Friday, December 11, 2009

Facebook

Një nga mendimet e fundit të shkencëtarëve të astronomisë është se Universi, pas rreth 5 miliardë vjetëve zgjerim të pandërprerë të pas Shpërthimit të Madh (Big Bang), ka filluar tkurrjen drejt qendrës nga nisi “lojën”.

Por, le t’ia lëmë shpjegimet dhe sqarimet e mëtejshme shkencës dhe punëve të Zotit; por ama, kur mendon që edhe njeriu ka filluar të zvogëlohet e tkurret brenda vetes, do të thotë se një paralele ekzistoka midis tkurrjes të Universit dhe njeriut.



Nuk është fjala për tkurrjen fizike të njerëzve, sado që edhe na rrëfehet nga disa libra se kohë më parë njerëzit kanë qenë më trupmëdhenj sesa janë sot. Interesant, se edhe dinozaurët gjigantë që u zhdukën papritmas në një moment kohor disa miliona vjetësh më parë, nuk u zëvendësuan nga specie të përafërta me ta. Mamuthët, gjithashtu; edhe ata nuk ekzistojnë më dhe akoma më të vegjlit; elefantët, janë si macja e shtëpisë përpara luanit në raport me madhështinë e dinozaurëve dhe të gjithë llojeve të “saurëve” të tyre. Fjala në këto radhë është për tendencën drejt “tkurrjes” dhe “shndërrimit” elektronik dhe dixhital të njeriut. Është në thonjëza tani, por ku i dihet më vonë, përderisa përvojat e pafundme janë sintetizuar në shprehjen: Kurrë mos thuaj kurrë!...

Tendenca për tkurrje dhe dixhitalizim ka filluar të ecë me shpejtësi goxha të madhe gjithandej rruzullit. Nuk ka forcë që e ndal. Ngjan, se nuk ka dalë kot përralla e mrekullueshme e “Llambës së Aladinit”, ku Xhindi hyn dhe del nga llamba sa herë e kërkon djaloshi. Në çast struket në llambë dhe bëhet sa një miush i vogël, dhe po ashtu gjigant sa një pallat 12-katësh kur del nga ajo...

E vërteta e pamohueshme është se njerëzve po iu pëlqen ca si shumë të tkurren para kompjuterit, lap-topit, internetit, mundësisht sa më shumë dhe në mënyrë instiktive, si për t’iu larguar realitetit objektivisht të ëmbël, të hidhur, apo asnjanës...


Duan të futen brenda edhe fizikisht aty, po pati mundësi, por hë për hë është e pamundur, me përjashtim të fantashkencës që bën ca truke. Interneti dhe facebook-u i famshëm bashkëkohor ka arritur kulmin në mbipopullim. Edhe ata që deri dje s’ia kishin haberin tasteve dhe mausit, dinë të luajnë gjithçka në të. Aty s’ka distanca, kufij tokësorë dhe ujorë, kontinente, dete dhe oqeane, pengesa gjithfarëlloj me mure dhe gardhe. Të tëra janë të unifikuara për nga përbërja: Elektronet. Janë të gjithë, me miliona njerëz aty brenda. Koha dhe hapësira janë tkurrur në maksimum aty. Njëkohësisht komunikon me shokun, mikun, dhe të afërmin si brenda për brenda Tiranës, ashtu edhe me një në Zelandë të Re. Vetëm një klik mausi është koha dhe hapësira për të gjithë aty njëlloj...

Të tkurrur me kompjuter dhe lap-top përpara fytyrës sonë, po i kthejmë shpinën natyrës, diellit, hënës, maleve, fushave, liqeneve, deteve, pemëve, kafshëve, zogjve...

Kush e ka vënë re, edhe koha fizike para internetit ikën shumë më shpejt se sa para çdo angazhimi tjetër. Kam parë këtë verë në plazh një njeri shtrirë për shtatë palë qejfe në një dyshek uji, me një lap-top përpara që kishte humbur krejtësisht pas tij. Shpresoj të mos ketë ikur shumë larg e të ketë ardhur në realitet andej nga mesi i Otrantos...Ka dhe anën komike kjo punë.
Le më pastaj, po u arrit dhe shndërrimi dhe dixhitalizimi i përbërjes së materies sonë fizike, mish, kocka, damarë dhe gjak. Ku të mos kemi as masë as peshë, as gjatësi dhe gjerësi, por të jemi nja 300kb JPG secili, dhe me rezolucion të lartë; si do i shkojë filli kësaj pune?!

Do futemi të gjithë sa jemi, 5-6 miliardë njerëz brenda kompjuterit. Afërmendsh, nuk do të jenë më të nevojshëm shumë kompjuterë dhe lap-topë aq sa janë. Mjafton vetëm një, dhe ai kompjuter do të jetë bota jonë, që me siguri specialistët e kësaj fushe do ta bëjnë sa më modern, tepër të fortë e rezistent, të pashkatërrueshëm nga fenomenet natyrore. Që do ta marrë energjinë nga jashtë nëpërmjet paneleve diellore. Do ta vendosin diku në një shpellë të sigurt nga lagështia dhe nxehtësia, e të blinduar mirë, para se dhe specialistët të futen vetë në kompjuter të fundit e të kenë mbyllur dyert e blinduara të shpellës...Gjithë qytetet, fshatrat, sendet dhe objektet njerëzore, shtëpitë, vilat, grataçielat, makinat, kazinotë, kudo ku janë, do të braktisen në mëshirë të fatit. Milionat e kompjuterëve dhe lap-topëve që do të ngelen anekënd planetit, s’do t’i duhen më askujt, dhe do të prishen dhe shkatërrohen dalëngadalë nga agjentët atmosferikë. Sa pa u prishur dhe shkatërruar, me to mund të luajnë ca kohë majmunët, kuptohet jo për t’i përdorur në funksionin që kanë, por duke ia hedhur njëri-tjetrit si topa basketbolli...

Politika, fushatat elektorale, protestat, biznesi, arti, kultura, punët, dashuria, urrejtja, seksi, lindjet, vdekjet, do të bëhen aty në superkompjuterin e vetëm. Natyrisht, do të ketë dhe ngatërresa të mëdha me njëri-tjetrin ndër njerëz brenda tij, se helbete, njerëzit do jenë më ngjitur me njëri-tjetrin se sa sardelet në një konservë peshku. Luftërat, sigurisht që do ekzistojnë, sepse sado që jemi ngopur dhe gjakuar me to, nuk heqim dorë kollaj ne. Na merr malli shpejt, dhe modifikimin e shkaqeve e gjen kur të duash nëse nuk të mungon dëshira dhe pasioni i tërbuar instiktiv për luftë. Ato që ne i quajmë sot lojëra me luftëra kompjuterike e që luan kushdo, por sidomos kalamajtë, nesër ato do të jenë të vërtetat për ne, kur të jemi futur brenda kompjuterit. Nuk është habi që Lufta III-të Botërore të bëhet brenda një lap-topi të vetëm. Dhe, jo vetëm e treta. Gjithë ata njerëz; burra, gra, pleq e fëmijë, me dhimbje si në çdo luftë do të bëhen “delete”...



Një të mirë do ta ketë gjithë kjo punë, se do t’ia lëmë të qetë dhe do t’ia dorëzojmë pa protokoll Planetin Tokë, gjallesave të tjera. Nuk do t’i trembim, bezdisim dhe shfarosim më. Paqja do të mbizotërojë kudo. Frikën, speciet e tjera, mundet t’ia kenë vetëm majmunëve, mos fillojnë e evoluojnë darvinisht, duke u shndërruar gradualisht në njerëz. Se fillon çdo gjë nga e para pastaj...

Medi Belortaja tek G. Shqiptare

No comments: