkon, procedon me akte dhe veprime antiligjore, duke mbarsur Shqipërinë me një filozofi prag-lufte vëllavrasëse, tmerr dhe pak janë Krishtlindjet e ndjera, por në vendin tim askund nuk ndjehet ndjesia qiellore, profane dhe paqësore e tyre, ç’trishtim!!
Berisha edhe sot nga foltorja e Kuvendit të Partisë që ka në Çiflig dhe pronësi të patjetërsueshme, mallkoi komunistat, puçistat, bllokmenët..gjithë dynjanë shqiptare të para ‘90-ës dhe iu tundi darët dhe matrapikun…duke harruar që ai dhe gjithë ata që i skërmiteshin dhe valviteshin para syve janë produkt i asaj epoke, janë shqiptarë. Për të vdekurin nuk flitet e përflitet pas vdekjes, ky është një kod i shenjtë i shqiptarëve, por jo i Kryeministrit aktual të shqiptarëve, për hir të pushtetit, të agresionit të pa-fe dhe pa-moral, për të mbajtur atë ai prej 20 vjetësh merret me komunizmin e vdekur..dhe me ish-dishepujt e tij!!!
Ç’paradoks ndërkohë që martirët e asaj epoke, të persekutuarit politikë, prej 40 ditësh dergjen në Grevë Urie karshi Parlamentit shqiptar. Ndërkohë që ish-pronarët do mbeten përjetësisht të tillë..ish, Kryeministri ngjyen gjuhën në kallamarën më të vrerosur të përçarjes. Refreni i tij gjakatar dhe vëllavrasës për komunizmin, komunistat e gjithë ç’ka të bëjë me atë epokë, kërkon të derdhë atë gjak dhe atë dhunë që s’u realizua as kur u ndërruan sistemet. E gjithë kjo farsë, po, po farsë, e dhunshme, e lodhshme deri në ekstrem ka mpakur gjithë të ndriçuarit e këtij kombi, të marrit hapi udhë…!!!
Prej 20 vjetësh askund nuk bie era shtet, Kryeministri të gjykon si Gjyqtar, të heton si Prokuror, të përgjon si shikas, të ekzekuton si Remzi Hoxha dhe pastaj të shan nënën, babën, kontributet e tyre profane në këtë Shqipëri të sfilitur e të pa-qetë, kur i duhet, zhvarros Nënë Terezën, “zhvarros” Ismail Qemalin…por s’po zhvarros dot njollat e komunizmit që ka në duar…fiks si Hamleti. I kompleksuar, ai iu thotë bashkudhëtarëve të tij të vërteta që i kemi jetuar bashkë me atë.
Prej 20 vjetësh Shqipëria s’është askund, prej 20 vjetësh ne fatzinjtë e kësaj epoke po shohim se çfarë është abuzimi dhe shkalafitja e lirisë, dinjitetit dhe historisë kombëtare. Ky nuk është tranzicion, ky është një tmerr pa fund, me shqelma futën Ushtrinë tonë të Gërdecit në NATO, me shqelma do fusin dhe Shtetin tonë të Pa-shtet në BE.
Gjuha gjakatare e kreut të shtetit, mos-realizimi i dialogut, mos-pasja qetësi dhe vizion paqësor e këtij Kryeministri dhe atyre që i tundin palmën, do bëjë që ditën e liberalizmit të vizave Shqipëria të zbrazet nga shqiptarët dhe në të, të mbeten të marrët, ç’trishtim!
Brisida Gjikondi, G. Shqiptare
No comments:
Post a Comment