Thursday, February 11, 2010

Eksodi shqiptar

Shqipërinë e kanë braktisur për shkaqe ekonomike mbi një milion qytetarë. Shteti shqiptar as nuk ka mundësi ekonomike, as dëshirë, as nuk e ka plan të bëjë ndonjë hap për t´i kthyer këta njerëz.

Jashtë vendit nuk gjenden vetëm ata që kërkojnë punë të rëndomta, por edhe shkrimtare e shkrimtarë, profesorë nëpër universitete perëndimore, gazetarë, kameramanë, sportiste e sportistë, këngëtare e këngëtarë, artiste e artistë, poete e poetë, madje edhe ish-politikane e politikanë.

Këta emra, apo më mirë, këta emra e mbiemra, që i lexojmë sot, pas disa dekadave do të shuhen dhe fëmijët e tyre do të asimilohen, mu siç janë asimiluar edhe ata, që patën ikur në fillim të shekullit të kaluar.

Shumë emra të mëdhenj, me të cilët ne mburremi sot, nuk kanë lënë pasardhës shqiptarë si vetja; jo se jo për nga fama profesionale apo angazhimi kombëtar, por as nga vetëdija kombëtare.

Për këtë dukuri ka një shpjegim shkencor: thuhet se fëmija diku rreth tridhjetë për qind të edukatës e merr nga familja, diku mbi tridhjetë nga shkolla dhe mbi tridhjetë nga shokët.

Nga kjo mund të konstatohet se fëmijët tanë mbeten diku 30 % shqiptarë, nëse martesat janë të përziera, atëherë teorikisht kjo përqindje përgjysmohet. Kjo përqindje tkurret akoma më shumë, kur të martohen fëmijët e mërgimtarëve të sotëm. Më së largu në brezin e tretë, shkrirja në kombin tjetër përmbyllet.

Arsyeja logjike: në vendet e huaja nuk prodhohen shqiptarët, por shqiptarët asimilohen! Këtë duhet ta ketë të qartë klasa politike në Shqipëri.

Sipas mbiemrit, edhe pas disa dekadave, mund t´i zbulojmë, por ata nuk do të ndjehen shqiptarë, siç nuk e ndjejnë veten ata në Turqi apo shqiptarë e lashtë në Greqi. Shteti shqiptar nuk brengoset për shkollimin e tyre. Detyra më të madhe që i ka caktuar vetes ky shtet është: anulimi i vizave brenda BE-së (!). Ta zëmë se ndodhi dikur.

Do të ketë dyndje të re: bashkëngjitja e familjeve, martesat, punësimi etj. Politikanët tanë, këtë ndodhi nuk e perceptojnë si alarmuese, por si progres.

Ata me emigrimin ndjehen të lehtësuar, sepse kështu zvogëlojnë papunësinë dhe qytetarinë sigurisht. (ata që emigrojnë janë kryesisht ata që duan ndryshimin e shpejtë, pra pjesa më qytetare dhe më kritike e një vendi).

Nëse përfundon kështu, në horizont nuk shihet asgjë që mund ta evitojë këtë ecuri, atëherë shumë shpejt mund ta dimë numrin përfundimtar të shqiptarëve! Me kësi ritmesh Shqipëria do të bëhet shpejt më e vogël se Maqedonia e sotme.

Dikur braktisëm vendin nga trysnia e pushtuesve, më vonë ikëm nga komunizmi, sot braktisim vendin nga qeveritarët e paaftë që i kemi. Kur shteti nuk është i aftë t´i mbajë njerëzit brenda, është e njëllojtë si kur prindi nuk mund t´i ushqejë dhe mbajë fëmijët në shtëpi. Prindi mund të arsyetohet, por pushtetarët jo. Ata paguhen për t´i ndryshuar rrethanat.

Dallimi në mes diktaturës me karakter të fortë dhe demokracisë pa karakter është ky: Elita komuniste vdiq apo gjallon e varfër, mendonte se kishte zbuluar çelësin e universit dhe bazohej në ideale. Populli ishte i varfër, por në mënyrë modeste jetonin edhe "udhëheqësit". Ata jetuan shumë më keq se sa elita e sotme.

Ata nuk u lanë fëmijëve të tyre pasuri përrallore, siç do t´u lënë sot "politikanët e rinj" shqiptarë. Ata të dikurshmit flisnin për popullin dhe në emër të popullit dhe jetonin edhe vetë me iluzione.

Sot edhe këta flasin për popullin dhe në emër të tij, por nuk janë idealistë, por materialist tej për tej. Sot, këta, ëndrrat ia shesin vetëm qytetarëve të vetë, ama kur vjen puna te vetja, ata fitojnë mirë nga shitja e shpresave.

Praktikisht pasurohen vetë! Elita "demokratike" e këtyre viteve e ka siguruar jetën, madje jo aq sa zgjat një jetë njeriu, por edhe më tepër.
Si në Shqipëri, ashtu ndodh edhe në Kosovë. Ky shtet i ri nuk dinë as sa qytetarë ka jashtë vendit
.

Dikur pat dëbuar shqiptarët Serbia e kralit, pastaj Serbia komuniste, sot nuk çanë kokën për shqiptarët qeveria kosovare, që drejtohet nga patriotët e djeshëm!
Ky shtet ka mërgatë të madhe në Zvicër, në Gjermani, Belgjikë dhe vende të tjera. Në mërgim nuk krijohen shqiptarët, por asimilohen! Kosova e dinë mirë se çka ndodhur me shqiptarët në Turqi! Miliona shqiptarë janë shkrirë në turq.

Edhe ky vend, si Shqipëria, është në zbrazje e sipër. Tridhjetëmijë të rinj çdo vit paraqiten në tregun e punës, me mijëra, çdo vit ilegalisht braktisin vendin.

Lexohen diku 25 mijë gazeta në ditë dhe kjo tregon shumë për gjendjen ekonomike të vendit. Shqiptarët nga ky vend, ku miklohen për çdo ditë serbët, për kafshatën e gojës, kanë arritur edhe në Haiti.

Numri i emigrantëve nuk dihet, por mund të thuhet se diku pesëqind deri në shtatëqind mijë jetojnë jashtë shtetit. Pas disa dekadave, disa mijëra kthehen si pensionistë dhe fëmijët mbeten.

Nëse ai numër mund të merret si i saktë, atëherë domethënë se në Kosovë jetojnë diku një milion e treqind mijë apo në rastin ideal një milion e pesëqind mijë qytetarë. Nëse janë dhjetë për qind pakica, atëherë ky numër zbret edhe një herë dhe Kosova dalëngadalë, por sigurt nga numri i banorëve shqiptarë do t´i afrohet Malit të Zi.

Në kohën e kralit serb numri i shqiptarëve zvogëlohej, në kohën e Rankoviçit numri i shqiptarëve zvogëlohej, në kohën e Milosheviçit numri i shqiptarëve zvogëlohej. Numri i shqiptarëve brenda zvogëlohet edhe në kohën e politikanëve shqiptarë.

Dje pasuroheshin serbet në kurriz të shqiptarëve, sot pasurohen disa shqiptarë në kurriz të shqiptarëve e në Shqipëri ka edhe serbë që thonë se këto vetëm në dy vjet i paskan bërë 50 milionë euro pasuri në saj të miqësisë me kryeministrin e Tiranës!

Rezultati, mirëpo, është i njëjtë: me kral apo pa kral, me Rankoviç apo pa Rankovic, me Tito apo pa Tito, me Enver apo pa Enver, me qeveri demokratike në Shqipëri apo pa të, me Millosheviç apo pa Millosheviçin, me politikanë shqiptarë apo serb në Kosovë, me shqiptarë në qeverinë maqedonase apo pa shqiptarë, me parti politike shqiptare në Serbi apo pa to, me politikanë shqiptar në Mal të Zi apo pa ta, shqiptarët kanë fatin e njëjtë: varfërinë ose emigrimin! Përgjysmimin e familjeve dhe vuajtjen nga mungesa e kontakteve sociale.

Çdo shtet tjetër në Europë do të alarmohej, kur sheh se populli dhe inteligjencia po lëshon vendin. Çdo shtet tjetër në Europë do të alarmohej kur vëren se kombi po braktis vendin, mirëpo nuk brengosen qeveritarët shqiptarë.

Nëse nuk dinë se çka duhet të bëjnë për ta mbajtur kombin brenda, e si ta mbajnë, nëse nuk kanë fuqi dhe dituri për ta ndryshuar gjendjen ekonomike, nëse nuk kanë ide e aftësi, atëherë puna më e madhe patriotike, që mund të bëjnë në dobi të kombit, natyrisht nëse e duan kombin e vet siç çirren, do të ishte të tërhiqen nga politika dhe t´i lënë vendin idealistëve, atyre që nuk pasurohen vet, por që mundohen ta çojnë vendin para!

Nuk mund të pranohet gjendja faktike dhe nuk duhet pajtuar me këtë se shqiptari ka vetëm dy alternativa: varfëri ose emigrim! Ka ardhur koha të luftohet për të tretën: jeta me dinjitet në atdhe!

Qeveritarët e sotëm e kanë dëshmuar se nuk dinë ta bëjnë!
Të shkruash një artikull mbi sjelljet e papërgjegjshme të politikanëve shqiptarë, domethënë ta hedhësh veten në depresion dhe sapo ta mbarosh shkrimin, të kridhesh në vaj.

Ne kemi shkrimtarë me famë botërore, por politikanë të vegjël, shumë të potershëm. Ne kemi humanist me famë botërore, por politikan picërr, shamataxhi. Ne patëm trima të fortë dhe kemi politikan shumë të dobët.

Ne kemi qeveritarë të pasur dhe popull të varfër! Kemi shkencëtarë të njohur edhe në botë, por politikanë që lum ato shtete që nuk i kanë! Lum ato shtete që nuk i kanë politikanët tanë!

Konkluzion: Planet e Çubrilloviçit nuk mundi t´i realizojë Serbia, do t´i përfundojnë me sukses mosefikasitetit, padituria dhe plogështia e klasës politike shqiptare!


Naser Aliu, Shekulli

Kush e kërkon regjistrimin fetar?

Debati më i fundit në shoqërinë shqiptare për regjistrimin e popullsisë në bazë të deklarimit të kombësisë dhe fesë i përngjet një problemi të krijuar sesa një problemi ekzistues.

Nikolla Gejxh

Përgjigjen dhe zgjidhjen e ka marrë, që në vitin 1919 në bisedimet e Konferencës së Paqes në Paris, kur aleatët e Antantës i deklaruan Venizellosit kryeministrit grek të kohës, i cili dëshironte pikërisht një numërim të tillë të popullsisë të ashtuquajturit Vorio Epir, në fakt Shqipërisë së Jugut se besimi fetar nuk mund të merrej parasysh përpara gjuhës së folur si kriter për të përcaktuar kombësinë e popullatës.


Dhe ky vendim nuk u mor vetëm për të kënaqur Italinë, fuqinë e interesuar për Shqipërinë siç shprehet aty këtu historiografia greke, por u bazua në një vëzhgim të thellë, që komisioni i caktimit të kufijve ndërmori në terren. Kështu që pas këtij kapitulli të mbyllur historie tingëllojnë absurde përpjekjet e sotme, për të risjellë në skenë një praktikë të tillë.


Aq më tepër kur vende përreth nesh jo vetëm, që nuk e praktikojnë por në bazë të politikave të tyre asimiluese kanë bërë të mundur të asimilojnë grupe të tjera etnike për të çimentosur formulën e shtetit-komb.

A është ky regjistrim një kërkesë e Bashkimit Evropian apo kërkesë nga vendi fqinj Greqia e cila rezulton të jetë më e interesuara për tu zhvilluar një regjistrim të tillë të popullsisë? Duhet ta bëjmë këtë pyetje pasi shteti grek në mënyrë të një pas njëshme në të gjitha kohët dhe rrethanat historike ka vazhduar të pretendojë se qytetarët shqiptarë të besimit ortodoks i përkasin kombësisë greke. Sinqeriteti i administratës shqiptare për t'iu përgjigjur kësaj pyetje në fakt rrëzon dhe të gjitha alibitë dhe keqkuptimet e mundshme.


S'ka dyshim, që pas disa dekadave, që nuk kemi pasur një regjistrim të mirëfilltë fetar, ai është i domosdoshëm jo vetëm për të përcaktuar qartë raportin e komuniteteve fetare në vend, por dhe për të dëshmuar realitetin larg formulave të vjetra, që i përkasin gjysmës së shekullit të kaluar.


Ndërsa regjistrimi i popullsisë duke vetë deklaruar kombësinë tingëllon absurd pasi kombësia e një individi nuk mund të përcaktohet nga çfarë ai deklaron por nga origjina etnike e trashëguar nga prindërit. Arsyetimi i servirur nga disa përfaqësues të minoriteteve, se regjistrimet e popullsisë të ndërmarra gjatë regjimit komunist nuk i përgjigjen realitetit mund të jenë pjesërisht të sakta.


Nuk përjashtohet mundësia, që të jetë ushtruar presion mbi individë të veçantë për të mos deklaruar kombësinë e vet, por në përgjithësi shteti shqiptar i pas luftës së dytë botërore i respektoi të gjitha marrëveshjet për minoritetet, veçanërisht marrëveshjen për të drejtat e minoritetit grek, të nënshkruar më 1921, me rastin e pranimit të Shqipërisë në Ligën e Kombeve.

Debatet dhe përpjekjet e fundit për ta zgjeruar këtë zonë minoritare duke përfshirë Himarën, Korçën e Përmetin rikthen në skenë problemin, që Fuqitë e Mëdha në Paris i kanë dhënë përgjigje kështu, që rrjedhimisht pala shqiptare as që duhet të merret më me të për ta shqyrtuar. Shteti shqiptar duhet të tregojë më shumë kulturë shtetformuese duke respektuar shtetarët e vet të mëparshëm si dhe punën administrative të tyre.


S'duhet të lejojmë të kthehemi në kaviet eksperimentale të rajonit. Kjo gjë nuk ndodh në asnjë vend të rajonit, madje dhe në ato që pretendojnë se e kanë kryer këtë regjistrim prej shumë vitesh më parë.


Ç'mund të themi për regjistrimet e popullsisë në Greqi, ku sipas studiuesve të ndryshëm kur u kuptuan në shtetin grek territoret e Maqedonisë së sotme greke, një e treta e popullsisë ishte e kombësisë sllave, kurse në regjistrimet e sotme nuk gjen pothuajse asnjë individ të kësaj kombësie?!

Ky amatorizëm qeverisës i demonstruar për gjithë këto vite me radhë në marrëdhëniet tona me fqinjët , ka dhënë goditje të fuqishme ndaj individit shqiptar i cili nën peshën e halleve të jetesës së përditshme është tkurrur moralisht sa të pranojë dhe të vetë deklarohet i njërës apo tjetrës kombësi për të përfituar sadopak mirëqenie.


Afro 90 vjet më parë oficerët e Komisionit Ndërkombëtar të caktimit të kufijve midis Shqipërisë dhe Greqisë, pas dëgjimit të korit të banorëve, të instruktuar me anë të dhunës nga ushtritë greke të okupacionit, që të deklaronin se ishin grekë, hidhnin mes fëmijëve monedha dhe dëgjonin gjuhën që flisnin dhe pastaj vendosnin se kujt kombi i përkiste popullata duke marrë si kriter dallues gjuhën e folur.


Në këtë mënyrë shumë fshatra shqiptarë me popullsi ortodokse qëndruan brenda kufijve të Shqipërisë. 90 vjet më pas a do të lejojnë shqiptarët që faktori "monedhë" kësaj radhe të veprojë në të kundërt të tyre?

Dorian Koçi *Autori është pedagog i Historisë. Shekulli

Përse llapaqenët e politikës po na çojnë në vetëgjyqësi

Njëlloj si në diktaturë edhe sot, po dole kundër me siguri nesër do të gdhihesh armik i përbetuar i demokracisë ...

E pra, sot “grup armiqësor” mund të shpallet jo vetëm një njeri, po edhe një institucion i një rëndësie themelore si Gjykata Kushtetuese. Sot nuk habitet kush kur sheh se si mallkohesh, ndyhesh e poshtërohesh me rrënjë e me degë, qoftë edhe po të jesh Prokuror i Përgjithshëm, anëtar i Kushtetueses, pronar i një medie “kundër”, le më pastaj të jesh i pambrojtur nga asnjë parti...
F. Nano

Përbaltja vjen nga brenda e jashtë Shqipërie dhe bëhet aq e mënxyrtë, sa e vetmja zgjidhje që mbetet është: të mbulosh kokën me jorgan e të mos pipëtish d.m.th, të futesh si kërmilli në guaskë, ose të ikësh sa më parë e sa më larg nga Shqipëria për shkak të nëmosjes që të bën ish-”partia e dashtun”, e cila deri dje të pat dhënë ndere e “favore” e sot të quan “tradhtar” meqë na dole kundër.

Thelbi i sistemit të sotëm “demokratik” është ky: “Ku ishe ti dje e ku je sot, e kush të dha mundësi të jesh ky që je?”... Ose: “Kush të bëri deputet, ministër, anëtar të GJK-së, të Gjykatës së Lartë, të KLD-së, akademik, etj?...Ndaj ul kokën, shkel ligjet e dinjitetin, firmos tenderat, mashtro e gënje, brohorit nëpër mitingje edhe kur përmbytet vendi apo hidhet në erë”!
Kështu pra, nëse dje të rrasnin në burg ose të degdisnin në internim, sot llapaqenët e paskrupullt të politikës “demokratike” (ndoshta më saktë duhet thënë: të kryetarit të partisë), janë të vetëyshtur të dalin sakaq nëpër ekrane e podiume, si pilotë të vdekjes së moralit që t’ia bëjnë jetën sa më sterrtë kujtdo që del kundër. Sot nuk ka gjë më të rrënuar, më të pabesueshme e njëkohësisht edhe më të papërgjegjshme se Fjala publike që i serviret popullit si tagji, sidomos ajo Fjalë që del nga foltoret (nga bunkerët) e zëdhënësve të partive. Ja pra, përse në këtë gjasme-demokraci të gjithë ndihen të hasmosur e të kundërvënë. Kjo dukuri “arnaute” e vetëkarfosjes, e vetëshpalljes VIP i plotfuqishëm e person “historik” e ka të ndyrë gjuhën, ndaj e përkeq shoqërinë tonë “tranzicionale” moralisht, materialisht, mendërisht, fizikisht, strukturalisht...Kjo llapaqenëri nuk ka asnjë lidhje me hallet e popullit; kulmi arrin kur nga gjirizet e pushtetit ekzekutiv derdhet vrer e helm e zift edhe mbi organet “e pavarura” të Drejtësisë, gjë që nuk përmbyt vetëm shpresën tonë për një shtet të së drejtës, po vagëllon edhe mundësinë që nesër të kemi një shoqëri demokratike, ku të gjithë të ndihen të barabartë e të sigurt para Ligjit! Nëpërkëmbja e kësollojshme dhe e qëllimshme e Drejtësisë është vetëvrasje e demokracisë!
Sulmet më të fundit ndaj Gj. Kushtetuese dhe “pleqve” të saj janë shëmbëlltyra e një shteti tragjikomik që nuk funksionon normalisht e ligjërisht për shkak të kapjes, të ngutit për kapje sa më të shpejtë e totale të tij (d.m.th, të shtetit), po edhe të frikës për moskapje; andaj këto “fletërrufe” në qiell të hapët janë atentate që nuk na vijnë nga kriminelët e ikur “në drejtim të paditur”, po nga udhëheqësit e lartë të vendit, gjë që e bën situatën edhe më absurde, edhe më të pashpresë, edhe më dëshpëruese. Sepse, aty ku nuk jepet drejtësi, nuk ka e nuk mund të ketë as demokraci, dhe as liri!
***
S. Berisha

Për të kuptuar se ndër ne Drejtësia dhe gjykatat po veprojnë a mosveprojnë drejt, nëse ato japin drejtësi në varësi të interesit publik apo vetjak, në favor të qytetarit apo nëse janë të prirura që vendimet t’i pëlqejë kryetari i partisë në pushtet, mjafton të shihet se si po sillet këto ditë partia në pushtet ndaj Gj. Kushtetuese. Morali është fare i thjeshtë: vendimi i gjykatave quhet i drejtë e pranohet si i tillë vetëm po t’i pëlqejë kryetarit të partisë, përkatësisht Berishës!...Në këto njëzet vjet, janë të panumërt shembujt që dëshmojnë se drejtësi quhet vetëm ajo që “më pëlqen mua”! Në të kundërt, gjykatat, përfshi edhe Gj. Kushtetuese bashkë me anëtarët e saj, do të shpallen armiq, njerëz të lidhur me krimin, mafien, korrupsionin, madje edhe me krimet e komunizmit...E kjo klimë mbytëse e bën cilindo horr mediatik të hedhë çfarëdo lloj akuze, shpifje e ndyrësi mbi ta, sigurisht nëse dëshiron të bëjë karrierë e të përfitojë merita e pasuri që nuk i takojnë, si shpërblim për këtë shërbim amoral.
Është pikërisht kjo sjellje bashibozukësh partiakë, ky terror i papërballueshëm që ka shkatërruar në themel Drejtësinë. Kjo trysni e ka detyruar shumicën e gjyqtarëve dhe prokurorëve të shfaqen herë pas here si shërbëtorë të emëruar, pa dinjitet profesional e integritet moral. Me dhunën psikologjike e të frikësimit “me ligj”, pra me mjetin çudibërës të një “pushteti të pavarur”, gjykatësit janë detyruar (shtrënguar) të japin më shumë padrejtësi se drejtësi. Çështja “Gërdec” është padyshim më e shëmtuara, që do të mbetet e paharruar në analet e Drejtësisë së përçudnuar. Gjykatësit e kësaj çështjeje, përfshi sidomos ata të Gjykatës së Lartë, i lanë vetes një njollë që nuk do ta shuajë dot harresa kolektive, as justifikimi se “ne nuk kishim si t’ia bënim, pasi ashtu na detyronte Sali-politika”... Për një përfaqësues të lartë të Drejtësisë turpi dhe nderi janë cilësi vetjake, por ato nuk shpëlahen dot nga fytyra as me para, e as me fuqinë e pushtetit!

Por, si shpjegohet atëherë që ndryshe nga gjykatat e tjera, si ajo e Lartë, si Kolegji Zgjedhor e nivelet më të ulëta të gjykatave, anëtarët e Gj. Kushtetuese u treguan me integritet, meqë me një “guxim historik” shpallën si antikushtetues dy ligje tepër të rëndësishme e jetike të qeverisë Berisha, atë për kufirin detar e atë për spiunët?

Kjo ngjarje të mbresëshënjon, po të mendosh se vitet e fundit gjen pak raste, në mos aspak, që drejtues të lartë të organeve të “pavarura” të kenë guxuar t’i dalin përballë makinës mediatike të Berishës, si i doli së fundi Gj. Kushtetuese! Ndaj këto vendime, sa të gëzojnë, aq edhe të dëshpërojnë! Sepse, të gjithë anëtarët e GJK-se e dinin (edhe më parë kishin provuar në kurrizin e tyre dajakun gjithëpërfshirës ndaj “Mark-Avdisë”), se me vendimin që dhanë do të sulmoheshin në grup si “armiq të demokracisë” e “kriminelë të diktaturës”.

Ndaj, pas kësaj lind pyetja: si shpjegohet atëherë që ata nuk u tutën e nuk u frikën të jepnin ato vendime “historike” që dhanë? Mos vallë më në fund erdhën edhe në Shqipëri burrat e vërtetë të Drejtësisë, “Di Pietrot”? Mos vallë të nëntë anëtarët e GJK-se më në fund e kuptuan misionin e tyre, e papritur e pakujtuar u bënë të përgjegjshëm e të ndërgjegjshëm ndaj shoqërisë shqiptare, e cila siç dihet, po vuan e po heq të zitë e ullirit nga mungesa e frikshme e Drejtësisë, e cila përditë e më tepër po përfundon në vetëgjyqësi?! A thua atyre u ka dalë frika nga lukunia e propagandës së sotme?
E. Rama

Këto pyetje meritojnë një analizë, në mos shteruese, sadopak shpjeguese. Përgjigja e tyre ka lidhje jo vetëm me kuadrin ligjor e me cilësinë profesionale të drejtuesve të organeve të Drejtësisë (tashmë shumica e institucioneve “të pavarura” janë rrëmbushur me shërbëtorë lapërdharë të emëruar nga partia në pushtet, të cilët edhe kur zgjidhen nga Kuvendi janë të detyruar të mbeten në borxh ndaj kryetarit të partisë), e veçanërisht me domosdonë për një reformë rrënjësore (e lënë qëllimisht e pakryer), por e detyrueshme për t’u realizuar sa më shpejt...Ky është kushti parësor i Brukselit, që kërkon të nxjerrë nga theqafja e tranzicionit shoqërinë tonë për ta futur në rrugë të mbarë. Ndaj, shembujt e Gj. Kushtetuese vlejnë për të parë se si duhet të funksionojnë organet e tjera të Drejtësisë sonë të cunguar.
Dihet që një pjese të anëtarëve, pas disa muajsh do t’u mbarojë mandati. Veç kësaj ata janë në një moshë që nuk i lejon të kërkojnë një tjetër karrierë, pra nuk do të presin “në oborrin e partisë” me shpresën që kryetari i partisë t’i thërresë e t’i emërojë në një post tjetër...Për më tepër, ata kanë krijuar tashmë një emër vetjak, të cilin nuk duan ta lënë për kapar e si një njollë turpi për shitjen për herë të dytë të “Shën Naumit”...Për më tepër, edhe ekonomikisht, pas largimit e pas zëvendësimit të tyre, në gjallje, me ligj, statusi i tyre është i garantuar; pra ata do të jenë të pavarur nga dita e pensionit, gjë që do të thotë se ata do të kenë të ardhura të mjaftueshme për një pleqëri me dinjitet...Të gjitha këto janë argumente në favor të integritetit të tyre. Pra, nëse do të duhet të kryhet një reformë qëllimmirë, kushti duhet të jetë: garanci e plotë që organet e Drejtësisë të jenë vërtet të pavarura nga politika; të hiqet pra njëherë e përgjithmonë mundësia e pakufizuar dhe e pakontrolluar që i kanë dhënë vetes kryetarët e partive për të emëruar/shkarkuar/nëpërkëmbur gjyqtarët e prokurorët, nj’ashtu si veprojnë ata me emërimet në parti, me përzgjedhjet e listave për deputetë, ministra, doganierë a komisarë policie...Me një ligj organik të votuar me shumicë të cilësuar (jo si Presidenti i Republikës që tani zgjidhet e shkarkohet me 50% plus një), ata duhet të zgjidhen në KLD, në KLSH, në atë mënyrë që të mos mbeten borxhlinj të një partie e të një kryetari, d.m.th, të jenë aq të pavarur, të sigurt e të mbrojtur sa ç’janë kolegët e tyre në SHBA e Angli, po edhe në Itali, ku prokurorët dhe gjykatësit nuk frikësohen të thërresin për hetim e gjykim edhe manjatin Berluskon!


Se mos është më i fuqishëm Berisha se Berluskoni? Jo, por në Itali njerëzit e Drejtësisë janë më të mbrojtur nga Ligji se sa këta tanët, që detyrohen të përthyhen e të vetëleqendisen për hiçmosgjë!
KICO BLUSHI, Ballkanweb

Tuesday, February 9, 2010

Origjina e Skënderbeut, Dokument i rrallë i 1368 përmend Kastriotët nga Kanina e Vlorës

Për të ndriçuar në përgjithësi, një epokë të caktuar apo një personalitet të veçantë, të shquar në histori, siç është Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, domosdo duhet mbështetur në burime dokumentare që ruhen nëpër arkiva të ndryshme, qofshin ato të botuara, pjesërisht të botuara apo të pa botuara; të cilat janë si një hallkë ndërlidhëse në mes historisë kombëtare shqiptare, me historinë e vendeve të Ballkanit, Lindjes së Afërme dhe Evropës në veçanti.

Duke shfrytëzuar lëndën burimore, të Arkivit të Dubrovnikut, dokumentet origjinalë për shekullin e XIV-të, të cilët ruhen në fondin: seria e dokumenteve të Vjenës; në signaturën nr. 1019, kemi hasur origjinalin e dokumentit të 2 shtatorit të 1368, në të cilin, për herë të parë, në histori, [nga dokumentet e shkruara të njohura deri me sot] përmendet emri Kastriot.
Pos ribotimeve, në disa gjuhë, ky dokument, është përkthyer edhe në gjuhën shqipe. Fillimisht, të përkthyer e hasim në “Burime të zgjedhura për historinë e Shqipërisë” volumi II, Tiranë 1962; pastaj në Prishtinë nga dr. Tefik Geci në vitin 1968 dhe së fundi nga dr. Ramiz Abdyli në vitin 1984. Botimi i Tiranës me atë dr. R. Abdylit është identik, nuk ka asnjë ndryshim, as në stil e as në gjuhë, derisa përkthimi i dr. T. Gecit ndryshon. Të tri këto përkthime, kanë lëshime të ndjeshme, nuk janë të sakta dhe preçize, ju mungon qasja profesionale, ndoshta si pasojë e mosnjohjes së paleografisë sllave, çirilike dhe glagolike apo nga mosshfrytëzimi i origjinalit [këtu përjashtojmë dr. T. Gecin, i cili si duket, ka shfrytëzuar origjinalin], gjithnjë duke u mbështetur në botimet e bëra, nga studiues të huaj, të cilat kanë mangësi dhe paqartësi të shumta.

Njëri ndër arkivat më të pasura për shekullin e XIV, për historinë e Shqipërisë në veçanti, e Ballkanit perëndimor në përgjithësi, është Arkivi Historik i Dubrovnikut, për shkak të rolit të rëndësishëm që kishte Dubrovniku në sferën e mardhënieve ekonomiko-shoqërore dhe finaciare, me vendet fqinje ballkanase. Një vend i rëndësishëm i takon Shqipërisë dhe familjeve princërore e bujare të saj, në këto marrëdhënie, të cilat kanë lënë gjurmë të shumta të shkruara. Familja më e dalluar, është ajo e Kastriotëve, për të cilën në fonde të shumta, të këtij arkivi, ruhen dokumente, akte dhe testamente të ndryshme, të karakterit publik dhe privat.

Dokumenti i rëndësishëm
Njëri nga dokumentet më të rëndësishëm, për këtë familje, ngase për herët të parë, gjejmë të shkruar emrin e saj, Kastriot, është dokumenti nr. 1019, nga fondi i dokumenteve të Vjenës, i shkruar më 2 shtator të vitit 1368. Pos rëndësisë se, për herët të parë përmendet emri Kastriot, ky dokument, ka edhe një rëndësi tjetër të veçantë, ngase leximi, transkriptimi dhe përkthimi i tij është bërë në mënyrë të gabuar, veçanërisht nga studiuesit e huaj, gjerman, të cilët, nuk e njihnin me themel sllavishten. Kjo gjë ka nxitur studiuesit sllav, që të nxjerrin përfundime të gabuara, se Skënderbeu, qenka me origjinë sllave! Kësaj radhe, për t’iu dhënë fund debateve të shumta kontradiktore; për të hedhur poshtë me forcën e argumenteve, pretendimet e qëllimkëqija sllave, do të botojmë bashkangjitur këtij shkrimi, fototipinë e origjinalit (faksimilen), transkriptimin në gjuhën sllave me grafema latine dhe përkthimin në gjuhën shqipe.

Kushtet ku u shkrua...
Ngritja dhe forcimi i feudalëve e princërve vendas shqiptar, në disfavor të pushtuesve të huaj, si rezultat i një procesi të gjatë dhe të mundimshëm, të zhvillimit politiko-shoqëror dhe kulturoro-ekonomik që kishte filluar, në shekullin IX-të, solli formimin e disa shteteve feudale, në pjesë të ndryshme të Shqipërisë etnike.
Kronika e Janinës dhe ajo e Epirit nga shekulli i XIV-të, na mundësojnë të kemi një vështrim të përgjithshëm për pozitën dhe gjendjen e Kaninës dhe Vlorës në kohën kur u shkrua dokumenti [diploma] i Aleksandrit në vitin 1368. Pas vdekjes së mbretit Dushan, perandoria e tij u shkatërrua shpejt, kështu që menjëherë, lindën sundues të vegjël të cilët ishin, gjysmë të varur. Në Shqipërinë Jugore dhe në disa vise të Epirit, pas disfatës së Simeon Uroshit, trashëgimtari i despotatit të Epirit, Niçifori, në vitin 1358, bëri përpjekje që të rikthente territoret e humbura në disa vise shqiptare, por kjo gjë nuk i shkoi përdore ngase, hasi në rezistencë të fortë, të shqiptarëve, përkundër një ushtrie të shumtë në numër, që dispononte, në mesin e të cilës kishte edhe mercenar turq; ai u vra dhe ushtria e tij u shkatërrua, në betejën te lumi Ahelos. Ky sukses i feudalëve shqiptarë e vlleh, mundësoi forcimin e tyre dhe shtimin e aspiratave për zgjerime të reja.
Në Vlorë e Kaninë, po edhe në viset përreth, sundonte Joan Asen Komneni i cili u martua me Anën, mamanë e Niçiforit, sipas të cilës muar edhe mbiemrin. Këtë e zëvendësoi Aleksandri, i cili në asnjë dokument të njohur deri me tani, nuk thirret Komnen! Ky, ishte qytetar nderi i Dubrovnikut dhe kishte raporte të mira ekonomike-tregtare me Dubrovnikun.
Pos Aleksandrit, qytetarë nderi në Dubrovnik ishin edhe familjet fisnike shqiptare, të: Balshajve, Topijajve, Aranitëve, Matrangëve, Kastiotëve, Muzakëve, etj, gjë që ju siguronte favore të konsiderueshme në zhvillimet tregtare dhe shkëmbimin e mallrave me shtetet fqinje. Këto lidhje forcohen edhe më shumë gjatë shekujve XIV e XV-të, por fillin e kishin që në shekullin e XI-të, për të arritur një nivel të lartë zhvillimi, gjatë sundimit të princit të parë të Arbërisë, Progonit dhe bijve të tij: Gjinit e Dhimitrit.

Sipas burimeve të njohura, Aleksandri duhet të ketë sunduar si zot i Vlorës dhe Kaninës nga viti 1363 deri në vitin 1380. Si pasojë e luftërave dhe kontradiktave të pandërprera me feudalët fqinjë, duke mos pasur një pozitë të fortë në principatën e tij, në vitin 1368, kërkoi nga Dubrovniku që të shpallet qytetar nderi, me këtë gjë, ai dëshironte që më parë të siguronte strehim, në rast rreziku nga ndonjë e papritur, gjë që ishte e zakonshme për kohën; ngase veprime të ngjashme kishin bërë edhe shumë bujarë të tjerë vendas. Dokumenti i shkruar, [diploma] arriti sipas të gjitha gjasëve, në Dubrovnik, në gjysmën e dytë të muajit shtator të vitit 1368.

Përshkrimi dhe karakteristikat e dokumentit
Dokumenti në origjinal, është i shkruar në sllavishte të vjetër, me grafema çirilike me elemte të glagolicës. Është i shkruar në letër - gjysmë karton, ka dimensione: 26.5 x 39.8cm. Dokumenti është i ruajtur dhe ndodhet në gjendje të mirë. Është i shkruar me ngjyrë të zezë, me shkrim shumë të imët, në kursiv, që vende-vende lexohet me vështirësi. Siç ishte zakon i kohës, ka shkurtesa të shumta. Në fund, në mes të dokumentit, është gjurma e vulës së rrumbullakët, nga dylli i kuq, e cila është shumë e dëmtuar, ku mezi mund të lexohen disa grafema. Shkak i dëmtimit të vulës, është zhvendosja e shpeshtë e këtij dokumenti në relacionet: Dubrovnik-Vjenë-Beograd-Dubrovnik. Këtë dokument e ka shkruar logofeti Gjorica, siç mund të vërehet në fund të dokumentit. [Logofeti kryesonte zyrën e kancelarisë së princit, e cila hartonte dokumente shtetërore, si diplomat, traktatet ndërkombëtare, letrat zyrtare e private të sundimtarit, mbante korespodencën diplomatike me shtetet tjera, kujdesej për të gjitha llojet e akteve, drejtonte financën, etj.
Dokumenti për herë të parë është botuar në vitin 1840, me ribotime të shumta, po asnjëherë korrekte. Ky dokument, në formën e botuar deri tani, ka shkaktuar debate dhe kundërthënje të shumta, të cilat kanë pasur si pasojë, shtrembërimin dhe vënjën në pyetje të origjinës shqiptare të Skënderbeut. Numri i atyre të cilët kanë mbështetur këtë dokument të botuar, e me mangësi, është tepër i madh, psh. Hopf, Hahn, Ippen, Jireçek, Makushev, Fiander, Wenger, Mikloshiq, Novakoviq, Hammer, Iviq, Thalloczy, Pisko, Fallmerayer, Paganel, Shafarik, Pastor, Marinesco, po, për fat të keq edhe ndonjë shqiptar!
Botimet e bëra në gjuhën sllave nga Karanotvrtkoviqi /1840/, Mikloshiqi /1858/, Makushevi /1871/, Novakoviq /1912/, Stojanoviq /1929/, etj; nuk dallojnë nga njëra tjetra, pos që Stojanoviqi, shton një pikë, para emrit të Branillos. Shuflaj, Jireçek e Thaloçi, e botojnë dokumentin në vitin 1918, të përkthyer në gjuhën latine, me disa lëshime, si duket ata kanë shfrytëzuar Mikloshiqin, kështu që, këta fillimisht e mohojnë që emri Branillo i takon emrit Kastriot; por më vonë ndërrojnë qëndrim dhe pohojnë se: emri Branillo i përket emrit Kastritot! Të njëjtin qëndrim, pra atë se: emri Branillo i përket emrit Kastritot, e mbajnë edhe Hopf /1873, /Hahn /1853/, Ippen /1899/, Hammer, /1840/ Pisko /1894/, Fallmerayer /1866/, Paganel /1855/, Pastor /1891/, etj.

Lëshimi i Carl Hopf-it dhe pasojat në histori
Lëshimin më të ndjeshëm, ndër studiuesit e huaj e ka bërë Hopf-i. Në botimin e: Chroniques Greco-Romanes, duke folur për trungun gjenealogjik të Kastriotëve, ai thirret në dokumentin Aleksandrit nga viti 1368 dhe duke mos e zotëraur mirë sllavishten mesjetare, duke mos lexuar me vëmendje dorëshkrimin, ai nuk përfill fare shenjat e pikësimit, i bën një stërgjysh Skënderbeut, me emrin Branillo Kastrioti, duke mos lexuar grafemën “i” në mes të dy emrave. Këtë interpretim të gabuar të Hopfit, në shkencën historike, e kanë shfrytëzuar edhe shumë historianë e studiues të tjerë, duke formuar idenë e gabuar mbi origjinën e Kastriotëve. Këtë gjë, me mjeshtri të veçantë e kanë shfrytëzuar historianët sllavë, duke shkruar studime të tëra mbi këtë temë. Për fat të mirë, studiues dhe shkencëtar të mëvonshëm, kanë kapur një lëshim të tillë, duke hedhur poshtë këtë teori të gabuar. I pari, që në mënyrë shkencore hodhi poshtë këtë lëshim të ndjeshëm, ishte Fan Noli. Për fat të keq, deri me tani, asnjëherë nuk u botua komplet fototipia [faksimilja] e origjinalit, transkriptimi dhe transliterimi i plotë i bazuar në origjinal, por çdo herë, u botuan studime të veçanta duke u mbështetur në botimet e mëparshme, ku gabimet ishin të pa evitueshme. E njëjta gjë ju ndodhi edhe studiuesve shqiptarë.
Transkriptimi dhe transliterimi i origjinalit të dokumentit nr. 1019, është shumë i vështirë për studiuesit dhe historianët, të cilët nuk janë specialistë të paleografisë sllave mesjetare, sidomos asaj çirilike dhe glagolike. Shkurtesat e shumta, pastaj grafia e imtë kursive dhe në disa raste, dora jo e stërvitur e logofetit, vështirësojnë edhe më shumë transkriptimin dhe transliterimin. Ky dokument, është një diplomë e karakterit publik, e cila mban në vetvete të gjitha karakteristikat e dokumenteve të kësaj epoke historike. Në fillim është i shënuar invokacioni simbolik, pason invokacioni verbal dhe datimi.

Elementet e veçanta të aktit diplomatik
Invokacioni simbolik, i paraqitur me shenjën e kryqit, tregon nështrimin e pushtetit real [të Aleksandrit të Kaninës], ndaj atij kishtar, duke treguar besnikërinë apsolute ndaj kishës.
Invokacioni verbal, që përdoret në këtë dokument, nuk është karakteristikë e shpeshtë e përdorimit tek dokumentet e tilla sllave. Me këtë, i rritej vlera dokumentit duke dëshiruar që të arrihet qëllimi për destinimin e tij. Në këtë rast, është i shprehur në formën: Në emër të atit të birit dhe të shpirtit shenjtë. Derisa datimi i dokumentit, përbën një rast të veçantë, ngase zakonisht, në këtë kohë, shënohet në fund të tekstit, kësaj radhe, e kemi në fillim të dokumentit dhe tregon datën e shkrimit, në formën: në vitin 1368, muaj shtator, më 2.
Teksti i dokumentit [diplomës] përbëhet nga ekspozicioni ose naracioni dhe dispoziconi. Në ekspozicion janë sqaruar rrethanat aktuale për vendimin e shkrimit të një akti të tillë diplomatik. Në këtë rast e kemi në formën: Aleksandri zot i Kaninës dhe Vlorës (...) dërgova fisnikun tim Dimo që të flasë dhe të mbaroj këtë punë, pra qëllimi është i shprehur shumë hapur dhe tepër qartë. Derisa dispozicioni, si pjesa më e rëndësishme e aktit diplomatik, e cila në vete ngërthen objektin moral dhe atë material, që i dedikohet pranuesit, na paraqitet në formën: u betuam duke qëndruar në këmbë në Ungjillin e Shenjtë dhe hyjnor (...) të bëhem unë besnik i dubrovnikasve dhe mik me bujarët e mi, pra shprehet respekti dhe pranohen të gjitha obligimet që dalin nga një akt i tillë.
Si pjesë të fundit kemi: përfundimin ose eshatokolin. Kjo pjesë përbëhet nga përfocimi dhe nëshnkrimi. Përforcimi zakonisht fillon me simbol, që në këtë rast ne kemi kryqin dhe dëshmitarët, të cilët janë njerëz të shquar, të jetës publike, të pushtetit aktual dhe pjesëtarë të fisnikëve vendës. Përforcimin, kësaj radhe e kemi të paraqitur në fomrën: Këta bujarë janë betuar duke qëndruar në këmbë në Ungjillin e Shenjtë me emër Prodan vojvoda dhe Mikleushi, qefaliu i Vlorës Branilo dhe qefaliu i Kaninës Kastrioti dhe Raiçi oborr mbajtësi dhe Ujega Stavileci dhe Stamati dhe Obradi gjykatës dhe Zgurë Dukagjini dhe Smokva dhe Kostadin Shurboviqi dhe Borishi dhe Gruboj dhe përkthyesi dhe Radivoi dhe Bgoj.
Nënshkrimi, zakonisht është pjesa përmbyllëse e aktit diplomatik. Kësaj radhe e kemi në formën: A këtë shkrim e shkroi logofeti i zotit Aleksandër Gjorica sipas fjalëve të zotit Aleksandër dhe të gjithë bujarëve.
Përpos elementeve të përmendura, këtij akti diplomatik, i mungojnë edhe disa pjesë standarte apo të klishetizuara, të cilat i ndeshin në dokumente të ngjashme nga e njëjta periudhë. Këto mungesa, në asnjë mënyrë nuk e zvogëlojnë rëndësinë dhe autenticitetin e aktit.
Analiza dhe studimi i themeltë i këtij dokumenti, hedh në dritë shumë të dhëna interesante, ngase aty gjejmë shumë gjëra për viset e Vlorës e Kaninës. Është e njohur, se Vlora dhe Kanina në shekullin e XIV-të ishin dy pika strategjike të Shqipërisë Jugore, që shtriheshin në bregdetin përendimor të Otranit, përkatësisht në vijën, ku ndahet deti Jon me detin Adriatik, që paraqesin interes të veçantë për pushtuesit e huaj. Zaten, një gjë e tillë vërehet hapur edhe nga pranimi i Dubrovnikut, që të siguroi strehim [ti ofroj titullin, qytetar nderi] Aleksandrit, zotit të këtyre viseve.

Kush është qefaliu i Kaninës Kastrioti?
Të gjitha burimet që njohim deri tani, nuk na japim hollësi konkrete, rreth këtij Kastrioti, i cili në historiografi ka shkaktuar debate të ashpra dhe mendime të shumta, kontradiktore! Titulli qefali, me të cilin emërohet ky Kastriot, dmth. komandat kështjelle ose qeveritar i një qyteti! Ky fakt, na vë para dilemave të shumta, të cilat edhe sot e kësaj dite qëndrojnë pezull dhe të pasqaruara sa duhet në historiografinë shqiptare. Si qefali i Kaninës, Kastrioti, do të thotë se ishte një pjesëtar i shtresë së lartë fisnike, njeri i dëgjuar dhe i respektuar, i cili me firmosjen e tij, në dokumentin e cekur, tregon rëndësinë dhe autoritetin që gëzonte jo vetëm në Kaninë por edhe më gjërë. Edhe pse nuk kemi arritur të gjejmë një lidhje të drejtë përdrejtë me Kastriotët e Krujës apo Matit, ne mendojmë, se ky Kastriot, është trungu i familjes Kastrioti, e cila kishte zotërimet e saja në Kaninë, po edhe në vise të tjera, e më vonë edhe në Veri të Shqipërisë!
Mendimet e studiuesve dhe historianëve, janë të ndara. Hopf-i, duke folur për Konstantin Kastriotin, pohon se ai, ishte i njëjti Kastriot, pra qefaliu i Kaninës, mirëpo këtë pohim, ai nuk e mbështet në asnjë burim shkencor, pra edhe kësaj radhe gabon. Të njëjtën rrugë e ndjek edhe medievisti i njohur kroat Milan Shuflaj. Shuflaj, duke u mbështetur, në etimologjinë e emrit, si edhe disa shkencëtarë të tjerë, nxjerr përfundim të gabuar, kur pohon se: qefaliu i Kaninës Kastrioti, kishte origjinë greke! Pos këtyre, mendime të gabuara për origjinën e Kastriotëve, kishin histrorianë, të cilët nuk e kishin njohur dokumentin nr. 1019 nga viti 1368, si psh. Sansovino, Lavadrin, Spandugino, etj.

Të gjitha këtyre mendimeve të gabuara, të pa mbështetura me argumente të forta dhe me bazë shkencore, Fan Noli, me vendosmëri dhe dokumente të shumtë, arriti t’iu tregojë vendin e duhur, atë të harresës dhe pluhurit. Ç’është e vërteta, edhe biograf e studiues të tjerë para Nolit, kishin bërë një gjë të tillë, po jo kaq bindshëm! Barleti në kryeveprën e tij, vë në pah origjinën shqiptare të Skënderbeut; pastaj Bardhi, me këmbëngulje mbron një gjë të tillë, kur polemizon me J. Marnaviqin. Më vonë, át Athans Gegaj me gjuhën e argumenteve, po ashtu hedh poshtë teoritë e gabuara mbi origjinën e Skënderbeut. Shpresojmë, se përfundimisht, botimi i këtij dokumenti i cili i ofrohet lexuesit të gjërë, por edhe histroianit e specialistit të fushës përkatëse, do jetë kontribut, që njëherë e përgjithmonë, të mbyllet një debat i tillë, mbi origjinën e Skënderbeut.

Disa emra të tjerë që përmenden në dokument...
Transliterimi, transkriptimi dhe përkthimi i gabuar i disa emrave, ka bërë që të mos mund të identifikohen deri me tani disa figura të rëndësishme që përmenden në dokument.
Njëri ndër 16 dëshmitarët, i nënti me radhë është edhe Zgurë Dukagjini! Ky emër, deri tani ka qenë i lexuar gabimisht, dhe i tillë ka qenë fare i panjohur. Zgurë Dukagjini, në shekullin e XIV-të, është i njohur nga dokumentet dubrovnikase dhe venedikase, si një tregtar i zoti dhe në dy raste si ndërmjetësues në dy konflikte, në mes Venedikut dhe Durrësit. Domosdo se është, pinjoll i familjes së njohur Dukagjinase. Ujega Stavileci, është lexuar gabimisht, në “Burime...” dhe R. Abdyli, si Ojega Stavileci, ndërsa te T. Geci si: Jagëja. Analiza e kujdesshme e grafemave në origjinal, na bën të pohojmë se, leximi i drejtë është: Ujega! Një lëshim tjetër është, te leximi i pëkthyesit, si dragoman! Ky moment, është mjaft i rëndësishëm dhe tepër domethënës ngase, jep të kuptohet, se disa nga të pranishmit, të firmosur si dëshmitar, nuk e njihnin gjuhën sllave dhe ju duhej përkthyesi [dragomani]! /Pra, dragomani nuk është emër personi, por është titull i caktuar!/ Figurë e veçantë është, Nikollë Kabuzhiqi, i cili në cilësinë e përfaqësuesit diplomatik, të Dubrovnikut, mbikëqyr firmosjen dhe betimin e aktit diplomatik të Aleksandrit. Kabuzhiqi, është i njohur si tregtar i drithërave jo vetëm në viset e Vlorës e Kaninës, por edhe në Veri të Shqipërisë. Emrin e tij e ndeshim në shumë dokumente të ndryshme.

Dr. Etleva Lala, Dr. Musa Ahmeti, G. Shqiptare

“Bosi i kuq demostroi se ishte një burrë trim”

Si shkruante revista “Time” për Shqipërinë dhe Enver Hoxhën.

Marrja e pushtetit dhe shkëputja nga Traktati i Varshavës.

Një burrë i ri i fortë 1 Janar 1945
Një burrë, që shumica e njerëzve nuk kishin dëgjuar të flitej më parë. Por Kolonel Gjeneral Enver Hoxha, 36 vjeç ishte bërë në heshtje kryeministri i qeverisë së Shqipërisë dhe kreu i Ushtrisë së tij Çlirimtare. Që nga momenti që gjermanët ishin larguar dhe aleatët nuk ishin kthyer me të vërtetë kurrë në fuqi, Hoxha së bashku me 30.000 partizanë kishin marrë me shpejtësi vendin, me dimensionet e Vermontit. Çdo gjë e njohur jashtë vendit për Hoxhën ishte: 1) ai kishte lindur në Gjirokastër (vendlindja e pavarësisë së Shqipërisë dhe skena e qëndrimit të famshëm të Greqisë kundër pushtimit italian në vitin 1940), 2) ai kishte qenë një profesor i frëngjishtes para se të merrej me politikë dhe luftë. Në intervistën e tij të parë të botuar, ai u shpreh në favor të demokracisë për Shqipërinë dhe një "aleance të ngushtë" me Jugosllavinë e Titos, ku Shqipëria ishte kishte "lidhje gjaku." Përsa i përket njerëzve të Hoxhës, ata ishin të interesuar, për Federatën Ballkanike, e mbrojtur nga Marshalli Tito e cila duhet të presë kontroversitetin e mosmarrëveshjeve të kufirit mes Greqisë dhe Shqipërisë derisa të jetë zgjidhur. Por me Rusinë sovjetike, Shqipëria kishte marrëdhënie të përzemërta. Javën e kaluar kryeministri Hoxha ishte i impenjuar me një mision sovjetik që kishte ardhur me avion. Si kreu i ushtrisë shqiptare, gjeneral kolonel Hoxha foli ashpër në drejtim të kryeministrit Papandreu të Greqisë. Hoxha tha prerazi se vendi i tij do të luftojë për të mbrojtur veten kundër pretendimeve greke në Shqipërinë jugore. Si kryeministër, Hoxha, premtoi pronësinë private, votën universale, mobilizimin kombëtar të punës për të rindërtuar vendin e shkatërruar, ndëshkimin e kriminelëve të luftës. Pas pesë vitesh të pushtimit italian dhe gjerman, Tirana, kryeqyteti shqiptar, ishte kryesisht e paprekur, edhe gjermanët në tërheqje kishin shkatërruar Legatën Britanike. Nga Legata e SHBA-së, ata morën vetëm kitarën e rojes së shtëpisë.

Shqipëria:Delja e zezë
23 qershor, Viti 1961

Çfarëdo që të jetë, Bosi i Kuq i Shqipërisë, Enver Hoxha, ka dimostruar se është një burrë trim. Kush tjetër do të guxonte të ecte në Powwow e madhe ndërkombëtare komuniste në Moskë nëntorin e kaluar dhe ta quante Nikita Hrushovin një "revizionist" përpara fytyrës së tij? Në të vërtetë, blasfemia e Hoxhës shkoi edhe më larg, sipas një transkripti të pjesshëm të fjalimit të tij që ka arritur botën e jashtme javën e kaluar.
"Kulti i personalitetit nuk aplikohet vetëm për Stalinin," tha 52-vjeçari Hoxha, si delegat nga 81 partitë e mbarë botës komuniste. "Hrushovi i ka shtrembëruar tezat e leninizmit që të përputhet me qëllimet e tij!" Hoxha mbështeti kategorikisht Kinën e Kuqe në betejën ideologjike për të mbajtur gjallë stalinizmin, iu vërsul Moskës për organizimin e hakmarrjes kundër Pekinit në konferencën e Bukureshtit.
Hoxha zbuloi se Moska i kishte dërguar një letër shqiptarëve duke i kërkuar mbështetje për fushatën anti-Kinë. "Por edhe partive që iu ishte kërkuar që të dënonin kinezët nuk ishin në dijeni për akuzat sovjetike deri disa orë përpara debatit... A kishte mungesë besimi nga Hrushovi dhe udhëheqësit e tjerë të Bashkimit Sovjetik në kauzën e tyre kur ata kishin burime për procedura të tilla?".
Hoxha zbuloi se Moska ishte përpjekur të kërkonte taktika brutale për të detyruar Shqipërinë të kthehej në linjën e saj. Vitin e kaluar Shqipëria pësoi një krizë. "Ne kishim furnizim gruri vetëm për 15 ditë. Pas një vonese prej 45 ditësh, Bashkimi Sovjetik, na premtoi 10.000 ton në vend të 50.000 tonëve furnizim gruri për 15 ditë për tu dorëzuar në muajt shtator dhe tetor!" Këtë, deklaroi ashpër Hoxha, ishte një "presion i padurueshëm. Minjtë sovjetikë ishin në gjendje të hanin, ndërsa populli shqiptar ishin duke vdekur nga uria!"
Kohët e fundit, tha Hoxha, "Malinovsky [ministri sovjetik i Mbrojtjes] sulmoi qeverinë dhe partinë gjatë takimit të shefave të shtabeve të Paktit të Varshavës, dhe Grechko [komandanti i përgjithshëm në Moskë i ushtrive të Paktit të Varshavës] bëri presion mbi ne duke kërcënuar të na përjashtojë nga Pakti i Varshavës. "Rusët gjithashtu u përpoqën të konvertonin zyrtarët e partisë së Shqipërisë. Në mënyrë të veçantë zonjën Liri Belishova, një anëtare e Byrosë Politike, e cila "kapitulloi para kërcënimeve të pandershme të Bashkimit Sovjetik."

“Presioni nga Moska vazhdon," shpërthente Hoxha, duke nënkuptuar se Hrushovi e kishte kërcënuar për ta flakur jashtë Shqipërinë nga blloku komunist. "Por, aderimi i Shqipërisë ose përjashtimi nga kampi socialist nuk varet nga ju [nënkuptonte Hrushovi]-por nga popujt e Bashkimit Sovjetik dhe Shqipërisë".
Miqtë e rinj. Performanca e Hoxhës ishte një zbulim shkatërrues i qosheve brenda bllokut komunist, duke bërë që disa ekspertë perëndimorë të dyshonin se tani Shqipëria u hodh jashtë Paktit të Varshavës dhe u izolua nga pjesa tjetër e familjes së Moskës. Kohët e fundit, pesë nëndetëse sovjetike u spostuan nga Adriatiku dhe u panë të lëviznin përmes kanalit të La Manshit gjatë rrugës për në Rusi. Ekspertët perëndimorë të zbulimit nuk janë ende të sigurt për rëndësinë e lëvizjes, por ata e konsiderojnë të mundshme që rusët mund të kenë vendosur ti mbyllin bazat e tyre të mëdha të nëndetëseve dhe strehimet e ndërtuara në shkëmbinjtë e bregdetit shkëmbor të Shqipërisë. T. Observer

Historitë konspirative të Ballkanit

Gjithkush në Ballkan ka qejf një histori të mirë konspirative, veçanërisht nëse në të përfshihet ndonjë gazsjellës apo bazë ushtarake. Sipas disa njerëzve që nuk kanë qejf lidhjet mes Serbisë dhe Rusisë, rusët po planifikojnë të ndërtojnë një bazë ushtarake në Serbi.

Kjo do të jetë baza e parë europiane e Kremlinit që prej daljes nga Traktati i Varshavës dhe mund të shihet si një përgjigje ndaj zgjerimit të pushtetit të NATO-s në rajon. Çdo vend përreth Serbisë është ose në aleancë, ose do të jetë në të. Historia e bazës ruse nisi në tetor, kur Dimitri Medvedev vizitonte Beogradin. Në atë kohë u njoftua gjithashtu se një qendër e re për emergjencën do të ngrihej në qytetin serb të Nishit. Partneri rus do të ishte Ministria e Emergjencave, një ministri gjysmë-ushtarake, aktivitetet e së cilës nuk kanë lidhje vetëm me menaxhimin e pasojave të fatkeqësive natyrore, por edhe shërbimeve të sigurisë. Kjo ministri ka luajtur një rol të madh në Serbi, për shembull në heqjen e minave. Por, spekulimet arritën deri aty, sa të mendohej se facilitetet në Nish mund të përdoreshin për spiunazh apo edhe për qëllime të ushtrisë.

Ajo që e ka nxitur më shumë teorinë e komplotit, është së Nishi është pranë pikës ku do të kalojë një gazsjellës i diskutueshëm në territorin serb, ‘South Stream’. Gazsjellësi është një projekt i përbashkët mes gjigantit rus të gazit, ‘Gazprom’ dhe kompanisë italiane, ‘Eni’. Rruga përshkon detin e Zi, duke i mundësuar Rusisë të anashkalojë Ukrainën, që njihet si një vend transit shqetësues dhe të dërgojë gazin direkt në Ballkan, Europën Qendrore dhe Itali. Shefi i planifikimit të aktiviteteve të emergjencës në Ministrinë e Brendshme në Serbi, Predrag Maric, përgënjeshtron çdo njoftim se Rusia do të hapë një bazë ushtarake në Serbi. Nishi nuk do të jetë një bazë ushtarake, thotë ai. Duke deklaruar se serbët dhe rusët kanë ftuar përfaqësues nga 11 vende në një konferencë në Beograd këtë muaj për të diskutuar lidhur me logjistikën dhe kapacitetet e kësaj baze në Nish. Ka teori që qarkullojnë në bloge dhe gazeta se, Rusia ka për qëllim të mos jetë një e jashtme në gjeopolitikë.

Shumë besojnë se ishte nafta dhe jo mizoritë serbe në Kosovë ato që nxitën fushatën e NATO-s ndaj Serbisë në vitin 1999. Pas luftës, amerikanët ndërtuan kampin Bondsteel, një bazë ku janë dislokuar 7000 ushtarakë në Kosovës. Teoritë e konspiracionit thonë se qëllimi i vërtetë ishte të ruhej naftësjellësi AMBO, që do të sjellë naftën ruse dhe të Kaspikut përmes Bullgarisë dhe Maqedonisë e Shqipërisë. Më shumë se 6 vjet më pas, AMBO mbetet një vijë në hartë. Bondsteel nuk ka pistë avionësh dhe në Kosovë kanë mbetur vetëm 1400 trupa amerikane. Kur numri i trupave të NATO-s në Kosovë të reduktohet nga 10.000 në 2.300, kampi Bondsteel mund të mbyllet.

Aeroporti i Nishit dhe kampi Bondsteel dallohen qartësisht në Google Earth. Më e vështirë të gjendet është baza ushtarake që u hap nëntorin e kaluar nga autoritetet serbe dhe u quajt si Bondsteel-i serb. Ajo ndodhet mes Kosovës dhe Bujanovcit, në jug të Serbisë, ku jetojnë shumë shqiptarë. Liderët e tyre janë akuzuar ndaj kësaj nisme. Por, në këtë bazë mund të dislokohen vetëm 1.000 trupa. “Jam i shqetësuar për këtë”, - thotë një zyrtar i lartë i NATO-s. Ai thotë se është në dijeni të pranisë ruse në Nish, por nuk shqetësohet nga pasojat. Ndërkohë, ‘Windjet’, kompania italiane me kosto të ulët, sapo ka nisur fluturimet në aeroportin e ‘Konstandinit të Madh’.

“The Economist”

Kush ka informacione rreth bazës amerikane Bondsteel në Ferizaj të Kosovës ? (S.I)

Monday, February 8, 2010

Një në dy shqiptarë vdes nga sëmundjet e zemrës

ISHP: Një në dy shqiptarë vdes nga sëmundjet e zemrës.

Shqipëria vazhdon të regjistrojë shifra të larta vdekjesh nga sëmundjet kardiovaskulare duke e renditur atë në vendin e parë të listës së vdekshmërisë në vend. Instituti i Shëndetit Publik deklaron se një në dy shqiptarë vdes nga sëmundjet kardiovaskulare, në një kohë që këto vdekje mund të parandalohen.

Sipas një studimi të kryer nga ISHP, gati gjysma e numrit të vdekjeve janë nga problemet e koronareve.
Të gjithë ekspertët e shëndetësisë sot besojnë se sëmundjet koronare mund të parandalohen krejtësisht apo mund të shtohen në kohë duke shmangur një numër të madh vdekjesh të parakohshme.

Sipas tyre, një kontribut të rëndësishëm në uljen ose mbajtjen nën kontroll të rasteve me sëmundje kardiovaskulare ka edhe trajtimi i hershëm i faktorëve të rrezikut, të cilët janë diabeti, duhanpirja, hipertensioni, hiperkolesterolemia, obeziteti, familjarë me sëmundje të zemrës.

Në studim thuhet se sëmundjet koronare janë shumë më të larta në disa vende në krahasim me disa vende të tjera, kështu në vendet në veri dhe në lindje të Evropës si Britania e Madhe, Vendet Skandinave, Polonia, Rusia etj, kanë një prevalencë shumë më të lartë (deri në dy e më shumë herë më të lartë) se sa vende të tilla si Franca, Italia, Spanja apo Greqia.

Telegrafi

“Green Tirana”

Një ndër arsyet e ndotjes në qytetin e Tiranës janë edhe plehrat që hidhen pa kriter.

Sa raste ka të banorëve që hedhin qese me plehra nga dritaret. Disa i shikon duke u përpjekur të bëjnë 3-pikësh, jo nga 7 ose 9 metra, por duke dashur të imitojnë basketbollistët më “të çmendur”, hapin krahun dhe e lëshojnë qesen me plehra nga dritarja e katit të 6-të për te kazani nga një distancë që e kalon dhe gjatësinë e fushës së basketbollit.
Edhe kur Bashkia vendos kosh të veçantë për hedhjen e kartonave, shikojeni rezultatin...

Më fantastiket janë ato gra e plaka që shkundin mbulesën e tavolinës nga thërrimet mbas drekës. Natën e kanë dhe më të lehtë të kamuflohen dhe të kryejnë misionin duke u avantazhuar nga errësira, edhe pse tani ndriçimi edhe natën është i bollshëm. Kohët e arta për to, kur nuk kishte drita gjithë lagjja, kanë kaluar.

Sigurisht që në këtë rast faji nuk është vetëm i strukturave të Bashkisë së Tiranës (po marrim si shembull Tiranën si qyteti më i rëndësishëm në vend, por dhe më problematiku), por edhe i mungesës së ndërgjegjësimit nga ana e qytetarëve. Ata duhet ta kuptojnë se ajo që hedhin jashtë dritares, nuk do të ngelet thjesht jashtë, por në një mënyrë a një tjetër do t’u kthehet përsëri, “në mos brenda shtëpisë, brenda mushkërisë”.

Kjo është e vërtetë si drita e diellit dhe kjo duhet t’i bëjë ata më të kujdesshëm dhe më të thellë në gjykim, për të analizuar pasojat e çdo veprimi që ata kryejnë.


Por, për të qenë realist këtë formë ndërgjegjësimi social e qytetar mund ta gjesh vetëm në disa nga vendet më të zhvilluara, si disa nga vendet e Evropës Qendrore, vendet nordike dhe vendet e ulëta. Në këto vende mund të gjesh vërtet qytetarë të përgjegjshëm, që me veprime individuale, kontribuojnë përditë në pastrimin e ambientit dhe mosndotjen e tij. Aty gjen mbledhjen e diferencuar të mbeturinave, në depozita letre, xhami, plastike etj. Ky realitet duhet të jetë synimi ynë si qytetarë të Tiranës, por dhe i gjithë atyre të Shqipërisë. A do të kishte sukses kjo nismë në Tiranë dhe në gjithë Shqipërinë sot?

Kjo ngelet për t’u parë. Një përgjigje do të na vijë së shpejti nga Lezha, ku po zbatohet projekti i diferencimit të mbeturinave nga ana e qytetarëve.

Dikush nga “shoqnia civile” pati deklaruar në një emision se edhe në Tiranë para disa vitesh u bënë përpjekje në këtë fushë dhe u vendosën depozita të tilla për të diferencuar mbeturinat në disa pika të kryeqytetit, por sipas deklaruesit, kjo nuk rezultoi një nismë e suksesshme, pasi nuk u mbështet nga qytetarët, të cilët nuk e ndiqnin këtë lloj procedure, pra nuk i ndanin mbeturinat që në shtëpi në plastike, xhami dhe letre.

Sipas mendimit tim, gabimi i deklaruesit qëndron në këtë fakt:

Deklaruesi në këtë rast ka harruar të përmendë një element, i cili do të luante një rol shumë të rëndësishëm në suksesin e kësaj nisme. Ky element është Promovimi

Nëse një kompani dëshiron të shtojë mundësitë e suksesit të saj, ajo duhet të promovojë produktet e saj, filozofinë e saj të punës dhe rezultatin që mund të arrihet falë këtyre elementëve. E njëjta logjikë vlen dhe për këtë rast.

Bashkia është një ndërmarrje e madhe, e cila duhet që të adoptojë të njëjtat ligje ekonomike që përdor çdo ndërmarrje biznesi private apo publike për të pasur sukses në nismat dhe projektet e saj.

Nëse Bashkia e Tiranës do të kishte zhvilluar një fushatë të gjerë informimi e ndërgjegjësimi të qytetarëve për këtë problem, shanset për sukses do të ishin më të mëdha. Fushata nuk realizohet vetëm me disa minitabela plastike që ka vendosur Bashkia e Tiranës afër disa kazanëve të mbeturinave, por me anë një nisme të gjerë mediatike në radio, TV, gazeta, projekte me shoqatat e mjedisit, takime sensibilizimi e ndërgjegjësimi me qytetarët nëpër lagje etj.

Kjo e fundit mund të duket e çuditshme, por është fakt se në vendet si Shqipëria, të cilat nuk kanë një demokraci të zhvilluar dhe një kulturë qytetare të lartë këto lloj promovimesh janë rezultative.

Është për të ardhur keq kur shikon se jemi katandisur deri në atë pikë sa shoqatat e huaja vijnë e na tregojnë se si duhet të mbajmë pastër mjedisin e të mos e dëmtojmë.

Kjo gjë u vu re në rastin e një shoqate angleze, e cila para disa kohësh mblodhi disa të rinj kryeqytetas, u dha nga një shkop me një gozhdë në majë të tij dhe i vuri të mblidhnin letrat e fushës që ndodhet para teleferikut në Dajt.

Gjatë kohës që të rinjtë tanë punonin duke ndier në të njëjtën kohë gëzim dhe habi për këtë eksperiencë të re për ta, “Anglezi” jepte një intervistë për një media audivizuale ku shpjegonte rëndësinë e kësaj nisme dhe shpresën që kishte se kjo do të shërbente për të ndërgjegjësuar qytetarët të mbanin pastër ambientin.

Sigurisht që “Anglezi” (i cili duhet përgëzuar për dashamirësinë e tij) nuk mund të dinte se këto aksione kanë qenë të zakonshme shumë kohë para tij, që në kohën e Xhaxhit Enver.

Imagjino sa mbrapa jemi kthyer sot, kur si shembull pozitiv duhet të marrim të shkuarën e dhimbshme. Edhe Bashkia e Tiranës, në mos gaboj, ka bërë një apo disa “aksione” të tilla nëpër lagje, para disa vitesh me fëmijët e shkollave.

Kjo ndoshta ka ndodhur gjatë periudhës së fushatës për kryetar bashkie, për t’u lënë mënjanë më pas.

Suksesi i një nisme nuk qëndron vetëm tek idetë, por dhe tek vazhdueshmëria konstante e aplikimit të tyre.

Është pikërisht kjo një nga ato vlera pozitive, të cilat mungojnë në drejtimin aktual të bashkisë. Këtu qëndron dhe faji i “The City Hall - Bashkisë” për dështimin e nismës për diferencimin e plehrave të “Bllokut”, plan ky i ngelur në mes apo i braktisur pa filluar ende mirë. Dhe kryetari i bashkisë është si trajneri i skuadrës së futbollit. Po dështoi me strategjitë e tij, zakonisht largohet ai dhe jo futbollistët e skuadrës apo tifozët e saj. Këtë duhet ta kuptojë dhe deklaruesi mediatik.

Bashkia e Tiranës duhet të punojë që të marrë fund gjithashtu dhe ndotja e turpshme që i krijojnë njerëzit qytetit me derdhjen e papastërtive të trupit të tyre nëpër rrugë, pemë e mure. Një shënjestër e preferuar e tyre duket se janë këmbët e urave të Lanës. Nuk është e rrallë të shikosh “punëtorë të matrapikut”, pensionistë, jabanxhinj t’i turren me vrap ndonjë ligustre, cepi muri, shkalle pallati ose këmbe ure “për të gjetur shpëtim”. Sikur këmbët e urave të Lanës të kishin zë, do të kishin kënduar me nota vaji vuajtjet e tyre.

Të tjerë i vërsulen dishezës së Lanës dhe bëjnë “detyrat”, duke i kthyer shpinën rrugës, pa menduar ose pa u interesuar se Lana ka dy brigje dhe ajo që është shpinë për një breg, për tjetrin është pamje ballore. Një ushtri e përditshme, e cila në mënyrë të palodhur dhe konstante si të ishte një “perpetum mobile” përsërit këtë ritual kafshëror.

Dhe e gjithë kjo ndodh në sytë e nënave dhe motrave tona. Vetëm kjo do t’u mjaftonte qytetarëve ose mediave në një çfarëdo qytet të Evropës për të hedhur nga karrigia cilindo që do të ishte përgjegjës për menaxhimin e qytetit.

Nënat dhe motrat tona. Pse nuk keni respekt për to?!

Bashkia prishi para disa kohësh edhe të vetmen banjë publike që e kishim trashëguar nga koha e Xhaxhit Enver. Është përsëri e dhimbshme që si shembull pozitiv marrim një të kaluar jo të tillë, por ja që kjo është e vërteta.

Është e domosdoshme që bashkia të vendosë pika të këtij lloj shërbimi e me ujë të rrjedhshëm, në gjithë Tiranën dhe të detyrojë qytetarët që t’i përdorin, në vend që të dalin e të plehërojnë parqet e lulishtet. U desh preteksti i një proteste të Partisë Socialiste para Kryeministrisë që në Tiranë të shikonim banja të lëvizshme, që u shërbyen protestuesve të PS-së ato dy net qëndrimi para Kryeministrisë. Kjo u bë sepse logjikisht ata nuk duhej dhe nuk mund të “ujisnin ose plehëronin” pemët apo të “vizatonin” muret aty përreth, pasi kjo do të konsiderohej kafshërore nga pala tjetër dhe nga gjithë opinioni publik dhe për rrjedhojë edhe gjithë nisma e liderëve të tyre do të dëmtohej rëndë.

Po nëse kjo gjë do të konsiderohej e rëndë dhe pse vetëm në dy ditë, çfarë duhet thënë për atë që ndodh përditë prej vitesh afër dhe poshtë urave të “Lanës Bionde” apo në çdo cep të Tiranës, haptazi dhe fshehtazi.

Kjo është ajo çfarë realisht duhet të bëjë bashkia, të jetë në shërbim të qytetarëve, duke kuruar çdo aspekt të jetës së përditshme komunitare. Për këtë janë votuar drejtuesit e saj dhe për këtë paguhen, kanë apo jo nevojë.

Bashkia e Tiranës nuk është krijuar vetëm për të vendosur “kllapa të kuqe” në rrotat e makinave, ndërkohë që qytetarët nuk kanë vend ku t’i parkojnë makinat, pasi bashkia nuk ka punuar fare për krijimin e vendeve të reja të parkimit, ndërkohë që trafiku automobilistik rritet natyrshëm. Kjo është arsyeja kryesore që makinat vijnë vërdallë, duke ndotur dhe më shumë ambientin. Nëse Bashkia e Tiranës nuk ka ndërmend të krijojë vende të reja parkimi për automjetet e reja që matrikullohen përditë e më shumë, pse nuk po punon për krijimin e transportit alternativ, d.m.th. tramvaj, autobus, trolly apo fundja dhe karroca me kuaj.

Trojka matrioshkash dhe slita me qen Husky në rast se bie bore siberike ose Antarktide.

Kështu si ka nisur kjo punë, nuk është ndonjë çudi e madhe që të zgjohemi një ditë të bukur, po të bukur shumë, dhe të ndodhemi para ndonjë spektakli apokaliptik.

Do t’i bjerë të shikojmë makina të parkuara mbi makina alla “Shaolin Soccer” ose makina duke ecur mbi makina, si të ishim pjesë e një kantoni nga Kina.

Policia Bashkiake e një qyteti evropian nuk shërben vetëm për të kontrolluar tregjet e ligjshme apo të paligjshme të shitësve ambulantë (nuk e di sa i vërtetë është një rast që më kanë treguar, në të cilin një polic bashkie trim, pa asnjë arsye, paska shkelur me këmbë një kokërr shege nga ato që shiste një “none” e vjetër nga katundi i Tiranës.)

Policia Bashkiake duhet që të kontrollojë dhe sigurojë mosdëmtimin e parqeve, pemëve, luleve, mosndotjen e mjedisit në çdo lloj forme nga njerëzit etj.

Këtu duket e çuditshme po të përmendësh se në Londër “kalbesh në gjoba” nga ndonjë “Bobbie” - polic londinez - po të pa duke hedhur një “Chewing gum” në tokë, sepse u dashkan 300 vjet që ajo të dekompozohet.

Të gjitha këto e bëjnë të dhimbshme gjendjen në të cilën ndodhen banorët e Kryeqytetit të Shqipërisë, i cili duhet të ishte motori i ndryshimit dhe i vendosjes së standardeve të larta të jetesës në të gjitha fushat e saj, jo vetëm atë ekonomik.

Këtë e them pasi kam konstatuar se në Shqipëri, çuditërisht, po instalohet një mentalitet i mbrapshtë, sipas të cilit, i vetmi standard që duhet arritur në jetë, është ai ekonomik.

Por për çfarë duhet monedha, nëse nuk ekziston mentaliteti dhe infrastruktura që do të bënin të mundur gëzimin e këtyre të mirave materiale.

Për çfarë i duhet “Ticianit” makina e shtrenjtë në Tiranë, kur ajo i vishet gjithë ditën me pluhur e baltë dhe detyrohet t’i bëjë për çdo ditë nga një “dush 500-leksh ke lavazhi i lagjes” .

Për çfarë i duhet leku “Kaios” kur nuk del dot në rrugë me një palë këpucë të reja (e mjerë nëse janë të zeza) sepse në kthim do të duken si “galloshe llaçi” nga pluhuri dhe zhuli që i ka mbuluar.

Me çfarë arsyesh duhen shpenzuar “xhixhat” për blerjen e një shampoje të shtrenjtë, kur në krye të një ore flokët janë bërë gati për një seancë tjetër.

Mund të vazhdonim gjithë natën e ditën me shembuj të këtij lloji, aq sa do lodheshim.

Shembujt janë të shumtë, kurse shkaku kryesor është vetëm një.

Ndotja e rrugëve me pluhur dhe baltë vjen nga mungesa e kontrollit të Bashkisë së Tiranës ndaj firmave të ndërtimit apo atyre subjekteve që i furnizojnë me materiale ndërtimi si dhe nga cilësia e dobët e shtrimit të rrugëve në Tiranë.

Tirana e fshehur mbas vellos së pallateve të larta pa arkitekturë moderne dhe planifikim urban është për momentin një nga shpresat tona të venitura.

Shpresë e venitur, pasi mbas viteve ’90, ajo duke qenë pa masterplan urban të zbatuar dhe pa ndonjë trashëgimi kulturore të veçantë, kishte mundësi të ndërtohej nga fillimi, duke krijuar projekte moderne dhe origjinale mbi gjelbërimin e saj, banesat funksionale, objekte shërbimesh moderne, qendra për parkimin e automjeteve, duke ulur në këtë mënyrë trafikun dhe ndotjen.

Tirana me rrugët që prishen çdo 6 muaj, për arsye të cilësisë së dobët të punimeve dhe mosndërtimit të një sistemi modern dhe eficient kanalizimesh, gjë që sjell në përmbytje të shpeshta, është për momentin një bast i humbur. Tirana me lagjet e mbushura me kafshë ferme të çdo lloji, si: qenë, kuaj, lopë, dele, gomerë, është shumë larg të qenit një qytet me frymë dhe erë evropiane.

Shumë e zgjidhin duke thënë: “Po pse o budallë, këtu e ke mendjen me jetu ti, po lekët duhen me bo qejf në Francë a në Spanjë, pse pak vila ka Nizza dhe Mallorca. Këtu bojm lekët, atje bojm jetën”. Kurse unë personalisht, edhe pse kam jetuar plot 6 vjet në “Roma - Caput Mundi” ushqej një ndjenjë të madhe dhembshurie dhe dashurie për Tiranën. Ndihem keq që gjendja është e tillë dhe do të bëja çmos, po ta kisha mundësinë për ta ndryshuar. Jam gjithashtu i sigurt se nuk jam i vetmi që e kam për zemër qytetin e Tiranës dhe gjithë Shqipërinë. Ky nuk është një problem që shqetëson vetëm Tiranën, por të gjitha qytetet e Shqipërisë. Ato vuajnë nga të njëjtat probleme, por që për arsye të mungesës së informacioneve të sakta nuk mundemi sot t’i analizojmë.

Janë të shumtë ata që do të donin standarde të larta të jetueshmërisë, jo vetëm të jetesës.

Por vetëm dëshira nuk mjafton, nevojitet ndërgjegjësimi qytetar dhe impenjimi real i institucioneve të pushtetit qendror e lokal për të ndryshuar gjendjen në të cilën ndodhemi.

Miq të dashur, nëse ne nuk do të arrijmë që të ndryshojmë situatën ambientale të vendit tonë, e cila aktualisht është në kufijtë minimalë të jetueshmërisë (kjo, nëse u referohemi standardeve të vendeve të zhvilluara evropiane), atëherë pasojat negative do të jenë edhe më të mëdha sesa dështimi ynë moral.

NGA ENEA SHERIFI, G. Standart

Vlera më e madhe e budallenjve në shoqërinë e sotme

Akuzave të pabaza rreth budallenjve u shtohet dhe padrejtësia shkencërisht e gabuar ku këta shikohen si të pavlerë, pengues të shoqërisë së sotme apo parazitë. Ndoshta shumë herë shprehimisht urojmë përsëri në mënyrë të gabuar që këta të mungojnë mes nesh.

Problemi me budallenjtë nuk është i thjeshtë nëse së pari marrim parasysh vendin e qëndrueshëm dhe krejtësisht të nevojshëm që këta luajnë në diferencializimin e klasave shoqërore.

Kështu budallenjtë ndahen në dy kategori krejtësisht të ndryshme nga njëra tjetra, veç të dyja këto kategori i përgjigjen të njëjtave ligje shoqërore – diferencializimit.

Kategoria e parë, përfshin budallenjtë të vendosur në klasat e ulëta të shoqërisë.

Sesa e vlefshme është kjo kategori njerëzish, e kotë ta diskutojmë. Do na duhet të theksojmë gjithsesi se pa të shfrytëzuar, nuk mund të ketë zhvillim. Duke folur në gjuhën e shkencave shoqërore, pa këta nuk do kishte ndarje klasore, sepse në vend të pabarazisë, do kishim barazi. E njëjta gjë vlen edhe kur kjo ndarje e shoqërisë sigurohet mbi nivelin e nevojshëm, domethënë, sikur të gjithë të ishin të zgjuar, atëherë përsëri nuk do kishim qytetërim, do të ishte njësoj sikur të gjithë të ishin budallenj. Qytetërimi sigurohet vetëm nëpërmjet ekzistencës kategorike të të dy grupeve, si të mençurve, ashtu dhe budallenjve. I privuar qoftë prej njërës nga dy degët e tij, qytetërimi rrëzohet përfundimisht.

Në vazhdim pra, përmes teorisë të diferencializimit shoqëror, pa kontributin esencial të budallenjve, qytetërim nuk ka. Kështu, më së pari duhet të njihet vlera e madhe shoqërore e budallenjve. Madje në sociologji, kjo vlerë njihet shkencërisht.

II

Diskriminimi ndaj budallenjve vjen si rezultat i rendimentit të kategorisë së dytë ku ata përfshihen, e cila është më e bezdisshme se e para, por dhe kjo përfshirje e tyre bëhet e tillë nëse kalon kufijtë e llogjikës dhe shndërrohet në lëvizje antisociale dhe antishkencore. Këtu pra, akuzohen budallenjtë e kategorisë së dytë, ata që mbajnë poste të larta në rendin shoqëror.

Ky gjykim i situatës, shmang krejtësisht një padije të funksionimit diferencial shoqëror, i cili përmblidhet në rregullin elementar “Për 10 budallenj, duhet një i mençur”, “për 10 të paaftë, një i aftë”. Ky fenomen, tipik klasik, tepër i vjetër shekullor, ekziston për aq kohë sa është në jetë dhe shoqëria njerëzore, që nga fillimet e njerëzimit. A bëhet të jetë fenomeni në fjalë thjesht “rastësor”? Po rastësi konsiderohet çdo gjë që truri i njeriut nuk e kap dot. Asnjëherë veç, nuk është konsideruar rastësi ai çka quhet rregulli themeltar i diferencimit shoqëror. Dhe susta psikologjike siguruese e aleancave të atyre që janë “poshtë”, ndaj atyre që janë “lartë” është njëherësh e dhënë sipas ressentiment.

Aleanca e budallenjve, nuk është gjë tjetër veç një organizim mekanik sipas parimit të “përpjekjes më të vogël” në mënyrë që të luftojë një forcë më të madhe të përfytyruar tek një grup oligarkik apo te një njeri i vetëm. Ky organizim, i kufizuar në shtrirje, është emërtuar prej termit sociologjik si “klikë”.

Është e lindur tendenca e budallait, shumë shpesh madje e kthyer në mani, që të përfshihet në lëvizjet sa më të forta, sa më të shumta, në organizata shoqërore të çdo lloji e natyre.

Kjo tendencë shpjegohet së pari përmes lehtësisë të tufëzimit, (grupimit) të cilit i nënshtrohet si pasojë e mungesës së individualitetit. (Prej kësaj tendence rrjedh dhe urrejtja ndaj individëve apo individualistëve).

Arsyeja e dytë është paniku kafshëror individualist prej të cilit përfshihet vazhdimisht, dhe frika e arsyeshme se mund të përmblidhet në çfarëdo lloj proletariati. Këto tendenca, janë afërsisht fakte të pathyeshme për të vërtetuar cungimin shpirtëror të dikujt.

Në këtë mënyrë krijohen flukse të larta rrymash budallenjsh që vërshojnë nëpër organizata të çdo lloji. Nëse këto organizata, janë mbrojtëse të interesave, atëherë arrijnë ta ruajnë të paktën mbrojtjen qoftë sipërfaqësore të interesave që kanë. Po nëse këto organizata janë të natyrës shpirtërore, me kalimin e kohës degjenerojnë në budallo-adhurim.

Këtij fenomeni të fundit i janë nënshtruar psh degjenerimi i masonerisë, Lidhjet e kudondodhura Roteriane, akoma së fundi dhe ajo...Organizata e Kombeve të Bashkuara! Pra sipas të dhënave më sipër, tendenca shtytëse e budallenjve drejt organizatave të çdo lloji dhe natyre dhe tufëzimit të tyre me mani, antindividualizmi dhe grupimi pa ndërhyrje tjetër, na jep shembujt e ekonomisë së drejtuar në shembujt e socializmit, apo komunizmit. (të tjerë janë ata që shfrytëzojnë teori të tilla gjithsesi).

Në këtë mënyrë, më tej mund të shpjegohet përzgjedhja rigorozisht dhe rreptësisht e budallenjve në krye të organizatave shoqërore, të cilët përmes dhunës politike arrijnë të mbizotërojnë dhe si sistem ekonomik apo politik. Po nga ana tjetër, kritikat, privilegje e atyre personave që zotërojnë një llogjikë të fortë, të drejtuara ndaj udhëheqësve të organizatave të tilla, janë krejtësisht të padëshirueshme. Sepse e ushtruar nga të tjerë, bie ndesh me pushtetin e budallenjve, apo të atyre që mbajnë një pozitë të tillë interesi që i bën të ndjeshëm ndaj mendimit kritik. Mungesa e mendimit individual, lëvdatat, keqdashja (shikoni më poshtë) i bëjnë këto situata, ideale për tu klasifikuar si të zotëruara prej budallenjve. Përsëri tendenca e paluftueshme që budallenjtë kanë të mblidhen në tufëzim, përmes shfaqjeve publike, të ushqyera prej radiove, televizionit, modës, dhënies së vlerësimeve (diplomave, medaljeve) japin një pikturë të përgjithshme si shfaqje budallëku dhe përmes asaj çka pamë më lart, janë të vetkuptueshme.

III

3. Tani na duhet të gjejmë se kur duhet ta marrim si të dhënë mundësinë reale të ndikimit prej kopesë së budallenjve? Kjo mundësi, mund të vlerësohet objektivisht dhe pavarësisht sustës psikologjike (ressentiment) e cila nuk do të kishte asnjë ndikim aktiv shoqëror në diferencimin e klasave. Është vlerë e dhënë nëpërmjet pozitës që mbajnë budallenjtë në rendin shoqëror. Pozitë në të cilën shndërrohen në të pazëvendësueshëm, sepse është pozitë më e ulët por gjithashtu hallkë e nevojshme për funksionimin e të gjithë mekanizmit shoqëror, i cili bazohet absolutisht në hallkat e veta më të ulëta.

Më qartësisht duket kjo varësi në marrëdhëniet me hallkat më të larta në personazhe dhe pozita që këto hallka u përkasin. Qartësisht kjo lidhje duket te forma e santazhit, të cilën e njohin të gjitha qeniet shoqërore. Si shembull jepet shmangia, mbyllja e një dosjeje, apo mosdhënia e urdhërit të mandatit të arrestit kundrejt një të kërkuari kriminel, prej organeve (të ulëta në grada) policore të lidhura me persona të tillë etj.

4. Duke marrë parasysh, aktualitetin e kësaj gjendjeje në rangjet e ulëta të personave në diferencimin social, bëhet plotësisht e kuptueshme ngritja në pozitë e personave të tillë përmes aleancave duke vendosur veten dhe të tjerë në pozita të tilla paralizuese të sistemit dhe bojkotimin nga këta persona me këto aleanca nga njëra anë ndaj personave të aftë për të kryer një punë të caktuar, ndërsa në anën tjetër, vendosin shtytjen ndaj personave të njëjtë me ta drejt pozitave drejtuese. Ky fenomen emërtohet “klikë” .

Që një evolim të llojit të tillë, asnjë nuk mundet ta ndalojë kjo duket qartë, aq qartë sa duket dhe marrëdhënia e ndërvarur sipas të dhënave të mësipërme. Sipas kësaj vartësie, fenomeni “një budalla bie, një mijë ngrihen” vazhdon pambarimisht.

I ardhuri në pozitë kësaj here budalla, do të kërkojë më budallenj se vetja për t’i patur vartës deri sa një ndërhyrje e dhunshme nga jashtë, e detyrueshme herë prej nevojës, herë prej organizmave shoqërorë, apo një përçudnim i organizatës në fjalë do të jetë i rangut të tillë që të çojë në një tronditjeje nga themelet deri në fundin e saj.

5. Por edhe pa aleanca dhe organzime, pa “klika”, të ardhurit e rinj budallenj apo të paaftët përgjithësisht, sikur edhe individualisht të mbizotëronin vendosen të lidhur me diferencimin social në një rang të njëjtë me të organizuarit. Sepse objektivisht, pozitat të cilat mbajnë, nëse marrim parasysh si më sipër, janë të tilla që i bëjnë ose të mbivlerësuar, ose të ngrënshëm (durueshëm) prej të tjerëve, asnjëherë veç në këto pozita nuk kërkohet aftësi që të arrihet deri aty. Në të kundërt, njerëzit e aftë, shtypen dhe rrëzohen me rastin më të parë që arrijnë në majat më të larta të sistemit. Në këtë mënyrë, shumë të paaftë kanë arritur të kenë pozita të larta që nga presidenti i Republikës deri te “sekretari i Aleancës së shitësve të çarqeve të minjve”. Këto pozita shoqërore asnjëherë një njeri serioz nuk do kërkonte t’i kishte. Pozita të cilat shoqërohen me diploma, medalje, shfaqje etj.

Kolegu causeur i rasteve më lart përbën me të vërtetë një fshikullim shoqëror, sepse si causerie merr përsipër të flasë te kopeja e njerëzve mbledhur përpara tij çfarë u bë nëpër gazeta, çfarë dëgjoi në radio, çfarë i thanë njerëzit në rrugë etj. Gjithashtu kur vendos të komentojë mbi tema të vështira që kërkojnë mprehtësi intelektuale dhe hir shpirtëror si psh se gjatë natës mbizotëron errësira dhe pas shiut sigurisht ka lagështi. Në këto raste shtohet gjithashtu qëndrimi “vetëmbrojtës” ndaj njerëzve intelektualisht më lart se ai vetë, një nënvleftësim i qëllimshëm i tyre në emër të popullit etj.

IV

6 Interesant është përfundimisht dhe fenomeni i disa njerëzve të ditur të cilët instiktivisht e ndjejnë rolin e madh të budallenjve në shoqëri dhe karrierën e tyre të shndritshme – në prerjen e artë të modestisë sigurisht – vendosin të vishen me këtë rol të ngrihen dhe ata nëpërmjet metodës së infiltrimit ndër ta. Por ky rol është tejet i vështirë për dy arsye kryesore.

Së pari subjektivisht, ekzistenca e jetës shpirtërore dhe intelektuale ka një reflektim në fizionominë e jashtme, kjo edhe me aktrimin më të mirë të mundshëm është e vështirë të fshihet, veç në rastin kur kemi të bëjmë me talent aktrimi të jashtëzakonshëm. Thjesht, veç prania e një të mençuri është si rregull, tejet sfiduese për budallain. Kompleksi psikologjik i ndjenjave që vërshojnë drejt tij, është krejtësisht i njëjtë me atë të një kafshe në ikje e sipër, në gjendje paniku, ose të një njeriu në gjendje arratisjeje, apo pozicion mbrojtjeje. Urrejtja, frika, keqdashja, bashkë me guximin harbut përmblidhen në një mënyrë të tillë që shprehin për një sy të stërvitur qartë në çdo frazë, qëndrim të njëjtë nënvlerësues, apo përulës në një gjendje të rrezikuar.

Së dyti, sipas mënyrës të të menduarit të budallait, dyshimi instiktiv i lindur i tij, është e tillë që hipokrizia aktoriale e të mençurit bëhet e kotë. Nga ana tjetër, sinqeriteti i vërtetë i shprehur prej të mençurit konsiderohet si hipokrizi. Budallai është qënia më e afërt me mbretërinë e kafshëve, ka ndjenja dyshimi instiktiv të zhvilluar në mënyrë të tillë që bëhet i pamundur diagnostifikimi apo krijimi meditues dhe renditja llogjike e fakteve, të dhëna zgjuarsie këto, aftësi jo të mbështetura në instikte, por në dije. (budallai) i paarmatosur dhe i pambrojtur prej ofensivës inteligjente, përballë veprimeve llogjike të ftohta të një zgjuarsie të huaj, karakteristika që bëhen të pakapërcyeshme për të, dhe për t’i përballuar vë punë mjetin e vetëm që ka në dorë, pikërisht ato që përdorte dhe njeriu primitiv apo kafshët – dyshimin instiktiv.

Në këtë mënyrë shpjegohet dhe inferioriteti fizik, apo shpirtëror i popujve që frymëzohen kryesisht nga dyshimi instiktiv dhe nga vetëkënaqësia, karakteristika që i marrin si të dhëna inteligjence. Në kundërshtim me evropianët, të cilët nuk kanë asnjë nevojë për ndjenja të tilla dhe botkuptimi i tyre është mbështetur mbi llogjikën. Sipas kësaj gjithashtu, duket qartë se dyshimi keqdashës dhe pjella e tij, dinakëria, janë të dhëna krejtësisht të kundërta me inteligjencën, madje i kanë zënë vendin kësaj të fundit. Themi në “të kundërt” përsa i përket rolit, sepse dituria, nuk është e pavarur prej instiktit, përkundrazi, është zhvillimi i mëtejshëm i këtij të fundit që nga vlera e tij fillestare.

7. Dinakëria, është ushtrimi aktiv i dyshimit dhe stadi i dytë i tij, veprim i njëjtë me instiktet kafshërore të mbrojtjes, sepse për tu ushtruar presupozon varfërinë dhe inercinë shpirtërore të budallait, si kafshë instiktivisht dhe shpirtërisht nën panik. Dyshimi i thjeshtë është një mbrojtje me natyrë pasive e cila nuk u drejtohet personave të tretë. Ndërsa dinakëria është mbrojtje e natyrës aktive, sepse përmbledh aktivitet të trurit, renditje mendimesh dhe përfundimesh deri në veprim (kur themi ia hodhi psh), dhe si përfundim ushtrohet mbi persona të tretë. Vlera e cilësisë së mendimeve, meditimeve dhe përfundimve nuk ka lidhje me zgjuarsinë kur vetë përdorimi i këtyre na çon në ushtrimin e asaj çka quhet me një fjalë të vetme – dinakëri (shejtanllik), por përdorimi i përgjithësimeve në kombinim me nivelin e ulët intelektual çon në ushtrimin e disa veprimeve të njohura në funksion të dinakërisë (lavdërime, gënjeshtra, keqdashje, shpifje, kurvëllik, këndvështrim simpatik ndaj budallenjve akoma, duke zënë në gojë fëmijët e shumtë të tij, ofertë ndaj të “fortit” për shërbime të ndryshme, të lehta dhe të pamoralshme, spiunllik, “marrje pluhurash”, karagjozëllëqe, apo të bërit si Kazanova, puthje duarsh përpara “të Plotfuqishmit”, nxjerrje fjalimesh, thurje të vargjeve lëvdonjëse, mbartje qesesh me zarzavate etj)

8. Budallai mundet përmes “aftësisë” së tij dhe mjeteve të cekëta intelektualo-shpirtërore, (në mungesë të aftësive të larta intelektuale), të ushtrojë më pas dhe mashtrimin. Mashtrimi siç dihet, është fshehja e të vërtetës, apo parashtrimi i gënjeshtrës si e vërtetë. Sipas këtij përkufizimi, ushtrimi i mashtrimit, nuk i detyrohet mprehtësisë së atij që e ushtron, sepse si çdo njeri që mundet të parashtrojë të gënjeshtrën si të vërtetë, ashtu mundet dhe budallai në fjalë, por në mirëbesimin e viktimës. Arsyeja që i futet kësaj rruge si më e lehta mendërisht e mundshme, për budallain është mungesa e mprehtësisë së tij dhe paaftësia për të përdorur mjete të ndershme, karakteristikë kjo e njerëzve inteligjentë. Vetëm ata munden të përdorin vlera që kërkojnë një kalitje individuale shpirtërore.

Po si është e mundur atëherë që na del përpara shprehja e përhapur gjerësisht se mashtruesi nuk ka mundësi të jetë budalla, përkundrazi, është i mençur? Në të kundërt me analizën e mësipërme sipas së cilës del se mashtruesi nuk ka mundësi të jetë i mençur por budalla me vulë?

Kjo përshtypje e ka burimin nga “teoria” e lidhjes së budallëkut me mirëbesimin. Budallai është i prirur të “mendojë” jo prej një mekanizmi llogjik kuptues por nga përshtypjet e jashtme. Nuk kërkon arsyet madhore të cilat shpjegojnë fenomenin e caktuar, por kufizohet në gjetjet sipërfaqësore aq sa për të realizuar një mashtrim të suksesshëm. Veprimi në fjalë nuk lidhet vetëm me mirëbesimin e viktimave të veta dhe zgjuarsisë së mashtruesit.

Që mashtrimi nuk lidhet me zgjuarsinë besoj se e bëmë të kuptueshme mjaftueshëm. Por të thuhet që mirëbesimi është budallëk, kjo është me të vërtetë monument i budallëkut “të zgjuar”. Sepse mirëbesimi i dikujt, presuozon që të tjerët të jenë si ai, mirëbesues dhe të ndershëm, pra të mençur. Ky është pa dyshim treguesi më i lartë i arritjes kulturore dhe qytetëruese të dikujt.

Sa më lart të ndodhet dikush në shkallët e zgjuarsisë dhe të qytetërimit, qofshin këta popuj, apo individë (psh evropianët në lidhje me popujt e lindjes së mesme) aq më mirëbesues janë ndaj njeri tjetrit.

I fundit i budallenjve, do ta kishte të pamundur që të mashtronte një Kant apo një Betoven dhe i fundit i grekëve (lexo shqiptarëve po të duash ) një evropian. Hedhja e vështrimit keqardhës të “frëngëve naivë” drejt fatkeqëve “të mençur” banorë rreth Mesdheut, apo të Lindjes, le të jetë dënimi i budallenjve për këtë “teori” të tyren.

V

9. Jemi brenda të vërtetës nëse themi që budallai ndjek instiktin e vet të dyshimit keqdashës* (lexo supersticioneve*) dhe kjo është e padiskutueshme. Ai e vendos veten e vet brenda jetës sociale dhe “fatin” e tij në lartësi qiellore (brenda metafizikës psh), aty ku bota instiktive ka pësuar një degjenerim të lartë - përballë botës llogjike, duke humbur në këtë mënyrë çdo kontakt me realitetin.

Nëse pranojmë, ashtu siç lipset të bëjmë, se së pari: Instikti është i pagabueshëm, si i tillë i pashpjegueshëm dhe i pa cen. Së dyti; se bota instiktive është mbi të gjitha një botë prej natyre e shëndetshme. Së treti; se shoqëria (bashkësia) në vazhdimësi të natyrës, është një organizëm i shëndetshëm i përbërë prej individëve të shëndetshëm, atëherë përfundimi mbi zotërimin e budallenjve në botë nëpërmjet metafizikes në shoqëri, është një përfundim i nevojshëm dhe i parevokueshëm.

Përfundimi vërtetohet si nevojë e natyrshme dhe sociale me vlera të përbotshme përsa u përket të gjithë popujve, në të gjitha kohët. Që gjendjet metafizike mbizotëruan (jo lulëzuan) në epokat e errëta sociale, kjo nuk është rastësi. Budallai, siç u tha sa më sipër, duke ndjerë në dyshimin e vet keqdashës “sulmin” e të mençurve është në mënyrë të krejt të natyrshme brenda realitetit, sepse me të drejtë ndjen rrezikun që i kanoset për tu fundosur në klasat shoqërore më të ulta. Nëse mundet nëpërmjet dyshimeve të veta të mbijetojë në majën e piramidës shoqërore, kjo ësht temë tjetër.

Është e dukshme veç që instikti përbën një mjet orientimi (busull) dhe mbrojtjeje të njeriut primitiv. Por ky nuk vlen ama si mjet mbizotërimi dhe superioriteti në një shoqëri të zhvilluar që i ka të ndara paraprakisht klasat sipas aftësive, në formë të natyrshme.

Budallai ngjan në këto lloj shoqërish me një kafshë e cila prej instiktit di t’i shmanget çdo rreziku, përveç dhunës nga “lart”, sikur vjen prej xhunglës dhe hyn në një një rrugë kryesore të një metropoli atëherë do gjendet befasisht poshtë rrotave të një makine. Kjo makinë, e cila është e panjohur dhe e pashpjegueshme për të, mbështetet sigurisht në fund të fundit te instiktet e njeriut, por është ndërtuar prej zgjuarsisë së tij. Sesa shpesh mund të gjenden njerëz të ulët shpirtërisht poshtë rrotave të “makinave” sociale, na jep një tregues të vendit që mbajnë ata në klasat sociale.

Këtë lloj makine, nuk mundet as budallai sigurisht ta shmangë, sepse ngritja e tij mbi të është e kufizuar brenda caqeve të caktuara shoqërore. Dhe së fundi, metafizikja, as kafshën dhe as budallanë nuk mundet të mbështjellë nën rrota, sepse është e kuptueshme që ai ia ka hipur kalit me flatra Pegasus. (Ose ka fluturuar me zarzavate si i themi ne )

VI

10. Sipas prejardhjes shoqërore të budallenjve, vëmë re që prodhimi i tyre nuk kufizohet prej ndarjeve klasore. Natyra dinake, nuk i dha asnjë klase të caktuar këtë privilegj. Në mënyrë të përciptë mund të pohojmë se budallenjtë më të këndshëm natyra na i ka ofruar në rangjet e klasave të larta, por gjithsesi, nuk ndau asnjë klasë nga ndikimi simbolik i tyre. Ministri budalla i bërë reckë nga nëpunësit dhe vartësit e tij, apo matrapazi ndërmjet punëtorëve që shfrytëzon mundin dhe djersën e kolegëve, janë dy raste të kundërta që vërtetojnë më së miri se budallëku vendlindjen nuk e ka të natyrës klasore.

Përmbajtja e budallëkut është kryesisht psikologjike për të formuar më tej variacionet e veta paralele midis budallenjve. Fils a papa i klasës superiore, i cili për shkak të atrofizimit fizik dhe natyrës bulemike të karakterit, merr seriozisht në konsideratë rradhën e pafundme të rregullave të vendosura prej familjes së vet, duke humbur kështu vlerën e mendimit kritik, katandiset në njeri pa pikën e karakterin dhe quhet prej klasës së vet përfaqësuese si “çun i mirë”, kur në mënyrë llogjike të përkufizimit do duhet të ishte “budalla përsëmbari”. Ndërsa “njeriu i popullit” nën shembullin paralel do duhet të quhej gjerësisht prej shoqërisë veç “trap”.

Me të drejtë duket më i rreptë përkufizimi në masat popullore. Nëse psh fils a papa i klasës superiore, në moshën shkollore del të jetë i pamjaftueshëm llogjikisht, ai mbështetet me mjetet që posedon klasa e vet, madje arrin të qëndrojë në pozita të larta shoqërore nëpërmjet kësaj mbështetjeje. Ndërsa njeriu i popullit, edukohet më me rreptësi nga prindërit dhe prej bashkëmoshatarëve të vet, derisa arrin një lodhje mendore të tillë përmes nënvleftësimit, sharjeve, talljeve, farsave, dhe dhunës që nuk i krijon mundësi të mjaftueshme të ngjitë në shkallët e klasave të tjera më të larta. Ky lloji i fundit i budallait, edhe më simpatik është, më modest, më i padëmshëm dhe më pak qesharak, gjithashtu e ka humbur vetëvlerësimin, në kundërshtim me budallain e klasave të larta që bulemia dhe mbrothtësia familjare, i shton karakterit të tij një lloj natyre femërore.

VII

11. Së fundi, lidhja e moralit ndërmjet budallait dhe rengpunuesit, apo mashtruesit është papritshmërisht e ndryshme nga ajo që ka parasysh “opinioni publik”. Njeriu i thjeshtë, mendon se rengpunuesit dhe mashtruesit janë vërtet të pamoralshëm, por gjithashtu një nënkategori e të zgjuarve. Në të kundërt, do të thoja se mashtruesit janë kategori e budallëkut. Dhe ja se si: Nga sa thamë më sipër, dinakëria përveç kur kjo përdoret si mjet prej të mençurve kundër budallenjve, përbën dhe karakteristikë natyrale të këtyre të fundit, gjithashtu konkluzion llogjik të faktit se për shkak të natyrës së prishur të mekanizmit llogjik të budallenjve, dinakëria përbën mekanizmin e vetëm mbrojtës që këta kanë në dorë ndaj sulmeve të jashtme.

Për vërtetësinë e këtyre argumentave na duhet edhe një hap i vetëm akoma: pikërisht që dinakëria është e nevojshme ndër budallenj, për t’i bërë këta të zotërojnë pozita dhe pushtet. Asnjë njeri me vlerë nuk e ka të nevojshme të bëhet dinak, apo mashtrues. Eksperienca shoqërore e përditshme na mëson se këto lloj epitetesh (mashtrues, dinak etj) asnjëherë nuk arritën të ishin pronë e njerëzve të mëdhenj, të cilët sipas aktivitetit të tyre janë cilësuar si “të këqinj”, “të mefshët”, “skuthë”, por asnjëherë si mashtruesa apo rengjepunues, madje edhe kur kanë qënë konservatorë, antisocialë në lidhjet me njerëzit, kanë arritur të mbizotërojnë.

Pasoja absolute të gjymtimit shpirtëror të budallait janë jo vetëm tendenca e tij për tu kthyer në kope, shtytja përpara me shpatulla pas murit në legjionin e njerëzve të sërës së vet, mungesa e kritikës, përdorimi i robërimit moral, lajkat etj. Por dhe shmangia sistematike e çdo përplasjeje dhe çdo beteje. Dhe kur budallai në formën e mashtruesit apo dinakut, do t’i duhet të polemizojë, këtë do e bëjë nëpërmjet mjeteve më të lehta të mundshme, madje ato më imorale: Gënjeshtrës,kurvëllikut, ligësisë dhe shpifjes.

Prej kësaj del dhe teorema e patundshme që: edhe imoraliteti është komplet privilegj vetëm i budallenjve.

Elushe, forumivirtual.com Perkthim nga nje gazete juriste