Gjuha e nënës dhe shqiptarët gjakprishur.
by Stop Injorances ! on 2010-08-24 në orën 4:43.PD
Të kërkosh nga emigrantët dhe fëmijët e tyre të mos harrojnë gjuhën tonë, tanimë është bërë një kërkesë e vështirë, sepse menjëherë ata do të mbrohen duke nxjerrë argumentet e njëjta: “Fëmijët janë të detyruar, shkojnë në shkolla të huaja; atje ku jemi nuk kemi shqiptarë të tjerë”. Argumente që padyshim janë të vlefshme, por në asnjë rast nuk mund të justifikojnë mungesën e plotë të dëshirës dhe vullnetit për të luftuar për gjuhën dhe identitetin e tyre. Duket sikur këtyre shqiptarëve u vjen turp për origjinën dhe mundohen ta fshijnë atë duke veshur petkun e një gjuhe të huaj. Përballë këtij fenomeni tërësisht shqiptaro–modern qëndron ai i arbëreshëve të Italisë, të cilët edhe pas shekujsh flasin, këndojnë dhe vallëzojnë me valle me motive shqiptare. A thua atyre nuk u është dashur të punojnë e të jetojnë në dhe të huaj? Po kështu kemi një model krejtësisht botëror, i cili duhet të na bëjë të mendojmë e madje të turpërohemi. Italianët kur shkuan në Amerikë, edhe pse diskriminoheshin prej vendasve si hallka e fundit e zinxhirit social, asnjëherë nuk e humbën gjuhën e tyre, por me punë dhe me vullnet krijuan zona të tëra me ambiente, shkolla, bare e restorante, ku gjuha e tyre gëlonte e gjallë për të mos u harruar në breza. E po kështu kanë bërë grekët që kanë emigruar në Amerikë, po kështu arabët. Por jo vetëm kaq, ne shohim të huaj të shumtë që kanë vendosur të vijnë e të jetojnë në Shqipëri si sipërmarrës apo të dërguar përfaqësish të huaja, por askush nga fëmijët e tyre nuk shihet të flasë në gjuhën shqipe. Duket se ata janë krenarë për origjinën që kanë. Të vetmit gjakprishur që janë dorëzuar dhe me dëshirë e kanë flakuar tutje veshjen kombëtare janë shqiptarët, të cilët duket se nuk guxojnë të tregojnë origjinën e vërtetë të tyre, mes vendit ku jetojnë dhe fshehtazi edhe nga vetvetja shmangin kombësinë e tyre, duke harruar se në këtë mënyrë ata do të kthehen në individë pa identitet.
Dikur në Shqipëri ka ekzistuar një fjalë që thoshte: “Fëmija merr gjuhën e nënës.” Kjo ndoshta sepse nëna ishte ajo që i këndonte që në djep; ndoshta ngaqë nëna e ushqente dhe nëna i qëndronte më pranë gjatë fazave të rritjes. Fatmirësisht kjo sjellje nuk ka ndryshuar, çka më bën të besoj se pikërisht nënave u mbetet ky rol i rëndësishëm i përcjelljes së gjuhës te fëmijët. Besoj se janë nënat që duhet të kuptojnë se nëse fëmijët humbasin gjuhën, atëherë humbasin vetveten, identitetin dhe kështu do të kthehen në qenie pa drejtim. Nëse
dikush nuk e di nga vjen, as nuk e di ku do të shkojë. Nëse dikush harron gjuhën e nënës, çfarëdo drejtimi të marrë në jetë, do të jetë i pasigurt, gjithmonë do të jetë i çalë, sepse gjithmonë e kudo vjen një kohë që njeriu rritet dhe kthen kokën pas ku kërkon të shohë rrënjët, në mënyrë që të dijë çfarë drejtimi të marrë në jetë. Fëmijët e vegjël nuk e dinë këtë. Ndaj është detyra e prindërve, të jenë më të kujdesshëm dhe më të fuqishëm në ruajtjen e gjuhës, si elementi më kryesor që përçon krenarinë dhe përkatësinë kombëtare.
Në fund dua ta mbyll me një rast që na ndihmon të gjithëve ne: Një prind në Amerikë i mësonte fëmijës së tij pesëvjeçar të lindur atje, si të këndonte këngën labe që kujton luftën e Drashovicës në vitin 1943:
Moj Mavrovë e Drashovicë. Çfarë na bëre atë ditë...
Drashovicë e ura mbanë,
Ç’bëre moj paç belanë,
krisi batare e parë,
mben’ sheshit ata asllanë,
tok e zunë istikamnë,
edhe gjakun tok e dhanë!..”.
Jonida Azizaj
Burimi: Gazeta Shqip
No comments:
Post a Comment