Sunday, September 19, 2010

Drejtori sherr me prindërit,kyç 30 nxënës në bodrum

Ky është skandali i dytë në shkolla, pas atij të Klosit me përjashtimin e 13-vjeçarit
Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur dje në një shkollë 9-vjeçare të Korçës. Drejtori i shkollës 9-vjeçare “Servasti Qirjazi” ka ngujuar dje në qilarin e shkollës 30 nxënës të klasës së parë. Ngjarja ndodhi pas një debati mes tij dhe prindërve të fëmijëve lidhur me kushtet e këqija në të cilat ata mësonin. Mësohet se drejtori ka reaguar në këtë mënyrë, për të mos lejuar praninë e mediave të filmonin kushtet në të cilat mësonin vogëlushët. Klasa mësohet të ketë qenë pa dritare dhe e mbuluar nga lagështira dhe errësira.

Në shenjë hakmarrje drejtori Albert Damianeci ka mbyllur dyert e shkollës, ndërsa nxënësit e klasës së parë i ka ngujuar në qilar për rreth 1 orë. Duket se ngjarja është bërë më e madhe kur ky i fundit ka lajmëruar policinë, duke ngritur një padi për dy nga prindërit. Sipas pretendimeve të drejtorit, dy nga prindërit kanë ushtruar dhunë mbi të. Policia ka shkuar menjëherë në shkollë duke liruar nxënësit që u mbajtën të mbyllur për rreth 1 orë. Në prononcimin e tij për mediat vizive drejtori ka deklaruar se nxënësit janë mbyllur në qilar pas vendimit për të lyer klasën ku mësonin, meqë ajo nuk kishte dritare dhe ishte në errësirë të plotë. Nga vlerësimi që i bëri Instituti i Higjienës, ambienti rezultoi me nivel të lartë lagështire dhe pa ndriçimin e duhut. Por ky nuk është i pari skandal që ka përfshirë këtë fillim viti shkollor shkollat në rrethe. Vetëm pak ditë më parë drejtori i një tjetër shkolle në Klos të Burrelit nuk lejonte një nxënës 13-vjeçar të hynte në mësim. Problemi nuk kishte të bënte me nxënësin por me interesa vetjake të drjetorit të shkollës dhe të bashkëshortes së tij, edhe ajo drejtoreshë në një tjetër shkollë, ku kishte mësuar më parë nxënësi 13-vjeçar.

U desh ndërhyrja e Ministrisë së Arsimit për ti dhënë zgjidhje këtij problemi. Tashmë nxënesi Mariglen Kola, vazhdon shkollën normalisht së bashku me bashkëmoshtarët e tij. Pas apelit të bërë në media Ministria e Arsimit ka lëshuar një vendim që 13-vjeçari të regjistrohet në shkollën 9-vjeçare “Tahir Hoxha”. Drejtori i kësaj shkollë Nexhmi Çollaku nuk lejonte që nxënësi të hynte në shkollë. Kundërshtimi i drejtorit prej fakteve që paraqitën prindërit e fëmijës, ishin më tepër se absurde. Sipas tyre, bashkëshortja e drejtorit Çollaku, drejtoreshë në një tjetër shkollë në fshatin Cerujë ku ka studiuar më parë Marigleni (ndërsa jetonte tek të afërmit), nuk donte që 13-vjeçari të largohej prej kësaj shkolle, pasi kjo mund të çonte në shkarkimin e një mësuesi nga puna (për shkak të numrit të vogël të nxënësve në klasë). Por këtë vit, familja Kola kishte vendosur që djalin ta shkollonte në Klos, gjë që prishte planet e drejtoreshës në Cërujë, e cila në bashkëpunim me të shoqin, drejtorin e shkollës në Klos, nuk lejonin për më shumë se 2 javë që 13-vjeçari të shkonte në shkollë. Publlikimi i lajmit në gazeta dhe televizone, vuri në lëvizje Ministrinë e Arsimit, me urdhër të së cilës, Marigleni ka të drejtë të ndjekë shkollën, duke mos u iu përplasur sërish dera në fytyrë.


T.Observer:, Entela Duraj

No comments: