Çështja e elitave, pranisë apo mospranisë së saj në jetën e shqiptarëve, shpeshherë shtrohet e rishtrohet në shtypin e përditshëm dhe emisionet televizive. Ky rikthim debati për elitat në fakt nënkupton shqetësimin e shumë qytetarëve për zërin e elitës - pra të asaj pjese të shoqërisë që shihet si e përzgjedhur për dhënien e opinioneve dhe ideve për të tashmen, të djeshmen e të ardhmen, që mirërregullon marrëdhëniet në shoqëri.
Por, a kemi ne realisht sot një elitë që debaton, sugjeron, kundërshton, jep ide, duke pasur parasysh interesat dhe identitetin e shqiptarëve?
Natyrisht që kjo është një temë që nuk mund të zgjidhet me disa debate mediatike, që bëhen për mungesën apo praninë e elitës. Më e udhës natyrisht që do të ishte t'u kërkonim një llogari lidhur me dhënien e mendimit, pikërisht atyre që paguhen si të tillë. Është pikërisht kjo pjesë e shoqërisë, që është paguar për të menduar, botuar, apo dhënë ide, që do t'i shërbenin shoqërisë, e cila duhet të ishte kujdesur së pari për statusin e vet, e më pas t'i kërkonte shoqërisë që ta mbronte.
Në gazetën "Panorama", disa ditë më parë, Elsa Ballauri, shtronte çështjen e daljes në pension të disa profesorëve, si rrjedhojë e një ligji që nuk lejon më punën në institucionet publike të personave që kanë mbushur moshën 65 vjeç - hap ky që mund të krijojë vakume në institucionet publike, për shkak të largimit të kësaj elite.
Por, a është një hap që duhet përshëndetur apo kundërshtuar?
Nëse i kthehemi debateve të viteve të fundit, në Shqipëri në 20 vitet e fundit kanë ndryshuar marrëdhëniet në prodhim, marrëdhëniet në familje, marrëdhëniet në punë dhe me fqinjët, marrëdhëniet prind-fëmijë, burrë-grua e së fundmi edhe marrëdhëniet në gjini - pra janë vënë në diskutim shumë vlerat e traditës përballë modernes. Ndërkaq, akademikët, profesorët, të cilët paguhen nga taksat e shqiptarëve për të dhënë mendime, për të dhënë ide e zgjidhje, nuk kanë qenë të pranishëm aq sa të ndikojnë për t'i paraprirë këtyre debateve.
Atëherë, me të drejtë ne të gjithë, si taksapagues, duhet të ngremë një pyetje: nëse ata që paguajmë si elitë s'japin ide e zgjidhje për shoqërinë, atëherë përse duhet të paguajnë taksa qytetarët për ta?
Ne si një shoqëri ende në ndryshim, me një peshë të rëndë të të menduarit ende nga periudha e diktaturës, kemi nevojë emergjente për një përballje reale me shumë çështje të demokracisë dhe rolit të shoqërisë në demokraci. Mungesa e zërit të njerëzve që paguhen si elitë, më së shumti ka qenë shkak i faktit se një pjesë jo e vogël e elitës së shkuar ka qenë e emëruar si e tillë dhe jo se ka bërë diçka për t'u konsideruar ashtu. Duke menduar shumë kohë "me mendjen e partisë", shumica e akademikëve ka mbetur në orën e shprehjes "ç'të dojë partia!".
Ndërkaq, përballë këtij vakumi ne kemi një brez tjetër të rinjsh shqiptarë, të cilët prej vitesh janë konfirmuar në institucionet më të rëndësishme të shkencës dhe mendimit botëror. Mund të jenë pikërisht këta njerëz që mund të përbëjnë edhe bërthamën e elitës që na duhet, që ne t'i kthehemi një debati real, duke pasur parasysh traditën dhe historinë tonë. Pasi është e nevojshme që debati të jetë për shqiptarët tani dhe për shqiptarët pas shumë vitesh, duke përcaktuar mendimin pikërisht në bazë të asaj që kjo shoqëri ka vendosur të konsiderojë si më të rëndësishme për vetveten.
Ndërkohë, shumë njerëz që paguhen për mendjen e tyre, duhet të gjejnë një rrugëzgjidhje për të promovuar ide që i shërbejnë shoqërisë, për të përcaktuar sa më qartë të ardhmen. Pikësëpari, intelektualët shqiptarë duhet të bëhen edhe inteligjentë - pra të gjejnë rrugët që zëri i atyre që dinë të mendojnë të bëhet bashkë, të jetë i mirëdrejtuar dhe të bëhet funksional për shoqërinë.
* * *
Për shkak të fuqisë që ka sot konsumi, shumë demokraci janë futur në pikëpyetje të pafund funksionimi. Kjo fuqi e konsumit ka vënë pikëpyetje të pafund mbi të ardhmen e lirisë, siç vë në dukje me të drejtë Ferid Zekerija, analist i CCN, editorialist i shumë të përditshmeve amerikane, në librin e tij "E ardhmja e Lirisë". Duke parashikuar pikëpyetje që ngrihen për shkak të sigurisë dhe zhvillimit, natyrisht që Zekerija thekson rolin e pazëvendësueshëm që kanë njerëzit që ndërtojnë opinione, që sugjerojnë ide, pasi janë njerëzit që mbajnë edhe përgjegjësi shoqërore për orientimin në respektin drejt ligjit dhe rregullave të shoqërisë.
Kështu, megjithëse jemi të prirur drejt shtimit të të mirave materiale, askush sot nuk mund të thotë plot siguri se zhvillimi ekonomik është njëkohësisht edhe rruga e vetme për qetësi shpirtërore.
Madje, mund të thuhet me plot gojën, ky zhvillim ka tronditur shumë fusha që konsideroheshin vlerë, pasi tashmë, ajo që mund të konsiderohet zhvillim, mbart me vete edhe kohën e vogël në drejtim të ideve, në drejtim të kulturës, e si e tillë, kjo kohë mbart me vete edhe pikëpyetjet e ruajtjes së dinjitetit njerëzor. E nëse rrënohet dinjiteti, atëherë mali "Njeri" rrezikon të shembet, e bashkë me të edhe vlerat e shoqërisë, sidomos ato të aspektit human.
Në këtë pikë elitat, nëse dëshirojnë ende të konsiderohen të tillë për shoqërinë, duhet së pari të mos duartrokasin pasivitetin, të mos aprovojnë kurrë mungesën e kurajës dhe të mbajnë përgjegjësi për thënien e së të vërtetës. Përndryshe, nëse do të vijojnë t'u mungojë guximi për të pohuar me zë të lartë idetë, nuk ka pse të shqetësohemi për daljen e tyre në pension.
Por, ky hap, ka nevojë emergjente për riformatim të personave që duhet t'i paguajmë në të ardhmen, duke kërkuar një ballafaqim idesh me prioritetet që kanë vendosur shqiptarët. Përndryshe, vakumi me njerëzit e mendjes kthehet në një hon, ku do dëgjojmë vetëm jehonat e zërit tonë, pa mundur të dëgjojmë asnjë mendim më shumë.
Metropol, Agim Baçi
No comments:
Post a Comment