Tuesday, September 21, 2010

Grumbuj plehrash arrijnë deri në dritaret e pacientëve

Bluzat e bardha fajësojnë papërgjegjshmërinë e prindërve të pacientëve që hedhin mbeturinat. Po rrezikohet seriozisht shëndeti i pacientëve
Pamje e trishtë sa është vështirë ta besosh se je në mjediset e një spitali fëmijësh. Grumbuj të mëdhenj plehrash ngrihen shumë afër dritareve të pacientëve të shtruar në Pediatrinë e Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza". Madje, pikërisht, pacientët që kanë imunitet shumë të dobët, fëmijët më sëmundje të rënda gjaku, këto plehra i kanë shumë afër.

Bluzat e bardha të Pediatrisë theksojnë se një ambient i tillë është shumë i rrezikshëm për pacientët dhe për këtë situatë fajësojnë në radhë të parë prindërit, të cilët hedhin mbeturina nga dritarja, por edhe drejtorinë e QSUT-së, e cila nuk merr masa për t'i pastruar.
Në fakt, burime zyrtare pranë kësaj drejtorie theksojnë se ky ambient është pastruar shpesh herë, por prindërit e papërgjegjshëm të fëmijëve vazhdojnë dhe hedhin mbeturinat në këtë zonë.
Ndërsa, disa nga prindërit e pacientëve të vegjël të pyetur nga gazeta, kjo situatë u duket krejtësisht e papranueshme dhe për këtë fajësojnë edhe njerëzit që hedhin mbeturinat nga dritarja, por edhe drejtorinë që nuk merr masa emergjente për ta pastruar.
"Është e turpshme që është ky mjedis në spital. Fajtorët kryesorë jemi vet ne njerëzit që e krijojmë, por edhe drejtoria duhet të marrë masa për t'i pastruar së më shpejt mbeturinat", - pohon nëna e Joanës, pacientes së shtruar në shërbimin e Onko-hematologjisë.
Ndotja
Plehrat janë bërë grumbuj sa të krijojnë idenë se kanë shumë kohë aty. Është pamje vërtet aspak e këndshme, sepse shikon gjithfarë gjërash të hedhura në një mënyrë të shëmtuar sa edhe fëmijëve të vegjël nuk do t'iu falej.
Një hapësirë e tërë e rrethuar nga muret e larta të spitalit ngjan si një kazan i stërmadh plehrash ku të gjithë kanë hedhur sa kanë mundur mbetjet. Nëse je në katin e dytë të pediatrisë mund të ndjesh erën e mbeturinave që kundërmon.
"Është e tmerrshme. Shikojeni vetë ambientin. Mund të them se fëmijët janë të parët ata që e vuajnë këtë ambient, sepse ata vuajnë sëmundje të rënda dhe higjiena për ta duhet të jetë në maksimum, ndryshe mund t'iu rrezikohet edhe jeta.
Për fat të keq, ata duhet të vuajnë këtë mjedis që e prodhojnë të rriturit, madje prindërit e tyre, sepse i hedhin plehrat nga dritarja me papërgjegjshmërinë më të madhe", - pohon një nga mjekët e shërbimit të Onko-hematologjisë në Pediatrinë e QSUT-së, duke shtuar se kjo situatë është e pafalshme dhe se njerëzit duhet të ndërgjegjësohen që të mos ndotin ambientin, sepse veprimi që bëjnë në radhë të parë vret fëmijët e tyre.
Sipas bluzave të bardha, është e pamundur për të ndaluar hedhjen e mbeturinave që bëjnë prindërit e pacientëve, sepse ata nuk mund të rrinë roje gjithë kohës, ndaj dhe kërkohet ndërgjegjësim për ta ndalur këtë veprim.
"Para pak javësh erdhi vetë drejtori i spitalit në Pediatri dhe ne i treguam grumbujt e mëdhenj të plehrave që ishin krijuar. Në fakt, urdhëroi menjëherë punonjësit që të vinin t'i pastronin dhe kështu ndodhi. Nuk kaluan as dy ditë dhe situata u përsërit sërish dhe u arrit në këtë gjendje që po e shikoni edhe vetë", - pohon njëra nga infermieret e Pediatrisë.

Drejtoria: Prindërit të mos ndotin ambientin e fëmijëve të tyre
Prindërit e pacientëve duhet të jenë më të përgjegjshëm në radhë të parë për fëmijët e tyre, sepse janë ata që po u krijojnë një ambient aspak pozitiv, por të rëndomtë dhe të pistë. Kështu u shprehen burime zyrtare të drejtorisë së Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza", të cilët theksuan se ai ambient është pastruar disa herë, por sërish papërgjegjshmëria e qytetarëve e ka katandisur në atë mënyrë. "Është lënë sërish që të pastrohet me firmën private edhe sanitaret e spitalit.
Por, duhet të dini se kjo nuk varet vetëm nga pastrime që do të bëhet sërish, por kjo varet nga ndërgjegjësimi i njerëzve për të mos kryer veprime të tilla në një mjedis publik, aq më tepër në spital ku janë të shtruar fëmijët e tyre, sepse janë këtë të fundit që do ta vuajnë më shumë se të gjithë", - pohojnë burime zyrtare të drejtorisë së QSUT-së, duke shtuar se ky mjedis u pastrua para dy javësh dhe sërish u ndot në atë mënyrë.
Ndërkohë, burime zyrtare të QSUT-së pohojnë se në dhomat e spitalit ndodhen koshat e mbeturinave, ku njerëzit mund të hedhin plehrat në mënyrë që të mos krijojnë një ambient armiqësor për vete dhe fëmijët e tyre.
Sipas drejtorit të QSUT-së, Dashi, shefat e pavijoneve t'i dorëzojnë deri në fund të shtatorit, në të kundërt do të ketë masa administrative


Eglantina Bardhi, G. Shekulli

No comments: