Tuesday, June 22, 2010

Meritokracia

Një plak kishte dërguar dy qe për t' i shitur në treg.

I afrohet një blerës dhe e pyet për veset e tyre. Plaku i thotë: Ky i trashi është i fortë, mund të lërojë shumë, por nuk i pëlqen aspak puna. Ky i holli, i dobëti, ka shumë dëshirë, por nuk mundet, nuk ka fuqi fare. Në rastin e parë përtacia kronike, në të dytin, ambicia e madhe dhe pamundësia e madhe. Vetëm dëshirë. Asgjë më shumë. Duket se në skenën politike shqiptare kemi demin e hollë.

Çudia mirëpo është se politikanëve shqiptarë qetë u pjellin viça... Në shtypin perëndimor nuk ka lajme të mira, me përjashtim të ndonjë libri të përkthyer, ndonjë sportisti apo këngëtari. Para disa viteve mbushte faqet e gazetave kriminaliteti shqiptar jashtë. Viteve të fundit mbushin faqet qeveritë tona; me korrupsion, me vjedhjen e buxhetit dhe moskryerjen e detyrave, që u cakton BE për pezullimin e vizave, respektivisht për integrim.

Më shumë lajme të dëmshme prodhojnë Shqipëria dhe Kosova se sa krejt vendet e Europës veriperëndimore apo Kina. Imazhi shqiptar tani dëmtohet edhe nga Qeveritë shqiptare.

Te "qetë" tona nuk është vetëm problemi i pafuqisë, por edhe i paaftësisë brengosëse, mosdijes, me një gravurë diletantizmi dhe përkulje të pashoqe në Ballkan. Këto dukuri kanë nxjerrë opozitën nga Kuvendi në Shqipëri.

Këto dukuri bënë të domosdoshme daljen e Albin Kurtit në skenë. Këto dukuri po nxjerrin në mal shqiptarë të armatosur në Maqedoni.


Meritokracia është në falimentim e sipër.

Situata e re kërkon personazhe të tjera, vizionarë të tjerë, sepse në politikë mosdija e Qeverisë krijon hapësirë, mundësi dhe domosdoshmëri për liderë të rinj, që dinë të ndërtojnë rend demokratik dhe të drejtë.

Nuk është koha e komunizmit dhe qëndrimeve statike, por e rrotullimeve, dinamizmit, lëvizjeve permanente të vlerave, botëkuptimeve, gjykimeve dhe bindjeve të reja, që e bëjnë të pamundur dhe të padurueshme mbijetesën e matrapazit politik.


Shqipëria

Në Shqipëri Sali Berisha e ka shpallur veten tribun. Meritat i ka sekuestruar, ashtu si Enveri dikur. Bërtet dhe çirret thua se nuk ka qenë kurrë stalinist. Shan opozitën, ashtu si i shante Partia e Punës revizionistët. I kanoset opozitës, ashtu si kërcënonte Enveri mikroborgjezët.

Mendon, gjykon dhe flet si "baza" e dikurshme dhe përdor të gjitha makinacionet, të gjitha mekanizmat në dispozicion për ta ngulfatur demokracinë.

Krejt kjo, me një qëllim: Shpërkoqjen e popullit dhe zaptimin e pushtetit. Kryeministri shqiptar në Perëndim paraqitet si qengj, kur kthehet brenda bëhet ujk.

Për të fituar simpatinë e Kosovës, autostradën, që i kushtoi më shumë se në RFGJ e pagëzoi "Rruga e Kombit".
Thua se komb ka vetëm drejt Kosovës, e jo edhe drejt Greqisë, drejt Malit të Zi dhe drejt Maqedonisë.

Akoma pa mbaruar festa dhe mburrja me Kryeministrin në Kosovë, u dhuroi serbeve të Kosovës 400.000 €. Shkrimtarët e rinj shqiptarë nuk kanë mjete për t'i publikuar veprat e veta.

Me ato lekë, kulturës shqiptare do t'u kishin shtuar së paku 400.000 kopje të librave për brezat e ardhshme. Ato para kanë përfunduar te serbet, që luftojnë sovranitetin e Kosovës.


Serbia pranë kufirit me Kosovën, në jug, ku jetojnë shqiptarët, ka ndërtuar kazermën më të madhe në Serbi.

Serbet shpresojnë se një ditë në SHBA arrin një proserb, ndryshon politika e tyre dhe ata për dy orë arrijnë në Prishtinë. Shqiptarët jetojnë me iluzione. Serbet përgatiten.


Shtetet kanë fatin e njerëzve, lindin dhe vdesin!
Ashtu si edhe miqësitë në mes popujve. Serbia e di këtë dhe përgatit varrin e nesërm për Kosovën, akoma pa i zhvarrosur shqiptarët e djeshëm nëpër Serbi...


Kosova

Kryeministri Thaçi pranon gabimet dhe betohet se do të punojë më mirë. Po pse deri tash nuk u punua mirë? Nuk dihet, mirëpo ata janë paguar edhe për punën e keqe.

Për punë të keqe paguheshin komunistët, në demokraci për punë të keqe rrëzohen Qeveritë. Në Europë ku dëshiron integrimin, nuk mund të merret me mend një ministër nën hetime dhe të mbetet në pozitë gjatë procedimit penal. Së paku, jo gjatë hetimeve, sepse në demokraci nuk ka hetime pa prova.

A thua nuk mendon kjo Qeveri se ajo po i jep mjaftë material Serbisë për ta luftuar njohjen?
Si mund të jetë funksionale ajo Qeveri e të ndikojë në pranime të reja, të vejë kontakte me qeveri në botë, të ftojë investues, kur ajo ka ministri nën hetime apo në vende kyçe njerëz pa veti morale, pa përgatitje të mirë profesionale?

A thua mendon kjo Qeveri se çka flet Serbia për demokracinë e suksesshme kosovare? A nuk sheh kjo Qeveri se e mbushi me argumente Jeremiçin kundër pavarësisë?

A thua mendon kjo Qeveri se bota nuk sheh çka po ndodh te ne? A thua bleu kjo elitë rehati dhe pozita me sakrifikimin e flamurit, himnit dhe identitetin shqiptar të Kosovës? Pse u denacionalizua elita politike në Kosovë?

Pse u denacionalizua Kosova?
Pse Kosova gënjen veten, ndërton ardhmëri mbi gënjeshtra dhe shpall veten shtet multietnik me pesë për qind pakica?
Pse iu nënshtrua këtij urdhri antidemokratik?

Pse nuk janë vende multietnike Maqedonia dhe Serbia, për shembull?

A domethënë se sakrifikimi i flamurit, me të cilin u luftua, himni, emblema në Prizren dhe gegërishtja në televizor, janë shenja dëftuese se elita, që luftoi për ta bashkuar vendin, ka marrë urdhër apo vendim ta kultivojë dhe ndërtojë kombin kosovar, deri sa identiteti serb në Bosnjë e Kosovë financohet, mbrohet e kultivohet? Kjo neglizhencë, ky menefregizëm politik, nuk mund të arsyetohet. Radhën e ka Albin Kurti.

Elita e viteve '90-të po shfronëson veten. Albin Kurti është institucion, që nuk mund të manipulohet, nuk mund t' i bëhet presion, nuk mund të korruptohet! Të tjerët duket se kanë përfunduar misionin e tyre. Radhën e kanë ata që nuk lejojnë t'u imponohen ndjenja inferioriteti.


Maqedonia

Marrëveshja e Ohrit u harrua, nuk zbatohet. Në Maqedoni nuk dihet akoma sa shqiptarë janë e sa maqedonas. Shumica duhet të jenë shqiptarë, rreth 35 e ca maqedonas, pastaj bullgarë e pakica tjera.

Ne, mirëpo, nuk dimë numrin tonë të saktë, edhe pse jemi në Kuvend, por dihet se në Maqedoninë Lindore qytetet janë të vogla dhe nuk ka aq banorë sa në atë perëndimore, ku jetojnë shqiptarët. Mirëpo, edhe këtu kemi meritokraci, që ka blerë pozitat me kompromis në kurriz të popullit. Belgjika është në ndarje e sipër pas zgjedhjeve të fundit.

Shqiptarët edhe pse të diskriminuar në Maqedoni, luftojnë për ta mbajtur gjallë këtë shtet dhe nuk mësojnë nga serbet e Bosnjës dhe të Kosovës.

Sa për krahasim: Afrika e Jugut ka njëmbëdhjetë gjuhë zyrtare dhe shteti ka njëmbëdhjetë emra.

Aty ku sundoi aparteidi, gjuhë zyrtare janë edhe ato që fliten nga dy, tre e katër për qind të popullsisë. Përafërsisht 23 % flasin isiksoza, 30%, isizulu, 11,9 sepedi, 10% secuana, 3,4 sisvati, 2,9 çivenda dhe 5,6 % ksiconga, etj.

Në Maqedoni shqipja nuk është zyrtare, aty ku jetojnë më pak se 20 për qind shqiptarë. Në Afrikën Jugore gjuha me 2,9 për qind është gjuhë zyrtare. Në Kosovë gjuhë zyrtare janë edhe ato, që fliten me më pak se një për qind.

Dhe, kjo është mirë. Shteti nuk duhet të ketë të drejtë ta çzyrtarizojë gjuhën e qytetarëve të vet. Republika e Maqedonisë diskriminon shqipen dhe shqiptarët dhe shpërblehet me pezullimin e vizave, sepse politikanët shqiptarë heshtin.

Në webfaqen zyrtare të Qeverisë maqedonase mund të gjenden informacione në gjuhën maqedonase dhe angleze, por jo shqipe. Në webfaqen gjendet vetëm flamuri maqedonas, e jo edhe ai shqiptar.

Emrat e ministrave shqiptarë, edhe pse u luftua për barazi, shkruhen me alfabet maqedonas. Kjo, ministrat nuk i pengon, me rëndësi rrogat, pozitat e tyre. Gjuha shqipe nuk ka rëndësi. E kush na i ka fajet?

Askush, vet ne. Vetëm ne, mirëpo shtrohet pyetja pse u luftua? Deri sa ne vazhdimisht t'i kërkojmë fajet diku tjetër, deri atëherë do t' i përligjim dështimet tona dhe nuk do të ecim para.

Lugina
Harrojeni këtë! Ata edhe pse luftuan, nuk fituan gjë. Ka 60 vjet që nuk ndjehen keq me dërgimin grave në Vranjë për lindje. Nuk ia vlen të merremi me njerëzit, që kanë fuqi shtatzënat t' i dërgojnë 50 kilometra larg. Ata tjerrin iluzione! Le të tjerrin, le të vegjetojnë se kështu ndjehen të lumtur...

Epilog

Pas Luftës së Dytë Botërore, meritokracia rrëmbeu pushtetin dhe e mbajti me gjak deri sa gati i doli shpirti popullit dhe shtetit. Meritokracia e sotme shqiptare nuk mund të mbijetojë aq shumë, por ka shpresa. Ajo po dëmton vetveten dhe shtetin.

Në krejt trojet shqiptare kemi në krye meritokratë, që për çdo dështim i referohen të kaluarës dhe me veprat e tyre në të kaluarën, ata i japin vetes të drejtë ta mashtrojnë, ta vjedhin dhe ta shkatërrojnë imazhin e shqiptarit, sot, sepse dje kanë qenë të mirë dhe tani mund t' i lejojnë vetes edhe vjedhjen e shtetit, që ndihmuan në lindje, por nuk e ndërtojnë si duhet. Ata në një çast historik u treguan të mirë. Ata ditën ta ndihmojnë vendin në kohë krize, por nuk mund të kërkohet prej tyre në çdo kohë të jenë të mirë e të aftë.

Komunistët dështuan me rendin komunist, sepse duke iu qasur së kaluarës, trimërisë, sakrificës dhe çlirimit të vendit, qerasën me pozita, jo ata që dinin, por besnikët, injorantët dhe ata që meritonin në bazë të veprave në të kaluarën, kështu zaptuan shtetin dhe ekonominë duke e shndërruar në monopol sui geniersi. Sot, meritokracia, në Shqipëri, në Kosovë dhe Maqedoni do të dështojë edhe kjo, sepse cilësi tjera nevojiten në kohë lufte dhe aftësi tjera në kohë paqeje. Populli jeton sot, jo dje, meritat e djeshme nuk e ngopin atë sot. Puna e Qeverive matet me ndryshimin e standardit të jetës së popullit. Puna e Ministrit të Brendshëm matet me luftën ndaj korrupsionit dhe kriminalitetit. Nëse nuk ka çdo javë rezultate, le të ndërrohet. Puna e Ministrit të Jashtëm të Kosovës matet me njohjet e reja. Nëse nuk ka çdo muaj njohje, le të ndërrohet. Çdo ministri, çdo muaj duhet t' i paraqesë rezultatet e vet, kush nuk ka, duhet ndërruar...

Meritokracia e shty gurin deri këtu, më shumë nuk mundet. Trimëria e djeshme i shërbeu lindjes së shtetit, i duhet historisë dhe historianëve. Transparenca, objektiviteti, ndërtimi i shtetit ligjor dhe demokracisë kërkon njerëz të ditur, jo trima!

Arsyetim: Mahatma Gandhi, që ishte gjenial për kohën e vet dhe mbetet i tillë për gjithmonë, me filozofinë e vet arrit ta çlirojë vendin, por pas çlirimit duheshin aftësi tjera, që edhe Gandhi i madh nuk i posedoi. Ai deri në çastin fundit ishte kundër ndarjes së Pakistanit, sepse ishte i bindur se njerëz me kultura dhe religjione të ndryshme, mund të bashkëjetojnë. Ai deshi të krijojë vetëm një shtet, u lindën dy. Me Indinë lindi edhe Pakistani. Gandi me filozofinë e vet diti ta çliroj vendin, por jo ta mbajë atë që çliroi. Kjo dëshmon katërçipërisht se njeriu nuk ka aftësi për çdo periudhë historike, sepse në një fazë të caktuar dinë të ndërtojnë, por pasi të pushojnë shkaqet e lindjes, nisë rrënimi sepse mungon filozofia e re për periudhën re. Njerëzore është kjo! Këtë po e shohim në Shqipëri, këtë po e shohim në Kosovë, këtë po e shohim në Maqedoni e Luginë. Koha po punon për protagonistë të rinj, përndryshe do të bëhemi gazi i botës dhe do të vendnumërojmë si në kohën e komunizmit. Serbia e kapërceu Shqipërinë edhe pse luftoi me vite. Ajo arriti të konsolidohet, t' i pezullojë vizat, ta copëtojë Kosovën dhe ta meritojë ftesën e Sali Berishës...

Nëse unë jam katolik, para altarit dua ta shoh priftin, jo hoxhën. Nëse unë jam mysliman, në xhami dua ta shoh hoxhën, jo popin. Nëse unë jam demokrat, në krye dua ta kem demokratin, jo stalinistin. Popi në xhami ta prishë muslimanizmin. Hoxha në altar ta prishë krishterimin. Stalinist në krye të Partisë Demokratike, ta prishë demokracinë! Siç e ka prishur. Ai nuk e prishi demokracinë pse vërtetë e dëshironte këtë, por nga dëshira e madhe për t' u dëshmuar si demokrat, për ta korrigjuar të kaluarën e vet, për t' u ekspozuar ndryshe, me orientim të ri, për të krijuar bindje të reja. Ai nuk e bën këtë me vetëdije, ai mendon se po bën mirë, por ai drejtohet nga nëndija dhe urrejtja e biografisë së vet. Kryeministri e din se i ka vjedhur votat, por ai është i bindur se vjedhjen e ka bërë për të mirën e popullit. Ai pos metodave komuniste, tjera nuk njeh. Pra, ai ka dëshirë, por nuk mundet. Ky mund të quhet: ka-i-hollë-sindromë! Dëshirë po, dije jo! Kjo përshtypje fitohet nga skena jonë politike.
Me qetë e hollë e të dobët nuk lërohet ara! As me një ka të trash e të fortë dhe me një të dobët e me ambicie. Partitë tona nuk kanë potencial për t' i mbuluar vendet kyçe me njerëz të aftë e profesional, ato duhet të marrin njerëz edhe jashtë partisë.

Elita e sotme duhet ta shlyejë nga mendja se me meritat e djeshme meritohet, zaptohet, monopolizohet dhe privatizohet shteti si në kohën komuniste...

Me largimin e Kryeministrit shqiptar nga skena politike, ikën stalinisti i fundit në Europë, përfundon tranzicioni dhe nisë kultura demokratike dhe përparimi i vendit. Partia Demokratike ka dhjetëra njerëz, që mund ta bënin punën e Kryeministrit më mirë dhe me më përgjegjësi se sa ai.

Naser Aliu, http://letersi-perkthime-artikuj.blogspot.com/

Për "agimët" e vjetër, të një sistemi të ri

Një gjyqtar i Gjykatës së Tiranës ka rikthyer debatin mbi raportet hipokrite të qeverisë shqiptare me median, sa i përket strategjisë së ndëshkimit dhe frikësimit të medias kritike. Agim Bendo, ka kërkuar një gjobë prej 400 mijë euro nga gazetarët e emisionit "Fiks Fare", si dëmshpërblim për ish-ministrin e Kulturës, Ylli Pango, tashmë zyrtar i lartë i qeverisë shqiptare, për shkak të shqetësimeve që i kanë krijuar këtij zyrtari me publikimin e skandalit të keqpërdorimit të pozicionit zyrtar për ngacmime seksuale.

Nuk dua të bie në grackën e interpretimit të vendimit nga gjykatësi, as në arsyetimet formale ligjore për përgjimet e paligjshme nga ana e medias.
Problemi i parë që është shqetësues në këtë sjellje të Gjykatësit, është motivimi politik. Gjykatësi, me një të kaluar aspak të lavdishme të keqpërdorimit politik nga të gjitha regjimet, ka marrë atë vendim, pasi ka parë trendin e përfitimeve që kanë individë, të cilët ngrenë dorën kundër medias kritike me qeverinë e Sali Berishës.


Ai e ka parë denoncimin e Ministrit jo si rast për të ndihmuar ministrin Pango, pasi atë e ka ndihmuar Sali Berisha, duke e rikthyer si zyrtar të lartë të qeverisë, por si rast për të dëshmuar përkushtimin e tij proqeveritar, për t'i dhënë një sinjal kryeministrit Berisha dhe të "tijve" se ai është gati për të shërbyer dhe natyrisht për tu shpërblyer. Ka ende vende bosh në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese, dhe z.Bendo duket se është ndjerë gjykatës me fat, që i ka ardhë një çështje e tillë në dorë, për të treguar se meriton të shpërblehet nga qeveria Berisha.

Problem i dytë është deinkurajimi i gazetarisë kritike dhe sidomos asaj investigative në raport me qeverinë.Po të vësh re me kujdes arsyetimin e gjykatësit, shihet qartë se porosia e vetme e shtetit në këtë rast, është që gazetaria të mos guxojë të bëjë asnjë hap para institucioneve hetimore të shtetit për të hetuar zyrtarët e lart. Arsyetimi për shembull se përgjimi është i paligjshëm është gjëja më qesharake që mund të thuhet për provën më të mirë që ka siguruar ndonjëherë gazetaria investigative në këtë vend.

Përgjimi i gazetarëve të "Fiks Fare" mund të jetë i paligjshëm në aspektin juridik për t'u përdorur si provë në gjykatë dhe për tu burgosur Ylli Pango, por jo për të denoncuar Ylli Pangon. Nëse gazetarët amerikanë që denoncuan Wotergejt, do të kishin marrë leje nga drejtësia amerikane për atë që bënin, do ishin ata në burg dhe Niksoni President. Prova e siguruar nga gazetarët, në rastin Pango, nuk ka të bëjë fare me jetën private të zotit Pango as me shtëpinë e tij. Ajo është një provë që merr jetë nga zyra e shtetit shqiptar, ku zoti Pango në cilësinë e Ministrit lë takim pune me një femër dhe përfundon në shtëpi të tij.


Do të ishte e turpshme për median që të toleronte një rast të tillë flagrant, pa e përgjuar dhe pa e publikuar, pasi në këtë rast interesi publik, që zoti Pango po shkelte me të dy këmbët, dominon mbi interesin privat, apo mizanskenat gjysmë erotike të tij pranë oxhakut apo rrotull mbërtheckave. Me këtë akt, gjykatësi që përpiqet t'i hyjë me çdo kusht në zemër pushtetit, do t'i tregojë gazetarëve shqiptarë se ata nuk kanë asnjë të drejt tjetër, veçse të jenë përçues të lajmeve që u ofron atyre pushteti, duke dënuar në bllok çdo gazetar apo redaksi që kërkon të bëjë një hap përtej murit që varros të vërtetat e hidhura në këtë vend.


Dhe së fundmi ky vendim bëhet shqetësues kur bashkohet me problemet e tjera sistematike, me të cilat po ndeshet gazetaria kritike në Shqipëri.
Kryeministri Berisha po përdor të gjitha mekanizmat shtetërore, dhe sidomos disa kamikazë të tij në sistemin tatimor për të vendosur nën kontroll median kritike, herë duke e gjobitur atë dhe duke mbyllur disa redaksi gazetash, herë duke kapur pronarë në biznese dhe duke i detyruar ata të mbyllin gojët kritike në ekranet e tyre.


Fakti që u godit, emisioni më popullor dhe më kritik në vend, dhe çfarë është më e keqja, një nga publikimet e tij më profesionale, është një sinjal që e tejkalon përkushtimin personal të Sali Berishës kundër medias. Tani në Shqipëri, Berisha ia ka arritur të ndërtojë një sistem ndëshkimi, i cili funksionon vetiu, qoftë dhe më mënyrë vullnetare kundër medias kritike. Tani Sali Berisha ju siguroj se as ka për ta marrë në telefon Agim Bendon për ta falënderuar, dhe as ka për të dhënë porosi për Agim Shehun, të nisë tatimet në ndonjë media tjetër. Tani të gjithë "agimët" e tij, e dinë vetë se ç'duhet të bëjnë.

Berisha ka dhënë garanci se kush i shërben atij, duke mbyllur gazeta, duke rrahur gazetarë, duke gjobitur redaksi, shpërblehet, dhe e frikshme është se mekanizmi ka nisur të funksionojë, njësoj se për anën tjetër të medaljes. Kush përdoret prej tij si letër higjienike për nevoja të pushtetit, i ka dyert e hapura të fitoj tender publik nga lekët e qytetarëve shqiptarë, tenderë rrugësh, koncesione, fshatra turistikë, të ndërhyj si sekserë në çdo punë të qeverisë me biznesin dhe të vendosë nën urdhra administratën e tij.

Duke prodhuar këtë sistem, Sali Berisha ka larë duart nga përgjegjësia e tij personale për këtë gjunjëzim të medias. Përballë këtij sistemi që ai ka arritur të ndërtoj media shqiptare është tashmë e shpartalluar dhe personalitetet e saj janë thuajse të zbythur nga ky pushtet. Ata po heshtin rast pas rasti, po heshtin për atë që u ndodh kolegëve të tyre, mediave ku ata nuk punojnë sot, duke bërë që të bien një nga një garancitë për lirinë e medias në këtë vend, dhe tashmë të jemi në momentin, ku thuajse asnjë zë kritik nuk ka mbetur pa u ndëshkuar dhe asnjë shërbëtor nuk ka mbetur pa u shpërblyer.

Por nëse për "rebelet" dhe "shërbëtorët" ka një çmim, qoftë ky ndëshkim apo shpërblim, një dënim më i madh në formën e heshtjes ka për të mbetur për atë pjesë të medias, që mendon se nuk ka punë as me ata që ndëshkohen as me ata që shpërblehen. Ata janë në të vërtetë alibia më e madhe e këtij represioni mbi median kritike në vend, alibia që po bën këtë pushtet të ndjehet triumfues mbi një media të gjunjëzuar.


Bashkë me ta po heshtin gati të gjunjëzuar për ndonjë projekt thërrimesh me qeverinë, zyra e OSBE, apo OJQ që financohen për lirinë e medias në Shqipëri. Nuk është se na janë dashur ndonjëherë, por për të justifikuar misionin e shpallur të tyre, duhet të respektojnë vetveten dhe të flasin për këtë që ndodh.

Duke e mbyllur këto pak rreshta solidariteti për kolegun tim Filip Cakuli dhe gazetarët e emisionit "Fiks fare", do të doja t'i drejtohesha Presidentit të Republikës, Bamir Topi, të jetë i vëmendshëm së paku sa të jetë ai ende në atë detyrë, që të mos bëjë gjeste inkurajimi dhe ai ndaj stereotipit të këtij gjyqtari që në të vërtetë është një klonim i çdo shërbëtori të pushtetit të sotëm, që kërkon të japë prova devotshmërie për t'i shërbyer pushtetit kundër medias.

Shpresoj që emri i këtij gjyqtari të mos jetë në listat e atyre që mund të dekretohen për Gjykatë Kushtetuese apo Gjykatë të Lartë, së paku për të mos e çuar deri në fund modelin e shpërblimit për ata që përdoren si kamikazë mbi lirinë e medias në këtë vend. E di që kjo që kërkoj nuk përfshihet në kriteret formale që Presidenti dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë kanë vendosur për të konkurruar, por mendoj se ky është një kryekriter, për të kuptuar nëse do të çojmë në majat e drejtësisë njerëz të gatshëm për të gjykuar, apo gjyqtarë të gatshëm për të shërbyer.

Mero Baze, Shekulli

Misteret e Krishtërimit, ndikimet pagane në teologjinë e Shën Palit

Paganët e festonin 25 Dhjetorin ditën e lindjes së zotit të tyre Diellit, Pali e zëvendësoi me Krishtlindjet

Në Dhiatën e Re, Shën Pali ka shkaktuar shumë polemika jo vetëm mes feve, por edhe mes dijetarëve. Pali ishte shumë mirë i njohur me traditat, zakonet, kulturat dhe besimet. Ai konsiderohej si një njeri inteligjent dhe me personalitet të fortë. Pali filloi të ndikonte në besimin e krishterë përmes përdorimit të fjalëve të tij të mençura si oratorisë së shkëlqyer, pasi thuhej se ai dinte të bindte me fjalë si dhe me mënyrën se si luante me to.

Pali mori pak nga Krishterimi dhe pak nga Paganizmi dhe me idhujtarët e tij filloi të projektonte formën e vet të teologjisë të njohur si Palinizëm.

Shën Pali pati lindur në rrethana të privilegjuara, pasi ai ishte edhe një qytetar romak dhe me arsim të lartë. Ai ishte me prejardhje hebreje dhe njihej si një çifut i devotshëm. Për ca kohë ai jetoi në Tarsos, një qytet kozmopolitan ku ndodhet Turqia sot. Si një shkrimtar me elokuencë, ai u trajnua që të jetë një rabin dhe dijetar i Toras. Pasi shkoi në Jeruzalem kur ishte djalë i ri, duke respektuar më vonë ligjin hebraik. Për hir të tij, ai persekutoi dhe përndoqi shumë prej pasuesve të parë të Jezusit.

Pali i Tarsosit (ose Sauli) i emëruar Shën Pali apostull, lindi rreth vitit 10 dhe vdiq në vitin 67. Mendohet nga shumë të krishterë si dishepulli më i rëndësishëm i Jezusit, dhe sipas shumë të tjerëve, është figura më e rëndësishme në zhvillimin e Krishterimit. Sh. Pali përfaqëson shembullin kulmor të besimit për të cilin ai ndërroi krejtësisht jetën e tij, pas ngjarjes së mrekullueshme siç e përshkruan ai vetë, duke iu përkushtuar vetëm përhapjes së ungjillit të Jezu Krishtit, për të cilin ai dha dëshmi gjer në vdekjen e tij si dëshmor në Romë.

Sh. Pali apostull lindi në Tarsos (sot krahina e Mersinit, Turqi) të Cilicisë midis vitit 5 dhe 15 në një familje çifute të mërguar. Në ditën e rrethprerjes u pagëzua me emrin Saul (për nder të mbretit Saul, të fisit të Beniaminit) dhe ka mundësi të ketë marrë emrin romak Paulus (në shqip Pal) nga prindërit e tij. Ai u rrit në një mjedis grek, por u edukua shumë mirë edhe hebraisht. Mësoi hebraishten nga prindërit dhe greqishten në shkollë.

Në rininë e tij Sauli ndoqi në Jeruzalem shkollën e rabinit Gamaliel i Vjetri (një pasardhës i Hilelit) dhe u edukua sipas fesë së thellë të zakoneve të rrepta të farisenjve. Pati detyra të ndryshme në grupin fariseor, deri në atë të votimit në Sinedrin hebraik, i cili gjykonte çështje me rëndësi të madhe juridike. U ngarkua me detyrën për të shkuar në Damask dhe të burgoste të krishterët e këtij qyteti. Sauli ishte shumë i zellshëm e i vendosur kundër fesë së Jezusit që po niste të përhapej e të themelohej. Ai mori pjesë edhe në gurimin (vrasjen me gurë) të Shën Shtjefnit duke ruajtur teshat e vrasësve, në vitin 38. Siç dëshmohet në veprat e apostujve, temperamenti i tij ishte i pathyeshëm, i pakompromisshëm, i flaktë e i vrullshëm, i gatshëm për të kryer detyrat që i ngarkoheshin, pa ngurrim e pa brejtje ndërgjegjeje. Kjo gjë e bëri atë përndjekësin më të tmerrshëm të krishterëve.

Megjithatë, A. N. Wilson pohon në librin e tij “Mind” se apostull Pali (i quajtur Saul në atë kohë) u rrit në një qytet të dominuar nga ritualet pagane, duke qenë i ekspozuar ndaj praktikave të interpretimit të tij të ndikuara në formulimin e vdekjes së Jezusit.

Tarsos ishte një qendër e kultit të Mithras në atë kohë. Dhe ritet e saj kryesore përbëheshin duke qëndruar nën një platformë ku do të sakrifikohej një dem i cili do të mbushte vendin gjithë gjak. Pas këtij kurbani, idhujtarët besonin se mund të bëheshin të pamposhtur si demi, nëse do të pinin nga gjaku i tij. Në raste të tjera, vera do të pihet nga një kupë simbolike, si një ofertë e gjakut të demit. Kulti i Herakles ishte gjithashtu i famshëm për idhujtarët. Herakles ishte një dem-zot me një baba dhe nënë hyjnore në forma njerëzore. Vdekja e tij gjithashtu ka shumë ngjashmëri me vdekjen e Krishtit. Wilson thotë se Pali do të kishte parë shumë nga këto festime dhe se ai qe rritur duke mbajtur mend festimet në pranverë që Herakles festonte duke u ngritur nga të vdekurit si një shpëtimtar hyjnor. Megjithatë, mesazhi i tij ishte universal, pasi personazhi i Jezusit ishte një fenomen lokal në Palestinë. Wilson pretendon se pa Palin, jeta e Jezusit mund të harrohej brenda disa brezave. Pali ishte i vetmi që ishte në gjendje të arrinte një audiencë të gjerë. Ai u kuptua nga bota romake dhe ishte në gjendje të lidhej me të.

Fillimi i historisë së Palit me Krishterimin fillon kur ai ndërmerr rrugën e Damaskut për të arrestuar ndjekësit e një sekti çifut me emrin Rruga, të kushtuar Jezusit. Qëllimi i tij ishte t'i kthente ata në Jeruzalem për gjykim dhe ekzekutim, por në rrugën e tij atje ai u "verbua nga drita" e një vizioni të Jezusit. Pas kësaj ngjarjeje ai kaloi tri vite duke mbledhur kallinj, gjë për të cilin do të thoshte përvojë. Prej asaj kohe, ai ia kushtoi jetën e tij shpalljes së asaj që u bë bazë e Krishterimit Ortodoks: vdekja e Krishtit nuk ishte një ngjarje e turpshme, por një sakrificë në të cilin Perëndia shpëtoi të gjithë botën. Ashtu si Herakles, Jezusi ishte hyjnor. Një i vdekur që ringjallet dhe gjaku i tij është si gjaku i demit Mythric, i cili krijon një jetë të re dhe pushtet në ata që besuan në të.

Pali tashmë kishte të drejta ndaj njerëzve të Perandorisë Romake, të cilët jetonin në toka të largëta përtej detit Mesdhe afër hapësirës së Romës, Greqisë dhe Turqisë. Në ato zona jetonin njerëz paganë të cilët e adhuronin diellin, yje të tjera, planetë, idhuj nga guri dhe idhuj të tjerë. Sikurse dhe egjiptianët, ai besonte po ashtu në trinitetin pagan.

Pali duke predikuar në Athinë
Ndryshe nga Ungjijtë, Pali nuk ka shkruar për jetën e Jezusit, por gjen kuptimin e vdekjes së tij. Në sajë të kontradiktave të tij, ai shihet qartë se ka pasur kundërshtime nga pasuesit e vërtetë të Jezusit, veçanërisht nga Barnabasi dhe Jakobi. Ata e konsideronin Palin si tradhtar të mësimeve të Jezu Krishtit. Jakobi dhe pasuesit e tij e konsideronin Palin si armik të mësimeve dhe predikimeve të Jezusit. Ata e konsideronin atë tradhtar e të ndotur dhe e kishin këshilluar atë që të pendohej. Në sajë të këtyre kundërshtimeve Palit nuk i mbetej gjë tjetër pos një grup i ri njerëzish me të cilët do të lidhej dhe që do ta pranonin me lehtësi në mesin e tyre.

Të tjera të përbashkëta mes ndikimeve të Palit dhe paganëve e idhujtarëve janë edhe festimet, si e diela si ditë pushimi në nderim të zotit të tyre, Diellit. Pali e zëvendësoi Sabathin, të shtunën, apo ditën e çifutëve, me të dielën që përputhej me pushimin e paganëve. Paganët dhe idhujtarët e festonin 25 Dhjetorin si ditën e lindjes së zotit të tyre Diellit. Pali e zëvendësoi këtë datë me ditëlindjen e Jezu Krishtit që sot njihet si Festa e Krishtlindjeve.

Letrat që Pali ua dërgoi kishave të ndryshme të reja, të cilat ishin ngritur, ishin të parashtruara nga forma e tij e Krishterimit të cilat ndodhen në Bibël. Ato sot njihen nga të krishterët si pjesë e Testamentit të Ri. Çdo njeri mund t'i dallojë kontradiktat ndërmjet mësimeve të Palit dhe të Jezu Krishtit.

Dishepujt kanë thënë se Jezusi nuk është mbytur në kryq, por Pali deklaronte të kundërtën. Që nga shkrimet e Mateut, Markut, Llukës dhe Gjonit shihet më vonë së që të gjitha janë shkruar dhe influencuar më së shumti nga mënyra e mendimit të Palit dhe nga mësimeve të tij. Edhe pas kësaj Mateu, Marku dhe Luka nuk kishin pikëpamje të njëjta me ato të Palit po ashtu edhe me ato të Gjonit. Ekzistojnë shumë kontradikta ndërmjet dy grupeve. Letrat e Palit janë dokumentet më të vjetra të Dhiatës së Re të shkruar të paktën njëzet vjet para Ungjillit të Markut, i cili konsiderohet të jetë i pari.

http://greatthinkers.suite101.com/article.cfm/saint-paul-and-the-crucifixion

Lorena Kollobani, G. Standart

Sa shqiptarë jetojnë nëpër botë?

Sa shqiptarë ka në të gjithë botën?

Këtë pyetje nuk e bëjmë vetëm ne shqiptarët, por edhe të huaj studiues dhe profesionistë.
Nëse do t’u referoheshim të dhënave demografike, studimeve të ndryshme, por edhe burimeve historike, na rezulton se në gjithë botën numërohen të jenë rreth 15 milionë shqiptarë. Sigurisht në këtë shifër nuk janë të gjithë shqiptarë autoktonë, apo emigrantë.
Një pjesë e mirë e tyre janë shqiptarë të shpërngulur në vise të tjera prej kohësh, dhe për at mund të themi se vetëm në dejet e tyre ka gjak shqiptari.

Shqiptarët

Sipas të statistikave të fundit të CIA-s, në një regjistrim të vitit 2007, rezultojnë 3 milionë 600 mije 523 shqiptarë. Ndërkohë në Kosovë janë rreth 2 milionë e katër qind mijë shqiptarë autoktonë. Në Maqedoni llogaritet që shqiptarët të zënë vendin e dytë për nga numri i popullsisë pas asaj vendase. Sipas statistikave, numri i shqiptarëve në Maqedoni mund arrijë rreth 1 milion. Po kaq shqiptarë jetojnë dhe në Greqi. Fluksi i emigrantëve që ka zgjedhur shtetin fqinjë jo vetëm për të punuar, por edhe për t’u vendosur familjarisht atje, shkon në një milion të tillë. Ndërsa numri më i madh i shqiptarëve që jetojnë jashtë trojeve të tyre etnike duket se është ai në Turqi. Sipas studiuesve dhe historianëve të ndryshëm shqiptarë, në Turqi llogaritet të jenë rreth 5 milionë shqiptarë. Sigurisht kjo shifër nuk përfshin të gjithë shqiptarët që kanë ikur nga trojet e tyre, por edhe shqiptarët që janë shkrirë me popullsinë vendase. Numri më i madh i shqiptarëve është në Stamboll, ndërsa pjesa tjetër është shpërndarë përgjatë kufirit turko-sirian. Ndërsa në Mal të Zi, sipas statistikave, jetojnë rreth 200 mijë shqiptarë. Ndërsa 70 mijë shqiptarë jetojnë në Serbi në krahinën e Preshevës.

Emigrantët

Që nga emigrantët e parë në fillim të shekulli të kaluar e deri më ditët tona, në Amerikë llogaritet të jetojnë rreth 300 mijë shqiptarë. Ndërsa në Evropë duket se ka një shpërndarje “të rregullt” të emigrantëve shqiptarë me diferenca të vogla. Kështu në Gjermani emigrantët shqiptarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia Mali i Zi llogaritet të jenë rreth 300 mijë. Austria është një tjetër vend me numër të konsiderueshëm shqiptarësh, rreth 300 mijë të tillë. 200 të tjerë, sipas të dhënave të shoqatave ndërkombëtare që merren me emigracionin, jetojnë në Gjermani dhe po 200 mijë në Zvicër. Po ashtu edhe emigrantët që janë larguar nga trojet shqiptare drejt Kandasë llogaritet të jenë rreth 25 mijë. Rreth 100 mijë shqiptarë të tjerë jetojnë në Francë, ndërsa 50 mijë të tjerë në Spanjë.

Përse në Turqi pesë milionë?

Pesë milionë shqiptarë në Turqi janë një shifër që habit jo pak njerëz. Por janë një sërë historianësh dhe studiuesish që rrumbullakosin një shifër të tillë. Dhe llogaria nis që nga fundi i pushtimit osman, kur ishin të shumta familjet që jetonin në Turqi. Për të vazhduar më pas me shpërnguljet masivet të shqiptarëve nga serbët. Nga Kosova drejt Turqisë serbët dëbuan një numër të konsiderueshëm shqiptarësh. Vetëm pas luftës së dytë botërore serbët shpërngulën nga Kosova rreth 500 mijë shqiptarë. Ndërsa rreth 100 mijë të tjerë u dëbuan nga grekët. Sikur vetëm shtimi i numrit të kësaj kategorie të llogaritet gjatë 50 viteve të fundit atëherë justifikohet shifra prej 5 milionësh. Duhet thënë se shumica e kësaj popullsie është asimiluar. Ndërkohë që e njëjta strategji u ndoq dhe me shqiptarët e Çamërisë. Sipas statistikave, numri i shteti turk zë vendin e parë të emigracionit shqiptar. Qytetet ku shqiptarët janë vendosur me shumicë janë Stambolli, Izmiri, Bursa, Ankaraja, etj. Vendosja e shqiptarëve në Turqi zë fill që në vitet 1500.

Në shifrën prej 5 milionësh bëjnë pjesë dhe ata shqiptarë që janë shkrirë me familje të tjera dhe që kanë prindërit shqiptarë.

SIPAS NJE SHKRIMI TE BOTUAR NË FACEBOOK:

3.600 milionë shqiptarë jetojnë në Shqipëri
2.4 milionë shqiptarë jetojnë në Kosovë
5 milionë shqiptarë jetojnë në Turqi
1 milionë shqiptarë jetojnë në Maqedoni
1 Milionë shqiptarë jetojnë në Greqi
300 mijë shqiptarë jetojnë në Itali
200 mijë shqiptarë jetojnë në Mal të Zi
300 mijë shqiptarë jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës
200 mijë shqiptarë jetojnë në Gjermani
100 mijë shqiptarë jetojnë në Francë
50 mijë shqiptarë jetojnë në Spanjë
200 mijë shqiptarë jetojnë në Kanada
100 mijë shqiptarë jetojnë në Australi
100 mijë shqiptare jetojnë në Belgjikë
300 mijë shqiptarë jetojnë në Austri

Eksodet e mëdha të shqiptarëve gjatë shekujve

Janë një sërë arsyesh që i kanë ndarë shqiptarët në gjithë rruzullin. Së pari, luftërat dhe copëtimi i Shqipërisë në 1913-n, që la jashtë vendit pjesën më të madhe të territoreve dhe popullsisë. Ndërsa pjesa tjetër ka zgjedhur shtetet e huaja për shkaqe emigrimi.

Eksodet e mëdha nga trojet shqiptare

Në historinë e Shqipërisë një nga eksodet më të mëdha është ai pas pushtimit turk. Shqiptarët u detyruan të largohen drejt ishujve grekë dhe drejt brigjeve të Italisë. Sipas studiuesve të ndryshëm të historisë shqiptare, mendohet se numri i tyre ka qenë disa qindra mijë. Ndërkohë rënia e perandorisë turke në fillim të shekullit të kaluar solli një tjetër largim të shqiptarëve. Ndërsa më vonë ndarja e popullsisë shqiptare u bë pas marrëveshjeve të Fuqive të Mëdha. Copëtimi i Shqipërisë në vitin 1913 nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër ishte një nga ndarjet më të mëdha që iu bë popullsisë shqiptare, ku do të linte jashtë trungut amë edhe Kosovën. Ndërkohë që serbët dhe grekët larguan me dhunë drejt Turqisë qindra-mijëra shqiptarë. Vetëm nga Kosova drejt Turqisë janë dërguar me dhunë 500 mijë shqiptarë.

Largimi i shqiptarëve

Eksodi i parë i madh i shqiptarëve që jetojnë në Shqipëri është ai i viteve 1991-1992. Janë mbi 500 mijë shqiptarë që u detyruan të largohen nga vendi për shkak të kushteve të këqija në të cilat jetonin. Pas 50 vitesh izolim, shqiptarët u nisën në kërkim të një jetë më të mirë. Ndërsa ikja e dytë është ajo e vitit 1997. Ngjarjet e marsit 1997 dhe krijimi i kaosit në vend bënë që shqiptarët të niseshin edhe një herë masivisht drejt vendeve fqinje.

Por vitet e tranzicionit në Shqipëri nuk mund të klasifikohen vetëm me dy data. Prej 17 vitesh janë të shumtë ata që kanë zgjedhur të largohen nga Shqipëria. Ndërsa në Kosovë, Mal të Zi dhe Maqedoni ka pasur një tjetër realitet. Një eksod i vazhdueshëm si pasojë e represionit serb ka bërë që shqiptarët e këtyre trevave të drejtohen në vendet si Gjermania, Zvicra, Austria, SHBA, Angli e Australi.

Emigrimet e para

Greqia dhe Italia kanë qenë vendet e para ku kanë emigruar shqiptarët. Arvanitasit dhe arbëreshët janë shqiptarët që ruajtën edhe pas shumë shekujsh gjuhën dhe zakonet e tyre. Nuk ka shifra të sakta për numrin e tyre, por janë zona, qytete dhe fshatra të tëra që popullohen nga shqiptarë.

SIPAS WIKIPEDIAS NE ANGLISHT SHQIPTARET JANE AFER 13 MILIONE NE GJITHE BOTEN.JA DHE LISTA E PUBLIKUAR NE KETE FAQE DHE VENDET KU SHQIPTARET JANE ME TE SHUMTE NE NUMER. FLASIM PER NJEREZ ME ETNI DHE DOKUMENTA SHQIPTARE.

Albania 3,500,000
Serbia 2,000,000
Turkey 5,000,000
Macedonia 509,083
Greece 500,036
United States 300,000
Italy 238,000
United Kingdom 200,000
Netherlands 105,706
Germany 100,000
Switzerland 40,000
Sweden 35,000
Montenegro 31,163
Australia 20,000
Austria 20,000
France 20,000
Canada 16,135
Croatia 15,082
Bosnia/Herzegovina 15,000
Romania 10,000
Denmark 8,000
Norway 7,000
Slovenia 6,200
Finland 5,000
Belgium 5,000
Egypt 5,000
Luxembourg 4,802
Ukraine 3,300
South Africa 2,000
Russia 1,200

Burimi Arberiaonline
http://arberiaonline.com/viewtopic.php?f=104&t=2613

Sunday, June 20, 2010

Bizanti ishim ne, Europa na ka borxh të gjitha fazat e rritjes

“Pse Evropa shkroi për tre shekuj mbi 300 libra për Skënderbeun?”

Argumenti 3


Produkti “libër” përbën një objekt me dy subjekte:

- Atë që e shkruan, filozofi, historiani, shkrimtari, publicisti etj.

- Atë që e lexon student, studiues, politikan njerëz me interesa kulturore dhe politike.

Midis këtyre dy subjekteve ekziston fluidi jetë (ekonomi-kulturë-politik) prej së cilës lindin interesat e dy subjekteve të mësipërme për të ekzistuar njëri si shkrues tjetri si lexues dhe ne na rezulton me produktin “libër” si shprehje e këtij fluidi.

Një panoramë mbi Mesjetën në Mesdhe

(shek.V-XV)

- Oksidenti, pas dyndjes gjermanike dhe së fundi sllave u rrënua tërësisht dhe pese shekujt e parë (V-X) zhvilloi kryesisht jetën rurale, pastaj vijnë senjorët, vasalët, princat dhe mbretërit. Ekonomia tërësisht e rrënuar, mbizotërim i tregut prej bregut Mesdhe që ishte në varësi të Bizantit dhe më vonë edhe të botës Arabe (në Spanjë). Prej kësaj periudhe, si pasojë e pranisë aktive në shumë fusha të ekonomisë së oksidentit të sotëm trashëgohen ende emra arabë.

- Bizanti pas rezistencës ndaj sllavëve njohu prosperitetin e paparë gjatë periudhës 1000 vjeçare në Mesdhe.

1- Mbajti timonin e vazhdimësisë perandorake duke përcaktuar vazhdimësinë e jetës në Mesdhe.

2- Rifuti fenë kristiane në Oksident e ri, kristianizoi sllavët e Ballkanit dhe më tej deri në Moskë.

3- Transmetoi në Oksident e ri kulturën Antike si pikë frymëzimi për etapat e zhvillimit – Humanizëm-Ri-lindje.

4- Dha bazat, hodhi themelet e ndërtimit të Universiteteve të këtij Oksidenti që shohim sot.

5- Në ekonomi transmetoi zejtaritë, ndërtimtarinë, tregtinë, lidhjen me botën e lindjes, etj.

6- Kisha u bë një me shtetin, gjë e cila u transmetua në modelin sllav të shtetit.

7- Botës muslimane i transmetoi modelin e ndërtimit të shtetit sipas atij në Siri (shek. e VII).

8- Botës sllave i dha modelin e ndërtimit të shtetit (Cezar-Car), fenë, shkrimin glakolitik-cirilik.


- Bota Muslimane. Zhvilloi mbi kulturën romako-bizantine atë arabe dhe pati një pjesëmarrje aktive në Tregun Mesdhetar.


Ku ishte Etniteti ynë gjatë 1000 vite Mesjetë?


1- Justiniani -vazhdimësia e Perandorisë Romake në lindje ishte dardan, nip i Perandorit Justin (po dardan). Ishte pikërisht ky që:

- Pushtoi Mesdheun e Oksidentit pas rënies së këtij të fundit dhe krijoi vazhdimësinë e Perandorisë me dy kryeqytete Ravenën (Itali) dhe Kostandinopolin (Stambolli).

- Vazhdoi tregtinë e produkteve nga Lindja në Perëndim.

- Mblodhi ligjet romane nën emërtesën – “Kodi i Justinianit”, falë së cilës u ruajt dhe u transmetua në Oksident e drejta romake (Ligji).

- Konfirmoi lidhjen e shtetit me fenë dhe e trashëgoi edhe në vepra monumentale me Shën Sofinë në Kostandinopol dhe Shën Vital në Ravenë.



2- Në shek. IX-XI Bizanti njeh në sajë të perandorëve “me origjinë maqedonase” (në fakt janë me origjinë ilire, epirote, dardane, maqedonase), një prosperitet të ri nga i cili do të transmetojë jo vetëm tregtinë, zejtarinë, ndërtimtarinë por kryesisht literaturën bizantine antike e fetare në Oksident. Këtu fillon hedhja e bazave të para të universiteteve të ardhshme të Evropës.

Për Oksidentin që kishte filluar formimin e shteteve-kombe kjo njohje teorike ishte vendimtare (fillon me Perandorinë e Shenjtë gjermanike me qendër Austrinë - shek. X, dhe përfundon në fillim të shek. XIX-XX me Luftën e parë Botërore).

Një shëmbull i transmetimit të kësaj literature bizantine jo vetëm nga Konstandinopoli por pikërisht prej popullsive bizantine është Statuti i Shkodrës i kësaj periudhe i gjetur sot në arshivat e Venecias.


Situata në Oksident në shek. XV kundrejt Perandorisë Otomane

- Anglia, në luftë civile (Familjet e mëdha - dy trëndafil). Niveli i zhvillimit në bujqësi, blegtori, punishtet e para të tekstilit edhe ka filluar tregtia-detare. Në këtë nivel nuk përbënte një fuqi as ekonomike dhe as ushtarake.

- Franca- princat në luftë (Burgonjët dhe Bretanjët në luftë për kryesim shteti), Kisha e pasur por e nën-shtruar mbretit. Tregtarë që fisnikërohen nga mbreti. Vend pa kokë drejtuese.

- Portugalia fillon pushtimet e Afrikës veriore dhe më tej.

- Spanja, vjen nga shkëlqimi nën ndikimin arab dhe bizantin, saj tolerancës fetare pati zhvillim, por së bashku me mbretin e Napolit fillojnë lëvizjen për një katolicizëm fanatik kundër besimit hebre dhe mysliman. (është ky bosht që do mbaj forcërisht kristjanizmin në Oksident dhe për disa kohe).

- Italia, e pasur por tepër e copëtuar, veriu tregtar nën influencën e Bizantit me ndikim në Evropën e ardhshme (Duka i Milanos), Jugu i zotëruar nga tregtar bizantin që mbeten të huaj, shteti i Papës, mbi të gjitha në Firence (familja Medici) ajo që jep tonin kryesor ne Apenin.

- Gjermania, mbas vdekjes së Frederikut II, fillon copëtimit e Perandorisë së Shenjtë, bie ndikimi mbi Italinë, ndahet Zvicra, marrin vetëveprim Bohenima, Polonia dhe Hungaria që do ti japin frytet në shekujt në vazhdim.

Pra asnjë nuk përbënte një fuqi më vete, e në tërësi karakterizohen si më poshtë:

1- Tepër të dobët nga luftërat (princa në formim mbretërish dhe shtetesh),

2- Të dobët ekonomikisht nga zija e murtajës së zezë që kishte pakësuar popullsinë në gjysmën e saj. Mosha mesatare arriti 28 vjeç dhe martesat bëheshin 14-18 vjec për vazhdimësi.

3- Të dobët moralisht-Papati i ndarë në dy pjesë (i Romës dhe ai i Avinjonit) duke e pasuar konfliktin midis tyre me luftëra (skizma e madhe 1378) (bota fetare zhytur në korrupsion, magjitë në zhvillim etj.).

Kjo është arsyeja që sytë e Oksidentit të kësaj kohe të mbahen pikërisht nga dera që mund të mbante të mbyllur apo të hapur Skënderbeu për Otomanët.

Kjo është arsyeja e zhvillimit të të gjitha marrëdhënieve aktive diplomatike ushtarake dhe fetare me në krye Papën në koordinim me Skënderbeun (shiko Barletin).


Skënderbeu me stopimin që i bëri rreth tre dekada ushtrisë më të fuqishme në Mesdhe të kohës, asaj otomane krijoi për Oksidentit një periudhë 30 vjeçare për rimëkëmbje ekonomike, rikonstituimin fetar (drejtimi moral) për të shkuar më tej në procesin e krijimit të shteteve që do të njohim sot.

Në këtë proces të rritjes ku pikë referimi iluminimi ishin kryesisht figura që vijnë nga Antikiteti nëpërmjet literaturës bizantine në Evropën që rritet nuk mund të mos ishte pjesë përbërëse e referimit edhe figura e Skënderbeut si e freskët për të gjitha rezultatet që ai arriti.

Prandaj u shtjellua dhe frymëzuan jo vetëm studiues por edhe artistë, shkrimtarë e kompozitorë duke realizuar kështu misionin e tij historik në Evropë jo vetëm fizikisht (në kohë-25-30) por edhe moralisht duke u bërë shembull analize dhe frymëzimi për atë çka arriti në kushte dhe mjete krejtësisht të pamjaftueshme për këdo.

Në fund të fundit ishte ai që vendosi ekuilibrin e vazhdimësisë së zhvillimeve në Mesdhe midis Lindjes dhe Perëndimit. (fig. 1)



Ndërkohë që lind shteti Rus, Bizanti drejt rënies


• Lindja e shtetit të Rusisë:

• Shek. XIII- formohet Moska e pavarur nga Mongolia duke krijuar qendrën religjioze të varur nga Patriarkana e Konstandinopolit.

• Ivani III- (1462-1505) me 1472 martohet me mbesën e Perandorit të fundit Bizantin, duke iniciuar kështu pretendimin e formimit të “Romës së Tretë”.

Këtu fillon politika ruse, mentalitetin e së cilës e ndeshim deri në shek. e XXI ndaj vendeve ballkanike dhe më gjerë, për trashëgiminë bizantine nëpërmjet Kishës Ortodokse.


• Fundi i Perandorisë Bizantine

• Shek. XIII- në gjirin e saj lindin shtetet sllave, Bullgaria dhe Serbia, të cilat marrin nga Bizanti, modelin e ndërtimit të shtetit, Fenë dhe gërmat Cirilike pas përdorimit për në kohë të gjatë të gërmave ilire të njohura me emrin “glakolitik”(alfabet i lashtë ilir me të cilin ka shkruar dhe Shën Jeronim nga qyteti ilir i Strydonit midis Dalmacisë dhe Panonisë kur përshkruan shkretimin nga dyndjet mbi Ilirik).

• Ndërsa influenca e Bizantit mbeti vetëm tek Kisha e saj, popullsia vendase (jo ajo e ardhur sllave por ajo që sot quhet shqipfolëse) vazhdon të influencohet fuqimisht prej literaturës së trashëguar nga Antikiteti dhe artit apo Etnokulturës së vet. Kjo është arsyeja që popullsia e Bizantit vjen edhe gjatë pushtimit otoman me Identitet origjinal, e dukshme kjo në qëndrimin ndaj besimeve fetare.

Ne ishim Bizanti apo Bizantinët që mbajtën timonin e 1000 viteve ndaj dyndjeve sllave e myslimane në këtë Mesdhe.

Nga Eva Brinja, studiuese e etnokulturës, G. Ndryshe


Për më tepër:
Argumenti 1http://stopinjorances.blogspot.com/2009/11/komploti-kunder-shqiptareve-fillon-te.html

Argument 2http://stopinjorances.blogspot.com/2009/11/skenderbeu-e-dinte-ku-ishte-troja.html

Gëzim Uruci: Eksploratori më i madh shqiptar i të gjitha kohërave

SHKODËR -Ka qenë vetëm 5 vjeç, kur në vitin 1950 së bashku me babanë e tij, zbuluan shpellën e Gajtanit pranë fshatit Gur i Zi në Shkodër.

Ky ishte vetëm fillimi i një pasioni të madh në fushën e speleologjisë për shkodranin Gëzim Uruçi, i cili konsiderohet si eksploratori më i madh shqiptar i të gjitha kohërave. 62-vjeçari është eksplorues i rreth 3200 shpellave në të gjithë botën dhe mban titullin Profesor Honoris në shkencat speleologjike.

Ndonëse 12 vjet më parë një sëmundje e la invalid, ai me një përpjekje mbinjerëzore e mposhti atë. Edhe pse me paterica, Uruçi është pjesë aktive e ekspeditave ndërkombëtare. Shkodra njihet si qyteti që ka nxjerrë emra të shquar në fushën e artit, kulturës dhe të shkencës. Një prej tyre është Gëzim Uruçi. Në vitin 1994, Unioni Internacional i Speleologjisë në Bruksel i dha titullin Profesor; Federata Bullgare e Speleologjisë dhe Unioni Internacional i Astronomisë, e kanë nderuar me medalje; më 1994, në Spanjë iu dha çmimi "Juri Gagarin". Ndërsa më 2001, Instituti Biografik i Kembrixhit e përfshiu ndër intelektualët më të shquar të botës. Uruçi është përfshirë në 8 enciklopedi ndërkombëtare, ku e fundit është ajo e vitit 2006 (enciklopedia e speleologjisë së Bullgarisë). Aktualisht, 62-vjeçari që nderoi e nderon qytetin e tij të lindjes dhe Shqipërinë në arenën ndërkombëtare, merr pjesë çdo vit në mjaft konferenca ndërkombëtare

PASIONI PËR SPELEOLOGJINË
Gëzim Uruçi, pasionin për zbulime e kërkime e ka trashëguar nga babai i tij, Myftar Uruçi. Ky i fundit, i diplomuar në Perëndim, në vitin 1936, krijoi në Shkodër me disa shokë të tij, shoqërinë e bjeshkatarëve e shpellarëve, si pjesë e shoqërisë "Vllaznimi". Po nga babai, Gëzimi trashëgoi dhe pasionin për alpinizmin. Në vitin 1970, ai krijoi grupin e parë të speleologëve shqiptarë. Por sipas urdhrit të dhënë nga qeveria e asaj kohe, ky grup speleologësh duhet të shkonin vetëm në disa shpella për eksplorim, si në atë të Jubanit dhe Zhylës në Shkodër; Pirogashit në Jug dhe e Piratëve në Dhërmi. Zhvillimi i speleologjisë do i çonte arkeologët në zbulime të rëndësishme; si mbishkrime të lashta; instrumente litikë; piktura neolitike, siç janë ato në shpellat e Dukagjinit e Këlmendit në Shkodër; në shpellën e Trenit në Korçë; në shpellat e Karaburunit; Dhërmiut e Himarës. Në vitin 1972, zbulimet e tij bëhen prezent në Akademinë e Shkencave, ku Gëzim Uruçi pranohet si bashkëpunëtor për speleologjinë, ndërsa punonte si teknik i mesëm në uzinën mekanike "Drini "në Shkodër.

RREZIQET
Eksplorimet në shpellën e Gjolajve në Bratosh të Bajzës, atë të Bijës së Husit në Bogë, shpellën e Majës së Harapit në Theth, shpellat e Konispolit e Karaburunit, janë ato që kanë lënë dhe mbresat më të pashlyeshme tek speleologu Uruçi. Duke rrëfyer për emocionet dhe rrezikshmërinë, ai tregon se mjetet që përdoreshin ishin mjete primitive empirike, pasi mungonin pajisjet e posaçme dhe teknika përkatëse. "Këto mjete prodhoheshin nga ne, si gozhdët për shkëmbinj, ganxhetat, shkalla prej litari etj. Përdornim dhe mjetet e alpinizmit. Për kaskë mbrojtëse merrnim kapele minatorësh, të cilat i gjenim privatisht me anë të lidhjeve shoqërore e miqësore me minatorë", - tregon 62-vjeçari. Ai thotë se ishte tepër e rrezikshme futja e lëvizja nëpër hapësirat e sifoneve, të cilat janë gropa në formë omega, si vezore të mbushura me ujë, në pozicione të ndryshme nën tokë, në thellësi 150-300 m. "Të gjitha pajisjet e zhytjes prodhoheshin nga ne. Maskat e fytyrës i bënim me lozen e gomave të vjetra të makinave, të cilat nuk përdoreshin më. Tek sytë vinim xham të zakonshëm si dhe faqet gominash të makinave Çentauer. Tubat lidhës i modifikonim me tuba gome të ndryshëm, dhe këto i bënim në fshehtësi. Kjo për faktin se nuk lejohej përdorimi tyre, pasi mund të përdoreshin për arratisje", - rrëfen Uruçi. Sipas tij, disa prej këtyre mjeteve ruhen dhe sot në muzeun e tij privat.
Gëzim Uruçi tregon se të dhënat që grumbullonin ia dorëzonin Akademisë së Shkencave. Në mjaft raste të studimeve, anëtarët e kësaj akademie u referoheshin të dhënave të tyre (speleologëve).

APARTAMENTI MUZE
Shtëpia ku jeton Gëzim Uruçi së bashku me familjen e tij ndodhet në katin e pestë të një pallati në qytetin e Shkodrës, por ajo mund të quhet mjaft mirë një muze i arkeologjisë e speleologjisë, një qendër studimore ku arkivi, fototeka e biblioteka kanë zënë çdo hapësirë. Në çdo mur të apartamentit të tij shikon të ekspozuara objekte të gjetura në shpella apo gërmime arkeologjike. Ai ruan në arkivin e punës së tij (fototekë) filma dhe foto të bëra me teknikë dixhitale, rreth 1.300.000 të tilla të skeduara me indeks shkencor sipas sistemit të fototekës 'Marubi'. Thuajse gjysma e tyre i përket studimeve speleologjike, me foto bardh e zi dhe kolor, ndërsa ka dhe mjaft diapozitiva. Edhe biblioteka e tij personale është ndër më të mëdha të biblioteka private, ku përfshihen mjaft literature për gjeografinë dhe speleologjinë. Lidhur me bibliotekën e tij personale, Uruçi sqaron se në vitin 1990 ka pasur oferta nga shteti i atëhershëm për t'ia dhuruar atij, kundrejt një këmbimi qesharak (do e dërgonin të punonte mësues në një fshat afër Shkodrës). Madje pas 1990-ës nuk i kanë munguar dhe interesimi për arkivin e tij nga universitete të huaja që kanë afruar çmime të pëlqyeshme, por që janë refuzuar, pasi dorëzimi i kësaj pasurie për Uruçin do të thotë të tradhtojë pasionin e jetës së tij si dhe traditën e familjes.

Vetëm letërkëmbimi i familjes dhe i tij përmban rreth 13.000 letra në 18 gjuhë të ndryshme të botës, ku nuk mungojnë ato me 70 universitete të huaja dhe 30 akademi. Literatura që ka biblioteka familjare e tij, i përket fushave të etnografisë, astronomisë, arkeologjisë, speleologjisë, muzikës empirike, mjekësisë antike etj. Për të sistemimin e ruajtjen e kësaj pasurie e ndihmon dhe vajza e tij.


G. Shqiptare



TATUAZHET - "LULEBOJE" TË GDHENDURA MBI SHPINË TË DORËS NË SHQIPËRINË VERIORE

Tatuazhet i kemi njohur relativisht vonë. Në fillim nga djemtë e lagjes që ktheheshin nga ushtria. Ata tregonin me krenari o krahun, o parakrahun e tyre, ku me siguri do të qe gdhendur ose ndonjë tank, ose ndonjë spirancë dhe më rrallë ndonjë femër me goxha të ndenjura. Pastaj erdhi shpërthimi i modës së tatuazheve që janë njësoj si ato simbolet aziatike që mbajnë të rinjtë anë e kënd globit. Me pak fjalë, na ishte krijuar bindja se tatuazhet mes nesh janë gjë relativisht e re. Porse ka qenë një bindje e gabuar. Mjafton të shfletojmë një dorëshkrim të vjetër dhe ndërrojmë sakaq mendim.

Janë malësorët e Veriut ata që na bëjnë të ndryshojmë mendje. Një simbol nazist për kohën tonë për ta nuk është veçse "dilli i Hotit", ose "drita e dillit t‘Zotit", apo një yll, që për ne është i Davidit hebre, për ta është "hylli i Pejgamerit". Për ta nuk ekziston fjala eklips. Për ta një rreth i ndarë në të bardhë e të zezë nuk është gjë tjetër veçse "hana qi xen dillin" dhe kur ndodhte kjo, atëherë diçka e mbarë do të vinte me siguri.
Një botë e mbushur me simbole, me besime dhe frikë, me dëshira dhe urime, kjo është bota e tatuazheve të malësorëve të Veriut. Nëse i kundron gjatë këto tatuazhe, që kanë ardhur nga thellësitë e shekujve, duket sikur kridhesh në atë atmosferën e brymtë të maleve të Veriut tonë, atje ku koha nuk ecën aq shpejt sa poshtë ndër fusha e qytete, atje ku janë të përziera bashkë predikimet e priftit a të hoxhës me legjenda të stërlashta. Malësorët tanë vetëm vonë e kanë mësuar fjalën tatuazh. Për ta simbolet që mbanin në trupin e tyre ishin thjesht "luleboje", pra zbukurime të bëra me bojë, të cilat sjellin fat e largojnë shpirtrat e këqij që i sillen rrotull çdo njeriu. Në disa raste ata tatuazhin e kanë quajtur thjesht "lule e bame me ferrë". Ferrë në këto anë i thonë gjembit të madh me të cilin bëheshin tatuazhet. Boja është në të shumtën e herëve e zeza dhe ishte po nga ai lloj që përdorej për të ngjyrosur mëndafshin.

Nuk mund t‘ua paraqesim këto tatuazhe pa folur për njeriun që i ka mbledhur ato për më shumë se tridhjetë vjet. Imagjinoni sikur sa herë të njiheni me një njeri, ta shikoni atë ngultas nga shpina e dorës. "Shumë i bukur. Kur e keni bërë dhe kush ua ka bërë? Ç‘do të thotë kjo shenjë"? Këtë pyetje personazhi ynë e ka përsëritur me qindra herë në më shumë se tridhjetë vjet ndër kasolle fshatarësh apo mbi karroceri kamionësh, në errësira kullash, apo mes barinjve në bjeshkë. Ai quhet Gëzim Uruçi, këtij duhet t‘ia dimë për nder këtë zbulim shumë të rëndësishëm etnologjik.

Së bashku me emrin e tij lind edhe vështirësia më e madhe e këtij shkrimi. Është vështirë të shkruash për Gëzim Uruçin, sepse ai në fakt ka shkuar dy jetë paralele. Që t‘i rrëfesh të dyja, do të duheshin disa gazeta të marra së bashku. Njëra ishte ajo që e lidhte me malin, me shpellat, me aparatin e tij fotografik të pandarë, me makinën e tij të shkrimit, me librat dhe me studimet e panumërta, me sportin dhe muzikën. Kjo ishte pjesa e mbarë e jetës së tij, ajo që e bënte të ndihej mirë dhe që do të dëshironte të zgjaste pa fund. Jeta e tij e dytë ishte e përditshmja, ajo që e dërgonte sa në fermë si punëtor i thjeshtë, pastaj si nxënës këpucar, më vonë si xhenerik e mekanik. Kjo ka qenë për shumë dekada jeta e përditshme e Gëzim Uruçit, një betejë pa fund për të mbajtur familjen e tij.

Gëzimi na pret në apartamentin e tij në rrugën "Ura Dervishbeg" në Shkodër, në një pallat që është ndërtuar pikërisht atje ku ka qenë "zemra diplomatike" e Shqipërisë, konsullatat e huaja në Shkodër. Edhe ky apartament në katin e fundit të një pallati në anë të rrugës e ka një histori më vete. "Ma kanë dhanë masi kam projektu shatërvanin në qendër të qytetit. Deri atherë isha vetë i katërt në nji dhomë të vetme. Po edhe kte deshën me ma xanë n‘fillim", kujton Gëzimi. Shtëpia e tij është e stërmbushur me libra, foto, albume e antikuarë gjithfarësh. E gjithë historia e Shkodrës në foto, historia e alpinizmit dhe e sporteve të tjera në Shqipëri, speleologjia shqiptare, personazhe të njohur e të panjohur, të gjithë flenë në raftet e Gëzimit që kanë nisur të harkohen ca nga pesha e rëndë e historisë. Kalojmë do kohë me Uruçin, me profesorin, sikurse e njohin të gjithë në Shkodër, duke kujtuar historitë e tij të vjetra. Gëzimi ka lindur në një shtëpi nga ato të vjetrat shkodrane, në lagjen "Ndocaj", në vitin 1949. Prindërit ishin të shkolluar, mbase ca më shumë se ç‘duhej për atë kohë. Fati e desh që babai i tij, Myftari, që kishte studiuar për sporte në Itali, të punonte ca kohë si ekonomat e kuzhinier në ambasadën jugosllave. Kjo ngjarje do të ndikojë fort në jetën e më pasme të familjes Uruçi, sepse lidhja me jugosllavët nga dashuri e pafund u shndërrua në armiqësi vrastare. Gjithsesi, falë dëshirës së të atit për të udhëtuar në male, Gëzimi fillon rrugën e alpinizmit. Ngjitjen e parë në Jezercë e ka bërë në 1954, kur ishte veçse pesë vjeç. Myftari kaloi dy periudha në burg, i dënuar për agjitacion e propagandë. Në akuzë i përmendën edhe se kishte thënë shprehje të tilla si:
"Tërhiqe e mos këput, e mos ha mâ¦", ose: "Në socializëm duhet me hangër si zogu, me fjetë si lepuri e me punu si kali". Gëzimi ndërkohë kishte mbaruar shkollën e mesme të muzikës për trombë, por tashmë njolla në biografi ishte vënë, ai duhej të punonte në fermë. Këtu nis historia e pjesës më të madhe të asaj që e quajtëm "jeta e dytë" e Gëzim Uruçit. Në kohën e lirë personazhi ynë vazhdoi të merrej me alpinizëm e speleologji. Duket se një kthesë të vërtetë ka shënuar në jetën e tij zbulimi i shpellës së Gajtanit, një vendbanim shumë i rëndësishëm parahistorik. Pas shumë peripecish, ndërsa punonte në Vaun e Dejës si mekanik, më në fund arrin që të sigurojë të drejtën e studimit për Histori-Gjeografi në Shkodër. Gëzimi kujton me mall profesor Aleks Budën. "E mbaj mend si tani, thotë, binte shi i madh në Tiranë. Profesor Aleksi më mori nga dora dhe kemi hyrë drejt e te zyra e Adil Çarçanit. Prej tij e kam nisë shkollën".

E shfletojmë edhe një herë biografinë e Gëzimit dhe vrasim mendjen se si do t‘ia bëjmë në redaksi që ta përfshijmë të tërën në pak hapësirë gazete. 1157 artikuj të shkruar në periodikë të ndryshëm, mjeshtër sporti, 3000 shpella të eksploruara brenda dhe jashtë vendit, 217 maja të pushtuara, kryetar fondacionesh dhe anëtar nderi në disa vende, fitues medaljesh dhe çmimesh kombëtare e ndërkombëtare¦ Është e kotë. Nuk kemi mundësi t‘i shënojmë të tëra, është një listë shumë e gjatë.

Gëzimi tani çalon. "Aventura" e tij më e fundit ishte mposhtja e një sëmundjeje të rëndë që e mbajti të paralizuar për disa vjet. Duke u çapitur na vë përpara një mal me dorëshkrime. "Janë afro 15 dorëshkrime. Këto të gjitha i kam gati për botim. Ma shumë janë të etnokulturës, speleologjisë dhe alpinizmit, por ka edhe ndonjë gjë letrare". Kështu u njohëm me tatuazhet e Veriut që feksnin menjëherë në grumbullin e madh të letrave. "Katalogu i tatuazheve te shqiptarët", është titulli i dorëshkrimit që i përmbledh. Një pjesë shumë të vogël të tyre po e botojmë me shpjegimet e thjeshtuara, duke ruajtur dialektin gegnisht të mbartësve. Në origjinal ato janë shumë herë më të detajuara. Sikurse do ta shihni, emrat e mbartësve të këtyre "lulebojëve" janë shënuar vetëm me iniciale. Gëzimi ka dashur t‘i ruajë malësorët nga ndonjë pasojë e mundshme. Asokohe të thoshe Krisht apo Pejgamber ishte njësoj sikur t‘ia vije vetë prangat vetes, pa le t‘i kishe të ngulitura fort nën lëkurën tënde këto simbole.

Kjo që do të shihni nuk është veçse një fije shumë e vogël nga puna kolosale që ka bërë ky njeri i habitshëm. Sekush prej nesh, që kemi vetëm një jetë në këtë tokë, lë gjëra pas. Disa mbeten, disa harrohen. Imagjinoni se çfarë ka lënë pas njeriu të cilin e cilësuam "me dy jetë".


Fatos Baxhaku, Shqip

Saturday, June 19, 2010

Ka ardhur koha e Qytetarit?

Pas diktaturës 48-vjeçare, Shqipëria nuk ka pasur asnjëherë një qeveri demokratike.

Që prej vitit 1992, jeta në Shqipëri drejtohet nga njerëz të paaftë, delirantë, të korruptuar që me cilësitë e tyre i kanë bërë gropën të ardhmes së këtij populli, që ka mbijetuar deri sot me sakrifica të mëdha.


Kur shikoj këtë realitet shqiptar pyes veten; jemi komb pa dinjitet, që na shijon më shumë vuajtja dhe ligësia? Apo jemi thjesht frikacakë llafazanë, që mbushim kafenetë ku kritikojmë tërë ditën, pa pasur guximin t'i themi hajdutit në fytyrë se je hajdut?

Vjen kjo nga e keqja e gjatë që kemi përjetuar, që na ka zhbërë çdo cilësi të mirë njerëzore? Kaq e dhimbsur qenka kjo jetë pa dinjitet që bëjmë për një copë bukë, ku shikojmë se si na poshtërojnë çdo ditë, pa pasur të drejtë për të kërkuar të drejtën tonë as në gjykatat e Shqipërisë, na punësojnë vetëm nëse i përkasim partisë ose shefave, na vjedhin pronën, na vrasin fëmijët me moralin e paskrupullt që po kultivohet?

Para dhe Karrierë. Imoralitet dhe korrupsion. Ky është motivi Shqiptar në këto vite të qeverisjes post komuniste saliniane dhe fatosiane.

Klasa që ka fituar sot në Shqipëri është ajo që mbolli korrupsionin i këtyre viteve, janë fidanët e Saliut dhe Fatosit që tani do mbrojnë çka kanë vjedhur me dhunë. Ky produkt, anonim si bari i keq, që vuri paranë me dhunë dhe kriminalitet, me arrogancë dhe brutalitet, vodhi prona dhe bleu diploma, ka marrë drejtimin e jetës dhe ekonomisë.

Vepra e tyre është të na mohojnë emrin, pronën, aftësitë, moralin. Qëllimi i tyre të na marrin frymën e lirisë dhe demokracisë, të krenarisë dhe dinjitetit.

Ky qëllim do realizohet ndaj të gjithë atyre që nuk i përshtaten skemës së bindjes e skllavërisë. Të bindurit që sot u shërbejnë qeveritarëve, që vjelin taksat e korrupsionit dhe për të paguar qeveritarët, do shpërblehen me dënim kur nuk do jenë më të vlefshëm. Por qeveritarët kanë bërë gabime, ata harruan se ç'të mbjellësh do korrësh.

Këtë e tregon dhe revolta e banorëve të Vlorës ndaj prishjes së ndërtimeve informale. Njerëz që u lanë të lirë të dhunojnë dhe të vjedhin pronën e tjetrit dhe të ndërtojnë me paratë e kontrabandës njerëzore, ngrihen tani me dhunë kundra këtij shteti që jua dha këto mundësi.

Sepse fatkeqësisht, këta njerëz nuk e kanë kuptuar që ata deri tani u lanë të lirë të ushtrojnë kriminalitetin si vegla të arritjes së qëllimeve të kësaj qeverie, që për 18 vjet me radhë me ndihmën e tyre shkatërroi pronarin e mirëfilltë, që e vuri pronën me mund e gjak për shumë breza, dhe jo si disa sot për shumë ditë. Tani këta njerëz nuk i duhen më, tani e kanë radhën ata. Fatkeqësisht, këto politika antinjerëzore nuk i sheh dot çdo njeri.

Nënave të Vlorës nuk u janë tharë akoma lotët e 1997 e të kanalit të Otrantos. Trupat e fëmijëve të tyre janë akoma në det, por ato në vend të ngrihen të gjejnë autorin e kësaj tragjedie njerëzore, që kjo të mos përsëritet përsëri, kërkojnë të mbrojnë shtëpitë informale të ngritura mbi jetën e tjetërkujt. Kjo kërkesë e tyre është e gabuar. Fjalët e mia janë të rënda, por të vërteta.

Rruga e këtyre njerëzve që përplasen sot me ligjin, është e gabuar. Ne duhet të dalim në rrugë të gëzojmë kur në Shqipëri zbatohet ligji, edhe pse në rastin e Vlorës kjo bëhet vetëm se u ka ardhur ora realizimit të planeve të pushtetarëve.

Në qoftë se ky shtet do zbatonte ligjin që në fillim kur e shkroi atë, sot nuk do kish prishje të shtëpive informale, s`do kish tragjedi gomonesh, droge, prostitucioni, vrasjesh, Gërdeci, Otranto, firma piramidale, 1997, e sa e sa shumë të tjera.
Por, ne nuk kemi qeveri, ne kemi vetëm qeveritarë që abuzojnë me jetët tona, duke keqpërdorur besimin tonë.

Pyetja është deri kur do lejojmë të na vënë brirë? Deri kur do vazhdojmë të sakrifikojmë jetët tona për të mirën e qeverisë?

Analiza e karakterit të shqiptarit është tronditëse. Ne jemi gati të luftojmë pushtuesit shumë më të mëdhenj në numër, të hipim në anije dhe të vdesim në fund të detit, jemi gati të vrasim vëllanë e shokun, të shesim vajzat e fëmijët, të braktisim atdheun e të dergjemi burgjeve për kriminalitet, por s´kemi kurajë as ta kundërshtojmë Saliun që e kemi zgjedhur vetë.

Nuk ia bëj këtë pyetje atij fukarait që s´ka bukë të hajë, por atyre qytetarëve, që rrinë kafeneve dhe diskutojnë plot zjarr në se është më e mirë PS apo PD, Edi apo Saliu, kur para u shtrohet pyetja Diktaturë apo Demokraci, korrupsion apo moral shoqëror. I drejtohem qytetarit, që duke dyshuar gjithmonë tek e mira i bëhet mbështetje së keqes.

Shoqëria është një familje e madhe ku njerëzit jetojnë me njëri-tjetrin duke respektuar rregullat, normat dhe ligjet që ajo ka vënë vetë. Mosrespektimi i tyre të çon në anarki dhe kjo është faza qe të çon në luftë civile.

Në çdo shoqëri ka njerëz të ligj dhe të mirë. Është detyra e këtyre të fundit që të angazhohen në këtë proces. Njerëzit e një shoqërie që konstatojnë të keqen dhe nuk bëjnë asgjë kundra saj, tregojnë se nuk kanë mirësi të mjaftueshme.

Pohimi i këtyre të vërtetave është i hidhur dhe të dekurajon, por unë kam shpresë se qytetari shqiptar që e ka në gen të transmetuar mirësinë do gjejë forcë dhe kurajë t'i thotë ndal edhe njëherë kësaj murtaje të madhe të korrupsionit që na kanë imponuar qeveritë.

Korrupsioni, për të cilin unë flas, janë qeveritë e këtyre 18 viteve në Shqipëri që me paaftësinë, keqpërdorimin e besimit të votës sonë kanë shkaktuar që Shqipëria në vitin 2010, të jetë vendi më i varfër i Europës, (megjithëse në bazë të burimeve natyrore që ka, çdo shqiptar lind i pasur), me shkallën më të lartë të korrupsionit 92%, me emigracion 30%, trafikimi i qenieve njerëzore, drogës, vrasjeve, vetëvrasjeve.

Në shoqërinë tonë, ku sot fiton imorali s'ka ç'të duhet morali, ku fiton paaftësia s´ka ç'të duhet aftësia. Është kjo ëndrra e qytetarit shqiptar?? E imja, jo. Dhe jam e bindur që si unë jam shumë. Ne kemi vetëm një problem, nuk kemi thënë mendimin dhe nuk kemi kërkuar të drejtën tonë. Ka ardhur koha për ta bërë këtë.

Me dhimbjen që jetojmë çdo ditë, në vend që të tkurremi në guaskën e frikacakut, llafazanit, indiferentit, të kërkojmë realizimin e qëllimit tonë për një shoqëri demokratike dhe të drejta njerëzore. Në anën tjetër përballë dobësisë sonë, ngrihet arroganca e hajdutit, imoralit, të paaftit që një ditë do na marrin edhe "qetësinë e kafesë" që kemi aq qejf.

Një klasë injorante, imorale, abuzive sado të zhvillohet do të zhduket një ditë. Këtë e ka treguar historia njerëzore kudo ku mbiu kjo farë e keqe, qoftë dhe në mbretëritë dhe diktaturat më të mëdha të kohës. Domethënia është që njeriu synon gjithmonë të shfrytëzojë njeriun, por gjithmonë ka pasur përkohësisht sukses. Dhe suksesit të kësaj kategorie i ka ardhur fundi.


Mimoza Boçari,G. Shekulli

Prishtinë, protestë kundër ndalimit të ferexhesë në shkolla

Disa mijëra qytetarë kanë protestuar në Prishtinë, përpara Qeverisë së Kosovës, në kundërshtim me udhëzimin administrativ të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, me të cilin ndalohet bartja e uniformave fetare në institucionet e shkollimit.

Protestën e sotme e kanë organizuar disa organizata joqeveritare, të cilat këtë udhëzim administrativ e kanë cilësuar si shkelje të të drejtave të njeriut.


Protestuesit, kanë parakaluar nëpër rrugën kryesore, duke brohoritur dhe mbajtur dhjetëra pankarta në duar, qe apelojne pro mbajtjes se shamise dhe kunder diskriminimit.


Protestuesit më vonë kane ndaluar para ndërtesës së Ministrisë së Arsimit të Kosovës.

Shekulli

Mashkulli ideal? Njihet nga zëri

Eksperimenti është kryer nga shkencëtarët e Universitetit të Kalifornisë. Një grup meshkujsh kanë përsëritur të njëjtën frazë. Tonet e ulëta dhe të thella janë konsideruar sinonim i burrërisë. Madje, edhe femrave u mjaftojnë dy fjalë për ta vërtetuar këtë.

Jane e kishte kuptuar menjëherë, sapo kish dëgjuar ulërimën e Tarzanit, se mund të mbështetej te një burrë me një zë të tillë. Nuk ka rëndësi trupi, gjatësia, pesha, muskujt, është zëri që tregon forcën e një mashkulli, agresivitetin e tij, por edhe fuqinë seksuale. Ky është përfundimi i një studimi shkencor, i publikuar në revistën “The Proceedings of the Royal Society”.

Shkencëtarët e Universitetit të Kalifornisë kanë bërë një studim për të analizuar sekretet e zërit mashkullor dhe kanë zbuluar se femrat kanë një aftësi të jashtëzakonshme për të kuptuar këtë cilësi që zotërojnë meshkujt, vetëm duke i dëgjuar të flasin (pavarësisht gjërave që thonë). Vetëm duke analizuar zërat mashkullorë të regjistruar, edhe pse flasin gjuhë të huaja, zonjat kanë përzgjedhur meshkujt më të fortë, pavarësisht pamjes fizike.

Më thuaj si flet, të të them kush je: burrëria nuk personifikohet nga një tip i heshtur, i cili tregon muskujt, por përkundrazi, duke e dëgjuar të flasë, pavarësisht pamjes së shëmtuar që ka dhe zërit të trashë.

“Në fakt është zëri i meshkujve ai që i drejton gratë”, shpjegon revista “Times”, e cila i ka kushtuar një faqe të veçantë studimit. Zakonisht ne jemi mësuar t’i personifikojmë meshkujt bukuroshë me aktorët Cary Grant, George Clooney, Richard Burton, Russell Crowe. Është zëri i trashë dhe i plotë, ai që prek kordat misterioze dhe afron qeniet njerëzore, duke treguar ndryshimet dhe duke kontribuar në garantimin e komunikimit të specieve.

Eksperimenti ka nisur duke regjistruar zërat e meshkujve të ndryshëm (nga përfaqësuesit e një fisi të rëndësishëm bolivian, tek pastorët e Andeve, nxënësit e një kolegji në Rumani dhe Shtetet e Bashkuara), të cilët përsërisnin të gjithë të njëjtën frazë me një ton normal. Forca fizike u mat në bazë të shtrëngimit të dorës, gjerësisë së gjoksit dhe bicepsëve, si dhe në bazë të ndeshjeve fizike që kishin pasur katër vitet e fundit. Çdo subjekt u gjykua në bazë të një shkalle me shtatë nivele.
“Fuqia e zërit është shumë e rëndësishme te një mashkull. Një karakteristikë e tillë e bën atë më të pëlqyer për femrat”, thotë Trevor Cox, profesor i inxhinierisë akustike në Universitetin e Selfordit, Mançester. Gjithashtu ai pohon se një bashkëbisedim mund të bëhet intim kur toni është i ulët, i qetë, duke u përpjekur të krijojë bashkëpunim. Teknika është përdorur nga joshësit e mëdhenj të ekranit: mjafton të shohësh aktorin Cary Grant në versionin origjinal të “Notorious”, se si i përshtatet bukurisë së Ingrid Bergman.

Që në lashtësi zërat mashkullorë kanë qenë më të fuqishëm se ato femërorë.
Burrat primitivë luftonin për të siguruar bukën dhe për të mbrojtur tokën: duhet t’i ngjallnin armikut respekt dhe frikë, jo vetëm duke përdorur forcën fizike. Në vitin 2007, një grup studiuesish amerikanë të Universitetit të Harvardit, së bashku me disa kolegë të Universitetit Mekmaster dhe Floridës, duke studiuar fisin Hazda, në Tanzani, zbuluan që femrat tërhiqeshin më shumë nga meshkujt që flisnin me zë të ulët, madje një timbër i ulët dhe i ëmbël konsiderohej sinonim i burrërisë. Ky lloj zëri tregon në fakt se ka sasi të lartë testosteroni, gjithashtu mund të jetë tregues i aftësive të mëdha në gjueti dhe në mbrojtjen e të vegjëlve. Megjithatë sipas shkencëtarëve, zëri është një element i rëndësishëm për të hedhur dritë mbi evoluimin e njerëzimit.

Femrat e magjepsura pas meshkujve të heshtur, duhet medoemos të dëgjojnë të paktën dy fjalë prej tyre, për të dalluar tonin e zërit që kanë. Nëse zëri u bën përshtypje dhe lë shenjë tek to, atëherë ky është një fillim i mbarë. Këtë studiuesit thonë se e kanë mësuar nga mbretëritë e kafshëve. Për shembull në tributë e majmunëve, ulërimat më të forta u nevojiten femrave për të kuptuar se cili është mashkulli dominues, pra më i forti. Shoku ideal me të cilin të krijojnë një familje.


Shqip, Ndryshe

Misteri i Xhon Titor, ushtarit të ardhur nga viti 2036!

Xhon Titor, në një mision për llogari të qeverisë amerikane, kthehet mbrapa në kohë për të rregulluar një kompjuter të vjetër. Në vitin 2000 u bë i gjallë në një forum interneti dhe ka treguar se si do të jetë e ardhmja jonë.
Hero apo biznesmen? Kushedi…


“Përshendetje. Unë jam një udhëtues në kohë. Vij nga viti 2036. Po kthehem në shtëpi pasi rregullova një kompjuter Ibm 5100 nga viti 1975”. Nënshkruar: Timetravel_0 (Udhëtim në kohë_0). Ky mesazh lakonik është shfaqur në 2 nëntor 2000, në forumin e sitit www.timetravelinstitute.com. Dhe askush nuk e besoi.

Por pastaj, udhetari, duke u prezantuar me emrin e vertete, Xhon Titor, ka dhene te tjera detaje mbi historine e tij, duke stimuluar kuriozitetin e internauteve. Qe e kane vene ne rreth me pyetje provokuese, pastaj me te tjera gjithnje e me kurioze mbi te ardhmen qe na pret. Por pergjigjet e tij– dinake ne lidhje me fituesit e rradhes se kampionateve te futbollit, por te detajuara mbi skenaret politike planetare– kane bindur shume njerez mbi arsyeshmerine e historise se tij. Qe diskutohet ende dhe sot. Po kush ishte (ose thoshte se ishte) Titori? I lindur ne Tampa (Florida, SHBA) ne vitin 1998, eshte nje ushtar qe ne vitin 2036 (ne moshe 38 vjecare, pra) do te dergohet nga qeveria amerikane mbrapa ne kohe, ne vitin 1975. Objektivi: Te merrte nje model funksionues te nje kompjuteri te vjeter te zhdukur prej dekadash (Ibm 5100), i cili kishte nje te vecante unike dhe sekrete: mund te perkthente njeheresh gjuhet informatike te kompjutereve me sistem Unix, Apl dhe Basic. Nje kerkese themelore, meqenese ne vitin 2038 eshte parashikuar nje difekt i kompjuterave te bazuar mbi sistemin operativ Unix (eshte e vertete: nese nuk nderhyhet, ata do te llogarisin si date vitin 1901).

Perse atehere Titor eshte shfaqur edhe ne vitin 2000? Perse, pasi arriti te gjeje kompjuterin, ne vend qe te rikthehej ne vitin 2036, beri nje ndalese te shkurter ne epoken tone?

Nje vizite vetvetes

Mbi te gjitha, per te qene i pranishem ne “Millenium Bug” (difektin e mijevjecarit) ne vitin 2000 (e mbani mend), nga i cili priteshin katastrofa te medha. Madje, ka dhe nga ata qe hipotezojne se ishte pikerisht Titori ai qe arriti ta ndalonte kete katastrofe informatike ne kalimin e datave nga i pari tek mijevjecari i dyte. Per te marre pjese ne kete ngjarje epokale, Titor vendosi te shkonte ne Florida, ku jetonin prinderit e tij dhe… ai ishte ne moshen 2 vjecare.

Fantashkenca ne fakt, thote se nuk eshte kurre nje ide e mire te kesh kontakte direkte me vetveten ose familjaret ne te kaluaren, sepse mund te sjelle pasoja te paimagjinueshme ne te ardhmen: perse atehere, Titor ndermori kete rrezik? Titor mundi te shmange te gjithe problemet qe lidheshin me paradokset e udhetimit ne kohe fale bazave te parashikuara nga teoria e universeve paralele. Besueshmeria e tij shkencore eshte ende objekt debati, por ne themel te kesaj teorie ekzistojne universe te pafund, ne te cilet ndodhin njekohesisht te gjitha gjerat e mundshme.

Universet paralele

Sipas Titorit, duke udhetuar mbrapa ne kohe, nuk pershkohet e kunderta e rruges kohore si te ishte nje binar treni, por kalon ne menyre te pashmangshme ne nje tjeter, (keshtu, ne nje tjeter univers), qe eshte me i ngjashem me te parin dhe pse madhesia e udhetimit eshte me e reduktuar. Makina e kohes humbet pak nga pak me zgjatjen e udhetimit.

Ne themel te nje logjike te tille, Titor duhet te kete ardhur ne nje “linje te universit” (sipas Ajnashtajnit, bashkesia e ngjarjeve (gjerave) qe i perkasin cdo qenieje qe jeton ne kohe dhe hapesire), te cilit nuk i perket, ku teorikisht mund te beje cfare te doje, madje edhe te vrase veten tjeter, pa pasur pasoje ne te ardhmen. Ky shpjegim eshte ne favor te udhetarit te supozuar: E ardhmja jone mund te evoluoje ndryshe nga e tija, meqenese gjendemi ne nje linje tjeter universi. Dhe Titori nuk mund te sulmohet kollaj ne rast se parashikimet e tij nuk dalin…

2015: Lufta atomike

Por, le t’i rikthehemi historise se tij. Perpara se te shkonte ne vitin 2000, jeta e Titorit nuk kish qene e lehte: Lufta e trete boterore, qe shpertheu ne 12 mars 2015, vrau 3 miliarde njerez dhe kishte shuar shume qytete.

Tregimet e Titorit mbi te ardhmen qe na pret, jane katastrofike. Shperthimet atomike do te erresojne Diellin ne nje lloj “ferri nuklear”; uji do te ndotet dhe te mbijetuarit do te transferohen ne fshatra. Shoqeria e konsumit do te fshihet: Per te mbijetuar, pasardhesit tane duhet te bashkepunojne. Nje pjese e mire e ushqimit do te prodhohet nga cdo korrje ne tokat e pa ndotura nga radiaktiviteti. Jetegjatesia e njerezve do te zbrese ne 60 vjec: asistenca sanitare do te jete nga Far Eest, mjeket do te shqetesohen mbi te gjitha te kurojne plage dhe fraktura dhe te lindin femije; kush do te semuret rende do te zhduket.

Trena dhe bicikleta

Megjithate, ne kete panorame te shkretuar, progresi teknologjik nuk do te ndalet: edhe pse kompanite e medha informatike do te zhduken, Interneti do te ekzistoje dhe do te behet i vetmi mjet komunikimi: nuk do te kete me kinema dhe televizioni nuk do te transmetohet me nepermjet eterit. Transportet lokale, ne fund, do te bazohen mbi kuajt dhe bicikletat, por do te ekzistojne prape rruge dhe automobile dhe nje sistem trenash super te shpejte do te lidhe qytetet e medha. Por, cfare do ta ndeze luften e trete boterore? Nga nje lufte civile qe do te plase ne SHBA mes viteve 2004 dhe 2005… dhe ketu nis pjesa e profecise se Titorit, qe nuk i permbahet provave dhe fakteve.

Origjina e halleve

Sipas atyre qe ka thene Titor, ne SHBA do te shtohet kontrolli shteteror ne drejtim te te drejtave civile te banoreve. Per t’i shpetuar kesaj zgjedhe policeske, shume amerikane do te transferohen ne fshatra, duke formuar nje milici civile spontane qe do t’i kundervihet qeverise duke shkaktuar nje konflikt me qytetet. Sipas Titorit, viti 2008 do te jete viti kur qyteterimi keshtu sic e njohim ne sot, do te pushoje se ekzistuari.

Ne mars te vitit 2015 Federata Ruse, duke perfituar nga rremuja e pergjithshme, do te nise nje sulm nuklear ne metropolet kryesore amerikane. SHBA do te reagoje, pa meshiruar Evropen, per te cilen Titor nuk jep detaje, ndersa limitohet ta pershkruaje situaten si nje “katastrofe”. Nderkohe, Kina do te pushtoje Taivanin, Korene dhe Japonine: do te ndalet vec nga Australia. Per fat, lufta civile e parashikuar nga Titor nuk u realizua. Dy vjet nga nisja e rremujes se hipotezuar, Amerika nuk shfaqet aspak drejt nje konflikti te brendshem, edhe pse shume e cilesojne “Aktin Patriotik” (Patriot Act) te vitit 2003, ligji qe redukton te drejtat civile te amerikaneve per t’i bere balle terrorizmit, si fillimin e tendences se sinjalizuar nga Titor.

Pertej skeptikeve, ndonje parashikim Titor e ka goditur. Per shembull parashikoi luften ne Irak dhe mos gjetjen e armeve te shkaterrimit ne mase. Ka thene gjithashtu se brenda vitit 2002 Cern do te hidhte bazat per udhetimet ne kohe: Ne fakt, ne fund te vitit 2001, laboratori i famshem nderkombetar i fizikes ka komunikuar se ne te ardhmen mund te krijohen “vrima te zeza” ne permasa mikroskopike: nje prej kushteve te nevojshme per te bere te funksionoje nje makine te hipotetizuar kohe.

Por ka edhe me shume: Titor jep alarmin edhe per lopen e cmendur qe ne te ardhmen do te marre mijera jete njerezish; le te kuptohet se presidenti i ardhshem i SHBA do te jete nje grua, ndersa zbulon se ne epoken e tij ne do te konsiderohemi “nje tufe delesh injorante, dembele dhe egocentrike”.

Kthimi ne te ardhmen

Xhon Titor u kthye ne vitin 2036, ne 24 marsin e vitit 2001. Pa lene asnje gjurme: Askush deri me sot nuk ka rremuar mbi “Xhon Titorin” banues ne Florida dhe qe sot duhet te jete 8 vjec. Dhe debati mbi arsyeshmerine e kesaj historie eshte ne vazhdim.

C’të themi?
Fotot e makines se tij te kohes nuk jane shume te qarta per t’u studiuar. Ilustrimet teknike te makines (dhe bazat shkencore) jane dhene ne menyre te vagullt, edhe duke iu referuar teorive te konsoliduara mbi vrimat e zeza. Qe mund te profetizojne gjithcka (ose te kunderten e gjithckaje) mbi te ardhmet e mundshme.
http://www.youtube.com/watch?v=S3MwJleG2Dg

Për më tepër http://www.abovetopsecret.com/forum/thread61544/pg1

http://johntitor.strategicbrains.com/TimeMachine.cfm

http://www.youtube.com/watch?v=OcPIxsyqeKM&feature=player_embedded