Thursday, September 30, 2010

Burrnesha apo liburnesha...?

Para disa kohësh këtu poshtë pallatit tim u degjuan disa krisma pistolete. Nga dritarja më vonë pashë që kishin ardhur shumë forca policie për të shoqëruar viktimen në morgun e spitalit, ndërsa vrasësi ishte larguar. Atë natë ndodhi një histori si qindra të tjera më parë, po atë natë u vra për arsye banale një djalë i ri me moshë 25 vjeçare. Shkaku u vrasjes na qënka një vajzë e cila nuk pati aftësinë e ndoshta as mundësinë për ta motivuar djalin që të fejoheshin e të krijonin një familje të re. Kështu, vajza e lenduar në sedër dhe në interes ka vajtur në shtëpi dhe i është ankuar vëllait të sajë i cili ka gjetur një pistoletë dhe më pas e ka ftuar djalin për një kafe ku dhe e ka vrarë.

Mund të thotë ndonjëri se të tilla ngjarje ndodhin në të gjithë botën, unë them që ai ndonjëri gabohet rendë; në botën e qytetëruar askush nuk ta merr jetën me një shkak të tillë.

Me duket absurditet që të pretendojmë se ruajmë nderin e kësaj bote me këtë model që i përket një periudhe të largët historike të cilën bota e ka hedhur tutje me neveri nepërmjet ndryshimeve të thella kulturore, urbane dhe administrative. Burri i dashuri apo i fejuari, duhet të motivohet dhe të meritohet. Ndodh krejt ndryshe tek gratë dhe vajzat e pa arsimuara të cilat mëndojnë se mashkulli duhet të zgjidhet njëlloj si në kohën e kanunit, se mashkulli duhet të grabitet dhe të mbahet me presion e me dhunë, apo të lidhet peng pas një puthje apo joshje seksuale, apo të poshtërohet për shkak të shuarjes së epshit apo të mbahet i mbyllur "nën fustan" apo të dhunohet për tu lidhur nga "zakoni" dhe zinxhiret e familjes dhe tradites fshatare nga vijnë këto femra burrnesha a liburnesha që dinë të mbjellin vdekje, urrejtje, vrasje dhe hasmëri.


Pak kohë më parë, në një fshat të Matit ndodhi një vrasje tjetër, përseri u tha se një vajzë vrau të dashurin e sajë duke zbrazur mbi të mbi 20 plumba. Është berë e zakonshme të degjosh për gra dhe vajza të pa arsimuara që vrasin, mashtrojnë, kurvërojnë, pendohën, ngatërrojnë, përgojojnë, xhelozojnë e që në fakt dëshmojnë majën e një ajzbergu që për fat të keq askush nuk ka deshirë ta shikojë e ta pranojë, ndonëse ka ardhur koha për të reflektuar e për të përpunuar politika dhe strategji kombëtare për edukimin dhe lartësimin kulturor e moral të shoqërisë dhe elementit shoqëror femër në veçanti.

Liburnët kanë qenë njëri nga 12 fiset e famshme Ilire të njohur për anijet e tyre të lundrimit dhe për shkallën e lartë të degjenerimit dhe marrdhenjeve seksuale në grup.  (Liburn, le burrin?) S.I.

Në atë kohë (sipas Fallmajerit dhe historjanëve të tjerë) gratë liburne shkonin me shumë burra, lindnin fëmijet dhe kur ata bëheshin 10 vjeç u jepej emri i babait duke u bazuar në ngjashmërin e tipareve të fytyres së fëmijës me ndonjërin nga burrat që kishte shkuar me liburneshën e cila drejtonte jetën me forcën dhe ligjet e jetes primitive të asaj kohe. Gratë liburne pinin njëlloj si burrat, sundonin burrat, bënin duel me shpata dhe vrisnin me gjakftoftësi të lartë. Liburnet kanë levizur shumë nepër Shqipëri, dihet mirë fakti se si ata i sulmuan duke i spostuar Taulantet deri në Desarti. Liburnet dhe disa norma të jetës së tyre mbeten të theksuara pothuajse në të gjitha rajonet e vendit tone.
Ndërsa ajo që ndodhi në shekujt e 13-19 ishte një thellim i mëtejshëm i "liburnisë", izolimit dhe injorancës për shkak se vëndi u stopua nga një model që në thelb ishte një vetëkontroll spontan ku rrugaçëria, forca e shpatës, kusaria, hajnia dhe kurvëria ishin rregullatoret e dhimbshëm të jetës shoqërore shqiptare, e cila ngeli shumë larg nga rrjedha dhe prirjet e qytetërimit rajonal dhe botëror.

Vitin e kaluar u njohëm nepërmjet mediave me mënyrën se si një grua nga fshati Vidohovë i Korçes kishte vrarë me gjakftoftësi një djalë 7 vjeçar dhe e kishte fshehur kufomen e tijë në fundin e një pusi uji vetëm për tu hakmarrë ndaj xhaxhait të djalit i cili (sipas mediave) nuk pranonte me ruajt më gjatë një lidhje jashtë martesore me këtë grua "liburneshë" nga Vidohova.
Edhe gjatë kësaj pranvere, fshati Vidohovë u trondit përsëri nga një vrasje, tragjedi e rendë ku mbetën të vdekur 3 vëllezër me mbiemrin Mulliri. U tha se vrasja u krye për shkak se gruaja e vrasësit kishte lidhje jashtëmartesore me njërin prej këtyre vëllezërve Kujtoj se në vitin 1990 në fshatin Patin të Matit një grua e pa arsimuar vrau burrin e saj që ishte një djalë i vetëm, më pas e coptoi trupin e kufomes me sopatë dhe e groposi në guret e përroit të fshatit. E kam përjetuar me dhimbje këtë ngjarje dhe ngjarje të tjera akoma edhe më të llahtarshme.
Kjo është vazhdimësi e rrezikshme që buron nga e kaluara e largët historike, rilind dhe mbijeton nga injoranca e femrave të cilat në pjesën më të madhe të rasteve janë sundimtare, përfituese të rendomta por edhe viktima të këtij realiteti. Krejt ndryshe shkruhet dhe trumbetohet në media ku lexojmë dhe degjojmë fjalë dhe lavde pa fund për kodin e nderit, karakterin e fortë, ndershmërin, besnikërin, mikpritjën, bujarinë etj. Kemi degjuar dhe njohur institucione të tilla si kumbara apo byrazeri, janë një mal me pisllek, genjeshtra dhe pabesi.
Kam degjuar e njohur shumë raste kur nënat nga injoranca e tyre e thellë kanë vrarë deri edhe fëmijën e tyre sepse ai (fëmija i pafajshem) i ka parë duke bërë seks me të dashurin.
E theksoj se në kushtet e jetës së varfër e të izoluar, për fat të keq ky 'dashnori' gjithnjë ka qenë njeri shumë i afërt e i besuar i gjakut dhe i familjes. Ndërsa institucioni i 'byrazerit' është një mal tjetër me pisllek e pabesi, një perde imagjinare për të mbuluar dhe ligjeruar në një farë mënyre atë pjesë të trashegimisë që na vjen deri në ditët e sotme nga kohët e largëta të jetës primitive apo jetës në kope
Nën këto pëlhura imagjinare që vetë populli i ka endur nga padija dhe izolimi, fshihet një oqean me ngatërresa, një shkollë e stërholluar kurvërie e pabesie, një kombinat që prodhon dyftyrësi dhe prostitucion. Shqipëria është vëndi ku prostitucioni dhe shtepit publike janë të ndaluara me ligj, megjithatë ka ardhur koha që të ndryshojmë realitetin e krijuar nga sjellja sipas modelit të strucit, ka ardhur koha që të pranojmë se Shqipëria ka një nivel shumë të lartë vulgariteti dhe prostitucioni, nivel që kërkon masa dhe reforma të thella shoqërore dhe administrative.
Të gjithë vuajnë nga pasojat, sëmundjet e pasherueshme, vrasjet dhe ngatëresat sociale që lindin nga prostitucioni, por askush nuk flet, askush nuk denoncon.
Për fat të keq heshtja fillon që nga zyrtaret dhe agjentet e policisë dhe sigurisë të cilet në shumë raste janë edhe përfituesit e rendomtë nga kjo kolërë e shtrirë horizontalisht dhe vertikalish në të gjithë shoqërinë. Një pjesë e madhe e grave dhe vajzave shqiptare janë pjesa më e pa arsimuar dhe më e pa kualifikuar e shoqërisë; janë pjesa më e goditur nga papunësia. Sistemi komunist, diktatorial punoi mjaft në drejtim të përmirësimit të këtij realiteti dhe imazhi, por krahas arritjeve pati dhe deformime. Pati veprime konkrete në drejtim të shkollimit të grave dhe vajzave, linden martesat mbi baza dashurie dhe tërheqje reciproke, pati një përfaqësim më të mirë të gruas në të gjitha nivelet e pushtetit etj
Me forcën e jashtëzakonshme të ligjit u hoqën institucionet inekzistente të kumbares, ndrikulles, byrazerit etj, u arrit që "liburninë" ta sundonte sadopak ligji. Por krahas zhvillimeve dhe arritjeve pozitive, ndodhën edhe shtrembërime të tilla ku femra shqiptare hipërbolizohej duke e deformuar rrolin dhe funksionin e saj. Kështu që gruaja që duhet të rrezatonte mirësi, kulturë, sherbesë, edukatë për fëmijet, bashkëshortin dhe shoqërin u kthye në një figurë që ngjasonte me një makinë të hekurt që punonte në arë me korrë grurin apo punonte në fabrikë me dy turne, ndërsa për jetën bashkëshortore dhe edukimin e fëmijëve... e dinte partia.
Kudo në ekspozitat e asaj kohe, shikoje gra të veshura me kombinoshe, me fytyra të vrejtura e të deformuara nga muskujt, gra me drapër e me pushkë në dorë, gra që sterviteshin mbi tanke, gra që flisnin me ton të lartë urdhërues para forumeve dhe turmave të puntorve dhe burrave kokë të ulur Madje në atë kohë u krijua edhe një kengë e cila u kthye në një hit që transmetohej 24 herë rresht nepërmjet valëve të radio Tiranës ku thuhej: "Porsi burrat i ke gratë....Syrin pishë zemrën barot etj".

Grave nuk ju shkon parmenda, shpata as pushka, gruaja nuk është si burri, po të ishte kështu atëherë nuk do kishte familje as shoqëri të ndërtuar sipas këtij modeli të familjes që ka sot bota. Askujt si duhet "syri pishë i gruas", zemra e gruas, e nënës apo motres lipset të jetë e butë, burim dashurie e mirësie, askujt nuk i duhet një zemër e mbushur me barot dhe eksploziv, as me dhunë, urrejtje, egoizëm e zhelozi.. Megjithë arritjet që u shenuan gjatë 45 viteve të diktatures, pasojat e injorancës dhe izolimit shekullor, genet reçesiv të kurvërisë trupore dhe shpirtërore mbijetuan mrekullisht për të shpërthyer llahtarshëm pas vitit 1990 dhe për të treguar se sa e fortë është tradita dhe trashegimia që vjen nga kohët e largëta primitive
Trashegimia nuk mund të ndryshoj as për 50 vjet as për 100 vjet, prirje dhe zakone primitive janë ruajtur për shkak të jetës së varfër, jetes së izoluar e të fragmentuar rurale që ka berë populli ynë për shekuj me rradhë. Përgjegjëse për edukimin e fëmijëve dhe qytetarve të mirë në radhë të parë është nëna, janë gratë dhe vajzat që do të bëhen nëna në të ardhmën.
Gratë e paditura edukojnë dhe trashegojnë tek fëmijet dhe brezat e ardhshëm zakonet e jetës primitive, edukojnë dhe mbjellin zakonet e jetes së fragmentuar, nivelin dhe format e ulëta të organizimit shoqëror në kope, fise, bajraqe, feude etj.

Për fat të keq konstatojmë se tek pjesa më e madhe e grave dhe vajzave tona mungon modestia, sherbesa, thjeshtësia, deshira për të lexuar, është shqetësues mentaliteti i krijuar dhe i stimuluar në vite se çdo problem mund të zgjidhet me trup dhe gjoks përjashta, me tarafin e babait apo burrit, apo me muskujt dhe armët e dashnorëve etj. Mendoj se nuk mund të ecet më tutje duke heshtur e duke u vetëmburrur, shteti dhe shoqëria shqiptare duhet të gjejnë mekanizmat e duhura për ngritjen e nivelit kulturor, arsimor e shoqëror të grave dhe vajzave shqiptare.

Ju kujtoj se bota është berë më e qetë, me e pastër dhe më e zhvilluar duke investuar për zhvillimin e intelektit dhe personalitetit. Shqiperia ka nevojë më tepër se kurrë për qytetarë dhe qytetari. Dhe të mos harrojmë se qytetaret e mire mund të rriten dhe edukohen vetem nga nënat e arsimuara e të kulturuara.
Dr. Lush Susaj, G. Shekulli

No comments: