Policët, bij nënash shqiptare, vihen përballë turmave që kundërshtojnë zbatimin e një vendimi pronësie, apo prishje objekti. Dihet që këta protestues nuk janë keqbërës, nuk dolën rrugëve të thyenin dyqanet apo institucionet e shtetit, të cilat policia është e detyruar t'i mbrojë. Ata kundërshtojnë një vendim që cenon drejtpërdrejtë interesat e tyre jetike, Interesa që janë ushqyer nga përfaqësues të po këtij shteti me fjalimë elektorale.
Pra, ata kundërshtojnë një institucion të caktuar shtetëror i cili edhe para marrjes së vendimit, por dhe më pas është i detyruar të provojë që në këtë rast veprohet plotësisht në përputhje me ligjin dhe njëkohësisht dhe me interesat e komunitetit. Nëse nga njëra anë i drejtohesh me dhunë komunitetit dhe nga ana tjetër i bën me "shenjë" ca Fazlliçëve të bëjnë gati telat të rrethojnë territoret e pastruara, kjo irriton jo vetëm viktimat e këtyre veprimeve, por dhe ne si qytetar të paanshëm.
Policia nuk është thjesht vegël e shtetit që mund të përdoret apo aq më pak të keqpërdoret. Ajo është jo vetëm përfaqësuese direkte e shtetit, por dhe një institucion me atribute të posaçme ashtu siç i kanë dhe institucionet e tjera të shtetit. Dhe këto atribute i ka që nga polici i thjesht e deri te kuadri më i lartë i policisë. Pra, në qoftë se një polic i caktuar goditet me shkop në Hamallaj, apo nën breshërin e gurëve ikën me vrap si në Orikum apo gjetkë, kjo do të thotë se është goditur po ashtu me shkop dhe Drejtori i Pergjithshëm i Policisë së Shtetit, dhe po ashtu është "larguar me vrap" nga vendi i shërbimit bashkë me policin edhe ky drejtor i lartë.
Ose, në qoftë se policia në aktivitet arreston në kundravajtje ligjore qytetarë, dhe pak më pas, nën presionin e turmës, detyrohet t'i lirojë ata, atëherë këtu nuk bëhet fjalë për dështim të repartit përkatës të policisë, por për dështim të hierarkisë policore deri tek drejtuesi me i lartë. Nuk po vë në të njëjtin pozicion këtu Ministrin e Brendshëm i cili veprimin e vetëm profesional që ka mësuar nga puna në këtë institucion është të mbajë dhe të komunikojë me radio në majë të ndonjë tarrace.
Pra, lind pyetja ku është profesionalizmi këtu?
Imazhi i policit të tmerruar që iken me vrap nga vendi ku i thonë të veprojë është i turpshëm, por në këtë rast nuk është turp i individit që ishte veshur me uniformën e policit. Ishte turp i drejtuesve të tij, i "strategëve" që projektojnë operacione të tilla, ishte deshtim i profesionalizmit në hierarkinë ushtarake policore që pranon t'u hyj aventurave politike dhe të bëhet lodër në duart e abuzuesve me pushtetin, e grabitesve dhe uzurpatorëve të pronës.
Kjo mënyrë të vepruari e hierarkisë ushtarake policore nën presionin e politikëse, nuk ka sjellë vetëm situata turpërimi moral, por dhe pasoja tragjike, edhe vrasje të policëve të pafajshëm për të cilat nuk kemi dëgjuar që frymezuesit apo dikush nga hartuesit dhe drejtuesit e operacioneve të dështuara të mbajë përgjëgjësi.
Si kofini pasi të vjelin ndodh ngjarja tragjike shfaqen me maska hipokrizie ata që duhet të mbajnë përgjëgjësi dhe hedhin parrulla dhe lotë krokodili. Veprime të policisë me pasoja të tilla sjellin dy të këqija të medha:
- E para, kultivojnë urrejtjen e policit të thjeshtë ndaj njerëzve të popullit, jo ndaj keqbërësve të vërtetë. E kjo është fatkeqesi e institucionit i cili kthehet në një lodër në duart e pushtetarëve abuzues, të paafte të veprojnë në bazë të ligjit.
- E dyta, shtojnë mosbesimin e njerëzve tek institucioni i policisë, bjerrin mendimin se kjo polici mund ta kryej ndonjëherë misionin e saj në sherbim të qetësisë, sigurisë e garancisë së jetës e pronës së njerëzve.
Letër e nënshkruar H.Y. / Shqipëri e Mesme