Thursday, June 24, 2010

Debate në Kuvend replika për Çamërinë Tahiri e Dule

TIRANE-Ka nisur sot paradite seanca e radhës parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë.

Debat Camëria


Parlamenti mbajti sot 1 minutë heshtje në kujtim të viktimave nga Masakra greke në Çamëri me kërkesë të kryetarit të PDU, Shpëtim Idrizi. Kjo u bë shkak që deputeti i Partisë Drejtësi dhe Unitet (PDU), Dashamir Tahiri të debatonte sot ashpër në Kuvend me deputetin e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, (PBDNJ), Vangjel Dule, pasi ky i fundit nuk u ngrit në këmbë kur parlamenti mbajti një minutë heshtje në nderim të viktimave të genocidit ndaj popullsisë çame.

Tahiri në fjalën e tij në foltoren e Kuvendit sulmoi kreun e PBDNJ, Vangjel Dule se mohon cështjen Came dhe se nuk respektoi zinë e mbajtur sot nga Kuvendi.

“Parlamenti mbajti 1 minutë heshtje për përkujtimoren e masakrës së Çamërisë. Por ti nuk u ngrite në këmbë, por ja ku po ta them unë, të mësoj unë si mbahet zia, ty klyshi i Zervës”.

I menjëhershëm ka qënë reagimi i Vangjel Dules që nga vendi u shpreh i indinjuar më shumë për faktin se Kryetarja e Parlamentit nuk reagoi. Dule iu përgjigj duke thënë se sjellja e tij është personale.

“Kur bëhen kërcënime të tilla këtu menjëherë mblidhen truprojat, nuk e di pse zonja Topalli nuk reagon kur nga podiumi bëhen kërcënime reale. Ja ku po e them se kur ngrihem unë e për cfarë ngrihem e flas në podium, është cështje individuale, se kjo që bërë ti sot është kërcënim I hapur ndaj meje. Qëndrimi i im është pjese e zgjedhjes dhe bindjeve të mia dhe këtë nuk mund ta diskutoj me askënd”. Tha Dule.
Përplasja dhe replikat mes dy deputetëve e detyruan drejtuesin e Kuvendit të ndërpresë për pak minuta punimet e Kuvendit


Axhenda e seancës së sotme parashikonte ndër të tjera, shqyrtimin e p/ligjit "Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën Ndërkombëtare "Për përgjegjësinë civile dhe dëmshpërblimin për dëmet, në lidhje me transportin e lëndëve të rrezikshme dhe helmuese përmes detit, 1996", të një ndryshimi në ligjin "Për përdorimin e armëve të zjarrit" etj.

(d.b/BalkanWeb)

Aeroporti i Kukësit do të quhet Sheikh Zayed

Ministri i Jashtëm Ilir Meta është takuar në Estoni, pas takimit jozyrtar të Ministrave të Punëve të Jashtme të vëndeve anëtare të NATO-s me me ministrin e Punëve të Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan. (25 Prill)

Dy ministrat kanë vlerësuar rritjen e marrëdhënieve mes dy vëndeve sidomos vitet e fundit. Gjatë këtij takimi kryediplomati shqiptar e ka njohur homologun e tij me vendimin e marrë nga autoritetet shqiptare për të vënë emrin e Sheikh Zayed, aeroportit të Kukësit, gjë që dëshmon mirënjohjen e thellë të popullit shqiptar për ndihmën dhe bujarinë e madhe që Sheikh Zayed dhe Emiratet e Bashkuara
treguan gjatë krizës së Kosovës, duke strehuar në Kukës rreth 10,000 shqiptarë të Kosovës.

”Duke ndërtuar një aeroport të standardeve ndërkombëtare dhe jemi të nderuar që ky aeroport të mbajë emrin Sheikh Zayed përgjithmonë, i cili është një personalitet botëror, duke patur parasysh se ç’ka bërë ai për vendin e vet si dhe për paqen dhe stabilitetin në atë rajon”, tha Meta.

Ministri Meta vlerësoi gjithashtu dhe vendimin e marrë nga qeveria e EBA si dhe nga Fondi i Abu Dabit, për të ndihmuar në hapjen e tunelit që do të lidhë Tiranën me Elbasanin, gjë që është shumë e rëndësishme dhe strategjike për Shqipërinë.

Nga ana e tij ministry Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan i ka quajtur historike marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara.”
Patjetër që marrëdhënia jonë është historike, por është edhe një marrëdhënie ndaj së cilës ne ndjehemi të detyruar dhe shumë krenarë. Jo vetëm në zhvillimin e marrëdhënieve tona me Shqipërinë por gjithashtu duke qenë një nga vendet e para që njohën Kosovën, ishte një sinjal i qartë jo vetëm për popullin mik të Kosovës, por edhe për vetë interesin e Shqipërisë në këtë marrëdhënie”, tha Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan.
Kryediplomati I Emirateve Arabe tha se shpresonte që brënda dy muajve të ardhshme të vizitonte Tiranën për të falenderuar qeverinë për emërtimin e aeroportit të Kukësit, por edhe për të parë mundësitë e zgjerimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, veçanërisht në fushën e investimeve.

Së shpejti Shqipëria do të hapë Ambasadën e asaj në Abu Dabi, ndërsa Sheikh Abdullah bin Zayed shprehu bindjen se edhe Emiratet e Bashkuara do të hapin Ambasadën e tyre së shpejti në Tiranë.

Koha.net

Edhe Hillari Klinton në mbrojtje të Klodit..

Që Klodi i Big Brother do ishte një temë e nxehtë bisede në Shqipëri, kjo ishte e dukshme dhe e qartë, por që emri i djalit nga Lezha do përmendej edhe nga vetë Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, këtë pakkujt ia priste mendja.



"Në Shqipëri, një djalë i ri, me emrin Klodian Çela, u shfaq në ekran në një program televiziv popullor të quajtur Big Brother. Shumë shpejt pas kësaj, ambasadori ynë John Ëithers, ishte në television për të shprehur publikisht mbështetjen për këtë djalë.


Ai vizitoi qytetin e tij të lindjes dhe e ftoi atë në Ambasadën tonë, për tu shprehur gjithë shqiptarëve se Shtetet e Bashkuara mbështesin të drejtat e tij dhe respektojnë kurajon e tij" - tha znj.Klinton gjatë një fjalimi ne lidhje me rastet e homofobisë.

Versioni ne anglisht i pjeses se fjalimit:

Hillary Clinton: "In Albania, a young man named Klodian Cela recently came out on a popular television program called Big Brother. Soon after, our ambassador, John Ëithers, ëent on television to publicly express support for this man. He visited his hometoën and he invited him to an event at our Embassy, conveying to all Albanians that the United States supports his rights and respects his courage".

Linku zyrtar per tekstin e plote te ketij fjalimi:

http://www.state.gov/secretary/rm/2010/06/143517.htm

Linku per versionin e plote video te fjalimit:

http://link.brightcove.com/services/player/bcpid1857622883?bctid=97867356001

*********


'Fenomeni Klodi', reagon edhe BE-ja: Jemi kundër diskriminimit seksual


14 prill 2010


Pas protestave të Lezhës, kundër fenomenit "Klodi" në Big Brother, Bashkimi Europian i kujton vendit tonë respektimin e të drejtave të njeriut si kusht për integrimin në familjet evropiane.


Përmes një deklarate për mediat, BE rikujton traktatet për të drejtat e njeriut duke theksuar se respektimi i të drejtave të njeriut dhe trajtimi i barabartë janë ndër kushtet thelbësore për integrimin e vendit në Bashkimin Europian.


"Bashkimi Europian shpreh shqetësimin e tij për rastet e fundit të homofobisë dhe diskriminimit bazuar në orientimin seksual. Ngjarjet në Lezhë si dhe debati publik bënë që BE-ja të rikujtojë se Traktatet e BE-së ndalojnë çdo lloj diskriminimi bazuar në orientimin seksual dhe se parimet e trajtimit të barabartë si dhe fuqizimi i grave janë vlera themelore të BE-së. Implementimi efektiv i këtyre vlerave në Shqipëri është thelbësor për realizimin e perspektivës së saj Europiane, ashtu siç deklarohet në Raportin e Progresit të Komisionit të BE-së për Shqipërinë." theksohet në deklaratën e BE.


Vetem pak kohe me pare,diplomatët e huaj, ambasadori amerikan John Withers dhe ambasadori gjerman Bernd Bochardt udhëtuan drejt Lezhës në mbrojtje të familjes Çela e cila pretendon diskriminim pas deklarimit të Klodit në BB si homoseksual.
Ata kujtuan se shqiptarët shquhen për bashkëjetesë fetare dhe kjo duhet të vlejë si kurajo edhe për bashkëjetesen me pakicat ku përfshihen edhe pakicat seksuale.
Vizita e tyre është shkaktuar nga një sinjalizim i familjarëve të Klodit.

Afro 400 qytetarë lezhjanë kanë organizuar një tjetër protestë në 12 prill rrugët e qytetit të Lezhës, duke apeluar "Lezha është e pastër, nuk ka homoseksualë".
Një protestë e tillë u zhvillua edhe me 5 mars kundër "fenomenit Klodi" që erdhi si rezultat i dëshmisë së bërë nga Klodi, ku ai deklaroi që ishte homoseksual dhe për këtë gjë i kërkoi mirëkuptim të gjithëve, veçanërisht nënës së tij.

Qytetarët lezhjanë kanë vijuar protestat e tyre, duke filluar nga sheshi administrativ i qytetit, si edhe përgjatë bulevardit "Gjergj Fishta" me thirrjet "Hiqe, hiqe Klodin!".


Pas protestës së zhvilluar Aleanca Kundër Diskriminimit LGBT (lesbike, gay, bisexual, është shprehur: " Në vend që të dilnin rrugëve medemek të fyer në krenarinë mashkullore, do të ishte mirë që ata të rinj të mendonin seriozisht se si do t'ia bëjnë kur pas pak muajsh, atëherë kur do udhëtojnë lirisht në Europë, do të ndeshin rrugëve të botës me njerëz që e jetojnë pa komplekse seksualitetin e tyre".

Shekulli

Në vetmi totale...Si një Zot.

Para disa ditësh, krejt rastësisht u gjenda vetëm në shtëpi. Hap televizorin, ndërroja kanalet, por nuk më ndërroheshin fytyrat. E fik televizorin dhe provoj të marr në telefon disa prej miqve të mi. Krejt rastësisht asnjë prej tyre nuk iu përgjigj thirrjeve të mia. Ishte vetëm një çast i vetëm, por u ndjeva aq thellësisht vetëm. "Hej, Zoti i madh" - thashë me vehte!

Në çast mendja më shkoi tek ky Zot i madh, tek i cili më shumë se 70% e banorëve të planetit i falen, i luten, e falenderojnë, e përkujtojnë...


Ky Zot i madh, ishtë më i vetëm se unë.

Ky Zot apo Zonjë, çfarëdo qoftë, është jetim. Nuk ka prindër, nuk ka motër, vëllezër. Ai nuk qan, me shumë gjasa as nuk qesh. Ai nuk përjeton emocione, surprizat për të nuk kanë kuptim. Nuk bëhet xheloz. Dashuria ndaj tij tejkalon çmenduritë. Njerëzit vrasin, vjedhin, mashtrojnë për të qenë sa më pranë tij. Paguhen, paguajnë...
Ndërsa Ai, nuk shpreson, ai e njeh të ardhmen. Nuk mundohet, nuk lodhet, për të gjithçka është e realizueshme. Ai nuk dështon, por veç kësaj ai nuk mund të përmirësohet. Nuk mund të shkojë përpara. Ai është i burgosur pas hekurave të perfeksionit.

Atë nuk mund ta qortojë askush, akoma më pak ta korigjojë. Ai nuk e njeh mëshirën, po dashurinë? Ai është krejt i vetëm, në kohë të kohëve dhe nuk mund të ndajë asgjë me askënd. Ai nuk zhduket, ai e di edhe historinë e tij...Apo nuk e di?!

Ky Zot i madh sheh gjithçka dhe në çdo çast. Ai është dëshmitar i të gjitha krimeve monstruoze të krijesave të tij ndaj njëra-tjetrës, por edhe më keq, sheh parreshtur luftën djallëzore të krijesave brenda llojit. Disa thonë që ai hesht, të tjerë këmbëngulin që ai reagon.

Eh, edhe këtë vetëm një Zot e di! Vetëm Ai, i vetëm...

Duke mu përplasur këto mendime në kokë u bëra konfuz. Një qënie e ndërgjegjshme, me të tilla të dhëna, me siguri do kishte shkuar në vetvrasje...

Shkroi: Stop Injorancës http://www.facebook.com/NdalPaditurise2

Seksi në gjimnaz, 3 për qind e vajzave mbesin shtatzanë Shënime nga Stop Injorances !

Nuk është më tabu prej vitesh tashmë seksi në gjimnaz e madje as që në vitin e parë.


Mes tyre adoleshentët tregojnë përvojat, por edhe mungesën e tyre në shumë raste. E ndërsa sensibilizimi për përdorimin e metodave kontraceptive mes nxënësve ishte në nivele të ulëta, situata është përmirësuar ndjeshëm 5 vitet e fundit.

Në këtë konkluzion kanë arritur specialistët e Institutit të Shëndetit Publik, të cilët kanë ripërsëritur studimin në këtë target-grup, për sjelljet seksuale. Nga të dhënat rezulton se mbi 75% e gjimnazistëve që kryejnë marrëdhënie seksuale përdorin prezervativët.

Në studimin e vitit 2005 shifrat ishin rreth 61%. Por ndërsa janë të informuar për këtë lloj metode, nxënësit e shkollave të mesme kanë pak informacion për metodat e tjera moderne kontraceptive.

“Megjithëse kemi një përmirësim të situatës, sërish duhet më shumë punë edhe nga vetë shkollat për më tepër sensibilizim dhe më shumë njohuri rreth aktivitetit seksual”, thonë specialistët e ISHP. Ndërkaq, sipas të dhënave të studimit ka një rënie edhe të shtatzënive të padëshiruara në shkollë të mesme, por gjithsesi fenomeni ekziston.

- Në 2005 nga të dhënat e studimit në 4000 gjimnazistë rezultonte se rreth 3.5% e vajzave pranonin se kishin përjetuar një shtatzënisë gjatë viteve të shkollës së mesme. Në studimin e fundit kjo shifër është ulur në 3%.
Adoleshentet pranojnë se as nuk e kanë çuar ndërmend se mund të sjellin në jetë një fëmijë në këtë moshë. Ndërsa për aq sa ka ndodhur, fajin ua hedhin partnerëve.
Sipas tyre, janë ata që nuk kanë dashur të kenë një marrëdhënie të mbrojtur, ato thjesht u janë bindur.

Një tjetër problem shqetësues mbetet mungesa e informacionit për dhjetëra sëmundje seksualisht të transmetueshme. Mjekët pohojnë se të rinjtë nuk ua vënë veshin këtyre problemeve që mund t’u kushtojnë shtrenjtë për shëndetin e për marrëdhëniet që kanë. Sipas tyre, mbrojtja më e thjeshtë prej këtyre infeksioneve është përdorimi i prezervativit. Vetëm duke përdorur atë, të rinjtë i shpëtojnë njëkohësisht dy të “këqijave”: shtatzënisë së padëshiruar dhe sëmundjeve seksualisht të transmetueshme.

Ndërkaq, sipas të dhënave të studimit më shumë se 1/5 e gjimnazistëve, kanë pranuar se kanë kryer marrëdhënie seksuale gjatë viteve të gjimnazit. Numri i meshkujve që e pohojnë një gjë të tillë është 4 herë më i madh se ai i femrave.

Marrëdhënia seksuale në moshë të vogël mund të lërë pasoja të shumta në shëndet, sidomos te femrat. Ato mund të përjetojnë një shtatzëni të padëshiruar, që në shumicën e rasteve i çon drejt abortit me pasoja deri në sterilitetin e tyre.

Ndaj është shumë i nevojshëm informacioni për metodat kontraceptive, për të pasur një aktivitet seksual të shëndoshë.

Zirina Llambro, G. Panorama

30 plazhet më të ndotura në vend

10 stacione monitorimi në listën e zezë të fekaleve, plazhi i Durrësit më problematiku.

Nëse i keni bërë gati valixhet, e keni menduar të nisni pushimet verore në zonat bregdetare në vend, për këtë duhet të mendoheni dy herë, pasi gati 70 për qind e plazheve rezultojnë me ndotje të madhe, nga fekalet, uji i plazhit apo papastërtitë e rërës. Nga njëra anë Agjencia e Mjedisit dhe Pyjeve, e cila në bashkëpunim me Institutin e Shëndetit Publik kanë bërë rreth dy muaj më parë, me fillimin e sezonit turistik monitorimin e zonave më të frekuentuara gjatë sezonit të plazhit në disa pika për vitin 2010.

Në këto zona ka rezultuar se Jugu i vendit dhe kryesisht Saranda, mbetet kampione e pastërtisë ku janë vetëm 9 zona problematike ku turistët, duhet të kenë kujdes nga ndotja. Sipas këtij monitorimi, jugu i vendit mbetet edhe këtë vit në krye të klasifikimit të plazheve të pastra në vend, ndërkohë që plazhet e ndotura gjenden më shumë përgjatë Adriatikut. Në prag të afrimit të sezonit turistik 2010 nga Agjensia e Mjedisit janë evidentuar zonat më të ndotura dhe më cilësore të bregdetit tonë. Ndërkohë krejt të kundërtën e dëshmojnë OJF-të për monitorimin e mjedisit të cilat gjatë çdo fundjave kryejnë monitorime e studime të drejtpërdrejta në zonat turistike në vend. Në lidhje me këtë Kreu i Qendrës Kombëtare të Mjedisit Xhemal Mato ka sqaruar për gazetën se, gati 70 për qind e plazheve në vend, rezulton me një ndotje tepër të lartë e cila ndikon drejtpërdrejt në shëndetin e qytetarëve që qëndrojnë në këto zona përgjatë gjithë muajve të verës.
Sipas tij, uji i papastër me fekale e mbeturina nga më të dëmshmet, por edhe ndotja e madhe në zonën tjetër të plazhit e përkatësisht në rërë apo edhe në zonën me pemë nuk ka ndryshuar absolutisht ashtu si një vit më parë. Sipas ambientalistit, nga 72 zona bregdetare në të gjithë vendin, rezulton se rreth 30 prej tyre janë në gjendje tepër problematike përsa i përket ndotjes nga mbetjet inerte e jo vetëm kaq. Sipas Matos, OJF-të e mjedisit kanë kryer monitorimin e zakonshëm të mjedisit në plazhe duke vlerësuar kështu të gjitha zonat e ndotura në të gjitha plazhet e vendit.

Vlerësimi i cilësisë së ujërave bregdetare të larjes është kryer në plazhet nga veriu deri në jug, nga Velipoja, Shëngjini, Durrësi, Kavaja, Vlora, Saranda, Dhërmiu, Himara dhe Borshi, në mbi 74 stacione kampionimi, në zonat më të frekuentuara gjatë sezonit veror tek e gjithë linja bregdetare.
Sipas monitorimeve, shumë të ndotura kanë rezultuar plazhi Zhiron tek Brryli, zona tek Plepat, Shkëmbi i Kavajës, Plazhi në zonën e "Currilave", Plazhi pranë "Urë së Dajlanit" Plazhi tek "Adriatiku" Plazhi që njihet zona "Teuta", Zona e plazhit të Golemit, Zona pranë restorant "Gostivarit' Zona pranë restorant "Vjenës". Ndërsa në zonën e Vlorës Plazhi pranë "Pyllit të Sodës", Zona te "Plazhi i vjetër"

Zonat super të ndotura
Evidentimi për Kavajën vjen nga monitorimi i 10 stacioneve dhe rezulton si më i ndoturi në gjithë vendin. Sipas monitorimit, në 70 për qind të stacioneve të kampionimi ky plazh është jashtë normave të rekomanduara. Rezultatet mikrobiologjike të ujërave të këtij plazhi tregojnë se më të ndotura janë stacionet ku përkojnë me plazhin e Golemit, ku shkarkohen ujërat e zeza, stacionet nga Mali i Robit e deri në Qerret - thuhet në rezultatin e monitorimit. Problematik në disa zona paraqitet edhe plazhi i Vlorës edhe këtë sezon.
Sipas specialistëve, nisur nga gjendja e plazhit të vjetër dhe të ri, që shtrihen përgjatë linjës bregdetare të këtij qyteti, vlerat e çmuara të këtyre dy plazheve po degradojnë dhe kjo si rezultat i shkarkimeve të patrajtuara dhe pa kriter që derdhen direkt në ujërat bregdetare të qytetit të Vlorës. Stacioni i kampionimit më i ndotur në bregdetin e Vlorës është stacioni i pestë, përballë shkollës së "Marinës", ku të katër indekset e ndotjes fekale dalin disa herë mbi normat e rekomanduara. Është zona ku duhet ndaluar rreptësisht larja.

Sipas raportit të monitorimit, Saranda paraqitet me plazhe të pastra.
Monitorimi i cilësisë së ujërave bregdetare tregon se shumë plazhe kanë rezultuar brenda normave të rekomanduara. Ndër plazhet më të mirë renditet plazhi i Dhërmiut, Himarës dhe Borshit. Sipas vlerave të monitorimit, në të 3 këto plazhe, gjatë vitit 2010, në 4 indekset e ndotjes fekale janë brenda normave të rekomanduara, madje në vlera mjaft të ulëta.

Zonat ku ndotja rezulton e lartë

Durrësi
Plazhi në zonën e "Currilave"
Plazhi pranë "Urë së Dajlanit"
Plazhi tek "Adriatiku"
Plazhi që njihet zona "Teuta"
Zona e plazhit të Golemit
Zona pranë restorant "Gostivarit'
Zona pranë restorant "Vjenës".

Vlora
Plazhi pranë "Pyllit të Sodës"
Zona te "Plazhi i vjetër"
Zona përballë shkollës së "Marinës (ndalohet rreptësisht larja)



Arta AGOLLI, G. Sot

Ylli Pango: Reagim pas sulmeve të fundit ndaj meje nga Top Media

Vini re me çfarë egërsie jane rikthyer kundër meje dhe gjyqtarit që dha vendimin e drejtë të rangut europian, segmentet më negative mediatike dhe kryesegmenti i tyre, 'Kanali i Zi'.


Vini re se si, kësaj radhe të mundur, po riaktivizojnë gjithë shërbëtorët, aleatët, forcat e errëta mediatike dhe palaçot politikë, për të argumentuar se nuk ka të drejtë një nga civilistët më të mirë në Shqipëri, nuk ka te drejte Drejtësia, shteti ligjor, por kanë të drejtë ata.
Ata që duan të jenë gjithshka: Pushteti, Paraja, Gjykata, Prokuroria, Xhelati, Ekzekutori i çdo njeriu që del kundër tyre në këtë vend.

Vini re se sa urrejtje ka në çdo veprim të tyrin, sa ligesi e anti-humanizëm. Pasi traumatizuan jetën time, nënën time, djalin tim, të pangopur në urrejtje e ligesi vazhdojne te transmetojne, shpifin, ulerijne, te drejtuar nga duar mafioze qe duan te bejne ligjin ne kete vend.
Prokuroria me dha te drejte, Gjykata me dha te drejte, pozicioni im i ri i respektuar i punes si Drejtor i Pergjithshem me jep te drejte. Por per ata, asgjë nga këto nuk ka vlere. Per ta ka vlere veç shkaterrimi i jeteve njerezore kur preket interesi i tyre.

Le te vazhdojnë, le ta japin dhe mijëra herë montazhin e tyre të fëlliqur qe Gjykata e cilesoi te "pasakte, jo te vertete e të perftuar ne menyre te paligjshme (lexoni vendimin e plotë të Gjykates).
Unë ftoj të gjithë viktimat e padrejtësive të këtij lloji të më shkruajne per rastet e tyre, te me japin adresat e tyre. Drejtesia duhet te vihet ne vend edhe per ata.

Lufta nuk fitohet vetëm. Shqipëria ka ende shume nevoje per t'u quajtur shoqeri e civilizuar. Forcat e se keqes kane shume ne dore, por opinioni i shendoshe shoqeror eshte shume me i madh e i fuqishem.
Me respekt e falënderim të veçantë për miqtë e mi kudo brenda e jashtë vendit.

Prof. Dr. Ylli Pango

***********
Ylli Pango, Shekulli

Tuesday, June 22, 2010

Bernd Fischer: Ku bashkohen dhe ku ndryshojnë politika e Berishës dhe e Nanos me Enver Hoxhën

Historiani i njohur amerikan, Bernd Fischer ka bërë një analizë të jashtëzakonshme për Shqipërinë, duke e nisur nga regjimi i Enver Hoxhës deri në ditët e sotme.

Regjimi i hekurt komunist në Shqipëri mbijetoi deri në vitin 1990, pesë vjet pas vdekjes së diktatorit më të madh të saj, Enver Hoxha. Por, shtegu politik i vendit që atëherë është i mbushur me fantazma të pavarrosura, thotë Bernd Fischer. Gazeta “Tirana Observer” e boton të plotë analizën me yje të profesorit amerikan



Shqipëria dhe trashëgimia e Enver Hoxhës*
Kur Enver Hoxha, diktatori stalinist më jetëgjatë i Shqipërisë u varros me nder nën statujën e realizmit socialist Nëna Shqipëri në varrezat e dëshmorëve në Tiranë, data e vdekjes – 11 prill 1985 – nuk u shënua në varrin e tij. Ramiz Alia, i cili pasonte Hoxhën si Sekretar i Partisë së Punës shqiptare, ishte përgjegjës për këtë fakt; ai argumentoi (me një shpirt që sot do gjente jehonë në Piongiang) se një njeri i tillë s’mund të vdiste kurrë.

Është padyshim fatkeqësia më e madhe e Shqipërisë teksa vendi ka shënuar 25-vjetorin e vdekjes së Hoxhës – mes debateve dhe reflektimeve në vend të festimeve të detyruara të kohës së tij –të mund të themi që Ramiz Alia kishte të drejtë.

Vërtet aspektet më të shëmtuara të regjimit të Hoxhës dhe regjimit njëpartiak që zgjati deri më 1990-‘91) janë zhdukur me kohë: Duke përfshirë izolimin e shtetit të tij, vrasjet e pafundme politike, burgosjet, kampet e detyruara të punës dhe vështirësitë e internimeve të gjata. Por disa aspekte të udhëheqjes së tij autoritare vazhdojnë të ekzistojnë: Mungesa e interesimit të përgjithshëm të elitës për mirëqenien e popullit dhe për interesat e shtetit, politikat brutale dhe jotolerante dhe mungesa e rregullit të ligjit. Këto kanë bllokuar rrugën drejt synimeve të vetë-deklaruara të Shqipërisë për vendosjen e një demokracie funksionale, një ekonomie tregu të qëndrueshme dhe një integrim Euro-Atlantik.

Lideri i madh

Dyzet vjetët e udhëheqjes së Enver Hoxhës i lanë një trashëgimi të rëndë Shqipërisë post-komuniste. Ka një pikë në favorin e tij:
Që në periudhën e varfërisë së mprehtë që ai trashëgoi në vitin 1944, e diversifikoi ekonominë përmes një programit të stilit të industrializimit sovjetik, rriti standardet e jetesës, reduktoi influencën e faktorëve ndarës (rajonale, fisnore dhe fetare) në shoqërinë shqiptare, mbrojti integritetin territorial dhe pavarësinë e Shqipërisë; dhe bëri përmirësime specifike në sektorë si shëndeti, arsimi dhe të drejtat e femrave. Mund të duket impresionuese për sa kohë që përshkrimi mbetet në sipërfaqe dhe nuk shihen detajet e tjera.
Gjithashtu, është një fakt tjetër i shquar i sundimit të Hoxhës:
Që ndryshe nga diktatorët e tjerë të Evropës lindore dhe qendrore, që me kalimin e kohës u bënë më pak të egër, Hoxha u bë më ekstremist dhe dyshues, dhe më i fiksuar për të përdorur aparatin e sigurimit të qendërzuar në Sigurimin e tmerrshëm për të penetruar në shtëpitë dhe mendjet e shqiptarëve. Qytetarët mbijetonin (përveç rasteve të rralla heroike) më së shumti duke iu dorëzuar konformizmit dhe apatisë, duke përftuar nga paranoja e udhëheqësit gjithë ditës e duke e asimiluar atë.
Partia e Punës shqiptare dhe anëtarët e saj nuk ishin më mirë duke qenë se Hoxha në mënyrë periodike eliminonte shumë prej kolegëve të tij; asnjë regjim komunist nuk ka provuar aq shumë pushkatime. Teksa procesi zhvillohej, pushteti ishte kufizuar në një grup të vogël të bashkuar nga lidhje tradicionale ose familjare dhe bashkëpunimi i tyre në vazhdimin e spastrimeve vrastare. Regjimi krijoi atë që përshkruhej si kolazh fantazish: një vend të tillë që do bënte një surrealist të qante nga gëzimi. Por, nëse ishte fantazi, ishte një fantazi brutale.

Qëndresa e fundit
Vdekja e Enver Hoxhës la një vakum që u mbush nga i mbrojturi i tij, Ramiz Alia. Lideri i ri u përball menjëherë me probleme serioze ekonomike dhe sociale, produkt i një kokteji të rrezikshëm: Mbi-centralizimi i përbërë nga vendimmarrja e papërshtatshme dhe ideologjike dhe papunësia në rritje.
Ramiz Alia, i cili aspironte të ishte një komunist i reformuar, gradualisht lehtësoi aspektet më shtypëse të regjimit dhe këtë e bëri teksa segmentet më të mënjanuar të shoqërisë u bënë më guximtarë. Alia nuk bëri asgjë veçse reagoi duke kallajisur strukturat ndërsa në thelb po përpiqej të ruante sistemin e Hoxhës. Por, ishte shumë vonë. Shqiptarët panë ndryshimet që përfshinë gjithë Evropën lindore; në shtëpi kushtet e përkeqësuara çuan në zhvillimin e një kulture rruge krejtësisht radikale dhe konfrontuese të një karakteri anarkist.

Goditja finale drejt ndryshimit transformues erdhi nga studentët e Shqipërisë, veçanërisht nga ata të universitetit të vetëm në vend, të Tiranës. Ata, ndryshe nga pjesa më e madhe e intelektualëve, ata ishin të prirur të rrezikonin për të shfaqur hapur mospranimin e sistemit. Alia dërgoi Sali Berishën, një prej anëtarëve të parë që mbrojti pluralizmin politik e prandaj synoi të fitonte autoritet mes studentëve, për të shërbyer si ndërmjetës. Berisha e përdori me mjeshtëri këtë rol për të komanduar e më pas drejtuar protestat, të cilat e detyruan Alinë të dorëzonte monopolin e fundit politik të Evropës. Që atëherë, në një mënyrë a tjetër Berisha ka dominuar Shqipërinë.

Presidenti i ri - i vjetër
Sali Berisha, kardiologu i shquar i Shqipërisë, kishte qenë komunist dhe një kandidat për anëtar në Komitetin Qendror të Partisë. Por në kohën që ai u bë president i Shqipërisë në vitin 1992 ai e pa posterin anti-komunist si valë të së ardhmes dhe përdori hakmarrjen ndaj ish-komunistëve për të shpërqendruar popullsinë nga të dhënat e tij personale. Por, të lihej mbrapa Hoxha ishte shumë më e vështirë se ç’ishte parashikuar. Berisha drejtoi një ndryshim të thellë ekonomik dhe social. Ai adoptoi “shok-therapy” të huazuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar: privatizime të shpejta, ndihmë sociale që doli jashtë funksionit dhe biznese margjinale. Rezultati ishte papunësia masive dhe – për dhjetëra mijëra, të cilët vareshin tek ndihma sociale e qeverisë – varfëria ekstreme. Brenda një natë shqiptarët u çliruan nga një prej strukturave sociale më izoluese dhe kufizuese në Evropë me premtimin e lirisë personale dhe komoditeteve. Dhe më e mirëpritura, bashkë me anët pozitive dhe negative ishte lëvizja: Qindra mijëra shqiptarë u larguan jashtë vendit.
Por, në aspekte kyçe, kthetrat e Hoxhës tek pasardhësit e tij qëndruan të forta. Berisha dhe elita tjetër e Tiranës kishin të njëjtin qëndrim autoritar dhe jo tolerant që pengonte kompromisin dhe negociatat e nevojshme që Shqipëria të ecte drejt demokracisë. Partia Demokratike u bë një vegël personale për pushtetin e Berishës teksa refuzoi të lejonte disidentët e brendshëm dhe goditi sfiduesit me gjithçka kishte në dispozicion (edhe dhunë), pa marrë parasysh koston që i shkaktonte demokracisë së Shqipërisë. Fushatat e tij zgjedhore të kujtonin propagandën e epokës komunistë, me Berishën që i quante kundërshtarët “terroristë” dhe një “front i kuq” i ndihmuar nga armiqtë e përhershëm, serbët dhe grekët. Forcat e tij të sigurimit dhe banditët u pozicionuan për të përçarë fushatat e opozitës dhe për të kërcënuar e sulmuar mbështetësit e opozitës, kandidatët e madje dhe shtypin.

Kryeministri i vjetër – i ri

Kombinimi fatal i këtyre politika dhe trajtimi i paaftë i një skandali që kishte të bënte me skemat piramidale të investimit e rrëzuan Sali Berishën në vitin 1997 në atë që mund të quhet kryengritja e parë popullore me armë e suksesshme e Evropës që prej shekullit të 19-të.

Trazirat në rritje u përshkallëzuan në rebelim të plotë, teksa ushtria u shpërbë. Policia sekrete brutale e Berishës nuk mund t’i ndalonte njerëzit të bastisnin rreth një milionë kallashnikovë, bashkë me tanke dhe artileri të ndryshme e madje dhe predhat e famshme kineze. Dhuna që erdhi pas shkaktoi mijëra vdekje dhe detyroi Berishën të jepte dorëheqjen i turpëruar dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja. Opozita erdhi në fuqi në një proces që ishte një turp demokratik, por komuniteti ndërkombëtar nuk kishte zgjedhje, përveç se të pranonte rezultatin.
Kryeministri i ri, Fatos Nano kishte qenë kryeministri i fundit i regjimit të shkuar.
Ai ishte gjithashtu një krijesë e epokës së Hoxhës dhe i mbyllur në kulturën politike të hakmarrjes dhe autoritarizmit. Në shumë mënyra, ai ishte mishërimi i asaj kulture: Një person i favorizuar nga bashkëshortja e Hoxhës, Nexhmija, ai kishte kundërshtuar pluralizmin real dhe ekonominë e tregut deri në fundin e udhëheqjes një-partiake. Toni i Nanos; si i Berishës dhe i Hoxhës kishte tendencën të ishte dogmatik, konfrontues dhe i fokusuar në arritjen e qëllimeve. Ai mblodhi në rrethin e tij të ngushtë përkrahës së rrugës të ashpër, la mënjanë shumë reformues të dedikuar dhe shtypi diskutimet e brendshme në parti. Nano, ashtu si Berisha, gjithashtu gërreu themelet e idesë së një shërbimi civil të pavarur duke spastruar aparatin e sigurimit, të drejtësisë dhe administratën e shtetit, e thuajse gjithë ambasadorët dhe gjeneralët. Nano, pasi thuajse u përmbys në një grusht shteti të projektuar nga Berisha më pas instaloi një regjim korrupsioni që mund të pasuronte atë dhe të shpërblente mbështetësit e tij. Edhe njëherë tjetër, puna thelbësore në të mirë të njerëzve u injorua. Por, kur qytetarët e neglizhuar patën rastin ta zëvendësojnë, e vetmja zgjedhje ishte Berisha.

Humbja finale
Sali Berisha “i ri”, i cili u kthye në pushtet në vitin 2005 dhe e ka mbajtur atë që atëherë ka hequr dorë nga dhuna dhe ekstremizmi që ka karakterizuar presidencën e tij. Është arritur një farë progresi, por shumë prej mënyrave “Hoxha-iste” vazhdojnë të enden në atmosferë. Pjesa më e madhe e energjisë së Berishës i dedikohet zgjerimit të sundimit të tij nëpërmjet kontrollit të rritur të qeverisë lokale dhe institucioneve administrative të pretenduara të pavarura. Zgjedhjet në Shqipëri vazhdojnë të jenë të rrethuara nga sharjet dhe një shkallë e caktuar dhune duke rezultuar shpesh në rrugë pa krye politike, të cilat shtyjnë punën për reformat aq shumë të nevojshme.
Vërtet, zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 kishin një performancë më të mirë, por ato u gjymtuan nga dhuna para-zgjedhore, politizimi i aspekteve teknike, raportime për intimidim të zgjedhësve dhe parregullsi në numërimin e votave. Shumë vëzhgues vendas dhe ndërkombëtarë vazhdojnë të kërkojnë masa urgjente në reformat zgjedhore dhe gjyqësore, rritje të vëmendjes nda korrupsionit qeveritar dhe lidhjeve të qeverisë me krimin e organizuar, si dhe forcimin e ligjit.

Vitet e Enver Hoxhës ishin një histori mbijetese personale dhe elitare, pushteti të pamëshirshëm, shtypje mizore, spastrimi masiv dhe fanatizmi ideologjik. Një çerek shekulli pas vdekjes së tij dhe thuajse dy dekada pas rënies së komunizmit Shqipëria vazhdon të luftojë për të kompletuar tranzicionin demokratik. Përmbushja e tij do ishte mundja e fundit dhe përfundimtare e diktatorit të vjetër.
*Marrë nga “OpenDemokracy”

T. Observer

Hetuesi nga Shkodra: Kam zbuluar misterin e Stonehenge

Një hetues i Prokurorisë së Shkodrës i apasionuar pas mistereve, pretendon se ka zbuluar kodin e masivit të çuditshëm guror të Salisburit.

SHKODËR - Nazmi Selimi, nga qyteti i Shkodrës, është një kërkues shkencor autodidakt që merret me studimin e lashtësisë. Me arsim të lartë Ekonomik, ai prej shumë vitesh punon hetues në prokurorinë e Shkodrës, aktualisht në hetimin e krimit ekonomik.

Siç deklaron ai vetë për gazetën "Shekulli", zbulimi i mistereve e ka tërhequr dhe prej 10 vitesh i është përkushtuar me pasion kësaj pune. Nazmiu shprehet se ka arritur të bëjë ç'kodimin e një prej monumenteve të lashtësisë akoma mister, atë të Stonehenge, duke hartuar dhe kalendarin përkatës.

Verifikimi i këtij pretendimi i mbetet sigurisht ekspertëve të fushës, por ne e pyetëm në një intervistë të shkurtër z. Selimi, për çfarë bëhet fjalë konkretisht: "... Objektivi im ka qenë që para 21 qershorit, ditës së Solsticit Veror që festohet nga neopaganët ose neodruidët në Stonehenge, të bëja publik atë që kam mundur të realizoj ç'kodimin e parë të Stonehenge, kalendarin diellor.
Pra, t'ju tregoj se gurët e këtij monumenti të lashtësisë nuk shërbejnë vetëm për të shënuar ditën e Solsticit Veror, por janë një kalendar i saktë diellor me një ndryshim prej afro 2 sekondash"
- thotë ai.
Objekte, kryesisht tempuj të lashtësisë që në një ditë të caktuar dhe vetëm atë ditë, një pikë e tyre në brendësi të objektit ndriçohet nga rrezet e diellit, janë të shumtë. Të tilla ka në Egjiptin e lashtë etj. "Të habit fakti se si studiuesit e inxhinierët e sotëm nuk mund ta arrijnë një gjë të tillë.

Projekti i ndërtimit të hidrocentralit të Asusanit mbi lumin Nil në Egjipt përfshinte përmbytjen e tempujve dhe shtatoreve gjigante. Ato i zhvendosen, por gjatë rivendosjes kurrsesi nuk u arrit që në një ditë dielli të ndriçonte një pjesë brenda në tempull. Kjo tregon se të lashtët kanë ditur diçka më shumë se ne" - shton Nazmi Selimi.

Z. Nazmi, a jeni i sigurt se e keni ç'koduar Stonehenge dhe ku e mbështesni këtë?

Matematika është matematikë. Që nga shtatori i vitit 2009, unë e kam provuar me mijëra herë dhe përfundimi është veç saktësia. Jam detyruar të studioj të gjithë kalendarët e lashtë të sumerëve, egjiptianëve, majave etj., si dhe ato të sotëm.
Ky nuk ngjason me asnjërin, por është më i përkryeri dhe shumë më i përsosur se kalendari i sotëm. Unë kam afro 40 vjet që merrem me kërkimin e mistereve.

Të dhëna që për shumë njerëz janë të parëndësishme për mua kanë vlejtur shumë. Kështu para 20 viteve, në Selcë të Vermoshit unë kam takuar një të moshuar, i cili parashikonte me saktësi motin, jo për një ditë apo për një javë, por për 6 muaj.

Formula që përdorte selciani nuk ishte asgjë tjetër, veç rregullsia e përsëritjes së ditës që shprehet në kalendarin e Stonehenge. Përveç kësaj, më kanë ndihmuar dhe detaje të tjera që duken të vogla.

Po ju nuk keni qenë asnjëherë në Stonehenge dhe pretendoni se e keni ç'koduar... Ndërsa janë të shumtë studiuesit dhe qendrat shkencore në botë që merren me Stonehenge.

Si e shpjegoni këtë?


As deshifruesit e mëdhenj si Shampolioni e Juri Knorosov nuk i panë nga afër Piramidat e Egjiptit dhe të Majave, por i deshifruan hieroglifët e Egjiptit të lashtë dhe shkrimet e Majave.

Francezi Shampolioni nuk ishte akademik, ai veç këmbënguli dhe vërtetoi të kundërtën e asaj çfarë mendonin "baronët e shkencës", që një hieroglif, pra një figurë paraqet veç një germë. Unë nuk kam titull shkencor, nuk bëj pjesë në asnjë staf shkencor, por edhe Juri Knorosov ishte veç një vrojtues artilerie në Luftën e Dytë Botërore.

Ai vrojtoi librat që po digjeshin në bibliotekën e Berlinit dhe mori fjalorin e një prifti spanjoll, dhe kjo vepër e gjetur rastësisht prej tij e ndihmoi në studimet e mëvonshme.
Punimet kryesore në Stonehenge i ka kryer një kolonel. Edhe në Giza, ishin xhenierët e Napoleonit që konstatuan se piramidat fshihnin të dhëna të sakta.
Unë jam ushtarak karriere me gradën Major i Logjistikës. Jam hetues me profesion dhe shumë kohë e kaloj duke studiuar misteret e lashtësisë.

Përse nuk i paraqisni rezultatet e punës suaj, atë çfarë pretendoni se keni zbuluar, tek institucionet shkencore përkatëse?

Kam tentuar. Kam shkuar tek drejtues të Akademisë së Shkencave dhe tek departamenti i fizikës në Universitetin e Tiranës.

Ato janë treguar shumë njerëzorë me mua, por mënyra e dorëzimit të materialit nuk më pëlqeu. Ne nuk kemi një ligj që të garantojë pronësinë intelektuale, çdo zbulim mund të vidhet para se të botohet.

Për ç'kodimin e Stonehenge, National Geographic Society kishte vendosur dikur një çmim. Afati i ofertave ka mbaruar, por jo interesi për të. Jam duke u përpjekur që të lidhem me institucionet e interesuara në Angli e SHBA.

ÇFARË ËSHTË STONEHENGE?

Kompleksi megalitik i Stonehenge është ndërtuar në Salisbury të Britanisë së Madhe, rreth vitit 3200 para Krishtit, në kohën kur u ngritën dhe piramidat e mëdha të Egjiptit. Përbëhet nga unaza të mëdha guri dhe ka një mori vrimash në terren në formë rrethore.
Nuk është ende e qartë për çfarë ka shërbyer dhe është po kaq e paqartë se si janë zhvendosur dhe pozicionuar gurë me peshë dhe madhësi të atillë të jashtëzakonshme.

Një pjesë e studiuesve mendojnë që është ndërtuar nga banorë antikë si një vend kulti, një pjesë tjetër si një kalendar gjigant për të mbajtur "shënim" ecjen e muajve, stinëve, viteve, të tjerë debatojnë rreth faktit nëse ishte një observator gjigant astronomik.

Termi Stonehenge nga anglishtja përkthehet fjalë për fjalë "gur i varur". Sot ky vend është shndërruar në një vend turizmi masiv, si dhe vend pelegrinazhi për ndjekës të feve të reja neopagane.

Anila Dushi, G. Shekulli

Shqiptarja që vret burrat dhe dashnorët në Shqipëri e Greqi

Shtepia ku u arrestua, viktima dhe e dyshuara skenar filmash, pasi deri më tani, Hollivudit i mungon.


Eva Zhonga, një 54-vjeçare nga Saranda me origjinë minoritare greke, është shndërruar në femrën më të frikshme të Greqisë, raporton sot gjerësisht NOA.

Një histori sa e frikshme aq dhe shtepia,e pabesueshme.

Për vite me radhë, “i ka ngrënë” burrat, ca duke u marrë pasuritë në fund të jetës, sigurisht të zgjedhur sa më pleq të mundej dhe ca duke i vrarë, nga padurimi për të marrë milionat.

Eva, ose Evangjeli Zhonga, siç është identiteti i saj i plotë, lindur në Sarandë dhe banuese prej shumë vitesh në Greqi, nuk do të arrestohej, madje do të përlante dhe plakun e radhës me të cilin u gjet ditën e djeshme kur iu vunë prangat, nëse nuk do të zbardhej vdekja dhe përçudnimi i kufomës së biznesmenit grek, që NOA raportoi pak ditë më parë.

Zbardhet në këtë mënyrë vrasja makabre dhe fshehja e kufomës së biznesmenit grek Tasos Tcagaropulos, 40-vjeçarit nga ishulli Xakinthos i cili jetonte prej vitesh në Athinë dhe një vit më parë u shpall i zhdukur dhe familja kërkoi ndihmë nga emisioni televiziv “Fos sto tunel” (Dritë në tunel” për të gjetur të afërmin e tyre.

Paraditen e sotme në orën 10.30, 54-vjeçarja Zhonga është paraqitur pranë gjykatës së Patrës dhe në prani të prokurorit ka pohuar se ishte ajo vrasësja e biznesmenit grek.

Por më herët, natën e mbrëmshme kur u arrestua, gruaja refuzoi të pranojë se ishte ajo autore e krimit. Madje akuzoi të dashurin e saj, një takist 38-vjeçar shqiptar duke thënë se ishte ai vrasës i biznesmenit. Por policia greke thotë se 38-vjeçari shqiptar, dyshohet se vendosi kufomën poshtë pllakave të dushit, kurse vrasja është bërë prej 54-vjeçares, dhe sipas dëshmive të saj, e ndihmuar nga i shoqi plak por që edhe ai ka vdekur.

***

Në dëshminë e sotme, Eva Zhonga pranoi se ishte pjesëmarrëse në vrasje. Ajo tha sot se vrasjen e kishte bërë bashkëshorti i saj i tretëm një 65-vjeçar, pikërisht në muajin prill të vitit të kaluar, pak pasi u shpall i zhdukur biznesmeni. Por bashkëshorti i tretë i 54-vjeçares, ka vdekur verën e kaluar, sipas të dhënave mjekësore, i sëmurë, pak pasi ishte groposur biznesmeni grek i shpallur si i humbur. Policia konfirmoi se po heton edhe këtë vdekje nën dyshimet se edhe ky 65-vjeçar është vrarë nga gruaja “merimangë”.

Policia e Patrës duke folur për hetimin e ngjarjes së zbuluar në fshatin Dhiakofto, tha se ka marrë në pyetje pronarin e shtëpisë përdhese njëkatëshe. Ai ka treguar se kishte dhënë me qera deri para disa muajsh banesën tek gruaja shqiptare e cila paguante rregullisht në dorë por u zhduk befas dhe ai ia lëshoi shtëpinë një çifti grek. Kurse theksoi: “Nuk kam asnjë lidhje me vrasjen. Unë thjesht dhashë banesën me qera dhe nuk di asgjë tjetër se çka ndodhur aty brenda”. Policia tha se ka ngritur akuzë ndaj pronarit të shtëpisë për fshehje taksash për qeradhënie.

Ndërkaq, policia e Patrës ka marrë në pyetje në cilësinë e dëshmitarit dhe një mashkull shqiptar i cili ka telefonuar në emisionin e të humburve në TV duke treguar të dhëna mbi zhdukjen e biznesmenit grek. Këto të dhëna dhe ato që dha fqinja në banesën e 54-vjeçares qeraxheshë, çuan policinë në zbulimin e frikshëm të pllakës së dushit që nën të mbante trupin e masakruar të biznesmenit të zhdukur.

Policia ka zbardhur detaje nga dëshmia e të riut shqiptar. Ai ka thënë se ishte thirrur në telefon për të shkatërruar dushin e vendosur te banjo e shtëpisë me qera. “Më kërkuan që të shkatërroja dushin por unë nuk pranova sepse për ta bërë këtë duhet të më jepte lejë vetëm pronari i shtëpisë dhe jo qeramarrësja”, - ka dëshmuar emigranti shqiptar.

***

Gruaja “merimangë”, siç identifikohet emigrantja shqiptare nga shtypi grek, ka identitetin Evangjeli (Evi) Zhonga, 54 vjeçe lindur në Dhiver të Sarandës në Shqipëri por ajo ka ndërruar emër sepse më parë ka pasur emrin Panago Zhonga. Gruaja “merimangë” është arrestuar mbrëmjen e së Dielës në Luca të Athinës. Ishte një telefonatë në emisionin televiziv që tregoi se aty pranë jetonte një grua e ngjashme me atë që ishte parë të kishte lidhje me biznesmenin e zhdukur. Në të njëjtën kohë gjatë emisionit, vajza e plakut kishte parë foton e të kërkuarës në transmetim dhe bëri thirrje për ndihmë: ‘Shpëtoni tim atë nga duart e kësaj vrasëseje”, - ishte apeli që çoi policinë në banesën e të atit.

Policia shkoi në Luca dhe arrestoi të dyshuarën e cila prej dy muajsh jetonte në shoqërinë e një tjetër plaku të cilit i kishte hedhur karremat për të qenë ai viktima i radhës së gruas që “han” burrat.

“Gruaja merimangë” pohon se është martuar tre herë dhe ka katër fëmijë nga këto martesa.

Policia zbardhi se 54-vjeçarja kërkohej për dhjetë akuza të ndryshme, mes të cilave dy për vrasje të kryera në Shqipëri si dhe një për grabitje. Shtrirja e krimeve të 54-vjeçares vërehet në disa zona të Greqisë, për vetë metodën e jetesës së përkohshme në lokalitete të ndryshme që zgjidhte e dyshuara të bënte.

“Gruaja merimangë” ka rrëfyer si vdiq Tasos Tcagaropulos: “Kur erdhi në shtëpi, i dhashë një kafe, por aty kisha futur brenda ilaç gjumi. Kur filloi të zalisej, ishte im shoq që e goditi me sqepar katër herë në kokë. Kurse unë e godita me thikë, duke i futur thikën tre herë në fyt”, - ka dëshmuar 54-vjeçarja. Më pas ka vazhduar: “Që të dy, e morëm kufomën dhe e futëm poshtë në bodrum. Aty hapëm një gropë poshtë pllakës së dushit dhe e varrosëm. Pastaj u vendos sipër një pllakë e re dushi.

Duke folur për masakrën e ndodhur në shtëpinë që ajo kishte me qera, Eva ka deklaruar se kishte lidhje intime me biznesmenin grek Tasos Tcagaropulos.

“Gruaja merimangë”, tha se kishte mosmarrëveshje ekonomike me Tcagaropulos. 54-vjeçarja tha se biznesmeni e shfrytëzonte prej disa vitesh kundrejt seksit me para. Ajo shkonte me burra pleq dhe paratë që nxirrte i merrte greku që kishte si dashnor dhe si tutor.

Në këto rrethana, 40-vjeçari duke qenë se e dinte që gruaja kërkohej për mori akuzash nisi ta kërcënojë se do të tregonte ku fshihej dhe këtu, precipitoi vendimi për ta vrarë.

***

Një prej fëmijëve, vajza, është vetëvrarë në Sarandë, pak pasi e ëma i mori jetën në mënyrë makabre të atit duke e copëtuar trupin e tij, ngjarje e ndodhur në vendbanimin e tyre disa vite më parë kur edhe e dyshuara u arratis në Greqi.

Ajo që kishte ndodhur ishte vërtet makabre. Gruaja e kishte vrarë të shoqin në sy të fëmijëve dhe më pas e kishte copëtuar. Për ta zhdukur trupin, çdo mbrëmje, për disa ditë me radhë, hidhte në kazanin e plehrave copa të trupit të të ndjerit.

Ngjarja atëherë u zbulua por gruaja “merimangë” bëri vetëm dy vjet burg, pohon Policia e Patrës, referuar të dhënave që ka marrë nga Interpol Tirana.


Gruaja rezulton person në kërkim nga Policia shqiptare dhe Interpol Tirana. Pasi vrau të shoqin në Sarandë dhe iku në Greqi, ajo ia mbathi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku peshkoi një burrë të pasur me të cilin dhe u martua duke fituar boll para nga kjo martesë. E bindi të shoqin e radhës që të kthehen në Greqi. Por atje e braktisi, pasi e la në një azil pleqsh ku edhe ai ndërroi jetë pak kohë më vonë.

Njëkohësisht mbi të dyshuarën Zhonga kanë vërshuar denoncime për rrëmbim pasurie nga familjarë të 13 burrave pleq në Kretë, Volos, Selanik dhe Peloponez, kryesisht në zona rurale.

Burimi: http://acpress.publiku.com/note/214410/shqiptarja-qe-vret-burrat-dhe-dashnoret.html