Rekapitullim – kush hynë në Evropë?
Evropa si bartëse e civilizimit dhe kulturës futet në vendet tjera. Ballkani, sot, nuk është prodhues i civilizimit, por konsumues, mirëpo homosapiensi ka vështirësi ta pranojë botën, që është në kundërshtim me bindjet e tija tradicionale, mijëvjeçare.
Evropa si bartëse e civilizimit dhe kulturës futet në vendet tjera. Ballkani, sot, nuk është prodhues i civilizimit, por konsumues, mirëpo homosapiensi ka vështirësi ta pranojë botën, që është në kundërshtim me bindjet e tija tradicionale, mijëvjeçare.
Sipas tij botë morale është vetëm ajo që njehë ai. Nuk pranon atë që ekziston botërisht, me shekuj, edhe pse e dinë se nuk është një paraqitje sporadike. Sipas tij homoseksuali duhet ta dashurojë një grua. Ky pretendim është i njëjtë, si, kur kërkohet nga heteroseksuali të dashurojë një burrë. Sipas tij vlerë kanë vetëm njerëzit që riprodhohen, vetëm ata që kryejnë detyrat e evolucionit, kontributi në shoqëri nuk është me rëndësi. Ai din shumë mirë, sigurisht njeh njerëz të tillë, që do të kishte qenë më mirë të mos ishin riprodhuar fare.
Natyra nuk funksionon sipas rregullave të shumicës
Sipas botëkuptimit të tij natyra prodhon vetëm përsosmëri: as nuk linden fëmijë me sëmundje, as siamez me dy koka, as bineq të ngjitur, as gra me organe gjenitale mashkullore, por me gjinj; as me dymbëdhjetë e më shumë gishta në dorë apo në këmbë, as të verbër, as të shurdhër, as me të meta fizike e psikike, as imbecil, por linden vetëm burra dhe vetëm gra!!! Sipas homofobit natyra ka parashikuar orientimin seksual kategorik. Kjo, mirëpo, nuk është e vërtetë, sepse homoseksualizmi ekziston edhe te kafshët e padjallëzuara!
Homo sapiensi me qëndrim homofob ka, mirëpo, vetëm një problem të madh perceptimi: ai kërkon nga natyra perfeksion vetëm te orientimit seksual. Teket tjera të qelizave dhe gjeneve nuk janë të rëndësishme. Sipas shkencës çdo njeri ka 100-200 defekte gjenetike, mutacione. Kjo është arsyeja pse nuk jemi të përsosur dhe pse me ligj nuk mund të penalizohet preferencat seksuale në mes të rriturve…dhe jemi ashtu si jemi me shumë gjini dhe ka ardhur koha ta pranojmë realitetin!
Homofobi është pajtuar me deformimet fizike që mund të shkaktojë natyra dhe nuk revoltohet, respektivisht nuk mund t´i ndalë, ndoshta fajëson të pafajshmin: Zotin, por në anën tjetër, në aspektin shpirtëror, mendon se preferenca seksuale e njeriut mund të mbikëqyret ose me ligj ose të ndryshohet me dhunë! Ai qysh si fëmijë ka parë dhe mësuar se dhuna nënshtron, dreson, sipas tij riedukon njeriun dhe mendon se kështu zgjidhen problemet e jetës.
Ka mijëra vjet që ky problem nuk u zgjodh as nga religjioni, as nga politika! Sepse në fakt nuk ishte problem, por shumica konsideron perversion çdo gjë që nuk është sipas shijes, normës së saj.
Ai është i bindur se njeriu me dëshirë përcakton preferencën seksuale, e nuk lindet me të ose nuk shpërthen më vonë, në moshë të pubertetit për shembull. Thua se kur ai kishte katër vjet, pesë apo gjashtë dinte se çfarë preferencë seksuale kishte!!!
Homofobi ka edhe një problemë tjetër të madh: orientimin objektiv dhe pranimin e realitetit:
ai është i bindur se njerëzit devijojnë. Me dëshirë! Ai don t´i tregojë tjetrit se si duhet të jetojë, përndryshe ai pezmatohet, revoltohet dhe bëhet i rrezikshëm! Homofobi thotë me mburrje, në vend se të skuqet nga turpi: “nuk jam i gatshëm ta toleroj jetën tënde sipas dëshirës tënde! Trupi jot është edhe imi!” Kush është këtu homoseksual, ai i vërteti apo ky që dëshiron të posedoj dhe të kontrollojë trupin e tjetrit!? E liria individuale? Në shoqëri jo moderne vlen vetëm për shumicën! Shoqëria moderne dëshmohet me trajtimin e pakicave, të çdo lloji: kombëtar, fetar apo të orientimit seksual…
Ngjasimet
Kur djali i përngjan nënës fizikisht, nuk konsiderohet perversion. As kur bija i përngjan t´atit. Edhe nëse ata marrin shijen e prindit të gjinisë së njëjtë, nuk është perversion, por nëse natyra siç nuk na pëlqen neve, shumicës, transferon preferencën seksuale të nënës te djali apo t’ atit te bija, atëherë këtë përfundon racionaliteti i homo-sapiensit! Ai pranon se natyra mund të devijojë njeriun vetëm fizikisht, por sipas tij, natyra nuk shkakton kurrë një ndryshim te preferenca seksuale! Natyra apo Zoti gabon vetëm fizikisht, por jo shpirtërisht!
Sipas tij është tragjike dhe amorale nëse dikush flenë me atë që dëshiron, të moshës madhore, kuptohet, e jo me atë që dëshiron patrioti imagjinar. Edhe sulltanët kanë pasur hareme me djem, mirëpo kjo nuk ishte homoseksualizëm, por pedofili, e cila duhet luftuar në mënyrë konsekuente. Në Arabinë Saudite martohet plaku 80 vj. me një vogëlushe 10 vjeçe se me ligjet e këtij shteti nuk parashihet mosha minimale për martesë, pra pedofilia lejohet, por edhe atje ndalohet homoseksualiteti. Shkurt e shqip, ndalohet dashuria ne mes të rriturve të së njëjtës gjini, por jo me fëmijët! E Vatikani? Një ditë do të kemi një papë homoseksual, siç është normale të ketë edhe priftërinj homoseksual…
Nëse moralisht kjo botë nuk është e çmendur, atëherë është e perverse tej për tej, prej vendi në vend, prej shteti në shtet, sepse perverse konsiderohen veprat e tjetrit, jo të vetat!
A jemi gati ne ta pranojmë homoseksualizmin?
Nëse shtrohet pyetja në këtë mënyrë, atëherë kjo tregon se ne jemi të egër!
Nuk është me rëndësi a jemi ne gati të pranojmë atë që ekziston në ilegalitet, ( ku e kemi dëbuar ne me paragjykimet ataviste) sepse në këtë rast do të flitej për primitivizmin dhe mostolerancën tonë, por pyetja kryesore është, në mjedisin tonë, ballkanik, a janë të gatshëm bashkëqytetarët tanë homoseksual ta jetojnë jetën pa komplekse dhe të japin kontributin e tyre në shoqëri?
Nëse ata kanë frikë të madhe, dëshmon për agresivitetin tonë dhe tregon se ne shumë pak kemi lëvizur nga vendi!
Vendnumërimi
Ne punojmë me kompjuter, ngasim makina, fluturojmë me aeroplan, përdorim mikroskop, studiojmë teket e gjeneve dhe qelizave, por të gjykuarit duhet ta ruajmë ashtu siç e kemi mësuar nga analfabetët, kur mjet i vetëm i komunikacionit ishte gomari! Pra, homo sapiensi shfrytëzon çdo komoditet të kohës moderne, por me xhelozi ruan botëkuptime primitive, madje me këto edhe krenohet dhe e vështron si detyre patriotike! E kush e autorizoi?
Emancipimi dhe autorizimi
Kuvendet shqiptare janë të autorizuara për emancipimin e kombit. Shteti shqiptar nuk ka për detyrë t´u tregojë njerëzve se ç´ka duhet t´u pëlqejë atyre, por pakicës t´i garantojë të drejtën individuale dhe lirinë e ekzistencës.
Niveli i civilizimit sot tregohet me kushtetutë. A jemi gati ta pranojmë atë që ekziston apo të jetojmë në hipokrizi? A jemi gati të tolerojmë atë që nuk është si ne? Demokracia për shumicën dhe përjashtime i pakicës, nuk është demokraci, por diskriminim! Kombi shqiptar ka përvojë dhe din sa i keq është diskriminimi!
Hipokrizia
Ne nuk mund të bëhemi hipokrit dhe ta ndalojmë vetëm “perversionin”, por duhet t´i ndalojmë edhe ata që ishin të tillë dhe “helmojnë” rininë tonë. Si mund të kuptohet intelektuali që krenohet me homoseksualët, biseksualët e lesbiket e vdekura?
Ai lexon dhe jep mësime e krenohet me këta homoseksualët, biseksual apo lesbike, si: Leka i Madh, Julius Gaius Cesar, Aristoteli, Sokrati, Platoni, Demosteni , Luigji i XIII Francë, Lord Byron dhe Ali Pashë Tepelena, Frederiku i Madh, Frederiku i II, Haroun Al Rashid, kalif i Bagdadit (750- 800), Khair ed-Din, vdiq në Algjeri në vitin 1546 , Omar Kajami Persi, vdiq më 1122… Elisabeta I e Anglisë, Atatyrk e shumë të tjerë…
Homofobi dëgjon muzikë kënduar nga homoseksualët, lesbiket apo biseksualët apo shikon filma të aktorëve homoseksual, biseksual apo lesbike, si psh:
David Bowie, James Dean, Marlene Dietrich, Cary Grant, Rock Hudson, Peter Çajkovski, Frédéric Chopin, Franz Schubert, Richard Wagner, Johannes Brahms, George Michael, Edith Piaf, Madona, Samantha Fox, Elton John, Greta Garbo, Jodie Foster, Gianna Nannini…e shumë të tjerë…
Homo sapiensi lexon librat, krenohet me autoritetet homoseksuale e biseksuale, citon ata dhe mburret se i ka lexuar: Ai mburret me këta homoseksual, lesbike apo biseksual, si psh.: Safo, poete greke 600 vjet para Krishtit, Madame de Stael, Françoise Sagan, Simone de Beauvoir, Johan W. von Goethe, Miguel de Cervantes, Wilhelm von Humboldt, Leonardo da Vinci, Voltaire , Frederico Garcia Lorca, Thomas Mann, Michelangelo, Botticelli, Eugène Delacroix, Honoré de Balzac ,Salvador Dali, Francis Bacon, Louis Aragon, Jules Verne, François Mauriac, Arthur Rimbaud, Bertolt Brecht, Tenessee Williams, Michel Foucault, Paul Verlaine , Gustave Flaubert, Francis Bacon, Roland Barthes, Oscar Wilde, Thomas Mann, Marcel Proust, Jean-Jacque Rousseau, Jean-Paul Sartre, Oscar Wilde, Shakespeare, James Cook, Buffalo Bill… Cornelia Scheel, bija e ish presidentit gjerman e shumë të tjerë…
Hipokrizia e homofobit nuk përfundon këtu: ai vishet edhe me rrobe, natyrisht nëse ka mundësi, të qepura nga homoseksualët, si : Wolfgang Joop, Giorgio Armani, Yves Saint-Laurent, Jean-Paul Gaultier, Dolce & Gabanna, Calvin Klein etj.etj.etj…
Homofobi, që vuan nga hipokrizia radikale, sillet si paraardhësi i homo sapiensit: si homo erectus. Pra si intelektual i kalibrit të madh çmon, respekton, adhuron, mrekullohet dhe çmendet me veprat e homoseksualëve e biseksualëve të vdekur apo me homoseksualët e biseksualët e kombeve tjera, por i urren deri në vdekje homoseksualet e gjallë në kombin e vet dhe, kjo quhet hipokrizi radikale, e pafytyrë!
Kush ka këtu probleme dhe për çfarë devijimi të homo sapiensit mund të flitet, kur ai dashuron, adhuron të vdekurit? A mund të konsiderohet kjo nekrofili?
Si të zhduken homoseksualizmi?
Homoseksualët mund të zhduken, nëse meshkujt lindin djem dhe gratë lindin vajza, pa u pas përzier kromozomet e tyre, derisa fekondimi ndodh në këtë mënyrë klasike, do të ketë edhe befasi dhe përzierje të tilla gjinore! Çdo njeri le ta “kultivojë kopshtin e vet”, ky është stacioni i civilizimit të sotëm…Ne nuk mund ta ndryshojmë Evropën, por Evropa na ndryshon neve…
Aty ku akoma mendojnë se fuqia e intelektit është në “drejtpërdorimin” e organeve gjenitale, emrat e autoriteteve të lartpërmendur flasin për diçka tjetër dhe shtrohet pyetja: pse Zoti apo natyra stolis, shpërblen me inteligjencë gjeniale pikërisht ata që nuk janë si ne shumica?
Sepse gjenet dhe qelizat nuk funksionojnë sipas dëshirës së mazhorancës!
Për personalitetet tjera homoseksuale, biseksuale dhe lesbike mund të konsultohet libri i: Michel Larivière : Dictionnaire des homosexuels et bisexuels célèbres (éditions Delétraz)
Naser Aliu, Floart Press