Kur u përkthye së pari "Femrat" i Bukowskit, shumë vetë rrudhën buzët. E quajtën libër shovinist. Në fakt, ajo që shkruante ai burri në libër ishte një përshkrim i thatë deri në brutalitet i marrëdhënieve të femrave me të.
Por, Bukowski është shumë "vitet 70"...A thua?
A thua femra shqiptare, që nuk pati mundësinë të kalojë procesin e revolucionit seksual të viteve '60-të, të feminizmit të '70-ës e konsumizmit të '80-ës të ketë thyer kodet e Bukowskit?
Duke qenë të vetëdijshëm për maskilizmin e theksuar të shoqërisë shqiptare ku akoma ka zona ku lindja e një femre konsiderohet ters; për pabarazinë gjinore në familje, në arsimim, në punësim; për abuzimin verbal e deri fizik në qendrat e punës apo të shkollës e deri në rrugë; ka një pikë përtej së cilës nuk ka justifikime për cilësinë e kontributit që femrat shqiptare sjellin në civilizimin e shoqërisë sonë. Ka një pikë, përtej së cilës lind pyetja, mirë të tjerat, po këto gra, vetë, çfarë po bëjnë? Çfarë po japin për ta bërë më të paqtë, të jetueshëm, e normal këtë vend?
Femrat kanë në dorë edukimin e fëmijëve të tyre, djem e vajza, prej nga do të dalin shovinistët ose xhentëlmenët, nënat ose prostitutat e së ardhmes. Femrat kanë në dorë dhe shkollimin e fëmijëve, përderisa pjesa më e madhe e mësueseve në fillore e deri në gjimnaz janë gra.
Në një vend të ngarkuar me tension seksual, ku për pak seks kemi parë që burrat janë gati t'i vënë ferrën vetë shtetit, femrat kanë në dorë shumë. Kanë në dorë, burrat!Në kohët e vjetra, meshkujt bënin atë që donin të bënin. Në kohët moderne, meshkujt bëjnë atë që femrat u lejojnë atyre të bëjnë.Nëse femrat shqiptare do të josheshin nga meshkujt trupbukur, tërë burrat do të rendnin në palestër. Nëse kërkojnë meshkuj të pasur, të tërë me vrap të bëjnë para. Nëse femrat duan një burrë me makinë të shtrenjtë, secili do të përpiqet ta sajojë një, qoftë dhe të vjedhur, qoftë dhe borxh. Nëse do të donin meshkuj inteligjentë, s'do të kishte më lavazhe, por biblioteka.
KOPRRACIA
Ajo që vërej, është se ato kërkojnë shumë pak: Një burrë, që të paguajë për to. Nuk kam takuar akoma një femër shqiptare që të mos i pëlqejë ta qerasin. Madje, edhe ato që fitojnë më shumë se burrat, me të cilët ulen për kafe.Pa folur për modën e takimeve pas njohjes në Facebook. Në takimin e parë (në kafene, sigurisht, mos kujtuat në Ekspozitë pikture?), djali porosit kafe, ajo - Mohito. Në 11 të paradites!Statusi vendoset që në fillim: "unë, kushtoj shtrenjtë!"Problemi i këtij statusi qëndron te fakti që djemtë e rinj, me humor e inteligjentë, nuk e kanë kuletën e fryrë. Ndërsa, burrat me kuletën e fryrë, shpesh, i ka kapur dikush tjetër më herët. Shpesh, kanë fëmijë dhe grua. Por vajzat e "Bllokut" e pranojnë kompromisin, me një kusht të panegociueshëm: Nëm! Nëm!! NËM!!!
MENDJEMADHËSIA
Femrat në timon më krijojnë ndjesi pozitive. Një makinë duket gjë e vogël, por është në fakt, gjë e madhe. Është simbol i pavarësisë së individit.Shpesh, shoh dhe femra në timone makinash luksoze, të cilat, gjasat janë që nuk i kanë blerë vetë. Makina që tregojnë standardin e të pasurit, e herë të garipit dhe të fortit. Ato femra, në ato lloj makinash, edhe në rrugë ngasin si të fortë. Xhirojnë gomat në kthesë. Futen me arrogancë me të kuqe. Sepse, këto femra i japin makinës si ai që ua ka mësuar. Gjëja më e trishtueshme në asfalt janë femrat lace.
ZEMËRIMI
Duket sikur moralin e përcaktojnë burrat. Në fakt, moralin e përkufizojnë gratë. Fjalën "Kurvë" e përdorin më me urrejtje e përçmim femrat për femrat e tjera, sesa meshkujt. Madje, meshkujt e përdorin dhe me njëfarë respekti.Femrat, i përcaktojnë normat e moralit në bazë të asaj që nuk guxojnë t'i bëjnë apo arrijnë dot vetë. Të ngecura në një jetë që mund të mos iu japë shumë, përpiqen të krijojnë status për veten e tyre, duke vendosur gardhin e "normës" për femrat e tjera.Vendosja e statusit është agresive dhe e dhunshme, mes vetë femrave. Më ka rënë rasti të dëgjoj një studente që i klasifikonte "zhulse" vajzat që vinin në shkollë të veshura thjesht e me atlete. Për vete, vinte në shkollë me takën 10 pond e me minifundin më të shkurtër se të Gishtëzës. E kështu diskriminimi mes femrave vazhdon pa pushim, pa sens e pa masë.
EPSHI
Problemi më i dukshëm i femrave shqiptare shfaqet te kodet e deformuara të veshjes. Shohim përditë vajza që shkojnë në punë e në shkollë të veshura sikur po shkojnë në pub, madje edhe me xixa me yje në fytyrë; femra që punojnë menaxhere lokalesh dhe ngjajnë sikur janë në vitrinat e rrugës së kuqe të Amsterdamit; gra me deformime trupore që veshin gjëra të papërshtatshme të ngushta. Këto nuk tregojnë që femrat shqiptare janë me komplekse. Tregojnë të kundërtën. Tregojnë një mentalitet banal e të thjeshtë. Meqë seksi është motori kryesor i shoqërisë, meqë është e vetmja gjë që i bën burrat të ngrihen nga kafja a divani, atëherë, duhet të jemi seksuale në çdo orë. Jo sensuale. Seksuale! Sepse, seksi, është arma kryesore.
Sigurisht, seksi ka qenë në të tëra kohërat një armë shumë e fortë. Por, ka qenë NJËRA nga armët. Joshja femërore ka brenda inteligjencë, sharm, feminilitet e sensualitet, humor e buzëqeshje, finesë e indiferencë.Sot, has femra që nuk bëjnë as përpjekjen më të vogël të jenë interesante, të zgjuara apo sharmante në tavolinë. E manifestojnë hapur, vend e pa vend, që të gjithë ua kanë nevojën, sepse ato kanë "çelësin". Ato besojnë se të kesh "çelësin" e një kumbaraje bosh mjafton për të pasur status të privilegjuar kudo, qoftë dhe në një tavolinë të thjeshtë kafeneje.Tentojnë të shiten shtrenjtë pa pasur asgjë tjetër për të ofruar, veç seksit.Dhe ke parë që, shiten! Bursa e seksit është gjithmonë lart! Ato kanë vendosur një standard.
PLOGËSHTIA
Njohja, flirtimi, krijimi i lidhjeve seksuale, kanë qenë motivi pse lindi jeta e natës. Një vend ku njerëzit e lodhur nga puna të mund të takohen me qenie të tjera e të flirtojnë, të ndërlidhen.Në jetën e natës së Tiranës rrotullohen disa qindra-mijëra femra që s'dinë ç'kërkojnë.Rrinë 2 ose 3 vajza ulur në stol, pa folur, për orë me radhë, me një pije përpara. Pastaj ikin në shtëpi, të kënaqura që bënë jetë nate. Kështu prej vitesh.Pse dalin atëherë në këto institucione flirtimi, nëse nuk kanë në plan të flirtojnë?Që të duken! Më shumë se të argëtohesh, ka rëndësi të dukesh që je aty ku të gjithë thonë që bëhet qejf. Kaq është. Të kenë mundësinë të hënën të mburren: "unë isha aty". Kaq u mjafton. Edhe pse "aty" ato vetëm vegjetojnë.
Por, modeli më interesant, janë ato që paguhen për të qenë "aty", pranë banakut, si karrem për klientët.Pije falas, për ekspozim falas. Narcizismi i tyre e pranon me kënaqësi marrëveshjen. Ato janë femra joshëse që kanë qejf të tregohen.Por, shumica, s'ka kuptuar një gjë: Jeta e natës ka natë, por edhe jetë. Këto femra kanë vetëm natën. Nuk bëjnë jetë.
Duket sikur jeta e natës së Tiranës, në mënyrë absurde, është plot femra që kanë dalë të kërkojnë burrë për t'u martuar.
LLUPËSIA
Burri, do të thotë kompromis. Tarta e kompromiseve në martesë, do të ishte e gjatë e me seri.Jemi të rrethuar nga njerëz dhe histori që dëshmojnë se martesa është kthyer në një institucion kompromisi të frikshëm për shumë çifte.Për sa kohë gruaja ka para për të prishur, burri ka leje të mbajë dashnore. Ditën bëj ç'të duash! Në darkë kthehu në shtëpi! Mjafton që unë të mos e di!
ZILIA
Për të kuptuar dualizimin dhe çoroditjen e standardeve të sjelljes shoqërore te femrat shqiptare, mjafton të shohësh fotot e tyre në Facebook. Vajza, të cilat kanë frikë të flasin për seksin edhe me shoqet e ngushta, të rritura mes tabush të frikshme, dalin në FB në poza seksuale nga më të çuditshmet, e madje edhe të sikletshme për atë që i sheh. Një transformim total në një botë virtuale. Një lëshim nga zinxhirët, që si çdo çlirim i këtij llojit ka tendencën t'i çojë përtej kufirit të kundërt. Gjithmonë në web. Në jetën reale, kthehen në statusin origjinal.
Ndrydhja, bën që ato vajzat e mbledhura e konform normave të mesatares së "moralit" shoqëror, sa dalin jashtë kufijve të shtetit për konferenca, shkollë a çfarëdo tjetër, jetojnë fenomenin e çlirimit nga zinxhirët. Kjo i ka shndërruar gardhet e moralit në një farsë shoqërore si puna e tezgjahut të Penelopës: të gjithë e thurim ditën dhe e shthurim natën. Ose, e thurim në Atdhe, e shthurim në Perëndim.
E njëjta gjë ndodh me vajzat nga rrethet kur vijnë në Tiranë. Vajzat e urta të 2 muajve të parë të shkollës, kthehen në përbindësha të dëfrimit të pafre. Nevoja për të përballuar një jetë të shfrenuar që kursimet e babait në rrethin e largët e të varfër nuk ia mundësojnë, i shndërron këto vajza në një pre të lehtë. Dikush duhet të paguajë për to, në mos, ato vetë. Jo më kot, rekrutuesit e prostitutave on call, xhiron parë të "shopping-ut" e bëjnë nga "Qyteti Studenti".
DIO DELLE CITTÀ, E DELL'IMMENSITÀ
Vediamo se si può/imparare queste donne/e cambiare un po' per loro/e cambiare un po' per noi...Femrat, mbeten gjysma jonë më e mirë. Kuptohet, që përjashtimet nga 7 kategoritë më sipër janë të shumta. Ka gra, të cilat durojnë shumë dhe sakrifikojnë jetën e tyre, për të rritur fëmijët. Ka vajza, që qorrohen mbi libra, për të arritur një profesion a vend pune që të tjerat e kapin duke vajtur në intervista me kurrizin përjashta. Ka dhe vajza të tjera, që mbahen mbyllur, për t'i "ruajtur" nga "degjenerimi" i "Bllokut". Ka dhe fshatra, ku fejohen, pa u pyetur që të mitura, ose arratisen nga mjerimi me të parin mustaqelli që kalon.
Gratë, duhet të përpiqen fort që të bëhen gjysma jonë akoma më e mirë. Në një botë ku meshkujt yshtin luftën, ato mund të impononin paqen. Aty ku burrat urrejnë, ato mund të dhurojnë dhembshurinë. Seksi, do të duhej të ishte gëzim, jo pengmarrje sociale.
Përtej komplekseve personale e përtej pabarazisë gjinore, femra shqiptare duhet të rishpikë vetveten.
Koloreto Cukali:shekulli
No comments:
Post a Comment