Drejtuesit e shtetit, nëpunësit e lartë, përfshi ministra e politikanë përgjithësisht të përgojuar (nga mediat apo në mënyrë të ndërsjellë) për abuzime, shpejtuan këto ditë të bëheshin personazhe në kremtimet për 100-vjetorin e shenjtores Nënë Tereza. Sigurisht, ceremonitë zyrtare dhe gëzimi për vlerësimin e kësaj figure madhështore, janë të natyrshme.
Ngjarja meriton kujdesin dhe vëmendjen më të madhe. Por, gjithsesi, zelli i paparë i zyrtarëve të lartë shqiptarë dhe oborrtarëve të tyre, njëfarësoj bie erë. Më e pakta, le të bëjmë një paralele midis veprimtarisë së madhështores së vogël Nënë Tereza dhe këtyre "lepurushëve".
Gruaja e shenjtë fali gjithë jetën e saj për ta parë botën pak më të mirë. Ajo ishte një mirëbërëse e palodhur, nuk kishte ndot të përkëdhelte edhe duart e kokën e një lebrozi.
Nënë Tereza nuk recitonte teori e konflikte, nuk shante e as nëmte kënd; ajo ishte një veprimtare e palodhur e Zotit, nderonte dhe mbronte çdo të varfër dhe të pamundur. Krejt ndryshe na vjen pamja e të parëve të shtetit dhe të administratës, sidomos këtu te ne. Grabitës të pasurive kombëtare; shkatërrues të kësaj pasurie përmes pjesëmarrjes në privatizime me kosto qesharake; autorë apo frymëzues në lloj-lloj aferash dhe historish të dyshimta. Më tej, njerëz mediokër dhe fjalosës të rëndomtë; në të shumtën e kohës, sharjet dhe ulërimat kanë për zanat. Dhe as që mund të ndodhë ndryshe, sepse siç thotë një fjalë e urtë: "Ndërgjegjja flet, interesi ulërin..."
Por ja, kremtimet për Nënë Terezën, janë një rast i mirë për t'iu thënë të tjerëve: Shikoni si e nderojmë në mirëbërjen, paqen, dashurinë mes njerëzve; shikoni sa të thjeshtë dhe të përkorë jemi, tamam si Nënë Tereza.
E të e të tjera, do të thoshte mbase Dritëro Agolli. Sigurisht, ata u shitën edhe njëherë si "të mirët e botës", u përpoqën të lajnë mëkatet; rastin do ta përdornin me doemos për të bërë demagogji si përfaqësues të popullit dhe të interesave kombëtare.
Një detaj i kësaj demagogjie. Në pankartën që lajmëron këto kremtime, te Muzeu Kombëtar, është shumë më i madh e më i dukshëm emri i kryeministrit të përkohshëm Sali Berisha, se sa emri i nobelistes dhe madhështores Nënë Tereza.
Ani. Kështu kanë bërë në kohën e tyre edhe monarkë të tjerë dhe oborrtarët e tyre ua kanë krehur bishtin, për të lëpirë ndonjë kockë. Kështu ka qenë jetë e mot. Mbase kështu do të jetë gjithnjë. (Këtë e konfirmon edhe miku im Edmond Tupe në shkrimin "Sistemi D", kur përmes humorit të zi flet me të drejtë për zhdukjen e species së idealistëve.)
Le të vazhdojmë me krahasimin e pamjeve. Realitetin dramatik dhe me shumë halle të këtij vendi, e shohin dhe e ndjejnë të gjithë. Edhe pse një pjesë e madhe, për fat të keq edhe e intelektualëve dhe kolegëve të tjerë, heshtin (duke lëpirë edhe ata kockën).
Por të parët e shtetit dhe të administratës, bënë çmos që ca ditë të kishim një tjetër realitet. Ishte e natyrshme që ata t'i përdornin këto kremtime. Ishte e natyrshme të visheshin sa më bukur dhe të dilnin në plan të parë, bashkë me oborrtarët e tyre kockëlëpirës.
Por të gjithë e dinë se sa larg botës së Nënë Terezës janë ata. Një sërë çështjesh i implikojnë në pista të errëta, që nga ngjarjet e vitit '97-të, çështja Remzi Hoxha, privatizimet në kurriz të pasurisë kombëtare, Gërdeci, e kështu më tej.
Ja një tjetër detaj domethënës. Përpara disa kohësh, u bë gurguleja për një shesh diku në qendër të kryeqytetit, ku pas një konflikt, një ministër - që për fat të keq ka qenë dikur edhe gazetar - doli e na tha se aty "do të bëhet një lulishte." Shkoni dhe shikoni diku pranë stacionit të autobusëve për Kombinat se ç'vend i pështirë ka katandisur në mes të Tiranës kjo lulishtja e premtuar. Si shumë premtime të tjera.
Jo! Nuk kanë asgjë të përbashkët me Nënë Terezën, që sot kaq shumë po mundohen ta nderojnë; sepse gënjejnë, dhunojnë, bile edhe vrasin dhe pastaj fshehin identitetin dhe thonë: "Unë nuk jam unë."
Këta të pushojnë nga puna për të punësuar miqtë dhe militantët, qofshin edhe gdhe e pa shkollë, edhe pse mund të kesh halle e njerëz të sëmurë përqark. Këta vetëm kështu dinë t'i ndërtojnë institucionet dhe marrëdhëniet me njerëzit, prandaj na shkojnë punë kaq mbarë; prandaj kanë dalë jashtë kontrollit çështja e pronave dhe papunësia, sado që përpiqen t'i kamuflojnë; prandaj kemi një kaos në rrugët e vendit, sidomos të kryeqytetit, ku s'merr vesh i pari të dytin, ku nuk dihet kush tregton, kush rri kot, kush vjedh; prandaj çdo ditë përcjellim në varreza apo humbasim në mënyra të tjera qytetarë të pambrojtur, shpesh vajza e djem të rinj; një masakër e heshtur, e pakuptueshme, aq sa është për t'u kujtuar vargu emblematik i poeteshës së njohur Ahmatova: ...se nuk dallohet "Kush është njeri, e cili bishë".
Këtë realitet nuk e ndryshojnë dot këta shtiranjakë, (këto ditë kremtues plot bujë të përvjetorit të Nënë Terezës - simbol i mirësisë dhe i paqes).
VANGJUSH SARO
No comments:
Post a Comment