Sunday, September 19, 2010

Korrupsioni ulet “këmbëkryq” në fakultete, pedagogët 300-700 euro kurs për një provim

MASH “dorëzohet”, 60 për qind e pedagogëve bëjnë kurse të shtrenjta si ryshfet për provimet

Pedagogët e pothuajse të gjithë fakulteteve prej vjetësh po zbatojnë një skemë abuzive duke kryer kurse private para provimeve të vjeshtës. Për shkak se një numër mjaft i lartë studentësh janë mbetës në disa provime duket se për ta mënyra më e mirë për të siguruar marrjen e tyre është frekuentimi i kurseve private para provimeve shtetërore me pedagogët e lëndës apo me pedagogë të fakulteteve të tjera.
Ky është një ritual i përvitshëm i pedagogëve e studentëve dhe një mundësi mjaft fitimprurëse për pedagogët, të cilët ushtrojnë aktivitetin e mësimdhënies pa licencë.
Studentët paguajnë rreth 300-700 për çdo kurs që zgjat rreth dy muaj.
Praktika e kurseve private të cilët dënohen me ligj dhe shprehin, korrupsion në auditorët e fakulteteve aplikohen në bazë të një regjistri që përkrah emrit të studentit shënohet paraqitja e studentit nëpërmjet shenjës së shumës së paguar. Burime nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës, kanë deklaruar ditën e djeshme për gazetën “SOT” se përpara këtij fakti ky institucion nuk ka asnjë skemë për të marrë masa pasi kjo gjë i takon vetëm task-forcës në Ministrinë e Financave. Edhe pse burimet e MASH i quajnë kurset private në fakultete si shkelje sërish nga ky institucion nuk është ndërmarrë asnjë masë për abuzimet, madje edhe pe pedagogët janë pushuar nga puna për këtë problem sërish pas disa vitesh ata janë futur sërish në arsim.

Abuzimi
Sipas ligjit, asnjë pedagog nuk mund të ushtrojë profesionin e mësimdhënies jashtë auditorëve të fakulteteve. Gjithçka që bëhet nga ana e pedagogëve është e paligjshme dhe abuzim me punën e kryer. Kurset zakonisht kryhen në ambientet e apartamenteve të pedagogëve por ka edhe raste banale kur kurset kryhen në orët e mbrëmjes apo të pasdites në ambientet e fakulteteve. Sipas vetë studentëve kurset variojnë nga 200 euro që është më i liri i cili i përket degëve të shkencave sociale. Sipas studentit Kristi Hasani i cili studion në vitin e katërt inxhinieri ndërtimi, një kurs i ka kushtuar plot 800 euro për dy lëndë të quajtura Analiza 1 dhe Analiza 2.
Sipas këtij studenti pedagogët edhe pse kryejnë korrupsion të rregullt nuk kontrollohen nga asnjë instancë. Sipas këtij studenti mësimdhënia mund të bëhet vetëm me licencën përkatëse, ndërsa veprimet e tjera janë në kundërshtim me ligjin për arsimin e lartë. Ky fenomen është i përhapur edhe në arsimin e mesëm, përveç arsimit të lartë. Mësuesit i adresojnë nxënësit te kolegët e tyre, “për të fshehur gjurmët” e veprimeve kundër ligjit. Ndërsa kurset më fitimprurëse janë ato të studentëve të universiteteve, ku orët e mësimit kanë një kosto më të lartë dhe kërkesa e studentëve për marrjen e provimeve është e domosdoshme.

Auditorët
Kurset zhvillohen në ambiente të marra me qira nga pedagogët që japin mësim me turne dhe orare të caktuara për çdo grup, që është ndarë sipas një numri të caktuar. Auditorët ndodhen në ambiente pallatesh, në katet e sipërme të tyre. Janë të padukshme për syrin e lirë të qytetarëve të zakonshme, ndërsa studentët i gjejnë me rekomandimet e njëri-tjetrit. Ato janë të shpërndara në disa zona të kryeqytetit, ku mund të përmendin ambientet pranë nëntë katësheve, apo pranë rrugës “Myslym Shyri” për nxënësit e shkollave të mesme. Pedagogët më të kërkuar janë ata që kanë lëndë të vështira dhe të pakapshme gjatë orëve të mësimit nga të gjithë studentët. Të tilla janë matematika, fizika, lëndë të inxhinierive, të Politeknikut, Ekonomikut etj. Këto degë janë më të paguarat dhe më të kërkuarat, madje kanë dhe një numër tepër të lartë të studentëve që i frekuentojnë. Studentët e kanë të vështirë të identifikohen për shkak të problemeve që mund t’u shkaktohen.
Një student, i cili nuk pranon të identifikohet, shprehet se zgjedhja e tij është bërë për arsye se ka mjaft provime të ngelura dhe e vetmja mënyrë është që të kryejë kurse private me pedagogë. Studenti tregon se në listat e notave të provimeve gjatë dy sezoneve, lëndët që u përkasin shkencave ekzakte kanë numrin më të lartë të studentëve mbetës. Kjo është një shtysë edhe më e madhe për të siguruar marrjen e provimeve dhe shmangien e humbjes së vitit shkollor.


Arta AGOLLI G. Sot

No comments: