I ndjeri Aristotel Guma, i cili humbi jetën, mbrëmjen e 12 gushtit 2010 si pasojë e një aksidenti, është cilësuar nga Mitropoliti i Gjirokastrës, Dhimitri Sianidhi si “martir i krishtërimit”.
Deklarata e tij është bërë gjatë meshës fetare që u zhvillua në kishën e Himarës, në përkujtim të ditës së 40-të nga ndarja prej jetës së 37 vjeçarit Guma. “Gazeta Shqiptare” ka arritur dje të sigurojë pamjet filmike të një video amatore që ka xhiruar për gati 12 minuta ceremoninë fetare që vijoi për 3 orë e gjysmë mes këngëve kishtare si dhe meshës që u zhvillua e gjitha në gjuhën greke. Është hera e parë që opinionit publik shqiptar i bëhet e ditur ajo ç’ka është thënë mesditën e 19 shtatorit brenda në kishën e Himarës për shkak se mediat nuk u lanë të ishin të pranishme.
“Aristoteli vdiq si ortodoks i devotshëm sikur dhe martirët e parë të krishtërimit, ashtu dhe martirët më të rinj të periudhës së sundimit turk. Ky vend (Shqipëria) ka pasur martirët e tij dhe ka vuajtur gjatë në kohën e diktatorit Hoxha. Në këtë kishë kur ajo sapo ishte hapur, bashkë me kryepeshkopin kemi takuar disa gra, të cilat me një zë na janë ankuar dhe na kanë rrëfyer për burra që të helmuar nga propaganda ateiste e asaj kohe vranë bashkëshortet dhe fëmijët e tyre. Tani u martirizua dhe ai (Aristotel Guma)”, është shprehur mes të tjerash Mitropoliti grek i Gjirokastrës.
Shikoni pak bizhuteritë e varura në qafë. Kushedi sa krenar ndjehet perëndia... (S.I)
Referuar pamjeve filmike, Sianidhi është shprehur gjithashtu se “kur një njeri si Aristoteli pagëzohet, jeton dhe vdes si një i krishterë ortodoks i mirë, atëherë shpirti i tij kalon në jetën e përtejme në prezencë të Zotit tonë Jezu Krisht. Aristoteli duke mishëruar virtytet e një ortodoksi të mirë, jetoi jetën e tij dhe në një moment të vështirë që ajo i solli, vdiq si ortodoks i devotshëm”, është shprehur Sianidhi.
Ceremonia
Ceremonia përkujtimore në nderim të 37 vjeçarit, Aristotel Guma, i cili në datën 19 shtator 2010 mbushi 40 ditë nga ndarja e jetës, është zhvilluar pa incidente, ndërkohë që në të kanë marrë pjesë përfaqësues të lartë të politikës greke por dhe asaj shqiptare. Ceremonia nisi në orën 8 të mëngjesit ku shumë banorë të Himarës por dhe mjaft persona të tjerë të ardhur enkas nga Greqia shkuan fillimisht në vendin ku 40 ditë më parë ndodhi aksidenti fatal që i mori jetën të riut nga Himara. Të gjithë të pranishmit janë drejtuar më pas në Kishën e Himarës, e cila ndodhet ngjitur me shkollën greke të përuruar pak kohë më parë. Edhe pse pritej që në këtë ceremoni të merrte pjesë kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale shqiptare, Hirësia e Tij, Anastas Janullatos, në vend të tij mbërriti një tjetër përfaqësues i lartë i kishës, Mitropoliti i Gjirokastrës, Dhimitri Sianidhi.
Tedi Blushi, G. Shqiptare
No comments:
Post a Comment