Prej më se dy muaj rrekem të ulem e të shkruaj diçka për zhvillimet në këtë vend, por e kam pasur të pamundur. I kam zili ata që shfaqen natë e ditë në ekrane, që mbushin faqet e gazetave apo që, në një farë mënyre, përpiqen të jenë aktivë në opinionin publik. Nganjëherë më duket se të gjithë po rrotullojmë një gur të madh, i cili vërtitet e vërtitet e kthehet përsëri në vend. Ngandonjëherë tjetër më duket vetja i zhytur në një llucë të trashë dhe ngado shoh njerëz që llapashiten si fëmijë të lumtur në llucën e trashë dhe, ashtu si në jerm, përpiqen edhe aty në llucë të ngjajnë me modele të harruara heronjsh. Në fakt çfarë është kjo Shqipëri? Dhe kam disa kohë që mendoj se Shqipëria jonë është ajo që na paraqet me mjeshtëri çdo të premte Arian Çani. Çfarë ka ndodhur?
Në këta dy muaj, bashkë me disa studentë të mi, në kuadër të një projekti, kryem edhe një monitorim modest për programet më të ndjekura nga televizionet shqiptare dhe çudia ishte se ditën e diel, kur Top Channel transmeton show-un "E diell" dhe TV Klan show-un "E diela shqiptare", një show tjetër, ai i Arian Çanit "Zonë e lirë", megjithëse ritransmetim, ishte më i ndjekuri. Çfarë ka ndodhur? Është një fenomen, një dukuri që meriton të vështrohet nga disa anë. Në radhë të parë, Arian Çani është një nga profesionistët më të talentuar të gazetarisë shqiptare të viteve të tranzicionit. Në të gjitha mediat që ai ka punuar dhe në ato që ai ka drejtuar, mediat e drejtuara prej tij kanë qenë lider në hapësirën publike shqiptare.
Mirëpo me projektin e tij "Zonë e lirë" që ai e nisi me modesti në TVA, e vijoi në TV Klan dhe që tani po e realizon në "Vizion Plus", Arian Çani me intuitën e tij të hollë, me talentin e tij, ka arritur të kapë dhe të tregojë në imazh ajrin shqiptar, ka arritur që ta ndiejë thellë tragjikomedinë shqiptare dhe e paraqit atë me notat e një ironie të hollë, duke përdorur si mjet një nga anët më moderne të komunikimit, që është vetironia. Shqipëria që paraqit ai në "Zonë e lirë" është Shqipëria reale, e çmendur politikisht, e zhytur në mediokritet kolektiv, një vend që prodhon skandale pa fund dhe që i përtyp ato me lehtësinë që përtypnim ne dikur trahananë me miell misri e të djegur me qepë e vaj kikirik.
Kjo Shqipëri lakuriq del në show-n e Çanit ashtu siç dilte dikur Italia e neorealistëve italianë. Në dialogun që ai bën me të ftuarit dhe me publikun që e sheh në sy, ai nuk merr asnjë gjë seriozisht. Ndërsa kompozimi i skenës është me të vërtetë i gjetur. Në dy krahë janë vendosur mbështetësit e PD-së të veshur me T-shërta PD dhe ata të PS-së të veshur gjithashtu më T-shërtat e PS-së. Sapo nis spektakli, ai vetë na përshëndet me urimin e famshëm: "Mirëmbrëma ...Doktor...!" Nuk ka më bukur. Në fakt, kjo është Shqipëria e doktorit, e atij doktori që ka 18 vjet që na ka mbirë në sy, që është bërë personazhi ynë qesharak, që ngryset e gdhihet në ekrane, që nuk ka lënë fjalë të fjalorit vulgar pa e bërë publike. Ne të gjithë jemi shtojca të historisë së doktorit dhe Çani me mjeshtëri e nis show-n e tij me këtë urim si për të na kujtuar të gjithëve se këtej e mbrapa ju do të shihni Shqipërinë e doktorit.
Ngjarjet më të rëndësishme të javës përcillen herë-herë nga analistë seriozë, por kur është fjala për të komentuar ngjarjet botërore, dynjanë e madhe, për t'u treguar shqiptarëve të doktorit se si ta kuptojnë botën, ai fton atë analist që jo vetëm të kënaq me thellësinë dhe me stilin popullor të shpjegimit të botës me baballarë e me pleq, por edhe me batutat folklorike. Dhe Çani që e ndien dhe e shijon mirë ironinë, ndalon për të na thënë edhe ne se sa i madh është analisti. Ky ton ironik e bën spektaklin të shkrifët dhe shqiptarët e doktorit ndjehen më të lehtësuar. Pastaj vjen pjesa më brilante e spektaklit. Ai e ka menduar që aty të jenë të gjithë ata këngëtarë apo artistë që prodhojnë video, klipe, që bëjnë ture në Shqipëri, që këndojnë natë e ditë në stacionet e specializuara të këngës shqiptare. Dialogu me ta është vërtet thelbi i jetës kulturore shqiptare. Aty Çani është i papërmbajtshëm.
Ngacmimet me këngëtaret e bukura, batutat me heronjtë e rinfolkut shqiptar që nxjerrin lakuriq Shqipërinë e doktorit kanë brenda ironi, satirë, tragjikomedi, gjithçka që të bën të mendosh se, kështu siç po na vijnë punët në këtë vend, është më mirë që të fillojmë të tallemi në fillim me veten tonë, pastaj me të tjerët dhe, më në fund, është mirë të mos marrim seriozisht asgjë. Në Shqipërinë e Arian Çanit flitet për çdo gjë, përmenden të gjitha, të ftuarve u serviret nga Sofija gjithmonë një pije. Skena të duket se është një pjesë e jetës shqiptare, e bareve ku flitet për çdo gjë dhe ku parakalon mendjelehtësia, dallkaukllëku, mediokriteti, çdo gjë që, po të vështrohet ashtu siç e vështron Çani, të gajas së qeshuri. Ndaj spektakli i tij ka sukses dhe njerëzit e ndjekin, se gjithsecili sheh aty një pjesë të dallkaukllëkut të vet, një pjesë të mediokritetit të vet, sheh aty të projektuar modelin e tij të jetës që është i detyruar ta ndjekë në këtë vend ku prodhohet me shumicë sharlatanizëm e tragjikomedi.
Ndërkaq dy show-t e tjera që transmetohen të dielën po priten ftohtë nga publiku, se janë konceptuar që në fillim si imitime të vonuara të spektakleve italiane që tani jo vetëm italianët, por edhe shqiptarët nuk i shohin më. Dhe e gjitha kjo ndodh se drejtuesit e tyre e marrin seriozisht Shqipërinë e doktorit, ndërsa Arian Çani me intuitën dhe talentin e ka kuptuar se regjistri për të lexuar këtë vend është satira dhe vetironia. Përtej këtij konstatimi dhe përtej asaj që realizon show "Zonë e lirë", jemi ne të tjerët. Është e natyrshme të themi se tranzicioni i gjatë shkatërron më shumë se çdo gjë të vetëndjerit e një kombi. Ndërsa kjo që po ndodh me ne është me të vërtetë e vajtueshme. Për shkak të mungesës së modelit, shqiptarët nuk dinë se ku të projektohen.
Tani është bërë modë që historia mund të shkruhet nga kushdo, që gjithsecili ka në dorë të shpallë për të vërtetë jo atë që ka mësuar, por atë që nuk di, pra injorancën. Mungesa e komunikimit mes shqiptarëve, krijimi i ishujve tragjikë e të vetmuar ku gjithsecili ngulet, ngre çadrën, zhvishet lakuriq dhe nis e shan ata që kalojnë aty pari apo ishulltarët e tjerë, është bërë tani modeli më aktiv i jetës shqiptare. Presioni i patolerueshëm i zotërimit të komunikimit politik me imazhet që na sjellin mediat e kanë zhvendosur komunikimin kulturor apo social në skaje të humbura dhe për shkak të kësaj këtu nuk prodhohet asnjë ngjarje, nuk ka kuptim të bësh asgjë.
Universitete të rrëgjuara, institucione kërkimore të shuara, pa filma, pa libra, pa teatër, por vetëm me një telekomandë në dorë - ky është portreti dhe imazhi i shqiptarit të sotëm, i atij shqiptari që Arian Çani e njeh shumë bukur dhe na e tregon të gjithëve ditën e premte, duke na kujtuar se këtë Shqipëri e kemi peshqesh nga ai që Çani e përshëndet të parin me urimin e famshëm: Mirëmbrëma Doktor...!
• Ilir Yzeiri (panorama)