Sunday, September 5, 2010

Ngacmon vajzën që njohu në ‘Facebook’, pranga shqiptarit

Përveçse rrezikon riatdhesimin në Shqipëri, i riu shqiptar duhet të përballet edhe me akuzat e “cenimit të privatësisë” dhe “ngacmimeve seksuale”. Ngjarja ka ndodhur në Firence të shtetit fqinj dhe ka pasur për protagonistë dy shqiptarë: një vajzë 22 vjeç dhe një djalë 25 vjeç. I riu shqiptar është arrestuar nga karabinierët teksa po tentonte të prekte pa dëshirën e saj 22-vjeçaren në një autobus me të cilën ajo po kthehej në shtëpi nga vendi i saj i punës.


Lajmi u bë i ditur nga agjencitë e lajmeve të vendit fqinj. Sipas burimeve autoritetet policore italiane kishin arrestuar një të ri shqiptar. Arrestimi i të riut kishte ardhur pas një denoncimi të bërë nga “viktima” e tij, një 22-vjeçare, e cila prej disa ditësh merrte vetëm telefonata dhe ndiqej këmba këmbës nga bashkëkombësi i saj.

Referuar burimeve bëhet e ditur se gjithçka ka nisur me një ftesë për miqësi në rrjetin social në internet “facebook”. Të dy të rinjtë ishin shqiptarë dhe të dy jetonin në Firence. Veçse, 22- vjeçarja gëzonte leje qëndrimi të rregullt, ndërsa i riu ishte ilegal në Itali. Pasi janë bërë miq në “facebook” kanë parë foto të njëri-tjetrit dhe kanë shkëmbyer numra telefoni. Ka qenë ky momenti kur për vajzën ka nisur “ferri”.

Siç bëjnë të ditur agjencitë italiane të lajmeve 25- vjeçari ka vijuar ta telefonojë pambarim vajzën si edhe duke e ndjekur atë nëpër rrugë. Por kur gjithë situata është bërë e papërballueshme për të renë ajo i është drejtuar policisë.

Në vijim ajo ka përdorur veten e saj si “karrem” për shqiptarin bezdisës. Dy ditë më parë, teksa shqiptarja po kthehej në shtëpi me anë të një autobusi 25- vjeçari i është afruar dhe e ka përqafuar me forcë.

Në këto momente kanë ndërhyrë karabinierët, të cilët ishin kamufluar si udhëtarë civilë në autobus. Ata kanë arrestuar shqiptarin mbi të cilin tashmë rëndon akuza për “cenim të privatësisë” dhe “ngacmime seksuale”. Behet e ditur se të shtunën e shkuar, i riu kishte tentuar të puthte me forcë pa dëshirën e saj 22- vjeçaren, në parkingun e një qendre tregtare ku ishin takuar. Gjatë kontrollit të karabinierëve, i riu ishte hequr sikur ishte i fejuari i vajzës.                           



G.Panorama

No comments: