Jetojmë në Tiranë. Jo rrallë na rastis që për një arsye a për një tjetër të ecim e të bëjmë thuajse përditë të njejtën rrugë. Fenomenet me të cilat përballemi janë të shumta e të natyrave të ndryshme, ndonëse i anashkalojmë për shkak të problemeve që ka gjithsecili prej nesh në jetën e vet, gjë të cilën populli e ka mishëruar në shprehjen: ”Nuk më lënë këmborët e mia të dëgjoj zilet e botës”. E keqja është se duke mos dëgjuar këto zilet e vogla sot, do na gjëmojnë daullet e topat mot.
Po futem drejt e në temë. Rasti i parë: Një çift të rinjsh kishin blerë secili nga një misër të pjekur dhe mbasi konsumuan pjesën e ngrënëshme, kthyen kokën majtas-djathtas, e pasi nuk ju zyri syri gjëkundi kosha mbeturinash, i hodhën diku në kuadratin e një peme rruge. Rasti i dytë: Brenda një fraksioni sekonde nga rasti i parë, pason i dyti me fluturimin e një pakete cigaresh bosh në mes të trutuarit.
Rasti i tretë: Një grup fëmijësh që sapo mbaruan së ngrëni byrekët, i mblodhën shuk letrat e tyre dhe i gjuajtën njeri-tjetrit, duke improvizuar aty për aty një lojë me ato mjete rrethanore që u ndodheshin. Rasti i katërt: Në pritje të ndizej semafori me sinjal për kalimin e këmbësorëve, një grumbull me lëkura bananesh përfunduan papritmas te këmbët tona.
Rasti i... Fluturon nga “Mercedezi bomb” një kanaçe bosh Ivi limon e pas saj një tjetër lëkurë bananeje. Rasti...im: Nga Tregu i Medresesë drejt unazës për nga rruga “Bardhyl” e në drejtim të Brrylit, ecnim dhe bisedonim. Sëbashku me një të afërmin tim shijuam dhe ne nga një misër. Kur e mbaruam, shëtitëm sytë poshtë e përpjetë për ndonjë kosh mbeturinash, por as në horizontin e largët s’dukej gjë. U detyruam t’i fusnim koçanët apo kaçarumët (të mbledhur me lëpushka) në çantën e tij zyrtare.
Shkak i një bisede pa protokoll edhe për ne të dy e që nisi pikërisht në momentin kur u ndodhëm ngushtë, u bë mungesa e një koshi mbeturinash. Natyrisht nuk mbaron këtu problemi, madje këtu fillon. Dikush me të drejtë mund të mendojë e të thotë që këtë e kemi konstatuar edhe ne, por cila është zgjidhja dhe a ka ilaç ky fenomen jo i vogël qytetar?!
Mendoj se duhet parë në disa këndvështrime. E para: Tek organet e ngarkuara për organizimin, zbatimin dhe mirëmenaxhimin e situatës, duke mos u mjaftuar vetëm me vendosjen dhe instalimin e koshave, por edhe me garantimin e jetëgjatësisë së tyre funksionale; kjo në bashkëpunim me mekanizmat apo levat e tjera ndihmëse, angazhimi i të cilave do ta minimizonte abuzimin e derisotëm. Si kudo dhe në këtë fushë nuk mungon përvoja e vëndeve fqinje, ndonëse dhe vetë ne kemi mjaftueshëm përvojë nëse do kishim vullnetin ti shkonim deri në fund fenomenit. Fjala vjen njësitë tregëtare në Turqi kishin instaluar deri dhe tavlla cigaresh në vënde të posaçme, në rrugë mbi një stativ metalik, ku dhe kalimtari i zakonshëm duhanpirës disiplinonte veten duke mos e shkundur apo hedhur bishtin e fikur të cigares në tokë.
Edhe vendet publike ku qëndrohet më gjatë, si parqet, stacionet e autobuzëve urban dhe interurban, pikat e semaforëve, shëtitoret dhe rrugët më të qarkulluara nga këmbësorët, detyrimisht duhet të pajisen me kosha mbeturinash dhe të inspektohen herë mbas here. Pa dyshim dhe më me prioritet e njejta gjë lipset për plazhet dhe vendet e frekuentuara nga pushuesit. Dihet nga të gjithë që ambjenti i kulturuar transmenton kulturë dhe të kulturon, sikurse në të kundërtën të imponon bashkëjetesë dhe familjaritet me të padëshiruarën. E dyta: Qëndrimi qytetar ndaj fenomenit. Të ndjeshëm dhe aktiv jo indiferent dhe sehirxhinj. Vetëm kur fenomeni na afrohet pranë vetes sonë na bie ndërmend anektoda me Nastradinin. Duhet që të spudhisemi nga një herë të gjithë nga zhapat e bananeve që të reagojmë e të zgjohemi mbasi të kemi thyer këllqet?! Apo kur të mos hapim dot dritaret për ajrosje, të kujtohemi se kultura e jetesës dhe higjiena kanë nevojë dhe për kontributin tonë?! Natyrisht ndërgjegjësimi i shoqërisë është një proçes që relativisht zgjat, por jo pambarimisht, ndaj s’bëjmë gabim ta shpejtojmë pak hapin drejt civilizimit. E treta: Skrapizmi jo si sport, por si biznes jo pa leverdi, po ecën me hapa të tillë, sa ndonjë ditë jo koshat e mbeturinave, kapakët e pusetave, shtyllat ndriçuese të rrugëve etj, etj, por edhe mbushjet metalike të dhëmballëve do na shkulin po u përgjumëm si deri më sot.
Dihet lënda e parë e këtij biznesi dhe lakmia për ta siguruar atë. Çuditërisht nuk dihen dhe s’po gjenden ende rrugët për të ndaluar shpërdorimin me të. Diku mungojnë kapakët e pusetave dhe rreziku mbetet evident si për këmbësorët ashtu dhe për automjetet e sidomos natën, diku koshat e mbeturinave duke cënuar kësisoj qytetarinë, kulturën dhe shëndetin, diku gjetkë mungojnë kabllot e transmetimit të energjisë elektrike sepse vidhen, mungojnë parmakët anësorë metalikë të rrugëve, të cilët gjithashtu vidhen. Shëmbujt më të fundit me kabllot e shkulura në Petrelë dhe me dëmtimin e shtyllave ndriçuese rrugës së kalasë në qytetin muze të Beratit, janë dukuri të një fenomeni në vijim. Pse ky divorc ndërmjet kësaj pjese të shoqërisë dhe shtetit dhe sa do të zgjasë akoma?!
Petraq Floku:Tirana Observer
No comments:
Post a Comment