Thursday, September 2, 2010

Pseudoreformat në arsim: Kundra stazhit 1-vjeçar!

Që prej rënies së sistemit komunist në Shqipëri, shumë ministra arsimi janë ndryshuar dhe shumë reforma të ndryshme janë ndërmarrë në këtë fushë, kaq delikate dhe të lidhur drejtëpërdrejtë me zhvillimin e një kombi.             




Kujtoj që në vitin shkollor 2000-2001, konkursi ishte i lirë për çdo nxënës që kishte mbaruar të mesmen, qoftë edhe me provime të mbetura në vjeshtë. Më parë, kush mbeste për në vjeshtë në vitin e 4 të gjimnazit, humbiste automatikisht mundësinë për t'u regjistruar për konkurim nëpër fakultete.
Ish nxënësit e gjimnazeve, kishin të drejtën të konkuronin në sa degë të dëshironin, e rëndësishme ishte të mos kishin përplasje datash ditët e konkurseve.
Nuk merrej parasysh mesatarja dhe testi ndahej në 60% të pyetjeve testi i përgjithshëm dhe 40% të pyetjeve testi special, që sipas degës përkatëse fokusohej absolutisht vetëm tek profili i degës.
Testi kishte gjithsej 300 pikë, përgjigja e duhur vlerësohej me 3 pikë, përgjigja e gabuar shënohej minus 1 pikë (-1) dhe për çdo 3 përgjigje "Nuk e di", merrje gjithashtu minus një pikë (-1).
Ky ishte një program, i cili nuk diskriminonte nxënësit që nuk kishin nota të mira dhe i nxirrte të gjithë të babarabartë para testit, ku çdokush bënte diferencën në saj të përgjigjeve të sakta.
Në 2002-shin, rivendoset sërish mesatarja dhe ajo që është më skandalozja, është fakti se kur rivendoset kritere të reja, ato aplikohen gjithashtu tek të gjitha vitet shkollorë, pra edhe nxënësit që deri sa kaluan vitin e III-të gjimnaz, ishin të vetëdijshëm që mesatarja nuk ishte kusht i domosdoshëm, në vit të 4 gjimnaz, apo edhe ata që u maturuan u përballën direkt me kriterin seleksionues të mesatares.
Ky kriter i ri, i aplikuar kaq gabim, ishte një hap i madh pas, në arsimin shqiptar.
Viti shkollor 2002-2003 ishte një shanc i madh për të gjithë nxënësit që kishin nota të mira. Ata thuajse e kishin të fituar konkursin e shkollës së lartë.
Si merren notat e mira ?
Mjafton të kesh njohje me mësuesin, të bësh kurse private me të, të të mbajë me hatër për arsye të ndryshme, të shkollohesh në zona rurale etj.Pra rikthimi i mesatares si kriter, ishte një shanc i madh për banorët e zonave rurale që konkuronin për arsim të lartë. Ata u zunë vendin nxënësve të qytetit, ku siç dihet kërkesa e llogarisë është shumë më e madhe dhe nota maksimale nuk është e lehtë për t'u arrirë.
Pasi mjeshtrave të këtyre reformave u erdhi në vesh shqetësimi i madh i prindërve mbi këtë pseudoreformë që padrejtësisht dënonte fëmijët e tyre, pseudomjeshtrat vendosën një kleçkë tjetër për t'a koklavitur edhe më tej çështjen.
Ata vendosën për shkolla të veçanta koefiçentë të ndryshëm. Nëse një nxënës ka mbaruar psh Sami Frashërin në Tiranë, ai ka keofiçent më të lartë, se dikush tjetër që ka studiuar në një zonë rurale.
Pra, në mënyrë të drejtëpërdrejtë u diskriminuan banorët e zonave rurale.
Pse nuk ka të drejtë një nxënës të meritojë 10-tën, pavarësisht vendit ku i takoi të jetojë...?
Në vitin shkollor 2008-2009 në universitetet shqiptare aplikohet sistemi i Bolonjës. Nuk dihet se përse u përzgjodh pikërisht ky sistem, ku sigurisht nuk është më i miri që njihet, por edhe aplikimi i tij si sistem eksperimental ishte i realizuar përgjysmë, po ashtu siç edhe ka mbetur.
Në sistemin e Bolonjës nuk ka stazh. Sistemi ndërtohet mbi bazë kreditësh, që variojnë nga vështirësia e lëndës. Kërkohet një kufi prej 30 kreditësh që të kalosh vitin e parë.
Në sistemin e Bolonjës, përfundon rregullisht 3 vitet e universitetit dhe nuk diplomohesh, nëse nuk merr të gjitha provimet e programit mësimor.
Na ka shkruar një anëtar i faqes, i cili i ka parë me shumë kujdes këtë çështje, duke na kërkuar përkrahje për ta ngritur zërin kundra rivendosjes së stazhit 1 -vjeçar, i cili vjen përsëri i aplikuar në një formë tmerrësisht të gabuar, duke penalizuar studentët.
Nëse ndërmerret një reformë e re, logjikshëm ajo duhet të aplikohet tek studentët e vitit të parë në universitet dhe jo tek vitet e tjera.
Elton Tona ka krijuar një grup në këtë rrjet social me emër "Kundra Stazhit 1 vjeçar", ku i bën thirrje të gjithë studentëve shqiptarë të bashkohen e të protestojnë kundra kësaj reforme, që kërkon të aplikohet tek të gjitha vitet akademike, duke penalizuar padrejtësisht studentët e vitet të II-të e të III-të.
Gjithashtu edhe Fakulteti i Mjekësisë në prill të 2010-ës rivendosi stazhin.
Kur do kuptojnë të nderuar pedagogë, dekanë, rektorë e ministra të arsimit, që për çdo reformë të ndërmarrë, ajo fillimisht duhet të diskutohet me grupeve të interesuara dhe të prekura drejtëpërdrejtë?
Mos të harrojmë që janë studentët e ardhmja e një shteti. Janë ata që ndryshojnë sistemet dhe mendësitë e shkuara të të vepruarit.

Le të bashkohemi dhe ta kundërshtojmë me çdo mënyrë këtë pseudoreformë të re.



  Shkroi: Stop Injorancës http://www.facebook.com/NdalPaditurise2

No comments: