Sunday, October 11, 2009

Meteorët : Rrezik real për Tokën ?



Në 2 mars 2009, një trup qiellor me 40 metër diametër ka ardhur pranë Tokës, duke kaluar 64000 km larg nga planeti. Një distancë prej që është pothuajse zero në shkallën kozmike. Ky fenomen rinis debatin mbi rreziqet që kërcënojnë njerëzimin. Për shkak se shkencëtarët janë të bindur se : një ditë ose një tjetër, një trup qiellor do të bjerë mbi ne, duke shkaktuar vrasjen e mijëra njerëzve, apo shkatërrimin e të gjithë jetës në planet.

* 900 objekte fluturuese « të rrezikshme »




Astronomët kanë numëruar 900 objekte fluturuese me fuqi të « rrezikshme » ku diametri është midis 1 dhe 10 km.Shumica e këtyre trupave qiellor gjenden në rripin e asteroideve, të vendosur midis Marsit dhe Jupiterit, e cila përmban objektet që mund të jetë deri në 1000 km në diametër dhe nëse bie në Tokë do të eliminonte të gjithë jetën për miliona vjetësh ! Aktualisht, 70 « objekte » mund të na bëjnë vizitë gjatë shekullit të ardhshëm. Nëse janë të gjithë të një madhësie më pak se 1km, rënia e vetëm njërit prej tyre do të rrezikon të ketë pasoja të pandreqshme për planetin. Kështu, Apophis, një astroid prej 400 metra, mundet të godasi Tokën në 2036. Përplasja është gati e pamundur (mundësia është 1 për 1000) por nëse ajo do të ndodhte, ajo do të lironte një fuqi e = me 10 000 megatonë TNT-je, dmth të gjitha armët nukleare të planetit !

* Shenja mbresëlënëse




Gjatë historisë së saj, planeti ynë ka qënë subjekt i bombardimit intensiv të meteoritëve gjigandë. Më shumë se 140 kratere ndikuese janë identifikuar në planetin tonë. Por rëniet e meteoritëve nuk kanë të njëjtat ndikime në mjedis. Ato mund të krijojnë forma « gropash » si në foton më sipër, ku tregohet krateri i Barringerit, që ndodhet në një shkretëtirë të Arizonës, në Amerikë. Është një meteorit prej 300 000 tonë dhe 45m diametër, rënë këtu e 50 000 vjet, që ka provokuar këtë krater prej 1,2 km diametër dhe 180 m thellësi. Por mund të ndodhë që meteoritët të provokojnë ereksion të maleve. Në foton përbri, ne mund të dallojmë vendin e rrëpirës Gosses Bluff, në Australi. Ai bën nje diametër prej 24km dhe është provokuar nga ndikimi i një meteori që ra në 1 km këtu dhe 140 million vjet. Ai hyri në tokë 5 km thellë me një shpejtësi prej 100 000 km/h, toka e nxehur u ngrit atëherë për të prodhuar një kurorë mali !

* Njeriu, ekziston ai falë një meteori ?




Ekzistenca e njeriut a është mundësuar apo përshpejtuar nga rënia e një meteori ?
Është një nga tezat, e mbrojtura nga shumë shkencëtarë, e cili shpjegon kushtet për daljen e specjeve njerëzore. Përpara 65 million vjetëve, një meteor ka goditur Meksikën, në gadishullin Yucatan, me përmasa 10 km diametër, e cila do të kishte shkaktuar sigurisht zhdukjen e dinosaurëve, tronditjen e jetës, duke lëshuar një shtëllungë pluhuri të madh në qiell dhe duke ndaluar diellin të ngrohte Tokën, për disa vjet me rradhë. Ajri i bërë i ftohtë do të ketë shpejtuar zhdukjen e dinosaurëve. Pa këtë meteorit, shkencëtarët mendonin se dinosarët do të ishin pa dyshim akoma gjallë dhe njeriu nuk do të kishte ekzistuar !

* Shpërthimi më i madh erës (epokës) njerëzore




Nuk është e nevojshme të kthehemi miliona vjet pas për të vëzhguar dëmet e shkaktuara nga rënia e një meteori. Kështu, shpërthimi më i madh i njohur në erën e njëriut ka ndodhur para një shekulli, në 30 qershor 1908, në rajonin Siberian të Toungouska. Përplasja e një asteroidi prej 40 m diametër ka liruar një energji të barabartë me disa qindra herë, bombën e Hiroshimës !
Shpërthimi shkatërroi një pyll të tërë me mbi 20 km, duke shkatërruar 60 million pemë, shpërthimi shkaktoi dëme në një sipërfaqe në më shumë se 100 km katrorë. Vala e këtij shoku u regjistrua në Europën Perëndimore dhe në Amerikë dhe një shtëllungë pluhuri u soll deri në Spanjë nga qarkullimi atmosferik !

* Rreziqe të rënda për shëndetin




Nëse rënia e një meteori mund të provokojë dëme të rëndësishme mbi ambjentin, ajo gjithashtu mund të ketë pasoja serioze për shëndetin njerëzor. Kështu, në shtator 2007, një meteorit prej 2 m diametër është rrëzuar në një rrafshnaltë të Perusë, duke krijuar një krater prej 20 m të gjerë dhe 6 m të thellë ! Shkëmbi e goditi Tokën me 36 000 km/h, me fuqi të fortë duke ngrohur tokën dhe duke lëshuar vapore squlfurike. Për shumë ditë me radhë, nën efektin e këtij gazi toksik, me qindra banorë janë ankuar nga dhimbje të kokës dhe të vjella.

* Fundi i jetës çdo 33 million vjet !





Cilat janë shancet që një meteor prej 10 km të godasë Tokën ?
Ato nuk janë shumë të pabaza : dyshojmë se kjo gjë ndodh një herë në rreth 33 million vjetësh. Por dëmet mund të jenë të pakonsiderueshme, sepse shoku i saj mund të provokojë zhdukjen e specjeve jetësore.

* Një shanc mbi 720 000, që një njeri të preket




Në qershor 2008, Alan Harris, një kërkues i Space Science Institute të Kalifornisë, ka publikuar një anketë në revistën shkencore Natyra. Ai beson se një njeri ka një shanc mbi 720 000 të jetë i prekur nga një asteroid në jetë e tij.
« Është një mundësi dobësisht qesharake. Ka më shumë shance të vriten në një atentat sesa nga një asteroid ! » - ka shprehur ai.

Doktori pogradecar që pajisi Ajnshtajnin me pasaportë shqiptare



Në një nga rrugicat karakteristike të qytetit të Pogradecit, në lagjen Burima, në krahun e djathtë të kishës së vjetër të qytetit, ndodhet një vilë dykatëshe e zhytur në mes të një lulishteje dhe një kopshti me mollë dhe hardhi rrushi.


Në katin e sipërm të shtëpisë valëvitet një flamur kombëtar. Është shtëpia e Bashove, aktualisht e doktor profesorit të asociuar, Jovan Bashos, shef i shërbimit në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza, në Tiranë.


Sapo futesh në shtëpinë e Bashove, do të ndeshesh me një portret të shkencëtarit të madh gjerman, Albert Ajnshtajnit, i cili është i vendosur në një nga pozicionet kryesore të shtëpisë.


Përqendrimi tek kjo foto nuk i habit pjesëtarët e familjes Basho, pasi ata na thanë se Albert Ajnshtajni ka qenë mik i madh i kësaj familjeje, madje shkencëtari i madh Albert Ajnshtajni, pas kontakteve të shumta në Vjenë më doktorin e famshëm Jani Basho (i cili pasi kthehet në Shqipëri punon si mjek personal i mbretit Zog), Ajnshtajni vjen në Shqipëri prillin e vitit 1931, kur ndiqej nga nazistët gjermanë, për shkak të origjinës së tij hebreje dhe më pas pajiset me një pasaportë shqiptare dhe të largohet me këtë pasaportë në drejtim të SHBA-së.


Po cilat janë faktet e kësaj nënshtetësie shqiptare të Albert Ajnshtajnit?



Në regjistrin e vjetër të vitit 1931, AK0 31, në faqen 53 /1, ndodhet ky shënim :

Sot më datën 10 prill 1931, u paraqit të zyrën e Bashkisë së Poradecit dr. Jani Bashua, i lindur më 1892 në lagjen Burima të Poradecit, i biri i Kozmait dhe Anastasisë, me profesion mjek personal pranë naltmadhënisë së tij Zogu i Parë, i cili na jep garanci që Albert Ajnshtajni të bëhet qytetar i Poradecit. Kjo bashki e pajis me vërtetim dhe certifikatë Albert Ajnshtajnin, si banor të Poradecit në lagjen Burima.

Nëpunsi i Bashkisë Dhënsi i garancisë

Reis Asllani Dr. Jani Basho



Dr. Jani Bashua, pas studimeve me rezultate të shkëlqyera në Vjenë, në vitin 1928 emërohet si mjek personal i mbretit Zogu i Parë. Në kujtimet e mbledhura nga nipi i tij, dr. Jovan Bashua, doktor Jani Bashua përshkruan me hollësi këtë moment:


Ka qenë 16 dhjetori 1930. Mbreti Zog, sapo hëngri darkë, i filluan disa dhimbje të forta barku. Pasi e viziton dr. Jani Bashua e këshillon mbretin që të shtrihej. Sipas Jani Bashos, mbreti Zog, prej dy vjetësh vuante nga një sëmundje zorrësh. Në këtë situatë u shtrua problemi që të vërtetohej diagnoza.


Pas dy ditësh, mbreti Zog thërret dr. Jani Bashon dhe i thotë që të përgatitej se do të shkonin së bashku në Romë për analiza të hollësishme. Dr. Jani Bashua i përgjigjet se ishte e drejta e tij, por nëse do t`i merrte mendim atij, duhet të shkonin të vizitoheshin në Vjenë.


Mbreti Zog ia miratoi propozimin dhe natën e 26 janarit, delegacioni i lartë shqiptar, me pasaporta me emra të falsifikuar për të ruajtur sekretin, u nis nga Durrësi me një kaçatorpedinier të flotës italiane, i cili të nesërmen i çoi në Trieste. Aty i priste treni personal i Viktor Emanuelit, me të cilin mbërritën në Vjenë dhe më pas u sistemuan në hotelin Imperial.


Në Vjenë, dr. Jani Bashua takoi profesorët e tij dhe njëherazi dhe miqtë e tij, ndër të cilët, aktorin e famshëm Aleksandër Moisiu. Në takimin që ai pati tek shokët e tij dhe miqtë e ngushtë, ata i bënë një kërkesë:


Miku i tij, Albert Ajnshtajni, ishte në rrezik dhe kërkohej nga nazistët gjermanë si hebre dhe duhej të largohej, por e kishte të pamundur, pasi pasaportën e tij gjermane ia kishte sekuestruar gestapoja. Kështu, i thanë ata, meqenëse ju jeni mjeku personal i mbretit Zog, i thoni mbretit t'i japë një pasaportë shqiptare.


Pas vizitave të shumta dhe analizave që iu bënë mbretit Zog nga mjekët më të mirë austriakë dhe veçanërisht prof. Hollznecht-i, i cili i bëri më shumë se 30 radiografi për t`i përcaktuar diagnozën, në një moment pushimi, kur mbreti Zog po pinte kafe me dr. Janin në ambientet e hotelit, dr. Jani Bashua i bën kërkesën mbretit Zog që të pajiset shkencëtari Albert Ajnshtajni me pasaportë shqiptare, sepse jeta e tij është në rrezik nga nazistët.


Mbreti, pasi e dëgjoi deri në fund propozimin e mjekut të tij personal, i thotë, dakord, thuaji të vijë në Shqipëri dhe bëje t`i doktor Jani një herë pogradecar, si banues të Poradecit, më pas i japim një pasaportë shqiptare.


Në kujtimet e tij, thotë dr. Bashua, atë ditë kur i bëri kërkesën, mbreti ishte në formë të mirë dhe në mbrëmje ata shkuan së bashku në operën e Vjenës për të parë "Aidën" e Verdit. Por, kur dolën jashtë tek porta anësore ku po prisnin dy makina, mbreti Zog ishte në makinën e parë me truprojën e tij Llesh Topallajn dhe me Eqerem Libohovën.


Sapo hipnim në makinë, kujton dr. Jani Bashua, u dëgjuan të shtëna armësh që na erdhën nga anash. Lleshi u rrëzua për tokë, ndërsa Eqerem Libohova ishte plagosur në pulpën e këmbës. Mbreti Zog u ul në gjunjë dhe mori pozicion dhe filloi që të shtjerë me pistoletën që kishte në brez andej nga erdhën krismat.


Dr. Jani Bashua thotë se menjëherë shkova tek mbreti Zog dhe e pyeta se si ishte, por ai më tha shiko të tjerët se ai ishte mirë. Shkova tek Topallaj dhe pashë që ai kishte vdekur nga një plumb që e kishte zënë në arterien kardiake në qafë. Më pas i lidha këmbën Eqerem Libohovës për të ndërprerë hemorragjinë dhe u nisëm drejt spitalit.


Por, vazhdon dr. Jani Bashua, mbreti Zog e mbajti premtimin dhe një ditë ma rikujtoi që t`i thuash atij shkencëtarit që të vijë në Shqipëri dhe ta pajisim me pasaportë shqiptare.




Po cilat janë dëshmitë e tjera që e vërtetojnë këtë?



Dr. Prof. Jovan Bashua, i cili është marrë me mbledhjen e kujtimeve të xhaxhait të babait të tij, Jani Basho, thotë për gazetën "Shekulli":


Para se të vinte në Shqipëri, në qershor të vitit 2002, mbretëresha Geraldinë i dha një intervistë një gazetari anglez në revistën "Style", me titull "Kthimi i mbretëreshës", ku deklaron se në Shqipëri kishte ardhur Albert Ajnshtajni dhe mbreti Zog e kishte pajisur me pasaportë shqiptare.


Së dyti, ish-bankieri i Bankës Kombëtare Shqiptare në kohën e Zogut, Ajeti Bega, i ka deklaruar ish-drejtorit të Fizikës Bërthamore, prof. Dr. Skënder Kojës, se Ajeti Bega kishte takuar personalisht në Bankën Shqiptare Albert Ajnshtajnin, në fillim të vitit 1931, kur Ajnshtajni i ishte paraqitur në Bankën Kombëtare Shqiptare për të kryer disa veprime midis Bankës Shqiptare dhe asaj gjermane.


Por, nëpunësi Bankës, Ajeti Bega, tregon se ai nuk e ndihmonte dot, pasi banka e tyre veprime të tilla nuk kishte kryer në atë kohë. Atëherë, Albert Ajnshtajni i ka thënë Ajeti Begës që t`i thoshte pak drejtorit të tij që e kërkonte Albert Ajnshtajni për të sqaruar diçka.


Sapo Ajeti është futur në zyrën e drejtorit të bankës, i cili ishte italian dhe i ka thënë se e kërkonte Albert Ajnshajni, ai është ngritur më vrull nga karrigia dhe ka thënë "si ka mundësi të më kërkojë Albert Ajnshtajni". Kush është ky, e kishte pyetur Ajeti Bega? Është një nga shkencëtarët më të mëdhenj të botës.


Më pas, Ajnshtajni ka prishur një çek me një shumë të caktuar që ia kishte dhënë mbreti Zog si dhuratë. Sipas dokumenteve zyrtare, Albert Ajnshtajni, në Bankën e Tiranës ka qenë më datën 9 prill 1931, ku ka kryer dhe veprimet e mësipërme.


Më datën 10 prill, dr. Jani Bashua ka marrë certifikatën me emrin e Ajnshtajnit në Pogradec dhe më pas është plotësuar me ndërhyrjen direkte të mbretit Zog pasaporta me nënshtetësi shqiptare e Albert Ajnshtajnit nga Ministria e Brendshme shqiptare.


Sipas të dhënave zyrtare, Albert Ajnshtajnit, pasaporta gjermane i ishte sekuestruar nga Gjermania naziste dhe sipas të dhënave zyrtare, Albert Ajnshtajni ka shkuar dy herë në Amerikë në dhjetor të 1931-shit dhe në vitin 1932, me pasaportën shqiptare që e pajisi mbreti Zog, pasi nuk kishte pasaportë tjetër.


Vetëm në fund të vitit 1932, Albert Ajnshtajni ka marrë edhe një pasaportë tjetër nga shteti zviceran, ndërkohë që të gjitha shërbimet e vitit 1931 dhe 1932 i ka kryer me pasaportën shqiptare.


Padyshim, thekson Dr. Prof. Jovan Bashua, populli ynë me të drejtë duhet të krenohet se ka shpëtuar mijëra hebrej dhe midis tyre dhe shkencëtarin më të madh të shek XX, Albert Ajnshtajnin.


Kush ishte Jani Bashua?




U lind në Pogradec në vitin 1892. Pogradeci i dha kaltërsinë e liqenit dhe mallin e pashuar për vendlindjen, qyteti i Manastirit i dha formimin fillestar ku kreu liceun, kurse Vjena i dha profesionin e mjekut me diplomë të shkëlqyer. Vjena e formoi si intelektual dhe si shkencëtar. Ndërkohë, revista "Djalëria" që ai drejtonte në Vjenë, i dha rastin të shpalosë talentin edhe si publicist.


Tirana, kryeqyteti i vendit të tij ku ai shërbeu për një kohë të gjatë, e bëri të njohur si mjek. Dr. Jani Bashua është ai që krijoi rrjetin e parë shëndetësor të vendit, përkrah me mjekët e famshëm të asaj kohe, Rifat Frashërin, Bilal Golemin, Frederik Shirokën, etj.
Doktor Jani Bashua ka bërë pjesë në ajkën e rinisë Universitare vjeneze të shekullit XX. Kjo e bëri të njohur më Aleksandër Moisiun dhe miqësinë shumëvjeçare me Albert Ajnshtajnin.


Mik i ngushtë me dy korifej të letrave, bashkëqytetarët e tij, Lasgush Poradecin dhe Mitrush Kutelin, dhe për shumë vite mjek personal i mbretit Zog, i cili jo vetëm kreu detyrën e mjekut, por dhe të një këshilltari të mirë. Pas çlirimit ka punuar në poste drejtuese si drejtor i spitalit Obstetrik-Gjinekologjik në Tiranë.


Më pas, dr. Jani Bashua krijoi bërthamën e spitaleve të qendrës spitalore "Nënë Tereza". Dr. Jani Bashua është themeluesi i Obstetrikës dhe Gjinekologjisë dhe hartuesi librave shkencorë të kësaj fushe. Ndahet nga jeta më 12.2.1957.

Lind fronti i REZISTENCES SOCIALE

Mbi 120 punëtorë shqiptarë humbën jetën në aksidente të ndryshme në punë gjatë vitit 2008, ngaqë autoritetet marrin rryshfet nga firmat private, për të mos u vënë atyre rregulla sigurie në punë.


Mbi 300 shqiptarë humbën jetën në spitalet publike të Republikës së Shqipërisë si pasojë e shërbimit të dobët mjekësor.

Mbi 350 shqiptarë humbën jetën në aksidente automobilistike më 2008 si pasojë e vjedhjes së fondeve për një sistem bashkëkohor komunikacioni.

Mbi 75 shqiptarë kryen vetëvrasje më 2008 si pasojë e dëshpërimit, mungesës së shpresës dhe zhgënjimit nga atdheu i tyre.

Shteti shqiptar, la të digjen të gjallë, mbi 20 shqiptarë më 2008 në shtëpitë e tyre. Të paktën 50 shqiptarë, mes të cilëve të paktën 10 fëmijë, u vranë drejtpërdrejt më 2008 në Gërdec e Liqenin e Farkës, Gjirokastër dhe “aksidente” të tjera të përgatitura nga etja për para e pushtetit dhe të toleruara në mënyrë të dyshimtë nga opozita.

Është i panjohur numri i shqiptarëve që vdiqën nga uria, kequshqyerja, apo dështimi i dhënies së shërbimeve publike për të cilat ata paguajnë taksa.

Me mijëra të rinj shqiptarë iu shtuan ushtrisë së të papunëve, pasi mbaruan më 2008 studimet në universitete pirate private të licencuara, kundrejt rryshfetit nga autoritetet.
Opozita shqiptare, përfaqësuesit e shoqërisë civile, artit dhe kulturës dhanë ndihmesën e tyre në këtë masakër duke bashkëpunuar ose heshtur.
Të gjithë këta njerëz janë bashkëpunëtorë në vrasje masive dhe genocid.

Fronti i Rezistencës Sociale, u kërkon me mirësjellje këtyre njerëzve që si profesion kanë vrasjen, mashtrimin apo vjedhjen e shqiptarëve, që të ndalin ritmet e punës së tyre dhe tërhiqen vullnetarisht nga skena. Në të kundërt, “aksidentet në punë” do t’i vizitojnë edhe ata.

GJATË KONFLIKTIT IZRAEL-PALESTINË MË 2008 U VRANË 320 CIVILË
GJATË “PAQES” SHQIPTARE MË 2008 U VRANË MBI 800 PERSONA
SHPËRNDAJE FJALËN !
MOS U DORËZO PA LUFTË!
BËJ REZISTENCËN TËNDE!



Burimi : G. Tema

“Një kryevepër nga Nëna e madhe shqiptare, Terezë”

"Sëmundja më e rëndë e ditëve tona nuk është gërbula, as tuberkulozi. Njeriu e ndjen veten të sëmurë, sepse i braktisur nga të gjithë, pa dashuri, pa mbrojtje.
Sëmundja më e rëndë është mungesa e dashurisë dhe e mëshirës, indiferenca e tmerrshme e të gjithëve për të gjithë e, në radhë të parë, për ata që janë viktima të shfrytëzimit, të korrupsionit, të mashtrimit, të varfërisë e të sëmundjes.
Nuk është vështirë të flasësh për varfërinë, kur e ke larg, e edhe ta harrosh menjëherë.
Sëmundja më e rëndë e kohës nuk është gërbula, tuberkulozi, as kanceri, por ndjenja e padurueshme e vetmisë, që e bën njeriun ta ndjejë veten të padëshirueshëm, e bën të harrojë ç'është gëzimi njerëzor, ç'është ndjenja njerëzore, ç' do të thotë të duhesh e të duash.
Mendoj se situata të tilla i gjejmë edhe në familje, ku nuk mungojnë të mirat materiale.
Kudo ndjehet fort uria e etja për dashuri, pikërisht sepse mungon dashuria.
E kjo e bën botën tepër të varfër.
Në vendet e botës perëndimore sot besohet se nuk ka uri të mirëfilltë.
Besohet edhe se nuk ekziston kjo vetmi e tmerrshme, nga e cila vuajnë shumë njerëz.
Në perëndim a në lindje qoftë, uria nuk duhet kuptuar thjeshtë si mungesë e bukës së përditshme.
Bota sot ka uri e uri të tmerrshme. Ka për dashurinë. Lakuriqësi nuk quhet vetëm mungesa e rrobave, por edhe mungesa e dinjitetit njerëzor, nga i cili i kemi zhveshur fare njerëzit e varfër, duke i trajtuar si të ishin qenie të kota, si hajdutë, si rrugaçë, që s'vlejnë dy para.
Ne nuk kemi nevojë për publicitet.

Mjafton që njeriu të dojë….".Gonxhe Bojaxhiu


Pasaporta

Emri i plotë: Gonxhe Bojaxhiu (Anjeza) - Nënë Tereza.
Emri i lindjes: Gonxhe Bojaxhiu.
Datë lindja: 27 gusht 1910.
Vend lindja: Shkup.
Gjinia: Femër.
Anjeza: Emri që mori në moshën 18 vjeçe kur u bë murgeshë.
Nënë Tereza: U quajt kur themeloi Urdhërin "Misionaret e Dashurisë".
Punët e rëndësishme: Shërbeu për popullin gjithë jetën e Saj.
Data e vdekjes: 5 shtator 1997.
Vend vdekja: Kalkuta, Indi.

Thënje të Nënë Terezës

"Atdheu im është Shqipëria. Unë gjithmon e kam në zemër popullin tem shqiptar dhe luti Zotin që paqa dhe dashnija e tij të jetë në zemrat tona në çdo familje".
Oslo, 10 dhjetor 1979,me rastin e marjes së çmimit Nobel për Paqen.

"Me gjak jam shqiptare; me nënshtetësi, indiane. Përsa i përket besimit, jam murgeshë katolike. Sipas thirrjes, i përkas botës. Por zemra ime i përket plotësisht Zemrës së Krishtit".


Jeta është e bukur,adhuroje.
Jeta është ëndërr, jetoje.
Jeta është sfide, përballu me të.
Jeta është loje, luaje.
Jeta është detyrë, plotësoje.
Jeta është e shtrenjtë, vlerësoje.
Jeta është mundësi, përfito nga ajo.
Jeta është pasuri, ruaje.
Jeta është dashuri, shijoje.
Jeta është mister, zbuloje.
Jeta është dhimbje, sfidoje.
Jeta është këngë, këndoje.
Jeta është tragjedi, shmangiu.
Jeta është fat, përfito.
Jeta është aventurë, kujdes.
Jeta është shumë e çmuar, duaje.
Jeta është luftë, mësohu dhe me të.
Jeta është jetë, lufto për të..."


FOTODISKUTIM :Dialektet shqiptare

Kjo hartë është realizuar nga një "amerikan i thjeshtë" (pasionant i gjuhës shqipe), që është bazuar në literaturat shqiptare dhe të huaja, mbi dialektet shqiptare:

Turizmi shqiptar !

Ndryshe nga pjesa tjetër e shqiptarëve të Kosovës, Maqedonisë etj, që i qëndrojnë besnikë bregdetit shqiptar, apo si një pjese e mirë e emigranteve shqiptarë, që pothuaj çdo sezon veror, pushon në Shqipëri, një numër gjithmonë e në rritje i shqiptarëve banues ne Shqipëri, së fundmi zgjedh të kalojë pushimet dhe të shpenzojne të ardhurat në Turqi, Egjipt, Mal të Zi, Greqi apo gjetkë...

Ç'mendoni per turizmin shqiptar ?



Me turizëm theksoj, nuk nënkuptojme vetëm turizmin bregdetar, pasi vendi ynë, është i dalluar për monumente të natyrës, por edhe për monumente të kulturës.

Mendoni që turizmi po shihet si prioritet nga shteti Shqiptar për zhvillimin e ekonomisë, apo kjo është vetëm një demagogji ?

Si jane shërbimet dhe kushtet për pushuesit në Shqipëri ?

Ku i kryeni pushimet verore dhe ku na sygjeroni ti kalojmë ato ?

Historia e veshjes shqiptare të Lord Bajronit

Romakët u frymëzuan nga fustanella ilire kur krijuan veshjet e legjionarëve. Kostumi Shqiptar i veshur nga Bajroni eshte pronë e njërës prej familjeve më të famshme britanike dhe është shfaqur në Londër.

Vizita në Shqipëri i la mbresa të thella Bajronit. Te shqiptarët ai pa një shpirt të veçantë, i cili ndezi imagjinatën e tij poetike për tema ekzotike. Në shënimet e mbajtura, kur ishte në Shqipëri, për poemën "Shtegtimi i Çajld Haroldit", ai shkruante për shqiptarët: "Më tërheqin shumë me atë ngjashmërinë e tyre me malsoret e Skocisë, në veshje, në pamje dhe në mënyrën e jetesës. Malet e tyre të shumta ngjajnë me Kaledoninë dhe kanë një klimë të këndshme. Fustanellat e tyre të bardha, veprimet energjike që kryejnë dhe dialekti i tyre, që përngjan me tingujt keltikë, janë mbresëlënëse. "Si kujtim ai mori një kostum tradicional shqiptar, me të cilin piktori Tomas Filips i ka bërë një portret. Ky kostum ka një histori më të gjatë. Ai tani është i paraqitur në Bowood Estates, Angli.

Në përshkrimin e udhëtimeve të tij Bajroni thotë: "Në udhëtimet e mia kam mësuar të mendoj si filozof, dhe po të mos bëja ashtu, ankimi s'do të kish dobi. Për fat të mirë, era reshti dhe vetëm na ngau drejt bregdetit të Sulit, ku dolëm në stere. Me ndihmën e vendasve vazhduam udhën për në Prevezë. Kështu, këtej e tutje nuk do t'u zë besë naftëve turq, megjithëse pashai pati udhëzuar galeotët e tij të më shpinin në Patra. Prandaj do të shkoj në Mesalongj nga stereja dhe do të kapërcej vetëm një gji deti të vogël në Patra. E sa e sa ngjarje mund të të tregoja që do të të zbavisnin, por më grumbullohen në tru dhe as jam i zoti t'i radhit në kokë, as t'i shkruaj dot në kartë, veçse në mënyrë të menjëhershme. I dua shumë shqiptarët. Nuk jane të gjithë myslimanë, disa nga fiset janë të krishtere… Kurrë s'do ta harroj pamjen e mrekullueshme me të hyrë në Tepelenë në orën 5 ndajnatherë, kur po perëndonte dielli. Më solli në mend (me pak ndryshime të veshjes) përshkrimin që i bën Skoti kështjellës Brankseme në këngën e tij dhe sistemin feudal. Shqiptarët me petkun e tyre (me më të bukurin në botë; me fustanellë të gjatë të bardhë, tallagane të qëndisura me ar me anteri e jelek kadifeje të kuqe, të qëndisura me ojna të arta), me jataganë e pisqollë të sermët, tartarët me feste të gjata, turqit me qyrk të madh e turban, ushtarët togje-togje në qoshkun e madh, të hapur në ballë të pallatit dhe skllevërit arabë në galerinë e madhe, të gjatë, me kuaj të vendosur në një qilar përposhtë, dyqind atllarë të shaluar dhe gati të sulen në çdo moment, kalorës duke sjellë e duke shpënë lajmet e ndryshme, daullet e muezinët që thërrasin ezanin nga minaretë e xhamive - të gjitha këto me pamjen e jashtëzakonshme të ndërtesës vetë, sajonin një skenë të re gëzimi për sytë e një të huaji. Më përcollën në një konak shumë të këndshëm dhe sekretari i vezirit erdhi të më përshëndesë, në mënyrë allaturka".

Interesant është fakti se Bajroni mori pjesë edhe ne varrimin e Marko Boçarit. Më 9 gusht 1823, Marko Boçari u vra duke luftuar kundra ushtrisë së Mustafa Bushatit, shqiptar edhe ky, Pasha i Shkodrës. Vdekja Marko Boçarit u bë e njohur në të gjithë Europën, ai i kishte shkruajtur një letër Bajronit kur ky ishte rrugës për në Mesollogji. Poeti i madh anglez Lordi Bajron erdhi kur Marko Boçari kishte vdekur, dhe mbajti një fjalim mbi varrin e Markos i veshur me kostumin e njohur kombëtar Shqiptar ose arvanitas. Pas pak kohësh turko-egjiptianët u përpoqën ta poshtrojnë varrin e Marko Boçarit, por arvanitët (shqiptarët) myslimanë u sullen kundër tyre dhe i penguan të poshtërojnë varrin e heroit. Ata e morrën trupin e Markos dhe e varrosën me nderim heroik, me një cermoni të thjeshtë.

Gjatë vizitës së tij në Shqipërinë jugore e më saktësisht në Janinë në vitin 1808, lord Bajroni mori si kujtim nga ato vise një kostum tradicional shqiptar. Do të ishte pikërisht bukuria dhe e veçanta e këtij kostumi, që në verën e vitit 1813 do ta shtynin piktorin Tomas Filips që të realizonte portretin e famshëm të lord Bajronit veshur me kostumin shqiptar. Portreti titullohet "Portrait of a Nobleman in the dress of an Albanian" (portret i një fisniku me veshje shqiptare) dhe paraqet Bajronin me një veshje ku ndërthuren e purpurta dhe e arta e jelekut me vizat gri e blu të një një turbani që i përngjan më shumë një shalli; e bardha e këmishës dhe e fustanellës me të zezën e kadifenjtë të një xhakete. Ai mban në duar një jatagan i cili ka një këllëf të purpurt e të argjendtë. Portreti u vendos asokohe në Royal Academy dhe tani është i vendosur në amasadën britanike në Athinë. Megjithatë, ky nuk ishte i vetmi portret që piktori i bëri Bajronit. Në 1835 dhe në 1840 Filips pikturoi dy variante të tjera të këtij portreti. I pari iu dhurua më 1862, nga i biri i piktorit, Galerisë Kombëtare të Portreteve (National Portrait Gallery) në Londër, ku vazhdon të jetë i ekspozuar aktualisht. Ndërsa varianti i dytë, që u komisionua nga Xhon Murrej, botuesi i Bajronit, ndodhet i ekspozuar me publikimet e firmës në Albermarle Street, Londër.

Bajroni ka pasur një korrespondencë flirtuese me Margaret Mercer Elfiston, të bijën e lord Keitit dhe më 1814, ai i dhuroi asaj kostumin Shqiptar duke i sugjeruar që ta përdorte si veshje balloje, pasi kjo veshje ishte e veçantë. Më pas kostumi kaloi nën zotërimin e familjes Lansdoun dhe u rizbulua në vitin 1962. Një nxënëse që studionte Bajronin, e quajtur Doris Lenglej Mor, shkon në familjen Landsdoun e, më saktësisht, në Bowood House, në Wiltshire për të marrë materiale në lidhje me këtë familje dhe e njeh këtë kostum. Në një artikull të publikuar në "Costume Society Journal" në 1971, Mor përshkruan emocionin që pati ndjerë kur kishte mbajtur në duar atë kostum. Pasi u shfaq në Muzeun e Kostumeve, në Bath, kostumi shqiptar ishte kthyer në Bowood për t'u ekspozuar. Pikërisht dy jelekë të marrë nga ky kostum tashmë janë të varur në murin e dhomës në të cilën qëndronte dikur Mercer Elfinstoni. Kjo gjë tregon një lidhje të dukshme mes Bajronit dhe Shqipërisë.

Rezidenca Bowood House & Gardens u ble nga duka i dytë i Shelburnit në 1754, në një gjendje gjysmë të kompletuar dhe u përfundua para vitit 1760. Një pjesë e shtëpisë u shkatërrua në 1955, dhe pjesa e mbetur u riorganizua mjaft mirë. Gjysma e asaj që ka mbetur është e hapur për vizitorët. Sër Uilliam Peti ishte stërgjyshi i kësaj familjeje dhe baronesha Shelburn ishte gruaja që ai e la të ve. Djali i tyre i madh u bë markezi i parë i Landsdounit. Ai njihej më mirë si Shelburni që ndihmoi Jozef Preslin, kimistin e parë që zbuloi formulën e oksigjenit në Bowood. Gjithashtu, Shelburni ka pasur komunukime të shpeshta edhe me Xhonsonin, Goldsmithin, Hymen dhe Xhorxh Uashingtonin. Akti i tij më heroik, pasi ishte bërë kryeminstër, ishte negocimi për paqe me shumë të rejat Shtete të Bashkuara të Amerikës më 1783. Djali i tij krijoi një koleksion mahnitës arti dhe një librari madhështore. Nipi i tij u bë Guvernatori i Përgjithshëm i Kanadasë, i Viceroit të Indisë, si dhe sekretari i Jashtëm për disa kohë. Ishte ky i fundit që arriti në Entente Cordial (Marrëveshje mirëkuptimi) me Francën në vitin 1904 dhe, po ashtu, arriti që të vendosë paqen nëpërmjet negociatave me Gjermaninë në vitin 1917. Janë pikërisht këta disa prej njerëzve më të mëdhenj që ka nxjerrë kjo familje.

Tashmë sende personale e objekte të tjera të ndryshme të pjesëtarëve të kësaj familjeje qëndrojnë në shtëpinë e transformuar në muze, e cila është e zbukuruar nga një kompozim shekullor mobiljesh. Rreth shtëpisë shtrihen rreth 800 ha lëndina, një pyll i vogël me pisha, një kopsht lulesh, një tempull i stilit dorik dhe një ujvarë spektakolare. Djali i markezit të tetë, lordi Shelburn, mori në dorë drejtimin e Bowood-it në vitin 1972. Ai hapi shtëpinë dhe ambientet rreth saj për publikun në vitin 1975 e, më vonë, i ktheu stallat e kuajve dhe dhomat e stallierëve në ambiente ekspozimi, në një restorant dhe në një dyqan dhuratash. Pikërisht këtu është i ekspozuar kostumi shqiptar i lord Bajronit. Kostumi i është veshur një manekini. Gjithashtu, në ekspozim janë dhe maska e vdekjes së Napoleonit, gurët e çmuar të Keitit dhe një koleksion sa i rrallë aq edhe i jashtëzakonshëm pikturash angleze, të punuara në akuarel, ndërmjet të cilave qëndrojnë edhe punimet e të njohurve Bonington dhe Turner. Deri tani ky është stacioni i fundit i veshjes së hershme shqiptare.

Lord Bajroni përsëri me veshje tradicionale shqiptare (1788-1824)


Romakët u frymëzuan nga fustanella ilire kur krijuan veshjet e legjionarëve. Fustanella e famshme shqiptare ishte një veshje e zakonshme për burra në shekullin XIII. Ajo ishte veshur rregullisht nga fisi i dalmatëve, njëri prej fiseve ilire. Në atë kohë ajo quhej "dalmatika". Megjithatë, ekzistojnë teori se fustanella e ka origjinën e saj shumë më të hershme dhe ka pasur pamjen e një këmishe të gjatë që quhej "linja", e cila kur lidhej në mes nga një shirit ngjasonte me fustanellën. Copa me të cilën bëhej veshja ishte në varësi të statusit shoqëror të personit që e mbante atë. Kështu, veshja mund të ishte e leshtë nëse vishej nga fshtarë, apo copë e kushtueshme nëse vishej nga të pasurit. Megjithëse fustanella ishte veshje tradicionale në të tërë Shqiprinë, ajo nuk i rezistoi kohës dhe mbeti si veshje tradicionale vetëm në disa vende të saj. Etnografi hungarez, baroni Nopça, besonte se fustanela shqiptare apo ilire, ishte modeli mbi të cilin u ndërtua veshja ushtarake romake.

L. Bajroni


Gjithashtu, edhe për sa i përket ngjashmërisë së saj me "kiltin" keltik. Ai teorizon gjithashtu se legjionarët romakë të vendosur në Britani ushtruan një ndikim jo të vogël midis vendasve. Pjesë e këtij ndikimi, sipas Nopçës, është edhe fustanella që romakët e patën marrë më parë nga dalmatët. Të paktën që nga shekulli XIV, filloi të prodhohej një veshje e forte pambuku, e cila u quajt fustan dhe që këtu e merr emrin fustanellë edhe kjo veshje burrash. Megjithatë, evidencat arkeologjike tregojnë se fustanella ka qenë një veshje shumë e hershme. Provat arkelogjike më të rëndësishme që hedhin dritë mbi lashtësinë e kësaj veshje janë: një statujë e vogël qeramike e shekullit IV e.s., e e cila është gjetur në Durrës. Kjo statujë paraqet një burrë të veshur me një fustanellë të gjatë, të cilën e ka të lidhur me dy breza që kryqëzohen në kraharor; një gur varri i shekullit III - IV e.s., i gjetur në Smokthinë (fshat pranë Vlorës), i cili tregon një burrë të veshur me fustanellë. Një gdhendje tjetër, akoma më e lashtë, është gjendur në Maribor, Slloveni, dhe tregon një burrë të veshur me një fustanellë dhe dy breza të kryqëuar në kraharor, pikërisht si në dy rastet e mësipërme. Kjo gdhendje daton në shekullin V p.e.s. Ndoshta Bajroni e dinte se veshja që po merrte nuk ishte veshja e një populli të zakonshëm e pa histori.

Albert Hitoaliaj , Panorama 04'

Nëse do të lexoni Wikipedian mbi etimologjinë e fustanellës, ajo e shpjegon me disa fjalë italisht që për mendimin tim nuk është aspak e saktë. Kemi fjalë krevat, e cila përbëhet nga kre+ve, pra vë kryet. Po kështu fustan, përbëhet nga fus+tan, fus të tëra dhe është plotësisht shqip.

Bashkimi kombëtar ka nisur...

Rrëmuja që përcolli dalja e të ashtuquajturës Enciklopedia Maqedonase çoi në paraqitje idesh nga më të ndryshme. E kjo enciklopedi për fatin e keq të maqedonasve nuk bëri tjetër vetëm se krijoi procesin rikoshet, duke trazuar kësisoj ndjenjën e atdhetarisë tek shqiptarët.

E kjo ndjenjë erdhi prej andej, e përcoll gjer në Tiranë dhe Prishtinë. Këtë e bënë as më pak e as më shumë vetëm se shqiptarët e Maqedonisë. E si të gjitha debatet rreth kësaj teme, për shqiptarët një pyetje do të mbetet për një kohë të gjatë varur dhe që do të përsëritet hiç pa u bërë e bezdisshme: A do të bashkohen trojet shqiptare?
Unë them që po, dhe madje kjo histori tashmë sapo ka nisur dhe pa dyshim do të kryhet pavarësisht pengesave të shumta.

Ky bashkim ka nisur së pari me Kosovën, dhe më tej dalëngadalë edhe me shqiptarët e Maqedonisë. Bashkimi me Kosovën nisi pas hyrjes së trupave të NATO-s atje dhe tashmë është në rrugë të sigurt përpara me kaq forcë po aq sa autostrada drejt Kukësit, që të çon fluturimthi në Prishtinë. E në një kohë jo shumë të largët, nëse Tirana zyrtare do të ketë pak vullnet një rrugë tjetër bashkimi do të bëhet edhe në drejtimin tjetër për në lindje, atje ku jetojnë mijëra shqiptarë.

Në fakt, Tirana më shumë se atdhetare do të jepte një kontribut të saj në investime publike, sepse atdhetaria vjen nga shqiptarët e Maqedonisë, të cilët me pafuqinë e tyre kanë arritur ta transmetojnë në të gjitha trojet ku flitet shqip. Një bashkim tjetër i madh, por i pa dukshëm ka nisur me shumë forcë, aq sa politika e ditës nuk e vë re. Duke u nisur nga një histori personale, dal në këtë ide, për të treguar se kombet bashkohen edhe atëherë kur të gjithë janë kundra, në rastin konkret sllavët, Evropa, por edhe zyrtarë të shumtë në Tiranë, Prishtinë e gjetkë në shqiptari, të shitur për të dhënë kontributin e tyre kundër këtij bashkimi.

Sepse unë besoj se në histori të gjitha rrugët e shtrembra dikur e gjejnë drejtimin e tyre, ashtu sikurse besoj se të gjitha kombet një ditë do të jenë të lirë. Kjo, as falë demokracisë e as falë politikës, por falë ekzistencës së jetës dhe lirisë së njeriut, të krijuar që në zanafillë, për të qenë rob i Zotit dhe jo i njëri-tjetrit. Para pesë vitesh, as që e kisha imagjinuar se Kosova, do të jetë një "atdhe i dytë" për mua. Tanimë, thjesht është një udhëtim në tokën time. Një miqësi e krijuar në Podujevë, shumë pak kilometra larg Serbisë, në dukje duket një rraskapitje dhe një udhëtim i pa shpresë.

E megjithatë, tani atje nuk ndihem më i huaj, një tokë që dikur nuk na kishin lejuar ta shkelnim. Nipërit e mi janë nga Podujeva, e unë larg tyre qindra kilometra. Kjo nuk na bën të jemi të huaj, por na ofron më shumë pavarësisht distancave. Ata mësojnë të flasin si ne dhe ne mësojmë të flasim si ata, duke përthyer kështu ato pak dallime të dialektit. Asgjë nuk na ndanë prej tyre. Edhe ato pak dallime të vogla janë shuar, dhe për ne Kosova është bërë një vend, ashtu sikurse Kukësi.

Martesa të tilla kanë nisur të shtohen tejet shumë. Gjatë një shëtitje një qytetin e Podujevës, në ndërtim e sipër, mësova se aty ishte martuar edhe nga një vajzë nga Vlora. Qesha paksa, por zemra mu ngroh sepse dy skaje të largëta të Shqiptarisë ishin bashkuar. E njëjta histori përsëritet edhe në Luginën e Preshevës. E kjo nuk bën tjetër, vetëm se ndërthurë identitetit dhe ato pak dallime kulturore që mund të kenë ekzistuar. Kjo i bën një, një dhe të pa ndashëm.

Kufiri me Kosovën, është vetëm një vijë e etiketuar, sepse sot ajo nuk shërben për asgjë, por edhe nëse shërben thjesht kjo nuk e pengon kombin. Sepse një komb, nuk bashkohet duke shkëmbyer territore apo duke krijuara vija të hekurta kufiri. Bash atëherë, kur ky lloj bashkimi imponohet popujt tentojnë gjer në vdekje për t’u arratisur, e për të gjetur atë që e mbajnë në zemër. Shqiptarët nga Maqedonia e kanë gjetur këtë rrugë, e fare mirë po jua mësojnë shqiptarëve këtej kufirit.

Një tjetër bashkim e kanë bërë edhe media. Le të rikthehem prapë në Podujevë. Askush nuk ndiqte mediat e Kosovës. Top-news më shoqëroi gjatë gjithë ditëve që qëndrova atje. Nga Tirana isha lodhur me mediat shqiptare, ndaj kërkoja të shihja realitetin mediatik në Kosovë. Për fat nuk mund ta shihja, sepse edhe atje, njësoj si këtu lajmet dëgjoheshin nga mediat e Tiranës.

E kjo nuk është pak. E njëjta situatë është edhe në Maqedoni. Atje, tashmë i përzgjedhin kanalet e Tiranës të majta apo të djathta, ashtu siç bëjmë ne këtu. Kjo do të thotë gjithashtu se ata janë në koherencë të plotë me pjesën tjetër të shqiptarisë, ndryshe ngase mund të jemi ne për popullin grek apo atë serb.

Punët janë në rrugë të mbarë, nëse do të ketë edhe pak angazhim nga politika, e cila jo gjithmonë shkon përkrah popullit në këtë drejtim. Nxitja e zhvillimit ekonomik midis qyteteve pan shqiptarë do të ishte gjithashtu një nxitje e madhe e bashkimit. Megjithatë, unë besoj se bashkimi më i mirë është ai bashkim që e realizon populli dhe jo politika. Bashkimi me anë të popullit i jep forcë të përjetshme këtij bashkimi e themelon në histori, është bashkim natyral.



P.S- Kur populli është imponues për bashkimin

Më kujtohet një herë kur një shqiptar nga Kosova u arrestua në Shtetet e Bashkuara. Në titull të një lajmi e vendosa kosovar dhe jo shqiptar. Kjo shkaktoi jo pak protesta tek shqiptarët, qe me sa duket ishin nga Kosova ose emigrant jashtë. Ata me anë të komenteve që dërguan në gazetë, kërkonin që shtetasi nga Kosova të mos quhej kosovar por shqiptar. Që prej asaj dite, më duhet të jem i kujdesshëm dhe tashmë nuk mund ta them kosovar por shqiptar, e për ta cilësuar, shqiptar nga Kosova.

Saimir Lleshi

Skandal në gjimnastikë

Problemet që kanë lindur nga krijimi i federatave paralele, vazhdojnë të jenë një shqetësim real në sportin shqiptar.

Rasti i fundit i takon tre gjimnasteve Ornela Cuko, Riselda Selaj dhe Alon Hasa, te cileve u duhet te shkojne me shpenzimet e tyre (rreth 4 mije euro ne kampionatin boteror), i cili do te zhvillohet ne Londer.

Gjimnastet jane pjese e federates shqiptare me president Flobens Dilaveri, i cili eshte legjitimuar nga Keshilli Arbitrazhit Sportiv dhe Federates Nderkombetare, por nuk njihen nga ministria e Sporteve.



Nderkohe komitetit olimpik kombetar shqiptar ka vendosur te sponsorizoje nje pjese te shpenzimeve pas nje kerkese te vete gjimnasteve . I njejti problem me federata paralele eshte prej kohesh te altetika dhe mundja.

Vizion+

Saturday, October 10, 2009

Besimtarët kanë Zot, përse jo Zonjë ???

Sipas logjikës njerëzore të krijimit, besimtarët nuk kanë nënë, por at lart në qiell...

Mirëpo po ta analizojmë më saktë, sipas po të njëjtës logjikë njerëzore, ajo që të krijon, që të sjell në jetë është nëna, sidomos nëse bëhet fjalë për ardhjen në jetë vetëm nga një prind i vetëm. Raste të tilla kemi me qindra në natyrë, sepse jo të gjitha krijesat riprodhohen në mënyrë seksuale.

Gjithashtu nga ana leksike, pse i duhet vënë gjinia mashkullore kur thuhet (Perëndi, At, Zot etj etj), kur ai/ajo nuk ka një gjini, sipas konceptit gjinor njerëzor ?

Më parë, shoqëria njerëzore karakterizohej nga pikëpamjet tejet maskiliste, që reflektohet edhe tek profetët, të cilët ishin përgjithësisht meshkuj, por sot që shoqëria njerëzore lufton për barazinë gjinore, përse i mbinatyrshmi duhet simbolizuar si Zot, si një mashkull ???



Shoqatat për të drejtat e grave duhet të ngrenë zërin për këtë shfaqje të hapur maskiliteti. Nëse emri i të mbinatyrshmit/shmes duhet patjetër të ketë një gjini, atëherë ajo duhet thirrur Zonjë dhe jo Zot.

Nostra. FV