Sunday, September 19, 2010

Të vrasësh në emër të "nderit"

Gjenocidi i fundit ndaj grave dhe vajzave që nuk kanë asnjë të drejtë në Irak
Në vështrim të parë, Shawbo Ali Rauf duket sikur po dremit në barin e gjelbër. Kaçurrelat e saj të errëta i krijojnë një kornizë të bukur fytyrës së zbehtë. Fundi veror që ka veshur është paksa i hallakatur mbi trup. Gjithçka deri në këtë pikë duket normale, veç pozicionit të çuditshëm të gjymtyrëve të saja në të cilat vihen re shenjat e gjakut.

Në fakt bëhet fjalë për një skenë të tmerrshme krimi. Irakiania 19-vjeçare, sipas fjalëve të të atit, u vra nga njerëzit e të fejuarit e saj. Ata e ftuan për një piknik në një zonë piktoreske të qytetit dhe kur u gjendën në mes të pyllit e qëlluan shtatë herë rresht në kokë.

"Krimi" i saj i vetëm ishte se në celular kishte pasur një numër telefoni të panjohur.

"Vrasja e nderit" e kësaj vajze të re irakiane është vetëm një nga historitë e dhimbshme që dëgjon në Irakun e sotëm, ku sipas disa aktivistëve po ndodh një gjenocid i vërtetë dhe i dhunshëm e për më tepër masiv ndaj grave dhe vajzave.

Kryesisht vrasjet në emër të vendosjes së nderit në vend vihen re në zonat rurale të vendit, aty ku edhe fanatizmi është në ekstrem. Të gjitha krimet e kësaj natyre bëhen në emër të fesë dhe të nderit që predikon ajo.
Në një nga rastet e fundit të kësaj natyre, një tjetër vajzë, këtë herë në moshën 17-vjeçare ishte mbytur për vdekje nga i ati. Shkaku: Sipas disa dëshmitarëve meshkuj ajo na ishte ngatërruar me një ushtar britanik të trupave që shërbejnë në Irak. Vetëm në Basra, policia ka të dhëna që brenda muajit prill janë vrarë 20 femra për thyerje të kodeve të islamizmit, kryesisht të kodeve të veshjes.
Por ndërkohë shifrat, sipas disa organizatave ndërkombëtare në vend, janë shumë më të mëdha e si pasojë shumë shqetësuese. Dhuna kundër grave është në shpërthim e sipër.
Numri i këtyre vrasjeve po shtohet paralelisht me shtimin e vrasjeve e akteve terroriste nga ana e militantëve të ndryshëm të sekteve fetare. Prerje kokësh, përdhunime, rrahje për vdekje, vetëvrasje për shkak të moralizimit të ashpër që i bëhet në familje dhe në shoqëri, dëmtimeve të organeve gjenitale, trafikim, abuzim me të miturit dhe martesa shumë të hershme të vajzave thuajse të mitura me meshkuj shumë më të mëdhenj në moshë. Të gjitha këto dukuri janë në shtim e sipër dhe me përmasa të frikshme.

Du‘a Khali Asëard, 17 vjeç nga Nineveh, u ekzekutua pas qëllimeve të egra me gurë në të gjithë trupin, kryesisht në kokë nga një turmë e përbërë prej rreth 2000 meshkujsh.
Shkaku është si gjithmonë dashuria.
Vajza ra në dashuri me një djalë të një sekti tjetër fetar, ndaj dënimi për të nuk mund të ishte veçse ai kapital. Fotot e trupit të saj të shkatërruar fizikisht janë transmetuar në internet dhe kjo ka bërë që të nisë një lloj ndërgjegjësimi për mobilizim të ndërkombëtarëve dhe për reforma në vend. Babai i vajzës që vdiq nga goditjet me gurë, duke folur një vit pas ngjarjes tragjike që ndodhi prillin e kaluar, deklaroi se asnjë nga përgjegjësit për krimin makabër nuk është vënë para drejtësisë. Dhe familja e tij, përveç fatkeqësisë që pësoi, mbetet e mënjanuar edhe nga i gjithë fisi. "Ime bijë nuk bëri asgjë të gabuar. Ajo u dashurua me një mysliman dhe për këtë nuk mund të jetë fajtore, pasi nuk ka asgjë të keqe të biesh në dashuri, pavarësisht nëse personi nuk është i besimit tënd fetar. Unë ndihem keq, sepse nuk mund ta mbroja. Im vëlla më kërcënoi se nëse do ta bëja një gjë të tillë atëherë fatin e sime bije do ta pësonte e gjithë familja ime. Pasi e masakruan sikur të ishte një kafshë, pjesët e trupit të saj u hodhën në plehra".

Ndiqni videon e tmerrshme të ekzekutimit të saj në publik: http://www.youtube.com/watch?v=dIZJNrc8sKw

E parekomandueshme për personat me ndjeshmëri të lartë
Babai i kësaj vajze kërkon vendosjen e drejtësisë në vend, kërkon shpagim për këtë veprim të paprecedentë, por deri më tani nuk ka pasur asnjë lloj dënimi të fajtorëve, apo qoftë edhe ndërmarrjen e ndonjë akti të ligjshëm kundër tyre. Pavarësisht këtyre tmerreve, thirrjet e fundit nga ana e parlamentarit kurd Narmin Osman për të nxjerrë të jashtëligjshme vrasjet në emër të nderit e fesë, që i pësojnë gjithnjë gratë dhe vajzat, janë bllokuar nga fondamentalistët. "Vrasjet e nderit nuk përbëjnë krim në sytë e qeverisë", deklaron një vajzë, e cila rrezikoi të vritej për një rast të ngjashëm me atë të shoqeve të saj fatkeqe, por që arriti gjithsesi të shpëtonte për mrekulli.
Që nga ajo kohë, ajo ka bërë një peticion kundër ligjeve të sheriatit në Kurdistan. Sipas saj, nëse në rastin e Sadamit vendi kishte një diktator të vetëm që i persekutonte njerëzit, aktualisht thuajse të gjithë meshkujt janë shndërruar në persekutues të femrave. "Gjatë 5 viteve të fundit kanë ndodhur krimet më makabre të imagjinueshme dhe e keqja më e madhe është se ato nuk ka shans që të bëhen publike. Është e tmerrshme që të përshkruash se sa e vështirë është që të jetosh nën kushte të tilla, kur për një gjë fare të vogël mund të ekzekutohesh pa mëdyshje", thotë një tjetër irakiane.

Edhe për shumë të tjera, gjërat në vend që të ndreqeshin kanë shkuar më për ters, dhe e gjithë shoqëria, veçanërisht gratë, janë futur në një epokë të errët të denjë për periudhën më gjakatare të mesjetës.  
Grave u pritet koka në rast se heqin shaminë nga koka, apo fytyra.
Vetëvrasjet janë gjithnjë e në rritje nga femrat të cilat e ndjejnë veten në kurth dhe nuk gjejnë rrugë tjetër shpëtimi. Nuk ekziston asnjë lloj organizmi qeveritar apo institucion që t‘u dalë në mbrojtje grave të pafajshme. Ligji i Sherihatit po i dhunon gratë, duke u mohuar atyre të drejtat më themelore dhe të drejtat bazë. Në gushtin e vitit të kaluar, trupi i një 11-vjeçareje u gjet diku në Kurdistan, pasi vajza kishte vdekur nga goditjet me gurë. Në fillim të këtij muaji, dy vëllezër dhe një motër u grabitën nga shtëpitë e tyre në Kirkuk nga disa persona të armatosur me veshje si të trupave të policisë. Vëllezërit u rrahën për vdekje, ndërsa gruaja u la në kushte shumë të rënda shëndetësore pas disa goditjesh në organet jetësore. Një javë më parë, një gazetare irakiane u vra në shtëpinë e saj në Abril të Kurdistanit. Vrasja u krye nga i shoqi, sipas të cilit, gruaja e tij nuk kishte më të drejtë të jetonte duke qenë se kishte rënë në dashuri me një person tjetër.

Kushtetuta e re e Irakut është një masë konfuze nenesh dhe ligjesh, në të cilën nuk thuhet asnjë fjalë për të drejtat e grave. Edhe pse në të theksohet që burrat dhe gratë janë të barabartë njëherazi, i jepet legjitimitet edhe ligjit të Sheriatit, sipas të cilit femra është qenia më e persekutuar.


Revista Jonë, veriu.com

No comments: