Sunday, September 19, 2010

Mbledhja e NATO-s për Kosovën “rrodhi” në duart e serbëve.

Mbledhja e NATO-s për Kosovën “rrodhi” në duart e serbëve.

nga Stop Injorances ! më 2010-09-15 në orën 3:23.MD
 Zyrtarë të lartë shqiptarë kanë vënë në dispozicion të Serbisë, informacione të klasifikuara të Komitetit Ushtarak të NATO-s. Sinjalin e alarmit e jep deputeti socialist, Ilir Gjoni, i cili pretendoi dje se citon një shqetësim të drejtorit të Shërbimit Informativ Shtetëror, Bahri Shaqiri. “Unë nuk mund të rri dot indiferent ndaj atij informacioni që u bë publik në këtë sallë nga drejtori i SHISH-it. Unë nuk mund të ri indiferent dhe nuk e quaj justifikim padijen e ndonjë kolegu sa i përket problemeve që i kanë lindur NATO-s me rrjedhjen e informacionit. I referohem konkretisht diskutimeve që janë bërë në NATO në Këshillin Ushtarak për sa i përket ‘Marrëveshjes së Kumanovës’. Bisedat e bëra në këtë forum të lartë të NATO-s kanë rrjedhur dhe dokumenti ka kaluar në duart e autoriteteve serbe, të cilat e kanë përdorur për qëllimet e tyre”, u shpreh Gjoni në mbledhjen e radhës së komisionit parlamentar të sigurisë kombëtare. Mbledhja e Komitetit Ushtarak të NATO-s, së cilës i referohet deputeti socialist është zhvilluar në datën 17 qershor 2010.Kryefjala e diskutimeve të këtij forumi të lartë të Aleancës, ku përfaqësohet edhe Shqipëria, ka qenë pakti i 9 qershorit 1999 që mundësoi tërheqjen e trupave serbe nga Kosova apo siç njihet ndryshe si “Marrëveshja e Kumanovës”, në bazë të së cilës KFOR-i u mandatua për të qenë garant suprem i paqes dhe i sigurisë në Kosovë.  
Pikërisht në këtë mbledhje NATO-ja refuzoi propozimin e Beogradit zyrtar që të zhvleftësohej Marrëveshja Teknike-Ushtarake e Kumanovës. Informacionet sekrete të diskutuara në këtë takim të Komitetit Ushtarak të Aleancës janë vënë në dispozicion të Serbisë sipas deputetit të PS-së, Ilir Gjoni.
Ndaj dhe për këtë arsye ai kërkoi llogari nga autoritetet qeveritare dhe Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar nëse janë në dijeni të mënyrës sesi të dhënat “Top Secret” të NATO-s ranë në duart e Serbisë. “Përfitoj nga rasti që t’i kërkoj kryetarit (Leonard Demi) që në emër të komisionit t’iu kërkojë strukturave tona që merren me ruajtjen e informacionit nëse në muajin qershor apo korrik ka pasur një rrjedhje informacioni në strukturat e NATO-s ku jemi përfaqësuar edhe ne. Nëse ai është bërë problem, nëse ky informacion ka rënë në duart e serbëve”, - është shprehur Gjoni.
Tedi Blushi
Burimi: Gazeta Shqiptare

No comments: