Saturday, September 4, 2010

Sami Frashëri (?)

Sami Frashëri është ideologu më i shquar i lëvizjes sonë kombëtare. Si udhëheqës ideologjik, demokrat, mendje e ndritur prej dijetari, ai mbetet një nga personalitetet më të rëndësishëm të Rilindjes.
Vëllai më i vogël i Abdylit e i Naimit, ai lindi në Frashër më 1850, ku mori edhe mësimet e para. Më 1871 mbaroi gjimnazin "Zosimea" në Janinë, mësoi gjuhë të vjetra e të reja dhe u pajis me një kulturë të gjerë. Më 1872 shkoi në Stamboll për punë dhe atje u lidh menjëherë me patriotë shqiptarë, me Pashko Vasën, Jani Vreton, Ismail Qemalin, Kristoforidhin, Hoxha Tasinin etj. Samiu u dallua shumë shpejt midis tyre dhe, me formimin e shoqërisë së Stambollit, u zgjodh kryetar i saj, ndonëse ishte nga më të rinjtë. Gjer në fund të jetës ai mbeti udhëheqësi kryesor i kësaj shoqërie. Samiu ishte njeri me horizont të gjerë dhe dha ndihmesë të shquar për kulturën turke. Drejtoi disa gazeta turqisht, ku mbrojti edhe të drejtat e kombit shqiptar. Botoi në turqisht edhe një varg veprash letrare e shkencore.

Shkroi romanin e parë të letërsisë turke me titull  Taashuk-i Talat dhe Fitnat (1872)”

Shkroi  enciklopedinë e parë turke “Kamus-ul Alam (1889-1898)

Shkroi  fjalorin e parë [në kuptimin e plotë të fjalës] modern turk “Kamus-i Turki (1901).

Gjithashtu ka shkruar edhe fjalorët “Kamus-i Fransevi” frengjisht dhe “Kamus-i Arabi” arabisht.



Çfarë pikëpyetjesh ju ngrenë këto fakte?

STOP INJORANCES!

Ndrysho

Nga të gjitha anët e botës së përparueme po bëhen protesta kundër mbytjes shtazarake mesjetare me gurëzim (mbytjes me gur) të gruas iraniane, Sakineh Mohammadi Ashtiani. Janë mobilizuar shumë personalitete shtetërore, kulturale, si dhe mbi të gjithë Organizata Ndërkombëtare "Amnisty International" për mbrojtjen e të "Drejtave të Njeriut" .


Të gjithë shqiptarët me të drejtë kanë kërkuar dhe kërkojnë edhe sot mbrojtjen e të drejtave të Njeriut për vete, siç ishte rasti i genocidit të kosovarëve nga kriminelët ekstremistë serb, por njëkohësisht duhet që edhe na të japim kontributin tonë për mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut të atyre që sot janë në po ato pozita, siç ishim na gjatë kohës së diktaturës kriminale komuniste apo gjenocidit serb.
Kjo grua iraniane me vendim të gjykatës supreme të Republikës Islamike të Iranit mbahet në burg tash katër vjet nën tortura dhe nën pritjen e vdekjes së tmerrshme nëpërmjet gurëzimit, do të thotë, pasi të jetë futur në dhe deri në gjysmë të trupit të saj, ajo të ekzekutohet me vdekje nga një grup ekzekutorësh me anë të gjuajtjes me gur në fytyrë dhe mbi kokë.


Këto lloj ekzekutimesh në shekullin e XXI janë vazhdimi i mënyrave të tmerrshme mesjetare me tortura fizike, të cilat janë forma më çnjerëzore dhe që mjerisht vazhdojnë të zbatohen edhe sot e kësaj dite në disa vende islamike.
Pasi Republika e Shqipërisë e ka hequr krejtësisht dënimin me vdekje, shqiptarët duhet të solidarizohen me protestat ndërkombëtare kundra këtij ekzekutimi kriminal me vdekje.

Deri më 12.07.2010 janë mbledhur 39.463 firma shqiptarësh drejtuar direkt liderit të Republikës Islamike, Ayatollah Sayed Ali Khamenei (The Office of the Supreme Leader - Islamic Republic Street - End of Shahid Keshvar Doust Strët - Tehran, Islamic Republic of Iran).


Solidarizimi mund të dërgohet edhe në mënyrë direkte nëpërmjet postes elektronike E-mail: info_leader@leader.ir. Shpresoj se edhe lexuesit shqiptar do të solidarizohen kundra gurëzimit të një gruaje.





Letër e nënshkruar Paul Tedeschini, G. Shekulli

Thursday, September 2, 2010

Lazarati, Kolumbia shqiptare e drogës

Lazarati vijon të mbetet "Kolumbia shqiptare e drogës" megjithë deklarimet e zyrtarëve të policisë. Trafiku i drogës e ka bazën e vet të furnizimit në këtë komunë, ku ende policia shqiptare nuk ka kontroll të plotë                                                      


 Përkundër deklarimeve të zyrtarëve të policisë dhe politikanëve, në Lazarat edhe këtë vit janë mbjellë plantacione të konsiderushme me drogë. Lazarati është sot, do të jetë dhe në muajt e ardhshëm, destinacioni kryesor i furnizimit të trafikut. Flas me një mësuese, që natyrisht nuk identifikohet, rreth situatës sociale në këtë komunë. Ajo si e zënë në faj thotë: "Kemi bërë biseda me nxënsit në rradhë të parë, pastaj me persona të caktuar në fshat."

Ndërkaq një nga ish maturantet e shkollës së mesme të fshatit që këtë vit dëshiron të studiojë për jurisprudencë më drejtohet me revoltë: "pse të mos përmendet emri Lazaratit siç është bërë pak kohë më parë, jo për të këqiat që mund të ketë, por për anët e mira të tij. Të shtyrë nga përfitimet materiale, prindërit tanë nuk e kuptojnë dëmin që na shkaktojnë ne."

Sa më tepër të mbjellësh aq më i zoti dukesh në sy të fshatit
Po situata në terren është krejt tjetër. Mbjellja e bimëve narkotike është thuajse një garë mes banorëve se kush të mbjellë më tepër. Sa më tepër të mbjellësh aq më i zoti dukesh në sy të fshatit. Ja si më përgjigjet një banor i kësaj komune: "E përditshmja është e rëndë, s'kemi asnjë të ardhur apo njeri në punë. Mbjellim, mbjellim dhe atë që mbase nuk lejohet. Sakrifikojmë. Çdo gjë e bëjmë nga e keqja. Jam pa punë, i kam të gjithë pa punë. Bëjnë të gjithë, do bëj dhe unë."

E të njëjtit mendim është dhe një tjetër e moshuar aty pranë që pa ja bërë syri tërr të jep gjithë qytetarinë e statusin social të kultivuesve të hashashit. "...punoj, mbledh hashash, s'kam ç'bëj, punoj. Këtë mënyrë jetese kam."


Pushteti lokal thirrje komunitetit të largohet nga ky fenomen
Përballë kësaj situate, pavarësisht konferencave rajonale, tregimeve publike, pritje - përcjelljeve të ambasadorëve e mitingjeve elektoralë, Kryetari komunës Dasho Aliko gjen rastin të bëjë apel: "I bëj thirrje gjithë komunitetit tim të largohen nga ky fenomen."
Edhe Prefekte e qarkut Mimoza Como, si kryetare e Komitetit shtetëror antitrafik pohon një varg masash të ndërmarra: "Jemi të gjithë të interesuar e të impenjuar që ky fenomen të minimizohet."
Por pavërsisht gjithçkaje, mediatizimit, thirrjeve, sensibilizimit, herë - herë dhe manipulimit, plantacionet e mbjella me hashash rriten sovrane në Lazarat. Helikopterët e policisë filmojnë, ndërkohë që nga poshtë vijnë breshëri armësh dhe policia ende nuk ka kontroll të plotë në brendësi të "Kolumbisë shqiptare të drogës".

Ministri Basha dhe policia paralajmërojnë masa të ashpra
Drejtori përgjithshëm i policisë së shtetit Hysni Burgaj në një takim me drejtuesit vendorë të policisë: "Kam gjithë informacionin e duhur për parapërgatitjet që po fillojnë nga disa persona që po penalizojnë jo vetëm Gjirokastrën por mbarë Shqipërinë. Veprimet e policisë do jenë tepër të ashpra."
Vetë Ministri brendshëm Lulzim Basha, që tashmë e njeh më në thellësi fenomenin, duke folur për baronët e drogës në Lazarat u shpreh: "Ai grusht njerëzish do të ndjejë peshën e fortë të ligjit dhe do të përballet me drejtësinë çdo ditë, çdo javë, në ditët e muajt që do të vijnë."
Të presim deri sa grushti i shtetit të godasë seriozisht për të fshirë njëherë e mirë nga harta ballkanike, "kolumbinë shqiptare" të drogës. 




 Odise Kote:Shekulli

“Carla Bruni është prostitutë”

Shtypi iranian sulmon me fjale fyese dhe shumë të rënda zonjën e parë të Francës, Carla Bruni. “Prostitutë dhe imorale” shkruan shtypi qeveritar për bashkëshorten e Nicolas Sarkozy pasi ajo kishte firmosur një peticion për lirimin e Sakineh Mohammadi Ashtiani, gruas së dënuar me vdekje për marrëdhenie jashtë kurore.

Për momentin autoritetet iraniane kanë pezulluar ekzekutimin me varje pas presionit dhe protestave në perëndim.                                                                                                                                                                                  

T. Observer

A jeton elita në këtë shoqëri?

Çështja e elitave, pranisë apo mospranisë së saj në jetën e shqiptarëve, shpeshherë shtrohet e rishtrohet në shtypin e përditshëm dhe emisionet televizive. Ky rikthim debati për elitat në fakt nënkupton shqetësimin e shumë qytetarëve për zërin e elitës - pra të asaj pjese të shoqërisë që shihet si e përzgjedhur për dhënien e opinioneve dhe ideve për të tashmen, të djeshmen e të ardhmen, që mirërregullon marrëdhëniet në shoqëri.

Por, a kemi ne realisht sot një elitë që debaton, sugjeron, kundërshton, jep ide, duke pasur parasysh interesat dhe identitetin e shqiptarëve?

Natyrisht që kjo është një temë që nuk mund të zgjidhet me disa debate mediatike, që bëhen për mungesën apo praninë e elitës. Më e udhës natyrisht që do të ishte t'u kërkonim një llogari lidhur me dhënien e mendimit, pikërisht atyre që paguhen si të tillë. Është pikërisht kjo pjesë e shoqërisë, që është paguar për të menduar, botuar, apo dhënë ide, që do t'i shërbenin shoqërisë, e cila duhet të ishte kujdesur së pari për statusin e vet, e më pas t'i kërkonte shoqërisë që ta mbronte.

Në gazetën "Panorama", disa ditë më parë, Elsa Ballauri, shtronte çështjen e daljes në pension të disa profesorëve, si rrjedhojë e një ligji që nuk lejon më punën në institucionet publike të personave që kanë mbushur moshën 65 vjeç - hap ky që mund të krijojë vakume në institucionet publike, për shkak të largimit të kësaj elite.

Por, a është një hap që duhet përshëndetur apo kundërshtuar?
Nëse i kthehemi debateve të viteve të fundit, në Shqipëri në 20 vitet e fundit kanë ndryshuar marrëdhëniet në prodhim, marrëdhëniet në familje, marrëdhëniet në punë dhe me fqinjët, marrëdhëniet prind-fëmijë, burrë-grua e së fundmi edhe marrëdhëniet në gjini - pra janë vënë në diskutim shumë vlerat e traditës përballë modernes. Ndërkaq, akademikët, profesorët, të cilët paguhen nga taksat e shqiptarëve për të dhënë mendime, për të dhënë ide e zgjidhje, nuk kanë qenë të pranishëm aq sa të ndikojnë për t'i paraprirë këtyre debateve.

Atëherë, me të drejtë ne të gjithë, si taksapagues, duhet të ngremë një pyetje: nëse ata që paguajmë si elitë s'japin ide e zgjidhje për shoqërinë, atëherë përse duhet të paguajnë taksa qytetarët për ta?
Ne si një shoqëri ende në ndryshim, me një peshë të rëndë të të menduarit ende nga periudha e diktaturës, kemi nevojë emergjente për një përballje reale me shumë çështje të demokracisë dhe rolit të shoqërisë në demokraci. Mungesa e zërit të njerëzve që paguhen si elitë, më së shumti ka qenë shkak i faktit se një pjesë jo e vogël e elitës së shkuar ka qenë e emëruar si e tillë dhe jo se ka bërë diçka për t'u konsideruar ashtu. Duke menduar shumë kohë "me mendjen e partisë", shumica e akademikëve ka mbetur në orën e shprehjes "ç'të dojë partia!".
Ndërkaq, përballë këtij vakumi ne kemi një brez tjetër të rinjsh shqiptarë, të cilët prej vitesh janë konfirmuar në institucionet më të rëndësishme të shkencës dhe mendimit botëror. Mund të jenë pikërisht këta njerëz që mund të përbëjnë edhe bërthamën e elitës që na duhet, që ne t'i kthehemi një debati real, duke pasur parasysh traditën dhe historinë tonë. Pasi është e nevojshme që debati të jetë për shqiptarët tani dhe për shqiptarët pas shumë vitesh, duke përcaktuar mendimin pikërisht në bazë të asaj që kjo shoqëri ka vendosur të konsiderojë si më të rëndësishme për vetveten.
Ndërkohë, shumë njerëz që paguhen për mendjen e tyre, duhet të gjejnë një rrugëzgjidhje për të promovuar ide që i shërbejnë shoqërisë, për të përcaktuar sa më qartë të ardhmen. Pikësëpari, intelektualët shqiptarë duhet të bëhen edhe inteligjentë - pra të gjejnë rrugët që zëri i atyre që dinë të mendojnë të bëhet bashkë, të jetë i mirëdrejtuar dhe të bëhet funksional për shoqërinë.

* * *
Për shkak të fuqisë që ka sot konsumi, shumë demokraci janë futur në pikëpyetje të pafund funksionimi. Kjo fuqi e konsumit ka vënë pikëpyetje të pafund mbi të ardhmen e lirisë, siç vë në dukje me të drejtë Ferid Zekerija, analist i CCN, editorialist i shumë të përditshmeve amerikane, në librin e tij "E ardhmja e Lirisë". Duke parashikuar pikëpyetje që ngrihen për shkak të sigurisë dhe zhvillimit, natyrisht që Zekerija thekson rolin e pazëvendësueshëm që kanë njerëzit që ndërtojnë opinione, që sugjerojnë ide, pasi janë njerëzit që mbajnë edhe përgjegjësi shoqërore për orientimin në respektin drejt ligjit dhe rregullave të shoqërisë.
Kështu, megjithëse jemi të prirur drejt shtimit të të mirave materiale, askush sot nuk mund të thotë plot siguri se zhvillimi ekonomik është njëkohësisht edhe rruga e vetme për qetësi shpirtërore.

Madje, mund të thuhet me plot gojën, ky zhvillim ka tronditur shumë fusha që konsideroheshin vlerë, pasi tashmë, ajo që mund të konsiderohet zhvillim, mbart me vete edhe kohën e vogël në drejtim të ideve, në drejtim të kulturës, e si e tillë, kjo kohë mbart me vete edhe pikëpyetjet e ruajtjes së dinjitetit njerëzor. E nëse rrënohet dinjiteti, atëherë mali "Njeri" rrezikon të shembet, e bashkë me të edhe vlerat e shoqërisë, sidomos ato të aspektit human.

Në këtë pikë elitat, nëse dëshirojnë ende të konsiderohen të tillë për shoqërinë, duhet së pari të mos duartrokasin pasivitetin, të mos aprovojnë kurrë mungesën e kurajës dhe të mbajnë përgjegjësi për thënien e së të vërtetës. Përndryshe, nëse do të vijojnë t'u mungojë guximi për të pohuar me zë të lartë idetë, nuk ka pse të shqetësohemi për daljen e tyre në pension.  

Por, ky hap, ka nevojë emergjente për riformatim të personave që duhet t'i paguajmë në të ardhmen, duke kërkuar një ballafaqim idesh me prioritetet që kanë vendosur shqiptarët. Përndryshe, vakumi me njerëzit e mendjes kthehet në një hon, ku do dëgjojmë vetëm jehonat e zërit tonë, pa mundur të dëgjojmë asnjë mendim më shumë.

Metropol, Agim Baçi

Balshajt:Si u konvertuan nga ortodoksë në të krishterë

                           
  Dr. Etleva Lala Dr. Musa Ahmeti                                                                                                        

Dokumenti që po botojmë [bula papnore]është nga shek. XIV dhe vjen nga Arkivi Sekret i Vatikanit. Kemi zgjedhur shek. XIV, pasi Sufflay shkruan që në gjysmën e dytë të këtij shekulli pothuajse të gjitha trojet shqiptare, nga veriu deri në jug kaluan në besimin katolik, dhe me ardhjen e fesë së re myslimane ndodhi që qytetet e fundit që u konvertuan nga ortodoksë në katolikë, ishin të parat që përqafuan fenë myslimane. Procesi i këtij kalimi është akoma mister, por shpresojmë që pasi të kemi në dorë një arsenal të plotë dokumentash burimore nga kjo periudhë, të mos vazhdojë të jetë e tillë për një kohë të gjatë.Ky dokument që botojmë sot gjendet në Arkivin Sekret të Vatikanit me signaturën Instrumenta Miscellanea 2526. Dokumenti është në pergamen dhe ka dimensione 43 x 47.8 cm, megjithëse nuk ka formë katrore të rregullt. Në pjesën e poshtme është rreth 4 cm më i gjërë sesa lart. Teksti arrin pak më poshtë se gjysma e pergamenit dhe ka dimensione 24 x 43 cm. Në pjesën e pasme ka këtë shënim: ‘Shpallje e besimit të krishterë dhe betim i burrave të pushtetshëm skizmatikë, zotërinjve Strazimir, Gjergj dhe Balshë, vëllezër të Zhupanit dhe të zotit të provincës së Zetës në mbretërinë e Rashës, që thuhet se është një standart i përgjithshëm. U ruajt në arkivin e kishës romane. Nr. 567 fjalë e shenjtë’ datën 29.01.1369.’

Analizë e dokumentit që po botojmë
Dokumenti është i përbërë nga disa pjesë, që janë riprodhuar nga periudha të ndryshme kohore, përkatësisht bula të ngjashme tëkohës. Në tekst mungon ndarja vizuale, kështu që mund të thuhet pa frikë që bula papnore është shkruar e tëra njëherësh dhe nga një skrib (scribes)i vetëm. Nga fillimi i dokumentit mësojmë që ai po i dërgohet papës Urban V, nga vëllezërit Strazimir, Gjergj, dhe Balshë Balsha. Po aty, nga vetë dokumenti, marrim vesh që ata edhe kanë marrë një bulë më parë nga papa Urban V, nëpërmjet Pjetrit, ipeshkvit të Shasit, përmbajtja e së cilës shkruhet fjalë për fjalë në “letrën” që ata i kthejnë papës, dhe që për interesat tona përbën një pjesë të dytë të rëndësishme të saj. Papa, sipas gjuhës zyrtare të kohës, e quan veten “ipeshkv, shërbëtor të shërbëtorëve të Zotit,” dhe u drejtohet atyre që nuk i quan akoma katolikë me “burra fisnikë” ndryshe nga ata që janë katolikë dhe që u drejtohet me “bij të dashur”, apo ipeshkvit që i drejtohet “vëlla i nderuar”.

Vëllezërit Balsha ai i konsideron jo-katolikë dhe në fakt ky është edhe qëllimi i letrës: t’i konvertojë ata në katolikë. Me këtë mision të rëndësishëm papa ka ngarkuar Pjetrin, ipeshkvin e Shasit, i cili do të asistojë në konvertimin e Balshajve dhe do t’u përgjigjet pyetjeve që ata mund të kenë në lidhje me besimin, duke i mësuar dhe ushtruar ata në këtë çështje. Vëllezërit Balsha konsiderohen zotër të vendit nga ana e papatit, kështu që ata mbajnë përgjegjësi për ndjenjat e tyre fetare jo vetëm si individë, por si udhëheqës të vendeve që kanë nën zotërim. Në letrën e tij të shkruar më datë 25 maj të vitit 1368 në Montefiaskone, papa Urban V kishte dërguar edhe formulën e proklamimit të besimit katolik, për të qenë i sigurt, që ata e bëjnë konvertimin duke qenë të ndërgjegjshëm për të gjitha detajet. Rreshti i parë i kësaj formule do të ishte shokues për një besimtar të vërtetë të ritit lindor, pasi ai menjëherë hedh poshtë atë që përbën thelbin e këtij riti: formulën Filioque. Filioque ka të bëjë me prejardhjen e Frymës së Shenjtë “nga ati dhe nga Biri”, ndërkohë që teksti origjinal grek i doktrinës e përcakton Fymën si “të ardhur nga Ati”. Pasi i detyron “skizmatikët” të hedhin poshtë formulën qëndrore të besimit të tyre lindor, papa Urban kërkon në mënyrë eksplicite që ata të njohin supremacinë e kishës katolike të Romës, gjë që ishte gjithashtu një ndër shkaqet kryesore të skizmës. “Besojmë që Kisha e Shenjtë Katolike dhe Apostolike është një dhe e vërtetë” është fjalia që shpall këtë supremaci. Pagëzimi është një pikëpyetje për të gjithë ata që konvertohen në katolikë duke qenë se janë pagëzuar një herë sipas ritit ortodoks.

Kështu papa jep një udhëzim për këtë duke vendosur që të mos pagëzohen ata që janë tashmë të pagëzuar. Sakramentet e tjera numërohen në vazhdim, pasi kanë gjithashtu vendin dhe rëndësinë e tyre, por për detajet në lidhje me to, një përgjegjësi e madhe i lihet shpjegimit gojor të ipeshkvit që asiston në konvertim. Në pjesën e fundit të tekstit lexojmë për vendimin e marrë personalisht nga Strazimiri, nga Gjergji dhe nga Balsha, për betimin e tyre dhe për përgjegjësitë që marrin mbi vete në lidhje me rregullat e kishës katolike. Përveç pohimit të besimit të ri perëndimor, zhupanët janë të detyruar që të shpallin hapur edhe mohimin ndaj kishës së cilës i përkisnin dhe e gjithë kjo u bë më 29 janar të vitit 1369. Nga ky dokument vihet re qartë që interesi për pushtet është në plan të parë dhe interesat religjioze shërbejnë si mjet për arritjen e qëllimit. Megjithatë Balshajt nuk bëjnë përjashtim këtu nga të gjithë princët apo mbretërit e tjerë evropianë, pasi kjo gjë, vënia e interesave për pushtet në plan të parë, ishte një fenomen i njohur dhe i përhapur kudo në Europën e asaj kohe. E rëndësishme megjithatë është hapësira që krijohet për ndjenja religjioze brenda zonës së influencës si dhe vlerësimi dhe përkrahja nga ana e autoritetit qendror, e institucioneve ose elementeve që përhapin apo konsolidojnë me zell ndjenjat fetare brenda komunitetit, kaq të rëndësishme për ndikimin mbi një vijë të qëndrueshme politike.

Teksti i dokumentit i përkthyer shqip
  [I drejtohen] Shumë të shenjtit në atin dhe zotin Krisht, zotit Urban, pontifit më të lartë të kishës së shenjtë dhe universale, vëllezërit Strazimiri dhe Gjergj dhe Balsha, Zhupanë të Zetës, vetë ata duke puthur këmbën e shenjtorit. Ndërsa marrim letrën nga shenjtëria juaj nëpërmjet të nderuarit Pjetër, ipeshkv të Shasit, iu detyrohemi respekt për bulën tuaj të vërtetë të vulosër nga jashtë e cila përmban si shkruhet më poshtë shpalljen e besimit të drejtë: “Ipeshkvi Urban, shërbëtor i shërbëtorëve të Zotit, [u drejtohet] burrave fisnikë vëllezërve Strazimir dhe Gjergj dhe Balshë, Zhupanë të Zetës, me mëshirën për të tashmen me anë të së cilës do të fitojnë lavdinë në të ardhmen. Shpirti ynë lartësohet në Zotin, si edhe nga lajmi i vëllait tonë të nderuar Pjetër, ipeshkv i Shasit, i prezantuar nga lajmëtari, nëpërmjet jush për këtë i porositur [për të qenë] në praninë tonë, dëgjojmë, me bujari është mirëbesuar për të na dhënë mençurinë tuaj, me qëllim që mbeturinat e skizmatikëve, dhe errësira e gabimeve, dhe hijet e vdekjes së përjetshme, në të cilat keni ndenjur deri në këtë kohë, të filloni të kujdeseni (me këshilla) për shpirtrat tuaj dhe për vartësit tuaj, që të njihni dritën e së vërtetës, duke synuar që t’i afroheni me respekt dhe me zemër të sinqertë bindjes dhe devocionit të Kishës së Shenjtë Romane, nënës dhe mësueses e të gjithë besnikëve, dhe të qëndroni me të përjetësisht dhe me Ne, të cilët lejohemi pafajësisht të jemi mëkëmbës të Krishtit, të pajisur gjithashtu duhet të ecni në udhën e urdhëruar nga Zoti. Në lidhje me ato principe të lavdërërueshme nga Zoti, mëshira e të cilëve shkon përpara jush, kur qëllimi i pastër lulëzon në mendjet tuaja, ndiqen pa dyshime, falenderojmë për devotshmërinë, dhe u mirëbesojmë më shumë, duke synuar që ju t’ia nënshtroni devocionin urdhërimeve të kishës së sipërpërmendur, duke marrë bij shpirtërorë dhe duke mbajtur mundësitë të shoqërohen me favore. Me qëllim që të fitoheni për mëshirën e pajtimit dhe të pranoheni për të fituar të mirat dhe favoret e Selisë Apostolike, nga pesha e kishës dhe e personave kishtarë si dhe bindja e katolikëve ndaj Kishës së përmendur Romane, veçanërisht të qytetit të Kotorrit, i cili prej një kohe të gjatë dëgjojmë se rëndohet armiqësisht nga ju, apo nga ti, Gjergj, duke i mbajtur krejtësisht larg nga kujdestaria jonë, me qëllim që në këto dhe në qëllime të tjera tuajat të dukeni të pastër nga jashtë. Duke vepruar për këto dhe për të tjera nëpërmjet jush në marrëveshjen e përmendur të shtendosjes (çlirimit) suaj, llogaritëm që të informojmë ipeshkvin e përmendur më lart, i cili për këtë do t’iu flasë juve nga ana jonë, duke dëshiruar që të tërhiqeni pa dyshime në besim. Dhënë në Montefiascone, në dioqezën Bagnoregio (në Viterbo të Italisë), indikcioni i VI.

Formula e betimit për rikthim në të krishterë
Besojmë trinitrinë e Shenjtë, Atin, dhe Birin dhe Shpirtin e Shenjtë, një Zot krejt të plotëfuqishëm në Trinitrinë hyjnore bashkëesenciale, bashkësubstanciale, bashkë-të-përjetshme, dhe bashkë-gjithpushtetshme, të një vullneti, pushteti dhe madhështie, [besojmë] krijuesin e madhërishëm të të gjitha krijesave, nga i cili është gjithçka, nëpërmjet të cilit është gjithçka, në të cilin është gjithçka që është në qiell e në tokë, e dukshme dhe e padukshme, trupore dhe shpirtërore.Besojmë një person i cili është në Trininë e Shenjtë, një Zot të vërtetë të plotë dhe perfekt. Besojmë vetë birin e Zotit, fjalën e Zotit të lindur përjetësisht nga Ati, bashkësubstancial, bashkë-gjithpushtetshëm, dhe bashkëesencial nëpërmjet gjithçkaje të Atit në perëndishmëri, dhe i lindur përkohësisht nëpërmjet Shpirtit të Shenjtë dhe Marias akoma virgjëreshë me shpirt racional, duke pasur dy lindje, njërën nga ati i përjetshëm dhe tjetrën nga nëna e përkohshme, perëndi i vërtetë dhe njëri i vërtetë, pikërisht perfekt në secilën prej natyrave, i paadoptuar, dhe as sipas fantazisë, por i vërtetë dhe unik Bir i Perëndisë në të dyja dhe nga të dyja, si në natyrën hyjnore ashtu edhe në atë njerëzore, por në një person të vetëm, prej hyjnie të panënshtruar ndaj dhimbjes dhe i pavdekshëm, por në njërëzishmëri pranë nesh dhe që të mund të na mbrojë nga pasionet e vërteta të mishit, vdiq dhe u varros dhe u ngrit në qiell dhe ulet në të djathtën e Atit, deri sa të kthehet për të gjykuar të gjallët dhe të vdekurit dhe të kthehet i vetëm për veprën e tij të dytë si për ata që do të bëjnë mirë ashtu dhe për ata që do të bëjnë keq. Besojmë kështu në Frymën e Shenjtë, Zotin e plotë dhe të përsosur dhe të vërtetë, që rrjedh nga Ati dhe nga Biri, e bashkë-barabartë, dhe bashkë-esenciale, dhe bashkë-gjithpushtetshme, dhe bashkë-e-përjetshme, nëpërmjet gjithçkaje nga Ati dhe nga Biri. Besojmë këtë Triniti të Shenjtë, jo tre Perëndi, por një Perëndi të gjithpushtetshëm, të përjetshëm, të padukshëm, dhe të pandryshueshëm. Besojmë që Kisha e Shenjtë Katolike dhe Apostolike është një dhe e vërtetë. Në të jepet vetëm një pagëzim dhe çlirim i vërtetë i të gjitha mëkateve. Besojmë kështu ringjalljen e vërtetë të mishit të Tij të cilin e mbajmë tani; [besojmë] jetën e përjetshme. Besojmë kështu që autori i Testamentit të Ri dhe të Vjetër, d.m.th. i ligjeve dhe profetëve dhe apostujve është një, Perëndia dhe zoti i gjithëpushtetshëm.

Ky është besimi i vërtetë katolik dhe kisha e Shenjtë Romane mban dhe predikon këto rregulla të sipërpërmendura. Për shkak të gabimeve të ndryshme të prezantuara nga disa nga padija ose nga të tjerë nga ligësia, ajo u thotë dhe u predikon atyre të cilëve u janë larë mëkatet pas pagëzimit, të mos ripagëzohen. Por për faljen e vërtetë të tyre, mund të merren indulgjencat e mëkateve; Por n.q.s. dënimet falen me mëshirë përpara se të jenë të denjë [për falje], do të mjaftohen me dhënien e fryteve të faljes dhe me heqjen dorë [nga mëkati], që të pastrohen shpirtrat e tyre nga dënimet e purgatorit pas vdekjes, dhe me qëllim që të jenë të gatshëm për t’u çliruar nga dënimi atyre u dërgohet miratimet e të gjallëve besnikë që i bëjnë ata sipas udhëzimeve të kishës, d.m.th. sakrificat, lutjet dhe lëmoshat dhe të tjera detyra të mëshirës, të cilat bëhet nga besnikët për besnikë të tjerë. Kështu shpirtërat e atyre, të cilët pas pagëzimit të shenjtë pranuan të mos njollosen nga asnjë lloj mëkati, ata të cilët pas njollës së mëkatit si ato të mbetura në trupat e tyre ashtu edhe ato të larguara, sipas asaj që thuhet, u janë marrë mëkatet duke u fshirë tashmë në qiell. Shpirtrat e atyre të cilët lëshohen në mëkatet e të vdekshmëve, edhe nëse sapo kanë filluar, zbresin në ferr, si dënim për gabimet që largojnë. Kisha Romane beson këtë dhe e mbron me këmbëngulje dhe megjithatë ditën e gjykimit të gjithë njerëzit do të jenë të pranishëm para tribunës së Krishtit me trupat e tyre, dhe do t’u jepet ajo që u takon. Kështu kisha Romane mban dhe mëson që shtatë janë sakramentet kishëtare si p.sh. njëri është pagëzimi për të cilin u fol më sipër. Një tjetër është sakramenti i konfirmimit, të cilin të rilindurit e marrin nga dora e ipeshkvit të emëruar. Tjetra është penitencia (dënimi i mëkatit dhe marrja e faljes).

Një tjetër është eukaristia. Tjetra është sakramenti i Urdhërit. Tjetra është martesa, tjetra është vajosja e jashtme, e cila sipas doktrinës prezantohet nga i shenjti Jakob në dobësinë e tij. Sakramentin e Eukaristis, nga buka pa tharm, kisha Romane e realizon duke zbatuar dhe mësuar që në këtë sakrament buka e vërtetë transformohet në trupin dhe vera në gjakun e zotit tonë Jezu Krisht. Për martesën e vërtetë mendon që një burrë nuk lejohet të ketë shumë gra, dhe një grua nuk lejohet të ketë shumë burra në të njejtën kohë; sipas ligjit në të vërtetë pasi prishet martesa me vdekje, thuhet që tjetri lejohet të bëjë martesën e dytë dhe e tretë etj., në vijimësi, nëse nuk e ndalon zakoni dhe nuk e pengojnë shkaqe të tjera. Vetë Kisha e Shenjtë Romane, fiton primatin e lartë dhe të plotë dhe vendin e parë mbi universin e kishës katolike, të cilën e njohim me të vërtetë dhe përulësi duke e marrë të gjihë pushtetin nga vetë Zoti me anë të Pjetrit, më të parin e apostujve, pasardhës i të cilit është pontifi roman, dhe duke mbrojtur të vërtetën e besimit që mbahet para disave, d.m.th. nëse do të lindin pyetje për besimin, definicionet duhet të bëhen sipas gjykimit të saj. Për këtë mund t’i referoheni plotësisht në çfarëdo marrëveshje atyre që i përkasin forumit të kishës, por në të gjitha çështjet mund të bëni ekzaminimin me pritjet kishëtare të gjykuara, dhe të gjitha këto i nënshtrohen kishës, dhe po kështu prelatët e saj duhet t’i binden dhe ta respektojnë atë, pranë të cilës është pushteti i plotë, i cili u dërgohet kishave të tjera në pjesët e vetmuara, nga e cila shumë patriarkalë marrin privilegje të ndryshme dhe kisha Romane nderon prerogativat gjithmonë në mënyrë të shëndoshë si në concilet e përgjithshme ashtu edhe në ato të tjerat.

Formula e betimit të Balshajve
Unë Strazimiri, zhupan, e njoh të vërtetën e mësipërme të besimit, pasi u lexua plotësisht dhe shpall me besnikëri që është besimi i vërtetë i shenjtë dhe i drejtë; e pranoj atë dhe e shpall atë me zemër dhe me lutje, ashtu si e mban me vërtetësi, e mëson me besnikëri, dhe e predikon Kisha e Shenjtë Romane; premtoj që do t’i shërbej në mënyrë të padëmshme dhe do ta ruaj atë në çdo kohë dhe as nuk do të tërhiqem prej tij në çfarëdo kohe në asnjë lloj mënyre, as nuk do t’i devijoj e as nuk do ta kundërshtoj. Shpall dhe njoh primatin (përparësinë) e Kishës së Shenjtë Romane, që gjithashtu ruhet me seriozitetin e sipërpërmendur, duke ardhur në mënyrë spontane (pa nxitje nga jashtë) tek bindja (nënshtrimi) e asaj Kishe, e pranoj dhe e mbroj në mënyrë të vetvetijshme (pa nxitje nga jashtë), dhe garantoj me trupin tim, betohem, premtoj dhe konfirmoj që të mbaj të gjitha sa janë përmendur më sipër, si rreth të vërtetës së besimit, ashtu edhe rreth primatit të vetë Kishës Romane, si dhe njohjen, pranimin, mbrojtjen, vrojtimin, dhe ruajtjen [e tyre]. Më ndihmoftë Zoti për këtë, dhe ky ungjill i shenjtë i Zotit. Nëse diçka do të mendohet kundër kësaj, do të rrëfej dhe për më tepër shpresoj që të veproj, duke njohur në të vetë skizmatiken dhe anathematizmën për t’ia nënshtruar ashpërsisë së kanonit të shenjtë. Pra, e shkruaj këtë nga njohja ime, pranimi, shpallja, mbrojtja, premtimi, dhe dhurimi i betimit të bërë spontanisht (pa nxitje nga jashtë) nga unë, pasi kam lexuar dhe rilexuar dhe pasi kam nënshkruar pa nxitje të jashtme, dhe vulosur [me vulën] tonë të përbashkët të të tre vëllezëve, pasi nuk kam një të veçantë, e kam dorëzuar.


Forma e mohimit të skizmës nga Balshajt
Unë, Strazimiri, zhupan i Zetës, mohoj plotësisht të gjithë skizmën, dhe e njoh të vërtetën e mësipërme të besimit, pasi u lexua plotësisht dhe shpall me besnikëri që është besimi i vërtetë i shenjtë dhe i drejtë;e pranoj atë dhe e shpall atë me zemër dhe me lutje, ashtu si e mban me vërtetësi, e mëson me besnikëri, dhe e predikon Kisha e Shenjtë Romane; premtoj që do t’i shërbej në mënyrë të padëmshme dhe do ta ruaj atë në çdo kohë dhe as nuk do të tërhiqem prej tij në çfarëdo kohe në asnjë lloj mënyre, as nuk do t’i devijoj e as nuk do ta kundërshtoj. Shpall dhe njoh primatin (përparësinë) e Kishës së Shenjtë Romane, që gjithashtu ruhet me seriozitetin e sipërpërmendur, duke ardhur në mënyrë spontane (pa nxitje nga jashtë) tek bindja (nënshtrimi) e asaj Kishe, e pranoj dhe e mbroj në mënyrë të vetvetijshme (pa nxitje nga jashtë), dhe garantoj me trupin tim, betohem, premtoj dhe konfirmoj që të mbaj të gjitha sa janë përmendur më sipër, si rreth të vërtetës së besimit, ashtu edhe rreth primatit të vetë Kishës Romane, si dhe njohjen, pranimin, mbrojtjen, vrojtimin, dhe ruajtjen [e tyre]. Më ndihmoftë Zoti për këtë, dhe ky ungjill i shenjtë i Zotit. Një shpallje të ngjashme, betim dhe mohim bëjmë ne: Gjergj dhe Balshë, vëllezër të sipërpërmendurit Strazimir, në prezencën e ipeshkvit të nderuar Pjetër të Shasit dhe Gjon të Drishtit si dhe vëllait fetar Pjetër të Urdhërit të Predikuesve, dhe burrit fisnik, Pernosi, qytetar të Ulqinit, të thirrur nga i sipërpërmenduri Strazimir dhe vëllezërit e tij për të dëshmuar shpalljen e premtimit, betimin dhe mohimin, të bërë nëpërmjet shpesh të përmendurve vëllezër, dhe me qëllimin e një force më të madhe ngulmimi bëjnë të shkruhet dhe të dhurohet me vulën e tyre të përbashkët, pasi gjykohet, pikërisht nga dora e të përmendurit Gjon, i cili me mëshirën e Zotit dhe të Selisë Apostolike [është] ipeshkv i Drishtit. Bërë dhe shkruar pranë Shkodrës, residencë kryesor e tyre, në vitin e Zotit, një mijë e treqind e gjashtëdhjetë e nëntë, ditën e njëzetë e nëntë të muajit janar, pontificati shumë i shenjtë në Atin dhe Zotin Krisht, zoti ynë, Urban, i vendosur në mënyrë hyjnore papë i pestë, që prej shtatë vjetësh. Ai u paraqit pas veprave dhe pyesin ipeshkvët e përmendur të Shasit dhe të Drishtit dhe për pyetjet e tyre pontifiku u jep vulën e tij të pranishmëve.

Gazeta:Shqiptare

Pseudoreformat në arsim: Kundra stazhit 1-vjeçar!

Që prej rënies së sistemit komunist në Shqipëri, shumë ministra arsimi janë ndryshuar dhe shumë reforma të ndryshme janë ndërmarrë në këtë fushë, kaq delikate dhe të lidhur drejtëpërdrejtë me zhvillimin e një kombi.             




Kujtoj që në vitin shkollor 2000-2001, konkursi ishte i lirë për çdo nxënës që kishte mbaruar të mesmen, qoftë edhe me provime të mbetura në vjeshtë. Më parë, kush mbeste për në vjeshtë në vitin e 4 të gjimnazit, humbiste automatikisht mundësinë për t'u regjistruar për konkurim nëpër fakultete.
Ish nxënësit e gjimnazeve, kishin të drejtën të konkuronin në sa degë të dëshironin, e rëndësishme ishte të mos kishin përplasje datash ditët e konkurseve.
Nuk merrej parasysh mesatarja dhe testi ndahej në 60% të pyetjeve testi i përgjithshëm dhe 40% të pyetjeve testi special, që sipas degës përkatëse fokusohej absolutisht vetëm tek profili i degës.
Testi kishte gjithsej 300 pikë, përgjigja e duhur vlerësohej me 3 pikë, përgjigja e gabuar shënohej minus 1 pikë (-1) dhe për çdo 3 përgjigje "Nuk e di", merrje gjithashtu minus një pikë (-1).
Ky ishte një program, i cili nuk diskriminonte nxënësit që nuk kishin nota të mira dhe i nxirrte të gjithë të babarabartë para testit, ku çdokush bënte diferencën në saj të përgjigjeve të sakta.
Në 2002-shin, rivendoset sërish mesatarja dhe ajo që është më skandalozja, është fakti se kur rivendoset kritere të reja, ato aplikohen gjithashtu tek të gjitha vitet shkollorë, pra edhe nxënësit që deri sa kaluan vitin e III-të gjimnaz, ishin të vetëdijshëm që mesatarja nuk ishte kusht i domosdoshëm, në vit të 4 gjimnaz, apo edhe ata që u maturuan u përballën direkt me kriterin seleksionues të mesatares.
Ky kriter i ri, i aplikuar kaq gabim, ishte një hap i madh pas, në arsimin shqiptar.
Viti shkollor 2002-2003 ishte një shanc i madh për të gjithë nxënësit që kishin nota të mira. Ata thuajse e kishin të fituar konkursin e shkollës së lartë.
Si merren notat e mira ?
Mjafton të kesh njohje me mësuesin, të bësh kurse private me të, të të mbajë me hatër për arsye të ndryshme, të shkollohesh në zona rurale etj.Pra rikthimi i mesatares si kriter, ishte një shanc i madh për banorët e zonave rurale që konkuronin për arsim të lartë. Ata u zunë vendin nxënësve të qytetit, ku siç dihet kërkesa e llogarisë është shumë më e madhe dhe nota maksimale nuk është e lehtë për t'u arrirë.
Pasi mjeshtrave të këtyre reformave u erdhi në vesh shqetësimi i madh i prindërve mbi këtë pseudoreformë që padrejtësisht dënonte fëmijët e tyre, pseudomjeshtrat vendosën një kleçkë tjetër për t'a koklavitur edhe më tej çështjen.
Ata vendosën për shkolla të veçanta koefiçentë të ndryshëm. Nëse një nxënës ka mbaruar psh Sami Frashërin në Tiranë, ai ka keofiçent më të lartë, se dikush tjetër që ka studiuar në një zonë rurale.
Pra, në mënyrë të drejtëpërdrejtë u diskriminuan banorët e zonave rurale.
Pse nuk ka të drejtë një nxënës të meritojë 10-tën, pavarësisht vendit ku i takoi të jetojë...?
Në vitin shkollor 2008-2009 në universitetet shqiptare aplikohet sistemi i Bolonjës. Nuk dihet se përse u përzgjodh pikërisht ky sistem, ku sigurisht nuk është më i miri që njihet, por edhe aplikimi i tij si sistem eksperimental ishte i realizuar përgjysmë, po ashtu siç edhe ka mbetur.
Në sistemin e Bolonjës nuk ka stazh. Sistemi ndërtohet mbi bazë kreditësh, që variojnë nga vështirësia e lëndës. Kërkohet një kufi prej 30 kreditësh që të kalosh vitin e parë.
Në sistemin e Bolonjës, përfundon rregullisht 3 vitet e universitetit dhe nuk diplomohesh, nëse nuk merr të gjitha provimet e programit mësimor.
Na ka shkruar një anëtar i faqes, i cili i ka parë me shumë kujdes këtë çështje, duke na kërkuar përkrahje për ta ngritur zërin kundra rivendosjes së stazhit 1 -vjeçar, i cili vjen përsëri i aplikuar në një formë tmerrësisht të gabuar, duke penalizuar studentët.
Nëse ndërmerret një reformë e re, logjikshëm ajo duhet të aplikohet tek studentët e vitit të parë në universitet dhe jo tek vitet e tjera.
Elton Tona ka krijuar një grup në këtë rrjet social me emër "Kundra Stazhit 1 vjeçar", ku i bën thirrje të gjithë studentëve shqiptarë të bashkohen e të protestojnë kundra kësaj reforme, që kërkon të aplikohet tek të gjitha vitet akademike, duke penalizuar padrejtësisht studentët e vitet të II-të e të III-të.
Gjithashtu edhe Fakulteti i Mjekësisë në prill të 2010-ës rivendosi stazhin.
Kur do kuptojnë të nderuar pedagogë, dekanë, rektorë e ministra të arsimit, që për çdo reformë të ndërmarrë, ajo fillimisht duhet të diskutohet me grupeve të interesuara dhe të prekura drejtëpërdrejtë?
Mos të harrojmë që janë studentët e ardhmja e një shteti. Janë ata që ndryshojnë sistemet dhe mendësitë e shkuara të të vepruarit.

Le të bashkohemi dhe ta kundërshtojmë me çdo mënyrë këtë pseudoreformë të re.



  Shkroi: Stop Injorancës http://www.facebook.com/NdalPaditurise2

Ndoc Gjetja, poeti që e përfitoi pavdekshmërinë, duke mposhtur fatin e tij.

                                                                                                                                                
Autoportreti

Vendbanimi:                                                                                     
Ne lezhe me trup dhe mendjen emigrante ne yje.

Profesioni:
Thures enderrash dhe mbrojtes besnik i tyre.

Gjendja civile:
Mbetje teknologjike e administrates shteterorese nuk diti t'u jape perkuljet e duhura eproreve.

Gjatesia:
E majftueshme per te arritur nje dite mollen e ndaluar.Pesha:Sa vetja, sa ndjenja, sa fjala e thene dhe e shkruar.

Shenja te vecanta:
Nje pentagram rrudhash me nota trishtimimi ne balledhe nje mjeker e thinjur nga moslejimi kaq vite i saj.

Syte:
Kafe me nuanca te turbullta pasionesh te djegura.Ngjyra:E erret per fshehjene skuqjes nga faje te lehta.

Titujt:
I dekoruar Njeri qysh ne diten e lindjes nga Nena.

Bindjet:
Njeriun ne jete e ben te lumtur vetem njeriu.

Antipatite:
Burrat me grada, grate me shume tule dhe miu.

Simpatite:
Jezusi nga Nazareti, Don Kishoti i Mances dhe Buda.

Frikerat:
Shendoshja e trurit, uji, zjarri dhe turma.

Besimi:
Ne kryqin e tij qe e mban perdite ne shpine.

Pasuria:
Drita e mendjes me te cilen fitoj varferine.

Të shëmtuarat, si ndihen dhe e përjetojnë këtë fakt

Edhe pse është shumë e vështirë për t’u pranuar, ky është fati i trishtuar i femrave të shëmtuara: të mos trajtohen asnjëherë si të tjerat

A e keni menduar ndonjëherë se cili është sekreti i bukurisë? Një fytyrë simetrike dhe sasia e duhur e hormoneve. Ky është një rregull që vlen si për meshkujt ashtu edhe për femrat, e madje jo vetëm për qeniet njerëzore, por edhe për majmunët. Por cili është në të vërtetë qëllimi i bukurisë? Sigurisht që nuk është joshja, por riprodhimi. Këtë e ka konfirmuar edhe një studim britanik i zhvilluar në një nga universitetet e Anglisë. Përfundimi? Vërtet bukuria është cilësuar një nga elementet më të rëndësishme të njeriut, prej së cilës lind shpesh stresi dhe tërheqja, por gjithmonë ka një qëllim: ngjizje dhe riprodhim, me ose pa dëshirën tonë.


Studimi ka analizuar disa fotografi të tri grupeve të ndryshme individësh: europianët, disa persona me etni Hadza (Tanzani) dhe majmunët. Me ndihmën e kompjuterit studiuesit bënë disa ndërhyrje për t’i bërë të gjitha fytyrat simetrike, duke zvogëluar distancën mes syve, pasi është edhe një nga faktorët më të rëndësishëm të simetrisë së fytyrës. Kështu, pas operacioneve të rimodelimit, studiuesit ua treguan fotografitë europianëve, të cilët kryenin funksionin e jurisë. Grupi në fjalë përbëhej nga 15 meshkuj dhe 15 femra. Jurisë iu kërkua të vlerësonte se cilat fytyra dukeshin më tërheqëse. Femrat me moshë nga 18-25 vjeçe (numri total i të cilave ishte 59) i ishin nënshtruar gjithashtu analizës, ku përcaktohej niveli i estrogjenit që qarkullonte në gjakun e tyre. Pas rregullimeve, fotografitë e të njëjtave femra të treguara më pas, konsideroheshin më tërheqëse dhe shfaqnin karaktere tipike femërore: sy të mëdhenj, buzë me tul, nofulla dhe hundë të vogël. Këto ishin disa nga vajzat që iu nënshtruan profilit hormonal.

Studiuesit, pasi i rregulluan fotografitë me “software”-in e një kompjuteri, ua treguan ato anëtarëve të jurisë: rezultatet ishin homogjene. Kjo do të konfirmonte se karakteret e pëlqyera te një fytyrë femërore janë karaktere seksuale, që shkaktojnë fertilitet dhe si pasojë janë tërheqëse nën profilin biologjiko-evolutiv. Preferencat e shprehura nga grupi europian të marra në konsideratë nga shkencëtarët nuk lidhen me eksperiencat vizive, por me mbijetesën e farës.

Gjithsesi, nëse karakteristikat e fytyrës mund të japin informacion mbi cilësitë biologjike, atëherë është logjike të mendosh se mund të
ekzistojnë mekanizma të ngjashme që e nxisin.

Për shembull, disa gjene mund të tregojnë një sistem imunitar të mjaftueshëm, ose një aparat të mirë metabolik, pavarësisht se e lejojnë një organizëm të rritet në mënyrë simetrike.

“Shpesh femrat e shëmtuara janë aq të zgjuara, saqë i bëjnë njerëzit ta harrojnë këtë fakt”, thoshte Balzaku, i cili i kuptonte shumë mirë gratë dhe mënyrat se si ato joshnin.

Për pamjen e jashtme të femrave të shëmtuara janë shkruar mjaft libra. Një prej tyre është edhe “Jeta seksuale e gruas së shëmtuar”. “Gruaja e shëmtuar nuk është vetëm një deformim estetik. Mbi të gjitha ajo ka një shpirt si çdo qenie njerëzore”, është shprehur një studiues. Libri në fjalë zbulon misterin dhe konfirmon teorinë: çdo njeri është i bukur aq sa ndihet.

Protagonistja e romanit e përshkruan situatën e saj si atë të një gruaje të shëmtuar, por që për sytë e saj duket mjaft tërheqëse. Ajo është një grua e shëmtuar, natyrisht jo aq e tmerrshme, sepse ajo lloj femre, sipas disa studiuesve, ka një bukuri të veçantë që nuk mund të shihet nga të gjithë, e cila ose kalon pa u vënë re, njësoj sikur të ishte e padukshme, ose në momentin që i vihet në dukje fakti që nuk është e bukur, nuk mund të bëjë gjë tjetër veçse të vuajë.

Edhe pse është shumë e hidhur për t’u pranuar, ky është fati i trishtuar i femrave të shëmtuara: të mos trajtohen asnjëherë si të tjerat. Ajo mësohet me këtë gjë që në vogëli dhe e përdor “trashëgiminë” e saj për të krijuar një portret, i cili i pëlqen dhe e bën të ndihet më mirë. Realisht, edhe pse i trishtueshëm dhe argëtues deri në qesharak në të njëjtën kohë, libri “Jeta seksuale e gruas së shëmtuar” është një edukim sentimental gjithnjë e në rritje. Një romancë e jashtëzakonshme, por edhe një libër edukativ, i cili mund t’u shërbejë meshkujve dhe femrave për të parë në një tjetër këndvështrim jo vetëm vetveten, por edhe botën njerëzore që i rrethon. Fatkeqësitë e personazhit kryesor do të bëhen fatkeqësitë e të gjithëve, një pasqyrë në të cilën kushdo, edhe më i bukuri, mund të shihet.

Gazeta  Shqip

Sunday, August 29, 2010

Nënë Tereza dhe mëkatarët.

Drejtuesit e shtetit, nëpunësit e lartë, përfshi ministra e politikanë përgjithësisht të përgojuar (nga mediat apo në mënyrë të ndërsjellë) për abuzime, shpejtuan këto ditë të bëheshin personazhe në kremtimet për 100-vjetorin e shenjtores Nënë Tereza. Sigurisht, ceremonitë zyrtare dhe gëzimi për vlerësimin e kësaj figure madhështore, janë të natyrshme. 
Ngjarja meriton kujdesin dhe vëmendjen më të madhe. Por, gjithsesi, zelli i paparë i zyrtarëve të lartë shqiptarë dhe oborrtarëve të tyre, njëfarësoj bie erë. Më e pakta, le të bëjmë një paralele midis veprimtarisë së madhështores së vogël Nënë Tereza dhe këtyre "lepurushëve".

Gruaja e shenjtë fali gjithë jetën e saj për ta parë botën pak më të mirë. Ajo ishte një mirëbërëse e palodhur, nuk kishte ndot të përkëdhelte edhe duart e kokën e një lebrozi.

Nënë Tereza nuk recitonte teori e konflikte, nuk shante e as nëmte kënd; ajo ishte një veprimtare e palodhur e Zotit, nderonte dhe mbronte çdo të varfër dhe të pamundur. Krejt ndryshe na vjen pamja e të parëve të shtetit dhe të administratës, sidomos këtu te ne. Grabitës të pasurive kombëtare; shkatërrues të kësaj pasurie përmes pjesëmarrjes në privatizime me kosto qesharake; autorë apo frymëzues në lloj-lloj aferash dhe historish të dyshimta. Më tej, njerëz mediokër dhe fjalosës të rëndomtë; në të shumtën e kohës, sharjet dhe ulërimat kanë për zanat. Dhe as që mund të ndodhë ndryshe, sepse siç thotë një fjalë e urtë: "Ndërgjegjja flet, interesi ulërin..."

Por ja, kremtimet për Nënë Terezën, janë një rast i mirë për t'iu thënë të tjerëve: Shikoni si e nderojmë në mirëbërjen, paqen, dashurinë mes njerëzve; shikoni sa të thjeshtë dhe të përkorë jemi, tamam si Nënë Tereza.

E të e të tjera, do të thoshte mbase Dritëro Agolli. Sigurisht, ata u shitën edhe njëherë si "të mirët e botës", u përpoqën të lajnë mëkatet; rastin do ta përdornin me doemos për të bërë demagogji si përfaqësues të popullit dhe të interesave kombëtare.


Një detaj i kësaj demagogjie. Në pankartën që lajmëron këto kremtime, te Muzeu Kombëtar, është shumë më i madh e më i dukshëm emri i kryeministrit të përkohshëm Sali Berisha, se sa emri i nobelistes dhe madhështores Nënë Tereza.

Ani. Kështu kanë bërë në kohën e tyre edhe monarkë të tjerë dhe oborrtarët e tyre ua kanë krehur bishtin, për të lëpirë ndonjë kockë. Kështu ka qenë jetë e mot. Mbase kështu do të jetë gjithnjë. (Këtë e konfirmon edhe miku im Edmond Tupe në shkrimin "Sistemi D", kur përmes humorit të zi flet me të drejtë për zhdukjen e species së idealistëve.)

Le të vazhdojmë me krahasimin e pamjeve. Realitetin dramatik dhe me shumë halle të këtij vendi, e shohin dhe e ndjejnë të gjithë. Edhe pse një pjesë e madhe, për fat të keq edhe e intelektualëve dhe kolegëve të tjerë, heshtin (duke lëpirë edhe ata kockën).

Por të parët e shtetit dhe të administratës, bënë çmos që ca ditë të kishim një tjetër realitet. Ishte e natyrshme që ata t'i përdornin këto kremtime. Ishte e natyrshme të visheshin sa më bukur dhe të dilnin në plan të parë, bashkë me oborrtarët e tyre kockëlëpirës.
Por të gjithë e dinë se sa larg botës së Nënë Terezës janë ata. Një sërë çështjesh i implikojnë në pista të errëta, që nga ngjarjet e vitit '97-të, çështja Remzi Hoxha, privatizimet në kurriz të pasurisë kombëtare, Gërdeci, e kështu më tej.

Ja një tjetër detaj domethënës. Përpara disa kohësh, u bë gurguleja për një shesh diku në qendër të kryeqytetit, ku pas një konflikt, një ministër - që për fat të keq ka qenë dikur edhe gazetar - doli e na tha se aty "do të bëhet një lulishte." Shkoni dhe shikoni diku pranë stacionit të autobusëve për Kombinat se ç'vend i pështirë ka katandisur në mes të Tiranës kjo lulishtja e premtuar. Si shumë premtime të tjera.

Këto ditë, ka plasur një tjetër histori, me "lepurusha dhe lepurushe", histori komike, në të cilën persona të veshur me pushtet dalin e justifikohen se nuk kanë abuzuar ose kanë abuzuar shumë pak dhe se nuk është ndonjë problem të kesh shtatë a tetë biznese, sigurisht të dhuruara përmes politikës. Harrojnë të mjerët se po vetë e kanë hapur gojën çorap në lidhje me termin konflikt interesi, gjëra që këta i përtypin dhe i ripërtypin si t'iu vijë mbarë.

Jo! Nuk kanë asgjë të përbashkët me Nënë Terezën, që sot kaq shumë po mundohen ta nderojnë; sepse gënjejnë, dhunojnë, bile edhe vrasin dhe pastaj fshehin identitetin dhe thonë: "Unë nuk jam unë."

Këta të pushojnë nga puna për të punësuar miqtë dhe militantët, qofshin edhe gdhe e pa shkollë, edhe pse mund të kesh halle e njerëz të sëmurë përqark. Këta vetëm kështu dinë t'i ndërtojnë institucionet dhe marrëdhëniet me njerëzit, prandaj na shkojnë punë kaq mbarë; prandaj kanë dalë jashtë kontrollit çështja e pronave dhe papunësia, sado që përpiqen t'i kamuflojnë; prandaj kemi një kaos në rrugët e vendit, sidomos të kryeqytetit, ku s'merr vesh i pari të dytin, ku nuk dihet kush tregton, kush rri kot, kush vjedh; prandaj çdo ditë përcjellim në varreza apo humbasim në mënyra të tjera qytetarë të pambrojtur, shpesh vajza e djem të rinj; një masakër e heshtur, e pakuptueshme, aq sa është për t'u kujtuar vargu emblematik i poeteshës së njohur Ahmatova: ...se nuk dallohet "Kush është njeri, e cili bishë".

Këtë realitet nuk e ndryshojnë dot këta shtiranjakë, (këto ditë kremtues plot bujë të përvjetorit të Nënë Terezës - simbol i mirësisë dhe i paqes).

VANGJUSH SARO