Friday, May 7, 2010

Mbi 100 mijë fëmijë kërkojnë ndihmë

Alo, dua të vras veten".

Zëri që dridhet përtej receptorit është i një 13-vjeçari, që në fakt tregon se kërkon një degë ku të kapet për të mos u mbytur. Dhe, këtë dorë të shtrirë e gjen tek linja që është vënë në shërbim të fëmijëve: "Alo 116".

Psikologët që ndodhen në anën tjetër të receptorit e dëgjojnë me vëmendje dhe bisedojnë me të edhe për orë të tëra. Dhe, kjo jo vetëm një ditë, por për ditë me radhë. Derisa 13-vjeçari heq dorë nga ideja fatale. Në fakt, kjo është vetëm njëra nga 400 telefonatat që mbërrijnë çdo ditë në këtë numër të vënë në dispozicion të shqetësimeve që kanë fëmijët në të gjithë vendin.

Belioza Çoku, menaxhere e përgjithshme e kësaj nisme të re, shpjegon se që nga muaji qershor i 2009-ës, kur është hapur për herë të parë kjo linjë, dhe deri në fund të marsit kanë mbërritur mbi 100 mijë telefonata. Sipas saj, problemet e tyre kanë natyra të ndryshme, që nga divorci i prindërve, abuzimet në shkollë, e deri tek marrëdhëniet me të dashurin e tyre. Madje, në këtë numër nuk kanë munguar as telefonatat e mësuesve apo të prindërve.

Numri i fëmijëve
"ALO 116", është një linjë e telefonit për fëmijët në Shqipëri dhe "Alo 116-111" është një linjë paneuropiane për fëmijët në Shqipëri. Kjo është hera e parë që në vendin tonë të gjithë fëmijët dhe prindërit e tyre mund të kenë një ndihmë konkrete përmes "ALO 116", një shërbim kombëtar falas, 24 orë në 7 ditë. Dhe, rezultatet nuk kanë munguar. Në asnjë çast telefonat e vënë në dispozicion nuk janë të lirë. Mjafton të qëndrosh një ditë me operatorët e "qendrës së thirrjeve", për të kuptuar krizën dhe problematikën e madhe që kanë fëmijët shqiptarë. Dhe, telefonatat mbërrijnë nga e gjithë Shqipëria. Duke filluar që nga fshati më i largët, e deri tek qytetet më të mëdha të Shqipërisë. Belioza Çoku na tregon se edhe problemet për të cilat ata marrin janë nga më të ndryshmet. "Pjesa më e madhe e telefonuesve janë të shqetësuar për marrëdhëniet me partnerin. Bëhet fjalë, në të tilla raste, për adoleshentët e shkollave të mesme, - na shpjegon menaxherja e këtij projekti, Belioza Çoku. - Ka pasur ndërkohë, shumë telefonata të tjera të fëmijëve të shqetësuar për marrëdhëniet e tyre brenda familjes, për problemet me duhanin, alkoolin, me shëndetin, me shokët në shkollë. Shumë prej tyre janë të shqetësuar për shkak të formave të ndryshme të diskriminimit, për neglizhim, në raste të tjera për abuzime seksuale, dhe në disa raste i mituri ka dashur të kryejë vetëvrasje. Sipas studimeve të ndryshme, abuzimi ndaj fëmijëve shpesh ndodh pas dyerve të mbyllura dhe kryhet nga ata tek të cilët fëmijët kanë më tepër besim: prindërit, anëtarë të tjerë të familjes apo miqtë". Ajo shpjegon se linja e telefonit për fëmijët në Shqipëri, që nga 1 qershori i vitit 2009 e deri në fund të marsit ka marrë mbi 100 mijë telefonata nga e gjithë Shqipëria. Në qendrën operacionale të "ALO 116" mbërrijnë mesatarisht në ditë mbi 400 telefonata, ose 16 deri në 17 telefonata në orë. Numri i linjës "ALO 116" mund të merret nga çdo telefon dhe është falas. Ndërsa numri 116-111 mund të merret nga vende europiane për të marrë një shërbim të ngjashëm.

Sipas saj, telefonatat e shumta që mbërrijnë çdo ditë në këtë numër tregojnë se fëmijët shqiptarë kanë nevojë për dikë që t'i dëgjojë dhe t'i mësojë se si të sillen me problemin e tyre. "Alo 116' i jep mundësi çdo fëmije në Shqipëri që të flasë, të dëgjohet dhe të merret në konsideratë. Gjatë këtyre muajve të punës intensive kemi kuptuar se fëmijët në të gjithë Shqipërinë ndajnë të njëjtat probleme dhe shqetësime. Ata dhunohen në familje dhe kanë probleme të komunikimit me prindërit, ndeshin probleme të dhunës në shkollë nga mësuesit apo edhe fëmijët, kanë probleme të ndihmës shëndetësore dhe aksesit në shërbimet sociale", - ka sqaruar ajo.

Problemet familjare
Ata që telefonojnë çdo ditë në këtë numër sjellin me vete edhe problemet jo vetëm të tyret personale, por edhe të zonave nga të cilat janë vetë telefonuesit. Një gamë të gjerë telefonuesish e zënë ata të cilët ankohen për problemet familjare. Operatorët që presin telefonatat na tregojnë se në mjaft raste fëmijët ankohen për sherret në shtëpi, për dhunën që babai ushtron ndaj nënës, të cilës në mjaft raste nuk i shpëtojnë as ata, për divorcin, por edhe për problemet ekonomike. "Shumë raste kemi, që na telefonojnë fëmijë të cilët ankohen për baballarët të cilët pinë shumë. Dhe, kjo gjë krijon jo vetëm dhunë psikologjike, por në mjaft raste edhe në dhunë fizike. Ne mundohemi t'i mësojmë këta fëmijë se si të sillen në raste të tilla. Ndërsa në raste të tjera ne i adresojnë ata drejt qendrave ose shërbimeve të ndryshme nëpër rrethe, ku ata mund të shkojnë për të marrë një ndihmë më të specializuar", - shprehet ata. Një tjetër problem që lidhet me familjen ka të bëjë edhe me komunikimin që ata ndërtojnë me fëmijën. Edhe kjo është një pikë mjaft delikate, pasi ka shumë fëmijë apo adoleshentë që ankohen se prindërit e tyre i pengojnë në dëshirat që ata kanë.

Problemet me mësuesit
Është njëra nga problematikat më kryesore. "Kemi një numër shumë të madh telefonuesish që ankohen për mësuesit. Ata të zonave rurale ankohen edhe për dhunë fizike, siç është gjuajtja me shkumës, ndërsa ata të qyteteve ankohen më tepër për epitetet e ndryshme që u vendosin mësuesit. Por, ka edhe një kategori tjetër që ankohet për neglizhencë nga ana e mësuesve, për mosvlerësim të duhur apo për paaftësi të tyre në zotërimin e lëndës. Ndër epitetet më të shpeshta që u vendosin mësuesit janë: 'hë ti budalla, përgjigju', 'i mefshtë', 'toç', etj. Ndërkohë që një gamë të gjerë problemesh e zënë edhe marrëdhëniet midis të rinjve. Në shumë raste ata telefonojnë se shokët ose shoqet e tyre i ofendojnë dhe tallen me ta. Shqetësuese është fakti se ka filluar të përhapet fenomeni i talljes kolektive. Që do të thotë, se ata vënë në mes një bashkëmoshatar të tyrin dhe e tallin të gjithë. Gjithashtu, nuk mungojnë as rastet e dhunës midis të rinjve", - ka shpjeguar Belioza Çoku.

Problemet e dashurisë
Janë telefonatat që shënojnë edhe numrin më të madh. Marrëdhëniet me partnerin, frika nga HIV/AIDS, por edhe si duhet të sillen me të dashurin, janë disa nga shqetësimet që ata kanë. "Kryesisht na telefonojnë për problemet që kanë me të dashurit dhe na pyesin për marrëdhëniet seksuale. Ka nga ata edhe që e kanë problem që nuk kanë të dashur dhe telefonojnë për të pyetur se përse shoqja apo kushërira e tyre ka të dashur ndërsa ata jo. Ka nga ata që telefonojnë për të pyetur nëse mund të kryejnë marrëdhënie seksuale, pasi i dashuri e ka kërcënuar se do e lërë nëse s'e bën një gjë të tillë, ka të tjerë që telefonojnë vetëm për të marrë informacion për çështje të tilla. Ne bëjmë ç'është e mundur që t'i këshillojmë të mos nxitohen për të kryer një marrëdhënie vetëm se ia kërkon partneri, por duhet ta ndiejnë edhe vetë. Gjithashtu, ne i këshillojmë edhe për rreziqet që ka kryerja e marrëdhënieve në një moshë kaq të vogël. Ajo që është pozitive, është fakti se ata janë të ndërgjegjshëm dhe duan të dinë sa më shumë informacione rreth marrëdhënieve seksuale", - na shpjegon Alma Kordoni, supervizore e përgjithshme e 'ANCH'.


Problemet me duhanin
Një kategori tjetër janë edhe ata që marrin për problemet me duhanin, drogën dhe alkoolin. Ka nga ata që tregojnë eksperiencat e tyre, por ka edhe mjaft prej atyre që telefonojnë dhe kërkojnë ndihmë se si të shkëputen prej tyre.


Esmeralda Keta, G. Shqiptare

Protesta të dhunshme në Athinë, vdesin tre punonjës banke

Kryeqyteti grek, Athina është përfshirë sot nga një valë e frikshme protestash kundër masave drastike të Papandreut për të shlyer borxhin publik. Protestuesit kanë djegur dhe shkatërruar gjithçka që iu shfaqej përpara. Gjatë mesdites, situate ka percipituar kur turma iu afrua parlamentit grek dhe më pas u vuri flakën bankës "Marfin Bank". Për pasojë tre punonjës të kësaj banke kanë humbur jetën.



Me dhjetëra punonjës të bankës tentuan të dilnin jashtë të terrorizuar kur protestuesit hodhën në ambientet e saj bomba molotov. Dy katet e para të ndërtesës u përfshinë nga flakët, ndaj tre prej tyre, dy gra dhe një burrë nuk arritën të dilnin të gjallë.


Ndërkohë që protestat vazhdojnë edhe gjatë pasdites por me një intensitet më të ulët, kryeministri grek, Jorgo Papandreu u ka bërë thirrje qytetarëve protestues për përmbajtje dhe vetëdije. Ndërsa partitë politike kanë komentuar sipas interesit të tyre politik. Kështu Antonis Samaras i Nea Dhimoktratias, Aleka Papariga e KKE (Partise Komuniste Greke), Jorgos Karaxhaferis i LAOS dhe Aleksis Rigas i SIRIZAS janë shprehur kundër marrëveshjes së Qeverisë greke me Bashkimin Europian dhe mendojnë se protestat jane të justifikuara pasi këto masa të marra nga Qeveria do të rëndojnë mbi qytetarin grek së paku edhe për njezet vitet e ardhshme.

Ngjarjet në Greqi kanë gjetur pasqyrim të gjerë në mediat e huaja. Gazeta si "Wall Street Journal", "El Pais", "Le Monde", "Liberation", etj. kanë pasqyruar me shume kujdes ngjarjet e ditës së sotme, ndërsa TV, si BBC,CNN, Sky News, etj. kanë transmetuar gjatë gjithë ditës edicione speciale mbi ngjarjet në Athinë. Gazetarët kanë përcjellë momentet shokuese të përleshjeve mes protestuesve dhe policisë por edhe djegien e bankës në një shtet anëtar të Bashkimit Europian.

Ata hedhin dyshime mbi një krisje të mundshme të ekonomisë në zonën Euro.

Shekulli

Topalli mbledh gratë kundër Ramës: Mos përdor deputetet

Disa shoqata grash kanë protestuar sot para bashkisë së Tiranës dhe kanë lëshuar thirrje kundër liderit të PS-së Edi Rama, duke e akuzuar se po përdor gratë në grevën e urisë.


Pjesëmarrëset në këtë tubim kanë apeluar kundër grevës së urisë, duke deklaruar se në këtë mënyrë në mes të Tiranës po ngrihet Muri i Berlinit. Ato janë shprehur të shqetësuara për pengesën që SIPAS TYRE po krijohet për liberalizmin e vizave dhe proceset integruese të vendit.


Deputetet socialistë reaguan menjëherë, duke e cilësuar këtë një protestë të organizuar nga kryetarja e Kuvendit, Topalli. "Është një turp për vendin dhe për Parlamentit që drejtohet nga një zonjë e tillë"- kanë thënë deputetet e PS-së.



________________

Replika, deputetet e PS-Bulkut: Greva jonë, për të ardhmen e fëmijëve

TIRANË - Deputetet socialiste që janë në grevë urie prej 5 ditësh i kanë kërkuar koleges së tyre të djathtë Rajmonda Bulku të mos mbjellë gjuhën e urrejtjes sepse është e pavend në situatën ku ato ndodhen. Deklarata vjen si përgjigje e thirrjes së Bulkut ndaj Ramës e cila akuzonte se kryetari i PS-së po mbante jashtë vullnetit të tyre gratë socialiste në grevë urie.

"Jemi të tronditura nga gjuha jote e urrejtjes", shkruajnë ata në letrën publike për deputeten demokrate Bulku. "Ne s'na ka detyruar kryetari por e ardhmja e fëmijëve tanë për të qenë në këtë grevë". Sipas tyre politika nuk është arena ku ata që hyjnë duhet të shpërfytyrohen për pushtet por skena ku të shpërfytyruarit duhet të largohen. Ata i kërkuan Bulkut të mos luajë rolin e zëdhënëses së Berishës apo Topallit sepse ata janë shkaku i kësaj greve dhe i krizës së vendit.

Më parë, Rajmonda Bulku në një konferencë shtypi iu drejtua liderit socialist me fjalët: "Zoti Rama të ndrysh në grevë urie nëna me foshnje, gra me përgjegjësi familjare do thotë se në qënien tënde nuk ekziston asnjë ndjesi njerëzore. Kjo nuk ka asgjë të përbashkët me vlerat e familjes e fëmijëve. Po të mendosh se çfarë terrori psikologjik krijon tek fëmijët duke i mbyllur nënat në vetëflijim, kjo krijon një dramë, që nuk shërohet". Ndërsa i kërkoi atij ti nxjerrë sa më parë ato nga greva e urisë.


Shekulli

Sot është 5 Maj, Dita e Dëshmorëve

Një fotografi për të rikujtuar ngjarjen simbol të vitit 2009 përsa i përket nderimit tonë ndaj të rënëve gjatë Luftës Nacional Clirimtare.


TE NGRATET DESHMORET TANE!

Mjafton të mos ketë varreza dëshmorësh të të huajve!
Ishte pikërisht ky mendimi që formulova në krye, duke kapërcyer me shpejtësi buletinin ditor të lajmeve. Një mitropolit malazez, gjatë një vizite të paparalajmëruar në Shkodër, ndër të tjera ka kërkuar që të gjenden varret e të rënëve të bashkëkombësve të tij dhe autoritetet të caktojnë një vend për rivarrimin e tyre.

Analistët atdhetarë i kërkojnë përgjegjësi edhe kryepeshkopit Anastas pse e ka lejuar këtë vizitë të mitropolitit malazez, dyfish të zemëruar: jo vetëm në ndjenjat e tyre kombëtare, por edhe në ato të autoqefalisë fetare. Të jetë e vërtetë?! Domethënë, të jenë të vërteta këto ndjenjat e forta të protestës së analistëve? Pak e dyshimtë.

Gjetjen e eshtrave të ushtarëve të rënë në luftë dhe rivarrimin e tyre në brendësi të territorit shqiptar e kanë kërkuar edhe fqinjët jugorë. Madje, këta e kanë kërkuar qysh në periudhën komuniste. Sherr atdhetar, gjithaq i sertë, prej shtypit vendës për "grekët tinëzarë", për të bijtë e akejve, që "edhe dhurata kur japin nuk u duhet zënë besë".

Por edhe fqinjët tejadriatikas nuk janë krejt të shkyqur nga çështja e të rënëve ("gli cadutti"). Ndonëse pa bujë, prej vitesh ata janë në kërkim të varreve të mbetur të ish-ushtarëve italianë, të civilëve dhe misionarëve, për të mbërritur tek ngritja e një basorelievi, ku do të shenjoheshin gjithë emrat e tyre.

Britanikët qenë më të shpejtë dhe më veprues. Në parkun pranë liqenit, prej shumë vitesh, gjendet një memorial ku vit për vit bëhen nderime për "ushtarakët e mbretërisë së detrave", që u vranë në Shqipëri gjatë luftës antifashiste. Pllaka prej mermeri të zgjedhur, që deri atëherë kishte shërbyer si pjesë e varrit të E. Hoxhës, brenda disa ditësh u kthye në lapidar për misionarët britanikë.

Sa për ushtarët francezë, të rënë në Shqipëri gjatë Luftës së Parë Botërore, ata u prehën të qetë në një kopsht në Korçë prej dekadash: komunistët nuk i cenuan kurrë ato, ndoshta edhe për shkak të frankofonisë gjuhësore të liderit të tyre. Deri më tani vetëm Turqia kemaliste, dhe dy shtetet e dalë prej ish-perandorisë austro-hungareze, nuk kanë kërkuar gjetje eshtrash të dëshmorëve të tyre dhe ndërtim varrezash për ta.

Pak e çuditshme dhe e pabesueshme gjithë kjo sedra e lënduar kombëtare e analistëve protestues dhe gjithfarë shoqatash, që kundërshtojnë së bashku. Do të kishin qenë të besueshëm, nëse të njëjtët do të kishin shprehur së paku po aq shqetësim edhe për strehën e fundme të dëshmorëve të vetë Shqipërisë.

Ku janë varrezat e tyre, si janë, sa dhe si nderohen, ç‘po ndodh me shenjat me të cilat ata kanë pasë identifikuar veten? A janë ata, ashtu si e thotë kuptimi i fjalës, të cilin shumëkush as që e di, me të vërtetë dëshmuesit e atdheut, ata që e dëshmojnë lirinë e tij? A ka dëshmorë ky vend dhe cilët janë nderimet protokollare kushtuar atyre?
Tek e fundit, kujt i duhet gjithë ky "patriotizëm negativ", ky zell shfryrës për të mos lejuar të huajt të nderojnë të vetët atje ku kanë rënë, nëse askush nuk kujtohet të shqetësohet për fatin e varrezave të dëshmorëve të vetë Shqipërisë? Pak hipokrite e gjithë kjo stuhi!

Nëse çështja do të shtrohej në këtë formë, atëherë e para gjë që do të na vinte në mendje do të ishte shprehja e vjetër e shqipes: "Të pafatët, dëshmorë të shqipes!" dhe ndërmend pas më rrodhi, vargu i njohur i Lordit britanik:

‘Të rreptë bijtë e shqipes/ po vetitë nuk u mungojnë/ armiku ua pa kurrizin ndonjëherë?‘

Se ngatërrohemi ndonjëherë ne dhe harrojmë se ka pasë heronj herët e më herët, qëkurse dolën luftërat për liri e mëvetësi në gadishullin ilirik. E megjithatë ne i kemi zhvendosur kohët dhe i kemi "shujt eshtnat e ma t‘parvet, nj‘ashtu paskemi kan‘, krejt t‘pafat për kët tok e për kët kull", më pat rrëfyer një malësor prej Shale. Krejt të pafat, sepse në emër të gjakut të tyre u ndërtua një pushtet totalitar që zgjati një gjysmë shekulli. Të pafat, sepse menjëherë pas ndryshimit të sistemit politik sunduesit e rinj edhe dëshmorët i ndanë në "tanët" dhe "tuajët", në dëshmorë të demokracisë dhe dëshmorë të një lufte, që cilido sot e cilëson ashtu si ia thotë mendja. Të pafat, sepse si çdo gjë publike, si shkollat, spitalet, kinematë, serrat, industria, edhe varrezat e dëshmorëve iu nënshtruan një shkatërrimi të padhimbje.

Të pafat, sepse ka dy dekada që pretendohet që nuk kanë qenë 28 mijë dëshmorë, dhe askush nuk merr përgjegjësinë fillestare të verifikojë një për një emrat e atyre, që s‘ka dyshim se janë të tillë e përgojimi të merrte fund.
Të pafat, sepse këngët e tyre janë ndaluar e vetëm mund të pëshpëriten, nga frika se identifikohen me bolshevizmin. Të pafat sepse nuk i quajnë madje as dëshmorë, por viktima, për të mos shkuar më tej (tradhtarë); se janë dëbuar nga tekstet shkollore dhe ndoshta së afërmi fjalët "partizan" e "veteran" nuk do të jenë më as në fjalorin e gjuhës shqipe, dhe në do të jenë, do të shënjohet anash tyre shpjegimi "arkaizëm". Të pafat, sepse, të paktën, për një pjesë, ata janë prurësit e fatkeqësisë, misionarët e bolshevizmit, themeli i diktaturës. Të pafat deri në ironi, sepse pikërisht trashëgimtarët e ushtrive të atyre vendeve kundër të cilëve ata patën luftuar, duke pasur një kod nderi protokollar siç u ka hije shteteve që nuk e ngatërrojnë veten me pushtetin, vijnë sot dhe rindërtojnë memorialet e tyre të rrënuar, sikurse veproi qeveria gjermane me memorialin e Borovës disa vjet më parë. Të pafat, sepse bustet e tyre, kudo që qenë dhe të kujtdo që qenë, duke përfshirë dhe ato të studios së kryemjeshtrit Odise Paskali, u sharruan ose u copëtuan me teknikë automatike.

Ndërsa shqiptarët i zë zjarrmia sapo ndonjëri prej fqinjëve kujtohet për të vetët të rënë në luftë në Shqipëri, në një luftë të drejtë apo të padrejtë qoftë; ndërsa analistët mezi presin t‘u dalë përballë ndonjë fakt i tillë për të dëshmuar veten sa shqiptarë të ndershëm janë; ndërsa palët politike grinden e nuk pushojnë së mburruri se luftën nuk e bëtë ju, po e bëmë ne; të ngratët dëshmorë, ashtu si pati shkruar poeti, provojnë rivrasjen e tyre morale nën varrezat me pllaka të çara, nën braktisjen e përgjithshme. Dhe ndërsa lexoj fjalën e ish-presidentit francez J. Chirac, në gusht të vitit 2004, gjatë ceremonisë madhështore në 60-vjetorin e çlirimit të Parisit: "Unë, Presidenti i Republikës Franceze, në emër të shtetit, po vendos në shtatin tuaj këtë dekoratë të lartë, në shenjë nderimi që populli francez u kushton luftëtarëve të vet antifashistë".

Atdhetarëve të shtirur shqiptarë, këto vlera dhe referenca, nuk u shkojnë ndërmend.
Mjafton që greku dinak dhe serbo-malazezi katil të mos kenë leje për të ndërtuar varre të rënësh këtu. Dhe e gjitha kjo e ka një shpjegim. Sepse ata, ashtu si shumica e shqiptarëve, mendojnë gabimisht se koha e antifashizmit ka vdekur. Ata harrojnë se antifashizmin nuk e themeloi Rusia bolshevike, por e themeluan demokracitë perëndimore. Harrojnë se kur qeveria e Madhërisë së Saj dhe Presidenti Roosewelt nënshkruan Atlantic Charter, ish-Bashkimi Sovjetik ende nuk e besonte se do të bëhej luftë e vërtetë me Reich-un nazist. Ata nuk e dinë se, me përmbysjen e bolshevizmit, ranë ato ideale që kishte frymëzuar krahu lindor i aleancës antifashiste, por jo antifashizmi vetë, që mbetet vlera më e madhe morale e njerëzimit në shekullin e 20-të. E ata bëjnë sikur e harrojnë që të gjithë ish-presidentët amerikanë dhe kryetarët e shteteve të mëdha, megjithatë, në çdo jubile të 9 majit kremtojnë së bashku pranë pishtarit të "Ushtarit të Panjohur" në Moskë (pishtari i të cilit nuk shuhet kurrë, qoftë dhe për disa sekonda qysh prej ndërtimit të tij). Ata bëjnë sikur nuk e dinë se qortimi i historisë nuk mund të bëhet duke përçmuar ata dëshmorë që janë, por duke shtuar në varrezat e tyre edhe të rënët që ishin rreshtuar në formacione të tjera politike; ballistë, legalistë, nacionalistë tradicionalë që luftuan kryemëvete, sigurisht aq sa ka dhe nëse ka.

Shtetet nuk rithemelohen. Shtetet dëshmohen.
Por si do të dëshmohen shqiptarët si shtet, pasi të kenë kaluar edhe disa vite e dekada indiferencë, nëse puna do të mbetet që të vijë një mision italian e të ndërtojë, bie fjala, një basoreliev për luftën e Pezës apo një tjetër mision gjerman për luftën e Musqetasë? Ronald Reagan pati thënë, në fundin e viteve 1980, kur kërkoi të vinte një tufë me lule në varrezat e të rënëve si nazistë: "Koha ata i zuri në këtë llogore. Ata ranë në barrikadën ku u gjendën dhe ne respektojmë barazinë para vdekjes".

Monika Shoshori Stafa, Gazeta Shqip

Fëmijët nëpër kopshte diskutojnë për telenovelat

Edukimi i fëmijëve të vegjël është një mision tepër i vështirë.

Në një kohë që e dinë se mësimi i të vegjëlve është shumë i vështirë, lejojnë që nëpër kopshte fëmijët të diskutojnë edhe për telenovela. Dikush i diskuton bashkë me ta, pasi e ndjek edhe vetë atë serial, ndërkohë që një pjesë i lë të lirë që ata të flasin për ato që shikojnë në televizor.


"Ne në kopsht diskutojmë përherë për Mariçuin. Edhe edukatoret flasin për telenovelën. Unë me mamin nuk humbasim asnjë pjesë", -tregon Ami, një vogëlushe 4-5 vjeçare.
Sipas edukatoreve, fakti se fëmijët diskutojnë për telenovela apo për emisione të tjera që realizohen në vend, nuk është faji i tyre, por i prindërve që i lënë të shikojnë emisione dhe telefilma të tilla.
"Prindërit duhet të bëjnë më kujdes, nuk duhet t'i mbajnë fëmijët përpara ekraneve kur shikojnë telenovela apo emisione që janë për të rritur. Sepse, shpesh herë nga fëmijët dëgjojmë edhe fjalë që kanë lidhje me politikën", - tregon një edukatore.
Por, ndërkohë në çerdhe, jo se situata është më ndryshe, pasi edhe fëmijët 3-vjeçarë shikojnë televizor së bashku me prindërit dhe mësojnë emrat e personazheve të telefilmave të ndryshëm.

Çerdhet e fëmijëve në kryeqytet janë shndërruar në mjedise jo vetëm komode për mirërritjen e tyre, por edhe shumë të rëndësishme, ku të vegjlit mund të zhvillojnë aftësitë e tyre të të kuptuarit dhe të shprehurit. Në Qendrën Ekonomike për Zhvillimin dhe Edukimin e Fëmijëve na thonë se në çerdhet e kryeqytetit, prej kohësh aplikohen shërbime edukative dhe psiko-sociale. Stafi edukator që gjendet çdo ditë pranë fëmijëve, është i përkushtuar dhe i kualifikuar për të ofruar kujdes, mirëqenie fizike dhe emocionale për fëmijët. Çdo edukator ka përkatësisht 6-7 fëmijë në përkujdesjen e tij, ndërsa çdo edukator që punon pranë grupit latant ka nën përkujdesje 5 fëmijë. Ky raport siguron përkujdesje të mirë individuale dhe garanton mbështetje të mirë zhvillimore, veçanërisht te fëmijët latantë.

Stafi edukator, kryesisht me arsim për infermieri, ndjek në mënyrë të vazhdueshme kualifikimet dhe trajnimet e nevojshme lidhur me zhvillimin e fëmijës 0-3 vjeç, formimin e personalitetit, format pozitive të komunikimit dhe disiplinimit, vështirësitë zhvillimore psikologjike, me qëllim rritjen cilësore të bashkëveprimit edukator-fëmijë.

Ermenlinda Hoxhaj, G. Shqiptare

"Nata e nxehtë e Obamës"

Thashethemi i National Enquirer - Pas skupit për Tuger Woods, revista sulmon presidentin.


Çfarë ka ndodhur mes Vera Beikër dhe Barak Obamës?

E djathta republikane dhe shtypi i thashethemeve kanë gjetur më në fund një ish të dashur të bukur të presidentit? Është tentativa e njëmbëdhjetë për ta shtënë në dorë (kur ishte kandidat e kanë akuzuar se kishte bërë seks gay në një limuzinë, por i ashtuquajturi shok i limuzinës ishte një hamendësim)?


Për momentin mediat serioze dhe me reputacion heshtin; saitet e lajmeve nuk shkruajnë asgjë, por lexuesit që komentojnë në internet kanë filluar të flasin, duke nisur nga "Nju Jork Times" onlain e deri tek gazetat e revistat më pak të shitura.

Komentuesit konservatorë shajnë dhe ripublikojnë artikullin e National Enquirer që tregon për një ndalim në hotel të Barak Obamës me Vera Baker, e cila, në 2004 mblidhte fonde për fushatën e tij të senatorit.

Por, në saitin e Enquirer, dhe në Drudge Report, që njihen si media antiliberale, po të njëjtat që bënë publik dhe rastin Klinton-Monica Lewinsky 1998, artikulli tashmë është zhdukur:

"Faqja nuk është e disponueshme, ose është në përpunim", kjo lexohet tek saitet onlain të të dyja mediave. Ndërsa pjesa tjetër e popullit amerikan, e cila nuk pëlqen të komentojë nëpër saite gazetash, më shumë se sa është e skandalizuar, bën batuta.

Komentet janë nga më të ndryshmet të tilla si: "Tani shpresoj që republikanët të fitojnë zgjedhjet dhe të harxhojnë 100 milion dollarë për një komision hetimor", si ajo e bërë për Levinskin, i cili ishte një komision i sikletshëm dhe shumë i kushtueshëm. Ka komente të tjera pastaj të tipit: "Urrà për Obamën! Vera Baker është shumë më e mirë se Monika". Dhe të tjerë "Obama me një grua? Duket shumë gay - por ndoshta është një metroseksual".

Edhe emri "Vera Baker" në Wikipedia shfaqet me një shenjë (është i bllokuar editimi) dhe një vijë e kuqe në bri të lajmërimit "po vendosim nëse duhet ta fshijmë, apo jo këtë artikull"). Shumë blogje janë zhdukur nga kërkimi i Google. Por, nuk mund të bëhet më asgjë, është viti 2010 dhe historia është vetëm një klikim larg.

Baker është sot 35 vjeç është nga San Françisko, kishte krijuar një grup që mblidhte fonde për kandidatët me ngjyrë, ka qenë drejtoreshë financiare e fushatës së Obamës për kandidimin e tij në senat. Për të përflitet prej vitesh. Kanë shkruar blogje republikane dhe britaniku Daily Mail. Thuhet madje që Mishel Obama kishte zbuluar gjithçka dhe ishte tërbuar. Baker nga ana e saj ka mohuar gjithçka, këtë e ka bërë dhe nëpërmjet një avokati.

Në një farë pike u zhduk dhe u transferua për të punuar në Martinica. Ka dhe më keq. Më e keqja ndoshta po vjen. Sipas lajmit të parë që publokoi Enquirer, shoferi që shoqëronte Obamën gjatë fushatës (por nuk bëhet e ditur se kur), kishte treguar që e kishte lënë Obamën dhe Verën në një hotel në Washington.

Ku, sipas shoferit, Bekër nuk rrinte në hotel pasi ajo jetonte po në Washington. Gjithnjë sipas revistës Enquirer thuhet se për të gjithë këtë ekziston një video si provë, kjo falë telekamerave të brendshme të hotelit.

Por dje u bë një përgënjeshtrim: e përjavshmja nuk e kishte videon, por dinte vetëm që një video e tillë ekzistonte. Dhe se disa agjenci të klasifikuara si në krye të listës për urrejtjen ndaj Obamës ofrojnë një milion dollarë për videon komprometuese.

Ndërsa, të shtunën mbrëma çifti Obama dukeshin shumë në humor, siç bën të ditur korrespondenti i dërguar në shtëpinë e bardhë për darkën. Presidenti ka bërë një fjalim plot me humor (çdo vit një skuadër komikësh bashkohen për t'i shkruar batutat, kjo gjë bëhet që nga koha e Reganit).

Por, sipas referimeve të Huffington Post, «dukeshin retë" e një skandali seksual të mundshëm. Do të plasë më të vërtetë? Ndoshta, por këtë herë në formë tjetër dhe me pasoja të tjera Obama i ka kaluar të gjitha kategoritë e vjetra dhe është quajtur si një lider - rockstar, dhe mbi yjet e rokut flitet shumë.

Ose ndoshta rasti Obama- Beker do të bëhet një furtunë në Web (dhe në mediat e tjera, nëse do të dali ndonjë provë në dritë) duke iu dhënë material të ri atyre që u zhgënjyen dhe sidomos ata që e urrejnë presidentin me ngjyrë.
Po ndodhin gjëra serioze në Amerikë kohët e fundit!

Shekulli

Flora, gruaja që "braktis" familjen në emër të transparencës

Ekonomistja tregon se zhgënjimi i 20 viteve e ka detyruar të ndërmarrë masën më ekstreme, atë të përfshirjes në grevën e urisë, bashke me deputetet dhe mbeshtetesit e socialisteve.


Qëndron në cepin e çadrës së madhe, atu ku prej katër ditësh ndodhen 200 burra e gra. Që kur opozita vendosi të ndërmarrë hapin ekstrem të betejës politike, Flora ka zënë qoshëzën e çadrës, paçka se vetëm katër metra rrugë e ndajnë nga kryeministria. Pikërisht në këtë qoshëz, janë mbledhur të gjitha gratë që marrin pjesë në grevën e urisë. Në fillim ishin dhjetë, e tash e tutje do të jenë 9 për shkak të përkeqësimit të shëndetit të Klodiana Spahiut. Por, duket se ky fakt nuk ka pezmatuar asnjë prej grave që vijon në kushte të rënda grevën e tyre. I ka bërë më të forta, aq sa të gjitha urojnë që shëndeti mos t'i braktisë deri në ditën e fitores.


***
Vendosi të futet në grevë urie e bindur që prej aty do të dalë me fitore.
Për kërkesat që ka parashtruar opozita, Flora është gati të vetëflijohet, pasi për të, këto 20 vite nuk kanë qenë vitet për t'i harruar të jetës së saj.

Ndaj ka braktisur familjen, (ajo është personi i vetëm që kujdeset në një shtëpi prej 6 anëtarësh) e bindur se vetëflijimi është rruga e vetme për të ndryshuar këtë vend.


"20 vitet më të bukura të jetës sime më kanë kaluar në mjerim, varfëri dhe pa asnjë shpresë për të nesërmen. Unë nuk dua që fëmijët e mi të kenë të njëjtin fat, ndaj dhe nuk e kam menduar dy herë kur krerët e partisë që unë besoj se do t'i ofrojnë një të ardhme më të mirë të këtij vendi vendosën të ndërmarrin këtë hap", - thotë Flora Hasanaj.
Gruaja 45 vjeç është nënë e dy fëmijëve dhe për këtë vendim ka miratimin e familjes së saj. Flora të tregon, tejet e kënaqur, mesazhet e së bijës. Ajo jo vetëm e përkëdhel dhe i jep kurajë, por i thotë me plotë gojën sa krenare ndihet për të. Nuk është vetëm ajo dhe 8 gra apo 110 burra që prej katër ditësh tashmë kanë nisur luftën e tyre, jo vetëm kundër urisë. Ata kanë përkrahjen e familjarëve të tyre, e qindra e qindra njerëzve që jo vetëm i bëjnë të ndihen më krenar, por edhe të vlerësuar për sakrificën e tyre.

Ndaj duket se jo vetëm Flora Hasanaj, por edhe të gjithë pjesëmarrësit në këtë grevë urie, luten në zë që shëndeti mos t'i braktisë deri në ditën e fundit.

Shekulli

Mbi mediokritetin e muzikës shqiptare!

Të gjithë ata që si mua janë lindur në vitet 80 apo pak më vonë, janë rritur me një farë muzikë që udhëtonte n që dy binare të ndryshëm, ndoshta në tre. Kishim muzikën para lindjes tonë, ate që quanin “muzikë e lehtë” dhe vetëm një emër kaq i tmerrshëm të jep idenë se çfarë muzikë ...ishte dhe se çfare tekstesh kishte.

Një emër i tillë mund të dilte vetëm nga zyra të errëta ku mblidheshin udhëheqesit e partisë. Bazohej në një tastierë të thjeshtë dhe në zërin e këngëtarit. Natyrisht që bëme gjënë e vetme që mund të bënim: e snobuam. U kishte ikur koha, thamë, Vace Zelës e Kozma Dushit. Videot e tyre mund të na bënin pak për të qeshur, mund të kishin një melodi të lezetshme që mbahej mend lehte ( Eja o shoku ynë…Dhe shiu pik pik pik…apo pajk pajk pajk siç këndohej para Vaçe Zeles ).

Por, t’a marre dreqi, erdhën vitet 90.
Rrëzuam bustin, u rritëm dhe përpara çdo festivali rrinim me sy hapur duke pritur grupin tjeter. Nga një anë dëgjonim G’n’R, Scorpions, Metallica, Pet Shop Boys, Duran Duran, nga ana tjetër festivali na shërbente ca gjëra qesharake. E megjithatë kishim një besim të patundshëm, unë personalisht isha i bindur që nga një moment në tjetrin do dilte një grup që do ndryshonte gjithçka. Vonë e kam kuptuar që ishte një festival për prindërit tanë dhe jo për ne.
Pak a shumë ne çdo festival pranonin dy apo tre grupe tanët, pjesa tjetër ishin përsëri të ricikluarit. Ne kishim Ritfolk, Arb dhe Djemtë e detit. Më para Aleksander Gjoka.
Mendoja që mund të bëhej simboli jone por mjaftoi që të fitonte një festival që të mos ndjente më stimujt e duhur për të vazhduar rrugën e tij. Djemtë e detit kishin histori tjeter, dhe kishim shpresa edhe tek ta. Besoja që DED nuk ishin akoma një grup i madh, por nga viti ne vit do rriteshin. Ishte e qartë që frymëzoheshin nga e njëjta muzikë nga e cila frymëzoheshim ne, që ishin rritur edhe ata me Guns’n’Roses, dhe që festivalin tjetër do fitonin sepse do dilnin me një këngë të jashtëzakonshme. DED kishin, në vitet e para 90, mundësitë për t’u bërë vërtet grupi me i madh shqiptar. Për fat të keq edhe ata nga viti ne vit nuk mësuan se si bëheshin gjërat më të komplikuara në kitarë dhe s’arritën të bënin dot të paktën një album. Ishin një grup që jetonte në funksion të festivalit. E megjithatë, DED ishin mëkati jone i pare.
Ndryshe Arb e Ritflok. Të paret më kanë lënë gjithmonë përshtypjen që ngjiteshin në skenë thjesht për të mos lënë Redonin vetëm, dhe edhe pse arritën një sukses të konsiderushem i detyroheshin vetëm tij. Ndoshta kjo gjë i bllokoi, ndoshta figura karizmatike e Redonit nuk i lejonte të përshkonin rrugë të reja, dhe si shumë grupe të tjerë edhe ata u dogjen shumë shpejt, jo aq shumë për probleme se sa për suksesin që arriten dhe që i bllokoi.
Pastaj ishte Elton Deda. Deda ishte tamam bir 90-ës shqiptare. Ndoshta edhe më shumë. Në festival propozonte ca gjëra, pak sipër mediokritetit ndërsa nga ana tjetër kishte një projekt shumë interesant: Thunder Way. Jam i bindur që sikur Thunder Way të kishin kënduar shqip do e kishin influencuar shumë muzikë tonë. Për atë moment ama, një projekt si Thunder Way ishte teper, ishte shumë larg, ishte shumë para për ne.

Qe më interesante dhe më e ndershme rruga e ndërmarre nga Ritfolk. Me një emer kështu në Shqipëri të pështyjnë në fytyrë, po dy çunat nga Tirana nuk donin t’ja dinin shumë. Sot pyes veten nëse e dinin që nuk bënin folk, por atëhere s’kishte rëndësi.
Ritfolk ishin dy djem që nuk kopjonin në mënyrë te dukshmë askënd, që arrinin të ndërthurnin Shqipërinë e askohe me modernitetin që afrohej, dhe kishin edhe tekste të pranueshme, në mos të bukura. Kjo ishte diçka që në ate kohë s’kishte asnjeri, e …në dreq, edhe tani s’është se e ka njeri.
Jam i bindur që Ritfolk ngelen grupi më i mirë shqiptar.
Të pëlqenin, edhe nëse ti nuk e dije që po të pëlqenin. Kushdo që interesohet për muzikë mund të dijë përmendsh një apo dy këngë te Arb, Akullthyesve apo E.Dedes, por di të paktën katër apo pesë të Ritfolk. Natyrisht që edhe këta nuk fituan asnjë festival, por kjo ishte thjesht një shenjë tjetër që tregonte që ishin vërtet në rregull, që ishin çuna njish. Ndër të tjera, ishin të parët që arritën te futeshin në studio e të rregjistronin një album tamam. Shpeshherë pyes veten se çfarë rruge do kishin marrë çunat sikur të mos ishin ndarë. Më pelqen ti imagjinoj tek vazhdojnë të patrembur, tek shtojnë album mbas albumi duke gjetur rrugë të reja në folk-country-soft rock pa tradhëtuar asgjë e askënd. Por nga ana tjeter frika e madhe që s’do mund të duroja dot është t’i shikoja tek bëjnë ndonjë përpunim të “ Të duket vajza porsi bananja, oh yeah…”

Kur Ritfolk u ndane, kur Redon Makashi u mbyll akoma më tepër në vete dhe në dashuritë e humbura, kur Elton Deda nuk gjente rrugën, kur Aleksander Gjoka filloi të bënte muzikë të lehtë mendova që kishte mbaruar një periudhë positive për muziken shqiptare, dhe që ajo që do vinte do na çonte akoma më përpara. Tashmë djemtë ishin rritur, tashmë 20 vjeçaret kishin dëgjuar shumë gjëra, do kishin blerë kitare e do kishin krijuar grupe, do këndonin e do na habisnin. Por për fat të keq do vinin dhjetë vjet tmerrësisht mediokër, dhjetë vjet masakrimi muzikes popullore dhe tekste të tipit

“…gjermania…rakia…italia…greqia…dashuria…”

Ajo që më indinjon më shumë është fakti që shpesherë mjafton një album, një këngëtar, një këngë për të nisur një periudhë të artë. E gjithë muzika amerikane ka ndryshuar thjesht për Highway 61 te Dylan e The Velvet underground. Vetëm një album j’u desh italianit De Andre për te shkatërruar e për të rithemeluar muzikën e vendit të tij. Muzika botërore është e mbushur plot me shembuj të tillë. Nga Beatles te Stones, te Velvet, Te Sex Pistols, te Jethro Tull, te Joy Division, te Nirvana e te Clash. Dhe talenti nuk ka të bëjë aq shumë në fund të fundit, nëse është e vërtetë që Sex Pistols nuk dinin ti binin kitarës kur bënë albumin e parë dhe, sinqerisht, nuk kanë mësuar kurrë.

Ajo që duhet nuk është aq shumë një grup perfekt, por thjesht një grup që te krijojë diçka të re. Derisa ky a këta të vijnë…Gjermania…rakia…

Tirana Calling

Shqipëria në një festë madhështore në sheshin Nënë Tereza me rastin e 1 Majit

Gati 500 mijë e kusur shqiptarë ju përgjigjën ftesës së kryeministrit Berisha për të festuar ditën ndërkombëtare të punëtorëve, 1 Majin në një festë madhështore në sheshin Nënë Tereza (së shpejti Sheshi Babë Berisha).

Burra, gra, fëmijë, pleq, plaka, pensionistë, invalidë dhe veteranë kishin braktisur vendet e punës vetëm që të shihnin nga afër mësuesin e lavdishëm dhe birin e Partisë Demokratike, prof.doktor.etj.etj Sali Berishën i cili refuzoi makinën, avionin dhe helikopterin për të ardhur në shesh por preferoi të vinte në këmbë nga shtëpia e tij duke e cilësuar si një udhëtim historik siamez.

Ku shkelte Berisha po mbinte bari, një mrekulli që mund të ndodhte vetëm nën udhëheqjen e qeverisë më të sukseshme te Europës Lindore deri në Azi.

Të ekzaltuar simpatizantët e Berishës nisin të shkulnin pllakat e sheshit ku kishte shkelur Berisha që ti ruanin si suvenire.

Sheshi i mbushur tej kapacitetit nga banorë të Shkodrës, Gërdecit, Maliqit të cilët thërrisnin se nuk kishte katastrofë natyrore që ti pengonte për të ardhur në festë bashkë me qytetarët e tjerë të NATO-s.

"I kemi borxh kësaj qeverije dhe nuk mundemi mos me ja shpërbly duke kenë i pranishëm sot" u shpreh një shkodran i cili përfaqësonte familjen e vet edhe vellain por ky i fundit ishte ne shtëpi duke hequr ujin me kova.

Në fjalën e tij kryeministri Berisha pasi rreshtoi vetëm disa qindra suksese të tijat dhe ca nga të qeverisë u tha të pranishmëve se kjo ishte hera e fundit qe mblidheshin në këtë shesh, pasi nga Janari i vitit 2011 festa e 1 Majit do ta festonin në sheshin e Romës, Parisit, Bathores, Kamzës, Brukselit dhe sidomos të Vjenës pasi shqiptarët si qytetarë të NATO-s do të lëvizin pa viza.

Kryeministri u përcolli festarëve edhe përshëndetjet e ngrohta të shokut Nano i cili nuk mundi të vinte nga Vjena pasi kishte frikë nga avionat dhe helikopterët dhe nuk kishte guximin e Berishës.

Ndërkohë Berisha u njoftua se edhe sindikatat e minatorëve kishin dashur ti bashkoheshin festës qeveritare të 1 Majit por i kishin penguar banditët e Edvin Ramës aty para kryeministrisë të cilët menjëherë ngritën cadra dhe u zunë rrugën minatorëve.

Fjalimi i kryeministrit ndërpritej nga brohoritjet e popullit si “Sali-Parti jemi gati kurdo ti”, por Berisha u kërkoi të mos thërrisnin aq fort se rrezikohej të thyeheshin xhamat e ndërtesës së Universitetit të Tiranës (së shpejti Universiteti Sali Berisha).

Më pas festa ka vijuar me një koncert historik ku ka kënduar edhe vetë anëtarja e kryesisë së Partisë, Ministrja e Tallavasë dhe Dekoltesë, zj.Ciljeta e cila gabimisht këndoi këngën “Dorëheqja”.

Duke parë se turma 500 qindmijëshe nuk po e mirëkuptonte fjalën "dorëheqje" Ministrja Cili sqaroi fansat e saj se ishte fjala për dorëheqjen e kreut të PS.


Korrieri

Komentet dhe Anonimiteti!?

Dy lajme interesante ditët e fundit më tërhoqen vëmëndjen! Në të parin mësojmë se në Brazil një gjykatë ka dënuar Google të paguajë një dëmshpërblim prej 8.500 $ për disa komente që janë shkruar nga një përdorues i Rrjetit social Orkut (Pronësi e Google), duke ofenduar dhe akuzuar një prift vendas për pedofili (tema në fjalë është shumë delikate)! Në lajmin e dytë gazeta New York Times shkruan mbi politikën e re që do ndjekë për komentuesit në versionin online të kësaj gazete!



Ku ndodhet bota e Internetit shqiptar? Në çfarë niveli jemi?
Para disa ditësh ishte pikërisht Kryeministri Shqiptar i cili lajmëroi në një ditë të rëndësishme për botën IT shqiptare, që synimi i Shtetit Shqiptar ishte pajisja masive me Internet (bandë të gjerë) të popullit! (Personalisht mendoj që nëse arrihet do ishte një plus i madh për ne)! Lajm që presupozon një rritje të ndjeshme të përdoruesve të Internetit në Shqipëri.

Mjafton një vizitë e vogël te disa nga mediat online më të mëdha Shqiptare si BalkanWeb, Shekulli apo Korrieri për ta parë nivelin/gjendjen e komenteve, akuza nga më të ndryshmet, ofendime nga me ordineret (të cilat derisa/nëse tutelohen nga moderatorët janë lexuar nga një numër i konsiderueshëm vizitorësh)!

Mund të thoni që është një formë tutele “anonimiteti”, pasi shumë informacione jane delikate dhe nuk mund të thuhen pa patur pasoja, pasi demokracia jonë është tepër e brishtë dhe lejimi i shkrimit të mendimeve tuaja duke u fshehur pas nofkave është diçka pozitive, kur ndërkohë lexon vetëm ofendime dhe sharje nga më të rëndomtat (personalisht mendoj qe eshte gje e gabuar)! Sidoqoftë është diçka negative për faqen që lejon komente të tilla, lajmet tek ata i lexojne mijëra persona online, një gjë është akuza e përgjithshme dhe diçka tjetër është ajo e përdorimit te “Emer Mbiemër” për të akuzuar dikë në mënyrë të drejtpërdrejtë!


Koment nga gazeta shekulli online


Koment ne faqen BalkanWeb

Koment tek gazeta Korrieri Online

Një të nesërme mos të ju duket diçka e çuditshme kur një denoncim i mirëfilltë të trokasë në dyert e “Gazetave Shqiptare” apo përfaqesuesve zyrtarë të këtyre faqeve që lejojnë lexuesit të bëjnë (komente) akuza të tilla, për arsyen se i lejojnë ato!

Tashmë të vësh në dyshim potencialin e Internetit dhe Rrjeteve Sociale do ishte një nënvleftësim banal, një koment brënda disa orëve mund të marrë përmasa të mëdha dhe të shpërndahet me një shpejtësi të paimagjinuar në Interneto-sferë, duke dëmtuar imazhin e X apo Y individi!

Çfarë masash do marrin këto media të mbrojnë veten e tyre një të nesërme nga akuza, si ajo ndaj Google?
Si do përballojnë fluksin e vizitorëve Shqiptarë që po rritet dita ditës, të cilët do jenë të etur të japin mendimet e tyre ne formë anonime ndoshta? Do luajnë ndonjë rol edukues apo jo, ato si media? Kanë menduar që ndoshta duhet te krijojnë një rregullore edhe për komentet?

Nëse po! Duhet të jetë diçka vizive, diçka e thjeshtë për tu kuptuar! Duhet te gjejnë një menyrë funksionale për ta bërë, mund të lejojnë komentet vetëm nga persona të cilët regjistrohen dhe përdorin “Emer Mbiemër” të vërtetë në komente, mund të moderojnë komentet para se të postohen!

Një shembull konkret, ku disa rregulla elementare janë vizive dhe komentuesi lajmërohet para se të komentojë, është http://shtypidites.com/


Eklipsi, Peshku Pa Uje