Thursday, August 26, 2010

"Kur gjërat dalin në dritë, shfaqet bota e fëlliqur e parasë"

Korrupsioni tek ne, ve në lëvizje gjithçka. Çdo ndërtim rrugësh, shkollash apo diçka tjetër, ndodh prej tij dhe në prezencë të tij. Korrupsioni funksionon si sistem. Askush nuk e tronditi korrupsionin, as në këtë qeverisje.

Akuzat për korrupsion janë gjithmonë akuza për krimin. Korrupsioni nuk është një krim thjesht i ordinerëve. Por, më së tepërmi, ai është i njerëzve të njohur publik. Përzierja e elementit ordiner (thjesht akti), me atë politik, moral, intelektual krijojnë një formë të rrezikshme shoqërore.

Pushtet pas pushteti, stafeta e korrupsionit shkon dorë më dorë. Pushteti shfaqet për politikanin si një çelës çudibërës. Papritur në një kohë fare të shkurtër ai bën aq para sa nuk i bën dot as një biznesmen real nga ata që punojnë 15 orë në ditë.

Kur gjërat dalin në dritë, bota e pushtetarëve dhe e korrupsionit nuk është e qetë.

Është një botë e rrezikshme. Përmes fjalimeve akuzave, kundërakuzave shpaloset sulmi i botës së fëlliqur të parasë, botës së shpifjes dhe imoralit, shfaqet përpjekja për të mbuluar gjithçka.

Motivet që politikanët paraqesin si justifikim për pasurimin, janë të pranueshme vetëm në anektoda. Këto shfaqen në Parlament dhe në media vetëm sa për dukje. Se në thellësi, atje ku është arena e parave, pronave, marrëveshjeve, vijon pandërprerë një luftë, disa herë groteske, ndërmjet pushtetarit dhe pushtetarit, ndërmjet pushtetarit dhe ligjit, ndërmjet pushtetarit dhe popullit.

Korrupsioni nuk është thjesht korrupsion.

Ai përcakton fatin e një shoqërie, luan me të ardhmen e njerëzve aty poshtë dritares së qeveritarit. Ai mbyll kufij dhe hapësira. Korrupsioni i pushtetarëve tanë, nuk është një produkt i ri, i përftuar nga koha e ashtuquajtur moderne. Në të vërtetë, ky produkt është i vjetër, antik. Por gjetiu është dënuar nga ligji!!

Ndodh diçka e tille tek ne? Përkundrazi!

PËLLUMB MEÇANI, Shekulli

No comments: