Tuesday, March 23, 2010

Ç'je ti ?

Të kam ideal,
më ndjell frikë, pasiguri,
të kam dritë, ngohtësi,
ndrit e verbon ti.

Të kam arsye,
shpeshherë më mungon,
të kam mike të jetës,
e miqësitë e mia nuk i duron.

Të kam qëllim,
që jo rrallë më humbet,
të kam të vetmen shpresë,
që shëron e vret.

Të kam dobësi,
por dhe forcë e besim,
metamorfozë befasuese
sakrificë në vetmohim.

Të kam ajër
e gjithçka tjetër je TI
më therr në zemër,
të kam DASHURI.


Shkroi: Stop Injorancës http://www.facebook.com/NdalPaditurise2

Monday, March 22, 2010

Sa kollaj u vidhka banka..

Është banka e dytë, e tretë, e katërt, e pestë, e me radhë, që po vidhet dhe asnjë lëvizje konkrete për sigurinë e bankave.

Asnjë bankë në Shqipëri nuk është e pavjedhshme, ndërsa duhej të ishin si Fort Nox, banka federale amerikane. Ideja se nuk mund të bëjmë asgjë, është një ide jo fort e ndershme, jo fort e drejtë. Diçka mund të bëjmë. Në vend që të merremi me pasojat, mund dhe duhet të merremi me shkaqet.

Po pse gjithçka që nisim e lëmë në mes?

-Përse rruga më e kushtueshme e kombit shqiptar mbeti në gjysmë, edhe pse prej saj u fituan -zgjedhjet?
-Përse u desh vdekja e 45, që dikush të vinte disa goma në kthesën e Lushnjës?
-A nuk mund të bëhej kjo që në vdekjen e 40, apo ca më mirë në të parën?
-Përse pas Gërdecit, pati një shpërthim tjetër në Poliçan, në fabrikën e demontimit?
-Përse ishte vetëm Avokati i Popullit që kërkoi me një shkresë të veçantë të gjitha burimet e rrezikut të shtuar?
-Çfarë ndodhi me atë letrën që u përpilua?
-Përse pasi u mbyt barka në Tiranë, u mbyt dhe një tjetër në Sarandë?
-Përse para pak javësh nisi kërkesa për siguri e bankave, dhe ajo mbeti në mes, edhe pse është kërkesë ligjore për licencimin?

Ka një shprehje popullore që thotë se i mençur pas davaje mund të bëhet kushdo. Po përse na ndodh që nuk bëhemi të mençur edhe pas davaje, dhe jeta e njerëzve na rrëshqet prej shalëve?

Cili është ai popull aq i pasur sa mund të lejojë luksin e të hedhurit nga dritarja të një pasurie prej 1 % të PBB (kjo është zyrtare, por mund të jetë shumë më tepër) vetëm për shkak se nuk jemi në gjendje të ndalojmë aksidentet rrugore?
Po ai popull që i lejon vetes luksin që vetëm në vitin 2009 të ketë mbi 9000 aborte?

-Përse mungesa totale e vullnetit, e dëshirës për të bërë mirë, e imponimit të vlerës na ka sjellë në këtë ditë të zezë, ku pjesa më e madhe e institucioneve parandaluese të shtetit është kthyer në institucione që punojnë në kushte emergjence?
-Si duhet të reagojmë ne, kur e dimë paraprakisht se mijëra shtëpi në Shqipëri janë ndërtuar në faqe kodrash që kanë filluar të rrëshqasin?
-Përse duhet të paguajmë çmim për marrëzinë tonë?
-Si duhet të veprojmë kur për një të keqe do të paguajmë tre herë: një herë që të mbjellat e tokës së përmbytur u dëmtuan; herën e dytë kur vitin tjetër nuk mund të mbillet se toka është dëmtuar në thellësi; herën e tretë kur duhet të paguajmë dëmshpërblime? Pra, me pak fjalë: marrëzi në fuqi të tretë. Po kjo lloj marrëzie që është një sëmundje ngjitëse, mund të dallohet në të gjitha fushat e jetës sonë. Dhe ajo që të bën përshtypje është se çdo përpjekje për të ndryshuar këtë shëmtim, quhet si e destinuar të dështojë për shkak se nuk njihen aksione të mëdha parandaluese.

Po fusha e zgjidhjeve është një fushë jo fort e vështirë dhe aspak e minuar. Përkundrazi, shumë zgjidhje ndonjëherë janë shpëtimtare dhe më të thjeshta se sa veza e Kolombit. Le të kujtojmë një rast nga më të spikaturit, kur askush nuk mori mundimin më të vogël të hidhte një karrocë me dhé, e cila vetëm kjo do të kishte shpëtuar të paktën 100 milion dollarë. Kur u ndërtua rruga e re dalëse nga Tirana për në Durrës, pra ai segmenti si kurriz peshku plot dallgëzime, që mori gjithë ato para dhe kohë nga koha e shqiptarëve, makinat i binin anash një ndërtese biznesi të famshme në Tiranë. Shpejtësia e qarkullimit ishte shumë e vogël dhe koha e rrotullimit rreth një ndërtese të vetme ishte shumë e madhe. Shkaku ishte kaq i thjeshtë dhe banal, sa as ja vlen ta përmendësh. Ishin dy gropa të thella në fund të rrethrrotullimit të detyruar përqark ndërtesës. Ato dy gropa e ulnin shumë shpejtësinë e lëvizjes së makinave dhe bënin që të duhej nga 30-60 minuta për t’i ardhur vërdallë botës në kërkim të Arkës së Humbur. Llogarisni muaj të tërë, mijërat e makinave, milionat e karburantit, makinat e rraskapitura nga futja dhe nxjerrja e marshave, nervat e acaruara, stresin e akumuluar, shputat e këmbëve të dërrmuara, kohën shoqërore të humbur, tymin e karburantit të thithur, e shumë të tjera.
Dhe pse?
Për një karro me dhé. E njëjta situatë u përsërit në ndërtimin e rrugës së Plepave, kur arriti kulmi që në një drejtim u krijuan gjashtë radhë me makina, ose thënë ndryshe pilaf me makina. Ja pra, se si hodhëm në det miliona euro.

Ku shkuan dhjetë milionë dollarë të caktuar nga qeveria për riparimin e dëmeve të tërmetit në Dibër?
Ajo çka dimë është se nuk shkuan në Teatrin Kombëtar që ka nisur të ndërtohet prej vitesh dhe nuk po e shohim. As për Teatrin e Operas me kolltukët e diktaturës. As për tabelat e rrugëve, mungesa e të cilave ka marrë shumë jetë njerëzish.
-Kush e pagoi borxhin prej qindra milionë eurosh që kishte Albtelekom?
-Kush po e paguan të njëjtin lloj borxhi që kishte OSSH?
-A kanë mbaruar efektet e duhanit radioaktiv që është djegur tek ne?
-Po e hekurit radioaktiv që erdhi nga Ukraina?
-Mos është gjë i ndotur ajri në Elbasan? Pse ka aty aq shumë vetëvrasje?


Pafuqia e një kombi për të shpëtuar jetë njerëzish, për të jetuar një jetë më estetike, dhe jo thjesht për të mbijetuar, për të mos e kanalizuar rrugën e saposhtruar me asfalt, për të mos ju kthyer punëve publike me garanci 50 vjeçare pas tre vjetësh, për të mos lejuar 400 mijë shtrime në vit në spitale, ndërkohë që buxheti për shëndetësinë shtohet, ndërsa mund të shtohej buxheti për sportin, tregon mangësi të mëdha në mënyrën e të menduarit. Po jo se nuk i kemi menduar mijëra herë gjërat që themi e shohim. Nuk ka skutë të ferrit tonë që nuk është përshkruar më mirë se sa përshkroi Dante Ferrin e vet.

Ajo që na mungon është vlerësimi për intelektin, vlerësimi për atë tjetrin që çoç di, mungesa e çdyllosjes së veshëve përgjegjës të dinshumëve qeverisës. E mbi të gjitha përdorimi i kësaj depoje të madhe baruti që janë njerëzit e dijes dhe të shkencës, në të gjitha fushat e jetës. Për t’i përdorur paraprakisht, jo për të komentuar ngjarjet që ndodhin tek ne. E nëse mungon energjia, le të kërkohet sinergjia.

Erion Kristo, T. Observer

Hyllvegu - kalendari i sotëm pagan

Kalendari i sotëm pagan, është kalendari kombëtar që praktikohet nga pothuaj të gjithë shqiptarët, por shumë prej nesh, pa e ditur ende arsyen e vërtetë pas festimeve, që përfshihen në të.

Çfarë kuptimi kanë veroret, plugimi, festivalet e luleve, rrëshajat, zjarret malore, buzmi, kërshëndellat, ujqit, viti i ri e shumë të tjera, që janë festa mbarëkombëtare?


Fshehur nën veshje të huaja me disa emra të ndryshuara me dhunë, festat që mbahen me kryeneçësi prej të gjithë nesh, pa dallim krahine apo ideje, janë festat e lashta ilire, të cilat aspak rastësisht vazhdojnë të ndjekin këmba-këmbës ciklin e diellit dhe luhatjet e tij.

Hyllvegu është emri i ri vargmalas i këtij kalendari të lashtë e të pavdekshëm e do të thotë veg i Hyllit, punishte e Yllit, punishte e Diellit.

Duke u nisur nga të dhënat e mjafta rreth veprimtarive festive (shiko rrethin e blertë), drejtimet kryesore të tij në ciklin diellor janë si vijon:

Hyllvegu

Viti: 12 muaj / 365 ditë (366 një herë në katër vjet)
Muaji: 30-31 ditë (shkurt 28-29)
Java: 7 ditë (e hëna e para)
Dita: 24 herë (12 herë ditë, 12 herë natë)



Hyllvegu është standardizim i kalendarit festiv shqiptar sipas cikleve diellore.

Duke vrojtuar modelin e festave shqiptare të shpërndara gjatë vitit, vihet re se ato kryhen sipas një rregullsie që ndjek ciklin diellor. Kjo rregullsi pas ciklit diellor tregon dhe zbatimin e pavetëdijshëm mbarëpopullor të një kalendari të vjetër, në rite pagane, i cili pavarësisht përpjekjeve për dobësim, apo zhdukje prej institucioneve fetare apo administrative pushtuese, nëse hetohet me kujdes, ndonëse ende i pazyrtarizuar, ruan me ngulm thelbin e vet të pandryshuar që prej lashtësisë.

Festat mbi të cilat ngrihet Hyllvegu janë në dimër:
-fundshtatori me barasnatën e vjeshtës kur mbahet Plugimi dhe Dita e Bletëve;
-funddhjetori, që vjen me 2 javët e Mesdimrit, Buzmit dhe festës së ujqve.

Ato nisin nga data 25 dhjetor e ndjekin solsticin dimëror deri në 6 janar. Festa e njeriut-ujk, Ulknirit, paraqet egërsinë e natyrës në dimër dhe njësohet me djem veshur në lëkurë ujqish që shkaktojnë trazira përgjatë 2 javëve të Mesdimrit - me rrënjë thellë në lashtësinë ilire.

Në verë: fundmarsi me Ditën e Verës dhe veroret e vajzave ndjek barasnatën pranverore në datën 21 të muajit.
Në fund të qershorit vijojnë dy javët e Mesverës për solsticin veror me të Korrunat, të Qethat, therjen e bagëtisë, Natën e Verës, Rrëshajën e gjarpërinjve dhe në të parat e korrikut buçasin festimet e kultit të Diellit me zjarrndezje në majat e larta malore gjatë natës dhe zjarret e tymit në fusha.

Viti në Hyllveg ndjek kalendarin e sotëm e nis më 1 janar dhe mbaron në 31 dhjetor, por ka vetëm dy stinë, verën dhe dimrin. Vera nis me barasnatën e 21 marsit dhe mbaron në barasnatën e 23 shtatorit. Që prej aty e në mars gjysma tjetër e vitit është dimër. Në dy solsticet Hyllvegu shënon dy festat e mëdha të Mesverës dhe Mesdimrit. Renditja e muajve ecën gjithashtu sipas kalendarit të sotëm duke ruajtur dhe të gjithë rregullat e tjera të tij.


Festimet kryesore

2 javë të Mesdimrit dhe Ulknirit

25 dhjetor – Kërshëndellat (22), Buzmi I
1 janar - Kryeviti, Motmoti, Viti i Ri, Buzmi II
6 janar – Beniku, Buzmi III

21 mars - Dita e Verës, Veroret, Dita e Luleve

(Plakat)

2 javë të Mesverës, të Korrunat, Dielli

24 qershor – Nata e Verës, Të Korrunat, Të qethat
1 korrik – Rrëshajat, Dielli
6 korrik - Dielli

(Djegaguri)

23 shtator - Dita e Dimrit, Dita e Bletëve, Plugimi


Sipas këtij caktimi të praktikës kombëtare gjatë shekujve, duke ndjekur ciklin diellor, edhe shpërndarja festive bëhet e vetëkuptueshme. Me ndarjen dystinëshe, Mesdimri dhe Mesvera bien në mes të stinëve të Hyllvegut, dhe dallojnë nga përkatëset e Bujkut me rreth 45 ditë, për shkak se i fundit feston në ciklin e tokës.

Shkëputmas pjesërisht nga karakteri bujqësor, në Hyllveg merret parasysh ana tradicionale dhe funksioni i festave në ditët e sotme. Në vijim të kësaj renditjeje çdo krahinë shqiptare ka dhe festa të tjera lokale që ndjekin veçoritë dhe doket e krahinës.

Kemi pas për një kohë në përdorim brenda Vargmalit, këto emërtime:

Kallnor
Fror
Mars
Prill
Maj
Qershor
Korrik
Djegagur
Britm
Vjeshtë
Brymës
Dimëror

Në rastin e frorit, psh. shkurti duket më i përshtatshëm dhe i veçantë, shënon zhvillim të rregullt, i përshtatet kalendarit të tashëm dhe më shqip s'bëhet, kështu që është më i pëlqyeshëm se frori.

Djegaguri është më specifik se sa duket, (ngjan me Plakat për nga funksioni) dhe do kishte zgjerim kuptimi nqs i jepej emri gjithë muajit gusht. Gjithashtu i mëshohet prirjes të mospërdorimit të të njëjtëve emra dhe për muajt e Bujkut dhe për të Hyllvegut, që të ketë një dallim të menjëhershëm, që në emrin e muajit, se për cilin kalendar flitet. Prandaj për momentin na u dukën më praktike ato të tashmet derisa të ketë një standardizim të duhur për burimoret sipër.

Mesdimr, Vargmal.org

Sunday, March 21, 2010

Ballshi del në rrugë, jo për politikë

Banorët e lagjes “Bylis” kërkojnë investime dhe transparencë për përdorimin e parave publike.
Pamje nga fushata elekorale - Ballsh

Banorët e lagjes “Bylis”, një nga lagjet e vjetra të qytetit të Ballshit, janë ngritur paraditen e së shtunës në protestë. Shkak i protestës së banorëve ka qenë mungesa e investimeve në zonën ku ata jetojnë. Rreth orës 10.30 të paradites së djeshme, dhjetëra banorë të kësaj lagjeje, që nga vendasit njihet si Ballshi Fshat, janë mbledhur në qendër të qytetit dhe kanë marshuar me pankarta në duar drejt bashkisë së qytetit.

Në lagjen “Bylis” jetojnë më tepër se 400 familje. Një përfaqësi e tyre, burra, gra, fëmijë dhe të moshuar, pjesëmarrës në protestë, ankohen se kanë mbi 15 vjet që ndihen të braktisur. Më emergjente për ta duket se është infrastruktura. Protestuesit tregojnë se në rrugët e lagjes nuk është ndërhyrë prej vitesh. Lagjja nuk e ka sistemin e kanalizimeve të ujërave të zeza dhe të bardha. Gjithashtu, edhe dy rrugët kryesore që lidhin lagjen në fjalë me qendrën e Ballshit janë totalisht të amortizuara.

Nga banorët mësohet se kërkesën për investime ata e kanë përsëritur me dhjetëra herë. Ajo është bërë edhe te bashkia, që ka ndërruar disa kryetarë në këto vite, edhe te deputetët, që në kohë fushate kanë premtuar ndërhyrje. “Në shumë legjislatura deputetët që kanë kandiduar dhe kanë fituar, premtimin e parë e kanë bërë për përmirësimin e situatës. Por premtimet e tyre kanë qenë vetëm elektorale”, tha një nga organizatorët e protestës së djeshme. Si pasojë e kushteve të krijuara, ku askush nuk po interesohet për ta dhe kur Bashkia e Ballshit asnjëherë më parë, por edhe për vitin 2010 nuk ka asnjë projekt për lagjen në fjalë, banorët kanë gjetur si zgjidhje rrugën e protestës.

Një grup prej afro 200 vetash kanë marrë pjesë në protestën e së shtunës.
Gjatë përshkimit të rrugës kryesore të qytetit, protestuesit bënë thirrje që me ta të bashkohet i gjithë komuniteti i Ballshit, pasi të gjithë ndihen të braktisur nga investimet. Në duart e protestuesve, parullat që janë mbajtur kishin tekst të tillë “Stop ndotjes”, “Stop keqmenaxhimit të taksave tona”, “Stop persekutimit të ‘Bylis’” etj.
Në krye të rreshtit të parë të protestës mes pankartave ka qenë edhe flamuri kombëtar. Protesta është shoqëruar nga uniformat blu të Ballshit, pasi organizatorët kishin marrë edhe lejen e policisë lokale. Albert Aliaj, organizator i protestës, tha se “sot kemi dalë në protestë jo politikisht. Nuk përfaqësojmë asnjë forcë politike, por kushtet e këqija të jetesës për mungesën e kanalizimeve të ujërave të zeza dhe të bardha. Kemi dalë në protestë për rrugën tërë gropa që nuk duket më si e tillë”. Protestuesit kanë kërcënuar me përshkallëzim të reagimit të tyre. Ata thonë se do të shkojnë deri në bllokimin e rrugës nacionale Ballsh-Tepelenë, si dhe në grevë urie. Festim Selimaj, një nga protestuesit, tha për gazetën se “ka tre vjet që jepen fonde dhe nuk dihet se ku shkojnë ato. Ne duhet të dimë se ku shkojnë paratë e taksave tona. Para fushatave se ku i gjejnë ca lopata bitum që i hedhin, por më tej nuk bëjnë asgjë”.

Pas afro dy orësh protestë, banorët e lagjes “Bylis” janë shpërndarë duke e mbyllur protestën e tyre pa asnjë incident. Ata kërcënuan se javën e ardhshme do të dalin sërish në protestë. Nga ana tjetër, drejtues të Bashkisë së Ballshit pohojnë për gazetën se investimet për këtë lagje mungojnë. Po ashtu, Bashkia e Ballshit ka dalë me një deklaratë për shtyp, ku është shprehur se është parashikuar që për vitin 2010 të ndërhyhet në këtë lagje. “Për shkak të fondeve të mëdha që duhen për ndërhyrje, investimi kërkon mbështetjen e qeverisë.
Kjo e fundit duhet të kthejë sytë nga Ballshi”, thuhet në deklaratën e bashkisë.


Matilda Troka, Shqip

Si kolapsoi gjuha shqipe

Shkëputur nga ” Gjuha albaneze”, 23 janar 2023!

Ndodhi aty, nga vitet 90 e vazhdoi edhe në New Century. Në shqip filluan të inseroheshin fjalë të reja. Në fillim i pamë me difidencë e me shaka, i mbanim larg por ato maledetë ishin virus terribel. Na invazuan sa hap e mbyll sytë. Patëm besim te xhornalistët tanë shumë bravi por nuk qënë të aftë të përballnin luftën civile, e që në oret e para u bë clear që ishin me armikun.

U gjendëm vetëm, komplet të braktisur. Patritmas bambinët tanë flisnin si anglez e italian. Menduam se fonemoni ishte i limituar, se do aplikohej vetëm te emigrantët dhe se virusi nuk do rezisonte dot. Kishim mundur sa e sa ushtri te fuqishme, me shpata e me topa, do mundnim edhe këtë pushtim soft, kështu thamë. Sa gabuam! Ngadalë ngadalë u përhap në gjithë Albaninë dhe pati një evolvim që ne kuptuam tëpër vonë. Bashkë me kolegun tim famoz Aqif Aqifi dilnim gati çdo natë në skuthat e rinisë dhe si ata marinarët që matin thellësinë e detit, masnim thellësinë e degjenerimit të gjuhës albaneze. Në zyra të larta mendonim plane afatgjatë për të ndalur hemoragjinë. E kuptuam vonë që tashmë ishte late.

Maj mend akoma se si Aqifi shtangej kur shikonte të rinjtë që i ngrinin gishtin njëri tjetrit e ja bënin Ciao.

<< More po ujku i çaftë, se marr vesh. >> më pëshpëriste. << Tani do ketë sherr. >>

Prisnim sherrin po nuk ndodhte, dhe nuk arrija ti shpjegoja që “Ciao” do të thoshte “Tungjatjeta” e që ai gishti do të thonte ”Dakord”. Aqifi shikonte vetëm njerëz që thoshin ” Çahu” e ndërkohe i bënin shenjë “Hip këtu shih Stambollin” dhe nuk kuptonte se si ky ofendim nuk sillte asnjë reaksion. Shpresonte çdo mbrëmje por nuk ndodhte asgje. “S’marrin vesh putanat që po i shajnë”, i thoja. “Por do ja dalim mbarë, lufta sapo ka filluar.”

Sa wrong isha edhe unë.
Tepër tardi e kuptova që lufta tashmë kishte mbaruar, dhe unë e ai nuk ishim pararoja por grupi që ngel mbrapa ndërkohë që ushtria është shpartalluar. Direktorët tanë në Ministrinë e Arsimit nuk arrinin më t’na koordinonin dhe, ajo që është më e rëndë, sa herë që shkonim për të marrë udhëzime të reja gjuha e liderave tonë bëhej gjithmonë e më pak aksesibile për ne. Progresi është inevitabël, na thoshte drejtori. Kur prezenca jonë u bë fastidiosa na hoqën qafe. Aqifi as që nuk e kuptonte, u desh t’ja thoshin nja njëzet-tridhjet herë që s’punonte më aty. Ditë për ditë paraqitej në ministri dhe nuk arrinin ti shpjegonin që e kishin liçencuar dhe qe liçencuar do te thoshte pushuar. Unë shpëtova sepse kisha një amico lart në ministri. Shpëtova, i thënçin. S’isha më operativ, gjithe ditën bëja fjalëkryqe që bëheshin ditë për ditë më të vështirë, jo se ai që i bëntë bëhej më i zgjuar po përkundrazi, sepse bëhej gjithmonë e më budalla. Po jam kokëfortë, e kështu mësova fjalë si ” aksesibel,” “bionatyrë”, “amore”, “soft-disc”, ” famoz”. Në një farë mënyre shpëtova, shpëtim i thënçin. Bashkë me Aqifin vazhdonim croçatën tonë personale, mbrëmjeve vonë. Ishim bërë si ata stupidët e fshatit që flasin e asnjeri si merr vesh. Populli nuk e kuptonte se çfarë rapresentonim ne, le që as ne nuk e dinim më se çfarë ishim e çfarë dreqin donim. Dy zombi që flisnin një gjuhë të vdekur. Kishim humbur luftën dhe, ajo që ishte më e keqe, armiku as na burgosi në ndonjë prison e as na torturoi, na linte në indiferencë e kjo na vriste akoma më shumë.

Pastaj Aqifi vdiq, e doktori tha që ishte faji i moshës po unë e dija që kishte një brengë tepër të madhe e që vetëm kjo e vrau, asgjë tjetër. Herë pas herë, gati çdo uikend, shkoja edhe te çimitero e flisja me të sikur të ishte akoma i gjallë. Nuk e kuptoja që edhe gjuha ime po bastardohej, derisa më doli në ëndërr. Ishte potent si gjithmonë e mu bë sikur më tha ” Po edhe ti more kopuk po më flet në gjuhën e dreqit? “. U zgjova gjithe djersë, Damn, thashë me vete, ta kem humbur edhe unë vallë?

Po, e kisha humbur edhe unë. Kur takoja nipërit na translonte djali se unë si merrja vesh. Po atë ditë, mbas endrrës u mundova të luaja me ta por vetëm kur fituan e morra vesh që unë po lauja shah e ata damë. Kisha vibrime negative e po atë ditë vajta të takoja Aqifin. U ndala para gurit, lexova :

Acif Acifon

Lindur the 1955 – Mort 2018

Me love : familja & company


tiranacalling.wordpress.com

Darien Levani

"Mjerim që s'i ve dot emër ..."

Rrallë mund të gjesh në botë stinën e pranverës si në Shqipëri. Dikur në të, lulëzonin drurët frutore. Lozet e rrusheve vareshin të tilla sa edhe ujëvara do t'i kishte zili. Kodrat e gjelbra fillonin të njomësoheshin.


Në rrafshnalta arat e mbjella me grurë, zarzavate, misër, jonxhe, këmbenin njëra-tjetrën për kilometra të tëra me jeshillëk.


E gjitha, bëhej më e bukur kur petalet binin dhe vendin e tyre e zinin fletët. Brenda tyre zemra e frutit rritej e rritej derisa pemët kërruseshin. Me një fjalë, pulsi i pranverës rrihte në të gjithë vendin.

Pavarësisht sistemit të dështuar komunist, agronomë të ditur, shkencëtarë, u përpoqën ditë e natë për ta begatuar tokën. Sprovuan farërat, përmirësuan, eksperimentuan pareshtur. Insektet e tokës, epidemitë e pemëve në sipërfaqe, mizat e fryteve dhe buburrecët nuk figuronin fale spërkatjeve me kimikate.

Të tjerë shartonin për lloje të reja pemësh. Ndërsa kultivatorët bënin qilizmën. Plisi të përmbysej që bari ta bënte tokën të majme. Më tutje ishin kanalet kulluese që ndanin parcelat. Por, që edhe erozioni të disiplinohej.

Pastaj vinte vera me të nxehtit. Njerëzit e thjeshtë, ata që punuan në fermat e prodhimit dhe ato eksperimentale, që krijuan tërë kohës, që seleksionuan, hibridizuan e shartuan, shikonin frytet e reja: qershitë e kuqe dhe të zeza, gjithë tul, aq të lakmuara për t'i çukitur zogjtë. i mblidhnin dhe transportuesit i çonin në depot e shtetit.

Ky i fundit në arka te ambalazhuara bukur i çonte direkt në portin e Durrësit, tek vapori. Po kështu kumbullat, dardhat e verdha dhe të ëmbla. Të gjitha shkonin tek vapori. Të gjitha. Se një kile qershi bën një dollar e gjysmë jashtë shtetit... Ia vlen barra qiranë. A ia vlen t'i shesësh për tetë lekë në markato?

Kështu fermeri, fshatari shihte frutin që i kishte bërë hyzmet me duar dhe me thonj dhe nuk arrinte të provonte pak nga ai tuli i ëmbël i dardhës, mollës, qershisë. As ai as fëmijët e tij. Se jashtë duhej blerë... hekur, çimento për bunkerë! Sistemi politik i falimentuar komunist i la pa i provuar frutat e punës së tyre.

Por zoti në qiell shikon. Erdhi 1990-ta. Arat e mëdha u zëvendësuan nga parcelat e vogla, pronë e fshatarit tashmë. Por fshatari në sistemin e ri politik e pa veten tij shpejt të mbuluar në borxhe. Ata i punuan tokat, e krasiten pemët, e mblodhën prodhimin. I spërkaten me kimikate edhe pemët edhe grurin. Se paratë për të blerë farën, plehun, naftën i siguruan me kredi nga banka. Por nuk e shiten dot.

Se si domatja i tyre ishte importuar me çmim më të lirë nga Greqia e Maqedonia. Po të njëjtin fat kishin edhe frutat, edhe gruri. Kështu fryti u kalb përdhe. Nuk arriti ta bënte as raki. Kështu edhe kazanët zunë myshk e ndryshk.

Ndërsa tokat po fillonin të përmbyteshin nga lumenjtë e fryre nga që makineria e ndërtimit ia ka prishur shtratin tashmë në përpjekjen makute për pasuri, jashtë çdo ligji shtetëror dhe natyror. Dhe tani vonë kanë filluar të rrëshqasin edhe shtëpitë. Ky produkt padyshim përfaqëson një variant të barbarizmit të njeriut në kacafytje me natyrën.

Kështu vit pas viti, kundërmimi magjik i frutit u zëvendësua nga grahma e kalbjes. Por mbrapa kësaj kalbjeje fshihet një e keqe e madhe. Njerëzit, të cilët kishin shpresuar shumë në ndërrimin e sistemit, nuk mund të rrojnë, nuk mund ta hanë sërish prodhimin e tyre.

Sepse, tregu është bërë pronë e atyre që importojnë prodhimet e kualitetit të dytë e të tretë me çmim më të lirë (ato janë për groposje në vendet e BE-së). Në Shqipëri i kanë të sigurtë konsumuesit e tyre. Nuk kontrollohen nga shteti. Se shtetin e mundin me para.

Që në momentin e kalbjes se prodhimit vendas, edhe pranvera ka ndryshuar. Drurët nuk lulëzojnë më. Se janë tharë ngaqë nuk janë krasitur, nuk janë spërkatur me kimikate.

Dhe krimbi e ka bërë të veten, e ka gërryer, e ka tharë trungun. Arat janë djerrë, të papunuara për kilometra të tëra. Ndërsa kodrat nuk janë më të gjelbra, se drurët janë prerë.

Kjo është një disfatë e madhe e shtetit. Sepse fermeri shton radhët e ushtrisë së të papunëve nëpër qytete. Ata qëndrojnë të shtangur tek ndjekin me sy patatet, zarzavatet, frutat në tezgat e tregjeve.

Në sytë e tyre pasqyrohet trishtimi i hidhur. Megjithatë kruajnë xhepat dhe afrohen për të blerë ndonjë kokërr. Por çmimi i largon. Rastet e sëmundjes që shkaktohet nga mungesa e të ushqyerit të fëmijëve, kanë filluar të shfaqen.
Shkatërrimi i florës

Kësaj radhe politika e falimentuar nga korrupsioni e sistemit të ri shoqëror, serish i la pa ngrënë frutat e punës së tyre. Ky është një mjerim që nuk i vë dot emër. Përhapja progresive e këtij fenomeni, i hedh në erë të gjitha "rritjet ekonomike" .

Pellumbi Cani , Shekulli

Alergjia nga lulet, si të mbrohesh në pranverë

Ardhja e pranverës paralajmëron rishfaqjen e alergjive të shkaktuara nga polenet e luleve, pacientët ankohen për teshtima të shpeshta, të herëpashershme, rrjedhje të ujshme të shumta, kruajtje dhe skuqje të hundës, bllokim të tyre që kalon nga njëra anë në tjetrën.

Ndonëse për mjekët ende nuk flitet për një “bum” rastesh, klima e ngrohtë favorizon shfaqjen e simptomave më shpejt se vitet e tjera. Me ardhjen e pranverës, që përkon me atë të lulëzimit të luleve, kemi shtim të rasteve të alergjive që shkaktohen nga polenet. Gjithsesi ende nuk është arritur “piku”, që është disa javë më vonë, klima e ngrohtë, temperaturat e larta të këtyre ditëve, favorizon shfaqjen më shpejt të simptomave. Veçse ende nuk mund të parashikohet se sa do zgjasë, apo sa problematike do jetë, pasi kjo do të varet nga kushtet klimaterike të mëvonshme.

Ka faktorë që favorizojnë shfaqjen e këtyre formave alergjike?

Po. Ka disa faktorë që ndikojnë në shfaqjen e sëmundjes. Ndër faktorët më kryesorë janë ekspozimi ndaj polenit, vetia alergjizuese e tij, përqendrimi i tij në ajër dhe madhësia e grimcës së polenit. Po ashtu ndikojnë dhe faktorët klimaterike: ndryshimi i temperaturave të ajrit, lagështia dhe shirat.

Si shfaqet kjo alergji?

Pacienti ankon për teshtima të shpeshta, të herëpashershme, rrjedhje të ujshme të shumta, kruajtje dhe skuqje të hundës, bllokim të tyre që kalon nga njëra anë në tjetrën. Por dhe skuqje, kruajtje, lotim sysh dhe mosdurim drite (fotofobi). Po ashtu mund të ketë kollë, gërhitje në gjoks, marrje fryme, sekrecione të pastra dhe që mezi nxirren, gjë që tregon se në sëmundje kompromentohen dhe mushkëritë. Po ashtu shenjat e mësipërme mund të shoqërohen me: dobësi trupore, dhimbje koke, ankth etj.

Si mund të parandalohet acarimi i gjendjes te pacientët, që janë alergjikë nga polenet?

Mënyra më e mirë për të shmangur acarimin e gjendjes së pacientëve është shmangia në maksimum e kontaktit me shkaktarin shpërthyes: polenet e luleve. Duke qenë se një gjë e tillë nuk është e mundur plotësisht, atëherë rekomandohet shmangia në maksimum e ekspozimit ndaj tyre, sidomos në orët e pikut: mëngjes deri në drekë, dhe ditët me erë, kur prania e poleneve në ajër është më e lartë. Rekomandohet që këta persona të lajnë shpesh: duart, fytyrën dhe sidomos flokët, për të larguar polenet që mbeten në trup. Duhet të shmangen shëtitjet dhe qëndrimet në mjedise me lule, bar dhe pemë.

Një kujdes i veçantë duhet treguar dhe ndaj ushqimeve që japin alergji të kryqëzuar me polenet që janë alergjike. Po ashtu duhen shmangur aktivitete fizike: vrapimet, shëtitjet me biçikletë ose çdo lloj aktiviteti tjetër sportiv në mjedise të hapura dhe me gjelbërim.

Publiku.com

Friday, March 19, 2010

Dielli - Zeus

Dielli (Zeusi apo Dhias). Më i larti i zotave, perëndi dhe baba si i perëndive të tjera ashtu dhe i njerëzve.

Përpara se të na bëhej i njohur si zot i Olimpit (Zeus), dhe përpara se të krijohen mitet mbi lindjen e tij në Kretë, ekzistonte si hyjnizim i Diellit. Përderisa është zoti i parë dhe më i madh i botës pellazge, llogjikisht duhet ta hasim në të gjitha territoret ku banuan këta pellazgë, nga Italia Qëndrore e deri në Azi të Vogël, Qipro, Kretë etj. Dhe me të vërtetë atje e takojmë.
Zeusi - Dielli

Shumë dimë për Diellin dhe peripecitë e tij, por thelbësisht e injorojmë historinë e tij, prejardhjen e tij, etimologjinë e tij.

Çdo të thotë Dhias, Zeus, Zin etj?

Ç’kuptim kanë rrënjët Dhi dhe Zi të perëndisë më të madhe pellazge?


Thonë që dielli ishte hyjnizim i “shkëlqimit dhe ndriçimit” të Qiellit (Uranit). Qielli (Urani) në gjuhën sanskritishte quhet Diau-h. Kështu gjuhëtarët dhe mitologët menduan se gjetën zanafillën e çështjes së Diellit, meqënëse e cilësonin gjuhën sanskritishte më të lashtë se ajo greke.

Rrënjët Dhi dhe Zi në shqip kanë kuptimin e ndriçimit, shkëlqimit dhe zjarrit d.m.th. i përshtaten vetive të Diellit dhe i gjejmë në fjalët:

Diell apo dialektore Dill, Div, etj.

Ditë pra dita, pjesa e kohës që ndriçohet.

Dihet, dialektore, që do të thotë bëhet ditë.

Dieg, Djeg.

Di, njoh, ndriçohem, (ndriçoj trurin).

PerënDia, Perëndia, Zoti.

Diel, E diel d.m.th. ditë e diellë, dita e Diellit, që të krishterët e kthyen në ditën e Zotit.

Dialë, djalë, djali.


Rrënja Zi përfaqësohet me fjalët Zien tek fjala Zjarr dhe gjithashtu në fjalën e mëpasme Zot.

Diah-u sanskritisht do të thotë Qiell (Uran), i cili, siç e kuptoni nuk është gjithmonë i ndriçuar, por edhe i errët dhe në asnjë rast nuk është i zjarrtë. Këstu që nuk është e mundur të jetë e shpikur nga sanskritët, të cilët do të gjenin një emër tjetër për të shpjeguar veçorinë e tij (qiellit). Si rrjedhim është fjalë e prejardhur nga Dielli (Diau në pellazgjisht) dhe ka të bëjë vetëm me shkëlqimin e qiellit, pra është një prejardhje mbiemërore e Diau.

Prejardhje të Diau (Dielli) janë edhe fjalët latine DIOVIS dhe DEUS = Zot, Perëndi.
Kjo ka ndodhur në kohën pas krijimit të panteut të Olimpit dhe njësimit të Diellit me kryezotin Zeus. Pra në kohëra kur dielli tashmë është “kryezot”. Dhe ja që Heredoti quan Dhia çdo zot të madh të popujve që ai përshkruan në historinë e tij.

Fjalë të prejardhura janë :
Dies – dita në spanjisht,
Day – dita në anglisht,
Dieu – Zoti në frëngjisht.
Dielli tek mburojat ilire.

Por në asnjë gjuhë të botës nuk ka një sistem kaq të plotë të fjalëve me rrënjët Di dhe Zi si ai që ekziston në gjuhën shqipe, dhe ku të gjitha fjalët kanë kuptimin e të ndriçuarës, të shkëlqimit, të zjarrit, të jetëdhënësit, d.m.th. të veçorive të Diellit.

Marrë nga libri Arvanitasit dhe prejardhja e grekëve i autorit Aristidh Kola.

Burimi : http://eltonvarfishqip.blogspot.com/2010/03/dielli-zeus.html

Kërcimtaret e natës dëbohen nga Kosova

Policia e Kosovës ka deportuar në pikë-kalimin kufitar të Morinit 11 vajza nga Shqipëria të cilat punonin si kërcimtare apo këngëtare në lokalet e Prishtinës. Dëbimi i tyre për në Shqipëri ka ardhur pas një vendimi të gjykatës Komunale të Prishtinës, e cila ka vendosur riatdhesimin e vajzave, pasi ato nuk dispononin leje pune.

Sipas specialistëve të Zyrës së Antitrafikut në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Kukësit, është hera e parë që policia e Kosovës riatdheson në mënyrë të organizuar një numër kaq të madh vajzash, të cilat dyshohen se krahas profesonit të kërcimtares apo këngëtares ushtrojnë edhe prostitucion. Dëbimi i vajzave nga Shqipëria nga ana e policisë së Kosovës ka vënë në alarm strukturat e policisë së shtetit në Shqipëri. Në Kukës ka mbërritur vetë shefi i Zyrës së Luftës kundër Trafikut të Qenieve Njerëzore në policinë e shtetit, Ardian Çipa, dhe dy specialistë të kësaj zyre. Në zyrat e IOM-it në Kukës është kryer intervistimi i të gjitha vajzave të riatdhesuara, ndërkohë që asnjëra prej tyre nuk ka pranuar që të jetë shfrytëzuar për qëllime prostitucioni. "Të gjitha vajzat deklaruan se kishin shkuar me dëshirë për të punuar në Kosovë si kërcimtare apo këngëtare dhe sipas deklarimeve asnjëra prej tyre nuk ishte shfrytëzuar për qëllime të tjera", deklaroi Dritan Musa, shef i Zyrës së Antitrafikut në Drejtorinë e Policisë së qarkut të Kukësit.

Sipas Musës, i cili ishte i pranishëm gjatë intervistimit, 11 vajzat e dëbuara nga Kosova dispononin dokumente të sakta identiteti, ku tetë prej tyre ishin të pajisura me pasaporta, tre kishin karta identiteti, ndërkohë që njëra prej tyre kishte edhe një vizë Shengen pasi të njëjtën punë si në Kosovë, e kishte bërë edhe në Zvicër. Vajzat e riatdhesuara kanë deponuar gjatë intervistimit se kanë qenë të kënaqura me punën dhe me pagesën dhe shumica prej tyre kanë deklaruar se do të kthehen sërish në Kosovë për të bërë të njëjten punë. "Gjykata dhe policia e Kosovës kanë vepruar në kundërshtim me ligjet që kanë të bëjnë me liritë dhe të drejtat themelore të njeriut. Ne kemi rënë viktimë e konkurrencës mes lokaleve të Prishtinës", janë shprehur vajzat e dëbuara. Megjithatë policia dyshon se vajzat kanë ushtruar edhe aktivitet prostitucioni në Kosovë. "Vajzat e riatdhesuara janë nga Tirana, Durrësi, Elbasani, Korça e Gjirokastra.

Në përgjithësi ato kanë rezultuar me probleme sociale, me njërin prej prindërve të vdekur apo me prindër të divorcuar", thotë Musa.
Shumica prej vajzave kanë deklaruar se kanë pasur edhe mirëkuptimin e prindërve për të punuar në lokalet e Kosovës, ndërkohë që njëra ka pohuar se ka gjetur mirëkuptim tek prindërit edhe për të ushtruar prostitucion. "Mua babi nuk ma prish për asgjë, as për të kryer marrëdhënie seksuale me personat që dua. Nëse bëj seks, e bëj me dëshirë", ka pohuar para specialistëve të policisë shqiptare njëra prej vajzave të intervistuara. Ndërkohë që ato i kanë deklaruar specialistëve të antitrafikut se nuk ishin kategoria e atyre vajzave që kishin punuar ndonjëherë nëpër semaforë apo rrugë. 11 vajzat e dëbuara nga Kosova kanë qëndruar një natë në hotelet e Kukësit dhe më pas janë transportuar për në shtëpitë e tyre, ku të gjitha shpenzimet do të përballohen nga IOM-i (Organizata Ndërkombëtare për Migracionin).
Ndërkohë që sipas Dritan Musës, numri i vajzave të punësuara në baret, hotelet dhe motelet e Kosovës është shumë i madh, ku mund të arrijë deri në 1 mijë.


Bashkim Shala, Shekulli

Platforma e Shqipërisë Natyrale

Eshtë hartuar Platforma e Shqipëerisë Natyrale.

Pas librave, Shqiperia Natyrale, “Te Denuar te Bashkohemi” dhe “Kryengritja e Pambaruar”, eshte hartuar nje Platforme me e plote per bashkimin e kombit shqiptar. Platforma eshte 200 faqe. Platforma po perkthehet ne serbisht, greqisht, maqedonisht dhe anglisht. Do te botohet ne 100 mije kopje dhe do te promovohet ne Pallatin e Kongreseve ne Tirane.

Bazamenti i Platformës.

· Platforma e Shqiperise Natyrale bazohet ne trashegimine pozitive te shqiptareve qysh nga epoka e Skenderbeut dhe pervoja e Lidhjes se Prizrenit. Kuvendi i Lezhes dhe Lidhja e Prizrenit mbeten dy kulme te perpjekjeve te shqiptareve per tu bashkuar.

· Platforma bazohet ne Kuvendin e Vlores i cili shpalli pavarsine e Shqiperise Natyrale dhe jo te Shqiperise qe eshte sot. Shqiperia qe eshte sot eshte produkt i Konferences se Londres 1913.

· Platforma bazohet ne Dokumentet e Konferences se Bujanit te 31 dhjetor 1943 qe shpalli bashkimin e Kosoves me Shqiperine pas perfundimit te Luftes se Dyte boterore.

· Platforma bazohet ne betimin e luftetareve te UÇK ne Kosove, ne trojet e tyre ne IRJM, Lugine e Presheves, i cili bashkimin e trojeve shqiptare e konsideron thelbin e luftes se tyre.

· Platforma bazohet ne Kushtetuten e Republikes se Shqiperise, e cila bashkimin e Shqiptareve e konsideron si nje aspirate te ligjshme dhe shekullore. Ne Preambulen e saj thuhet se: Ne, Populli i Shqipërisë... me aspiratën shekullore të popullit shqiptar për identitetin dhe bashkimin kombëtar..... Sanksionimi në Kushtetutën e Shqipërisë i të drejtës për bashkim kombëtar, miratimi i kësaj të drejte me Referendum Popullor, pranimi i saj edhe nga ekspertët ndërkombëtarë të Komisionit të Venecies dhe se fundi nga ekspertet e NATO, përbën themelin mbi të cilin mund dhe ka nevojë të ndërtohet arkitektura e përfundimit të mosionit te pambaruar së shqiptarëve .

Pse tani kjo Platformë?

· Sepse shqiptaret e kane te pambaruar misionin e tyre kryesor, te pambaruar. Kryengritja e shqiptarëve në vitet 1911-1912 mbeti një Kryengritje e Pambaruar. Pavarsia e Shqipërisë, u njoh dhe realizua si e tillë, vetëm në një pjesë të teritorit shqiptar. Pjesët e tjera të hapsirës shqiptare mbetën apo u aneksuan nga shtete të tjerë.

· Lufta e quajtur nacional-çlirimtare përgjatë luftës së dytë botërore, mbeti e pambaruar. U realizua vetëm një pjesë e saj, që kishte të bënte me nocionin «çlirimtare», por mbeti pa u realizuar pjesa që kishte të bënte me nocionin «nacionale». Më shumë se gjysma e nacionit (kombit) mbeti jashtë kufijve të Shqipërisë.

· Kryengritja e shqiptarëve në Kosovë që mori hov në fillimvitin 1998, mbeti e Pambaruar. Ajo realizoi vetëm shkëputjen e Kosovës nga Sërbia, duke mos realizuar akoma pjesën e dytë të saj, që është bashkimi me Trungun kombëtar me Shqiperine.

· Të njëjtin fat pësoi edhe Kryengritja e shqiptarëve në Maqedoni ne vitin 2001. E nisur si çlirim kombëtar ajo përfundoi me liri dhe të drejta për shqiptarët duke pranuar një shtet tjetër si atdhe të shqiptarëve dhe duke u rreshtuar në radhët e para të mbrojtjes së këtij shteti.

· Përfundimi i misionit nga elita politike shqiptare në trekëndëshin Tiranë - Prishtinë - Tetovë ka një taban të fortë mbështetës historik, por është edhe nocion europeist.

Cili është tabani historik mbështetës?

Përgjatë afër një shekulli, shqiptarët festojnë si Ditë të Pavarsisë së tyre, 28 Nëntorin e vitit 1912. Ndërkaq, kufijtë administrativë u përcaktuan më vonë në Konferencën e Londrës, në korrik 1913, e cila me vendimet e saj, e ndau ne pese pjese.

Pavarsisht se bashkësia ndërkombëtare nuk e njohu 29 nëntorin 1912 dhe kufijtë e Shqipërisë i caktoi në 29 korrik 1913, shqiptarët kanë festuar dhe vazhdojnë të festojnë vetëm 1912. Eshtë një mospranim në heshtje, por gjithsesi është i tillë.

Platforma e Shqiperise Natyrale eshte hartuar tani duke marre parasysh realitetin politik rajonal Ne momentin e tanishem, fuqite e medha jane duke riparuar gabimet e bera prej tyre ndaj popujve te Ballkanit, dhe vecanerisht ndaj shqiptareve.

Ja disa nga riparimet e gabimeve te fuqive te medha:

· Mali i Zi rifitoi pavarsine e cila i ishte mohuar perdhunshem nga Konferenca e Versajes e vitit 1919.

· Bosnja fitoi pavarsine e cila ju mohua nga Konferenca e Versajes e vitit 1919.

· Ajo merr parasysh ne faktin se ne mjediset politike dhe qeverisjet demokratike rajonale, nuk ka tema tabu midis te cilave edhe ato qe kane te bejne me thelbin e kombeve.

· Platforma e Shqiperise Natyrale analizon dhe merr parasysh, ndryshimet ne gjeopolitiken rajonale, ndryshime qe shkojne ne favor te kombit shqiptar, rirregullimet e thyerjeve te se kaluares konfliktuale dhe riparimet e tyre nga vete fuqite e medha.

Cilat jane mjetet e realizimit te Shqiperise Natyrale?

· Mjetet e realizimit te Shqiprise Natyrale jane dialogu dhe debati demokratik.

· Shqiptaret pergjate nje shekulli kane derdhur aq shume gjak sa mund te bejne disa Shqiperi. Prandaj nuk ka me nevoje per gjak. Platforma mbeshtetet ne sentencen: Dialog me kedo, Dialog per gjithshka, pa vendosur fillimisht per ndonje gje.

Sot kur forca e se drejtes ka marre perparesi mbi te drejten e forces, sot eshte moment qe shqiptaret duhet te kerkojne te drejtat e tyre kombetare. Per kete arsye ne Platforme i jepet perparesi debatit, dialogut, respektimit te thelbit te demokracise qe eshte vetvendosja e popujve dhe vecanerisht nevoja e referendumit popullor.

Marrdheniet me fqinjet

· Platforma argumenton qe askush nga fqinjet nuk duhet te trembet nga Shqiperia Natyrale. Nacionalizmi shqiptar qe respekton kulturen dhe traditat e fqinjeve, nuk eshte gje tjeter vecse nacionalizem i bukur, i deshirueshem, i padebatueshem, i domosdoshem per stabilitetin rajonal.

· Platforma argumenton tezen se Shqiperia Natyrale eshte nje nocion progresist dhe duke qene e tille, progresist do te jete edhe realiteti i saj i neserm.

Pertej bindjeve politike eshte vetem Shqiperia Natyrale

· Shqiperia Natyrale kërkon nje bashkim te ri, te panjohur me pare nga shqiptaret. Por nuk e kerkon kete bashkim per pushtet, por per komb dhe shtet. Kombi dhe shteti kerkojne bashkime pertej bindjeve politike. Pertej te majtes apo te djathtes, pertej shoqatave apo grupacioneve politike qendron vetem Shqiperia Natyrale. Pushteti dhe rotacioni i tij kane nevoje vetem me debate alternativash politike te partive te ndryshme.

· Partizanet e Shqiperise Natyrale nuk kane mall dhe as nostalgji per Ahmet Zogun, por per mijra perkrahes te tij, nuk kane mall dhe nostalgji per Enver Hoxhen, por per mijra mbeshtetes te tij, nuk kane nostalgji dhe nuk i merr malli per Mitat Frasherin, por per mijra mbeshtetes te tij. Nuk i merr malli per Xhaferr Deven, por per mbeshtetesit e tij. Nuk i merr malli per Fadil Hoxhen, por per mbeshtetesit e tij. Atyre ju intereson, Shqiperia Natyrale, bashkimi i te gjalleve, prandaj edhe respektojne mitet e vdekura te tyre. Mesimin e historise, ata e duan per te rregulluar gabimet e te sotmes dhe per te garantuar te ardhmen pa gabime te kombit te tyre.

Cfare synon Shqiperia Natyrale?

Shqiperia Natyrale synon shndërrimin e kombit shqiptar nga zjarrfikes sic eshte sot ne paqeberesin kryesor te rajonit te Ballkanit. Paqja dhe stabiliteti rajonal ka nevoje per paqeberes dhe jo per zjarrfikes. Ti lesh kombit shqiptar rolin e zjarrfikesit do te thote se parashikon zjarre te tjere ne rajon.

Shqiperia natyrale ka nevoje per nje Londer - 2

· Ne Platforme argumentohet nevoja e nje Konference nderkombetare Londer-2 per te riparuar gabimet e Londres-1 mbi kombin shqiptar, gabime qe i pranojne vete fuqite e medha boterore.


· Sot mbi kombin shqiptar ushtrojne fuqine e tyre juridike disa marreveshje nderkombetare te cilat asesi nuk jane natyrale. Ato kane mbetur artificiale.

- Marreveshja e Londres 1913.

- Marreveshja e Versajes 1919,

- Marrveshja e Jaltes 1945

- Marreveshja e Rambujese 1999,

- marreveshja e Kumanoves 1999.

- Marreveshja e Konculit 2001,

- Marreveshja e Ohrit 2001.

Shtate Marreveshje per nje komb!!!

Me ane te ketyre Marreveshjeve, fuqite e medha krijuan nje rajon artificial me emrin Ballkan. Artificialiteti i rajonit solli me vone edhe emertimin politik Ballkani - fuçi baruti.

Krijesat më artificiale të këtij rajoni ishin dy:

· Formimi i mbretërisë sërbo-kroato-sllovene, të quajtur më vonë Jugosllavi ishte krijesa e parë artificiale.

· Dhe Shformimi i kombit shqiptar duke e pjestuar për pesë ishte krijesa e dytë artificiale e rajonit. Ndërsa shformimi i Jugosllavise ishte hapi i pare i kalimit nga artificialiteti në natyralitet.

· Krijimi i 6 shteteve të përhershme dhe një shteti të përkohshem si Kosova eshte faza e parë e shndërrimit te rajonit të Ballkanit nga artificial ne natyral. Shpërbërja e dhunshme e saj që arriti kulmet në luftën ndëretnike në Bosnjë dhe në gjenocidin sërb ndaj shqiptarëve të Kosovës shpjegohet sa me karakterin ultranacionalist të shtetit sërb, aq edhe më sedrën e sëmurë politike të disa fuqive të mëdha, të cilat e patën të vështirë të pranonin se krijesa e tyre me emrin Jugosllavi ishte një dështim.

· Faza e dytë eshte unifikimi i kombit shqiptar qe ka përbërë deri më sot artificialitetin e dyte madhor te rajonit. Kjo fazë tashme po përfundon aktin e parë madhor të saj që është shteti i përkohshëm shqiptar i Kosovës. Shqiperia Natyrale ka nevoje per nje Konference Nderkombetare. Por ajo nuk duhet te jete e llojit

- Rambuje,

- Koncul,

- Oher etj

te cilat vetem sa e kane arnuar kombin shqiptar. Rajoni ku kombi shqiptar luan rolin kryesor ka nevoje per riformatim, dhe jo per arnim. Prandaj, vetem nje Konference nderkombetare qe do ti afrohet problematikes se rajonit ne menyre teresore, mund ta realizoje kete. Kjo Konference duhet te jete e ngjashme per nga marrja e vendimeve me Konferencen e Londres 1913.

Cfare do te thote Shqiperi natyrale?

Shqiperi natyrale do te thote, mirqenie, dinjitet, qetesi dhe stabilitet ne rajon. Ato ne ua kemi borxh femijeve, niperve dhe mbesave tona. Prandaj ne emer te tyre dhe jetes se tyre le ta bejme ate Shqiperi Natyrale do te thote sa me pak greke, maqedonas, Italian, turq me origjine shqiptare dhe sa me shume shqiptare me mentalitet europian. Prandaj ne emer te shqiptareve me mentalitet europeiste le ta bejme sa me pare Shqiperine Natyrale.

Fazat e formimit te Shqiperise Natyrale

Formimi i Shqiperise Natyrale duhet te kaloje neper disa faza:

· Faza e pare eshte ndermarrja nga Presidenca e Republikes se Shqiperise se procedurave te bashkimit bazuar ne Kushtetuten e Shqiperise. Kushtetuta nuk diskutohet, ajo eshte e detyrueshme per tu zbatuar. Ne kete, Presidenti i Shqiperise dhe ai i Kosoves bashkedrejtojne Keshillin e te Urteve me dijetare dhe eksperte te te gjitha fushave.

· Faza e dyte duhet te jete krijimi i Konfederates Shqiperi - Kosove dhe e drejta e referendumit. Njekohesisht duhet te zhvillohet edhe kerkesa per federalizimin e Maqedonise - Faza e fundit duhet te jete bashkimi ne nje shtet te vetem i cili do te kete disa pakica etnike brenda teritorit te tij, ashtu sic do te kete disa pakica kombetare jashte teritorit te Shqiperise natyrale.

· Ne ndihme te zbatimit te fazave te mesiperme, pas Publikimit te Platformes, do te krijohet Komiteti i Shqiperise Natyrale si shoqate demokratike me pjesmarrjen ne gjirin e tij te shqiptareve nga gjithe kombi shqiptar. Komiteti do te marre persiper, argumentet, propaganden dhe popullarizimin e Shqiperise Natyrale ne hapsiren e kombit shqiptar mbi bazen e dialogut dhe debatit demokratik. Deviza kryesore e veprimtarise se Komitetit do te jete:

· Po nuk u bashkuam sot, do të sodisim shpërbërjen kombëtare nesër! Bashkimi ndërshqiptar është europeizëm siç ështe paqe dhe stabilitet rajonal.

· Shënim

Platforma do të botohet me ndihmat vullnetare të të gjithë shqiptarëve që e duan atë.

Me respekt Koço Danaj - Doktor i shkencave politike

Drejtor i Institutit për Prognoza Rajonale

Tiranë - 31 Maj 2009


pashtriku.org